Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Psikologji

BAGËTI E BEGATI

Një video e rastësishme nga protesta e studentëve, më solli ndërmend diçka si tejkalimi i forcës, dhe sidomos kur ka revolta, ekuilibri nuk funksionon. Dhuna ka përfshirë pothuajse të gjithë Evropën, e cila është në një qorrsokak social, duke pjellë mori sistemesh burokratike dhe holistike, sunduar nga autokratë të pasuruar mbi karrige të përkohshme, që synojnë t’i mbajnë sa më gjatë.

Në videon e postuar nga qytetarët dëshmitarë, në këmbët e ministrisë së arsimit, i riu që po sodiste i hutuar, sulmohet nga një efektiv, i cili e përplas në befasi dhe burracakëri, me mburojën plastike, dhe pasi e marrin zvarrë, e godet qëllimisht në këmbë për t’ia thyer. Disa të tjerë u vërsulen djemve që donin ta ndihmonin, nga katër e nga pesë, me shkopa hekuri të veshura me gomë, mbuluar me mbrojtëse kokë e këmbë dhe skafandra antishok, të projektuara për të pritur goditje të forta, prokuruar me thashetheme dhe skandale, për të cilat ka hetime dhe fajtorë pas hekurave. Përplasja e dhunshme i shkaktoi dëmtime në kokë djalit, dhe u desh ndërhyrje kirurgjikale për të menaxhuar hematomën.

Pas kësaj video u publikuan me dhjetëra të tjera ku shfaqeshin agresione të ndryshme nga autoritetet. Në to, duket qartazi se efektivët kanë mllef personal, prej frustrimit politik, presionit, si njerëz të lodhur, të indoktrinuar, të shfrytëzuar, mbrojtur nga uniforma që supozohet të mbrojnë vetë fëmijët nga dhuna e tyre. Disa kacavirren nëpër çati të shtëpive të vjetra tiranase, e disa rrihen brutalisht në rrugë e rrugica që kanë parë edhe protesta të tjera kundër fashizmit e pro demokracisë. Por edhe asokohe, këto veprime nuk justifikoheshin nga diviza, por kanë qenë dhe mbeten haptazi abuzime me detyrën dhe lajthitje që kërkojnë vlerësim psikologjik. Janë akte të dënueshme po aq sa djegiet dhe plaçkitjet, goditjet me sende të forta apo konfrontimet fizike. Duhet enkas një polici që të merret me policët që kanë probleme. Përse ndodh kështu sa herë ka përballje mes qytetarëve dhe autoriteteve?

Psikanaliza – politike, e cila trajton sjelljen e pushteteve si pacientë, e tregon qartazi fenomenin në fjalë, ku i pushtetshmi nuk ka kontroll mbi pushtetin e tij dhe tenton ta shpalosë kudo qoftë, me këdo qoftë, prej frikës së humbjes së këtij pushteti. Ky është një ekuilibër tepër delikat, që vetëm njerëz me personalitet të qartë mund ta menaxhojnë në situata krize, por jo njerëz me luhatje humori, ose që vuajnë nga deliri i madhështisë. Të sëmurët psikikë, sidomos ata psikopatë, nuk duhet kurrsesi të kenë në dorë jetën, ekonominë dhe politikën e njerëzve, por duhet t’u caktohet një kujdestar, i cili mban përgjegjësi ndaj veprimeve impulsive të pacientit.

Andrej Lobaczewski, i vuri një etiketë kësaj sjelljeje dhe njerëzve që tërhiqeshin kundrejt pushtetit, si dhe ofiqeve ku mund të shtypnin klasat dhe masat. Gjatë periudhës komuniste të regjimit rus, studiuesi dhe psikologu polak, vuri re se njerëzit me çrregullime personaliteti që aspironin të dilnin në krye të dogmave politike, ishin gjithashtu të etur për ndryshime radikale dhe shpesh herë për gjak. Sipas tij, këto shprehje të brendshme, krijonin vullnet dhe dëshirë për kontroll absolut, dhe prej këndvështrimit të tij klinik, ishin qartazi manifestime të psikopatisë. Në veprën e tij “Ponerologjia Politike” (studimi i së keqes në politikë), Lobaczewski analizon se dhuna kundrejt popullit dhe masave të nënshtruara është një fenomen i shfrytëzuar nga pakica me devijime psikologjike, të cilat marrin përsipër institucione ose qeveri nga ku mund të ushtrojnë qëllimet e tyre të sëmura. Ai theksonte se individët me çrregullime psikopatie zotërojnë një vullnet të pangopur për kontroll dhe superioritet, duke e quajtur Patokraci sundimin politik me anë të kësaj sjelljeje. Megalomania, narcizmi, sociopatia, arroganca, detashimi emocional, sjellja manipuluese, dhe shpërfillja për rregullat morale, karakterizojnë këtë personalitet të devijuar. Vullneti për pushtet e shtyn patokratin të mos ketë kufij etikë, të përçmojë ndjenjat, duke i parë si dobësi, dhe të ndryshojë institucionet, gjuhën publike, për të normalizuar sjelljen e tij. Me pak fjalë, veprime që kanë për qëllim transformimin e realitetit dhe bashkëjetesën e detyruar me anormalen e re që ofrohet prej tij. Lobaczewski, shkruante si më poshtë:

“Nëse një individ në një pozicion pushteti politik është psikopat, ai ose ajo mund të krijojë një epidemi psikike te njerëz që në thelb nuk janë psikopatë. Psikopati tipik lulëzon në këtë lloj mjedisi dhe shihet si një hero.”

Ky paragraf, thekson në vazhdimësi edhe se si ky lloj individi do ishte tepër i suksesshëm në shitblerje pronash, si një matrapaz, një dealer, biznesmenambicioz dhe i pamoralshëm. Ky model mban pishtarin, flamurin, diskun dhe skeptrin, nëse e sheh mundësinë e dominimit, duke krijuar një altar për adhurimin e suksesit të tij.

“Politika nuk bën përjashtim, për vetë natyrën e saj, ka prirjen të tërheqë më shumë tipa dominues, patologjikë, sesa fushat e tjera. Kjo është krejtësisht logjike; madje, kuptuam se nuk ishte thjesht logjike, por edhe tmerrësisht e saktë. Është e tmerrshme, sepse patologjia te njerëzit në pushtet mund të ketë pasoja shkatërruese për të gjithë ata që ndodhen nën kontrollin e individëve të tillë patologjikë.”

Vazhdon lista e gjatë e psikanalizës së patokratit, duke shtuar joshjen, sharmin, karizmën, gënjeshtrën, mashtrimin, pseudo-empatinë, etj. Të gjitha vlera që sot i shohim fare qartë në radhët e krerëve të shteteve në mbarë botën, edhe në Shqipëri. Këta individë e shohin veten si udhërrëfyes, barinj të masave që i konsiderojnë bagëti, dhe se prej tyre do u vi çdo e mirë, madje ata as nuk mund ta kuptojnë vizionin largpamës që do t’u përmirësojë jetët, do u hapë sytë e do t’i kthejë në njerëz këto kafshë. Kësi vetish i gëzonin klasat fisnike kudo në botë, qysh prej lashtësisë. Kështu u krijuan veprat e mëdha, kështu lindën sistemet, kështu u pasuruan disa vende dhe u zhytën në kaos disa të tjera. Sot, më shumë se asnjëherë tjetër në histori, vendi ynë përballet me sfidën e së keqes që u ka zënë njerëzve gojën, sytë dhe veshët.

Dikur, shqiptarët frymonin për të marrë sado pak informacion nga jashtë, për të folur si ata në Evropë, për të parë dhe dëgjuar çfarë ata shikonin dhe dëgjonin, të kopjonin sjelljet impulsive të rinisë që putheshin me gjuhë, apo për të kërcyer me muzikën rrok në ambiente të errëta diskotekash, të shijonin drogat si në Berlinin perëndimor. Por bota ishte krejt ndryshe nga se mendonin, ajo përbëhej nga ekonomia e lëkundshme,  çmimet e larta të shtëpive, pazaret e pronave me prioritet, politika e fshehur dhe marrëveshjet ndërkombëtare antinjerëzore. Sakaq, lista e marrëzisë së pushtetarëve arrogantë dhe shtypës, u bë aq e gjatë, sa shqiptarët kuptuan se i përkisnin një regjimi global dhe jo vetëm një fenomeni lokal.

Gjithsesi, kështu ka qenë gjithmonë, nga faraonët e deri tek neo-marksistët liberalë transgjinorë, që protestojnë pro-islamit, i cili nga ana tjetër kërkon t’i shfarosë. Këto çrregullime konceptesh mund të quhen gjithashtu patokratike, duke evidentuar mungesën e normave dhe kufijve socialë në shoqërinë perëndimore, e cila shpesh bie ndesh me veten. Këto paradokse politike, shprehin hapur nevojën e sëmurë për protagonizëm që kanë europianët, të cilën nuk e administrojnë dot, as nuk mund ta përkthejnë në vlera reale, apo shërbime publike, por e shfrytëzojnë si represion teorik dhe burokratik ndaj masave, aq sa bëhen patetike dhe të kundërshtueshme lehtë nga publiku. Arsyetimi se liberalizmi do të krijonte një dashuri botërore dhe tolerancë universale të ndërsjellë, është aq sa fëminor edhe dashakeq. Shfrytëzuar nga grupimet sunduese të politikës europiane, këto teori zunë vend mirë në veprimtaritë abuzive, prej të cilave gjenerohen miliarda euro të përvitshme, të pakthyeshme dhe të pahetueshme nga sistemi që ata vetë kanë krijuar, një sistem që mbron letrat por jo njerëzit. Paradigma politike e neoliberalizmit pas viteve shtatëdhjetë solli një kolaps social që ende jehon në ligjet aktuale, një reformë e flashkët dhe emocionale ndaj emigracionit dhe nevojave sociale. Mosrespektimi i rregullave vendase, kacavjerrja administrative, pengmarrja politike, mungesa e meritokracisë, mungesa e barazisë, favorizimi, nepotizmi dhe despotizmi, arritën kulmin pas viteve nëntëdhjetë. Tashmë në një llogore lufte, Evropa përballet me rrëzimin e vlerave false që krijoji vetiu. Kur modeli aktual dështon, njerëzit nisin të kërkojnë vlera të reja, qofshin ato edhe të vjetra. Kjo sjellje mund të përkufizohet edhe si social-fashizëm, ku e majta udhëheq fushata të ashpra kapitaliste, që lenë pas pjesën më të madhe të shoqërisë, duke ngritur oligarki të rrezikshme për vetë pushtetin, deri sa bëhen të pakontrollueshme.

Asgjë e çuditshme deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme apo befasuese, thjesht e shëmtuar, siç ka qenë edhe në kohë pa algoritme publike dhe bashkëbisedues artificialë. Njerëzit me moral, me integritet akademik, ose thjesht me parime të shëndetshme, largohen nga oportunistët, arrivistët dhe karrieristët, duke lënë shumë vende bosh të cilat mbushen me militantë dhe aspirantë, banditë apo servilë e injorantë, të gjithë për një qëllim, atë të jetëgjatësisë së institucionit të vetëm që ata njohin: Kryetari/ Shefi/ Eprori/ Bosi/ Mbreti/ Faraoni. Të gjitha grupimet politike rrezikojnë të krijojnë këtë realitet. Kulti dhe supremacia e tij frymëzojnë të tjerët drejt adhurimit, idhullimit me çdo kusht, sidomos në momente krize sociale nga ku lindin protestat. Denominuar edhe si: “shtrëngimi i radhëve”, aksione të forta ndërmerren për të treguar besnikëri dhe gatishmëri ndaj kreut. Kopjohen sjelljet, rastet, historitë e suksesit dhe eksesit, deri te mblesëritë e brendshme dhe favoret me natyra maniakale, okulte apo sodomite. Sepse nuk u bën përshtypje psikopatëve kufiri, as replika, as dialogu apo logjika, morali dhe vlerat familjare. Ata jetojnë në dualitet, ku sundon egoja, luksi, përlyerja, pushteti, kulti i vetes pranë shefit, dhe përçmimi i shtresave të tjera që nuk janë si ata.

Lobaczewski thekson tipin dominues në politikë, ai që komandon me çdo kusht, që krijon aleancë me çdo mjet brenda llojit. Ky individ krijon kushte për lulëzimin e realitetit të tij, në të cilin do jetojnë të gjithë, duan apo s’duan. Sapo filizat forcohen dhe lidhen me trupin e shenjtë të liderit, natyra e tij patokrate kthehet në dogmë thuajse fetare, e cila ushqen gjethet dhe lulet. Ato rriten të forta, të thurura mirë, dhe synojnë të riprodhojnë mikro-modele kudo që ndodhen. Edhe pse me helm, këto mjedise arrijnë të gjenerojnë territore të reja për pushtim, falë propagandës. Ndjekësit duan të jenë si ai, të flasin si ai, të sillen e të qortojnë si ai, me po atë fytyrë, po atë karizëm dhe leksik. Ata kanë të njëjtët armiq me liderin, kanë të njëjtat dëshira dhe ndajnë po atë iluzion për të ardhmen. Kjo njihet edhe si patokraci kolektive, ose epidemia patokratike.

Pavarësisht kontrollit absolut, Lobaczewski vuri re se patokracitë janë thelbësisht të paqëndrueshme dhe të destinuara të dështojnë, sepse krijojnë institucione të degraduara, mbushur me njerëz të paaftë, dhe propaganda e fortë nis të humbasë efektin mpirës te njerëzit, pasi arrihet pika e ngopjes nga broçkullat artificiale që flet lideri. Por, si çdo sistem tjetër, mund të rrisë jetëgjatësinë duke u financuar nga oligarkia për të bërë marrëveshje me krimin e organizuar, i cili funksionin hapur si aktivitet antisocial. Tejzgjatja e sistemit, duke përmbysur rolet e mekanizmave shtetëror që u shërbejnë qytetarëve, manipulon institucionet juridike, shantazhon drejtuesit dhe përdor policinë si ushtri, ndërsa dhuna e ushtruar kundër qytetarëve është thjesht një pasojë e zbrazjes shpirtërore që lë pas ambicia e patokratit. Kjo mund të përkthehet edhe si dëshirë për përjetësi, që ka qenë gjithnjë qëllim për ata që xhelozojnë pozitat e perëndive, dhe fare qartë, antikiteti tregon se këta rrëzohen edhe më keq se të tjerët.

(c) 2026 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading