Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Revoltë

MEA CULPA

Mea culpa*

Unë, Edi Rama, kërkoj falje publike!

Kërkoj falje publike që pata më shumë nevojë ta shihja vendin tonë si një kartolinë për të huajt, sesa të kuptoja si ndiheshin njerëzit që jetonin brenda asaj kartoline.

Kërkoj falje që, edhe pse shihja sinjale që bashkëpunëtorët e mi të afërt po pasuroheshin, i arsyetova dhe i normalizova ato që bënin! Dhe me të drejtë kjo ju revoltonte!

Kërkoj falje që vuajtjen tuaj psikologjike (stresin, depresionin) e trajtova si dobësi të individit, duke shmangur përgjegjësinë për kushtet psikopolitike në të cilat ai jetonte. 

Që pakënaqësitë tuaja i mora si sulm, dëshpërimin si ankesë dhe zemërimin si mungesë mirënjohjeje. Që ju kërkoja të ndryshonit mënyrën sì e shihnit jetën tuaj, kur duhej të ndihmoja, përmes politikave të qeverisjes sime, të ndryshoja kushtet në të cilat e jetonit atë.

Kërkoj falje për një Tiranë ku ngritëm kulla dhe humbëm oborre. Ku fëmijët mund t’i shohin pallatet nga dritarja, por nuk kanë ku të luajnë. Jo, nuk është vetëm faji im. Por kjo fjali nuk mund të shërbejë më si strehë për pjesën që më takon.

U kërkoj falje prindërve që punojnë dymbëdhjetë orë në ditë për një apartament të zakonshëm dhe për minimumin e një jete me dinjitet. Atyre që dalin nga shtëpia kur fëmijët ende flenë dhe kthehen kur mezi kanë fuqi t’i dëgjojnë. Që i shohin fëmijët të rriten përmes rrëfimeve të të tjerëve (dadove, edukatoreve, gjysheve), ndërsa vetë punojnë për t’u siguruar jetën.

U kërkoj falje fëmijëve që mësuan të mos kërkojnë shumë, sepse kuptuan lodhjen e prindërve përpara se të kuptonin dëshirat e tyre. Që u rritën duke pritur: kur të kemi para, kur të kemi kohë, kur të bëhet më mirë. Për ta, fëmijët, shpresa u bë një mekanizëm mbijetese dhe e ardhmja një vend ku shtyhej vazhdimisht e drejta për të jetuar mirë.

Unë, Edi Rama, u kërkoj falje të rinjve që i kam bërë të ndihen të pamjaftueshëm, të vegjël, pa shtyllë kurrizore në vendin e tyre. Që përballë dyerve të mbyllura u kam folur për mundësi. Që përballë zhgënjimit të tyre kam renditur arritjet e mia. Që nuk dëgjova sa herë më thanë se nuk po kërkonin favore, por thjesht një mundësi të ndershme.

U kërkoj falje që lejova të rrënjosej bindja se, për të ecur përpara, duhet të njohësh dikë, t’i detyrohesh dikujt ose të largohesh.

U kërkoj falje të moshuarve që nuk u sigurova një pleqëri dinjitoze pas vitesh lodhjeje dhe përshtatjeje me disa sisteme. Që u është dashur kryesisht të mbijetojnë. Atyre që vetminë e mbushin me zërin e televizorit. Disa i kanë fëmijët këtu, por puna ua merr nga mëngjesi deri në darkë. Të tjerët i kanë larg dhe presin një telefonatë, një javë pushimesh, një biletë.

Më vjen keq që për shumë prej tyre bota është ngushtuar në pak mure dhe në ndjesinë se askush nuk i dëgjon. Si në «Pavijonin nr. 6» të Çehovit, vuajtja e tyre është bërë diçka me të cilën të tjerët, si unë, janë mësuar të bashkëjetojnë pa u shqetësuar.

Kjo protestë më detyron të shoh se në këtë shoqëri ka ende njerëz që nuk e pranojnë nënshtrimin. Zemërimi i tyre është kaq i drejtë! Është formuar, rritur në lodhjen e së përditshmes, në gjunjëzimin përpara një sporteli arrogant, në një pagë që mbaron më shpejt se muaji, në përpjekjet e përsëritura që nuk të çojnë askund.

Kërkoj falje që pasurinë e disave e përdora si provë të mirëqenies së të gjithëve. Që lejova të ngriheshin dhe të shtoheshin pasuri, pa kërkuar llogari siç duhej për burimin e tyre dhe pastaj, pa përulësi, ua tregoja popullit tim si histori suksesi. 

Po, mund të kemi hotele shumë të mira dhe biznese shumë të fuqishme. Por kemi edhe njerëz jashtëzakonisht të lodhur. Dhe lodhja e tyre nuk zhduket ngaqë nuk del në fotografi.

U kërkoj falje shitësve të dyqaneve të lagjeve, që në mbrëmje mbyllin dyqanin, por nuk mbyllin dot llogaritë. Që mbajnë fletore me emra për bukë, qumësht, vezë dhe për shuma të vogla që mbeten pa paguar. Që kanë nevojë t’i kërkojnë paratë, por e dinë se pas secilit emër është një njeri që nuk ka me çfarë të paguajë.

Në ato fletore është shkruar një Shqipëri që unë nuk e futa në kartolinë.

Unë, Edi Rama, u kërkoj falje atyre që dolën të mbronin natyrën, tokën dhe vendet ku janë rritur. Që më kërkuan të kuptoja se zhvillimi nuk matet vetëm me investimet që tërheqim, por edhe me atë që vendosim të mos e shkatërrojmë.

U kërkoj falje që, në dëshirën për të ndërtuar një Shqipëri që tërheq vëmendjen e botës, nuk dëgjova aq sa duhet njerëzit që kërkonin të ruanin atë që Shqipëria e kishte tashmë. Sepse nuk mund ta quash zhvillim një vendim nëse njerëzit që do të jetojnë me pasojat e tij, nuk ndihen pjesë e tij.

U kërkoj falje për herët kur shpjegoja sa gabim po e shihnin Shqipërinë. Sepse duhej ta shihnin me sytë e mi! 

U kërkoj falje mjekëve dhe infermierëve, që i kam lënë përballë zgjedhjeve që nuk duhet t’i bëjnë: cilit t’i japin më parë ilaçin, cilit t’i kërkojnë të presë, cilës familje t’i thonë se duhet ta gjejë vetë. Sidomos aty ku pritja rëndon mbi jetën, në pavijonet e Onkologjikut. Që mangësitë e sistemit ua kam lënë atyre si barrë profesionale dhe morale, përballë syve të pacientit.

U kërkoj falje pacientëve që, në çastet kur kishin më shumë nevojë për siguri, duhej të shqetësoheshin edhe për ilaçet, shpenzimet dhe për atë që do të ndodhte nesër.

U kërkoj falje policëve që i kam vënë përballë njerëzve me të cilët janë në të njëjtat lagje, në të njëjtat vështirësi, në të njëjtat tryeza. Që i kam vendosur përballë familjarëve, kushërinjve, fqinjëve dhe fëmijëve të bashkëmoshatarëve të tyre. Kërkoj ndjesë për çdo goditje të shkopit të gomës, çdo plumb që ka lënduar dhe dëmtuar rininë e flamingove dhe protestave: Unë duhej të dëgjoja.

U kërkoj falje gazetarëve që u gjendën përballë dhunës ndërsa përpiqeshin të dokumentonin atë që po ndodhte. Që nuk u garantova gjithmonë sigurinë dhe lirinë e nevojshme për të bërë punën e tyre.

U kërkoj falje studentëve dhe pedagogëve që arsimin nuk e vendosa në qendër të zhvillimeve që premtoja. Që fola për të ardhmen e vendit, por nuk dëgjova, as kuptova sa duhej ata që përpiqeshin ta ndërtonin atë në auditorë dhe laboratorë. Unë duhej t’ju dëgjoja shumë më parë. Përpara se zemërimi të bëhej protestë. Përpara se protesta të bëhej përplasje.

Mea culpa.

Unë, Edi Rama, u kërkoj falje për performancat e mia politike. Për gjunjëzimet përpara kryeministreve të botës, ndërkohë që nuk u përula përpara grave të këtij vendi dhe barrës që ato mbajnë. 

U kërkoj falje grave. U dhashë pozicione drejtuese, por kërkova që autoriteti i tyre të mos e sfidonte timin. Dhe ndoshta këtu qëndron kontradikta ime: u dhashë pushtet, por nuk dita gjithmonë ta ndaj pushtetin me to (përveç një rasti). Sepse një grua nuk fuqizohet vetëm kur i jep një post. Fuqizohet edhe kur mund të të thotë «jo», pa pasur frikë nga pasojat.

Kërkoj falje që nga një artist rebel, i dashuruar me mendimin e lirë dhe refuzimin për t’iu nënshtruar autoritetit, u ktheva në një politikan me aftësi të jashtëzakonshme manipuluese.

Ah, po, u kërkoj falje artistëve, aktorëve, shkrimtarëve dhe të gjithëve atyre që e mbajnë gjallë kulturën e këtij vendi. Kërkoj falje që nuk zhvillova jetën kulturore, por jetën e ahengjeve. Që e ngatërrova kulturën me spektaklin, suksesin artistik me numrin e spektatorëve dhe investimin në art me promovimin turistik. Dhe këtë e bëra unë, që dikur besoja se arti kishte fuqinë të sfidonte mendësinë e një shoqërie.

Dikur përfaqësoja një frymë tjetër në Shqipëri. Nuk kishte rëndësi nëse arti im pëlqehej apo jo. Rëndësi kishte se guxoja të sfidoja mendësinë e kohës dhe të mos e pranoja autoritetin si e vërteta e fundme thjesht sepse ishte autoritet. Dhe, ndoshta, disa nga ju panë tek unë atë që kishin nevojë: dëshirën për të mos u nënshtruar. 

Pastaj erdhi pushteti. Fillova ta shihja mendimin tim si të pakundërshtueshëm dhe vizionin tim si të vetmin të mundshëm. Autoritetin që dikur e sfidoja, tani kërkoja që askush të mos e sfidonte. Nga njeriu që nuk i nënshtrohej autoritetit, u bëra njeriu që kërkonte nënshtrim. Dhe bashkë me pushtetin erdhi edhe një nevojë tjetër. Të më njihnin. Të më vlerësonin. Të më admironin. Jo vetëm këtu. Edhe jashtë Shqipërisë.

Fillova ta mas veten përmes takimeve, fotografive, samiteve dhe vlerësimeve të udhëheqësve të tjerë. Përmes mënyrës si më shihte bota. Ndoshta ky është paradoksi më i madh i jetës sime: nuk më ndryshoi mungesa e lirisë. Më ndryshoi pushteti që fitova.

Imagjinoni: edhe Vuçiçi më sheh si një aset për Shqipërinë. Dhe unë duhet të pyes veten: çfarë kam bërë unë që në sytë e tij qenkam kaq i dobishëm? Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? Po për Kosovën? Në përpjekjen për t’u shfaqur si udhëheqës i rëndësishëm, a i kisha dëgjuar aq sa duhet shqetësimet e Kosovës? 

Dëshira për t’u njohur në sy të botës si njeri i dialogut më kish bërë të harroja se dialogu nuk mund të ndërtohet duke shpërfillur dinjitetin dhe interesat e atyre për të cilët pretendoja se flisja.

Ndoshta për shumë vite e kam ngatërruar vlerësimin që merrja nga të tjerët me vlerësimin që duhej të fitoja nga njerëzit e vendit tim.

Sot mund të flas sërish për gjithçka që është bërë. Mund të rendis rrugët, investimet, reformat, ndërtesat, shifrat dhe arritjet. Mund të shpjegoj se jo gjithçka varet nga një kryeministër. Dhe kjo është e vërtetë. Por sot nuk dua të përdor asnjërën prej këtyre të vërtetave për t’iu shmangur një tjetre.

Përgjegjësisë sime.

Sepse pushteti nuk matet vetëm me atë që arrin të ndërtosh. Matet edhe me atë që lejon të ndodhë. Me atë që zgjedh të mos e shohësh. Me njerëzit që nuk i dëgjon. Me kufijtë që nuk pranon t’ia vendosësh vetes. Dhe, mbi të gjitha, me aftësinë për të kuptuar kur prania jote është bërë pengesë për ndryshimin që dikur premtoje.

Prandaj sot, unë, Edi Rama, pas kësaj mea culpa, jap dorëheqjen si kryeministër i Shqipërisë. Dhe kërkoj falje, sidomos atyre që dikur besuan tek unë. Sepse nuk i zhgënjeva vetëm për atë që nuk bëra. I zhgënjeva edhe për atë që u bëra.

***

Unë jam Anila Sulstarova.

Mea culpa.

Për një çast besova se njeriu që dikur guxonte të sfidonte autoritetin dhe pushtetin, do të kishte guximin të sfidonte edhe pushtetin e vet.

*Ky tekst, si një vetërrëfim imagjinar, u shkrua për t’u paraqitur si një monolog në një program televiziv.

© 2026 Anila Sulstarova. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading