Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

KUMTESA NË KONFERENCË

Në vijim, teksti i kumtesës sime në Konferencën gjuhësore të Durrësit.

LEKSIKU I SHQIPES SË SOTME – SFIDA TË PASURIMIT

Duket sikur s’ka gjë më të lehtë se t’ia pasurosh leksikun shqipes standard: sistemi të lejon të marrësh elemente nga të folmet, nga veprat letrare, nga terminologjia, nga huazimet që hyjnë rishtas në ligjërim, pa përmendur pastaj klishetë që u pëlqejnë aq shumë mediave; t’i marrësh dhe t’i quash si të shqipes së njësuar. Në një kuptim, mund të pohohet se, kur vjen puna për leksikun e shqipes standard, pasurimi është normë.

Vështirësia nis kur duam ta përcaktojmë se çfarë ndodh pikërisht kur i identifikojmë, i marrim dhe i adoptojmë këto fjalë; ndonjëherë duke ua ndërruar kuptimet, ndonjë herë tjetër regjistrat e përdorimit; por edhe se çfarë na shtyn të zgjedhim pikërisht këtë fjalë dhe jo atë tjetrën dhe nëse fjalën po e lëshojmë në ligjërim për ta pasuruar këtë të fundit, apo vetëm e vetëm për të zëvendësuar një fjalë që nuk na pëlqen, siç ndodh rëndom. Leksiku i shqipes është ai sistem i gjuhës ku më mirë pasqyrohet ideologjia sunduese për momentin – edhe pse kjo jo gjithnjë duhet parë si avantazh ose virtyt i fjalëve vetë.

Pa folur pastaj për disa ide dhe pikëpamje sipas të cilave norma e sotme leksikore e ka varfëruar leksikun e shqipes qëllimisht duke lënë jashtë fjalë të bukura, teksa paska lejuar dyndjen e fjalëve të huaja. Shqipja e sotme, ashtu siç e gjejmë në fjalorët akademikë, rezultoka kështu jo vetëm gjuhë relativisht e varfër, por edhe gjuhë e varfëruar.

Nëse varfërinë e ndiejnë para së gjithash përkthyesit dhe terminologët, të cilët si rregull edhe nuk kanë kohë për t’i administruar përkimet leksikore mes gjuhëve me rrugë filozofike ose mitologjike, varfërimin e ndiejnë dhe e denoncojnë zakonisht të gjithë ata që nuk pajtohen me shqipen standarde të vitit 1972 dhe sidomos me kriteret dhe metodat e standardizimit të shqipes.

Që këtej edhe koncepti i pasurimit të leksikut; pasurim i cili duhej të ndodhte vetvetiu, si efekt anësor i lëvrimit të lirë dhe të gjithanshëm të shqipes, por që, në rrethana ideologjike të caktuara, të cilat tek ne kanë nisur nuk dihet kur, janë kodifikuar nga Rilindësit dhe mbeten të gjalla dhe vepruese sot e kësaj dite, shtrohet si detyrë në mos kombëtare, së paku kulturore për të gjithë lëvruesit e gjuhës.

Kur ulemi të shohim pastaj, në praktikë, se si do të pasurohet shqipja, të parat vijnë në vështrim të ashtuquajtura fjalë të rralla – zakonisht fjalë krahinore, të sistemuara në fjalorë nga pak të apasionuar që i kanë mbledhur gojë më gojë; edhe pse sot kësaj bashkësie i janë shtuar, ndonjëherë me zor, edhe fjalë të lëna jashtë prej fjalorëve të viteve 1980 të Akademisë së Shkencave, për arsye të ndryshme.

Fjalë të rralla ka me dhjetëra mijëra; por para se t’i konsiderojmë si thesar me vlerë për ekonominë e gjuhës, duhet të mbajmë parasysh se këto fjalë janë, pikërisht, të rralla – për një arsye; dhe arsyeja shpesh ka të bëjë me marrëdhëniet midis leksikut popullor dhe një mënyre rurale të jetesës, në kontakt të ngushtë me natyrën, e cila tanimë ia ka lënë vendin urbanizimit masiv, ndonjëherë kaotik, të popullsisë. Nuk është vetëm fjala për nomenklaturën e bimëve të egra, të bagëtisë, të produkteve dhe teknikave bujqësore dhe blegtorale dhe të veshjeve e zejeve tradicionale; por me krejt një vizion të botës i cili tanimë nuk mund të rikuperohet as të rehabilitohet më.

Për analizën që po duam të kryejmë, ka një metaforë që na ndihmon të kuptojmë se ku jemi duke gabuar – ajo e fjalës si monedhë.

Kemi një ekonomi gjuhësore, ku shkëmbejmë pa prerë fjalë dhe kuptime; por që edhe na identifikon, si qenie shoqërore të vetëdijshme. Brenda kësaj ekonomie, fjala merr vlerë përdorimi vetëm në kontekst; dhe nëse është kështu, atëherë disa nga këto koleksione fjalësh të rralla do t’i krahasoja me koleksionet numizmatike – monedha vërtet, ndonjëherë mirëfilli të vyera, por të dala nga përdorimi.

Teza ime është: të mos i ngatërrojmë financat e ekonomisë leksikore me numizmatikën, as pasurimin e shqipes me pasurimin e fjalorëve të shqipes. Një fjalë e rrallë, një fjalë e dalë nga përdorimi, një fjalë që i përket një sistemi monetar të perënduar, vështirë të hidhet sërish në qarkullim, qoftë edhe e sponsorizuar nga autorë autoritarë, me shpresën se do të adoptohet vetvetiu, sikur nuk ka ndodhur asgjë; dhe, sidomos, vështirë t’ia zërë vendin një fjale tjetër, tashmë të konsoliduar mirë, por që është shënjuar për eliminim nga puristët.

Iluzionet që ende ushqejmë, për pasurimin e shqipes, lidhen drejtpërdrejt me çfarë do ta quaja fetishizim ose mistifikim të fjalës shqipe, i cili ndodh sa herë që, pas dekontekstualizimit, nisim ta vlerësojmë fjalën si investim të historisë së saj, të prejardhjes, të origjinës gjeografike, të atyre që e kanë përdorur. Rreziku këtu është i ngjashëm me zhvlerësimin i ndodh monedhës, kur hidhen në qarkullim pará të prera rishtas, që mjafton të jenë fiat, aq më keq kur edhe kallpe.

Nëse duam ta pasurojmë shqipen e sotme, pikësëpari duhet të mbajmë në mend se shqipja është gjuhë e gjallë dhe nevojat leksikore gjithnjë i përballon me mjetet dhe mënyrat e veta, edhe përtej mbikëqyrjes institucionale.

Pasurimi i shqipes ndodh vetvetiu, pikërisht aty ku sot pasurohet edhe shoqëria shqiptare: në treg, në shkollë, në teknologji dhe në qytet.

Për fat të keq, ne ende vijojmë ta përfytyrojmë shqipen si diçka që e realizon potencialin e vet, kryesisht dhe para së gjithash, në letërsinë artistike, edhe pse kësaj i është tkurrur sfera e përdorimit dhe e ndikimit, përballë publicistikës dhe sidomos televizionit. Bij të një kulture që ende i ruan mijëra fije lidhëse me Rilindjen kombëtare, nuk mund të punojmë për gjuhën, veçse në rrugë, mendësi dhe vegla të shekullit XIX.

Realiteti, në këtë pikë, na ka lënë mbrapa: sfidat më të mëdha, leksikut të shqipes së sotme, i dalin në fusha ku edhe kulturës e dijes shqiptare i mungon përvoja dhe mjetet përballuese.

Mes këtyre fushave, do të veçoja teknologjinë – jo si subjekt me të cilin merren inxhinierët; por si aspekt dhe sfidë të jetës së përditshme të miliona përdoruesve të shqipes, veçanërisht të brezit të ri; pa përmendur përkthyesit e teksteve komerciale, që nga manualet e përdorimit e deri te etiketat e mallrave të konsumit, të cilëve përkthyes kultura zyrtare dhe institucionet publike aq që ua njohin ekzistencën dhe nevojat; pa përmendur edhe ligjërimin e reklamave, i cili gjetiu në Perëndim ia del të marrë mbi vete rolin dikur aq të lakmuar të letërsisë artistike në katalizimin e pasurimit leksikor.

Në fushën e teknologjisë së konsumit, shqipes i duhet të përballet me anglishten: sot lingua franca e globalizimit. Për fat të keq, shqipes i mungojnë mekanizmat e duhur gjuhësorë për të komunikuar natyrshëm me këtë zhargon të globit, ose për të administruar trysninë leksikore të anglicizmave.

Na mungon, si të thuash, teknologjia gjuhësore për të përballuar anglishten teknologjike.

Kur dëgjon të rinjtë të thonë bëje save, bëje reboot, bëje download, bëje setup, bëje delete, gjuhëtarit nuk mund veç t’i kujtohen togje të tipit bëj derman, bëhu mukajet; në të dy rastet, sistemi reagon ndaj kësaj ofensive trullosëse nëpërmjet kreolizimit, meqë anglicizmat, sikurse orientalizmat dikur, nuk integrohen dot vetvetiu dhe natyrshëm në sistemin morfologjik të shqipes.

Që këtej edhe misioni i institucioneve që mbarështojnë terminologjinë; të cilave u duhet jo vetëm të shqipërojnë, duke shfrytëzuar krejt arsenalin që u vë në përdorim shqipja e gjithmbarshme – fjalët e rralla, fjalët plaka e të harrueme, metaforizimet, kalket, huazimet nga gjuhë më miqësore për shqipen, si ato neolatinet; por edhe ta ndërmarrin këtë me vetëdijen se jo vetëm po kujdesen për terminologjinë, por edhe po kontribuojnë, në vijë të parë, për mirëmbajtjen dhe pasurimin e leksikut të shqipes dhe konsolidimin e normës leksikore; gjithë duke ia ruajtur vlerën e përdorimit monedhës fjalë.

Në këtë pikë, lypet ndoshta edhe një rishikim rrënjësor i politikave gjuhësore përkundrejt fjalëve të huaja, të cilat politika ende i kemi të orientuara drejt pastrimit dhe higjienizimit të gjuhës, koncepte me baza ideologjike tashmë të diskredituara; dhe aq më tepër që zëvendësimi i një fjale me një tjetër, sido që të motivohet dhe sado i motivuar të jetë, në thelb, nuk  pasuron gjë.

E vetmja arsye që mund të përligjë, sot e kësaj dite, nevojën për t’iu kundërvënë ballazi fjalës së huaj lidhet me përshtatshmërinë e saj morfologjike në sistem.

Arsyet e tjera, që sillen në mënyrë marramendëse, kanë natyrë manipulative dhe ideologjike, në një kohë që neve na duhet që politikat puriste t’i zëvendësojmë me politika të tjera, pragmatike, për të sqaruar se nga ç’depozita ndërkombëtarizmash do ta ushqejmë leksikun.

Dyndja e barbarizmave, sidomos në publicistikë, është dukuri reale, sa gjuhësore aq edhe sociologjike; por ne, si mirëmbajtës të ligjërimit publik, në vend që të lëshojmë policinë leksikore në tekstet, për të arrestuar “shkelësit” dhe për t’i zëvendësuar këta me rekrutë të freskët nga provinca, më parë duhet të analizojmë, në gjerësi dhe në thellësi, ato procese që e motivojnë folësin të përdorë një fjalë të huaj.

Gabohemi kur shpresojmë se fjala e huaj, si dukuri ligjërimore, mund të luftohet duke u zëvendësuar; sikurse gabojmë kur e mbajmë zëvendësimin, këtë procedurë në thelb higjienizuese, për pasurim të leksikut.

Nëse duam vërtet ta përballojmë trysninë e fjalës së huaj, këtë duhet ta bëjmë në sistem; duke ndërhyrë në nivelin e kodifikimit gjuhësor të individit, jo të ligjërimit. Të njësojmë terminologjinë në manualet e përdorimit dhe në ekranet e kompjuterëve e të telefonave celularë, duke bërë publike databaza masive termash në Internet, pa pagesë; t’i vëmë kompjuterët të na drejtohen në shqipe, madje ta imponojmë këtë me rrugë ligjore; të ofrojmë një fjalor të pasur sinonimesh, si opsion të shqipes në MS Office; t’u japim nxënësve në shkolla tekste me terminologji të përditësuar, të njësuar dhe të orientuar drejt funksionalitetit; të investojmë për të themeluar një fjalor institucional anglisht-shqip, gjithnjë online, për ta përdorur si ndërfaqe të leksikut shqip me globalizimin. Më në fund, ta riformulojmë strategjinë e ndërhyrjes në leksik, duke i dhënë përparësi parandalimit përkundrejt higjienizimit, dezinfektimit dhe teknikave të tjera totalitare.

Dhe sidomos: të heqim dorë nga bindja e çuditshme se, duke luftuar fjalën e huaj, një lojë kjo me shumë zero (zero sum game), po i shërbejmë kombit.

Përkundrazi, do t’i shërbejmë kombit, kulturës kombëtare dhe leksikut të shqipes, si gjuhë e njësuar e kombit, nëse përpiqemi jo për të arritur ideale dhe misione utopike e sentimentale gjithfarësh, por për t’ia rritur, mirëmbajtur dhe përmirësuar funksionalitetin shqipes, si gjuhë të cilën e flasim dhe e cila na flet, madje na përfton si shqiptarë.

Pa Komente

  1. Mua me duket apologji e huazimeve, me teknologjine si gogoli qe tremb femijet. Hiq epoken e hekurit, per teknologjine gjithnje kemi perdorur huazime.
    Financiarisht i thone, ulni taksat doganore se populli s’ka takat te prodhoje buke. Opsioni i punes ngelet si gjithnje i fundit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin