Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

NË MARGJINAT E FJALORIT TË MADH TË GJUHËS SHQIPE

nga prof. Agim Vinca

“Kontributin” tim për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe (2026), po e nis me një evokim për kryeredaktorin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe të 1980-s, profesor Androkli Kostallarin.

Në kujtimet për prof. Kostallarin kam shkruar:

 “Pasioni i tij për gjuhën shqipe dhe pasurinë e saj leksikore ishte i paparë. Në biseda me njerëz të zonave të ndryshme, veçanërisht nga viset këndej kufirit, shfrytëzonte rastin të pyeste për emrat e vendbanimeve, për emërtimet e bimëve, të kafshëve, të veglave të punës etj. Posa dëgjonte ndonjë fjalë të re, të panjohur, të rrallë, nga brumi popullor, nxirrte skedën dhe e shënonte. Kështu pati vepruar edhe me mua kur i thashë se në vendlindjen time, për shtëpinë përdhese përdoret fjala ‘përtrollzë’, të cilën unë e kisha futur edhe në poezi; me fjalën ‘brrolle’ për kallirin e misrit të zhvoshkur nga kokrrat, e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani”.

Mbaj mend se në një nga takimet me prof. Kostallarin në vitet ’70, profesori pati shënuar tri fjalë shqipe që përdoren në vendlindjen time: përtrollzë, brrole dhe tretnatë.

Të parën e kam përdorur në poezi. “Në një shtëpi përtrollzë, shtëpi fshati,/ më lindi nëna mua, fëmijën e tetë;/ një ditë maji, kur im atë, Nexhati,/ lëvronte arën me parmendë”.

Më tej: “Për mua s’u bë tretnatë madhështore,/ nuk u grishëm miq e mikesha,/ veç gjyshja e dashur në sofrën fatore,/ paskësh vënë pelena të leshta”.

Te Fjalori i Madh përtrollëz, përtrollëse përdoret për mizën e dheut, por jo edhe për shtëpinë përdhese.

Dhe: “U nisa rrugëve të një jete/ larg nga shtëpia, përtrollza ime,/ në qytete e apartamente/ gdhiva ditë tjera, të tjera agime”.

(Feniksi, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1972). Libri është botuar edhe në Tiranë në vitin 1977.

Brrollja, e zhvoshkur nga kokrrat, përdoret edhe për zjarr në dimër, ndërsa fjala fatore është neologjizëm imi: që sjell fat.

Ditëlavër. Masë për tokën, rreth dhjetë ari, aq la lavron bujku me qe brenda ditës. Një ditëlavër, dy etj.

Kryehutas. Kredhje në ujë këmbë e krye. “Të zhytem kryehutas në Dri’“. (A. Vinca, Feniksi, 1972).

Uhashtas. Në kuptimin baras, në mundje, kur asnjëri nuk e mposht tjetrin; në shah remi.

Lirek (lulak), foshnja e lidhur në shpërgënj.

Suqut. Rrinte suqut, d. m. th. i heshtur. Nuk bënte zë.

Piktis. Diçka që të prek, të bën merak. “Meraku zemrën ma piktisi me frushkë…” (Agron Tufa në një poemë të tij).

Frushkë. Lloj thike, zakonisht e madhe.

Lipitkë. Thuhet për një lloj thike pa dorëz, pothuajse e papërdorshme.

Furde. Fustan. Veshur me furde. Bleu një furde të re.

Zefk. Qejf. Zbavitje. Bëmë zefk. Zefk i madh. (Fjalë të vendlindjes sime). Te shpjegimi i fjalës “tungjatjeta”, propozoj të shtohet edhe trajta “Tunaqeta”, që përdoret në disa vise, përfshirë edhe vendlindjen time.

Topalltias. Banorët e vendbanimeve që paguanin taksa dhe jepnin ushtarë gjatë sundimit osman. (E përdor Haxhi Lleshi te libri i tij “Vite, njerëz, ngjarje”, Tiranë 1996, f. 9).

Mungon fjala shervete. Një lloj shamie që mbanin burrat dikur në sup ose rreth qafe.

Mungon fjala kanjushë (lejlek), “Kanjushë e verdhë”, titull i një vëllimi poetik të Jusuf Gërvallës. Fjalori i ’80-s e ka trajtën kanushë, kurse ky asnjërën.

Mungon fjala pampor (pampur) për anije, vapor. Ka një këngë shumë të njohur me titull Vijnë pampurat (vaporat), kurse Hanko Halla e Ali Asllanit vjen nga Vlora në Durrës me pampor.

Mungon fjala korzo, që përdoret në Kosovë dhe Maqedoni për shëtitore, pedonale.

Mungon fjala kustos (ai që jep shpjegime në një muze a institucion tjetër), sinonim me fjalën ciceron, që është. Të dyja janë fjalë të huaja, prandaj duhet të trajtohen njësoj.

Te fjala palavi (te sinonimet) përsëritet dy herë fjala lapërdhi.

Te fjala vllah, krahas sinonimeve arumun, çoban dhe llacifac, të shtohet edhe fjala cincar(ë). Kështu quhet ky grup etnik në disa vise, përfshirë edhe vendlindjen time.

Te sinonimet e fjalës transparencë të vihet edhe fjala tejpasí, të cilën e përdor Koliqi në esetë e tij. Po ashtu edhe fjala zgjedhësí për elegancë (Koliqi, Vepra 5, “Faik Konica”, Prishtinë, 2003, f. 215).

Te fjala buzëlule të shtohet edhe njeri i ndjeshëm, që preket e qan shpejt.

Te fjala bigari (ndajf.), kot, të shtohet edhe fjala bigarihak, kotnasikoti. Përdoret shumë në Kosovë në diskursin popullor.

Te lenuar (i, e) të shtohet edhe njeri që ka filluar ta lërë kujtesa. (M’osht lenu baba… thuhet në vendlindjen time; në Kosovë asht rrallu).

Është mirë të përfshihet fjala brucosh-e, e cila në zhargonin studentor në Prishtinë është përdorur për studentët e vitit të parë.

Mungon fjala kalec, që përdoret në Shqipëri për spiun. Haset shpesh në letërsi.

Mungon fjala gnomë, në kuptimin fjalë e urtë, sentencë.

Kartabythje. E përdor Xoxa për letër toaleti. Te “Juga e bardhë”.

Fjala gram (barishte) përdoret edhe në trajtën grëm, grëmth. Xoxa, te “Lumi i vdekur”: “Dashuria është si grëmi, lidhet e shtohet më shumë nën dhé”.

Mungon shprehja “Poste restante” (postë restant), letër që qëndron në postë deri sa të vijë i zoti ta marrë.

Te fjala telbis shpjegimi është mjaft i plotë, por unë në fund i kisha shtuar si shembull vargjet e Fishtës nga Lahuta “Krajli i Inglizit, nji telbis:/ me çà qymen për mjedis”.

Në qoftë se online është bërë onlajn, pse të mos bëhet edhe e-mail-i imejl?

Pas fjalës receptim – pritje, pranueshmëri e një vepre artistike ose letrare, duhet të qëndrojë edhe fjala recipient, që nënkupton marrësin e veprës artistike, përkatësisht lexuesin e veprës letrare.

Fjala “koçi” – karrocë është. Po si quhet ai që e nget koçinë, karrocier apo koçijash?

Fjala kiç, pos si pjesë e anijes, duhet të figurojë edhe si objekt (prodhim) pa vlerë, pseudoartistik;  nga  (nga angl. Sketch– skicë) – objekt kiçerik; përjetim kiçerik; shije kiçerike. Shund.

Është shpjeguar gjerësisht fjala torbë, por mungon fjala torbesh. Grup etnik që flet sllavisht, por me fe janë myslimanë.

Fjala mbles, shkues, mesit në vendlindjen time përdoret në trajtën: shkoz-i. Na erdhi shkozi.

Fjala date, datja shpjegohet si “hallë, motra e babait”. Por në vendlindjen time dhe në Dibër date i thonë vëllait të madh. Ndonjëherë edhe babait, kur është gjyshi gjallë. Te drama “Trimi i mirë me shokë shumë” e S. Pitarkës Gjini thërret: “O date!”. Pitarka ishte dibran. Edhe Skënderbeu. Halla ose motra e madhe thirret “totë”.

Mujgjat-i. Janar-i. Mujgjati erdhi e shkoi.

Mungon fala “xhip”, jevg, magjyp, evgjit. Por edhe mjet transporti. Me xhip. Gazikë.

Te fenduk, fënduk të jepet edhe sinonimi fendaç. (Ja një varg i bukur ironik që fillon me këtë fjalë: “Fenduk,/ Kopuk,/ Minuk,/ Bishtuk,/ Eunuk,/ Në kolltuk…”. / Hamit Aliaj)

Llupës – llopaç. Është llopaç i madh.

Mungon fjala fllanik, qilar. Vend ku mbahet bulmeti, ushqimet.

Pllofkë, pllufkë (flluskë). Te fjala jufka (zahire për dimër), të shtohet, krahas sinonimeve të tjera (petë, petarishte, petka), edhe fjala “petas”. Kështu i quajnë jufkat në vendlindjen time, që nga pikëpamja etnografike lidhet me Dibrën.

Bubaç – bulkth. Por edhe njeri që mëson përmendsh. Zhargon i nxënësve në shkollë dhe i studentëve në fakultet.

Thuhet se është vjelë fjalori i Kadaresë, por unë s’po e gjej në Fjalor një fjalë që e ka përdorur Kadareja duke folur për Fishtën. “Ndalimi i Fishtës ishte i rrokakrejtshëm (total)”. VEPRA, vëll. XX, f. 408.

Fjalës fjetore i duhet shtuar fjala fjetarë. Shih romanin Verbëri të Saramagos, f. 172, përkthyer nga Nasi Lera. “… dëgjohen gërhitjet e fjetarëve”. Përkthyesit e mirë e pasurojnë gjuhën. Hartuesit e fjalorëve duhet të lexojnë më shumë letërsi. (Te fjetore duhet vënë edhe sinonimi fjetinë).

Fjala velenxë (mbulesë leshi), sipas Feride Paplekës, vjen nga Valencia e Spanjës, nga kishte ardhur modeli i parë i saj.

Ndryshor – variant, version. Ndryshori francez i këtij libri.

Te fjala pykor të shtohet edhe alfabet ose shkrim pykor. Kështu e quan Kokona shkrimin kuneiform.

Pranë fjalës picimul (i vogël, picirruk) mund të vihet edhe fjala pitilush e krijuar nga unë. “Çka s’bën, çka s’bën, ky vogëlush pitilush!/ Me një gisht e përmbys universin/ Dhe e ribën sërish në lojën e tij pa kufij”. (A. Vinca)

Të regjistrohet edhe fjala “poen”, për pikë. Thuhet: “E bën për poena politikë”.

Mungon fjala kinezëri, që haset te Kadareja (te Koncerti), por edhe tek autorë të tjerë, në kuptimin dredhi, djallëzi.

Mungon fjala decenie, sinonim i fjalës dhjetëvjetësh, dekadë, që përdoret shumë në Kosovë. (S. Hamiti në shkrimet e tij kritike e përdor ekskluzivisht këtë trajtë).

Mungon fjala fejsbuk/ feisbuk. (Facebook).

Duhet të plotësohet kuptimi i fjalës rreshkë-a. Në romanin “Gjumi mbi borë” të Ridvan Dibrës thuhet: “Ke kujdes edhe rreshkat, o msus!”. Dhe: “Rreshka fshatarët u thonë ortekëve.” (Gjumi mbi borë, botim i “Onufrit”, 2016, f. 49). Në f. 59-61 rimerret kjo fjalë.

Te një libër i poetit Adem Gashi hasa fjalën gjyshërim. “Dita e parë e gjyshërimit” (“Edhe mund ta mendoja një titull tjetër”, Prishtinë 2021, f. 101). Mund të merret në konsiderim.

Pse mungon fjala kanxhalloz, që haset te Kuteli, te tregimi “Lugetërit e fshatit tim”, sikurse edhe fjala ograi? Duhet parë Fjalorthi në fund te Kompleti i ’90-s.

Mungon fjala kokorosh.

Mungon fjala gjasëramje. Rimë. Luigj Gurakuqi: “Vargënimi n’gjuhë shqype” (1906).

Mungon fjala qandërr, që hahet te vjersha “Atdheu” e Fishtës. Duhet të jetë çandër.

Thirravaj, edhe në gjininë mashkullore, pa ë. “Jam i dënuar”, klith me thirravaj? (Kadare, “Tirana në dimër”).

Te fjala dalzotës të shtohet fjalia: Kadareja i quajti ushtarët e UÇK-së dalzotës të Kosovës.

Kadareja përdor te “Prilli i thyer” fjalën kanuntar për Ali Binakun. Në kuptimin: njohës dhe shpjegues i kanunit. Njësoj si duhantar për duhanpirës, duhanxhi.

Ferrparajsë. Fjalë e krijuar nga poeti Xhevahir Spahiu, i cili ka një libër (vëllim poetik) me këtë titull.

Fjalën qëndresëtar e keni me ë, por edhe pa të. Shih: Popull qëndrestar. Preferoj këtë të dytën.

Zëzmadhues. Qosja për altoparlant, në romanin “Një dashuri dhe shtatë faje” (f. 388); për të njëjtin mjet Kadareja përdor fjalën fortafolës. Kam shumë dëshirë të krijoj fjalë të reja – thotë prof. Qosja te Ditari i tij VIII. Sendësore për materiale. Te fjala kope-ja (emër) të shtohet ndajfolja kopeisht e krijuar nga Qosja te libri polemik “Morfologjia e një fushate”. Te romani i tij i mirënjohur “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974) ka shumë fjalë e shprehje që duhen vjelë. Edhe te “Bijtë e askujt”. (Shih botimin te kompleti, 2010).

Te romani Muzeu i pafajësisë i shkrimtarit turk Orhan Pamuk, i përkthyer shqip nga Drita Çetaku-Turdiu, përdoret fjala dejaç, për i dehur. “Turma e dejaçëve, që shkonte e vinte çdo ditë në këto bare, e quante veten ‘të punësuar aty’ ” (f. 370). Mendoj se duhet të futet fjala famoze, si diçka për të cilën flitet shumë, për mirë ose për keq.

Mungon fjala shpirtosur (i, e, të).

Të futet krahas fjalës nënqiellor edhe fjala nënqiell, që përdoret në diskursin letrar dhe publicistik në Kosovë e Maqedoni. Është kalk i serbokroatishtes (podneblje), por gjuha pasurohet edhe me kalke e përkthime. Kështu kanë vepruar rilindësit. Naimi përdorte fjalën dritëshkronjë për fotografi, kurse Samiu universitetin e quante gjithëmësime. (Të dyja këto fjalë mungojnë).

Po përdoret gjithnjë e më shpesh fjala influencer. Ndoshta do regjistruar.

Këmbimore. Kioskë a zyrë ku këmbehen të hollat.

Mungon fjala “botërorizim”, barasvlerës i fjalës së huaj “mondializim”, të cilën me sa di e ka krijuar profesor Remzi Përnaska. Përdorej në lajmet e RFI-së, kur jepte program në gjuhën shqipe.

Kolumnë-e/a. Lloj shkrimi gazetaresk, me stil të lirë. Përdoret shumë në Kosovë dhe në Maqedoni. Ai që shkruan kolumne ose kolumna quhet kolumnist.

Mungon fjala ferrotë. Fatmir Musai (poet nga Elbasani), “E di një shteg…”, Tiranë 2024, f. 215. Anapolla!  (f. 216). Në librin “Njeriu i pamundur” (Tiranë, 2025, f. 157) ka një poezi që i kushtohet bartësit të projektit, prof. Valter Memishës

Mungon fjala rrobëdhomë për robëdëshambër (robe de chambre).

Mirë që janë përfshirë dhe shpjeguar fjalë si: Rremendje. Vetëmashtrim, iluzion; Humbore. Labirint, hon. Shpabesje, shkelje e besës dhe Shkagoj refuzoj.

Hedhak-e. I, e hedhur. Din Mehmeti: vithet e saj hedhake (vjersha Malësores).

Mungon fjala sypamës, për dëshmitar okular. Anton Papleka: Intervistë me vetveten.

Kryefund përdoret te përkthimi shqip i Këngës së Rolandit.

Fjala grafit (nga it. grafitto) shpjegohet njësoj si në Fjalorin e ’80-s, pikë për pikë. Mirëpo, kanë kaluar 45 vjet dhe ndërkohë fjala grafit ka marrë edhe kuptimin e një shkrimi a vizatimi në mur, ndonjëherë edhe në rrugë, rëndom me përmbajtje spirituoze. Kur u shpall pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008, në murin ballor të hotelit “Iliria” në Prishtinë, pranë portretit të Adem Jasharit dikush shkroi: “Bac’, u kry’!”. Kjo quhet grafit. Në botë flitet për kulturën e grafiteve. Në një poezi timen të shkruar në vitin 2000, pas zgjedhjeve të para të pasluftës në Kosovë, hasen këto vargje: “Në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë,/ Pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti / Gdhiu befas ky grafit në asfalt:/ “Prishtinë, ♥ ime, haram të qoftë gjaku im!”.

Në Prishtinë ëshë botuar një libër më titull Grafitet në folklor (2019) me autore Ylberza Halilin, i mbrojtur më parë si punim master në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Qysh Kristoforidhi në kohën e tij ka treguar se fjalori nuk është vetëm regjistër fjalësh, por edhe kujtesë e histori.

Duke u marrë me studimin e veprës së Martin Camajt kam evidencuar këto fjalë e shprehje të rralla e arkaike: alemi (bota, njerëzia), bakeq (keqbërës), blegë (për bareshë), crrule (lecka), çartabukas (djerraditës), çartakandas (qejfprishur), delmar (bari), dheas (për autoktonë), dhezëllimë (shkëlqim), havan (enë ku shtypen gjëra të ngurta),  imshtajë (pyll me lisa të rinj), kaptell (pjesa e përparme, koka e djepit), katarosh (fig. si bri i përdredhur), katua (stallë, ahër), kërthnezje (përtëritje), kurtinë (perde), larth (dushk i egër), lnur (kreh, kashais), lodërti (vegla muzikore), malemal (tej mase), mëgoje (bukë e gojës), mirakandas (me qejf, me kënaqësi), mëngji (për magji), ndërmendje, ndeshtrashë (ndodhi, ngjarje e papritur, por edhe takim), ndërdyzash (në mëdyshje), nuskë (për kukull, por edhe hajmali), njimtim (gënjim), parilemë (për “fëmija i parë”), parandej (më përpara), pëlle (pjellore), pashi (dukje), përmal (përpjetë), përspjetë (ia beh, shfaqet papritur), përtrojas (përdhes), prozhmim (për përgojim), ravë (për gjurmë, vijë), rreshpje (Botrychium lunaria: lloj fieri), rogë (për lëndinë, lirishtë), rrungajë (për ortek), syzim, sendërgjim (trillim), skuth (tinëzar), stom (rrip, breg toke), sukull, sukuj (leckë, lecka), shé (përrua), shekull (për botë), shkokloj (shkoqis, zgjidh), shllim (ide, përfytyrim), shkundullimë (për tërmet; këtë fjalë e përdor edhe De Rada te Milosao, Kënga XX, në trajtën: shkuntuljiim), shpërbe (be e rreme), shqekë (xhep pa astar), terratisje (errësim), trum-hasshëm (frikshëm), trumzë (lloj shkurreje), thek hapin (shpejtoj), va (vend i cekët në lumë), vegsh (poçe balte, vorbë me një vesh), vidë (pëllumbeshë), vigmë (britmë, vikamë), zoteshë etj.

Njësoj kam vepruar edhe me Anton Pashkun. Kam evidencuar këto fjalë të rralla, kryesisht lokalizma, që përdoren në prozën e tij: kukuvriq, tarrabec, i kullmë, i mermë, korriqe, bardhokë, brojcë, çuçlen (i kroit), çukërmim (i kalit), kllapuritje, pinë (flluskë ajri), kith, hejzë, ajgëtim, lakadredhë, shkafjim (shkafjuar), zurkajë, zuzë (fjalë lokale për prapanicë), zhym (duhani), xëgitje (e xëgiti), titrim (titroi), hukamë, heqamë (heqë, agoni), rringamë, laknis (u laknisën) etj.

Nuk e di sa dhe cilat prej tyre janë përfshirë në Fjalor. Të verifikohet se cilat janë e cilat jo.

Qyqërim, sjellje qyqare, fjalë që e përdor shkrimtari Rushit Ramabaja në romanin e tij Atje lart po qanin Zotat (2021), duke aluduar tek e ashtuquajtura “rezistencë paqësore” e viteve ’90 në Kosovë. Po ky shkrimtar përdor edhe fjalët: gjekëtimë (gjëmim), njimtar (mashtrues, i pabesë, tradhtar), vëngjillë (ruajtje e të vdekurit natën para varrimit), dyndallë (dyndje e madhe), zdërhallje, që janë përfshirë në Fjalor, si dhe fjalët: njomak, mëzor (mëzat), virgjëlli, rrëfatë (degë) etj.

Te fjala shtunak-ë, të shtohet edhe: Në vendet ku ditë pazari është e shtuna.

Fjala hamadreq mungon te Fjalori i ’80-s. Këtu është përfshirë, por nuk më duket se është shpjeguar drejt. Kjo fjalë përdoret shumë në Kosovë, në kuptimin: ”Më hëngër dreqi! Nuk më la dreqi rehat!” dhe “I hyra një pune që ndoshta s’duhej bërë!”. Është fjalë e tipit: folje plus emër. Nuk e di nga ç’zonë vjen hartuesi i shkronjës H, por kuptimi i kësaj fjale duhet rishikuar.

Të hiqet fjala divulgative doktoraturë dhe të përdoret trajta e duhur doktoratë. (Kjo trajtë haset te Fjalori i ’80-s).

Është bërë mirë që është përfshirë fjala paradhe (dheu i të parëve), të cilën Fjalori i ’80-s nuk e ka, por në shpjegim duhet thënë se kjo fjalë është sinonim i fjalëve: atdhe dhe mëmëdhe. Me këtë kuptim e përdorin arbneshët e Zarës. Shime Deshpali: ”Kah ajo anë që valvitet bajraku kuqezi asht Arbnia, paradheu ynë”. (Shih Nasho Jorgaqi: Koha e kujtimeve, Tiranë 2011, f. 514).

Shënimet e mësipërme nuk janë të plota, aq më pak përfundimtare. Unë punoj me gjuhën çdo ditë si krijues dhe si studiues.

Pas urimit që i bëra kryeredaktorit, z. Memisha, menjëherë pas daljes së Fjalorit në versionin onlajn, ua nisa atij dhe koordinatores, znj. Kananaj, edhe këtë kontribut timin të vogël “leksikografik”, të cilin tani po e publikoj.

I përgëzova edhe për vendimin për nxjerrjen e Fjalorit në diskutim publik, madje në një periudhë të gjatë kohore.

Dhe në fund edhe një sugjerim Redaksisë: kujdesuni që ky Fjalor të dalë mirë edhe në formën e shtypur, pra si libër, të mos ndodhë si me Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH I-III, 2008- 2009), i cili është aq i rëndë sa mund të shërbejë si armë e ftohtë!

(c) 2026 Agim Vinca. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading