Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Kulturë

NJË MIK NË AFRIKË

Josip Idromeno. Kush është ky Josip Idromeno?

Nga emri, të kujton një jugosllav të famshëm, Titon; nga mbiemri, një artist tonin të traditës nga Shkodra, Kol Idromenon.

Josip Idromeno, në të vërtetë, është shqiptar Kosove, 48 vjeç, lindur në Prizren; ai peshon 120 kg, është 1.90 m i gjatë, flokëthinjur, me sy bojëkafe. Ish luftëtar i UÇK-së, më parë parashutist në Armatën Jugosllave, ka punuar herë pas here si bodyguard dhe ndonjëherë kamionist; më pas është aktivizuar si mercenar në Afrikë.

Josip Idromeno shqiptar nga Prizreni? Pak si i vështirë për t’u besuar. Ndoshta pinjoll i një familjeje katolike, që e quajtën fëmijën Josip për nder të udhëheqësit jugosllav Tito?

Gjithçka është e mundshme, jetojmë në një botë të lirë.

Josip Idromeno është personazh i videolojës Far Cry 2; lojtari mund të zgjedhë, që në krye, të marrë identitetin e këtij shqiptari larger than life; përndryshe, Josipi do të shfaqet në lojë, herë pas here, si “mik” i heroit në vetë të parë.

Sipas përshkrimit në librin e lojës, Josipi është pijetar i fortë dhe duhanxhi, por ende “arushë që të çan më dysh.”

Far Cry 2 është një “qitës në vetë të parë” (first person shooter) e ambientuar në Afrikë; është zhvilluar nga Ubisoft Montreal. Sipas Wikipedia-s, deri në 23 janar 2009 janë shitur 2.9 milion kopje të kësaj loje.

Nuk është hera e parë që një personazh shqiptar shfaqet në videolojëra, dhe aq më pak në produkte të dëfrimit masiv, si filmat thriller. Loja Grand Theft Auto IV e prezanton lojtarin me një numër kriminelësh shqiptarë, të organizuar në të ashtuquajturën “Albanian Mob” – Dardan Petrela, Bledar Morina dhe Kalem Vulaj.

Për nga natyra e tyre e vetëkufizuar, videolojërat mbështeten në stereotipizim të skajshëm; shqiptarët e portretizuar në Grand Theft Auto janë distilat i imazhit të krijuar për shqiptarët imigrantë, në mediat perëndimore gjatë 20 vjetëve të fundit.

Këtë distilat e gjen, ndër të tjera, te artikulli i Wikipedia-s për Albanian Mafia-n, ku ndër të tjera lexon për lidhjen midis veprimtarisë mafioze dhe kanunit, ose nocionit të besës dhe gangsterëve shqiptarë. Sipas këtij artikulli, “lufta në Kosovë luajti rol kyç në gjallërimin e mafias shqiptare anembanë Europës.”

Për t’u vënë re, në këtë kontekst, se ishte lufta në Kosovë që e përfshiu stereotipin shqiptar në imagjinarin pop të kulturës globale, me ndërmjetësinë amerikane.

Natyrisht, Josip Idromenoja nuk ka asnjë lidhje as me Albanian Mafia (ose fantazitë pseudo-antropologjike për rrënjët folklorike të krimit shqiptar), as me personazhin real të ish-luftëtarit të UÇK-së; është përkundrazi, një krijim i kulluar pop-kulturor, i cili shqiptarinë e ka të huazuar aksidentalisht nga titujt e lajmeve të atyre viteve.

Prandaj ky mercenar simpatik i përket atij universi përfytyrimesh adoleshente ku shtjellohen edhe aventurat e një videoloje tjetër: SOCOM II, U.S. Navy SEALs, (“qitës taktik në vetë të tretë”), në një nga episodet e së cilës një skuadër e SEAL-ve lufton kundër një grupi mafioz të quajtur Sesseri Syndicate [pas gjase, të po atij bajraku që i përket edhe Rudina Seseri], të cilët prodhojnë armë atomike në Shqipëri [me mbetjet bërthamore të centralit me teknologji japoneze, që do të ndërtojë Sali Berisha] dhe i eksportojnë anembanë Europës.

Këto janë marrëzira, në vetvete; mirëpo publiku me të tilla marrëzira ushqehet. Adoleshenti amerikan e kalon kohën e lirë duke luajtur Far Cry 2, jo duke lexuar biografi të Nënë Terezës, histori të Skënderbeut, romane të Kadaresë; as duke dëgjuar konferenca propagandistike të ambasadorit tonë në ShBA.

Përndryshe, shqiptarët përmenden në lajmet, zakonisht lokale, si të përzier në afera kriminale; njoftimet për takimet e shkrimtarëve shqiptarë në emigracion dhe recitimet e poeteshave nuk i përcjell kush.

Në momentin e tanishëm, imazhi i shqiptarit në ShBA, për të mos thënë në Perëndim, është diçka e ndërmjetme midis malësorit mustaqelli antropologjik dhe tribal dhe kriminelit të pamëshirshëm mafioz. Ky imazh pasqyrohet dhe riprodhohet nëpërmjet produkteve tipike të artit masiv: filmave, videolojërave, romaneve pulp, të cilat parazitojnë në opinionin publik, e ushqejnë dhe njëkohësisht ushqehen prej tij.

Nëse është kështu, atëherë kemi një problem imazhi si plagë të hapur, të cilin ende nuk dimë si mund ta kundërshtojmë.

Për fat të keq, as Josip Idromenoja, ky burrë i leshtë fuçiplotë nga Prizreni ish kamionist & parashutist me famë i Armatës Jugosllave të Titos, figurë simpatike e një videoloje përgjithësisht mediokre, nuk na ndihmon dot shumë në këtë ndërmarrje të përpjetë; aq më tepër që, siç thonë, mbetet i vrarë në lojë e sipër.

Pa Komente

  1. Nuk e di se ç’bëhet në Europë apo Amerikë, por këtu në Itali nuk rrimë të qahemi se për se si na njohin.
    Imazhi i shqiptarëve këtu, përveç njohjes gjithnjë e në rritje të figurës së shqiptarit të ndershëm/jokriminel, një rol të rëndësishëm luajnë edhe mediat e vetorganizuara prej shqiptarëve.
    Rasti më i pastërt është ai i AlbaniaNews-it ( http://www.albanianews.it/ ), ku përveç lajmeve nga Shqipëria dhe Italia, trajtohen e diskutohen shpesh rastet e shqiptarëve që kanë treguar dhe tregojnë që janë ndryshe nga se si i mendon qytetari që i njeh vetëm nëpërmjet kronikës së zezë.

    P.s:Ndokujt edhe mund të mos i pëlqejë figura e leshtë dhe fuçiplotë e kamionistit, por ndokujt edhe mund t’i pëlqejë 😛

  2. Nuk dua te hyj ne ndonje debat mbi imazhin e shqiptareve por vetem kisha nje pershtypje te vogel:
    Shqiptare mercenare ne Afrike e jo vetem, ka pasur gjithnje dhe ka akoma, sic jane edhe prej shteteve te tjera, amerikane angleze franceze etj. Vete njoh 2-3 shqiptare te legjionit te huaj francez qe “shetisin” shpesh ne ato ane dhe pastaj kthehen serisht ne France pas misioneve, keshtu qe ky personazhi i lojes nuk eshte edhe aq fiktiv sa mund te mendohet.
    Perndryshe Idromeno me duket shume simpatik dhe i afrohet me shume imazhit qe edhe kam per shqiptaret sot, se Nene Tereza apo Kadereja. (Skenderbeu eshte histori tjeter )

  3. Personi më i njohur me emrin Josip ishte, sigurisht, Tito. Kemi njohur edhe disa persona tjerë me këtë emër. Josip Rela (1895-1966), shkrimtar arbëresh nga fshati Arbnesh (kroatisht Arbanasi) i Zarës, qytet bregdetar në Dalmaci të Kroacisë. Vepra e tij është botuar në vazhdimësi në revistën letrare Jeta e Re të Prishtinës. Një vepër e tij, drama “Nita”, ishte lektyrë shkollore.

    Josipi tjetër ishte poashtu arbëresh nga i njëjti fshat, Josip Gjergja (1911-1990), që kishte qenë edhe ambasador i Jugosllavisë në Tiranë dhe ndihmësministër i punëve të jashtme. Josip Gjergja kishte qenë edhe përkthyes në takimin kokë më kokë të Enver Hoxhës dhe Titos në Beograd.

    Ishte edhe një tjetër Josip Gjergja, basketbollist, që kishte luajtur për përfaqësuesen jugosllave. Edhe ky nga po i njëjti vend. Mbaj mend që revista për sport “Tempo”, duke prezantuar këtë basketbollist , thoshte se i flet disa gjuhë, ndër të cilat edhe shqip! Pikëçuditësja është e “Tempo”-s.
    Pastaj revista citon fjalët e Josipit i cili shpjegon se të parët e tij kishin ardhur nga rrethi i Shkodrës para 300 vjetësh dhe se në familje ata flasin shqip, shqipen e para 300 vjetëve.

    Këtu duhet shtuar se Austro-Hungaria kishte hapur shkollë shqipe në Arbnesh të Zarës.

    Përveç këtyre emrave, në Kosovë kishte mbiemër Josipi. Fjala është për aktorën e ndjerë të teatrit të Prishtinës, Katarina Josipi.

    Sa i përket imazhit të shqiptarëve, të gjithë e dimë se nuk është i mirë. Por në kohë të fundit ka disa lëvizje pozitive.
    P.sh. në disa tv-emisione të popullarizuara që i shikojnë jo vetëm të rinjtë, por pothuajse të gjitha moshat (jo të gjitha kategoritë), në tri shtete, Gjermani, Zvicër dhe ShBA, kemi depërtime të shqiptarëve të rinj, që njihen si të tillë nga shikuesit. Një italian kur e mori vesh se jam shqiptar menjëherë më pyeti se a po e përcjelli emision argëtues ku merr pjesë edhe ai shqiptari, që ia harrova emrin (e shikoj vetëm kur kemi musafirë që e përcjellin rregullisht).
    Rasti i Arid Ukës është një “sabotim” i përpjekjeve për përmirësimin e imazhit tonë.

    Imazhi është shumë afatgjatë dhe vështirë ndryshon. Një shembull që e kam lexuar në një libër:

    Një burri, pas një keqkuptimi, i kishte dalur nami se ishte koprrac i madh. Ky i shkreti, kishte bërë ç’mos gjatë gjithë jetës, vetëm për ta hequr këtë famë të keqe. Ishte treguar shumë mikpritës saqë ishte varfëruar së tepërmi. Kur kishte rënë në shtrat të vdekjes, mendoi se më në fund kishte arritur ta hiqte namin e keq nga vetja dhe u përpoq për herë të fundit që të thotë edhe diçka që e ndihmon në këtë qëllim.
    Deshti të thotë “kursimi është i tepërt”, por tha vetëm “kursim…” – dhe i mbylli sytë përgjithmonë. Të pranishmit shikuan njëri tjetrin, disa prej tyre nuk u përmbajtën dhe komentuan: “koprraci i keq, edhe duke dhënë shpirt po i bie ndër mend kursimi”.

  4. I vetmi tipar i Idromenos qe mund te nxise pretendimin e nje heroi te se keqes, pra pamja e tij fizike sic paraqitet ne foton e mesiperme, tradhetohet nga ngjashmeria me te mirenjohurin Hulk Hogan. Kjo e ben pak komike kete egersi te pashoqe me te cilin perballen ne versionin single player perdoruesit e lojes anembane qyteterimit. Por mbetet me shume rendesi qemtimi i personazheve te ketilla qe si element politik e deri diku edukativ kane jo vetem origjinen-qe nuk eshte rastesi- por edhe karakterin qe u mvishet ne videoloje. Natyrisht, gjetje te kesaj natyre nuk mund te thuhet se jane vetem fantazi, ato pasqyrojne deri diku tiparin me dominues me te cilin ne kemi hyre ne ndergjegjen e Perendimit. Ngandonjehere perceptimi i rruges, fiton vleren e nje ideje folklorike per tjetrin, perftohet si nje lloj slangu qe incizohet mire ne kujtese. Qe ketej edhe premisa e pare e marketingut te lojerave te tilla. Ta zeme nuk mundet kurrsesi, qe nisur nga ajo cfare thuhet per 20 vjet rresht ne mediat perendimore, simbol i huliganizmit te behet nje maltez para nje shqiptari. Thene ndryshe videoloja riciklon ne forme “argetuese” perballjen me te keqen me te fundit, e cila paracakton keshtu per publikun nje mundesi fitoreje perkundrejt atij qe e ka ate ne realitet. Ajo qe mendoj une ka rendesi, eshte fakti se ne krahasim me lojera te tjera, personazhet shqiptare ne gjetjet e bera si protagoniste filmash apo edhe videolojerash prezantohen permes nje keqkuptimi flagrant. P.sh te japesh gjykime profesionale per mafien shqiptare- e cila ne fakt eshte ne Tirane- duke u nisur nga premisat e Kanunit si analoge e Omerta-se dhe Vendetta-s se dikurshme, minimalisht do te thote qe po flet per dike qe ka Nderin si paresor ne jeten e vet. Kjo eshte sa morale aq edhe ngushelluese; te vrasesh per Nderin, mund te duket budallallek, por eshte edhe disi heroike, mashkullore.
    Ne fakt eshte e kunderta-edhe te dhenat me konkrete policore flasin per ate se Albanians aplikojne nje nivel dhune qe kapercen logjiken. Kjo se fundmi edhe nga nje deklarim i nivelit te larte qe ndoshta shpjegon se perse Ne dalim ne vije te pare te medias kur vjen puna per krimin. http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=207271&ref=kerko
    Gangsteret shqiptare ne fakt vrasin vetem per leke dhe interesa dhe aspak per Nder, gje qe eshte shume larg edhe nje mafiozi te vertete, Badalamentit ta zeme, qe edhe ne Wikipedia cilesohet “always remained an old-style mafioso, faithful to the rule of omertà”.
    Kjo ka vlere krahasimi pasi jep nje ide te vagullt ndoshta, se perse personazhet e rruges, te dhunshem deri ne kafsheri, qe edhe pse u mvishet norma Kanunore si dok moral, ne fakt nuk ia pertojne qe te shkelqejne edhe ne pune te felliqura si Prostitucioni, te cilat e pezullojne Kanunin. Sipas nje rregulli, nje person qe merret me kete pune edhe ne Burg percmohet.
    Prandaj ketu pervec nje ceshtje imazhi si problem i yni, ka edhe investim politik ne konceptimin e imazhit te shqiptareve qe nuk e kane Mafien e tyre ne nje plan me ate italiane, apo edhe ta zeme ruse, por me afer me ate qe quhet si Mafia e Peste, ose Stidda. Ketu mund te lexohet dicka qe duket sikur pershkruan rrugetimin e albanians neper udhet e veshtira te dynjase. (http://www.americanmafia.com/Feature_Articles_334.html)
    Per te lene menjane Idromenon, trajtimi arketipal i shqiptarit te sotshem mbetet i zhveshur nga cdo lloj joshjeje, per sa kohe atij edhe ne ato pak filma, edhe ne videoloje i delegohet nje aftesi ekskluzive; te vrase dhe dhunoje pertej arsyeve qe kerkon edhe Rruga.
    Por jane edhe variantet e tjera te videolojerave si Call of Duty-versioni 6: Modern Warfare qe e ben mjedisin ku na projektojne me te afert. Heroi i vertete i sages Call of Duty, mbetet anglezi tipik, Captain Price; zbaton detyren deri ne fund, ze i ngjirur, mustaqe te zgjatura, dicka si kengetari i Motorhead; ai duket sikur asgje nuk e gjen. Kultivimi i tij heroik nis me Luften e Dyte Boterore-aty ku edhe mbeten burrat e fundit te vertete- per te vijuar tanime me ballafaqimin ne guerriljet urbane si favelat braziliane. Price mbijeton edhe kesaj radhe, por perballjen e madhe e ka me nje rus misterioz me siguri ish-anetar i KGB-se Makarov dhe Gjeneralit Shepherd, nje rengat amerikan.
    Pra, the Old Man ketu ja del serish eshte ne te vertete sot i vetmi Tough Guy. Ai kenaqet modestisht me nje gllenjke uiski perballe Shepherd, qe gjithesesi moralisht eshte me poshte dhe nuk afrohet me Ed Harris te “The Rock”
    Nese videoloja bart ne mesazhet e veta kuptimin manikeist te botes, ne shqiptaret hyjme tek e keqja, por serish ne nje plan te dyte, te pasofistikuar edhe ne kete drejtim. Kjo edhe na mban larg dashamiresise pse nuk prodhon asnje lloj shijeje. Dhe te mendosh qe Perendimi e miraton rehabilitimin edhe te gangsterit kur ai prezanton nje vlere mashkullore, kodi moral apo edhe nje fije dinjiteti homerik ne ballafaqim.
    Ketu dy filma spikasin per mendimin tim; Vrasja e Jessy James nga frikacaku Robert Ford, ku rolin e pare e ka Brad Pitt dhe qe e ka nje nga me te mirat, (per mua) dhe filmi me protagonist Johny Depp per gangsterin e njohur Dilinger.
    Per te mos hequr meritat, se para e kemi perspektiven, qenia shqiptar ndonjehere te mbron nga fama e keqe; http://en.wikipedia.org/wiki/John_Alite. E ka patur grure me te gjithe, por nuk ishte i Familjes pse ishte nga anet tona.

  5. Interesante do te ishte qe historia te filloje te behet tip videogame per cdo etape te saj.
    Per shembull ne kohen e Dioclecianit, legjonet qe mbajten peshen kryesore te perjekjes ushtarake te perandorise ishin dy legjione ilire.

    Shkruan Flavius Vegetius Renatus, autori i asaj shprehjes se famshme “Si vis pacem, para bellum”, ne librin e tij drejtuar perandorit Theodos, De Re Militari:

    THE LOADED JAVELIN
    The exercise of the loaded javelins, called martiobarbuli, must not be omitted. We formerly had two legions in lllyricum, consisting of six thousand men each, which from their extraordinary dexterity and skill in the use of these weapons were distinguished by the same appellation. They supported for a long time the weight of all the wars and distinguished themselves so remarkably that the Emperors Diocletian and Maximian on their accession honored them with the titles of Jovian and Herculean and preferred them before all the other legions. Every soldier carries five of these javelins in the hollow of his shield. And thus the legionary soldiers seem to supply the place of archers, for they wound both the men and horses of the enemy before they come within reach of the common missile weapons.

    Me interes jane pikturat e flamureve te ketyre dy legjioneve: te 5, Jovian, dhe te 6-te, Herculean. Pamja vizive e tyre ka paterne te njohura…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin