(Një udhëtim në veprën “OLIMPIADE REGINA DI MACEDONIA La madre di Alessandro Magno” e Lorenco Braçezit)
Biografia e parë e mbretëreshës së madhe dhe nënës së Aleksandrit të Madh
PJESA E PARË
Olimpia ishte një nga figurat më karizmatike dhe më me ndikim të botës antike; ajo luajti një rol kyç në historinë greke si bashkëshorte e Filipit të Maqedonisë dhe si nënë e Aleksandrit të Madh. Ajo jetoi gjatë një epoke zgjerimi për Maqedoninë e të shoqit – një kohë kur Epiri, i sunduar nga vëllai i saj Aleksandri Mollosi, e shtriu ndikimin e tij drejt Perëndimit italian dhe vendosi lidhje me Romën; dhe kur i biri, Aleksandri, e shpalli veten pasardhës të perandorisë së gjerë perse, duke përhapur një kulturë të re që do të njihej si helenizëm. Olimpia shërbeu si urë lidhëse midis vëllait të saj dhe Filipit – e rrjedhimisht midis dy brigjeve të Adriatikut, midis Lindjes dhe Perëndimit. Si një grua me emocione të zjarrta dhe e përkushtuar ndaj kulteve misterioze – veçanërisht riteve orfike dhe dioniziane – ajo krenohej me prejardhjen e saj mitike trojane dhe ruante një lidhje të veçantë me të birin, i cili e donte thellësisht pavarësisht manovrave të saj të vrullshme politike. Ajo madje i lau duart me gjakun e të afërmve për të siguruar fronin atëror për të birin dhe trashëgiminë për nipin e saj. Gjatë gjithë fushatës së pushtimit të Azisë, Olimpia dhe Aleksandri mbajtën korrespondencë me njëri-tjetrin. Këto letra hedhin dritë mbi misterin e supozuar të ngjizjes hyjnore të pushtuesit të madh dhe mbi marrëdhënien e tensionuar të mbretëreshës me regjentin e Maqedonisë. Lorenco Braçesi paraqet portretin e parë të një figure që ishte thelbësore për historinë e Maqedonisë së Madhe – dhe, rrjedhimisht, për botën antike, thuhet në hyrje të këtij libri.

Lorenzo Braçezi[1] u shua vjet në gusht në moshën 84-vjeçare. Shqiptarët nuk e njohin këtë emër. As unë nuk e njihja deri në ditën kur kolegia ime dhe studiuesja e pasionuar pas historisë së shqiptarëve, veneciania e palodhur, Luçia Nadin, më dhuroi librin « OLIMPIADE REGINA DI MACEDONIA, La madre di Alessandro magno », botim i Salerno Editrice Roma. Libri është botuar në vitin 2019, por ai ka njohur edhe disa ribotime dhe një të tillë, unë, siç e përmenda, e kam marrë në vitin 2024. Braçezi, në kushtimin e librit, thotë: të gjitha grave barbarisht posesive. Ashtu ishte edhe Olmpia ndaj të birit, Aleksandrit, ndaj pushtetit, po ashtu. Autori i mbi njëqind veprave dhe specialist i historisë së antikitetit dhe Greqisë së lashtë sidomos, lektor në Padova, gazetar dhe studiues skrupuloz, i tillë ishte Lorenco Braçezi. Libri i tij mbi Olimpian, nënën e Aleksandrit të Madh, do të duhej të ishte në fondin e parë të studimeve mbi antikitetin shqiptar, sepse, aty, origjina e saj epirote dhe ilirët përmenden me lehtësinë e atij që beson se në botën antike, Maqedonia e Filipit, Epiri i Aleksandër Mollosit vëllait të Olimpiadës, Iliria e Bardhylit, Athina e Demosdenit ishin të vetmet realitete të qytetërimit në një kohë kur Europa nuk ekzistonte. Ky libër është i rëndësishëm për disa arsye. Mbi të gjitha, se është ndër monografitë e rralla për këtë figurë që lidhet me historinë antike shqiptare; e dyta, sepse ka një lëndë bibliografike të bollshme dhe aty lexuesi e kupton se sa e mangët është dija jonë e historisë antike në studimin jo vetëm të kësaj figure, por edhe të Epirit, të Ilirisë e figurave të saj.
Libri i Braçezit ka disa përparësi. Së pari, ai është ndërtuar sipas metodologjisë se historiografisë perëndimore dhe në të mungon krejtësisht anësia ideologjike. Shkruar nga një italian, vepra është e baraslarguar si nga ndikimi helen, ashtu edhe nga ai albanofob. Ka një stil të lartë në paraqitjen e asaj figure dhe rrëfimi i tij e ndan qartë legjendën, mitin nga kronika dhe nga faktet. Dhe ka një bibliografi thuajse shteruese për Olimpian. Për fat të keq, kohëve të fundit hapësira publike shqiptare është mbytur nga narrativat turbo-albanologjike dhe në mjedisin tonë është krijuar një klimë toksike në të cilën legjendat e pavërtetuara merren si të vërteta historike dhe mitet kanë zëvendësuar faktet.
Po çfarë tregon ky libër për Olimpian, nënën e Aleksandrit të Madh dhe përse ka një vlerë të posaçme për ne, shqiptarët? Edhe unë kam zgjedhur stilin e recensës dhe jam munduar ta tregoj librin duke u mbështetur në kronologjinë e rrëfimit të autorit. Kjo vepër ka karakterin e një eseje letrare dhe ta lejon këtë mundësi.
Libri ndahet në VIII kapituj dhe secili prej tyre ka 4 ose 5 çështje, përkatësisht:
- PRINCESHA EPIROTE,
- GRUAJA E FILIPIT, NËNA E ALEKSANDRIT,
- E MOHUAR DHE E VE,
- DJALI NË AZI, VËLLAI NË ITALI,
- ZONJA E EPIRIT,
- NËNË E BIR, KOMUNIKIMI EPISTOLAR,
- DJALI I ALEKSANDRIT, NIPI I OLIMPIADËS,
- TRASHËGIMI GJAKU DHE GJAKU I HAKMARRJES.
Hapet me një premtim të autorit në të cilin ai tregon vështirësinë që ka një sipërmarrje e tillë dhe shton se, rindërtimi i portretit të heroinës së tij, sidomos, paraqet pengesa e sfida ndonjëherë të pakapërcyeshme. « Të shkruash për femrat e antikitetit, thotë ai, është një sipërmarrje sfilitëse. Por të shkruash një biografi për Olimpian, është edhe më shumë akoma, sepse atë e rëndojnë, sidomos, magjepsja- shpesh ogurzezë- e misterit dhe gjurma e një mistike të dëshpëruar… Është bija e një mbreti, motra e një mbreti, bashkëshortja e një mbreti dhe nëna e më të madhit sovran të të gjitha kohërave » (f.9). Por, vijon ai, në shekujt në vijim, ajo është përcjellë nga një traditë historiografike armiqësore, sepse, duke qenë femër, bashkëkohësit ia kanë mohuar rolin e protagonistes që ajo, në mënyrë të natyrshme, ka ushtruar duke u gjendur nga fati në një rrjedhë ngjarjesh të jashtëzakonshme dhe në qendër të një vendi ku merreshin vendimet më të mëdha për botën antike. (F. 9)
Në kapitullin e parë, autori, duke cituar Plutarkun, shkruan : « Filipit, që sapo kishte marrë Potidean, i mbërritën në të njëjtën kohë tri lajme- që ilirët ishin mundur në betejën e madhe të Parmenionit, që kishte fituar Olimpiadën e garave me kuaj dhe që i kishte lindur Aleksandri”. Jemi në vitin 356 p.e.s. E pikërisht në këtë datë, heroina jonë merr emrin që do ta shoqërojë deri në fund të jetës. Për nder të fitores në garat panhelenike dhe për shkak se lindi djalin trashëgimtar, ajo u pagëzua nga Filipi me emrin Olimpiada, por në ligjërimin e përgjithshëm në mjedisin shqipfolës – Olimpia. Ashtu do ta përmendim edhe ne në këtë shkrim.
Po si thirrej më parë ajo? Sipas një autori tjetër, thotë Braçezi, Giustino (Marco Giustiniano Giustino shek II-III i erës sonë), në kohën e rinisë, emri i saj ishte Myrtale. Plutarku, thotë autori, në veprën e madhe për orakujt e Picias, përmend edhe dy emra të tjerë me anë të të cilëve thirrej Olimpia, Polisenia- Polikseni dhe Stratonika. Këtu hyn në lojë një anë tjetër e rrënjëve të heroinës sonë. Emri i parë, Polikseni, sipas mitit i përket princeshës trojane që u sakrifikua nga djali i Akilit, në varrin e të atit. Olimpia kishte lindur në Epir, thotë autori, dhe ishte me rrënjë mbretërore, ndaj edhe ky emër, siç ishte tradita, mund të ketë qenë marrë nga cikli trojan. Le të kujtojmë me këtë rast poemën e Virgjilit « Eneida », ndalesën në Butrint dhe Andromakën që ai gjen në atë vend. Pra, përzierja e rrënjëve të mbretit të Epirit me Trojën ishte pjesë e mitit ashtu siç është edhe krijimi i Romës prej mitit të Eneut. Jo rastësisht, babai i saj quhej Neotolemo dhe stërnipi i saj Pirro. Ndërsa Myrtale në onomastikën greke ka mbi njëzet kuptime dhe, kryesisht, lidhet me bimën e quajtur mirto që është simbol i gëzimit vital dhe rilindjes së natyrës, sidomos asaj vegjetale. Ka rëndësi kjo hollësi e shenjueshmërisë së kësaj bime, emrin e së cilës mbante Olimpia, për shkak se disa anë të personalitetit kompleks të heroinës sonë vijnë nga shenjueshmëria e kësaj bime. Emri tjetër, Stratonice, thotë autori, është emri i përbashkët i dy princeshave maqedonase. Nuk është çudi, vijon ai, që pas martesës me Filipin, ajo ta ketë ndërruar emrin e saj Poliksenia në Stratonice, për shkak se ai nuk ishte shumë i njohur në botën greke.
FAMILJA
Olimpia ka lindur rreth viteve 375 p.e.s. Atdheu i saj, Epiri, vijon autori, ishte në një fazë të thellë transformimi nga një komunitet tribal drejt unifikimit dhe përbëhej nga tre etni të ndryshme: Mollosët, Thesprotët dhe Kaonët. Këta dy të fundit u shkrinë paqësisht në asamblenë e Mollosëve, duke përfshirë brenda edhe vendin e shenjtë thesprot të Zeusit në Dodonë, fama e së cilës, vijon ai, kishte jehonë internacionale. Të dhënat për Epirin hedhin dritë mbi disa fakte që shpesh janë bërë objekt debati. Fjala vjen, Dodona, tempulli më i famshëm në botën antike, sipas Braçezit, kishte lindur në Epir, ashtu sikundër edhe përzierja e martesave mes familjeve ilire apo epirote me atë të Filipit dhe oborrit mbretëror të Maqedonisë flasin për statusin e një etnie me zhvillim të barabartë me të tjerat.
ORIGJINA MITIKE
Olimpia, thotë autori, vajza e Neottolemos, i përkiste dinastisë së Eacidëve, të cilët mburreshin se rridhnin nga Eaku legjendar që, sipas mitit, ishte babai i Peleut, pra gjyshi i Akilit. Jo vetëm kaq, vijon autori, por ata e ushqenin një rrëfim të tillë të origjinës duke bashkuar në prejardhje djalin e Akilit me Pirron ose Neotolemin me Andromakën, e veja e Hektorit dhe preja e luftës. Një fakt të tillë, siç e përmenda, e thotë edhe Virgjili te poema e famshme e tij kur Eneu zbret në Butrint. Pra, origjina mitike ishte sa trojane, aq edhe greke. Legjenda, thotë autori, bëhet vektor propagande dhe këtë pohim të tërthortë të origjinës e gjejmë edhe te Straboni, i cili duket se i njeh rrënjët epiroto-trojane të Aleksandrit të Madh. Ai shkruan: « Aleksandri i trajtoi me mirësi trojanët qoftë për respekt të poetit, qoftë për prejardhjen nga Eacidi, të cilët mbretëronin te Mollosët, pranë të cilit, siç tregojnë, ka mbretëruar edhe Andromaka, bashkëshortja e Hektorit ». (f. 15) Aleksandri, edhe në disa raste të tjera, e tregonte afërinë me prejardhjen trojane si në rastin kur rrugës për në Azi ndërroi armët me ato trojane. Por edhe Pirroja, në inkursionin e tij në Romë, e mbante veten si një Akil i ri dhe Mollosi, kur nisi pushtimet në Itali, e mbante veten si i prejardhur prej Diomedit.
JOSHJA NGA IRACIONALITETI
Në antikitet ishte mjaft e domosdoshme të përcaktohej besimi, ritualet dhe mendësia e heronjve që përshkruhen. Olimpia kishte një tërheqje të rrallë për iracionalen. Plutarku na sqaron, thotë autori, se Olimpia, ashtu si të gjitha gratë e kësaj zone, praktikoi ritet orfeike (që lidhen me Orfeun- I.Y.) dhe dioniziake, që ishin ekstravagante dhe plot me supersticione. « Olimpia, që i praktikonte këto ritë më shumë se të tjerat, përhumbej në këtë ekstazë dhe mbante në thasë të mëdhenj gjarpërinj të zbutur, të cilët, shpesh, dilnin nga gjethet me të cilat ishin mbuluar dhe i tmerronin burrat. » (f. 17) Riti i gjarpërinjve ka rëndësi për të shpjeguar lidhjen e Olimpias me këta reptilë. Ata janë të pranishëm në ritet e menadave dhe bakanteve dhe shoqërojnë korteun e Dionisit, një perëndi që, siç thotë Apollodori, i praktikon ritet me gjarpërinj. Këto gra shkëputen nga shoqëria, jetojnë në natyrë dhe u dorëzohen praktikave frenetike. I nderojnë perënditë duke jetuar e duke u ushqyer me mishin e kafshëve që vrisnin në pyll. Olimpia, thotë autori, i ka praktikuar këto rite në mënyrën më të egër dhe ka qenë përdoruese e bimëve halicinogjene ose « pharmaka », të cilat ishin të bollshme në vendet pranë Epirit. Autori, më pas, shpjegon brendinë mistike të këtyre riteve që lidhen me Dionisin e Apollonin, të mbushura me praktika mistike që vinin në provë trupin dhe shpirtin. Për të përcaktuar personalitetin e Olimpias, ka rëndësi të mbajmë në vështrim, thotë autori, si tërheqjen nga iracionalja, ashtu edhe prirjen e saj për ezoteriken si çelës të qenies. Këto tipare, vijon ai, do ta çonin gjithnjë drejt zgjedhjeve ekstreme, si në dashuri, ashtu edhe në urrejtje, në pasion dhe në hakmarrje. Përfshirja në praktika rituale të egra dhe të shfrenuara e shoqëruan vetëm në rininë e parë dhe i kalitën kështu turbullimet e shpirtit, thotë autori, sepse, vijon ai, nëse është e vërtetë që ajo do të ekspozonte gjarpërinjtë në oborrin e Filipit, nëse është e vërtetë që ajo me shumë mundësi ka pas përdorur substanca halucinogjene, është po aq e vërtetë që edhe si mbretëreshë nuk do të ketë hequr dorë nga shfrenimet e festave dioniziake. Për këtë, thotë autori, dëshmon Plutarku, por edhe një historian thuajse bashkëkohës me të, Duride (Duride di Samo, historian grek 340-270 p.e.s), e përshkruan « si më të shfrenuar se një bakante ( ndjekësve e riteve të Bakut- I.Y.) » që, siç thotë një autor tjetër, Ateneo (Ateneo di Naucrati, historian grek, shek III-II era e re), këto praktika « bakike » shkonin deri në ritet e sakrifikimit.
Po përse adoleshentja ose shumë e reja, heroina jonë, Olimpia, ishte dhënë pas këtyre riteve dhe kishte përfunduar në honet e religjiozitetit orfeik, pyet autori? Sigurisht, pse nga natyra e saj ndihej e tërhequr dhe e projektuar drejt supersticionit dhe iracionalitetit, por, ndoshta, edhe nga dëshira gërryese që të shkëputej nga ambienti familjar. Ajo ishte jetime, sepse babai i saj, Neotolemi dhe e ëma kishin vdekur dhe mbretërine e kishte marrë ungji i saj, i cili, për ta trashëguar fronin, ishte martuar me motrën e Olimpias, Troaden.
MARTESA
Arratisja nga ambienti familjar që për të ishte i huaj, për shkak se kishte mbetur jetime që herët, e shtynte të kridhej në ritet mistike dionisiake dhe orfike, siç e cekëm më lart, por edhe drejt ëndrrës për martesë. Po ku u panë dhe u takuan Filipi me Olimpian? Ata, thotë autori, mund të jenë takuar në festimet misterioze në ishullin e Samotracisë, kulti i së cilës nderonte mbijetesën në det. Plutarku, thotë autori, shkruan se « thuhet se Filipi, që në takimin e parë u dashurua me Olimpian (ai ishte ende një djalë dhe ajo jetime) dhe me pëlqimin e vëllait të saj, Aribës, vendosën të martoheshin ». Samotracia u bë një vend i shenjtë kombëtar duke u nisur pikërisht nga epoka e Filipit. Olimpia, vijon autori, ishte e dhënë pas riteve mistike dhe u bë ndjekëse e tyre. Që këtej ka lindur rrëfenja e bukur e dy të rinjve, maqedonasit dhe epirotases, që u njohën në ishullin e Egjeut, u dashuruan menjëherë ndoshta duke u kredhur në ujërat e kristalta dhe duke u veshur pastaj me tunikën e bardhë. Bisedimet për martesën duhet të kenë filluar më 357 p.e.s. dhe Filipi, që kishte lindur më 382 p.e.s., në atë kohë ishte 25 vjeç dhe kishte njohur disa fitore dërrmuese mbi disa popuj ilirë, thotë autori. Kishte nënshtruar Thesalinë duke pushtuar Larisën. Një autor tjetër, historiani romak Giustino, thotë se vetëm pasi të tilla sipërmarrje kishin pasur një fund të suksesshëm, ai vendosi të martohej. (f. 21). Autorët më pas thonë se garant i kësaj martese ishte Ariba, të cilin disa e quajnë kushëriri, disa të tjerë vëllai. Me shumë gjasa ai ishte tutori i saj dhe duhet të ketë qenë xhaxhai. Kështu, ai e favorizoi këtë martesë sepse i druhej zgjerimit të pushtimeve të Filpit në Perëndim, në dëm të Epirit. Filipi e dëshironte këtë martesë në mënyrë që të ndikonte në trashëgiminë e pushtetit në Epir duke pasur edhe ai të drejta përmes Olimpias, siç edhe do të ndodhte më pas, e për ta bërë Epirin një shtet satelit të Maqedonasit të famshëm, i cili kishte marrë përsipër të ruante edhe ekuilibrat e greqizimit, duke u bërë një arbitër disa herë brutal i antikitetit të vonë. Autorët e antikitetit thonë se projekti i Filipit përfshinte dy dete, Adriatikun dhe Egjeun dhe në të ardhmen, në luftë me Persinë edhe Detin e Zi, një ide që i parapriu projektit të mëvonshëm të Via Egnatias, të cilën, sipas një historiani tjetër, ai e përmend si mundësinë e krijimit të një tregu të madh (Teopompo di Chio 378-320 p.e.s.), (f. 22) dhe do të krijohej kështu vendi i një tregu të përbashkët. Ndaj ishte e domosdoshme që të shtrihej kontrolli edhe mbi Epirin dhe martesa me Olimpian dukej si një aferë politike e përkryer, sepse kjo do t’i mundësonte atij një radhë aleancash me princërit epirotë. Pas martesës më Olimpian, njëzet vjet më vonë ai imponon martesën e vajzës së tij me mbretin e Epirit, Aleksandër Mollosin, vëllai i Olimpias, i cili, pasi kishte flakur tej Aribën, kishte zaptuar fronin e Epirit.
Autori, duke u marrë me jetën e Filipit, na zbulon, përmes historianëve që janë marrë me këtë personalitet, disa anë të tjera të karakterit kompleks të familjes, martesës, politikës dhe mpleksjes së tyre në antikitet. Olimpia, duke u gjendur në mes të këtij cikloni herë përjashtues e herë armiqësor, ia del jo vetëm të fitojë, por edhe të shkëlqejë me vitalitetin e një femre të rrallë. Autori i referohet një autori tjetër, Satiros, (Satiro di Callati, historian grek i Aleksandrisë në Egjipt, shek. III p.e.s.), i cili ka shkruar veprën « Vita di Filippo », në të cilën është mbështetur Ateneo kur shkruan:
« Në 22 vitet e mbretërisë- thotë Satiro ne Vita di Filippo- nga martesa me iliren, Audata, kishte lindur vajzën, Cinna. U martua po ashtu me Filan, motra e Derdës dhe e Makatës. I dëshiruar që të lidhte pas vetes popullin thesaliot, bëri fëmijë me dy gra thesaljote, Niçesipoli e Feres që i lindi Thesalonikën dhe Filina e Larisës që lindi Arideon. Këtyre u shtoi mbretërinë e Mollosëve duke u martuar me Olimpian, prej së cilës lindën Aleksandri dhe Kleopatra. Kur nënshtroi Trakën, erdhi para tij mbreti i Trakëve, Kotela, dhe ia ofroi për grua vajzën e tij Medën me një pajë të madhe. Filipi u martua edhe me të dhe e vendosi në pallatin e tij pranë Olimpias. Pas këtyre grave, në fund, ai u martua me një tjetër, Kleopatrën, motra e Ippostratit dhe mbesa e Attalos, sepse ishte i magjepsur prej saj. Mirëpo, duke e vendosur atë në dhomën e Olimpias, ai e vërviti gjithë jetën e tij në humnerë. » (f. 23)
Është me rëndësi të ndalemi në këtë anë të jetës së Filipit, sepse, siç do ta shohim më pas, Olimpia, veçanërisht pas lindjes së Alekasandrit dhe vdekjes së Filipit, me një talent të jashtëzakonshëm që përfshinte zgjuarësinë, guximin, aftësinë për të zënë vendin qendror në atë familje poligame, jo vetëm që nuk u mënjanua, por zuri vendin kryesor dhe luftoi me mish e me shpirt që trashëgimia, pas vdekjes së Filipit, t’i mbetej Aleksandrit. Ndaj Olimpias dhe Aleksandrit u thurën të gjitha intrigat, por ajo grua me karakter të rrallë i kapërceu duke përdorur të gjitha mjetet, deri edhe vrasjet për arsye mbretërore. Po cilat ishin shtatë gratë e Filipit që ai i pati gjatë 24 vjetëve të mbretërimit të tij deri sa u vra? Ishin gra apo konkubina? Para se të martohej me Olimpian, ai i kishte tashmë tri gra. Në antikitet, thotë autori, duhet të bëjmë një dallim atë mes grave kata polemaus – bashkëshorte, që do të thotë « in the course of war » (shprehje e Hamond, 1979, p. 677) – për nevoja dhe arsye lufte – dhe gratë e « një niveli më të lartë» të destinuara për trashëgiminë dhe, si të tilla, më të nderuara, veçanërisht ato që lindnin meshkuj. Nga këto duhen veçuar dy gratë thesaljote Nicesipoli dhe Filina që nuk ishin gra të Filipit, por nëna të fëmijëve bastardë të lindur prej tij. Pra, mbeten pesë, tre prej të cilave të martuara prej tij për të konsoliduar fitoret mbi territore të reja. Dhe këtu mësojmë një fakt tjetër. E para, Audata ishte vajza e mbretit ilir, Bardhylit, dhe dasma mund të jetë bërë në vitet 359- ’58 pas betejave të para të tija jashtë klufijve të Maqedonisë. Pasi u martua, ajo e ndërroi emrin dhe u quajt Euridika. Nga të gjitha martesat, thotë autori, ajo me Olimpian dhe Kleopatrën në fund, ishin martesa mbretërore. Të dyja të lindura në periferi të botës greke, të dyja me origjinë nga familje fisnike: njëra vajza e një sovrani epirot, tjetra mbesa e një strategu të njohur maqedonas i caktuar nga Filipi në pararojën maqedonase drejt inkursioneve në Azi. I pari djalë mashkull i lindur nga një martesë e ligjshme ishte Aleksandri, fëmija i Olimpias, të paktën deri sa Kleopatra, që Filipi e mori për grua kur ajo ishte adoleshente, të lindte. Nëse ajo do të lindte djalë, atëherë trashëgimia do të ishte më e konsoliduar sepse ai do të ishte pasardhës i një nëne dhe babai maqedonas. Po Kleopatra lindi një vajzë që u quajt Europa dhe të dyja bashkë do të vriten në mënyrë të vrazhdë. Do të ishte gabim të mendonim, thotë autori, që Filipi, duke u martuar me Olimpian, do të shtonte edhe Mollosët në mbretërinë e tij. Por, edhe ngaqë Olimpia po përzihej më shumë se ç’duhet në punët e mbretërisë, aristokracia maqedonase e nxiti të martohej me Kleopatrën, që ishte nga rrethi i një familjeje nga aristokracia e lartë, siç njofton Plutarku, thotë autori dhe në moshë fare të re.
GRUAJA E FILIPIT, NËNA E ALEKSANDRIT
Më parë se të vijojmë rrëfimin për Olimpian tonë, do të ishte e dobishme të pyesnim, po cili ishte në realitet Filipi, cilat ishin aspiratat e tij politike dhe, veç të tjerash, çfarë ishte e reja dhe e vjetra, jo vetëm për Maqedoninë, por për greqizmin, sepse autori këtu përdor fjalën « grecita ». Biri i mbretit maqedonas Aminta i dinastisë së Argeadëve, Filipi, burri poligam i Olimpias, lindi rreth vitit 382 p.e.s., ai ishte themeluesi i një monarkie aq të gjerë dhe të fuqishme sa i shkatërroi ekuilibrat politikë të kohës së tij. I biri, Aleksandri, vijon autori, trashëgoi një shtet thellësisht të ripërtërirë, i cili, falë babait të tij, e kishte transformuar imazhin e Maqedonisë, duke u bërë kështu, në embrion, shteti i parë me kufij territorialë në Europë. Ekonomia e tij kishte pësuar transformim duke kaluar nga ajo e mbarështimit të gjedhit, në ekonominë e zhvilluar bujqësore. Shteti i tij i ripërtërirë, pasi kishte nënshtruar popullsitë fqinje të Ballkanit, po të flisnim në termat e sotëm, shtrihej nga Shqipëria deri në Bullgari, duke përfshirë në të rajonet mesdhetare të Ilirisë dhe Trakisë, duke u zgjeruar kështu nga brigjet e Egjeut deri në rrjedhën e poshtme të Danubit. Po cili ishte çelësi i suksesit të tij?- pyet autori. Cilat ishin kartat e lojës fituese që në fillim e bënë t’i kundërvihej greqizmit (grecita) e, më pas, … edhe mbretërisë së Persisë? (f. 29) Ai ishte bërë faktor kyç në arritjen e zgjidhjes diplomatike pas Luftës së Tretë të Shenjtë dhe kishte marrë një rol të posaçëm në hapësirëm panhelenike duke i përdorur për interesat e tij edhe Athinën edhe Spartën. Por armiqësia e tij me Athinën nuk do të fashitet kollaj. Në fushën e brendshme, thotë autori, ai ndoqi politikën e ndarjes së roleve dhe vetë mbreti ishte i pari mes të barabartëve. Ai ndau rolin e monarkut me atë të vetin. Filipi, dhe jo mbreti i Maqedonisë, mbante komandën ushtarake, që do të thotë se edhe pasardhësi i tij, Aleksandri, do të shpallej monark nga Asambleja Ushtarake e Aristokracisë. Në politikën e jashtme, ai shfrytëzoi mjetet e mëdha financiare e, sidomos, arin dhe argjendin e Pangeos në Trakë, që u bë pronë e tij pas pushtimit të saj. Këto mjete ai i përdorte pa skrupuj, thotë autori, si për të korruptuar kundërshtarët ose për të blerë partitë politike, ashtu edhe për të ndikuar në tregjet greke. Në fushën ushtarake, me një gjenalitet të pashoq, arrinte të bënte bashkë taktikën e lëvizjeve rrufe të kavalerisë me marshimet e shpejta të këmbësorisë. Në përfundim, autori hedh dritë mbi një anë pak të njohur nga ne. Forca dhe potenca e Filipit, vijon autori, rrjedhin nga dy fuqi: të qenit maqedonas dhe të qenit Filip, pra, për arsye personale. Kjo dikotomi, vijon autori, buronte nga nevoja « politike » për t’u shprovincializuar, që të futej në kulturën e e poléis, do me thënë që të pranohej plotësisht si « grek » (f. 30). Por distanca me botën e Eladhës do të mbetej e pakalueshme, sidomos me Athinën, atje ku Demozdeni, në krye të një grupi politik, ushqehej ende me fantazmat e së kaluarës, thotë autori. (f. 30). Është një histori më vete përplasja e Filipit me botën greke dhe me Athinën kryesisht, derisa ai arriti t’i nënshtrojë dhe u shpall arbitri i përgjithshëm i Lidhjes së Korinthit më 337 p.e.s. me shënimin hipokrit « Filipi dhe grekët ». Tani është padroni i Greqisë, thotë autori, dhe e shpall veten udhëheqës i panhelenizmit. Filipi, thotë autori, ashtu si Aleksandri më vonë, do të vuante nga dilema e dyfishtë dhe nga pasiguria nëse ishte përfaqësues i një botë « të vjetër » apo i një bote « të re ». Ndërsa Aleksandri kishte dilemën e thellë nëse duhet të ndihej grek apo maqedonas, ose të ndërtonte një identitet të ri që do të formohej bashkë me fitoret e tij të jashtëzakonshme. Ndërkaq, vijon autori, në vetëdijen moderne, me emrin e Filipit lidhet koncepti i Europës politike, ndërkohë që mbretëria e tij bëhet epiqendra e hapësirës ballkanike që shtrihet nga basenet e Danubit deri në brigjet e Adriatikut. Sipas Diodorit (Diodoro Siculus, shek I pas erës së re), pas këtyre fitoreve i pëlqente të thirrej « më i madhi mbret i Europës » meghistos ton epi tes Europes Basileon (f. 32). Jo rastësisht edhe vajzës së lindur nga martesa e fundit ia vuri emrin Europa. Europa ballkanike e Filipit përmblidhte Greqinë kontinentale, Maqedoninë, Thrakën dhe Ilirinë. Një rajon embrional, por tashmë mjaft më i shtrirë se ai që përmend Isokrati (Isocrate, orator athinas 436-338 p.e.s) që përfshinte vetëm Greqinë ose, më së shumti, Greqinë e Maqedoninë, por një Europë që Polibi (Polibius, historian i vjetër grek, 200 118 para erës së re), në relacionet për Filipin kujton se shtrihej pikërisht nga Adriatiku në Istro… nga luginat e Danubit deri në ishujt e Ilirisë. (f. 32).
Siç shihet, po flasim për një periudhë në të cilën edhe të parët tanë, ilirët e epirotët, ishin pjesë e një qytetërimi unikal. Jemi në kohën kur as Europa dhe as vende të tjera të zhvilluara më pas nuk ekzistonin. Europa ballkanike ishte një qytetërim që më pas do të përfshinte disa kontinente. Dhe në zemër të këtij qytetërimi ndodhej ajo, Olimpia.
GRUAJA DHE NËNA
Olimpia u bë mbretëreshë dhe u kurorëzua me martesë në kryeqytetin Pela të Maqedonisë në dimrin e vitit 357, siç shkruajnë historianët Berve (Helmut Berve, historian i antikitetit 1896-1976) dhe Hammond (N.G.L. Hammond 1907 -2001). Pas një viti ose pak më shumë se aq, ajo solli në jetë Aleksandrin, të madhin Aleksandër, një djalë, thotë autori që, nga natyra, do t’ju detyrohej shumë të dy prindërve. Nga i ati mori talentin e konkuistadorit, e atij që nuk ngopet me pushtime dhe të monarkut, nga e ëma prirjet plot dëshpërim drejt iracionales, së mbinatyrshmes dhe drejt hyjnores, thotë autori. Olimpia, që në fillim, thotë autori, shfaqi personalitetin e saj të fortë, natyrën ekskluziviste, intolerancën ndaj konvencioneve të mjedisit maqedonas dhe këmbënguljen për të ndjekur besimet e saj, që kishin natyrë feministe. E lindur për të qenë e lirë, shfaqja e dukshme e një zelli fetar krejtësisht femëror, e bënë atë që në fillim një natyrë rebele. (f. 33) Nëse Filipi, thotë autori, ia toleronte sjelljet e saj të veçanta, këtë e bënte jo vetëm sepse edhe ai, ashtu si të tjerët, i çmonte hiret e saj dhe inteligjencien, por edhe pse ajo ishte nëna e trashëgimtarit të destinuar për ta zëvendësuar atë. Lind kështu në vitin 356 Aleksandri. Siç e përmendëm më lart, po atë ditë, Filipi thyen Ilirët dhe fiton garën me kuaj, apo Olimpiadën, dhe që nga ai moment gruaja që lindi Aleksandrin, me vullnetin e tij do të quhej Olimpia, në nder të vendit të shenjtë grek. Pak më vonë do të lindë edhe një vajzë që do të quhet Kleopatra, e destinuar në një të ardhme të shpejtë që të bëhej mbretëresha e Epirit. Pavarësisht kësaj, marrëdhëniet e saj me Filipin mbeten të pasigurta, me hije dhe të njollosura në marrëdhëniet intime prej arratisjeve nga shtëpia e rikthimeve. Ndërkohë, me të birin ajo kishte një lidhje afektive të rrallë. Prej kësaj lidhjeje, Aleksandri, thotë autori, mori tërheqjen e thellë pasionale ndaj spiritualitetit, tensionin mistik, dimensionin romantik, pakujdesinë ndaj sfidës transgresive dhe ankthin e pashuar për të shtyrë veten përtej kufijve. (f. 34) Po ku i mbështet të gjitha këto autori? Ai na bën me dije se të gjitha këto gjenden në letërkëmbimin mes tyre, që nuk ndërpritet asnjëherë. Do të ishte me rëndësi të njihej ky letërkëmbim edhe nga ne më gjerësisht. Por le të vazhdojmë më tej. Olimpia, thotë autori, kur Aleksandri niset për pushtimet e mëdha, do ta mbrojë me thonj trashëgiminë e tij, « con furia ossesiva » thotë autori, (f. 34). Pastaj, kur Aleksandri vdes, ajo bëhet një luaneshë e vërtetë dhe përdor të gjitha mjetet, edhe gjakderdhjen për të siguruar që trashëgimtarët e Aleksandrit të gëzojnë mbretërinë. A do t’ia arrijë ? Të shohim.
Përmendëm pak më lart se Olimpia ishte e lidhur me të mbinatyrshmen, me botën hyjnore. Tradita, thotë autori, e lidh edhe lindjen e Alaksandrit me këto prirje të së ëmës. Pak para dasmës së saj, një rrufe e fuqishme goditi barkun e saj dhe la në të një vulë me shëmbëlltyrën e një luani, që nënkuptonte kështu madhështinë e fëmijës që do të lindte. Por ngjarja u bë edhe më e mbinatyrshme, sepse në momentin e ngjizjes aty ishte shfaqur edhe një Perëndi në formën e gjarprit, që e pushtoi Olimpian. Këto rrëfime legjendare janë treguar nga Plutarku dhe jehonin në të gjithë traditën perëndimore e lindore. Ja si shkruan ai:
« Natën para dasmës, vajzës iu fanit sikur një vetëtimë e madhe e goditi në bark dhe nga plaga doli një zjarr i madh…pastaj një si njollë u vendos në barkun e saj- ishte shëmbëlltyra e një luani. Fallxhoret i kushtuan pak vëmendje gruas, por e lajmëruan Filipin ta kishte kujdes. Aristandri i Telmeseut tha se gruaja ishte shtatzënë, sepse nuk ka njollë të shtypur në diçka që është bosh… ishte shtatzënë me një djalë të gjallë me natyrën e luanit. Një herë tjetër, një gjarpër u pa i shtrirë në shtratin e Olimpias » (f. 34)
Sipas historisë tradicionale, legjenda u shpjegua kështu: lindja e Aleksandrit ishte e mbinatyrshme. Vetëtima sjell në mënyrë të plotë personalitetin hyjnor të Zeusit, flaka që rrjedh prej saj dhe që shpërndahet në të gjitha drejtimet, parathotë pushtimet dhe fitoret universale të Aleksandrit. Njolla e luanit mbi barkun e Olimpias parathotë se ai vetë është një luan gjysmë maqedonas dhe gjysmë epirot. Giuliano, historian romak që e kemi përmendur, vëren se, atë ditë, dy shqiponja qëndruan në banesën ku po lindte Olimpia, gjithë ditën pa lëvizur duke parathënë, kështu, dominimin e dyfishtë mbi Europën dhe Azinë. (f. 35). Simbolikës së vetëtimës dhe të shqiponjës që të çojnë të dyja te Zeusi, thotë autori, i shtohet edhe një tjetër që na çon te Dionisi. Mbreti i perëndive, Zeusi, vijon autori, do ta zotërojë Olimpian të shtrirë në ije pranë tij, por ai do të jetë i shndërruar në një gjarpër, domethënë në një reptil nga ata që përzgjidhte Olimpia dhe që i kushtoheshin Perëndisë së trasgresionit, Dionisit, në festat e të cilit ajo ishte e përfshirë me gjithë shpirt. Dionisit edhe Aleksandri do t’ia rrëmbejë imazhin duke u përfshirë në bëmat për nder të tij, atëherë kur në marshimin triumfal drejt kontinentit indian do të ndërtojë skena magjike që njihen si bakike (për nder të Perëndisë së Bachu-t romak, i njëjtë me Dionisin grek, që në mitologjinë greko-romake shenjon jo thjesht perëndinë e verës e të gëzimit, por atë që e bën njeriun t’u dorëzohet instikteve dhe jo arsyes- I.Y.)
Natyrisht, legjendat mbeten legjenda, thotë autori, por Olimpia, siç e kemi përmendur, kishte një pasion e njohje rituale të veçantë me gjarpërinjtë në festat dioniziake dhe që kishin të bënin me raportin e saj me hyjnitë dhe pasionin për të zbutur gjarpërinj të mëdhenj e për t’i mbajtur në shtëpi. Kjo nuk është legjendë. Në « Romanzo di Alessandro » ( vepër e ndërtuar me legjenda dhe rrëfime për Aleksandrin e madh- I.Y.), flitet edhe për një perëndi të shfaqur në formën e gjarprit, gjatë një banketi në oborrin mbretëror të Maqedonisë, që e puthi në publik Olimpian: « të ftuarit e mbretit, sapo e panë gjarprin, brofën në këmbë dhe i kapi terrori, ndërsa Olimpia, që kishte njohur në atë gjarpër të dashurin e saj, i zgjati dorën, ai u ngrit, rrëshqiti në gjunjët e mbretëreshës, pastaj nxori gjuhën e vet të dyfishtë dhe e puthi atë. » (f. 35)
Legjenda ndërtohet nganjëherë edhe mbi fakte të vërteta.Fjala vjen, dihet që Filipi humbi njërin sy në një nga betejat e tij, por sipas Plutarkut, ai me këtë sy kishte përgjuar të shoqen kur gjarpri hyjnor, pas të cilit fshihej Zeus Amon-i, bënte dashuri më të shoqen. Kjo anekdotë historike lindi pas dy ngjarjesh, e para pas humbjes së njërit sy të Filipit në një betejë dhe sidomos pas vizitës që bëri Aleksandri, i biri, në vendin e shenjtë të Zeus Amon-it në oazet e Siuasë ( Oazi i Siua-së në Egjipt është i famshëm për lidhjen me orakullin e Amonit të cilin grekët e lashtë e përqasnin me Zeusin duke krijuar edhe hyjninë Zeus Ammon- I.Y.), atje ku priftërinjtë i përmendnin atij origjinën hyjnore. Më tej, edhe sipas autorëve të tjerë që citon Braçezi si M. Centanni (« Il romanzo di Alessandro » 1991, Enaudi, M. Mari 2002), Olimpia i kërkon të birit që të bëjë kujdes dhe të mos përflasë lart e poshtë prjeardhjen e tij hyjnore nga Zeusi se do të ngjallë xhelozinë e Herës. Ja si shkruan Plutarku:
« Sa i takon Olimpias, sipas Eratostenit, duke e përshëndetur të birin që po nisej në ekspeditën e madhe, ajo i zbuloi sekretin kyç të lindjes së tij dhe e nxiti të bënte plane të denja për pozitën e tij. Por të tjerë thonë se ajo e hodhi poshtë këtë dhe tha: Aleksandri duhet të ndalojë së shpifuri për mua para Herës ». (f. 36) Siç shihet, vëren autori, jemi përballë dy natyrave: nga njëra anë Olimpia që i zbulon misterin e ngjizjes hyjnore të birit për t’i nxitur atij krenarinë në aventurën e madhe që do të ndërmarrë dhe, nga ana tjetër, Olimpian që tallet me fjalët se ajo mund të ketë fjetur me një Perëndi. E para lidhet me dëshminë e Eratostenit, bibliotekari i ditur i Aleksandrisë, e dyta lidhet me fjalët e oborrit, pra me një dëshmi historike të nivelit të ulët dhe mund të jetë frut i fantazive të sallonit. Sido që të jetë, ajo tregon një anë tjetër të karakterit të Olimpias, atë autoironik që, në errësirën me të cilën është mbështjellë figura e saj, sido të jetë, është një njollëz e vogël që hedh dritë mbi shpirtin e saj gati për « batutë ». (F. 36)
BASHKIMI MARTESOR
Po si ishte marrëdhënia martesore e Olimpias me Filipin? Duhet të mbajmë në vështrim, thotë autori, dyzimin ose dyanësinë- shtratin martesor dhe rutinën e përditshmërisë, pra, shtrati dhe mirëkuptimi, me një respekt të ndërsjellë vetjak, intelektual e politik. Tradita e paraqet Olimpian një femër të dëlirë që nuk praktikonte aktin seksual-casta, thotë autori, por kolerike dhe rebele. Dhe në fakt e tillë ishte, megjithëse shkrimtarët antikë e mbajnë të tillë për shkak se ajo ishte nëna e Aleksandirt dhe e veshur me petkat e rolit të « Madonës » – mbrojtëse ose hakmarrëse sipas Macurdy-t (Grace Harriet Macurdy 1866-1946). Sipas legjendës, prania e gjarprit – Perëndi në shtratin e saj, sipas Plutarkut, është plot me hollësi. « Njëherë tjetër ishte parë një gjarpër shtrirë dhe duke fjetur në krah të Olimpias. Pas kësaj, dëshira e Filipit për të ishte zbehur dhe ai nuk shkonte më në shtratin e saj ose pse kishte frikë nga magjitë dhe bimët e magjishme të së shoqes, ose pse besonte se, meqë ajo bashkëjetonte me një qenie superiore, ai nuk donte të kishte raporte seksuale me të. » (f. 37) Këtu, thotë autori, është interesante të shihet se si përzihen rrëfimet legjendare me të dhënat historike. pasioni i saj për gjarpërinjtë dhe aftësia për t’i zbutur ata dhe për t’i mbajtur në shtëpi si kafshët e tjera shtëpiake, është një e dhënë e vërtetë që njihet si e tillë. Po çfarë mund të themi për anën seksuale të Olimpias, pyet autori. Të dhënat që kemi deri tani, nuk janë të plota. Nga njëra anë fama e saj si grua e dëlirë dhe pa dëshirë për raport seksual, nga ana tjetër, mungesa e thashethemeve edhe nga ana më e zhurmshme e kohës për raporte me të tjerë dashnorë apo për martesë tjetër gjatë periudhës së gjatë si e ve, gati njëzet vjet, e bëjnë atë një personazh misterioz. Por Plutarku, thotë autori, vëren se ajo gjithë duke qenë ndjekëse e riteve të Bakut « mbante në thasë të mëdhenj të lidhur me lule gjarpërinj shtëpiakë që tërhiqnin meshkujt. I përkiste, vijon Plutarku, që, në rininë e parë, si për dëshirën e saj ashtu edhe për shpirtin rebel, grupit të femrave rebele që sot mund t’i quajmë shoqata feministe. Festat bakante ishin seksualisht të shfrenuara, ndërsa menadet e festave orfeike ishin vetëm me pjesëmarrje femrash, gjë që mund ta na bëjë të mendojmë, thotë autori, që Olimpia mund të ketë pasur tërheqje për seksin femër. Kjo shtyhet më tej nga Plutarku, i cili thotë se në dy raste mbretëresha kishte treguar tërheqje për vajzat e reja. Rasti i parë lidhet me Filipin, i cili kishte sjellë në oborrin e tij në Pela njërën nga dy konkubinat thesaljote, duke thënë se kishte rënë në magjinë e saj dhe për këtë bënte fajtore Olimpian, e cila njihej për përdorimin e magjive me anët të barërave « farmakon ». Olimpia shumë shpejt e nënshtroi vajzën që kishte ardhur aty dhe i thotë të shoqit që ai mund të kishte rënë pre jo e magjisë së saj, por e bukurisë së konkubinës, e cila, me tiparet që kishte, ishte si një drogë për të, sepse edhe Olimpia vetë kishte mbetur e magjepsur prej bukurisë së saj. Rasti i dytë kur Olimpia tregon interes për bukurinë femërore, ndodhi kur një i ri nga oborri u martua me një vajzë vërtet shumë të bukur, por me nam jo të mirë. « Ky qenka teveqel, tha Olimpia, ndryshe nuk do të ishte martuar me sy », pra i riu ishte dhënë vetëm pas anës së jashtme, ishte martuar pa u kushtuar vëmendje anëve të tjera të martesës.(f. 40) Natyrisht, këto dy anekdota historike nuk janë ndonjë gjë e madhe për të përcaktuar tipin e mbretëreshës sonë, por ato mjaftojnë që të besojmë se ajo nuk ishte e pandjeshme nga nuri i femrës së bukur (dhe tërheqja ?), pyet autori duke e vënë në kllapa këtë hipotezë(f. 40). Folëm deri këtu, thotë autori, për dy bashkëshortë të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar edhe atë ndihmesë që sjell narrativa e ndërtuar përmes legjendave, por duhet të shtojmë se përtej raportit të kompromentuar të çiftit, për gati njëzet vjet, jo të pakta ishin bashkëpërkimet ekzistenciale mes Olimpias dhe Filipit sa i takon zgjedhjeve për edukimin, politikën dhe dinastinë.
(vijon)
(c) 2026 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Braccesi (1941-2025) është historian dhe eseist. Ai ka qenë profesor i rregullt i Historisë Greke në universitetet e Torinos, Venecias dhe Padovës. Mes më shumë se njëqind veprave ka botuar edhe « Livia » (2016), « Zenobia: Mbretëresha e Fundit e Lindjes » « Rrethimi i Palmirës dhe Konflikti me Romën* (2017) dhe « Olimpia: Mbretëresha e Maqedonisë – Nëna e Aleksandrit të Madh » (2019) me shtëpinë botuese Salerno Editrice. Libri i tij më i fundit është « Po vijnë barbarët: Luftërat Persiane midis Poezisë dhe Kujtesës » (Romë-Bari, 2020).
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.