(Një version i këtij shkrimi është botuar në 2011. Po e risjell, sepse më duket me interes, në kontekstin e debatit të tanishëm për rrënjët ideologjike të albanologjisë. A.V.)
Teoritë, ose më mirë hipotezat për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe nuk kanë qenë ndonjëherë ideologjikisht asnjanëse ose të pafajshme – as në kohë të Rilindjes, as në kohët totalitare, as në kohët e sotme.
Zyrtarisht, albanologjia në Tiranë dhe në Prishtinë sot i mbahet hipotezës së prejardhjes ilire; por në kulturën shqiptare gjithnjë ka pasur një rrymë të fortë, sado të nëndheshme, të përkrahësve të hipotezës pellazge, e cila njëfarësoj gjithnjë i është referuar mitit të natyrës unike, ose të papërsëritshme të shqiptarëve.
Hipoteza pellazge si rregull nuk pajtohet me hipotezën ilire, me gjithë disa përpjekje sinkretizmi që nuk kanë munguar, duke i paraqitur pellazgët si paraardhës të ilirëve ose si të njëjtë me ta.
Dijetarët që kanë kërkuar dhe “gjetur” lidhje mes shqiptarëve dhe pellazgëve, përkatësisht shqipes dhe pellazgjishtes, i kanë përkitur, si rregull, krahut ortodoks të kulturës shqiptare (shqiptarë dhe vllehë ortodoksë, arbëreshë të Italisë dhe të Greqisë), të cilët gjithnjë i janë referuar kulturorisht botës helenike, në mos Bizantit si univers të mëvetësishëm.
Edhe vetë teoria pellazgjike shpesh është formuluar me synimin për t’u dhënë shqiptarëve primatin brenda kësaj bote, veçanërisht në raport me fqinjët e Jugut.
Brenda teorisë pellazgjike i duhet bërë vend edhe hipotezës, tërheqëse por praktikisht të pambështetur, për lidhjet shqiptare-etruske.
Hipoteza e tretë e prejardhjes së shqipes dhe të shqiptarëve, ajo që na lidh me trakët dhe trakishten e Ballkanit të lashtë, është mbrojtur kryesisht nga gjuhëtarë të huaj, me argumente kryesisht të natyrës gjuhësore, nga të cilat ndër më kryesoret janë marrëdhëniet e ngushta midis shqipes dhe rumanishtes.
Nga pikëpamja gjeografike, hipoteza ilire është e kthyer me fytyrë nga veriu; hipoteza pellazgjike me fytyrë nga jugu; hipoteza trake me fytyrë nga lindja.
Këtë orientim shumëkush e ka lexuar edhe si gjeopolitik dhe gjeokulturor; duke e lidhur hipotezën ilire me krahun katolik të kulturës shqiptare, ndërsa dy hipotezat e tjera me krahun ortodoks të po kësaj kulture, së paku që nga Rilindja e këtej.
Arti spekulativ i Arshi Pipës
Këtyre çështjeve u ka kushtuar vëmendje të veçantë kritiku Arshi Pipa, në librin e vet Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste, veçanërisht duke u ndalur në analizën e marrëdhënieve mes politikave gjuhësore totalitare dhe prejardhjes kulturore të ideatorëve dhe zbatuesve të këtyre politikave – veçanërisht në aspektin e luftës kundër gegërishtes, kulturës gege dhe katolicizmit në Shqipërinë e pas-1945-ës; luftë të cilën Pipa e ka parë si të ushqyer nga anti-katolicizmi dhe anti-perëndimorizmi i krahut bizantin të elitave politike dhe sidomos kulturore në Shqipëri.
Natyrisht, figura qendrore në këto analiza nuk mund veçse të jetë Androkli Kostallari, shef i pakontestuar i gjuhësisë shqiptare gjatë viteve 1960-1980, kur edhe u kristalizuan të gjitha pozicionet ideologjike të kësaj gjuhësie, në lidhje jo vetëm me politikat gjuhësore dhe standardizimin, por edhe në përgjithësi, brenda albanologjisë.
Pipa rreket t’i shpjegojë tezat dhe qëndrimet e Kostallarit sa nga prejardhja e tij lokale, aq edhe duke spekuluar me rrënjët akademike të formimit të tij shkencor në Bashkimin Sovjetik.
Gjithnjë sipas Pipës, Kostallari vërtet mund të jetë deklaruar rregullisht si nxënës i bindur i Stalinit dhe i pamfletit të këtij të fundit për Marksizmin dhe çështjet e gjuhësisë, por në thelb e ka interpretuar historinë e prejardhjes dhe të formimit të gjuhës shqipe sipas teorive të Marr-it, një gjuhëtar sovjetik të cilit i kundërvihet Stalini në vepërzën në fjalë.
Marr-i, i cili ndërmori të zbatojë marksizmin në studimet gjuhësore, ndiqte një metodë që nuk kishte shumë lidhje me gjuhësinë krahasuese (indo-europianistikën) të kultivuar në universitetet europiane. Në lëmin e historisë dhe parahistorisë së gjuhës, i vetmi që na intereson në këtë kontekst, ky dijetar shihte te struktura dialektore e një gjuhe rezultatin e një përzierjeje gjuhësh; duke i konsideruar dialektet si relikte ose mbijetesa gjuhësh dikur të pavarura.
Siç lexoj në veprën e Pipës, edhe shqipen Marr-i e shihte, së bashku me armenishten, si “në një stad të ndërmjetëm mes jafetikes së kulluar dhe indo-europianishtes së avancuar”, pra si gjuhë “hibride, ose, edhe më saktë, bazalisht të tipit tranzitor (nga jafetishtja në indo-europianishte)”.
Që këtej, Pipa nxjerr tentativisht përfundimin se, sipas konceptimit marrian, edhe shqipja është gjuhë “bigjenetike” sikurse armenishtja; dhe dy dialektet e shqipes janë në fakt dy gjuhë, njëra popolane (toskërishtja) dhe tjetra aristokratike (gegërishtja).
“Tundimi për të dalë në një përfundim të tillë është posaçërisht i fortë për një shqiptar marrist me origjinë popolane,” shkruan Pipa, duke iu referuar A. Kostallarit.
Më tej Pipa vëren se, gjithnjë sipas Marr-it, etruskët dhe pellazgët paskan qenë i njëjti popull jafetik; me etruskët që mërguan drejt Italisë (Toscana), teksa dy fise të tjera u ngulitën në Ballkan, për t’u shndërruar me kalimin e kohës në pellazgë, përkatësisht trakë.
Shkruan Pipa:
Një toskë marrist do të tundohej me dalë në përfundimin se shqipja është me të vërtetë një gjuhë bigjenetike, përzierje e substratit jafetik (etrusko-thrakishtes) i përfaqësuar prej toskërishtes dhe substratit të indo-europianishtes (iliro-romake) të përfaqësuar prej gegërishtes, kjo e fundit gjuha e arianëve ngadhënjyes dhe e para gjuhë e jafetikëve të mundur.
Lidhjet e shqipes me etruskishten është përpjekur t’i provojë, në vitet 1950-1960 dijetari frëng Zacharia Mayani – i cili dikur vizitoi edhe Shqipërinë, për t’u shoqëruar, gjatë kësaj vizite, nga askush tjetër veç Androkli Kostallarit vetë (të cilin ai e falënderon me të madhe në parathënie); në një kohë që përkthimi i librit të tij Fundi i misterit etrusk u shtyp… në Rumani! Në këtë lëmë ka dhënë kontribut edhe Nermin Vlora-Falaschi, por me metoda edhe më improvizuese se ato të Mayani-t.
Natyrisht, hipotezat e Pipës për ndikimin e teorive marriane te Androkli Kostallari, në lidhje me prejardhjen e shqipes dhe gjithçka tjetër, mbeten në nivelin e spekulimeve të pastra. Nuk ka asnjë provë që Kostallari të ketë studiuar veprën e Marr-it ose të ketë shprehur ndonjë admirim a vlerësim për të gjëkundi; sikurse nuk ka ndonjë provë që Kostallari të jetë shqiptuar publikisht në favor të hipotezave bigjenetike, jafetike, pellazgjike, trake ose etruske të prejardhjes së shqipes.
Shqiptarë, rumunë dhe arumunë
Lidhjet e ngushta shqiptaro-rumune gjatë Mesjetës së hershme e ndoshta edhe më parë e më pas janë vërejtur dhe përshkruar mirë, prej kohësh. Siç dihet, rumanishtja është vazhdim i latinishtes ballkanike lindore, ose atij varianti të latinishtes vulgare që flitej në lindje të Ballkanit ose më mirë në pjesën e tij kontinentale, ndryshe nga dalmatishtja, që flitej përgjatë Adriatikut, kryesisht në qytetet e romanizuara të bregdetit dhe që mbahet si vazhdim i latinishtes ballkanike perëndimore. Besohet edhe se rumunët, nga pikëpamja gjenetike, janë pasardhës të romanizuar të fiseve trake (ose dake); edhe pse ndonjë dijetar si Gustav Meyer-i i ka parë si vijues të një fisi ilir dhe rumanishten si romanizim të një dialekti ilir.
Gjithsesi, rumanishtja dhe shqipja kanë lidhje të ngushta: në fonetikë, në morfologji, në sintaksë dhe në leksik; një numër fjalësh të vjetra të rumanishtes, që nuk shpjegohen dot me latinishten, kanë përgjegjëset e tyre në shqipe; po ashtu, këto dy gjuhë përkojnë mes tyre edhe në mënyrën si kanë evoluar aty fonetikisht fjalët latine. Nisur nga këto përkime të ngushta, disa albanologë, mes të cilëve edhe Jokli, kanë hedhur hipotezën se të parët e rumunëve dhe të shqiptarëve kanë jetuar dikur në simbiozë, diku në zemër të Ballkanit.
Si rregull, lidhjet e ngushta shqiptaro-rumune i analizojnë dhe i përmendin si argument ithtarët e hipotezës trake të prejardhjes së shqipes – sa kohë që rumanishtja mendohet si e themeluar mbi një substrat trak (dako-miz, etj.); si edhe ata të tjerët, që besojnë se shqipja nuk është formuar në trojet ku flitet sot, por disi më në brendësi të Ballkanit, larg vijës bregdetare dhe ndikimit kulturor të greqishtes së vjetër. Megjithatë, ka edhe autorë që kanë kontribuar ndjeshëm në analizën e lidhjeve shqiptaro-rumune, por që përndryshe kanë mbrojtur hipotezën e prejardhjes ilire të shqipes (Çabej, Cimochowski, etj.).
Pa u zgjatur në analizën e këtyre çështjeve, po mjaftohem të vërej se nga dy dialektet e shqipes, është toskërishtja ajo që i afrohet më shumë rumanishtes, veçanërisht në fonetizëm (p.sh. në shndërrimin e zanoreve hundore në shva ose në ë dhe në rotacizmin – edhe pse në rumanishte zakonisht është rotacizuar l-ja, ndërsa në shqipe n-ja.).
Duke spekuluar me Pipën, mund të vërehet edhe se është normale që dijetarët shqiptarë me prejardhje shqiptare-ortodokse dhe vllahe-ortodokse të kenë treguar interes për lidhjet shqiptaro-rumune, meqë këto lidhje i sigurojnë edhe një bazë si të thuash historike identitetit të tyre kulturor; në një kohë që po këta dijetarë, mes të cilëve Pipa përmend veçanërisht Kostallarin dhe Gjinarin, të tregohen të ftohtë ndaj hipotezës ilire, e cila i referohet, kulturorisht, Perëndimit dhe, mutatis mutandis, Vatikanit.
Këtu ndoshta duhet shtuar edhe paralelizmi, aq domethënës, midis dikotomisë ilire-trake në hipotezat e prejardhjes së shqipes dhe shqiptarëve nga njëra anë; dhe dikotomisë Perëndim-Lindje, në botëkuptimin kulturor-fetar të shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre, gjatë këtyre dy mijë vjetëve të fundit; një paralelizëm që të bën të mendosh se çështja e prejardhjes së shqipes dhe shqiptarëve, e rekrutuar siç është nga ideologjitë, nuk mund të gjejë kurrë zgjidhje të plotë brenda dijes albanologjike.
Trishtimet pasive-agresive të Selman Rizës
Kur analizon kundërvëniet në elitat shqiptare, gjatë shekullit XX, në lidhje me prejardhjen e shqipes dhe të shqiptarëve, Pipa vëren se katolikët kanë mbështetur, en bloc, hipotezën ilire; ortodoksët (ose “bizantinët proletarë” siç i quan ai) kanë mbështetur hipotezën pellazgjike ose, në heshtje, atë trake; ndërsa myslimanët kanë anuar ndaj hipotezës ilire, si më të mbështetur me fakte jo vetëm gjuhësore, por edhe historike dhe arkeologjike; por edhe si më të përshtatshme për t’u rekrutuar në shërbim të përpjekjeve kombëtariste.
Natyrisht, nëse dijetarët katolikë dhe ortodoksë kanë qenë të ndarë në kampe të kundërta (sipas Pipës), myslimanëve u mbetej të luanin rolin e arbitrit të brendshëm edhe në këtë fushë, siç edhe e kanë luajtur, veçanërisht nëpërmjet E. Çabejt dhe Sh. Demirajt, të cilët janë rreshtuar haptazi në mbrojtje të hipotezës ilire – edhe pse Çabej do ta ketë bërë këtë me disa rezerva, për shkak të raportit të tij me Joklin (i cili ishte për një hipotezë prejardhjeje të përzier: iliro-trake – ja ku vijmë sërish te përzierja marriane, me shqipen si vijuese të gjuhës aristokratike të ilirëve, por me një substrat të gjuhës proletare të trakëve; me ilirishten të shprehur më qartë në gegërishte, dhe gjurmët e trakishtes të ruajtura më mirë në toskërishte).
Për Çabejn duhet vërejtur se ai interesohej para së gjithash për historinë e brendshme të gjuhës; dhe nuk e quante veten as ilirolog, as indo-europianist. Kontributi madhor i Çabejt në çështje të parahistorisë së shqipes ka të bëjë kryesisht me analizën e marrëdhënieve të kësaj gjuhe me latinishten dhe greqishten e vjetër; dhe sidomos, në hipotezën e tij se emrat e vendeve në Ballkanin Perëndimor mbështetin hipotezën e autoktonisë shqiptare, meqë kanë evoluar sipas ligjeve fonetike të shqipes.
Si çdo dijetar profesionist me formim të plotë akademik, Çabej e kishte të qartë se deri në ç’pikë mund të shtyhej në studimet dhe hipotezat e veta; ai i besonte hipotezës ilire të prejardhjes së shqipes, por me ilirët si të tillë e në vetvete nuk merrej, duke iu referuar, sa herë që kjo i duhej, dijetarëve të tjerë ekspertë të fushës.
Megjithatë, Çabej ka shkruar disa herë dhe me hollësi për lidhjet historike shqiptare-rumune, kur ka analizuar elementin latin të shqipes, por edhe kur ka folur për bashkëpërkimet leksikore jo-latine mes shqipes dhe rumanishtes.
Nuk ka ndonjë arsye që interesimi i Çabejt për këto lidhje të interpretohet tej kuadrit të veprimtarisë së tij akademike; meqë nuk ka nevojë të jesh shqiptaro-vllah, as “bizantin proletar”, që të intrigohesh nga ngjashmëritë mes këtyre dy gjuhëve dhe popujve të Ballkanit, që sot janë të ndarë gjeografikisht prej sllavëve.
Jo të gjithë e kanë menduar kështu. Te libri Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës, Rexhep Ismajli përcjell disa dokumente të përgatitura nga Riza, të cilat hedhin dritë mbi këtë çështje nga një kënd i pazakontë.
Selman Riza, gjuhëtar me prejardhje nga Kosova, i diplomuar në Francë (Toulouse), ishte përndjekur politikisht edhe në Jugosllavi edhe në Shqipëri, duke bërë deri edhe burg politik më parë në Tiranë menjëherë pas Luftës (1945-1948, me akuzën si “kriminel lufte”, por pa dalë në gjyq) dhe më pas në Jugosllavi (1948-1951, përsëri pa dalë në gjyq), për t’u sistemuar si pedagog i gjuhës shqipe në Prishtinë, para se dëbohej që andej prej autoriteteve jugosllave në vitin 1955, për t’u vendosur në Shqipëri, ku do të rehabilitohej nga Tirana komuniste dhe t’i ofrohej një vend studiuesi në Institutin e Shkencave.
Nga libri i Ismajlit, lexuesi mëson se, në vitet 1960, Riza po përjetonte kontradikta dhe fërkime të konsiderueshme me disa prej kolegëve të vet në Tiranë, veçanërisht me Kostallarin; në një kohë që survejohej sistematikisht nga sigurimi i shtetit, meqë dyshohej të ishte agjent i UDB-së. Më pas ai do të “demaskohej” si armik publik, nëpërmjet një vargu mbledhjesh me natyrë linçuese ku do të goditej “për shfaqje të huaja e armiqësore dhe për pikëpamje të papranueshme”; do t’i vihej, njëlloj si Çabejt, një fletë-rrufe e ashpër që hapej me thirrjen elokuente “T’i pritet koka Selman Rizës” (më pas të ndryshuar në “T’i çirret maska…”); do të transferohej në një punë të rëndomtë në bibliotekën e Beratit dhe do t’i hiqej e drejta e botimit, në gjuhësi dhe në fusha të tjera.
Gjithsesi, në fillim të viteve 1960, kontradiktat e Rizës me kolegët kishin të bënin kryesisht me temat dhe metodat e studimeve të tij në lëmin e morfologjisë së gjuhës shqipe – në diakroni dhe në sinkroni. Duke lexuar diskutimet e Rizës nga ajo kohë dhe procesverbalet e mbledhjeve që i ka përcjellë Ismajli në veprën e cituar, del sheshit se Riza e kishte të vështirë të ecte me hapin e togës; rebel nga natyra, i paaftë për kompromis, i bindur në saktësinë e rezultateve që kishte arritur dhe integritetin e hipotezave të veta, ky dijetar nuk ishte në elementin e vet, as dukej të gëzonte simpatinë e kolegëve; duke mbetur, në thelb, shoqërisht i izoluar.
Mosmarrëveshjet e Rizës me Çabejn kishin të bënin zakonisht me çështje të rëndomta të ecurisë së punëve akademike – p.sh. Riza ankohet se Çabej ia ka vonuar botimin e një monografie, ose ia ka kritikuar rëndë një kumtesë që Riza kish përgatitur për një kongres ndërkombëtar studimesh në Sofje të Bullgarisë në 1962, edhe pse Çabejt “i mungon kompetenca shkencore specifike” për një kritikë të këtij lloji.
Edhe pse e vlerëson lart Çabejn si gjuhëtar, veçanërisht si etimolog (pa çka se “profan në morfologji”), Riza tingëllon tepër i hidhëruar që edhe ky po bashkëpunon objektivisht me grupin e dijetarëve që refuzon ta pranojë Rizën albanolog në klubin elitar të dijetarëve të Tiranës, vetëm e vetëm sepse ky nuk i përket shkollës historike-krahasuese të indoeuropianistëve të kalibrit të Meyer-it, Joklit dhe të tjerëve.
Ndoshta për këtë arsye, në përgjigjen që jep ndaj kritikave për kumtesën në fjalë, Riza vëren se, në këto kritika, Çabej ka pasur prirje “t’i stërzmadhojë e sidomos stërthellojë” lidhjet e shqipes me rumanishten.
Duke iu referuar pohimit të Çabejt se “lidhjet që ekzistojnë mes këtyre dy gjuhëve mund të zëvendësojnë me një farë mënyre për të dyja ato periodën e tyre paraletrare,” shkruan më tej Riza, në stilin e vet të pajetërsueshëm:
[Këtë përgjithësim metodologjik] do t’ia lejojmë vetes që ta cilësojmë si një iluzion jo-të-parrezikshëm për filologjinë shqiptare; sepse ky përgjithësim, makar tërthorazi por pamungueshmërisht, do të na rikthente te mbivlerësimi gustav-majerian i ndikimit të latinitetit në shqipe.
Arsyet pse Çabej gabon në këtë pikë, sipas Rizës, janë të shumta. Ai mund “të ketë dashur që, në kurriz të shqipes e të shqiptarëve të tregohet sa më kavalier ndaj rumanishtes dhe rumunëve”; por edhe ngaqë ai “ka pasur dhe vazhdon të ketë jo pak mendime dhe qëndrime themelisht të shtrembër”; mes të cilave unë këtu do të veçoj “mendimin se njeriu nuk mundka të bëhet albanist pa u pasë bërë indoeuropianist” dhe “qëndrimin padallimisht nënvlerësues ndaj albanistëve vendas (nis me Kamardën e sos me Rizën) për llogari të mbivlerësimit sistematik të albanistëve të huaj (nis me Joklin e sos me – Joklin).”
E gjithë polemika ka interes të analizohet në hollësi, por unë këtu dua të veçoj se, për Rizën, interesi pas gjase i ekzagjeruar i Çabejt për lidhjet shqiptaro-rumune dhe mbivlerësimi i rëndësisë së këtyre lidhjeve në parahistorinë e shqipes nuk kanë të bëjnë me ndonjë mendësi bizantino-centrike ose anim ndaj hipotezës trake për prejardhjen e shqipes dhe të shqiptarëve, por më tepër me dëshirën për të mbivlerësuar elementin latin në shqipe dhe rolin e ndikimit latin në ngjizjen e vetë shqipes si gjuhë; çka lidhet, në fakt, sado tërthorazi, me Romën, Perëndimin, katolicizmin dhe fillesën katolike në studimet shqiptare dhe në ideologjinë kombëtare. Riza u kundërvihet këtyre jo nga pozitat kinse bizantine të Kostallarit & Co., por nga një këndvështrim autarkik, në mos kombëtarist i kulluar – siç e tregon edhe vërejtja se njeriu nuk është e thënë të jetë indoeuropianist për t’u bërë albanist; me fjalë të tjera, nuk është e thënë që studimeve historike në fushë të shqipes t’u qasesh gjithnjë nga pozita krahasuese, me metodën krahasimtare ose nëpërmjet njohjes së gjuhëve të tjera, të huaja, të reja e të vjetra.
Kostallari në krah të Çabejt
Që prej vendosjes së regjimit komunist në Tiranë, fati i Çabejt, si studiues dhe si njeri, mbeti në duart e Hoxhës, që nuk ishin shumë të sigurta. Megjithatë, ndryshe nga shumë kolegë të vetët, duke përfshirë këtu edhe S. Rizën, Çabej nuk u prek shumë nga spastrimet, persekutimet dhe gjyqet kundër intelektualëve gjatë viteve 1940-1950, madje i mbijetoi asaj periudhe për bukuri, për t’u imponuar më pas si fytyra e albanologjisë shqiptare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, çka pa dyshim e meritonte.
Se çfarë mendimi ka pasur pikërisht Çabej në lidhje me prejardhjen e shqipes dhe të shqiptarëve; ose si është orientuar ai kundrejt dikotomisë iliro-trake, këtë nuk do ta marrim vesh dot kurrë përfundimisht. Si nxënës i Joklit, ai do të ketë anuar ndaj hipotezës sinkretike, ose të shqipes si ilirishte me një superstrat (ose adstrat) trak, për shkak të përzierjes së dy popujve në rrethana stresi, gjatë romanizimit të Ballkanit; si etimolog, ai do ta ketë vënë re, që në krye, që çështja e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja, përkatësisht trakishtja vetëm sa ia ndërlikon punën gjuhëtarit, meqë këto dy gjuhë të lashtësisë nuk njihen, nuk janë shkruar, dhe as përshkruar gjëkundi; çka do të thotë se mbeten madhësi të panjohura, në pritje për t’u ndriçuar, qoftë edhe nëpërmjet studimeve albanologjike.
Ndërkohë, në punimet e tij kryesore, Çabej është shprehur haptazi në favor të autoktonisë shqiptare së paku që në kohët e fillimit të marrëdhënieve të (para)shqipes me latinishten; por kjo hipotezë nuk është domosdoshmërisht e lidhur me hipotezën ilire.
Etimologjitë e Çabejt përmbajnë shembuj të shumtë krahasimesh të fjalëve shqipe me fjalë ose emra të përveçëm të ilirishtes (dhe të mesapishtes, të cilën zakonisht e mbajnë për një dialekt të ilirishtes); por edhe krahasimet me trakishten nuk mungojnë, veçanërisht në disa punime të fillimit të viteve 1960. Megjithatë, dhe megjithë presionin që i bëhej për t’u shqiptuar me çdo kusht në lidhje me hipotezën e prejardhjes, Çabej mbeti deri në fund specialist i historisë së brendshme të shqipes, çfarë e lironte nga nevoja për të studiuar ilirishten, trakishten ose gjuhë të tjera pak a shumë të panjohura të lashtësisë.
Sa i përket aspektit të lidhjeve të lashta të shqipes me gjuhë të tjera, Çabej i kushtoi vëmendje veçanërisht latinizmave të shqipes, duke vijuar punën e nisur nga Miklosich-i, Meyer-i dhe Jokli, por edhe duke e ndrequr Meyer-in në shumë pika. Elementi latin në shqipe është i vetmi, për cilësia dhe sasia, që na lejon të kuptojmë sado pak tiparet sidomos fonetike të shqipes së lashtësisë; çfarë mund të shpjegojë edhe interesimin e madh të Çabejt në këtë fushë.
Mirëpo elementi latin i shqipes nuk mund të analizohet, pa ndeshur, herët a vonë, në problemin e marrëdhënieve të shqipes së lashtë dhe mesjetare të hershme me rumanishten, duke qenë kjo e fundit vijuese e latinishtes ballkanike, ose më mirë e variantit kontinental ose lindor të kësaj latinishteje (i cili i kundërvihet latinishtes së Ballkanit Adriatik, ose të ashtuquajturës dalmatishte).
Deri edhe një ithtar i metodës paranoide në studimet kulturore si A. Pipa nuk ka mundur të hipotezojë se Çabej i kushtoi interes rumanishtes dhe marrëdhënieve shqiptaro-rumune pse kërkonte t’i bënte qejfin ose t’i mbante anën krahut bizantin në elitat kulturore të Shqipërisë së asaj kohe; meqë afritë mes këtyre dy gjuhëve janë vërtet kyçi për të kuptuar misteret e zhvillimeve në Ballkan, midis fundit të sundimit romak dhe fillimit të dyndjeve sllave, në mos edhe më tej.
Megjithatë, disa dokumente që ka zbuluar historiani Elidor Mëhilli në arkivat e KQ të PPSh-së dhe që m’i ka dërguar posaçërisht për t’i vlerësuar, të bëjnë të mendosh për një aleancë krejt pragmatike midis A. Kostallarit dhe E. Çabejt në vitet 1960, sa i përket studimeve shqiptaro-rumune.
Këto dokumente rrëfejnë për një takim të Çabejt, në 4 korrik të vitit 1964, me sekretarin privat të Enver Hoxhës, Haxhi Kroin, për t’i kërkuar këtij që t’i siguronte një audiencë 20-minutëshe me eprorin e vet, në mënyrë që Çabej t’i merrte Hoxhës autorizimin për të marrë pjesë në një konferencë kombëtare mbi gjuhën rumune, të organizuar nga Akademia e Shkencave Shoqërore të Rumanisë.
Nga informacioni i përgatitur prej H. Kroit, kuptohet edhe se Çabej i ka folur atij edhe për vendimin që ka marrë Akademia rumune e Shkencave Shoqërore për të botuar Mesharin e Gjon Buzukut (ky botim, në të vërtetë, u përfundua më pas; por pas shkatërrimit të institucioneve fetare në vitin 1967 nuk qarkulloi lirisht; në fakt, deri vonë në vitet 1980, kopje të mbetura të këtij botimi luksoz mund t’i merrje lirisht në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, pa paguar gjë, dhe t’i shpije në bibliotekën personale).
Nga lartësitë e të sotmes, duket e çuditshme që një dijetar si Çabej t’i kërkojë vetë kreut të regjimit, Enver Hoxha, leje për një veprim aq rutinë sa pjesëmarrja në një konferencë në Rumani; por në atë kohë studiuesit shqiptarë përgjithësisht nuk merrnin pjesë në veprimtari ndërkombëtare, pa autorizimin e instancave më të larta të PPSh-së dhe të shtetit; sidomos kur ishte fjala për shkencat shoqërore.
Të mbahet parasysh, në këtë kontekst, edhe se në atë kohë Rumania konsiderohej, zyrtarisht, si vend revizionist, që i kishte tradhtuar idealet e marksizëm-leninizmit dhe që, pas vitit 1960, ia kish kthyer shpinën Shqipërisë.
Megjithatë, e pavarësisht nga këto konflikte politike dhe ideologjike, marrëdhëniet akademike mes dy vendeve duket se vazhdonin, siç kuptohet jo vetëm nga kërkesa e Çabejt për të marrë pjesë në konferencë, por edhe nga fakti që Çabej botonte në ato vite artikuj në revistat shkencore rumune dhe fakti tjetër që një institucion shtetëror rumun ishte angazhuar në botimin e një vepre si Meshari i Buzukut, libri i parë shqip, por edhe, në thelb, vepër e një prifti katolik.
Veç relacionit rutinë të H. Kroit, në dosjen e zbuluar nga E. Mëhilli gjendet edhe një letër e A. Kostallarit, në të cilin shefi i gjuhësisë shqiptare shpreh mendimet e veta në lidhje me kërkesën e Çabejt për të marrë pjesë në konferencën rumune. Kjo letër, të cilën Kostallarit me siguri do t’ia ketë kërkuar R. Alia ose ndonjë aparatçik tjetër në Komitetin Qendror, ndriçon disa aspekte të dinamikave ideologjike brenda qarqeve akademike albanologjike në Tiranë, prandaj po e riprodhoj më poshtë të plotë:
Mbi vajtjen e Prof. E. Çabejt në Bukuresht
Ne mendojmë që ftesës që i është bërë Prof. Eqrem Çabejt nga Akademia e R. P. të Rumanisë t’i jepet një përgjigje pozitive.
Së pari, ka rëndësi që në një Konferencë Kombëtare të gjuhësisë rumune, ku janë ftuar edhe shkencëtarë të tjerë të shquar që merren me problemet e gjuhëve të vjetra të Ballkanit, të përfaqësohet edhe vendi ynë. Dihet se Prof. E. Çabej ka bërë disa artikuj mbi marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes. Një punim i tij është botuar para disa vjetësh edhe në revistën kryesore shkencore të Akademisë së R. P. të Rumanisë për gjuhësinë. Me këtë rast, Prof. E. Çabej do të bëjë edhe një kumtesë shkencore. Duke marrë parasysh përgatitjen dhe materialet e mbledhura prej tij në këtë fushë ne jemi të bindur se kumtesa e tij do të pritet me interesim nga dëgjuesit.
Së dyti, vetë E. Çabej do të përfitojë nga zhvillimi i Konferencës, sepse, siç dihet, rumanishtja dhe shqipja kanë shumë probleme të përbashkëta e të afërta.
Së treti, mendojmë se duhet pasur parasysh që ftesa bëhet nga Akademiku Jorgu Jordan, i cili në shumë raste e ka treguar me prova se është një mik e dashamirës i Shqipërisë.
Mendojmë, gjithashtu, se me këtë rast Prof. E. Çabej do të ketë mundësi të bisedojë me J. Jordanin e të vërë në rrugë botimin në Rumani të Mesharit të Gjon Buzukut, i cili është përgatitur prej nesh që prej vitit 1958. Disa vjet më parë rumunët u treguan të gatshëm ta botonin Mesharin në Rumani. Ky pëlqim i mëparshëm mund të vihej në jetë tani, siç u vu në jetë edhe botimi i dhjetë fjalorëve terminologjikë trigjuhësh.
Drejtori i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë
A. Kostallari
8 korrik 1964
Tiranë
Letra e Kostallarit mund të lexohet edhe ajo si dokument rutinë, ku rreshtohen arsyet pse Çabej duhet të marrë pjesë në konferencën rumune; por merr tjetër vlerë në kontekstin e kritikave që ia bënte këtij kolegu Riza për “mbivlerësim” të marrëdhënieve shqiptaro-rumune, dhe të analizave edhe pse tepër spekulative të A. Pipës, sipas të cilit, krahu bizantin (shqiptar-toskë-vllah-ortodoks) në elitat akademike të Tiranës u mëshonte qëllimisht lidhjeve shqiptaro-rumune për të stabilizuar identitetin e vet si pakicë kulturalisht udhëheqëse në Shqipërinë londineze.
Nga njëra anë, A. Kostallari, që rrallë i ka dalë krah Çabejt, në atë kohë dhe më pas, për çështje mirëfilli shkencore dhe çështje ideologjike, i shpjegon Komitetit Qendror se studimet e Çabejt për lidhjet shqiptaro-rumune meritojnë të mbështeten, madje edhe duke shkelur edhe ndonjë rregull për lëvizjen jashtë shtetit, veçanërisht drejt vendeve të Lindjes, të studiuesve shqiptarë. Nga ana tjetër, kërkesa që u ishte bërë rumunëve për të botuar Mesharin e Buzukut mund të interpretohet edhe si një koncesion ndaj krahut katolik të elitave kulturore në Tiranë – i cili vetëm disa vjet më pas do të paralizohej krejt, pas reformave të mëdha kulturore dhe ideologjike të viteve 1966-1968 (revolucionarizimi i jetës së vendit, reforma arsimore, lufta kundër fesë, izolimi dhe ndalimi de facto i gegërishtes letrare në botimet shtetërore, etj.). Nëse Kostallari, po t’i besojmë sado pak Pipës, e këqyrte shqipen më shumë si produkt ballkanik qendror dhe shqiptarët i mendonte, ose do të dëshironte t’i mendonte si “vëllezër gjaku” me rumunët (dhe arumunët/vllehtë), atëherë ai vetvetiu do të përkrahte studimet krahasuese rumune-shqiptare që kryente Çabej, i cili nuk kish ndonjë lidhje me vllehtë, as me ortodoksinë.
Më në fund, nuk është për t’u përjashtuar as që, duke përkrahur haptazi dhe zyrtarisht udhëtimin akademik të Çabejt në Bukuresht, Kostallari i bënte vend edhe vetes, në raste situatash të ngjashme me ftesa të tilla, që nuk do të mungonin në të ardhmen. Çabej, nga ana e vet, do ta ketë shfrytëzuar këtë aleancë të papritur me një komunist të bindur, madje stalinist si Kostallari, për të forcuar e konsoliduar pozitat e veta brenda Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, çka i duhej edhe për të çuar përpara, i patrazuar, veprën e vet madhore të studimeve etimologjike në fushë të shqipes.
Do shtuar këtu se lidhjet mes shqipes dhe rumanishtes, përkatësisht mes këtyre dy kulturave ballkanike, nuk paragjykojnë, në vetvete, hipotezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja, por vetëm kërkojnë saktësim të vendit se ku është formuar shqipja në Ballkan.
Ka një kontradiktë midis tezës së mirënjohur të Çabejt, se evolucioni i emrave të vendeve vërteton vijueshmërinë e shqipes në trojet ku ajo flitet sot, buzë Adriatikut, dhe tezës tjetër, më pak të njohur, por përsëri të Çabejt, se elementi latin i shqipes i përket më shumë latinitetit ballkanik lindor sesa dalmatishtes, dhe se marrëdhëniet shqiptare-rumune duhen shpjeguar si marrëdhënie horizontale ose adstrati, të një periudhe kur shqiptarë dhe rumunë kanë jetuar së bashku, diku më në lindje dhe më në veri të vendit ku flitet sot shqipja në Ballkan.
Këtë kontradiktë nuk arrin ta kapërcejë as mendimi tjetër, gjithnjë i Çabejt, se treva ku flitet sot shqipja është trevë jo ekspansioni, por restriksioni; dhe se në të shkuarën mesjetare dhe më herët shqipja flitej në një zonë shumë më të gjerë, në veri, në lindje dhe në jug të trojeve të sotme.
Edhe dy të dhëna të tjera të gjuhësisë historike, dhe pikërisht që marrëdhëniet e shqipes me dalmatishten (latinishten ballkanike perëndimore, që flitej nga elementi latin në qytetet e romanizuara të bregdetit dalmat, ndoshta deri poshtë në Shkodër e në Drisht) janë praktikisht të papërfillshme dhe huazimet e shqipes nga greqishtja e vjetër janë aq të pakta e leksikalisht të varfra në krahasim me huazimet latine, sa të bëjnë të mendosh se mes të parëve të shqiptarëve dhe grekëve të lashtë nuk ka pasur ndonjë kontakt të madh në lashtësi, bien ndesh me hipotezën e autoktonisë (sa kohë që grekët e lashtë kishin koloni të lulëzuara, si Durrësi dhe Apollonia, në bregdetin shqiptar).
Vetë Çabej ka qenë natyrisht i vetëdijshëm për këto kontradikta, por për arsye kryesisht jashtëgjuhësore ka parapëlqyer të mos shqiptohet për to në mënyrë të prerë, përveçse në rrethana formale ose zyrtare, kur prejardhja e shqipes nga ilirishtja dhe e shqiptarëve nga ilirët artikulohej brenda një diskursi më shumë ideologjik dhe kombëtarist, sesa akademik të mirëfilltë.
Përfundim
Është e vështirë, në mos e pamundur krejt, të shkruash një histori të albanologjisë shqiptare, pa përshkruar njëkohësisht edhe historinë e përftimit dramatik të kombit dhe të kulturës shqiptare, si një proces kundërvëniesh dhe sinergjish mes rrymave të ndryshme në këtë kulturë, sipas ndarjeve krahinore, gjeografike, ideologjike dhe fetare mes elitave. Kontributi i mësipërm, që konsiston kryesisht në krahasimin mes disa dokumenteve të vjetra e të reja si dhe analizave e interpretimeve prej autorëve që janë marrë me këtë histori, i qaset çështjes në rrugë biografike, duke marrë në konsideratë jetëshkrimet dhe fatet personale të disa prej protagonistëve më të shquar të kësaj drame në ballafaqim herë të hapur e herë të heshtur, ose në bashkëpunim me pushtetet e kohës, veçanërisht atë totalitar të Shqipërisë në vitet 1945-1990; për të arritur në rezultatin, jo doemos të mirëpritur, se çfarë dimë sot për shqipen, origjinën e saj dhe prejardhjen, si dhe historinë e lashtë të shqiptarëve në Ballkan është, të paktën, edhe pasqyrë e motiveve dhe e qëllimeve të dijetarëve që kanë punuar në fushat përkatëse.
E vërteta, në rrethana të tilla, do ta ngrejë folenë te lexuesi.
(*) botuar për herë të parë në 20 janar 2011. Numrat e faqeve nga punimet e cituara janë lënë qëllimisht jashtë – të interesuarit mund t’i shfletojnë vetë.
© 2011-2020 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë kopjimi në mediat elektronike. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
Uroj fort të jetë nisur për libër.
Sinteze e shkelqyer e nje historie 2 mije vjeçare. Nuk e di nese ky veshtrim (kjo lufte e nendheshme orjentimesh e terheqjesh gjeografike) shpjegon gjithçka, por gjithsesi eshte nje lende, jemi ne nje fushe te ciles perjetesisht i kane mungura veshtrime te tilla alternative.
Aq e vertete! S’ka dije objektive, sidomos kur eksperimenti bazohet me shume ne hipoteza e rikonstruktime shumeshkalleshe e ne me shume se nje drejtim. Cdo gabim apo hamendje ne kah te gabuar, shumefishohet e nderton nje linje mendimi qe rrit gabimin sa me shume qe perparon. Dhe, tamam: sistemi politik eshte vec nje nga shtysat e kushtet per shtremberime te tilla.
Me pelqen shume ketu logjika e inkuadrimit te ideologjise socialiste, elementeve jetesore personale te kerkuesit, karakterit, dhe te ashtuquajturave vogelsira te perditshme ne ate cka prodhohet rastesisht, por qe perfundon me pas ne mit. Njerezit e harrojne procesin e krijimit dhe nuk e konsiderojne me si njerezor.
Para rreth 10 vjetesh takova nje prof. te gjuhesise historike, nder me te njohurit e te botuarit sot, qe mendon se teza per lidhjen e shqipes me ilirishten eshte nder me te pabazat qe ekzistojne. Por ai nuk eshte albanolog, sido qe eshte indoeuropianist.
Do ishte nje mrekulli sikur prodhimin shkencor, sidomos ne shkencat qe lidhen ndervarshem me shoqerine, ta njihnim ne kete menyre: pa e ndare nga jetet e prodhuesve dhe te kohes kur e vendit ku u prodhuan.
Xhaje shkrim shume i mire, vecse ke marre nje baze te pasakte qe te shtremberon paksa pjesen e arsyetimit dhe perfundimet me te cilat eshte e lidhur.
Flas per prejardhjen e gjuhes rumune nga gjuha dake. Ne fakt kjo eshte nje hipoteze qe pervecse ne Rumani, nuk besohet edhe aq shume ne vendet e tjera.
Perandoria e Romes e mbajti te pushtuar Dakine vetem 160 vjet, shume pak per ta latinizuar ate. Me pas e evakuoi (kolonet dhe daket besnike) perpara presioneve te barbareve qe me se shumti ishin perseri dake te zonave te papushtuara ne verilindje. Pas ketyre dyndjeve te para, Dakia u pushtua edhe nga popuj te tjere per shekuj me rradhe ndaj veshtire te kishin ngelur akoma latine apo te latinizuar ne ate vend. Latinet erdhen nga jugu ne shekujt X-XI. Valaket sic dihet hyjne ne histori per here te pare ne shek X kur jetonin akoma ne jug te Danubit, diku midis Shkupit dhe Sofies. Ata nuk ishin dake, por banore te latinizuar te jugut, kolone, ilire, trake te latinizuar ose te treja bashke.
Dalja ne histori ne vitin X nuk eshte fakt per mosekzistencen e mehersherme. Keshtu sllavet qe kane dale ne histori ne shek 6 i bie te mos kene ekzistuar me heret, ne nje kohe qe ne veri te tyre psh autoret latine permendin aestet ( estonet), ndersa me ne jug lloj lloj fisi skitho-sarmat, gjermani e ne vone hune e turq. Permendja ne histori eshte fakt politik, sepse historianet kane preferuar te percjellin ngjarje politike, keshtu qe kane permendur etni e fise qe kane pasur hegjemoni ne territore. Vllehet gjithsesi permenden gjithandej Ballkanit dhe emri vete thone se vjen nga gjermanishtja. Jo vetem ne Ballkan po vllehet permenden deri ne kufijte e Austrise dhe Polonise, praktikisht ne gjithe shtrirjen maksimaliste iliro-trako-dake. Nqs marrim parasysh shtrirjen maksimaliste te shqiptareve, kjo do te ishte gjuhesisht nga Nishi ne Shtip, si veri e lindje, tek Arta e Preveza ne Jug, ne perendim deti me Vloren e Shkodren dhe veri-perendim duke u bazuar tek mitet e malesoreve dhe eposi ne Bosnjen Juglindore dhe tek citimi i gjuhes shqipe ne malesite e Raguzes, nxjerrim kufirin ne Hercegovinen lindore. Vllehet permenden brenda kesaj hapesire shqiptare, kurse shqiptaret nuk permenden jashte kesaj hapesire. Diferenca mes vlleheve dhe shqiptareve ishte se vllehet nuk e perdornin bujqesine krahas blegtorise, duke u mbeshtetur keshtu ne modelin klasik nomad stepor te pershtatur ne transhumancen ballkanike e danubiane. Shqiptaret e kane perdorur gjithnje bujqesine krahas blegtorise sipas modelit klasik te transhumances ballkanike, qysh kur ne Ballkan hyri bujqesia. Mesa duket modeli nomad i vlleheve ishte i pasuksesshem ne Ballkanin poshte Danubit dhe i suksesshem ne Rumanin qe eshte kufiri me stepen dhe permban stepa, si ne Moldavi ashtu edhe Vllahi, me Transilvanine qe edhe pse nuk ka stepa eshte pelqyer nga popuj te ndryshem nomade. Ose ndoshta vllehet aty filluan te perdornin bujqesine krahas blegtorise, duke krijuar nje avantazh demografik ndaj nomadeve, sepse aty ku bujqesia e ndihmon blegtorine edhe popullsia ka dendesi me te madhe sesa aty ku blegtoria nuk shoqerohet me bujqesi. Gjithsesi vllehet ishin shume te suksesshem ne perhapjen fillestare, thjesht e humben fillin se nuk integruan bujqesine dhe as nuk prodhuan nje organizim te mire luftarak. Gjithsesi vllehet dhe rumunet nuk jane njejta gje, ka lloje te ndryshme vllehesh dhe rumunet jane vetem nje soj vllehesh.
Kushdo mund të lexojë librin anglisht të Vladimir Orel-it mbi rindërtimin e proto-shqipes dhe indoeuropianishtes së hershme, mund ta gjeni në format PDF në internet. Edhe pse me gabime, p.sh. për emrin “gjë” që ai e nxjerr të rrjedhur nga “send”, kur kemi të regjistruar te arbëreshët e Greqisë, formën “glakund” – “gjëkundi”. Po kjo s’është koha për t’u marrë me studime etimologjike.
Lidhjet mes shqipes dhe rumanishtes ne teori nuk kerkojne nje saktesim te territorit te shqipes por te rumanishtes. Fjalet kane kaluar nga shqipja ne rumanisht dhe nuk ka ndonje zhvillim thelbesor, qe shqipja e ka marre nga rumanishtja dhe nuk mund te vleresohet dot si ndikim latin, pra qe e detyron shqipen te jete ngjitur me rumanishten. E thene ndryshe rumanishtja ka nevoje per ndonje grup shqipfolesish ngjitur, kurse shqipes nuk i duhet asnje grup rumanishtfolesish ngjitur. Pra, nuk eshte pozicionimi gjeografik i shqipes ai qe duhet kalibruar sipas nevojave rumune, por pozicioni gjeografik i rumanishtes qe duhet kalibruar sipas nevojave shqiptare. Thene e pranuar kjo, praktiktikisht pozicioni i kontaktit me shqipen qe flitet ne Dardani e rrethina lart e poshte dhe rumanishten ne dy provincat dake poshte Danubit ( dicka si ish-territoret triballe), duket se pajtohet me nevojen teorike qe rumanishtja duhet kalibruar gjeografikisht sipas nevojave te shqipes. Pastaj, asgje nuk e pengon shqipen ne kete periudhe turbullirash te kontaktit ne fjale qe te gjendet kudo dhe nje grupim shqipfolesish ne kufijte e provincave dake poshte Danubit ( pas zbrasjes se Dakise prej Aurelianit ne 272). Keta shqipfoles i bie te jene me shume toske sesa gege, per shkak te ngjashmerive fonetike, cka ne kete rast do i poziciononte geget jashte Dardanise dhe per shkak te pranise toske ne Toskerine e sotne i bie qe tosket te kene popullluar nga Nishi ne Arte. Ose keto ngjashmeri nuk kerkojne detyrimisht kontakt, sepse rotacionin e kane te ndryshem ndersa schwaja eshtr zhvillim i disa gjuheve dhe meqe ka qene si zanore ne indoeuropianisht ndoshta duhet gjurmuar mos ka qene ne gjithe Ballkanin jogrek pararomak dhe thjesht ka pasur nje zgjerim te perdorimit te saj.
Nga moderatori: lutem mos diskutoni për temat rreth të cilave diskutonin albanologët e përmendur në shkrim (etnogjeneza, lidhjet e shqipes me rumanishten, etj.): besoj nuk duhet shumë mund për ta kuptuar që tema e këtij shkrimi është tjetër.
Fill pas 1960 e prishjes me Sovjetiket – Rumania dhe Shqiperia ishin shtetet me afer Kines. Madje Rumania shkoi ca me larg, se u afrua edhe me Ameriken perpara Kines. Me Rumanine vazhdoi marreveshja per bashkepunimin shkencor e teknik gjate gjithe kohes, e ka pasur studente shqiptare atje rregullisht – ai regjizori qe i thurrte poezi ish-ministres se arsimit ishte nje prej tyre.
Diku ne nje tjeter shkrim, a dokument, nuk mbaj mend, se Cabej permendet te kete pasur marredhenie te mira edhe me nje akademik bullgar. Pra epersia e tij profesionale vleresohej edhe jashte: ne mos audienca e Cabej ka qene gjithmone e eksluzivisht jashte – si te thuash Cabej dialogun e kish me profesoret e tij e Gjermanine, jo me koleget e tij si Riza etj.
Dmth. kam idene se shteti shqiptar donte te ofronte alternativen e vete, per te dominuar keshtu albanologjine ne kuader te nacionalizmit (e permend edhe Demiraj ne komentin e tij) dhe rrembyer ate nga duart e mergates, italianeve e gjermaneve, por duhet njekohesisht te ofronte dicka te ngrenshme nga te huajt – andaj albanologjia do te fliste me gjuhen e Jokl etj. Nese eshte keshtu, duhet modifikuar edhe teza e Dojes mbi veshtrimin kolonial (Sovjetik apo Perendimor) ne studimet albanologjike.
Diku Demiraj foli me percmim per ekletizmin, cfare me le te dyshoj se albanologet synojne metoda sistematike e koherente. Por nga sa thuhet me siper, kjo duket se mungon. Studiuesve u duhej te benin gjithefare akrobacish per tu treguar relevante, sikur edhe sot per fonde kerkimi apo per te botuar c’te mundin: duke pershtatur kuadrot interpretative sipas kerkeses.
E di qe tema eshte konflikti i disa dinosaureve perpara 200 vitesh, por po nderhyj vetem per te permendur nje studim mbi fjalet latine te gjuhes shqipe, te nje Guilliaume Bonnet, profesor i latinishtes ne Sorbonne (Bonnet G. Les mots latins de l’albanais, Paris : l´Harmattan, 1998). Pasi mund te hyje ne pune.
Mendimi i Bonnet eshte – pa u zgjatur – se latinizmat e shqipes nuk kane shume te perbashketa me dy idomat e tjera romane te Ballkanit, dalmatishten dhe rumanishten. Brenda pjeses te perbashket afersite shqiptaro-rumune (dhe shqiptaro-dalmate, apo ato me te pakta me dialektet e Italise se Jugut) duhen kerkuar me teper ne : (1) te folmen latine te perdorur nga Peranadoria Bizantine perpara se kjo e fundit te kalonte ne gjuhen greke dhe (2) shkembimet e shumta mes shqiptareve, latinfolesve dhe grekeve ne Ballkan pergjate gjithe mesjetes. Pohimet jane perforcuar me shembuj mjaftueshem bindes.
Tezat e tij duken me llogjike sesa argumentimet e tjera te dhena deri tani. Pasi sundimi bizantin pergjate Antikitetit te Vone mbi Ballkanin dhe Italine e Jugut eshte nje fakt, ndekohe qe simbioza shqiptaro – rumune, eshte vetem nje hipoteze, per me teper pak e cuditshme.
Me e cuditshmja akoma : ne Plat Verso, eshte shkruar se (po citoj): « ky studim eshte i pari, pas punimeve te filologeve te shekullit te XIXte qe konsideron trashegimine e latinishtes ne shqipe nepermjet nje menyre sistematike dhe kritike ».
Perfundimi i shkrimit eshte disi problematik dhe ngjan si pohim nga brenda me teper sesa konkluzion i asaj qe perfton gjuhesia shqiptare. Pra kemi te bejme me nje lloj hetimi qe tejkalon caqet e asaj qe mund te perceptoje nje studies i jashtem.
Kur them problematik e kam fjalen qe ne driten e debatit te tanishem duhet sqaruar me mire. Sepse ketu motivet apo prirjet e njerit apo tjetrit nuk konsituojne nje paradigme zyrtare, me teper sesa gjejne shprehje apo mundesi hulumtimi tek ajo. Po flasim per albanologjine dhe objektivin e saj per gjenezen dhe autoktonine e shqipes e te shqiptareve dhe nese shohim sot pas, problemet kryesore ngjajne se jane trajtuar mire dhe i qendrojne kohes. Ne kemi nje pasaporte te shqipes te ciles hiq apo vendos ca gjera ia dime gjeneralitetet. Kuptohet konform metodave te gjithepranuara.
Në fakt, kjo ishte një nga arsyet pse e risolla shkrimin. Dhe pikërisht – debati i (ri)hapur nga Doja, në lidhje me ideologjizimin e albanologjisë.
Unë besoj se ka albanologji të ideologjizuar dhe albanologji të ideologjizueshme, por jo doemos të ideologjizuar.
Mund ta përkufizosh albanologjinë si një bashkësi degësh të dijes që kanë për objekt shqiptarët, gjuhën shqipe, kulturën shqiptare, historinë, antropologjinë, gjeografinë e kështu me radhë.
Objektivi i albanologjisë do të ishte përparimi i njohjes në këto fusha.
Nga kjo pikëpamje, albanologjia mund të pranojë edhe hipoteza që përjashtojnë njëra-tjetrën: p.sh., një hipotezë se shqiptarët e sotëm e kanë origjinën nga fisi trak i Besëve (Schramm) i përket albanologjisë po aq sa edhe hipoteza për shqiptarët si pasardhës të ilirëve.
Dija thotë: të ndriçohet origjina e gjuhës shqipe.
Ideologjia do të thoshte: të vërtetohet prejardhja e shqipes nga ilirishtja.
Dija thotë: të ndriçohet origjina e shqiptarëve.
Ideologjia do të thoshte: të vërtetohet që shqiptarët kanë qenë autoktonë në këto troje.
Unë besoj se albanologjia do të mbetej në këmbë si bashkësi degësh të dijes, që afrohen për nga objekti (shqipja, shqiptarët, etj.) jo nga synimet – me përjashtim të synimit standard të çdo dijeje, që është afrimi tek e vërteta.
Ka pasur dhe ka, në albanologji, një komponente të fortë ideologjike – që lidhet deri-diku edhe me metodën historike-krahasuese dhe me kombëtarizmin rilindës; por edhe me ndërkryerjet nacionaliste në Ballkan.
Metoda historike-krahasuese është aq shkencore sa çdo metodë tjetër e pranuar – problemi është kur objekti i çdo dijeje në lëmin e humanistikës fillon të shihet si i shtrirë në kohë (historicizmi).
Edhe sa herë do të dëgjojmë që “gjuha shqipe është nga më të vjetrat…” dhe të tjera platituda të ngjashme, shpesh edhe pa kuptim?
(Nuk mund ta pengosh dot dikë që entuziazmohet dhe thotë: ah, si ia përplasi Çabej atij serbit. Mbase atij serbit i duhej përplasur, por kjo s’ka lidhje me albanologjinë, por me meskinitetin e një lloji dijeje nacionaliste, siç ka ndodhur me të gjithë ballkanasit. Çabej ka shpëtuar mirë deri më tash, që s’ia kanë printuar portretin në t-shirt-e, siç kanë bërë me Einstein-in.)
Kulti i së vjetrës, kulti i konservimit (ruajtjes), kulti i malit, kulti i së rrallës (koleksionet e fluturave ose 88 emrat e gomarit buzëbardhë), kulti i “ne kemi qenë gjithnjë këtu”, kulti i pastërtisë, etj., janë më shumë efekte të historicizmit romantik, i cili tashmë ka zënë vend në DNA-në e shqiptarizmit, si formë e kombëtarizmit popullor.
Pyetja ime: a mund të ketë albanologji përtej këtyre kulteve? Një pyetje që do të doja t’i përgjigjesha kështu: mund të ketë, ka dhe do të ketë. Madje – nuk mund të ketë albanologji, përveçse jashtë tyre.
Çështja është nëse këtë lloj albanologjie do të mund ta bëjnë dot institucionet akademike në Shqipëri dhe në Kosovë; pra, nëse këto institucione do të arrijnë t’i ruhen tundimit të “e bëjmë për këtë flamur”.
Ja po e bej edhe une lojen e dijes dhe ideologjise.
1- Mallory e Adams Enciklopedia e tyre e 1997, argumentojne se shqipja i ka argumentet po aq te mira sa luvishtja per te qene gjuhe e shkeputur nga trungu indoeuropian para ndarjes kentum*satem.
Dija: atehere hipotezat per nje prejardhje nga gjuhe qartazi kentum apo satem behen te pavlefshme , perballe hipotezes per nje prejardhje nga nje gjuhe jo qartazi kentum apo satem. Rrjedhimisht e vetmja hipoteze e vlefshme eshte prejardhja ilire, te tjerat jane te pavlefshme
Ideologjia: Epo Mallory e Adams ia fusin kot, shqipes nuk i dihet prejardhja se s’ka argumente mjaftueshem.
2- Julius Pokorny , i vetmi qe mori mundimin te bente nje fjalor te indoeuropianishtes ne gjithe historine e idnoeuropianistikes, thote se ne shqip kemi fjaleformim me -mb, kurse ne latinisht me -mp, dhe ne latinisht gjithe fjalet me -mb, jane huazuar nga gjuhe te tjera qe e kane -mb, prandaj pellumb, kembe etj, nuk vijne nga latinishtja palumbus e gamba, por fjalet ne latinisht jane te huazuara nga shqipja
Dija: Julius Pokorny ka te drejte, ligjet e fonetikes jane respektuar me rigorozitet te plote
Ideologjia_ ska shans, Julius Pokorny ia fut kot, shqipja vetem ka huazuar
Ti mund të bësh lojëra sa të duash (edhe pse unë, miqësisht, do të të shkurajoja); por të ka shpëtuar diçka e vogël dhe e thjeshtë: një ideologji mund të artikulohet DREJT nga mëngjesi deri në darkë dhe prapë të mbetet ideologji. Ndërsa dija mund ta ketë gabim, dhe të mbetet dije. Nuk shoh asnjë problem, sikur të zbulohet nesër – nga DIJA – që edhe neandertalët flisnin shqip. Problem është sikur ky “zbulim” të parashikohej nga IDEOLOGJIA (qoftë edhe a posteriori).
Dija thotë: të ndriçohet origjina e gjuhës shqipe.
Ideologjia do të thoshte: të vërtetohet prejardhja e shqipes nga ilirishtja.
Dija thotë: të ndriçohet origjina e shqiptarëve.
Ideologjia do të thoshte: të vërtetohet që shqiptarët kanë qenë autoktonë në këto troje…”
Ne fakt ka qene direktiva e Dulles ne raportet e pllenumeve , qe shkencat albanologjike te provonin lashtesine dhe autoktonine e popullit shqiptar .Partia e di qe ne jemi te lashte e autoktone , nga ju(shkencetaret) pritet te zbuloni faktet.Njelloj si me naften .Nafte kemi boll , por armiqte po na sabotojne zbulimin e saj .
Ceshtja e studimit te autoktonise se popujve ne ballkan ka qene teper sensitive sepse eshte perdorur nga politika e dites ne rivendikimet e kufijve duke perdorur si sebep te drejten historike.Por tani qe rreziku ekzistencial i shqiptareve nga te huajte ka kaluar e kemi luksin qe te ndjekim faktet kudo qe te na cojne .
Po sjell një shembull tjetër, për të ilustruar jo thjesht kontrastin, por KONFLIKTIN mes dijes dhe ideologjisë: Epiri i lashtë, i banuar nga një numër fisesh, prej të cilave molosët, kaonët dhe thesprotët ishin më të rëndësishmit. Dijetarët – përfshi historianë, arkeologë, gjuhëtarë – kanë dashur të dinë se ç’kanë qenë këto fise (në thelb: ç’gjuhë kanë folur, nga e kanë origjinën).
Ashtu janë përvijuar tri hipoteza: (1) epirotët kanë qenë grekë; (2) epirotët kanë qenë jo-grekë (2.1. të greqizuar herët); (3) epirotët kanë qenë ilirë.
Hipotezën e parë e ndesh më shpesh.
Ka edhe nga ata që u referohen burimeve të vjetra dhe gjykojnë se epirotët (molosët, kaonët dhe thesprotët) ishin PELLAZGË – por në pohime të tilla nuk e ndan dot lehtë rrëfimin thjesht mitologjik, nga ai historiografik.
Hipoteza e tretë mund të merret edhe si një version ekstrem i së dytës.
Gjithsesi, asnjë autor i lashtësisë – me sa di unë – nuk i identifikon fiset epirote si “ilirë”.
Hipoteza që fiset e Epirit në lashtësi nuk ishin as greke, as ilire, por të një etnie tjetër tingëllon e arsyeshme. Ka gjasa që veç grekëve, ilirëve dhe trakëve, në Ballkan të kenë jetuar edhe popuj të tjerë, më të vegjël – që nga keltët dhe brigët, prania e të cilëve nuk diskutohet, te maqedonasit paeonianët dhe të tjerë.
Edhe Straboni thotë se disa prej epirotëve ishin dygjuhësh (flisnin greqisht dhe një gjuhë tjetër).
A mund të kenë qenë ilirë fiset e Epirit në lashtësi? Këtë nuk e përjashton dot; por, në mungesë të dhënash gjuhësore solide, logjika ta do që, po të kishin qenë ilirë, do të ishin identifikuar si të tillë prej historianëve dhe gjeografëve grekë dhe romakë, të cilët ilirët i kanë identifikuar dhe përshkruar me hollësi.
Dhe, gjithsesi, kjo pyetje duhet mbajtur veçan nga pyetja në lidhje me greqizimin (helenizimin) e tyre; nëse ky ka ndodhur dhe kronologjinë.
Megjithatë, dëgjon shpesh, në literaturën shqip, që fise si molosët, kaonët dhe thesprotët të identifikohen si “ilire”. Si hipotezë shkencore, kjo është pak e guximshme; dhe mund të gjejë një mbështetje, e shumta, në veprën e një Paul Kretschmer-i – i shekullit XIX.
Mirëpo shumë nga këta që flasin për “fise ilire në Epir”, nuk është se e kanë marrë informacionin nga Kretschmer-i. Arsyetimi i tyre procedon së prapthi: meqë bëhet fjalë për territore sot të banuara nga shqiptarët (lebërit, çamët, etj.), atëherë parimi i “autoktonisë” kërkon që këta shqiptarë të kenë qenë aty që “në krye të herës”; dhe – meqë shqiptarët rrjedhin prej ilirëve – atëherë edhe fiset epirote, që kanë pasë banuar në ato territore, nuk mund të jenë veçse ilire.
Pra, për të vërtetuar që fiset jo-greke të Epirit ishin “ilire”, këta kombinojnë dy precepte të doktrinës alban-kombëtariste: që shqiptarët rrjedhin prej ilirëve dhe që shqiptarët janë autoktonë në trojet ku banojnë SOT.
Si hipoteza, këto precepte nuk janë doemos të gabuara. Gabimi nis kur merren si premisa, për të nxjerrë përfundime; ose kur përdoren si “kritere të së vërtetës.”
Aq më tepër, kur arsyetime të tilla ngatërrojnë identitetin e një popullsie, me vijueshmërinë e saj (ose të gjuhës përkatëse) në kohë.
Sërish, me logjikë, shqiptarët që jetojnë sot në trojet e banuara dikur nga fiset e Epirit nuk mund të jenë vazhdues gjuhësorë të tyre, për shkak se ndikimi i greqishtes SË VJETËR, në toskërishten jugore, është po aq i papërfillshëm sa gjetiu në shqipe.
Pra, sërish me arsye, popullsia e Epirit në lashtësi mund të ketë qenë një përzierje barbarësh dhe helenësh, por të mbetur relativisht prapa, sa i përket integrimit në qytetërimin dhe të kulturën greke. Mes atyre banorëve mund të ketë pasur edhe ilirë, por kjo nuk provohet dot. Gjasat janë që epirotët t’i kenë përkitur një rripi “buffer”, që ndante grekët e lashtë nga ilirët dhe që përfshinte dorë, maqedonë, paeonianë dhe të tjerë.
Ta marrësh për të mirëqenë, që epirotët kanë qenë ilirë, nuk është më dije, por ideologji.
Sa më lart jam mbështetur kryesisht te R. Katicic, Ancient languages of the Balkans, Mouton 1976, pt. 1.; edhe pse synimi im nuk është të sjell gjë të re për Epirin e lashtë; por thjesht të tregoj si dija dhe ideologjia punojnë ndryshe dhe e dyta e pengon të parën.
Pyetja eshte ne kete rast, pse duhet te bazohemi tek Katicic apo kushdoqofte kur asnje indoeuropianist nuk pranon ekzistencen e popujve indoeuropiane te vegjel ( e te pavarur nga te medhenjte) ne Ballkan ? Pra, nje indoeuropianist i pret hipotezat shume shkurt ne Epir, o greke o iliire ( o perzierje, o prejardhje prej tyre) nderkohe qe askush prej tyre nuk i quan maqedonet greke sepse kane pengesa fonetike te pakapercyeshme ( kjo siguri vjen sepse ka me shume material per maqedonishten e lashte sesa epirotishten). Keshtu, ndersa ideologjia ne Perendim prej shek 19 kerkon vertetimin e epiroteve ( dhe maqedoneve) si greke, dija indoeuropianistike refuzon t’i nenshtrohet ideologjise. Gabimi qe po behet ketu eshte se, ajo qe quhet ideologjia per shqiptaret ne fakt, i ka fillesat tek autore te huaj, ndonjehere pak te njohur si Thumani, qe hodhi i pari hipotezen ilire, por me shpesh shume te njohur, si vargu i koloseve te indoeuropianistikes boterore. Ketu po mbivleresohen kapacitetet shqiptare per te prodhuar ideologji. Kur, hipoteza ilire u kerkua nga ideologjia ne kohen e Enverit, ajo kishte 2 shekuj qe qarkullonte ne boten akademike dhe ishte qartazi ajo me e argumentuara dhe me e mbeshtetura nga autoret e huaj. Kontributi i ideologjise ishte zero, ska asnje kontribut te metejshem ne ate hipoteze si rezultat i sforcove ideologjike, i vetmi kontribut shtese erdhi terthorazi nga ceshtja madhore ne indoeuropianistike e dorsaleve te shqipes, (si tek postimi im me lart). Pra, ajo hipoteze eshte plotesisht shkencore ne cdo cep, hallke e argument, pa asnje kontribut te ideologjise. Sot, te dalesh kunder saj eshte si ti biesh murit me koke, sepse eshte e pamundur t’i pozicionohesh kunder duke propozuar nje alternative. Shqipja i para kentum/satem nuk mund te kete prejardhjen nga nje gjuhe satem, sepse protoshqipja eshte me e vjeter sesa gjuha satem, si jane trakishtja apo dakishtja( njesoj edhe gjuhet kentum). I vetmi i marre ne qarkullim eshte nje studiues gjerman apo austriak i cili e kundershton hipotezen ilire duke nxjerre teorine e re qe shqipja vjen nga nje gjuhe e panjohur ne Ballkanin pararomak e romak. Po, ne ketu nuk besoj se jemi per t’u marre me te marret, pavaresisht se marrezia ne fjale vjen padyshim nga komponenti ideologjik, pra edhe mund ta trajtojme si brenda temes.
Mitologjia e prejardhjes (origjines) se shqiptareve eshte nje pjese jo e pakonsiderueshme e kultures sone.
Ideja qe dikushi apo dikushja “vjen nga nje familje e mire” shkon pertej cultural marker te perkatesise se dikuj, sepse kjo kjo i jep nje kornize te njoh(shme)ur personit perballe, dhe ne nje fare menyre influencon aksionin apo reaksionin tend.
Mitologjia e prejardhjes shqiptare merret me dhe perpiqet ti jape pergjigjje nje nga pyetjeve themelore: kush jemi ne, shqiptaret.
Duhet te jete pyetje e vjeter, besoj, dhe jo vetem e ketyre 200 vjeteve te fundit. Ne nje fare menyre, te pakten ne syte e mij, kete preokupim e merr ne konsiderate edhe Skenderbeu, ne letren e tij derguar princit, kur i shkruan se “te paret tane ishin epirotet, nga ku doli edhe Pirro i famshem, fuqine e te cilit Roma me zor i beri balle…”
A ishte kjo koshience e popullit ne ate kohe? Apo thjesht nje hiperbole epistolare e nje princi te nje vendi te vogel, qe ishte i derrmuar tashme materjalisht e jo vetem nga luftat pa fund te 20 vjeteve te fundit.
Ne analizen time prej amatori, per te arritur ne nje perfundim, do te merrja ne konsiderate faktin se Skenderbeu ishte nje drejtues i ndricuar ( fliste 6 gjuhe pervec se shqipes), ishte edukuar ne nje sistem nga me progresivet per kohen ( turqit moren dhe mbajten cfare kishte me te mire Bizanti), dhe se do ta kishte pasur tejet te veshtire te funkisionionte nese do kishte dyzim te personit te tij, dmth ndryshe me te huajt e ndryshe me te vetet.
Nga ana tjeter, ne historine e jete se Pirros se Epirit, ka nje lidhje te panderprere te tijen me Ilirine. Qe se kur ai ishte ne pelena.
Dhe po te shkosh ca dhe me heret, Filipi i Maqedonise u martua nja 7 here. Gruaja e pare ishte ilire.
Te ardhurit nga nje familje e mire, nga nje dege e mire, nga nje fis i mire ka qene dhe mbetet goxha i rendesishem per psiken shqiptare.
Si sot, ashtu edhe mot…tha.
E cilat do te ishin teknikat per te evituar ideologjine te rreshkase serish ne dije? Post-strukturalistete kane zgjidhur duke u qartesuar qe ne fillim te argumentit pozicionin e background te studiuest. Pasi eshte e pamundur te perftohet dije pa vlera apo te tjera premisa ideologjike.
P.sh. Lexova pak ate materialin e Demiraj mbi emertimin shqiptar. Permendej nje burim gjerman dytesor, i bazuar ne rrefimin e nje studenti shqiptar, per te cilin nuk shkruhej me tej, vec qe gjermani leshon diku nje relativizim se nga keto punet etimologjike nuk merr vesh. Une do te doja tedija p.sh. se cilat jane kriteret per vleresimin e burimeve ne albanologji? A ka standarde apo udhezime a praktika shembullore per kete. Cilat jane teknikat e triangulation a corroboration? Eshte pikerisht perdorimi i metodave e teknikave qe dallon shkencen nga skolastika apo ndonje lloj tjeter interpretimi, pse bazat ideologjike jane gjithmone aty.
Shkruan:
A mund të jesh pak më preciz, të lutem? “Ai i Demirajt” nuk është “material”, por studim monografik – me emra, citime, fakte, hipoteza, diskutime, bibliografi. Aty nuk flitet për “gjermanë” dhe “studentë”, por për persona specifikë.
Dhe më tej, thua:
Besoj se përgjigjen për këtë do ta merrje duke studiuar albanologjinë. Fushë e vështirë, kërkon vite pune. Nëse kërkon vetëm një ide, do të rekomandoja Vëllimin I të Studimeve Etimologjike të Cabejt, ku autori shpjegon metodën që do të ndjekë.
E drejte verejtja, por po shkruaja nga Ipad (tastiera dhe multi-tasking nuk funksionojne sic duhet). Edhe komenti im ishte i pergjithshem, nuk merrej me rastin konkret, por e paraqiste si shembull. (Pervec arsyes se heuristika ime nuk me lejon te mbaj mend detajet por kategorite, gjermani-studenti-emertimi-transmetimi: cilesoje nje lloj algorithmi googlian qe ja delegon arkivimin e fakteve google-it!). Sdq. nuk dua te kritikoj burimin, se nuk jam i fushes, por thjeshte te njihem me praktikat e vleresimit ne parim: p.sh. dy burime a tre si standard etj.
Para disa ditesh, dikush kishte publikuar ne nje prej diskutimeve nje version me te gjate te Demiraj, Shqiptar dhe Shqa ne anglisht . Nuk po e gjej ate studimin, por ne forme artikulli eshte edhe ketu https://www.albanologie.uni-muenchen.de/downloads/publikationen-demiraj/berarbeitet_shqiptar-the-gene.pdf
Gjermani eshte J. Thumann, studenti qe e ka transmetuar eshte Haxhi Cekani (transl. engl. hadgi tzechani). Ndoshta me ka shpetuar mua ne ate materialin e pare, por shoh tek ky artikulli qe eshte nje reference e Thumann mbi transmetuesin (footnote 2).
Sidoqofte, duke i qene i ndergjegjshem se cdo pohim eshte probabilitar, ose se paku duhet te jete ne shkence, do te me interesonte se c’peshe zene ne vleresimin e besueshmerise se argumentit ne albanologji qualifiers si: “höchstwahrscheinlich”, “ich dürfte mich vielleicht nicht irren”, “doch, lasse ich mich …”; te perdorura p.sh. nga Thumann (qe duket i karakterizuar gjthesesi nga modestia e mirenjohur gjermane).
Johann Erich Thunmann, suedez.
https://de.wikipedia.org/wiki/Johann_Thunmann
Shumë i rëndësishëm, në albanologji.
Une do te paraqes nje shembull konkret mbi ideologjine nga sa eshte diskutuar se fundmi:
pasi jam infektuar nga Doja dhe nje zviceran (e dija per austriak, O. J. Schmitt – Albanische Geschichte als Balkangeschichte, cituar edhe nga Doja) qe kritikon A. Buden, lexoj ne te njejten trajtese te Demiraj ( SHQIPTAR — THE GENERALIZATION OF THIS ETHNIC NAME IN THE XVIII CENTURY, permendur me siper, shih fq. 554)
Pasi argumenton se te gjithe autoret, hiq Myderrizin, kane pak a shume te njejten ide, ca i moderuar duket Cabej qe kufizohet vetem ne pershkrimin e nje procesi (“ethnic differentiations”), pa dhene vleresime si Buda (“wonderful”), apo spekuluar si Ismajli (“stimulated furthermore the consciousness”), edhe Demiraj flet me te njejten gjuhe si Buda (“unexpected and wonderful ethnogenetic process”).
Nga nje lexim kritik ndaj ideologjise, dikush do te tundohej ta hidhte kete punim si foshnja me gjithe ujin, duke u kapur p.sh. te mungesa e kritikes ndaj qasjes se Budes, vec faktit qe autori e ka perqafuar kete teze pa nje distance kritike (Buda thote se “shqiptar” eshte of “ancient root”, ndersa Demiraj, nga sa kuptova nuk del me nje perfundim te qarte mbi prejardhjen e fjales “shqip” dhe lidhjen e saj me “shqiptar”, vec faktit qe perdorimi i saj nis nga shek. 17-18.) Me tej, studiuesi yne kritik, do te merrej me biografine e Budes, duke e karakterizuar ate si nje lloj rilindasi modern e projektin e tij shkencor-politik si nje lloj vazhdimesie te projektit te rilindjes per krijimin e kombit shqiptar… E keshtu do ti fuste keto studime ne nje thes te madh nacionalist per ta flakur ose shfaqur diku. Tani i ngelet albanologeve te mbrohen nga keto goditje neper brinje.
sigurisht mund ta hedhesh foshnjen e ruaje ujin per foshnjen e radhes, por me mire jo para se ta kuptosh, e per kete nuk mund te hyj dorezane te ta pertyp e ta fus ne goje, se jeni thjesht anonim. Per me teper perfundimi im nuk perkon me ate te Budes. Po ashtu monogrfia ka te beje me emrin etnik e jo me etnikonin e fjales shqip, andaj ai vetem sa eshte prekur. Lidhur infektimet kjo eshte puna juaj. Heqimin secili e zgjedh vete.
Nuk i ka ardhur e keqja albanologjise nga ideologjia. Asgje nuk ka humbur albanologjia nga ideologjia shteterore shqiptare ( se ka dhe ideologji te huaj) pervec se ka fituar fonde dhe seriozitet te mundesuar nga shteti. Njerzit flasin lart e posht sic thote Vehbiu, por kjo as ngre as ul peshe. Nuk eshte problemi as tek ideologjia dhe as te thashethemnaja andej ketej. E keqja eshte se s’ka rezultat ne albanologji, ose te themi nje rezultat perfundimtar-gje mjaft e veshtire sic duket.
Kontradiktat midis kolegeve ne sferen akademike kane ekzistuar dhe ekzistojne kudo ne bote. Me rregull treshi i bie qe Kostallari ka perkrahur, le te themi rumunizmat, si ortodoks i fshehur, por kjo s’besoj se ka ndikuar ne mungesen e rezultateve te albanologjise. Po ky Kostallar, kam lexuar diku, nuk i aprovonte Cabejt shkuarjen ne Vienna-ne disa raste. Tjeter krah Vienna per ortodoksin Kostallari. Megjithate kjo nuk justifikon mos-rezultatet ne albanologji.
Ndoshta ky eshte problemi ideologjik i Thunmann, duhet te ishte gjerman.
Më lejoni t’ju kujtoj me këtë rast se teorinë ilirike nuk e imponoi pushteti komunist, sepse me sa di unë Enver Hoxha ishte fillimisht për teorinë pellazgjike. Po kështu, shteti totalitar krijoi kushtet për një standardizim të gjuhës letrare, por se si duhej të ishte apo se si u bë standardi i gjuhës letrare nuk mund të imponohej nga pushteti komunist. Teoria pellazgjike është përkrahur fillimisht nga politika greke dhe italiane, por në kushtet e rivalitetit të Austro-Hungarisë me Italinë, albanologët austriakë shpikën teorinë ilirike për t’i shërbyer politikës austriake që kërkonte supremaci në përgjithësi dhe pengimin e depërtimit sllav në Ballkan në veçanti. Afërmendsh, pushteti komunist u bind për supremacinë e teorisë ilirike prej albanologëve shqiptarë të edukuar në traditën austriake, jo se këta ishin më në zë e më të shumtë në atë, por duke parë në retrospektivë mund të kuptojmë se ata u treguan më të zotët, ndoshta edhe thjesht nga nevoja të domosdoshme sepse përndryshe do kishin mbetur pa punë. Po kështu, nëse standardi i gjuhës letrare ashtu si e kemi trashëguar nga periudha totalitare është i keq, për këtë janë përgjegjës vetëm albanologët që shpikën një standard të keq për t’i shërbyer politikës komuniste.
Sidoqoftë, ky diskutim më kujton një përvojë personale aty nga viti 2008 që mund të jetë me interes edhe këtu. Për mua kjo u bë shkas për të më nxitur dëshirën të merrem që prej asaj kohe me qasjen kritike ndaj historisë së zhvillimit të studimeve albanologjike. Mendimet që pasojnë janë marrë kryesisht nga një intervistë që kam dhënë për TV-Scan në Mars 2011 dhe botimi në shtypin e shkruar të asaj kohe.
Në konferencën përkujtimore me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Eqrem Çabejt, që kam pasur fatin ta ndjek drejtpërsëdrejti, një kumtues austriak solli një sërë kujtimesh dhe dokumentesh nga jeta e Eqrem Çabejt si student, të shoqëruar edhe me një diaporamë mbi gjithë profesorët që i kishin dhënë mësim atij në Universitetin e Vjenës. Ndërmjet tyre vërej me shumë habi se një nga profesorët e tij ishte dhe Nikolai Sergeyeviç Trubetzkoy, i cili ka qenë profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës nga viti 1922 deri në fund të jetës në vitin 1938, që përkon me kohën kur Çabej ka kryer studimet e doktoratës. Për studiuesit e gjuhës ky është një nga emrat më të mëdhenj të gjuhësisë së madhe, si dhe frymëzuesi intelektual për Roman Jakobson. Ata u takuan në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Gjuhësisë në 1928 për t’u bashkuar me Rrethin Linguistik të Pragës, ku metodat e analizës strukturale letrare janë zhvilluar gjatë viteve 1928-1939. Shpesh është e vështirë të dallosh pikëpamjet e Trubetzkoy-t nga ato të Roman Jakobsonit, të cilit i takon merita se ka përhapur pikëpamjet e Shkollës së Pragës pas vdekjes së Trubetzkoy-t. E gjithë kjo ka pasur një ndikim vazhdimisht të rëndësishëm sa t’i japë një hov të pashembullt zhvillimit të semiotikës dhe të gjuhësisë moderne në përgjithësi, që kanë lindur pikërisht në këtë rreth dijetarësh.
I shtangur nga ky zbulim, gjatë konferencës përkujtimore, kthehem nga Xhelal Ylli, një miku ynë i vjetër i kohës studentore që tani është bashkëpunëtor shkencor në fushën e gjuhësisë në Universitetin e Hamburgut në Gjermani, me të cilin po e ndiqnim së bashku kumtesën e studiuesit austriak. Sipas tij, arsyeja është shumë e thjeshtë, në kohën e regjimit komunist Çabej nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të merrej me studime etimologjike apo të historisë së lashtë të gjuhës shqipe. Nuk është e vërtetë, ia kthej, mund të ishte edhe ndryshe, sepse pikërisht në fushën e etimologjisë dhe historisë së gjuhëve indoeuropiane ku ka punuar Çabej, ka pasur edhe gjuhëtarë të tjerë po aq të famshëm sa Trubetzkoy dhe Jakobson, si p.sh. Emile Benveniste i cili ishte jo vetëm një gjuhëtar i shquar, por edhe një bashkëpunëtor shumë i ngushtë me Claude Lévi-Strauss, meqë kanë themeluar së bashku revistën shkencore antropologjike L’Homme, që është edhe sot më e përmendura në Francë.
Për fat të keq, studimet etimologjike shqiptare qëndrojnë shumë larg prej traditës së lëvruar nga Benveniste. Edhe më i habitshëm është fakti se Çabej ndoshta nuk e ka njohur Benveniste, edhe pse të dy kanë jetuar e punuar në të njëjtën kohë dhe madje edhe citojnë thuajse të njëjtët autorë. Për më tepër, Benveniste ka dhënë disa etimologji të sakta për disa probleme të shqipes, si për shembull origjinën kuptimore të termit me të cilin shprehet në shqip nocioni i fisit dhe i farefisnisë, që e kam përdorur në punimet e mia mbi strukturat e organizimit social të shqiptarëve. Jam mbështetur pikërisht te Benveniste edhe për analizat e thelluara semantike të domethënies historike të termave që shprehin dukuritë fetare, çka më ka lejuar të zbuloj natyrën politike të fesë si një dukuri shoqërore, si dhe marrëdhëniet e strukturës sociale me vlerat fetare dhe morale te shqiptarët në veçanti. Pa dyshim, Çabej do të kishte përfituar shumë më tepër nëse do ta kishte njohur e përdorur veprën e Benveniste, në mënyrë që edhe në fushën e etimologjisë dhe të historisë së gjuhës, studimet shqiptare të ishin organizuar dhe zhvilluar me frymën e re të shkollave të reja shkencore.
Më vonë, kam patur rastin të pyes edhe Seit Mansakun si është e mundur që Çabej nuk është ndikuar nga Trubetzkoy dhe për më tepër nuk e përmend asnjëherë në veprën e tij. Seit Mansaku e di më mirë se unë nëse Eqrem Çabej e ka përmendur dhe është ndikuar apo jo nga Troubetzkoy, prandaj edhe m’u përgjigj se “kjo është e pamundur, Troubetzkoy nuk mund të ketë qenë profesor i Eqrem Çabejit në Universitetin e Vjenës, ndryshe ai nuk mund të mos e përmendte e të mos krenohej me këtë fakt”. Por kur gjatë bisedës iu kujtua kumtesa e studiuesit austriak, ai u kthjellua dhe me tha: “Çabej nuk mund ta përmendte sepse Troubetzkoy ishte kundër Shkollës së Junggrammatikers”. Por, pikërisht këtu qëndron problemi. Si është e mundur që Çabej i madh nuk ka ndjekur shkollën linguistike të Pragës dhe Trubetzkoy-n që e ka pasur profesor në Universitetin e Vjenës, as zhvillimet e tjera moderne të gjuhësisë enonciative në studimet indoeuropiane të lëvruara nga Benveniste, për të na hapur një rrugë të re në zhvillimin e shkencës shqiptare, por ka shkuar mbrapsht me gramatikanët e vjetër, edhe pse këta e quanin veten “të rinj” (Junggrammatikers).
Ndërkohë, nuk është për t’u habitur pse ka pasur përpjekje të minohen interesat modernë për gjuhësinë teorike të kolegëve të tjerë. Kështu për shembull, njohuri të tilla teorike si analiza kontrastive apo arsyetimi komunikativ, të përpunuara respektivisht nga Osman Myderrizi dhe Selman Riza si “kërkesa metodologjike për hulumtimin e marrëdhënieve midis mendimit, gjuhës, komunikimit dhe njohjes së botës” kanë mbetur anash studimeve shqiptare. Remzi Përnaska, kur flet për detyrimin e tij intelektual ndaj Gramatikës së re të Osman Myderrizit, e konsideron këtë vepër si një nga “shtyllat” teorike kryesore të doktoratës së vet dhe “një revolucion në të menduarit gramatikor për gjuhën shqipe”. Sipas tij, nga pikëpamja teorike, gjuhësia indoeuropiane nuk ka krijuar akoma një shkollë të konsoliduar për çështjet gramatikore që ka trajtuar Osman Myderrizi, të cilat kanë përmbysur apo të paktën shkojnë përtej logjikës nominalizuese të Aristotelit. Gjithashtu, kur flet për “vlerat kolosale” të Selman Rizës si një libre penseur “mendimtar i lirë”, ai e cilëson Eqrem Çabejin si një “mëkatar” të studimeve shqiptare ngaqë përçmonte këto njohuri udhëçelëse duke i konsideruar si “gjuhësi avokatësh” apo gjuhësi spekulative. (Remzi Përnaska, Kumtim personal, Paris, 19 nëntor 2018, https://youtu.be/uoeBcDn7dzE)
Në të kundërt, vetë Çabej është zhvendosur praptazi tek historicizmi indoeuropianist dhe rregullsitë deskriptiviste të ndryshimeve diakronike të tingujve (Lautgesetze), që janë të përkrahura nga shkollat e vjetruara gjermane, pavarësisht vetë-emërtimit të tyre si “gramatikanë të rinj” (Junggrammatikers). Historicizmi i kësaj zgjedhjeje metodologjike e ka reduktuar objektin e kërkimeve gjuhësore në empirizmin deskriptivist të fenomeneve sipërfaqësore, siç është përshkrimi esencialist i ndryshimit historik të gjuhës shqipe. Me keqardhje mund të thuhet se kjo ndoshta i ka bllokuar dhe vazhdon t’i mbajë të gozhduara studimet shqiptare në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Në të njëjtën kohë duket se kjo zgjedhje ka qenë thelbësore për të komprometuar studimet shqiptare në tërësi, në përputhje me ideologjinë partiake që synonte esencializmin e etnogjenezës shqiptare.
Shkruan:
Berti, po thua gjëra të paqena.
Vetëm te bleu i dytë i Studimeve Etimologjike në Fushë të Shqipes (botuar në 1976), Çabej e citon të paktën dy herë Benveniste-in: te fjala ballë në trup të lemës dhe te fjala be, shtesat (te kjo e dyta, nga Vocabulaire des institutions indo-européennes).
Ngaqë citimi i dytë është bërë në shtesat e vëllimit, po supozoj se vepra madhore e Benveniste-it i ka rënë në dorë relativisht vonë.(*)
Kujtoj se edhe citimi i parë bëhet “me literaturë” – me gjasë, revistat ku botonte Benveniste-i në Shqipëri nuk vinin, ose nuk vinin rregullisht.
Në fakt, dy vëllimet e Vocabulaire-it u botuan në Paris në 1969; për perspektivë, kujtoj se përkthimi anglisht i kësaj vepre është i vitit 2016. Nga viti 1969 deri kur është botuar Studime Etimologjike Bleu 2 kanë kaluar vetëm shtatë vjet, prej të cilave duhet zbritur periudha e gjatë e shtypshkrimit në Shqipëri.
Nëse kjo analizë kronologjike imja qëndron, atëherë Çabej nuk ka humbur fare kohë, për ta përfshirë referimin te Vocabulaire i Benveniste-it në studimin e vet (duke e futur pasi ishin gati bocat për shtyp). Them se atëherë e ka marrë librin e tij në dorë.
Me logjikë, Çabej do ta ketë njohur pa tjetër veprën Noms d’agent et noms d’action en indo-européen dhe me gjasë edhe do ta ketë cituar gjëkundi.
Por kujtoj edhe se yni ishte empiricist, jo teoricien; dhe vëmendjen kryesore ia kushtonte punës me etimologjinë e shqipes, ku Benveniste nuk më rezulton të ketë dhënë ndonjë kontribut të qenësishëm.
(me logjikën tënde, duhet ta qortojmë edhe Benveniste-n që pse nuk është marrë seriozisht me shqipen?)
Në leksionet e tij për historinë e gjuhësisë së përgjithshme, Kostallari e pat vlerësuar Benveniste-in veçan, për kontributet e tij në gjuhësinë e përgjithshme.
Besoj se Çabej nuk e përmend Troubetzkoy-n (dhe as Jakobsonin), njëlloj siç nuk e përmend (shumë) as Saussure-in, sepse nuk pajtohej me strukturalizmin në parim, ose i dukej i huaj – në kuptimin “i papërtypshëm”.
Po flas edhe unë në parim, për të shtuar se Çabejn më mirë ta gjykojmë për çfarë ka dhënë, se për çfarë nuk ka dhënë.
(po mjaftohem me këtë vëllim, sepse e kam në format elektronik dhe mund të kontrolloj menjëherë për instancat e emrit Benveniste në tekst.)
Ardian, nuk e kuptoj pse përpiqesh vazhdimisht të shkëpusësh vëmendjen nga çështjet themelore. Këto histori me “e citoi nuk e citoi” janë çikërrima. Sigurisht që mund të ketë citime të rastësishme që nuk ndryshojnë problemin në fjalë. Madje do thosha se çështja bëhet edhe më serioze lidhur me Benveniste nëse “e ka cituar”, dmth ka pasur mundësi ta njohë, dhe qëllimisht nuk e merr seriozisht në konsideratë, ashtu si ka qëndruar çështja edhe me Myderrizin që kemi diskutuar gjetiu, për të mos folur pastaj për Troubetzkoy që gjithkush do kishte krenari të veçantë ta kishte njohur, jo më ta kishte profesor. Çështja qëndron me zgjedhjet që bën apo nuk bën studiuesi dhe në këtë rast nuk flitet për Saussure dhe as për strukturalizmin por për dy nga përfaqësuesit më të shquar të sllavistikës si Troubetzkoy dhe Jakobson, si dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të indoreuropianistikës si Benveniste. Ndërkohë kemi nga fillimi në fund vetëm emra si Jokl apo Kretchmer që deri diku mund të thuhet se nuk i njeh askush me përjashtim të disa albanologëve.
Me fjalë të tjera, për ta mbyllur këtë diskutim, nëse duam t’i qasemi problemeve nga pikëpamja ideologjike, protagonistët gjykohen dhe duhen gjykuar jo vetëm për çfarë kanë bërë e çfarë kanë dhënë por edhe për çfarë mund e duhet të bënin dhe nuk e kanë bërë. Kjo është edhe më e rëndësishme nëse pranojmë se kemi në dorë qasjet më të përparuara për kohën por zgjedhim të shikojmë mbrapsht. Në fund të fundit, ky është një problem që na mundon edhe sot dhe ky nuk është problem shkencor as problem i mbështetjes financiare e administrative por problem ideologjik.
Besoj se, kur flasim për albanologjinë dhe albanologët, duhet të paktën t’ua njohim punën.
Duke filluar nga Çabej. I cili nuk ka qenë indo-europianist. Ka studiuar indo-europianistikë në universitet dhe me siguri gjithë jetën, por indo-europianist nuk ka qenë.
Sikurse nuk ka qenë ilirolog.
Kontributet e tij në indo-europianistikë dhe ilirologji janë nga pozitat e albanologut.
Madje edhe vetë metoda e tij kërkimore, të cilën kujdesej që ta sqaronte shpesh, ishte “nga e njohura tek e panjohura”, në kundërshtim me atë rrymë në indo-europianistikë që operonte me hipoteza, deduksione dhe rrënjë (algjebrike).
Kjo më shpie drejtpërdrejt tek albanologjia – meqë unë ndryshe nga ti besoj se albanologjia i ka kartat në rregull, për të qenë fushë e dijes përtej ideologjive që e kanë nxitur dhe e kanë shfrytëzuar në të kaluarën.
Këtë po diskutojmë. Dhe diskutimi mbetet i hapur, nuk mund ta hapësh dhe ta mbyllësh ti sipas dëshirës. Madje, sa më takon mua, diskutimi ende nuk ka filluar mirë.
Edhe për kriterin e Popper-it, mua më duket tejet i rëndësishëm në kontekstin e temës që hape ti vetë (raportet e dijes me ideologjinë) – dhe nuk është synimi im për të gjetur “gabime” ose “pasaktësi” në ato që thua ti; por në atë rast m’u desh të saktësoj atë që kisha thënë unë, pas vërejtjes sate.
Sërish, besoj se është më shumë brenda temës sate – statusit të lëkundur të albanologjisë – të flasim për falsifikueshmërinë dhe Popper-in, sesa të flasim për Myderrizin.
Le të mbajmë parasysh se edhe punën e Çabejt dhe Benveniste-it e hape ti; për të mbështetur një tezë tënden të caktuar (kur spekulove se mund edhe të mos e kish njohur fare). Unë nuk di të them sa herë e ka cituar Benveniste-in Çabej – por m’u kujtua se te një nga veprat e tij e ka cituar dy herë.
Siç e thonë kritikët e metodës induktive: mjafton një mjellmë e zezë, për ta hedhur poshtë pohimin “të gjitha mjellmat janë të bardha.”
Thua: “protagonistët gjykohen dhe duhen gjykuar jo vetëm për çfarë kanë bërë e çfarë kanë dhënë por edhe për çfarë mund e duhet të bënin dhe nuk e kanë bërë.”
Nëse është kështu, atëherë le të kujtojmë edhe se “protagonistët” – përfshi edhe Çabej – punon në rrethana terrori: të spiunuar, të goditur me fletë-rrufe, të kontrolluar hap pas hapi. Sa i lirë ishte Çabej në studimet e veta, kur nuk citonte dot, për arsye politike, një numër autorësh nga vende “armike”, por edhe të tjerë, si autorët katolikë, ose fashistë, ose ku di unë ç’tjetër, që ia ndalonte censura?
Për një kohë të gjatë, dija në Shqipëri, në të gjitha fushat, u mbajt qëllimisht e izoluar, e shkëputur nga bota – jo sepse ashtu e deshën dijetarët, por sepse ashtu e imponoi regjimi.
Për fat të keq, ne nuk dimë se ç’thuhej për Benveniste-in, Troubetzkoy-n dhe Jakobsonin, në mbledhjet e Partisë në Institut, në vitet e errëta.
Prandaj, nëse albanologët në Shqipëri nuk arritën dot ta mbajnë dijen e tyre në bashkëkohësi, kjo duhet mirëkuptuar.
Është madje për t’u habitur, që në kushtet e obskurantizmit të atëhershëm, dolën vepra të tilla si Studimet Etimologjike të Çabejt, ose Gramatika Historike e Shaban Demirajt, për të folur vetëm për gjuhësinë historike.
Sheno edhe punimin e Benveniste-it mbi foljet “delokutive” ne FS Leo Spitzer, qe Cabej citon ne bl. III te Studimeve Etimologjike, f.: Lemma /depertoj/
Nëse ndihmon sadopak, mund të them se historia e mjellmës së zezë, ashtu si dhe turravrapi i këtyre historive me “e citoi nuk e citoi” nuk kanë të bëjnë me falsifikueshmërinë e Popper por më duket se tregojnë që kemi të bëjmë me një lloj “falsifikacionizmi” naiv, për të cilin kemi në zhargonin argotik të antropologjisë edhe një term të veçantë, “bongobongoizëm”, kur themi p.sh. se në fshatin e humbur ku jeton një fis ende i panjohur i quajtur “bongo-bongo” do gjendet gjithnjë dikush që di diçka për një zakon i panjohur më parë që kundërshton këtë apo atë teori. Por kjo nuk i ka penguar antropologët të avancojnë teoritë dhe hipotezat e tyre pavarësisht kryeneçësisë bongobongoiste që i bën disa koleksionistë fluturash të kujtojnë se merren me shkencë antropologjike vetëm se tregojnë se si e qysh në këtë apo atë krahinë, fshat apo fis, fluturat e tyre kulturore janë kështu apo ashtu.
Prandaj mendoj se duke e lënë veten të merremi me sa e qysh citohet njëri apo tjetri, nëse njëri apo tjetri është apo nuk është indoeuropianist, ilirolog apo albanolog, e të tjera si këto, ka rrezik të humbim toruan e të shkëpusim vëmendjen nga thelbi i çështjes. Madje edhe nëse kujtojmë se në vitet e errëta megjithatë flitej edhe për Benveniste, Troubetzkoy apo Jakobson, të paktën në auditoret e Kostallarit, edhe pse nuk dimë se ç’flitej për ta në mbledhjet e Partisë e të Drejtorisë në Institut, kjo në thelb nuk ka asnjë rëndësi veçse për të trashur apo për holluar muhabetin, varet se si e sheh. Prandaj, nëse duam të kuvendojmë dhe të mbajmë hapur diskutimin, mendoj se është më mirë t’i lëmë mënjanë çikërrimat dhe bongobongoizmat e këtij lloji.
Atëherë po ta përmbledh argumentin tim ndryshe.
Për mua, Çabej është përfaqësuesi kryesor i albanologjisë në Shqipëri, gjatë shekullit XX.
Çdo kritikë aq themelore ndaj albanologjisë, si ajo që ke ndërmarrë ti, Berti, nuk mund të mos kalojë përmes Çabejt.
Unë them se e njoh relativisht mirë veprën e Çabejt – të paktën kam gati 40 vjet që e konsultoj.
Dhe nga këto pozita, kur lexoj kritikat e tua, më lind dyshimi se ti nuk e njeh si duhet Çabejn.
Si antropolog, nuk je gjë i detyruar ta njohësh dhe aq më pak aq sa ç’e njoh unë. Por sa kohë që po formulon një kritikë kaq gjithëpërfshirëse, ndaj albanologjisë, DUHET ta njohësh më mirë.
Është një dyshim që kam, dhe mos ma merr për keq të ta them kështu hapur. Do të kish qenë më mirë, për debatin tonë dhe për ndërmarrjen tënde paradigmatike, që ta kisha gabim, sepse ai dyshim tani po më pengon.
Për mua Çabej është i vetmi që arriti ta shpëtojë albanologjinë shqiptare nga foklorizmi, mitologjia rilindëse dhe koleksionistët e fluturave.
Dhe e bëri këtë, sepse ishte vazhdues i një tradite studiuesish që fillonin të paktën me Gustav Meyer-in, për të vazhduar me Pedersenin dhe Joklin dhe të tjerë.
Madje, ai arriti edhe diçka tjetër – pa u ekspozuar me përgjunjje staliniste dhe enveriste, arriti t’ia ruajë albanologjisë shkencore relevancën edhe në kulturën publike.
Prandaj tradita që vazhdoi dhe që krijoi më tutje Çabej (e kanë ndjekur të paktën dy breza studiuesish, por nuk bëj lista, sepse listat janë të urrejtshme) përfaqësojnë shtyllën kurrizore të mendimit albanologjik shqiptar sot.
Kjo nuk e bën gjë të paprekshme atë traditë – larg qoftë! Thjesht e bën të painjorueshme nga ata që duan t’i përvishen me rrënjë.
P.S. Shembullin e “mjellmës së zezë” nuk e solla për të ilustruar kriterin e falsifikueshmërisë të Popper-it, por për të treguar se mjafton një shembull i vetëm, për të rrëzuar pandehmën tënde se Çabej mund të mos e ketë njohur Benveniste-in. Që pandehma jote është e falsifikueshme (mjafton të shfletosh), kjo nuk e bën gjë shkencore. Edhe që ndërhyrja ime ishte për diçka që ty të duket e vogël, çikërrimë, kjo nuk e bën të pasaktë.
P.P.S. Berti, ti vërtet e hape këtë diskutim, por nuk është se ke gjë në dorë për t’ia caktuar termat a për t’i dhënë tonalitetin. Për mua është fantastike që ne po flasim për këto gjëra dhe kushedi edhe mësojmë diçka më tepër; merita është kryesisht jotja; por të ftoj, shumë miqësisht, që ta vazhdojmë pa u ankuar shumë për mënyrën si po diskutohet.
Faleminderit për mirëkuptimin, por për sqarim, Çabejn nuk e solla unë në këtë diskutim që siç më duket mua është për marrëdhëniet e protagonistëve të albanologjisë si Kostallari, Çabej e Riza në raport me zgjedhjet e tyre teorike për prejardhjen e shqiptarëve. Unë thjesht solla një përvojë personale që mendoj se plotëson çështjen e zgjedhjeve torike dhe implikimet e tyre.
M’u kthye me mjellma të zeza dhe flutura bongobongoiste e çikërrima të tjera të këtij lloji, si p.sh. lidhur me Çabejn që ka cituar apo nuk ka cituar Benveniste, ndërkohë që as këtë nuk e kam nxjerrë unë, por jam mjaftuar vetëm me një pandehmë prapa së cilës nuk ka nevojë të kërkohen deklarata shkencore kur them se “Çabej ndoshta nuk e ka njohur Benveniste, edhe pse të dy kanë jetuar e punuar në të njëjtën kohë dhe madje edhe citojnë thuajse të njëjtët autorë”.
Gjithashtu, nëse marrim më gjërazi çështjen që kam ngritur lidhur me karakterin ideologjik të albanologjisë, kjo s’ka të bëjë domosdoshmërisht me Çabejn por me implikimet për gjendjen e sotme të kërkimit shkencor në studimet shqiptare (apo në studimet albanologjike nëse u pëlqen kështu).
Për më tepër, studimet e mia kanë edhe më pak lidhje me Çabejn sepse janë përqëndruar në historinë e lindjes dhe zhvillimit të traditave etnografike-folklorike në fushën e studimeve shqiptare të kulturës popullore, edhe pse problemet janë të ngjashme edhe për fusha të tjera të studimeve shqiptare (apo albanologjike).
Sidoqoftë, ndoshta është e meta ime që nuk shoh ndonjë interes intelektual të diskutojmë me “më the të thashë”, por mendoj se nëse na duket fantastike të flasim për këto gjëra, atëherë kjo mund të bëhet vetëm duke angazhuar seriozisht në diskutimet tona literaturën përkatëse, përfshi edhe punimet e mia nëse doni të diskutoni mbi idetë e mia. Kështu, jo vetëm mësojmë diçka më tepër, por mund edhe të paraqesim ide alternative.
Faleminderit edhe një herë për mirëkuptimin!
Me shqiptarin te gjen belaja dihet. Kjo eshte ndoshta paradigma qe na duhet per t’u korigjuar.
Nje gjuhetar ndoeuropianist nornalisht vepron me dy gjuhe moderne ( psh shqipen e lituanishten) dhe eshte njohes i mire i nje ose me shume gjuheve te lashta ( latinisht, sanskritisht, greqisht etj). Keto kritere s’i ka plotesuar ndonje gjuhetar shqiptar dhe katedrat e indoeuropianistikes si numer jane kryesisht ne Gjermani. Pra, duhet daĺluar mes gjuhetarit albanolog indoeuropianist, gjithnje i huaj, dhe gjuhetarit albanolog joindoeuropianist, gjithnje shqiptar. Ky dallim, vazhdon per fat te keq edhe ne keto 30 vjet hapje dhe larg qofte nje albanologji qe bie vetem ne duart e joindoeuropianisteve, aty po duhet shkrire albanologjia. Cabej nuk ishte indoeuropianist thjesht sepse nuk i kishte kapacitetet, por ishte nje giuhetar lokal, te cilit edhe indoeuropianistet i referoheshin dhe referohen. Gjithsesi, me rezulton se kontributin me te madh per shqipen, nuk e ka dhene Cabej, por Demiraj i Vjetri, ne lidhje me dorsalet dhe h4. Keto, perfaqesojne nje revolucion ne vete indoeuropianistike dhe se shpejti do te japin efekte te ngjashme me zbulimin e shkrimit hitit dhe zbulimet e Krahes.
Ato parametra qe vendos ti i kane pasur dhe i kane shume albanologe shqiptare qe jane historiane te gjuhes shqipe. Le te ndalemi vetem te Cabej: fliste rrjedhshem te pakten tri gjuhe – gjermanisht, italisht, frengjisht; gezonte formim solid ne indoeuropianistike, filologjite klasike: greqishte te vjeter, lainisht, sanskritisht, njihte me themel te gjitha gjuhet ballkanike: greqishte te mesme/bizantine, sllavishten e vjeter, bullgarishten/maqedonishte dhe serbishten, shkruante dhe fliste edhe rumanisht.
Lidhur me paradigmen e re te kerkimit shkencor ne indoeuropianistiken moderne (teoria e laringaleve ie.) dhe zbatimin e saj studimin historik te shqipes mund te shfletosh nepermjet internetit nder te tjera B.Demiraj: Albanische Etymologie, Ed. Rodopi, Leiden – Atlanta 1997.
Prof. Demiraj, mos harxhoni kohë dhe frymë me një crackpot si Dies Irae, që sapo i sugjeroi prof. Dojës që të aderojë te Akademia e Kuvendit “Rrënjët tona”, këshilli i ndrikullave të gjuhës kozmike të Zheji-Dalipajt. Mbase për të ndihmuar Sazan Gurin që të lexojnë kodin gjenetik të Covidit nëpërmjet shqipes së Mesaplikut.
Dual IPA, ju eshte lejuar kalimi i nje fyerje qe edhe kush nuk di anglisht fare e kupton qe eshte fyerje prej kontekstit dhe onomatopeizmit te fjales. Pra eshte si t’ju them qe jeni tyryryry ose i/e krisur.
Megjithate, pavaresisht se nuk mendoj se jeni tyryryry dhe as analfabet/e funksional/e, fakti qe keqdashesia ju lejoi te keqinterpretoni cka thashe tek tema tjeter, do te thote qe ka nje difekt ne ate qe shkrova, pra nje difekt qe i la hapesire keqdashjes tuaj.
Atehere, Prof. Doja shpreh nje pozicion alternativ, por si cdo pozicion alternativ, reagimi i mainstream-it eshte gjithnje i njejte. Pra, edhe sikur neser te dalin 100 studiues e te thone shqipja vjen nga gjuha e neandertalit, reagimi i pozicionit zyrtar do te jete i njejte, me ate ndaj Akademise Alternative dhe Prof. Dojes.
Edhe nese neser dalin 100 indoeuropianiste qe thone se shqipja i ka dhene ta zeme latinishtes, prape reagimi zyrtar do te jete i njejte.
Do te jete i njejte sepse do shkunden vendit karriera e pozicione. Kete Doja e shpreh edhe vete indirekt nepermjet epistemologjise se Thomas Kuhn dhe konceptit te revolucionit, sepse revolucioni te fshin.
Prandaj, edhe i thashe qe e ke beteje (thuajse) te humbur, si cdo beteje mes pragmatikes dhe idealistes.
Nga ana tjeter, Doja ka thene qe nga studimet qe ka bere rreth historikut te albanologjise, themelimi, paradigma etj, i rezulton qe pjesa shqiptare e albanologjise, eshte nje produkt i politkes austriake ( pra edhe albanologet austriake si nismetare) dhe studiuesit shqiptare i dhane orientimin thjesht per arsye pragmatike, pra ate dinin, ate u perpoqen ta ngrinin ne paradigme studimore.
Prof. Demiraj besoj se i referoheshin kesaj ku duket se per ju ka vend per h3 por jo per h4
https://www.win.tue.nl/~aeb/natlang/ie/alb.html
Nuk ka dyshim qe Cabej, si shume gjuhetare shqiptare te vjeter e te rinj, ka pasur njohuri rreth shume gjuheve, Por, pervec albanolog nuk ishte edhe sllavolog apo grekolog apo latinolog. Gjuhesia albanologjike eshte shume e gjere, por sektori i huazimeve duket se eshte shume i preferuar, si sot ashtu edhe ne te shkuaren.
Ky perqendrim, qe ka krijuar nje imazh zhbalancimi te frikshem dhe nuk besoj se ka ndonje shtyse tradhtie, por eshte pragmatike sepse rezultative, dmth nuk ka nevoje per kompetenca te jashtezakonshme dhe cdo mund jep dicka.
Psh te peshkosh peshkun e llojit ton eshte me e veshtire sesa te peshkosh ndonje qefull, barbun, levrek apo koce, prandaj anijet tona te peshkimit peshkojne me shume keto lloje dhe jo peshkun ton.
Pra, ka ca gjera qe jane ceshtje tonazhi dhe ne si te vegjel kemi tonazh te ulet.
Po pergjigjem me stil telegrafik, se s’ka arsye te mbaj leksion per nje auditor qe s’ka aq shume interes ne keto pune:
– Sa u perket inicialeve algjebrike h1, h2, h3, h4 behet fjale per rindertime tingujsh me vlere sonantike qe sipas kontekstit fonologjik mund te kene vlere po/jo-rrokjebartese. Ne rast se Sh. Demiraj sipas jush shkruan per nje h4 me siguri qe i referohet indoeuropianistit dhe albanologut amerikan Eric Hamp, i cili i takon(te) grupimit konservativ te shkolles se indoeuropianistikes. Sot 99 % perqind e europianisteve operojne me tri laringale h1 – h3. Ne ate link qe keni vene ju (dhe ajo eshte puna ime me konsulente dy indoeuropianiste te tjere) besoj se nuk do te gjeni inicialen algjebrike h4.
-Sh.Demiraj i perket shkolles tradicionale te gjuhesise historike shqiptare, e cila per arsye qe dihen, nuk pati akses ne ndryshimet e paradigmes shkencore (per “paradigme zyrtare” e “paradigme ideologjike” ne shkence flet e shkruan sot vetem ndonje antropolog bizarr) qe perjetoi shkenca e indoeuropianistikes ne vitet 70-80-te te shekullit te kaluar, nderkohe qe formimi universitar ne hapesiren shqipfolese nuk lejon ende te depertoje ky hop cilesor ne studimet e shqipes nga perspektiva e indoeuropianistikes. Une personalisht e kam ndermarre disa here kete gje me studentet e masterit ne Shkoder e Elbasan dhe Prishtine, por ka shume probleme qe lidhen me gjithe programin universitar; pra jo se studentet s’kane interes per keto gjera. Po ju dergoj kete link me punimet e konferences “Studimet albanologjike ne Amerike” ku kam nje punim mbi kete teori dhe te mirat e zbatimit te saj ne gjuhesine historike te shqipes:
– Cabej s’kishte arsye as interes me qene ose me u bere sllavolog, grekolog….. sepse ne ate vend pune, ne te cilin nxirrte buken e gojes, thellime ne keto fusha ishin dhe jane per nje studiues shqiptar ne Shqiperi e Kosove thjesht ceshtje luksi. Per me teper kishte me cfare te merrej, meqe ate kohe nuk kishte as “Peizazhe te fjales”, ku duhej te bente gjithefarelloj shpjegimesh. Ju e kuptoni besoj se eshte edhe ceshtje kohe. Pergjigje pa fund qe kerkon njeri apo tjetri lexues. Sigurisht qe gjithkush duhet te kete mirekuptim keso rastesh. Thjesht dhe vetem per nje arsye fare te thjeshte: kohen nuk e kthen askush mbrapsht.
– Per fat te keq Cabej mbylli syte shume heret se me siguri kishte ndermend te bente shume me shume ne fushe te studimeve historike dhe etimologjike te shqipes. Kjo verehet edhe ne botimet postume te blenjve te tjere (bl. III – VII), te cilet jane botuar pas vdekjes. Shume lema i ka lene pergjysme, perkatesisht me mendimin faremire per t’iu perkushtuar me vone, pasi te kishte mbledhur me shume material per njeren a tjetren syresh.
– Lidhur me punen e huazimeve, kam pershtypjen se keni krijuar nje mendim jo te sakte. Qofte Cabej, qofte te tjere kane nxjerre ne drite se fondi autokton i shqipes dhe aftesite e saj ne fjaleformim zene shume me teper vend se huazimet e drejteperdrejta. Pastaj te mos harrojme se fondi i mirefillte i fjaleve rrenje te asaj faze te perbashket te zhvillimit te familjes ie. ku ben pjese edhe shqipja nuk e kapercen shumen +/- 1500-2000 njesi. Dhe fondi leksikor i shqipes ju besoj se jeni i ndergjegjshem qe eshte 60-70 here me i madh, d.m.th. aq sa njohim deri sot.
– Lidhur me llojet e peshqve, kam idene se peshkun ton nuk e ndesh(n)im perketej Adriatikut, madje tani eshte bere tejet i rralle edhe ne Mesdhe. Por peshqit e tjere qe permendni ju i kemi te fiksuar edhe ne gjuhen shqipe dhe me ta eshte marre edhe Cabej, madje ne detaj.
– Sa per pune te ton-azhit, keni te drejte. Hapesira kompakte shqipfolese nuk ka qene dhe nuk eshte ende ne gjendje te perballoje probleme aq te medha, sa te mbuloje hallet dhe dertet e fushave shkencore ne rang boteror. Por nuk eshte as keq, ne rast se sot shtrijme kembet, aq sa kemi jorganin. Perndryshe askush nuk fiton gje prej stresit dhe investimeve, per te cilat nuk ka nevoje kush. Mendoni ju se ka pak slaviste, greciste, romaniste etj. qe jane pa pune e mezi c’presin qe te shpallet nje vend pune ne universitete te ndryshme ne bote? E them kete, se studimet albanologjike e plotesojne funksionin e tyre ne proceset e sotme te globalizimit, ne qofte se i kryejne me se miri detyrat qe na takojne lidhur me mbareshtimin e albanologjise si shkence nderdisiplinore qe ka per objekt themelor gjithcka qe lidhet me nocionin e te qenit “shqip, shqiptar, hapesire rajonale-kulturore shqipfolese”, pare kjo gjithhere ne dimensionet kohe dhe hapesire.
Nuk di sa jam treguar i qarte me ngacmimet tuaja ne reagimin me lart, por edhe mundesite e mia keto jane. E shkruaj kete qe te mos irritoheni ne rast se juve a dikujt tjeter, nuk u pergjigjem dot me, pas cdo lloj reagimi. Dhe arsyeja eshte e thjeshte: Une nuk e fitoj buken e gojes me nderhyrjet e mia ne “Peizazhet e fjales”, nderkohe qe ate pak kohe te lire qe kam mund ta organizoj krejt ndryshe, p.sh. te shkruaj dicka tjeter qe kam deshire e me nxit ta botoj po ne “Pizazhet”. Ju mund te shkruani sigurisht ate qe e ndjeni a e shihni te arsyeshme. Ne rast se une shkruaj dicka, mund t’i permbaheni pikerisht asaj qe shkruaj. Kur nuk iu pelqen, mos lexoni me tej. Askush nuk ju pengon as ju lutet te vazhdoni.
Ju uroj gjithe te mirat.
Falemnderit per kohen tuaj te cmuar, shpresoj te mos jem duke abuzuar me te. Ju thoni, besoj me te drejte, qe megjithe interesimin e studenteve te masterit per ceshtjet e indoeuropinianistike, kurrikula e masterit dhe e universitetit nuk perfshin askund dicka substanciale qe lidhet me ceshtjet e trajtuara prej jush.
Kjo gje besoj se mund te thuhet, jo vetem ne aspektin didaktik te masterit, por edhe te studimeve te metejshme edhe per iliristiken, ballkanistiken ( po te heqim sektorin e huazimeve te shqipes nga x apo y gjuhe e Ballkanit) per te mos folur pastaj per pellazgologjine, e cila studiohet me shume prej grekologeve apo helenisteve ( ose me mire rezultatet e saj kerkojne edhe fushen studimore te greqishtes se lashte, meqenese kriteri i pare i nje fjale te hipotezueshme si pellazge eshte te mosqenit fjale e greqishtes se lashte- llafi qe bie Olympos nuk eshte fjale greke, apo me etimologji greke, rrjedhimisht mund te jete fjale pellazge, Corinthos nuk eshte fjale greke rrjedhimisht mund te jete pellazge ose luvike si thone disa etj- ).
Pra, ju ngrini nje shqetesim ose nqs nuk eshte shqetesim, thjesht sillni ne vemendjen e publikut dicka te ngjashme me shqetesime te mehershme dhe te sotme te shume studiuesve e dashamiresve te albanologjise, pra mungesa reale e nje linje studimore ne gjuhesine historike qe lidh ne menyre organike gjithcka qe ka lidhje ose qe eshte hipotezuar se ka lidhje me shqiptaret.
Pra, nje linje indoeuropianistike – ballkanistike – iliristike, jo vetem qe mungon, por trajtohet edhe si thuajse e huaj per gjuhesine albanologjike. Nuk flas per qemtime argumentesh ketej e andej, por per studime konkrete, qe financohen prej shtetit shqiptar.
Perndryshe, jo vetem prej Cabejt, por qysh prej shek 19, ne albanologji ka sunduar rryma qe merrej me huazimet, duke lene psh pothuajse per ne kalendat greke nje ceshtje kaq madhore, por edhe bazike si sjellja e tingujve indoeuropiane ne shqip ( ende sot qe po flasim nuk ka plotesi e qartesi ne gjithe tingujt indoeuropiane- psh s indoeuropiane ne shqip jep 7 tinguj-).
Kjo ceshtje mund te hedhe ne ere nje pjese te mire te punes se kryer ne studimet etimologjike, perfshire huazimet, sidomos nqs kemi parasysh qe kronologjia e gjuhes p.i.e eshte shtuar me te pakten 1 mije vjet pas studimeve te Krahes, i cili vuri ne dukje gjurme te hershme ne Europen Perendimore ( ku duhet pare edhe lindja e keltomanise, per shpjegimet e tyre, sidomos Renfrew me tezen e tij anatolike apo me nje perhapje ketike te lidhur me Bell Baker, per se prapthi nga Lisbona dhe zonat atlantike deri ne Irlande drejt Europes Qedrore ).
Cabej dhe pastaj gjithe te tjeret qe e kane cituar, permend ne shpjegime te huazimeve te ndryshme prej latinishtes, qe ndiqen rregulla te ngjashme me ato qe ndiqen prej P.I.E ne shqip.
Ne kushtet kur kronologjia e P.I.E eshte rritur dhe kjo rritje eshte pranuar boterisht, atehere i bie qe protoshqipja te kete pasur te njejtat ligje fonetike prej pak a shume vitit 3 mije p.e.s deri ne vitin 100 p.e.s, pra te njejtat ligje fonetike te kene pasur vlefshmeri per 3 mije vjet, sa te lejonin te njejtat kalime fonetike te njejta si nga P.I.E ne protoshqip dhe latinisht-shqip.
A nuk eshte dicka e tille, le te themi, te pakten shume e cuditshme ? Mendoj qe po edhe ne rast se nuk kemi zbatimin e te njejtit rregull fonetik, por njefare efekti te analogjise, serisht i pazakonte ( po vetem me analogjine mund te shpjegohet forma arber<arben perndryshe do na duhet te cojme formen arber ne kohen e dyndjeve barbare parasllave).
Pra, ende sot vazhdohet te veprohet se prapthi, supozohet etimologjia, pa u vrare mendja shume per kalimet fonetike ( ketu i referohem sidomos shume fjaleve te fjalorit te Kolec Topallit qe kane qarkulluar per publikun shqiptar ose edhe referimet e zakonshme tek wiktionary), gje qe nuk eshte gje tjeter vecse sundim i mendesise se etimologjise popullore apo nje logjike te caktuar historike, por jo edhe gjuhesore, sidomos tek huazimet.
Sigurisht, qe keni bere e do te vazhdoni te beni te pamunduren per te vendosur rregull ne boten e crregullt te albanologjise dhe per kete besoj se ju jane mirenjohes te shumte.
linku i permendur ne pergjigje
http://www.ashak.org/?cid=1,45,583
Ku e paske gjetur ti Dies Irae këtë kontribut për shqipen nga “Demiraj i vjetri” në lidhje me dorsalet dhe H4? Më sill një citim të lutem? Sepse kam frikë që je duke ia këputur kot, por kot fare. Prandaj, që ta them me një slogan të mirënjohur: hap kutitë, ose largohu!
Lexova nje artikull interesant, qe nuk lidhje me albanologjine, por me ideologjine dhe komunikimin shkencor ne disa rrafshe. Flet per sherimin nga trauma te nje personi nepermjet, vec mjekesise, edhe lutjes ndanj nje shenjti. Eshte nje rast studimor, keshtu qe ne aspektin metodologjik, ku dihet qe ne mjekesi mbreteresha eshte randomized controlled trial, nuk ka pretendime. Por komunikimi, metoda e nderhyrjes, e me siguri vleresimi e analiza, jane teresisht shkencor. Proza gjithashtu rekomandohet.
Keshtu edhe albanologjia komunikon ne disa rrafshe, ate shkencore, e ate politike e publike. Vec te mos ngaterrohet gjuha e audienca, se cilat argumente vlejne per ke.
Link: An unusual recovery from traumatic brain injury in a young man
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4313431/
Albanologjia ka edhe këtë meritë, që u vlen si dije atyre që duan dhe arrijnë ta kuptojnë, për t’u shërbyer si lutje dhe mitologji, atyre që nuk e rrokin dot, dhe si armë rrethanore ca të tjerëve.