Hyrje
Revolta qytetare që shpërtheu në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë ka nxitur debate në botën shqiptare dhe vazhdon të prodhojë gjykime të ndryshme vlerësuese: nga pohimi se qeveria shqiptare «është vrastare» te pretendimi se masa e protestuesve (e përbërë nga “adoleshentë”) është e pa informuar dhe e padijshme; nga vlerësimi se shteti shqiptar është i kapur nga oligarkët te pretendimi se qytetarët protestues janë pre e ndërhyrjeve të shërbimeve sekrete antishqiptare, qëllimi i të cilave është pengimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Pakënaqësia individuale nuk shndërrohet automatikisht në protestë. Vështirësitë ekonomike, ndjenja e padrejtësisë, mosbesimi institucional dhe përjashtimi nga vendimmarrja mund të ekzistojnë për një kohë të gjatë pa prodhuar mobilizim masiv. Në Shqipëri, pakënaqësitë individuale dhe kolektive janë bërë politikisht domethënëse, sepse qytetarët kanë filluar t’i lidhin vështirësitë e tyre me mënyrën se si funksionojnë institucionet shtetërore dhe se si shpërndahet pushteti.
Në të njëjtën kohë, në vende të ndryshme të Evropës dhe të Azisë, si Italia, Franca, Spanja, Portugalia, Belgjika, India, Tajvani etj., janë shfaqur protesta të qytetarëve kundër institucioneve politike dhe strukturave ekonomike të pushtetit. Përtej shkaqeve me karakter lokal, këto protesta ngrenë pyetjen nëse kemi të bëjmë me rikthimin e energjisë protestuese të vitit 1968, apo me një formë të re të rezistencës, e cila është produkt i kontradiktave të rendit ekzistues botëror.
Teza e këtij artikulli është se revolta qytetare shqiptare nuk mund të trajtohet vetëm si një ngjarje që buron nga kontradiktat lokale, duke anashkaluar ndikimin e proceseve ndërkombëtare. Njëkohësisht, ajo nuk mund të shpjegohet vetëm përmes kontradiktave globale, duke anashkaluar përgjegjësitë e institucioneve të brendshme politike dhe vendimmarrëse. Shqyrtimi analitik i revoltës qytetare këtu mbështetet në ndërthurjen e këtyre dy niveleve.
Rezistenca brenda kontradiktave të rendit bipolar
Rendi gjeopolitik ndikon në marrëdhëniet ndërmjet individit, bashkësisë dhe pushtetit, duke ndikuar njëkohësisht në formësimin e pakënaqësisë shoqërore dhe në përcaktimin e objektivave të rezistencës ndaj pushtetit. Ndërsa protestat e vitit 1968 u zhvilluan brenda një rendi bipolar, të organizuar rreth Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, mobilizimet bashkëkohore shfaqen në kushtet e globalizimit dhe të ndërvarësisë ekonomike, politike, kulturore e teknologjike. Megjithëse burimet e pakënaqësisë janë të shpërndara, protestat që kanë shpërthyer në vende të ndryshme të botës shfaqin një ngjashmëri strukturore: kundërshtimin ndaj përqendrimit të pushtetit, pasigurisë ekonomike, kufizimit të pjesëmarrjes demokratike dhe dobësimit të aftësisë së qytetarëve për të ndikuar në jetën e tyre.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ndarja e Evropës në dy blloqe përcaktoi organizimin politik, ekonomik dhe kulturor të një pjese të madhe të botës. Në vendet socialiste, partia-shtet pretendonte të përfaqësonte interesat e kolektivitetit, duke kufizuar apo edhe mohuar krejtësisht autonominë individuale dhe pluralizmin politik. Në Perëndim, institucionet liberale mbështeteshin në të drejtat individuale dhe lirinë e zgjedhjes, por bashkëjetonin me pabarazitë ekonomike, diskriminimin dhe përjashtimin shoqëror.
Viti 1968 shënoi një moment kulmor të kontradiktave të këtij rendi. Në Francë, protestat studentore dhe punëtore kundërshtuan autoritetin institucional dhe hierarkitë e trashëguara. Në Shtetet e Bashkuara, lufta kundër racizmit dhe kundërshtimi i luftës në Vietnam u ndërthurën me kërkesat për zgjerimin e të drejtave civile dhe politike. Në Çekosllovaki dhe Poloni, rezistenca u lidh me kërkesat për liri politike dhe pluralizëm, ndërsa në Kosovë, mobilizimet e vitit 1968 u mbështetën në kërkesat për të drejta kombëtare, politike dhe kulturore brenda kontekstit jugosllav.
Këto lëvizje nuk kishin objektiva identike, por nxorën në pah konfliktin ndërmjet autoritetit dhe autonomisë. Dallimi i Isaiah Berlinit ndërmjet lirisë pozitive dhe lirisë negative ndihmon për ta kuptuar këtë marrëdhënie. Liria pozitive lidhet me aftësinë e individit për të qenë autor i jetës së vet dhe për të marrë pjesë në përcaktimin e kushteve kolektive të ekzistencës, ndërsa liria negative nënkupton hapësirën për të vepruar pa ndërhyrje ose kufizime të pajustifikuara nga jashtë. Në shoqëritë socialiste, rezistenca kërkonte vetëvendosje, pluralizëm dhe liri të shprehjes. Në Perëndim, ajo drejtohej kundër hendekut ndërmjet idealeve të lirisë dhe realitetit të pabarazisë. Viti 1968 dëshmoi se rezistenca lind jo vetëm nga bindjet ideologjike, por edhe nga përvoja konkrete e kufizimit të autonomisë. Ajo synonte jo vetëm ndryshimin institucional, por edhe transformimin e marrëdhënieve shoqërore.
Nga bipolariteti te globalizimi
Globalizimi i ka ndryshuar marrëdhëniet ndërmjet shteteve, ekonomive dhe shoqërive përmes lëvizjes së kapitalit, qarkullimit të informacionit, përhapjes së modeleve kulturore dhe ndikimit të institucioneve ndërkombëtare në vendimmarrjen kombëtare. Demokracia kombëtare përballet me vështirësi, sepse vendimet që ndikojnë në mirëqenien publike dhe në funksionimin e shtetit lidhen me rrjete ekonomike e politike që shtrihen përtej kufijve shtetërorë.
Ndërvarësia ka krijuar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim, por, njëkohësisht, ka prodhuar edhe varësi dhe pasiguri. Ekonomitë kombëtare përfitojnë nga investimet ndërkombëtare, por janë bërë gjithnjë e më të ndjeshme ndaj krizave të jashtme. Individët fitojnë mundësi të reja, por përballen me pasiguri ekonomike dhe me dobësimin e mbështetjes shoqërore. Pra, kemi një thellim të mospërputhjes ndërmjet zgjerimit të mundësive dhe aftësisë reale të qytetarëve për të kontrolluar kushtet e jetës së tyre. Pakënaqësia bashkëkohore është pasojë e ndërveprimit ndërmjet proceseve ndërkombëtare dhe vendimeve politike të brendshme.
Reduktimi i demokracisë liberale në një procedurë burokratike dhe në një mekanizëm teknokratik centralizues për organizimin e jetës së qytetarëve ka dobësuar aftësinë për të vepruar dhe për ta përvetësuar demokracinë në praktikën e përditshme. Përvetësimi i demokracisë nënkupton kalimin nga njohja formale e të drejtave të qytetarit te ushtrimi konkret i tyre, si dhe nga statusi juridik i qytetarit te fuqia e tij për të vepruar si subjekt politik. Kur ky kalim pengohet nga prirjet autokratike, demokracia mbetet një rend institucional që nuk përputhet me përvojën e përditshme të qytetarit. Mospërputhja ndërmjet formës demokratike dhe përmbajtjes së marrëdhënies së qytetarit me politikën ka prodhuar një gjendje të çarjes së thellë ndërmjet sovranitetit të shpallur dhe mungesës së sovranitetit të ushtruar nga qytetari. Rikthimi i forcave të së majtës dhe të së djathtës ekstreme në Evropë përfaqëson shpresën iluzore të qytetarit për të dalë nga kjo gjendje.
Kriza e globalizimit: nga kriza e sistemit te kriza e vlerave
Globalizimi, në ndërthurje me kapitalizmin e tregut dhe kulturën e konsumit, ka përhapur një model në të cilin suksesi lidhet me zotërimin e mallrave, konkurrencën dhe përmbushjen e dëshirave individuale. Si rrjedhojë, liria individuale njëjtësohet me konsumizmin, megjithëse këto koncepte dallojnë nga njëri-tjetri: në kuptimin filozofik, liria nënkupton autonominë morale dhe të drejtat e individit, ndërsa konsumizmi e vendos konsumin në qendër të identitetit dhe të statusit shoqëror, duke bërë që identiteti të njëjtësohet me konsumin. Shpërthimi i protestave në vende të ndryshme të Evropës dhe të Azisë nuk është vetëm shprehje e krizës së sistemit, por edhe e krizës së idealit të globalizimit. Kjo krizë vë në pikëpyetje idenë se jeta e mirë ndërtohet përmes konsumizmit të vazhdueshëm, konkurrencës dhe arritjeve individuale, pa u lidhur me jetën komunitare dhe interesin publik.
Në këtë kontekst, mund të thuhet se shfaqja e akteve të dhunës ndaj objekteve të bizneseve dhe bankave në Shqipëri, parë nga këndvështrimi i semiologjisë politike, mund të interpretohet si një formë radikale e demonstrimit të vullnetit të qytetarëve kundër njëjtësimit të identitetit individual dhe kolektiv me konsumin. Këtu qëndron edhe lidhja me vitin 1968, kur rezistenca synonte jo vetëm ndryshime politike, por edhe transformimin e marrëdhënies së individit me autoritetin, normat dhe vlerat hegjemoniste shoqërore e politike të kohës.
Karakteri moral i protestës
Gjatë Luftës së Ftohtë, Shqipëria funksionoi brenda një sistemi njëpartiak, në të cilin shteti ushtronte kontroll të gjerë mbi jetën politike, ekonomike dhe kulturore. Përjashtimi nga vendimmarrja, mungesa e transparencës dhe përjetimi i standardeve të dyfishta, që nga vendosja e pluralizmit në fund të shekullit XX e deri më sot, kanë penguar përvetësimin e demokracisë në praktikën e jetës së qytetarit. Këta faktorë, veçmas dhe së bashku, kanë ndikuar në konsolidimin e perceptimit se qytetari është objekt i akumulimit të pushtetit dhe se institucionet, në vend që të përfaqësojnë interesin e përbashkët, janë instrumente për nevojat e autokratëve.
Pasiguria ekonomike, emigrimi, perceptimet për pabarazinë dhe dobësimi i besimit te institucionet, të marra veçmas, nuk mjaftojnë për të shpjeguar shfaqjen e revoltës qytetare. Këta faktorë marrin kuptim kur ndërthuren me përvojën e përjashtimit politik dhe me bindjen se vendimet që ndikojnë në jetën e përditshme merren pa pjesëmarrjen e duhur të qytetarëve. Dhuna ndaj institucioneve shtetërore, në planin semiologjik, mund të interpretohet si shenjë e manifestimit të vullnetit qytetar kundër mohimit të rolit të qytetarit si subjekt vendimmarrës.
Pamundësia e përvetësimit të demokracisë në praktikën e jetës së qytetarit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, lidhet jo vetëm me mungesën e kulturës demokratike, por edhe me dobësimin e funksioneve përfaqësuese, kufizimin e pjesëmarrjes dhe zgjerimin e distancës ndërmjet qytetarëve dhe qendrave të vendimmarrjes në politikën tonë. Autokracia është një nga faktorët kryesorë që e krijojnë dhe e thellojnë këtë distancë.
Autokratizmi në jetën politike dhe institucionale të të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, si mekanizëm që pengon përvetësimin e demokracisë, është treguar veçanërisht efikas. Kjo ndodh sepse synimi i tij nuk është kufizuar vetëm në përqendrimin e pushtetit në duart e një individi ose të një grupi politik, por ai është shtrirë në tërë procesin e ndryshimit të marrëdhënieve ndërmjet qeverisësve dhe të qeverisurve. Kur mungesa e sigurisë materiale të qytetarëve shoqërohet me ndjenjën e pafuqisë politike që shkakton autokracia, pakënaqësia merr një dimension më të gjerë, duke u shndërruar në një kërkesë morale që lidhet me dinjitetin e qytetarit: kërkesën për ndryshimin e marrëdhënies ndërmjet qytetarit dhe pushtetit. Për këtë arsye, mund të thuhet se revolta e qytetarëve në Shqipëri ka jo vetëm karakter ekonomik dhe shoqëror, por, mbi të gjitha, karakter moral. Ajo tashmë është shndërruar në kërkesë për njohjen e qytetarit si subjekt me dinjitet dhe me të drejta.
Revolta në Shqipëri shpreh vullnetin e qytetarëve për të rimarrë agjencinë politike, domethënë aftësinë për të vepruar, për të ndikuar dhe për të ndryshuar marrëdhëniet në të cilat jetojnë. Kur kanalet ekzistuese të përfaqësimit bëhen të papërdorshme, mobilizimi qytetar shndërrohet në një mënyrë të dukshme të shprehjes së kërkesave të shpërfillura. Revolta nuk është dështim i demokracisë, por manifestim i një vetëdijeje më të lartë politike për vlerën dhe nevojën jetike të demokracisë përmbajtësore, e jo thjesht formale.
Revolta qytetare si mbrojtje e demokracisë dhe e sigurisë kombëtare shqiptare
Cenimi i demokracisë liberale në hapësirën shqiptare, në kushtet e globalizimit, përbën një nga cenimet më të rënda të interesit kombëtar shqiptar. Përse? Sepse siguria kombëtare nuk përcaktohet vetëm nga fuqia ushtarake, marrëdhëniet diplomatike apo aftësia për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme. Ajo varet edhe nga legjitimiteti i institucioneve, besimi i qytetarëve te shteti, kohezioni shoqëror dhe aftësia e një shoqërie për të marrë vendime kolektive përmes proceseve demokratike. Një shtet me institucione të përgjegjshme dhe me qytetarë që marrin pjesë në vendimmarrje krijon kushte më të favorshme për të identifikuar, përballuar dhe kufizuar cenueshmëritë e brendshme dhe të jashtme. Përkundrazi, përqendrimi i pushtetit, dobësimi i kontrollit institucional dhe përjashtimi politik thellojnë mosbesimin, krijojnë përçarje shoqërore dhe dobësojnë aftësinë e shtetit për t’u përballur me presionet e jashtme. Për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo marrëdhënie ka një dimension të veçantë, sepse demokracia dhe siguria kombëtare lidhen edhe me orientimin euroatlantik, bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre në hapësirat ku jetojnë. Megjithatë, kur kriza demokratike shoqërohet me mungesë besimi dhe dobësim të institucioneve, ajo kufizon njëkohësisht aftësinë për të ndërtuar politika kombëtare të qëndrueshme dhe për t’u përballur me sfidat e një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks. Në këtë kontekst, ndërhyrjet e mundshme të jashtme, lufta hibride dhe përpjekjet e agjenturave të huaja (ruse, serbe, greke, iraniane etj.) për të shfrytëzuar ndarjet e brendshme me qëllim dobësimin e përqendrimit të shqiptarëve te interesi kombëtar janë rrjedhojë, por jo shkaku themelor, i pamundësisë së përvetësimit të demokracisë në praktikën e jetës së shqiptarëve në të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë.
Sa më shumë demokraci, aq më shumë siguri kombëtare; sa më shumë autokraci, aq më pak siguri kombëtare. Kur mbështetet në institucione funksionale dhe në qytetarë të angazhuar, demokracia përbën një burim të rëndësishëm të qëndrueshmërisë kombëtare.
Autokracia si gërryese e marrëdhënies ndërmjet demokracisë dhe kombëtares
Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, në mesin e «elitave» politike dhe kulturore ekziston një mendim sipas të cilit fuqizimi politik, ekonomik, kulturor, ushtarak etj. i Kosovës dhe i Shqipërisë është i mundur duke e vendosur demokracinë mbi kombin shqiptar – si një tërësi unike e pandarë – dhe interesin kombëtar. Në kuadër të kësaj qasjeje ndaj marrëdhënies ndërmjet demokracisë dhe kombëtares, «elitat» politike dhe kulturore shqiptare i shohin Kosovën dhe Shqipërinë si tërësi të veçanta, të ndara nga njëra-tjetra, të cilat tashmë e kanë realizuar potencialin e tyre historik si entitete politiko-juridike.
Vendosja e demokracisë mbi interesin kombëtar, si koncept teorik dhe politik, ka pasoja në rrafshin e politikologjik, veçanërisht në përcaktimin e interesit kombëtar, si bashkësi e objektivave dhe vlerave që sigurojnë mbrojtjen e sovranitetit, liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ajo ka gjithashtu pasoja ontologjike, në përcaktimin e marrëdhënies ndërmjet qenies dhe bërjes, ndërmjet asaj që është aktualitet dhe asaj që është potencialitet; pasoja epistemologjike, në zhvillimin e vetëdijes historike, kulturore dhe shoqërore; si dhe pasoja aksiologjike, në vlerësimin e idesë së tërësisë shqiptare si një përvojë e njësuar dhe e përjetuar kolektivisht.
Trupi shqiptar, i ndarë në pjesë, është dëshmuar si i cenueshëm dhe i paqëndrueshëm përballë ndryshimeve në ndjeshmërinë dhe ndërgjegjen ndaj gjendjeve, veprimeve dhe gjykimeve që lidhen me pjesët përbërëse të tij në raport me objektivat dhe vlerat që sigurojnë mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë. E furnizuar nga informacioni i pjesshëm, ndërgjegjja e pjesshme, si vetëdije e kufizuar për vetveten, prodhon kuptime të pjesshme për objektivat dhe vlerat që sigurojnë mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë së kombit shqiptar. Për rrjedhojë, realitetet e pjesëve nuk do të kenë të njëjtën peshë në ndikimin emocional dhe në mobilizimin e vullnetit në opinionin publik shqiptar.
Në kontekstin e bërjes së kombit shqiptar, njësimi i ndjenjave, i vullnetit dhe i vetëdijes kombëtare shqiptare është vështirë të realizohet përmes modelit të vendosjes së demokracisë mbi interesin kombëtar apo anasjelltas. Vendosje të tilla hierarkike, në një proces të vazhdueshëm të bërjes së kombit, krijojnë hapësirë veprimi për autokracinë, e cila shndërrohet në pengesë për marrëdhënien e ndërsjellë ndërmjet demokracisë dhe kombëtares. Duke instrumentalizuar herë demokracinë dhe herë kombëtaren, autokracia, përmes kërkesave të saj monolitike, ka krijuar një njësim të rremë të ndjenjave, të vullnetit dhe të vetëdijes për objektivat dhe vlerat që sigurojnë lirinë e kombit shqiptar. Procesi i bërjes së kombit bëhet më i vështirë dhe më degradues kur marrëdhënia ndërmjet demokracisë dhe kombëtares përcaktohet nga autokracia. Në zgjedhjen mes akumulimit të pushtetit dhe respektimit të vlerës së lirisë, logjika autokratike e politikës shqiptare ka dëshmuar se anon lehtësisht nga e para. Për rrjedhojë, beteja për fuqizimin e interesit kombëtar dhe të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, është reduktuar në përpjekjen për të forcuar imazhin dhe për ta nxjerrë triumfues kultin e njërit apo tjetrit lider politik: Edi Ramës ose Albin Kurtit. Rëndësia e takimeve ndërmjet qeverive të të dy shteteve shqiptare është lënë në hije nga konkurrenca ndërmjet tyre për të zënë fronin e autokracisë.
Autokracia është antigjeni, veprimi i të cilit synon dekompozimin e marrëdhënies ndërmjet demokracisë dhe kombëtares. Ndarja e demokracisë nga kombëtarja dhe vendosja e së parës mbi të dytën e fuqizojnë parimin e universalizmit liberal kundrejt parimit sovranist.
Përfundim
Dilema që lidhet me shpërthimin e revoltës qytetare në Shqipëri nuk qëndron te zgjedhja ndërmjet rendit dhe revoltës, të barazuar me kaosin, por te nevoja e menjëhershme për ndërtimin e një rendi demokratik që e bën pjesëmarrjen qytetare dhe kontrollin e pushtetit pjesë të funksionimit normal të shtetit.
Një shoqëri demokratike nuk e mbron interesin kombëtar duke e heshtur pakënaqësinë qytetare apo duke e barazuar kritikën ndaj qeverisë me cenimin e shtetit. Përkundrazi, ajo e forcon sigurinë e vet duke garantuar lirinë e shprehjes, transparencën, kontrollin e pushtetit dhe mundësinë që konfliktet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe institucionale. E mbështetur në institucione funksionale dhe në qytetarë të angazhuar, demokracia është burim i qëndrueshmërisë kombëtare shqiptare.
Për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe në hapësirën më të gjerë ballkanike, demokracia nuk është vetëm një ideal politik apo një kusht për integrimin evropian; ajo është një nga themelet e aftësisë për të mbrojtur interesat e përbashkëta, për të ruajtur kohezionin shoqëror dhe për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. Sa më shumë që qytetari të jetë zot i të drejtave të veta dhe bashkautor në vendimmarrjen publike, aq më të forta bëhen themelet demokratike të shtetit dhe aq më të mëdha janë mundësitë për të garantuar një siguri kombëtare të qëndrueshme. Në këtë kuptim, mbrojtja e demokracisë është njëkohësisht mbrojtje e dinjitetit qytetar, e sovranitetit të ushtruar dhe e perspektivës së shqiptarëve për liri, stabilitet dhe siguri në Ballkan.
(c) 2026 Arben Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.