Në pamje të parë, asgjë. Asgjë, sepse sistemi në të cilin jetojmë ne nuk është demokracia funksionale që kanë aplikuar vendet perëndimore. Është e vërtetë se te ne u rrëzua komunizmi, apo sistemi i centralizuar njëpartiak apo diktatura e proletariatit, le ta quajmë si të duam, por është po aq e vërtetë se ne implementuam jo demokracinë, por sistemin e qeverisjes me dy klane, apo me dy fise të cilët u rreshtuan pas dy idhujve që vinin nga i njëjti besim, apo nga e njëjta qendër. Te ne, Partia e Punës dhe enverizmi u shpërbë në dy pjesë dhe, nën emrin e Partisë Socialiste e nën emrin e Partisë Demokratike, krijuam iluzionin e pluralizmit. Nën emrin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe nën emrin e konstituimit të Parlamentit me dy parti kryesore dhe me disa parti të vogla, krijuam iluzionin e demokracisë parlamentare. Në çdo demokraci perëndimore ka një apo dy e ndonjëherë edhe më shumë topika apo çështje mbi të cilat ndërtohet debati publik që mban gjallë dhe që lëviz jetën në një shoqëri demokratike. Duke hequr monopolin mbi fjalën, duke shkatërruar të gjitha institucionet e mendimit, ne, si asnjë vend tjetër, ndërtuam institucionin e shthurjes mendore dhe të ligjërimit të pakontrolluar. Vramë besimin te shenjtëria e fjalës dhe sot ne e përdorim atë jo si mjet për të komunikuar dhe për të ndërtuar një botë tjetër, më të mirë nga ajo që trashëguam, por si një armë për të shkatërruar kundërshtarin. Gjëja më trishtuese është se ne nuk lejuam të ndërtohet asnjë institucion tjetër i pavarur që do të mund të parandalonte oreksin e dy partive kryesore të cilat nuk sillen si drejtuese të aspiratave përparimtare apo ndërtuese, por si dy sipërmarrje të mëdha që kanë si qëllim pasurimin e grupeve të interesit që i mbështesin dhe që, duke nxitur kapitalizmin e egër dhe pa rregulla, të krijojnë iluzionin e zhvillimit kapitalist në vend. Ndaj sot kemi mbërritur në ditën që edhe sistemi i drejtësisë që u rinovua me mbështetjen e këtyre dy partive të mëdha, edhe ai funksionon si korporatë ekonomike dhe ka si qëllim që, jo të japë drejtësi dhe të ruajë balancat në këtë vend, por të pasurojë elitat që e drejtojnë atë dhe të shkatërrojë kundërshtarët e njërës apo tjetrës palë. Vetëm te ne është realizuar paradoksi i famshëm që bëmë një drejtësi të re, por shtuam numrin e padrejtësive, të të burgosurve pa gjyq, rritëm edhe me disa metra malin me dosje të pashqyrtuara dhe e rritëm çmimin e korrupsionit edhe me disa herë, në krahasim me drejtësinë e vjetër. Gjendja jonë është ajo e kaosit të shoqërive barbare, në të cilat nga mëngjesi në darkë, ne hapësirën publike flitet vetëm për para, për vjedhje, për hajdutë dhe kriminelë. Nëse në anën tjetër të Oqeanit, në Amerikë, zgjedhjet, provokojnë një seri temash të cilat shoqërojnë dhe mbajnë gjallë debatin publik, te ne edhe nëse nesër do të bëheshin zgjedhjet, ne të gjithë do të shkonim në këto zgjedhje duke dëgjuar vetëm një tekst- atë që recitojnë palët e përfshira në betejën për ta zaptuar këtë vend. Pra njëra palë kërkon të vijë në pushtet sepse akuzon palën tjetër që është e korruptuar, që është kriminele, që bashkëpunon me krimin dhe me bandat dhe pala tjetër kërkon të vijë në pushtet jo se ka ndonjë alternativë tjetër, por sepse përsërit çdo ditë këtë akuzë. Te ne nuk ka asnjë referencë historike. Ne nuk kemi një model që t’ua tregojmë fëmijëve apo të rinjve tanë se si e duam Shqipërinë. Kur përmendim Europën askush nuk beson më se ai model do ta bëjë Shqipërinë më të mirë sesa e kemi sot. Europa, ashtu si komunizmi që na predikohej dikur, është një mirazh që nuk arrihet. Sot, ashtu si në veprat e autorëve të komunizmit shqiptar, mbërritja në komunizëm dje dhe arritja në Europë sot, është çështje tekstesh, dokumentesh, pra është një realitet që ndodhet në narratologji, sepse realisht ato që shkruhen në ato dokumente që hapen, por nuk dihet se kur do të mbyllen, nuk kanë lidhje me atë që ndodh në Shqipëri. Në kohën e socializmit fitimtar ne erdhëm gjithnjë e më shumë duke u varfëruar, duke u shkatërruar moralisht derisa arritëm në atë pikë që gjithë ngrehina që patëm ndërtuar u rrëzua e për pak nuk na zuri brenda. Edhe tani, qysh nga koha kur ëndërronim të gjithë Europën dhe kur u derdhëm në shesh me parullën « E duam Shqipërinë si gjithë Europa » e deri më sot, ne vetëm jemi përkeqësuar. Edhe pse e kemi rritur standardin e jetesës, përsëri jemi bërë më të varfër në shpirt. Kemi thelluar pabarazinë dhe kemi rritur hajdutërinë. Në vend që të ndërtonim një shtet më të drejtë, kemi shtuar padrejtësitë dhe sot të rinjtë janë derdhur në rrugë sepse ata ndjehen të përjashtuar nga jeta në këtë vend. Mirazhi i Europës që është bërë refren i narrativës qeveritare nuk shërben më si frymëzim për një jetë më të mirë sepse vetë Europa është ndezur në flakë dhe po tregon se plagët që ka hapur kapitalizmi në këta vjet janë më të mëdha se mundësitë për t’i shëruar ato. Në këto kushte ka rëndësi të vështrohen zgjedhjet në Amerikë dhe narrativa që prodhoi atë sukses. Pikësëpari, të gjithë fituesit e atyre zgjedhjeve sa herë vinin gishtin mbi plagët e shoqërisë amerikane përmendnin etërit që e themeluan atë vend. Tema të tilla si ndarja racore, ndarja sociale, emigrimi, gjinia dhe e ardhmja, janë çështje që janë përpunuar në doktrinat e etërve të demokracisë amerikane të cilët citohen në çdo kohë. Kështu ndodh në çdo demokraci. Madje edhe fqinjët tanë modestë kanë një tekst të shenjtë të cilin e bëjnë për vete të gjithë, por vetëm njëra palë arrin të fitojë. Vetëm ne dukemi si një vend pa rrënjë. Në ligjërimin tonë publik nuk ka asnjë autoritet të cilit ne mund t’i referohemi, sepse ne e kemi shkatërruar institucionin e besimit dhe narrativa jonë historike është ndërtuar gjithnjë me fituesit. Një popull që nuk është pajtuar ende në memorie, në kujtesë, e ka të vështirë të jetë i bashkuar për të ardhmen. Ndaj nga zgjedhjet e mesmandatit apo midterm-it në Amerikë ne, për fat të keq, nuk mund të mësojmë asgjë, sepse Amerika, ashtu si në kohën kur jetonim në diktaturë, është një përrallë e largët. Ne nuk mund ta kuptojmë që në atë vend edhe një president republikan, si Bush, fjala vjen, mund t’i kthejë krahët presidentit republikan Trump. Ne atje nuk mund ta kuptojmë që një mysliman që e ka gruan me shami mund të bëhet senator dhe ta mbrojë besimin e tij duke cituar Kenedin që thoshte se më parë jam amerikan e pastaj katolik, siç bëri El Sayed kur deklaroi që më parë është amerikan pastaj mysliman. Në Shqipëri, në një pjesë të madhe të territoreve shqiptare, nëse je mysliman nuk je shqiptar. Ne nuk mund ta kuptojmë demokracinë amerikane sepse gjykatat tona nuk janë një mjet që e ruan demokracinë, por një korporatë që përfitojnë prej saj. Në Amerikë ato gjykata i kthyen mbrapsht mandatet e Trump për t’u përzier në zgjedhje, te ne gjykatat tona bojkotojnë punën për të rritur pagat. Në demokracinë tonë kryeministri të cakton edhe mënyrën se si duhet ta vuash dënimin në burg dhe partitë politike janë qeveri, burgje dhe biznes. Ndaj zgjedhjet në Amerikë janë një triumf i demokracisë dhe një shenjë se ai popull i madh di të ruajë drejtpeshimin edhe atëherë kur dukej se bota po shkonte drejt humnerës, zgjedhje që, për fat të keq, nuk kanë lidhje me atë që ndodh te ne.
(c) 2026 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.