shkruan Drenush Drenushi
Edhe sot zgjohem me po të njëjtën ndjesi përpëlitëse në kraharor. Tirana është në protestë. Fakultetet janë aq bosh sa edhe lektorët më arbitrarë shushaten dhe nuk vënë mungesa. Ka një herë të parë për gjithçka. Nga dritarja e dhomës sime të konviktit nuk shoh pothuajse asgjë. Ca degë të thara, një triskë rruge, një pallat i madh që më bllokon pamjen. Shokun e dhomës e kam në gjumë. Mbi tavolinën e tij rri maska kundërgaz.
Zhvishem dhe shpejt e shpejt mbaroj adetet e mëngjesit. Dushi lëshon pikat e para dhe pastaj me një presion më të lartë nis të bjerë mbi trupin tim. Vetja më duket si me kokë poshtë ujëhedhësit. Po ky është ujëhedhës më miqësor. Dal në korridor, ku dëgjohen zërat e djemve të tjerë të katit. “Rama n’burg, Berisha n’burg.” Dëgjohen brohoritje rrethanore. Brenda atyre thirrjeve shtriqet edhe këtë mëngjes kërcimi drejt një ndërgjegjeje të re shoqërore. Vishem mirë, në çantë fus maskën, bidonët me ujë fiziologjik.
Pasi dal, duke ecur, ndiej telefonin që dridhet. Mbi ekran ndriçon njoftimi i një mesazhi. Mami [zemër e kuqe]: “Do dalësh sot? Me kujdes. Ruhu.” E marr në telefon. Flasim pak.
Dal në rrugë të madhe. Qyteti sa ka nisur të zgjohet. Njerëzit janë të qetë. Në ajër grimcohet vetëdija e kohës. Tik-tak. Rrugët janë plot me studentë. I njoh pa i takuar asnjëherë. U përvishet në buzë revolta. Në meskohët e qytetit ndiejmë vetminë që nis të ulet mbi trupat tanë, si avion i vogël që gjen dritat anash pistës. Ulet e sigurt, shtrati i rrugëve tona është i fortë, mban mirë, dheu nuk shkëputet nga poshtë. Kemi investuar si duhet. Pastaj ngrihet sërish. Qëndron përherë e më pak. Çlirohem.
Ulem diku afër rrugës së Durrësit. Vëzhgoj njerëzit që shkojnë e vijnë. Kohën e kaloj duke lexuar tekstet e shkollës. Njëri është përditësuar për herë të fundit në vitin 2014. Tjetri s’ka ndryshuar ndonjëherë prej se ka dalë. Këto të dy që kam marrë me vete kushtojnë 5000 lekë. Rroga e punës me kohë të pjesshme që bëj është 40,000 lekë. Kam gjashtë-shtatë lëndë këtë sezon. Gjysmën e librave i bleva me kursimet e mia. Të tjerët, me kokën ulur dhe gjithë turp ua kërkova të shtëpisë të m’i blinin. Zakonisht librat e përdorur, që studentët i kalojnë dorë më dorë me vite, janë të mbushura me shënime gjithfarësh, skica, mesazhe, nënvijëzime që ta bëjnë të pamundur të përqendrohesh. Duke lexuar, dëgjoj ç’bëhet përreth. Jam i gjithi i alarmuar. Prej anës tjetër të sheshit pranë, dëgjoj sirena policie. Sikur fluturojnë. Bëjnë prova për mbasi të bjerë muzgu.
Kam marrë një ujë dhe një kafe. Të dyja kushtojnë 200 lekë. Kam edhe 800 për pjesën tjetër të ditës, për ushqim, transport publik dhe çdo të papritur që mund të ngjasë në protestë. Nëse më ndodh diçka duhet të fus duart te paratë për pjesën tjetër të muajit. Sidoqoftë, do ngelem pesë a gjashtë ditë pa ngrënë këtë muaj.
Duke lexuar, më gërric një seri pyetjesh përbrenda. Çfarë kam bërë për t’u trajtuar kaq poshtërsisht? Pastaj, po aty, kuptoj se kjo pyetje nuk më takon mua t’i përgjigjem.
Afron ora e protestës. Prej cepave të rrugës do të shfaqen për pak protestuesit. Marshimi duhet të ketë nisur. Rrugicat rretheqark rrugës së Durrësit janë mbushur me policë. Shumica e shqiptarëve ndiejnë shumë inat, ndiejnë se nuk i duan, i kanë çmitizuar përgjithmonë. Punonjësit e policisë janë qendrorë në këtë revoltë. Ata kanë zbuluar një dobësi të madhe. Tani që i urrejmë, lusim për ta një drejtësi të pabarabartë. E vërteta është se ne duhet të bëjmë më mirë. Unë kam shpresë, se brenda imagjinatës kolektive, protesta do të forcojë te ne muskulin e të kuptuarit drejtësinë si përmbindjesore. Inati që ndiejmë, trishtimi, agresiviteti, janë të gjitha valvula të shpërthyera të pamundësisë për të vazhduar njëlloj.
Pa çerek. E shqyrtoj trupin tim të ulur në karrige në xhamin e dritares së lokalit buzë rrugës. Mbi fytyrën time vërej një hidhërim që nuk i përket moshës sime. Sytë i kam ca të varur. Një natë më parë kam mësuar se Shqipëria udhëheq Evropën dhe SHBA-të si vendi ku shpenzohet më shumë privatisht për arsimim: 4,71% e shpenzimeve familjare. Kërkimi shkencor më varet si qyrre poshtë hundës. Nuk e vërej.
Duken protestuesit. Erdhën. Rruga po mbushet. Afrohem afër vijës së parë. Ministria e Arsimit, fëmija i vdekur në mitrën tonë kolektive, mban erë. Është një rast i përveçëm. Është zënë me përdhunë, me gënjeshtra. Ka ndenjur në mitër për tridhjetë vite. Gjymtyrët i pluskojnë në një lëng amniotik që i përngjet në ngjyrë ujerkut. Është një lëng i pjekur, veshtullor. Na e ushqejnë me zor. Na e hapin gojën me britma “Treni bën çuf-çuf-çuf…edhe një për mamin…edhe një për babin…edhe një për shtetin!”
Jam në këmbë. Policia ka hedhur gaz. Njerëzit turren për t’i shpëtuar. Qëndroj pa lëvizur, duke u thënë me zë më të lartë se zakonisht të mos nxitojnë, të ecin me kujdes. Futem në një kthesë rrugice. Më ka zënë edhe mua gazi. Ndiej fytin që shtrëngohet, nuk duhet të marr frymë me gojë. Muskujt më tkurren. E ndiej qafën që më ftohet. Flluska djerse të ftohtë më mbulojnë kokën. Fytyra më zjarrmon. Çoj kokën lart. Kam harruar të shpoj poçin plastik të fiziologjikut. Kërkoj për çelësat diku në xhep. I gjej dhe e shpoj shishen. Hedh ujë fiziologjik mbi sytë e mi. Jam më mirë. Rrugica është e mbushur me njerëz të ulur në tokë. Një burrë afër të pesëdhjetave rënkon dhe pështyn pa mbarim. Një grup adoleshentësh janë ulur në tokë. Nxjerrin gulçima dhimbjeje. U afrohem. U hedh ujë. I porosis të mos i fërkojnë as me duar, as me rroba sytë.
Dal në rrugë. Protestuesit janë mbledhur prapë. Mbas dhjetë minutash policia lëshon prapë gaz. Në të sharat me rob shtëpie që lëshojnë të pranishmit, ndihet si vdes edhe një herë lidhja e njeriut me shtetin, si gufmon arroganca e pashembullt e policimit që bëhet përherë e më shumë agresiv. Kësaj radhe shkoj më poshtë, thuajse në të dalë të rrugës. Hyj nga prapa pallateve. Jemi një grup njerëzish. Një vajzë bie përtokë. Unë i kap njërin krah. Një grua tjetrin. Edhe dy palë duar të tjera e ndihmojnë të ngrihet. E mbajmë peshë. Vrapojmë me britmat e tmerruara të të tjerëve që kemi pas se ka policë me shkopa gome që na ndjekin. Bëjmë më shpejt drejt shkallares së ulët të njërës prej hyrjeve të pallateve. E ulim. Përpiqemi ta qetësojmë. I hedh ujë fiziologjik. Një burrë bërtet për një bidon me ujë që të mund të bëjë gargare e të pijë pak.
Largohem. Marrim për nga bulevardi. Koha nis të shpërbëhet në bulevard. Gëzimi që më shkaktojnë fytyrat e njerëzve që i njoh: shokë nga universiteti, pedagogë, gazetarë që na janë bërë më të njohur se prindërit – është i pamatë. Karikohem me një optimizëm që rilind brenda meje, dhe ndiej se në atë bulevard shtjellohet jeta ime e vogël: do të rritem edhe më, do të nis një punë me kohë të plotë dhe në përpjekje për të ruajtur integritetin profesional, do të bie në shtrat me një kulturë mohimi që do të ma veshë kontributin me blinda – do ta bëjnë të pamundur depërtimin tim aty ku qarkullojnë fondet, grantet, majmësia e sadakasë së ndërkombëtarëve – do të zhgënjehem dhe do të lartësohet brenda meje një kuptim i ri i kotësisë, do të përvetësoj kulme të reja revolte të heshtur të punës së përditshme dhe do të rikthehem tek i njëjti model i njerëzve që sot i admiroj, do të flas, do të flas, do të flas, ndërsa fjalët e mia do të bien në veshë të shurdhët dhe kur të thonë se aty nuk pati kurrë një përpjekje për ndryshe, nuk do të bëj shamatë, por do të kthehem tek ky moment dhe do t’i jetoj përnjëherë këto kultura të qeverisjes së asgjësimit, dhe do të ndihem krenar për përpjekjen time, për faktin se ballë plumbit të gomës që mbështjell në bërthamën e vet metalike ujerën gjithë ujth të këtij sistemi, gjuha ime e ndezur del prej gojës dhe më mbulon ballin; mbi të plumbi nis të fërkohet dhe vazhdon të rrotullohet qendërsynues derisa ma nxin, por nuk ma këput dot, se e ka trashur më së pari kafshimi në lot sa herë në rrugët e Tiranës, barku më ka gërryer, por dhjetëmijëlekshi i vjetër për atë ditë kishte avulluar. Bulevardi e zhbën çdo ditë këtë variant timin, ma sendërton në korteks atë që meritoj të jem në vendin ku jetoj dhe ma bën të qartë se në çdo kohë do të isha në bulevard, ma zmadhon edhe më shumë admirimin për ata njerëz që do t’i ngjaja me dëshirën më të madhe.
I shpëtova edhe sonte shkopit të gomës. Mendoj për Arlinda Zekajn, letrën e së cilës e lexova duke ecur për në rrugën e Durrësit. Më rrjedhin lotë. Në stomak më hapet një gropë. Në rrugë, janë vajzat dhe gratë ato që po e mbajnë të fortë dhe të gjallë këtë protestë.
Futem në konvikt. Hap derën e dhomës. Shoku i dhomës ka hyrë pak para meje. Në fytyrë duket mirë. Të dy jemi të frustruar, të lodhur. Nuk flasim thuajse fare. Por jemi mirë. Jemi keq, por jemi mirë. Po përpiqemi për më mirë. Ne përpiqemi, ndoshta kjo është njësia me të cilën duhet ta masim veten.
(c) 2026. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.