Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Filozofi

PADIJA E KAFSHËVE NDAJ NJERËZVE DHE LIGJËRIMI I “KOPSHTIT TË MAGJEPSUR”

Katet e dijes naltohen n’pafundësi
E yjet janë kokrra râne duarve tua
Që lahen n’ujët e praruem të Heshtjes.
Në ç’ishim ka të ardhme, në ç’jemi
Ka amshim që na pulson në zemër.
Diku në gjoks na fshihet Universi,
Jetojmë nën qiej e qiejtë janë në ne
Dhe retë, kodrat, pylli ku këndojnë zogj.[1]

Shpëtim Kelmendi

Në shkrimin e fundit[2] shtruam pyetjen nëse njeriu, si individ apo shoqëri, ka të drejtë të shfrytëzojë natyrën si ta shohë të arsyeshme, edhe sikur të mos ketë asnjë pasojë negative për të? Përderisa, siç thotë Aristoteli, nuk ka asgjë të re nën këtë diell, nuk është çudi që një pyetje e tillë është shtruar të paktën para një mijëvjeçari, në një kohë kur një krizë mjedisore ishte krejtësisht e paimagjinueshme. Bëhet fjalë për Letrat e Vëllezërve të Dëlirësisë (Rasā’il Ikhwān el-Ṣafāʾ), shkruar në shekullin X në qytetin-port të Basras në Gjirin Persik (Iraku i sotëm).

Vëllezërit e Dëlirësisë (Ikhwān el-Ṣafāʾ) ishin një bashkësi urtarësh e filozofësh myslimanë, të cilët lanë pas një përmbledhje enciklopedike madhore prej 52 letrash apo epistujsh – secila kushtuar temave të caktuara nga filozofia, matematika, astronomia, muzika… – duke integruar në shpalljen islame e botëkuptimin e saj shkollat filozofike e mistike të Pitagorës, Hermeticizmit dhe Neoplatonizmit.[3] Sipas tyre, synimi ishte që nëpërmjet diturisë të arrihej dëlirja e përmbushja e aftësive të fjetura në ndërgjegjen e njeriut, e përfundimisht çlirimi i shpirtit të tij.[4] Tek Letra 22, shkruar në formën e një fabule, kafshët bëjnë padí ndaj njerëzve si shkelës të të drejtave të tyre dhe uzurpues të natyrës. Në thelb trajtohet pyetja nëse njeriu ka të drejta mbi kafshët e krijesat e tjera, e çfarë të drejtash kanë kafshët vetë. Të gjithë argumentet për epërsinë e të drejtat e njeriut mbi kafshët hidhen poshtë, qoftë nga pikëpamja e përmbushjes së nevojave njerëzore, qoftë nga vetë-përgëzimi se njerëzit janë të aftë të mbizotërojnë falë mprehtësisë së mendjes së tyre. Më poshtë do të perifrazojmë disa prej argumenteve.

Fig. 1: Dorëshkrim nga ‘Letrat e Vëllezërve të Dëlirësisë’, Istanbul, Biblioteka Sulejmanije.

Në oborrin mbretëror së Bīvarāspit të Urtë

 Kafshët janë arratisur nga zgjedha e njerëzve dhe gjejnë strehë tek ishulli Balāsāghūn në mes të Detit të Gjelbër, ku sundon me drejtësi e bujari mbreti i xhindëve, Bīvarāspi i Urtë. Përzgjedhja e tij si mbret i xhindëve nuk është rastësi, apo një marifet për ta bërë tregimin ekzotik e dëfryes, por ka për qëllim të theksojë qenien e tij si asnjanëse, as njeri e as kafshë, e kështu si të paashëm e të drejtë në vendimin që do të marrë pasi të dëgjojë kafshët si palën akuzuese dhe atë të njerëzve si të pandehur.[5]

Njerëzit ia behin pa shumë vonesë dhe i ankohen mbretit se skllevërit e shërbyesit e tyre – kafshët – kanë marrë arratinë dhe kërkojnë t’ua kthejë mallin që u takon. Por, në oborrin mbretëror të Bīvarāspit të Urtë pohimet duhet të mbështeten me dëshmi e provë. Një nga zëdhënësit e njerëzve shpjegon, duke sjellë vargje nga Kur’ani,[6] se Zoti i ka krijuar kafshët për hatrin e tyre, që ato t’u shërbejnë njerëzve. Madje edhe Tevrati e Ungjilli, thojnë të njëjtën gjë, shton ai. Kur i vjen radha zëdhënësit të kafshëve, ai thotë se këto vargje nuk dëshmojnë se njerëzit janë krijuar për të qenë zotë të kafshëve, por për mirësitë e bekimet që Zoti u ka dhënë njerëzve. Sipas vargjeve të Librit Fisnik, vë në pah ai, edhe dielli, hëna, retë e erërat janë mirësi e bekime për njerëzit,[7] por kjo nuk do të thotë se ato, e kësisoj edhe kafshët, janë skllevër e shërbëtorë të tyre, siç kujtojnë ata. E drejta sipas së cilës njerëzit na shfrytëzojnë, vazhdon zëdhënësi, mbajnë nën zgjedhë, nën kapistër, na rrjepin apo therin në mënyra nga më mizore, nuk mbështetet në asgjë tjetër përveç se forcës.

Zëdhënësi i njerëzve ngulmon që vendimi se si duhet të trajtohen kafshët u përket njerëzve, sepse ato janë pronë e tyre, dhe bindja ndaj njerëzve është bindje ndaj Zotit. Jo pa humor, duket se këtu Vëllezërit e Dëlirësisë vënë në lojë edhe dobësinë e argumentit të ngjashëm që disa sundimtarë myslimanë ofronin për domosdoshmërinë e bindjes pa kushte të shtetasve të tyre.

Kur zëdhënësi i njerëzve mëton epërsinë e tyre ndaj kafshëve duke vënë në pah hijeshinë e trupit, të ecurit drejt, mprehtësinë e shqisave e mendjes së tyre, zëdhënësi i kafshëve ia kthen se kjo s’mund të jetë provë. Ai bën një listë të gjatë e përshkruan sesi kafshë të ndryshme kanë shqisa shumë më të ndjeshme se ato njerëzore, dhe shton se trupat e shqisat e kafshëve janë të përsosura për t’iu përgjigjur nevojave që kanë. Në gjuhën e ekologjisë së sotme, argumenti i zëdhënësit të kafshëve tërheq vëmendjen te roli i veçantë (niche) që secila specie, falë tipareve fizike e sjelljes unike të saj, luan në një ekosistem të caktuar. Për më tepër, në linjë me botëkuptimin në të cilin jetonin e mendonin Vëllezërit e Dëlirësisë, zëdhënësi i kafshëve vëren se kafshët janë ashtu si janë, me qafë apo veshë të gjatë, me brirë apo bisht, me lëkurë e gëzof, sepse kështu ka vendosur Urtia Hyjnore, në mënyrë që kafshët të jenë të pajisura me cilësitë e duhura për të jetuar.[8] Të gjesh mangësi në krijesa është të gjesh mangësi te Krijuesi i tyre, ia kthen zëdhënësi i kafshëve atij të njerëzve. Sa i përket intelektit, ai është dhunti nga Zoti, por nuk shohim gjurmë të tij ndër ju, meqë mburreni për diçka që nuk është vepër e juaja, vijon zëdhënësi i kafshëve, dhe vë në dukje se përderisa intelekti është dhunti, njeriu s’ka të drejtë të mburret me të, por vetëm me vendimet që ka marrë e me veprat që ka bërë falë këtij intelekti që i është dhënë.[9]

Gjithashtu, shtrohet argumenti se njerëzit i blejnë e shesin kafshët, prandaj janë mbi ta. Pa vonesë, zëdhënësi i kafshëve i kujton mbretit dhe oborrtarëve se edhe grekët blejnë e shesin persët si skllevër, dhe anasjelltas, por kjo s’do të thotë se njëra palë është lindur për të sunduar e tjetra për t’u skllavëruar. Këto janë pjesë e rrotës së fatit, e jo dëshmi e të qenit superior, dhe shton se kjo është diçka që vërtet “e kuptojnë vetëm ata të rrënjosur në dije” [Kur’an, 3:7]. Ky varg kur’anor përsëritet si refren në fund të çdo kundër-argumenti të dhënë nga zëdhënësi i kafshëve ndaj pohimeve të zëdhënësit të njerëzve dhe, në njëfarë mënyre, paralajmëron vendimin përfundimtar. Pasi hedh poshtë një listë të gjatë pretendimesh të zëdhënësit të njerëzve për superioritet e të drejta ndaj kafshëve, zëdhënësi i kafshëve bie dakord vetëm në një pikë. Njeriu ka epërsi ndaj kafshëve, por vetëm nëse është prej atyre “të rrënjosur në dije” (el-rāsikhūn fi’l-ʿilm), veçoritë e të cilit përshkruhen kështu:

Pers për nga edukata, arab për nga besimi, abrahamik (ḥanīf) në Islamin e tij,[10] iraken për nga kultura, hebre në dije, i krishterë në sjellje, damasken në devotshmëri, grek në shkenca, indian në soditje, sufi në aludim, mbretnor në karakter, zotërues i mendimeve dhe i përzotshëm në përsiatje.[11]

Ky argument është i vetmi që pranohet nga kafshët si dëshmi e privilegjit dhe përgjegjësisë që mbart të qenurit njeri.

Vizioni Antropokozmik

Text Box: Fig. 2: Gravurë e Haxhi Bektash Veliut me sorkadhen e luanin. Shek XV. Nevshehir, Turqi.

Për historianin, përshkrimi i mësipërm i njeriut ideal është dëshmi e larmisë vezulluese kozmopolite të portit të Basras të shekullit X. Njëkohësisht, ajo nxjerr në pah përceptimin tradicional të njeriut të përsosur (insān el- kāmil)[12] nga ana e bashkësisë myslimane si një amalgamë e cilësive të përkryera, në këtë rast, të trupëzuara nga bashkësi të ndryshme fetare e etnike. Me një fjalë, ndryshe nga kafshët që nuk mund të dalin jashtë natyrës së tyre, njeriu ka para tij (ose saj) një gamë të pamatë mundësish, diçka që dëshmohet nga larmia e pashterrueshme e karaktereve e personaliteteve njerëzore. Në njëfarë mënyre, njeriu mund të trupëzojë çdo kafshë me karakterin e vet, siç dëshmohet nga prania e kudondodhur e fabulave në kulturat njerëzore. Sidoqoftë, vetëm njeriu mund të arrijë një kulm si ai i përsosurisë së tipareve të veta në harmoni, ose në gjuhën mitologjike, të kthejë të gjitha kafshët e shpirtit të tij në paqe të plotë, ku ujku me qingjin shtrihen e pushojnë brí njëri tjetrit. Pra, njeriu ka potencialin të shndërrohet në shenjtor, do të thonin të krishterët, apo në velī (shumës, ‘eulijā) ose mik të Zotit do të thonin myslimanët. Nuk është rastësi që njerëz të tillë paraqiten me kafshë që rrijnë urtë në praninë e tyre dhe jetëshkrimet e shenjtorëve e profetëve kanë plot shembuj që theksojnë këtë miqësi të tyre me natyrën e kafshët: kur i binin fyellit ose harpës, Pitagora e Orfeu i lashtësisë kishin kafshët e natyrën si audiencë, një nga shenjtoret e hershme myslimane, Rābi’a e Basrës (v. 801) rrethohej nga zogj, gazela e drerë sa herë dilte në natyrë,[13] Shën Francesku i Assisit (v. 1226) paqtoi ujkun që kishte terrorizuar krahinat rreth qytetit të Gubbio-s, Haxhi Bektāsh Velī-ut (v. 1271) rroku sorkadhen e luanin në prehrin e tij, urtarët daoistë shoqëroheshin përherë nga kafshë e shpezë…[14] Në këtë botëkuptim, kjo është diçka vërtet e rrallë, por jo e pamundur; “shumë thirren, por pak zgjidhen,” siç thotë Krishti.  

Sipas Vëllezërve të Dëlirësisë, vetëm njerëz të tillë kanë epërsi dhe të drejta mbi natyrën, sepse shërbejnë si mëkëmbës (khalīf) të Vullnetit Hyjnor, trupëzime të lutjes “u bëftë Vullneti Yt në tokë, ashtu si në qiell” (Mateu, 6:10), duke qenë vetvetiu kujdestarë të natyrës, njerëz që ecin lehtë mbi dhé.

Vlen të përmendet se për indianët e Amerikës llojet e ndryshme të kafshëve janë popuj;[15] populli i ujqve, i kastorëve, i elkëve… këndvështrim që ndeshet edhe në traditën islame,  “nuk ka kafshë në tokë, e zog me fletë, që nuk është popull si ju” [Kur’an, 6:38], gjë që na lejon ta kuptojmë edhe më mirë pse Vëllezërit e Dëlirësisë lanë një epistull të posaçëm për të drejtat e kafshëve, të vetmin në formë fabule, në një enciklopedi që përqendrohet te filozofia, matematika, arti dhe muzika.

Text Box: Figure 3: Mexhnūn-i në shoqërinë e kafshëve. Nga Khamsa e Niẓāmī-ut, shek XVII, Iran. Sipas legjendës, Mexhnūn-i është vërtet dalldisur nga dashuria për Lejlānë aq sa ka braktisur botën, por njëkohësisht në letërsinë mistike islame kjo poemë lexohet si simbol i shpirtit njerëzor në dashuri e me mall për Bukurinë Hyjnore. Rrjedhimisht, natyra joshet nga një njeri i tillë.            Ibn ‘Arabī (v. 1240), një figurë madhore intelektuale e shpirtërore e Islamit, thotë se nuk mund të njihet Ḥakku, që është Zoti si Realiteti ose e Vërteta, pa ua njohur ḥakkun të tjerëve, përfshirë krijesat e natyrën, jo vetëm njerëzit. Fjala ḥakk do të thotë “realitet”, por edhe “e drejtë”, pasi është e pamundur të njihet realiteti i diçkaje pa ia njohur edhe të drejtat.[16] Sipas Mevlānā Rumī-ut, një tjetër paragon intelektual e shpirtëror, realiteti i natyrës e gjallesave është i njomur në ndërgjegje dhe hymnizim, por shumica nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Ai thotë se arsyeja për mungesën e vetëdijes është topitja e zemrave të njerëzve nga rëndesa e perdes së egos së tyre: “Në brendësinë e tyre, të gjitha grimcat e kësaj bote ju drejtohen natë e ditë: “Ne dëgjojmë e shohim e jemi të lumtur, por me ju, o të huaj, jemi të heshtur.””[17] Siç vëren edhe studjuesi Munjed Murad, në mënyrë të ngjashme Rumī tërheq vëmendjen se shumë njerëz s’e rrokin thelbin e adhurimit e devotshmërisë në fé të tjera, e priren t’ua mohojnë vlefshmërinë.

Secili të lartëson në mënyrën e vet, dhe njëri s’është i vetëdijshëm për gjendjen e tjetrit… Meqë jam i pavëmendshëm ndaj lëvdimit të shqipëruar nga ata që flasin, si mund të njohë zemra ime lëvdimin e atyre që janë të heshtur?[18]

Por, për Rumī-un, paaftësia për të kuptuar s’mund të jetë përkrahje për një argument të tillë, si ndaj adhurimit të njerëzve, ashtu edhe atij të kafshëve, bimëve e natyrës.[19] Vetëm një zemër e zgjuar, prej atyre “të rrënjosur në dije”, ia mundëson shqisave shpirtërore “të përndijojnë ligjërimin e ujit e tokës”[20], dhe kësisoj mund t’ua japë ḥakkun si u takon. Përfundimisht, meqë kafshët e shpendët, lumenjtë e malet, kanë ndërgjegjen e tyre përkatëse, janë popuj si njerëzit, dhe marrin pjesë në lartësimin e Zotit, Ḥakkut, Realitetit, atëherë ata kanë të drejta të cilat njeriu s’mund t’ia shkelë pa shkarë në padrejtësi.

Mbase është e tepërt të shtohet se epistemologjia e Vëllezërve të Dëlirësisë, Rumī-ut apo Ibn ‘Arabī-ut e ka rrënjën në shpalljen kuranore: “Shtatë qiejt e toka, e çdo gjë mes tyre, i lartësojnë Atë. Nuk ka asgjë që nuk lartëson duke thurur Lavdin e Tij, por ju s’e kuptoni. Vërtet Zoti është i Butë, Falës.” [17:44]; “A nuk e shihni se Zoti lartësohet nga çdo gjë në qiej e në tokë, e nga zogjtë në fluturim? Secili ka mësuar mënyrën e lutjes e lartësimit të vet, dhe Zoti ka dijeni për atë çka bëjnë.” [24:41]; e vargje të ngjashme si këto.

Text Box: Figure 4: Mozaik romak i Orfeut, rrethuar nga kafshët që kanë ardhur të dëgjojnë muzikën e tij. Palermo, shek. II e.s.

Ndonëse jo të gjithë njerëzit do ta dëgjojnë muzikën qiellore, siç thotë Pitagora, apo ligjërimin e ekzistencës, siç thotë Rumī-u,[21] mjafton që ata ta shohin natyrën si të tillë, ta dijnë se “e gjithë natyra flet rreth Zotit” (omnis natura Deum loquitur),[22] siç thotë Hygoi i Shën Viktorit, e ta trajtojnë në atë mënyrë. Ky botëkuptim, që ndeshet në çdo qytetërim madhor paramodern është quajtur edhe “vizioni antropokozmik”,[23] term i përdorur nga Tu Weiming, një nga mendimtarët më të shquar të filozofisë së Azisë Lindore sot. Prandaj, nëse një bashkësi njerëzore ruan me ngulm e besnikëri një pjesë të natyrës, duke i trajtuar ato qoftë si vende të shenjta pelegrinazhi (bie fjala, Mali i Tomorit në Shqipëri, apo Mali Fuxhi në Japoni), apo si parqe e zona të mbrojtura me ligj, atëherë do të thotë se ajo bashkësi ende ruan një kujtesë të dëlirësisë së parajsës në ndërgjegjen e vet. Përderisa njeriu e natyra e kanë zanafillën te Zoti, ose Qielli, trualli hyjnor ose arketipor, siç do ta quante Platoni, do të thotë se njeriu dhe natyra kanë një origjinë, ata janë komshij apo vëllezër, e si rrjedhojë janë pasqyrë e njeri tjetrit.

Është e vërtetë se njeriu varet nga natyra për të përmbushur nevojat e veta, por duhet të theksohet se nevojat e njeriut janë të pakta, ndërsa dëshirat janë pafund. Kjo do të thotë që në botën moderne edhe kërkesat ndaj natyrës janë parimisht pafund, ndërsa në atë paramoderne, ato janë gjithmonë të kufizuara; ende sot ka bashkësi që jetojnë në këtë mënyrë si psh., bashkësitë Amish në Amerikë, ose nomadët në stepat e Azisë apo shkretëtirat e Saharasë. Në një botë të tillë, natyra jo vetëm që shihet si një bekim për të përmbushur nevojat, por njeriu e sheh veten si pjesë e pandashme të saj. Ajo nuk trajtohet thjesht si një lëndë e parë për të plotësuar dëshirat, apo diçka për t’u pushtuar e dominuar; siç thotë Mircea Eliade, “Për njeriun fetar, natyra nuk është kurrë thjesht ‘natyrore’, por gjithmonë e mbushur me vlerë fetare. Kjo shpjegohet me faktin se kozmosi është krijim hyjnor: e dalë nga duart e Zotit, bota është e mbarsur me sakralitet.”[24]

Sipas vizionit antropokozmik, njeriu i vërtetë është nyjë mes Qiellit e tokës simbolizuar nga shenja 王(wang), në traditën e Azisë Lindore, ku tre vizat horizontale përfaqësojnë Qiellin, njeriun e tokën, dhe ajo vertikale rolin e njeriut si lidhës e pjesë e të triave. Është po ky vizion i njeriut me të cilin Vëllezërit e Dëlirësisë pajtohen, duke e parë atë si mëkëmbës (khalīf), një term polivalent në doktrinën islame, apo si urë-ndërtues (pontifex) në atë të krishterë. Për sa kohë që njeriu e harron ose shpërfill këtë rol, ai humbet çdo epërsi e të drejtë ndaj kafshëve e natyrës, u bën padrejtësi atyre, e përfundimisht edhe vetes, siç u tha dhe më lart.[25]

Patëm dëgjuar një alpinist që tregonte për indinjatën e disa malësorë të moshuar zviceranë ndaj alpinistëve të rinj, të cilët pa mëdyshje “pushtonin” majat e maleve, veprimtari që ata e shihnin si sakrilegj. Madje, pas njëfarë lartësie ata nuk çonin as bagëtitë të kullosnin, sepse, sipas tyre, është truall që i përket engjëjve, jo njerëzve. Me një fjalë, për ta, mali pas njëfarë lartësije duhet të ishte i paprekshëm. Shembuj të një botëkuptimi të tillë mund të shumëfishohen anembanë globit. Kjo mendësi i bën jehonë idesë se natyra e virgjër pasqyron diçka prej harmonisë së parajsës, prej së cilës njeriu është syrgjyn qëmoti, in illo tempore. Siç thotë Shakespeare-i me gojën e dukës që jeton në pyllin Arden, jehonë e Edenit vetë: Dhe jeta jonë, e çliruar nga barrë e turmës, dëgjon ligjërimin e pemëve, lexon gurgullimin e përrojve, predikimin e gurëve, e gjen kudo mirësi (Si ta doni, Akti 2, skena 1). Sipas botëkuptimit antropokozmik, te çdo njeri, dëshira për të ruajtur natyrën e virgjër, në thelb, është dëshirë për të ruajtur kujtesën Edenike, e cila zgjohet e ripërtërihet sa herë që përballet me të: Parajsa është ende në këtë botë, por njeriu s’mund ta arrijë, nëse nuk rilind në Hyjin (Boehme).[26] Humbja e pulsit të kësaj kujtese, e këtij anamnesis-i platonik, do të thotë se zemra e atij njeriu është ngrirë, është betonizuar, dhe si rrjedhojë kërkon me çdo kusht të zaptojë, betonizojë, apo “t’ia aktualizojë potencialin” natyrës kudo që ta shohë, kërkon që realitetin e vet të brendshëm ta imponojë në natyrë, pavarësisht se arsyeja mund të serviret në emër të biznesit, pushtetit apo zhvillimit.[27]

Pyetje

Nuk kemi pritshmëri, shpresë, e aq më pak ndonjë këshillë për lexuesit që të besojnë apo praktikojnë kuvendimin me kafshë, zogj a me peshq, por duam të theksojmë se në një botëkuptim antropokozmik, edhe pse njeriu ka një rol qëndror, prapëseprapë ai ka të drejta tejet të kufizuara ndaj kafshëve e natyrës. Nga ana tjetër, në botëkuptimin modern, ku natyra shihet si një realitet i krijuar falë forcave të papërvetshme fizike e kimike, është vështirë të artikulohen të drejtat e njeriut ndaj natyrës përveçse në terma utilitarë, e përfundimisht vetëshërbyes. Dmth, natyra ose kafshët duhet të ruhen sepse njeriu ka nevojë për lëndën e ushqimin që siguron prej tyre, se pastrojnë ajrin, ndihmojnë në riciklimin e lëndës organike, apo se mund t’i shërbejë për frymëzim në poezi e letërsi. Çdo argument përtej kësaj kornize me shumë gjasë katalogohet si subjektiv e sentimental, ose si ende i pashqitur nga ideja e “kopshtit të magjepsur”, siç e pat quajtur sociologu Max Weber botëkuptimin tradicional paramodern ose vizionin antropokozmik të botës.

Në një leksion dhënë në vitin 1917, Weber pat thënë se, falë përparimit të shkencës e teknologjisë moderne, “fati i kohëve tona karakterizohet nga racionalizimi… dhe “çmagjepsja e botës,””[28]; dmth, bota, dhe njeriu bashkë me të, zhvishet nga çdo tis misteri e habije dhe bëhet thjesht diçka e parashikueshme, e manipulueshme, zaptohet e shfrytëzohet në mënyrë racionale nga shkenca, teknologjia dhe burokracitë qeveritare apo të korporatave. Nëse marrim Revolucionin Industrial, që nga fillimet e shekullit XIX, si pikënisjen e botëkuptimit të rritur, “të çmagjepsur” e modern, dashje pa dashje lind pyetja se pse njerëzimi, ose të paktën një pjesë e mirë e tij që ka pranuar këtë botëkuptim, me anë të veprave të veta i afrohet përditë e më tepër një katastrofe ekologjike që rrezikon ekzistencën e njeriut si specie, ndërsa në një botëkuptim “të magjepsur”, fëmijëror, paramodern – të populluar me kafshë e peshq, male e re që ligjërojnë – një krizë ekologjike jo vetëm që nuk ndodhi për mijëvjeçarë me radhë, por as nuk mund të imagjinohej. A nuk duhet të ishte e kundërta?

Kjo do të jetë tema e shkrimit të ardhshëm.

(c) 2026 Fatos A. Kopliku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Kopertina është realizuar me AI.


[1] Fragment nga ‘Sufi’ në poemën Epifania (Tiranë: Zenit, 2022[2011]).

[2] Fatos A. Kopliku, Natyra e virgjër si potential i aktualizuar, Peizazhe të Fjalës, Shtator, 2026.

[3] Shih Seyyed Hossain Nasr, Introduction to Islamic Cosmological Doctrines: Conceptions of Nature and Methods Used for Its Study by the Ikhwan al-Safa, al-Biruni, and Ibn Sina (NY: State University Press of New York, 1993[1964]).

[4] “Vëllezërit e Dëlirësisë mblidhen, sepse secili e sheh dhe e di se, pa bashkëpunimin me shokët e vet, i vetëm nuk mund të arrijë mirëqënien në këtë botë dhe suksesin e shpëtimin në tjetrën.” Cit. nga Nasr, Introduction to Islamic Cosmological Doctrines, f. 30.

[5] An Anthology of Philosophy in Persia, Vol.2, eds., S. H. Nasr & M. Aminrazavi (London: IB Tauris & Institute of Ismaili Studies, 2008), ff. 257-291; The Case of the Animals Versus Man Before the King of the Jinn, tr. Lenn Evan Goodman & Richard McGregor (Boston, 1978), ff. 51-77, 198-202.

[6] “Dhe Ai krijoi bagëtitë; në sajë të tyre mund të mbroheni prej të ftohtit, e të tjera dobi, e prej tyre ushqeheni. Në to ka bukuri kur i sillni në shtëpi e kur i çoni në kullosë. Ato bartin barrën tuaj në vise ku nuk do të mundnit, përveçse me shumë vështirësi. Vërtet Zoti juaj është shumë I Butë, I Mëshirshëm.” [Kur’an, 16:5-7].

[7] “Me urdhrin e Tij Ai ka nënshtruar ditën e natën, diellin, hënën e yjet që ju të keni dobi prej tyre. Vërtet këto janë shenja për ata që mendojnë.” [Kur’an, 16:12].

[8] “Zoti ynë është Ai që i dha formë çdo gjëje, e pastaj e udhëzoi.” [Kur’an, 20:50].

[9] Anthology of Philosophy in Persia, f. 268.

[10] Në Kur’an, profeti Ibrahīm (Abraham) përshkruhet si ḥanīf, ose besimdrejtë, sepse i kthen shpinën adhurimit të idhujve. Po me këtë fjalë përshkruhen edhe arabët, që refuzonin idhujtarinë, fesë mbizotëruese në gadishullin arabik para ardhjes së Islamit. Njëkohësisht, përveç besimit të drejtë kjo fjalë përfshin edhe veprimin e drejtë, sepse në një shoqëri që shkel normat e sjelljes, profeti Ibrahīm ngulmon t’i respektojë ato, si psh., mikpritja e udhëtarit ose të huajit që kërkon strehë.

[11] An Anthology of Philosophy in Persia, f. 290.

[12] Ky është një term i shtresuar në doktrinën islame. Për më hollësi, shih ‘Abdul Kerīm Xhīlī, De I’Homme Universel (insān el- kāmil), përzgjedhur, përk. & koment. nga Titus Burckhardt, Universal Man, përk. nga frëngj. Angela Culme-Seymour (Beshara Publ., 1983).

[13] Siç tregon edhe emri, edhe ajo ishte nga Basra, por jetoi gati një shekull para Vëllezërve të Dëlirësisë. Konsiderohet si një nga figurat më karizmatike shpirtërore të Islamit të hershëm. Për më hollësi, shih Margaret Smith, Rabia the Mystic and Her Fellow-Saints in Islam (Cambridge University Press, 2010[1928]).

[14] Shembuj ka në çdo traditë shpirtërore.

[15] Për më hollësi shih veprën e antropologut Joseph Epes Brown, Animals of the Soul: Sacred Animals of the Oglala Sioux (Element, 1992).

[16] Shih William C. Chittick, Ibn ‘Arabīu: Trashëgues i Profetëve, shqip., parath. & shën. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2012) ff. 108-111.

[17] Mesnevī III, 1019-1020.

[18] Mesnevī III, 1496-1500.

[19] Shih Munjed Murad, ‘Perceiving Nature: Rumi on Human Purpose and Worship by the Cosmos.’ në Green Theology, eds. Lejla Demiri, Mujadad Zaman, and Tim Winter (Tübingen, Germany: Mohr Siebeck, 2024).

[20] Mesnevī I, 3279.

[21] Mesnevī III, 4725.

[22] Didascalion, IV.

[23] Shih Tu Weiming, An “Anthropocomic” Perspective on Reality, Prececia Social and Behavioral Sciences 2 (2010), 7305-7311. Tu Weiming, për tre dekada profesor në Universitetin e Harvadit, e tashmë themelues i Institutit për Studimet Humaniste në Pekin, njihet si një nga akademikët e mendimtarët më të shquar të Konfucianizmit.

[24] Mircea Eliade, The Sacred and the Profane: The Nature of Religion, trans. Willard R. Trask (New York, Harvest Book, 1987), f. 116.

[25] Ky botëkuptim ndeshet edhe në tradita të tjera, si psh., ajo e indianëve të Amerikës: “Për shkak të totalitetit dhe qendërsisë së vërtetë, njeriu ka funksionin thuajse hyjnor të kujdestarisë mbi botën e natyrës.” Joseph Epes Brown, The Spiritual Legacy of the American Indian, Studies in Comparative Religion, vol. 14, nos. 1&2., 1980.

[26] Jacob Boehme, Signatura Rerum, viii, 42.; The Signature of All Things, tr. John Ellistone (rev. for William Law edition, 1781). “Natyra e padhunuar është njëherësh shenjë e Parajsës Tokësore dhe kumtuese e Parajsës Qiellore.” Frithjof Schuon, Light on the Ancient Worlds (IN: World Wisdom, 1984), f. 126.

[27] Qasja ndaj natyrën si plaçkë e kafshëve si makineri të ndërlikuara, tregon se diçka ka ndryshuar ndër ne; me një fjalë, nuk mund të shkelim të drejtat e kafshëve pa dhunuar vetë ndërgjegjen tonë. Nuk është çudi kur dëgjojmë se njeriu është thjesht një mekanizëm, e asgjë më tepër, një “robot i ngathët” si u pat shprehur një biolog. Çfarë përbën çudi pas kësaj është argumenti se njerëzit kanë të drejta që duhen respektuar; nëse njerëzit janë pak a shumë robotë e mekanizma, pse u dashka që njerëzit të kenë të drejta ndërsa makineritë e robotët jo? 

[28] Shih ‘Science as a Vocation’ në From Max Weber: Essays in Sociology,  tr. H.H. Gerth, ed. C. Wright Mills (New York: Oxford University Press, 1946).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading