Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Histori / Totalitarizëm

TESTAMENTE TROCKISTE

Pjesa e shtatë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

E kam përmendur tashmë testamentin e Leninit[1], një dokument që besohet se pat diktuar Lenini dikur midis fundit të vitit 1922 dhe fillimit të vitit 1923, në periudhën kur ishte duke kaluar një varg goditjesh në tru, prej të cilave edhe do të vdiste një vit më pas. Kjo nëpërmjet dokumentesh të diktuara, ishte metoda kryesore me të cilën lideri bolshevik komunikonte me udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit, në atë periudhë lëngimesh. Në mungesë të Leninit, Stalini kish filluar ta konsolidonte pushtetin e vet, duke emëruar njerëzit e vet në postet kyç dhe duke u vetë-promovuar si bashkëpunëtori më i afërt i Leninit dhe pasardhësi i tij i destinuar. Në “testament”, Lenini e kritikonte ashpër Stalinin, si të rrezikshëm për Partinë, nëse dilte në krye të punëve. Ai sugjeronte që Komiteti Qendror të gjente një mënyrë për ta larguar Stalinin nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Partisë dhe për ta zëvendësuar me dikë më besnik, më të sjellshëm dhe të respektueshëm me kolegët. Megjithatë, Lenini druhej se, pas vdekjes së tij, përplasja mes dy egove të forta, Stalinit dhe Trockit, do ta përçante Partinë.

Lenini ia diktoi këtë letër sekretares së vet, Lidia Fotijeva, që ajo të lexohej në Kongresin e 12-të të PKBS, në prill të vitit 2023, por pas goditjes së tij të tretë, në mars të atij viti, e shoqja Krupskaja vendosi ta mbajë sekret, derisa i shoqi të merrte veten. Vetëm pas vdekjes së Leninit, në janar të vitit 1924, dokumenti u vu në dispozicion të sekretariatit të Komitetit Qendror, por filloi të qarkullonte – për përdorim të brendshëm – vetëm në dhjetor të vitit 1927. Kërkesat për ta bërë dokumentin publik u kundërshtuan me argumentin se ashtu do të dëmtohej uniteti në Parti; në fakt, ka historianë që mendojnë se, po të bëhej më i njohur “testamenti”, Trocki mund ta kish rrëzuar Stalinin dhe të kish dalë ai vetë në krye të Partisë. Gjithsesi, dokumenti nuk u shpërnda as brenda në Parti, dhe nuk u botua veçse në 1956, pas vdekjes së Stalinit dhe fjalimit të Hrushovit në Kongresin XX të PKBS.

Brezi im, në Shqipërinë e viteve 1960-1970, nuk dinte pothuajse asgjë për Trockin, përveçse që ky ishte armik i rrezikshëm i bolshevizmit dhe tradhtar i leninizmit; për rolin e tij udhëheqës në revolucionin e Tetorit dhe më pas, në fillimet e pushtetit sovjetik në Moskë, nuk kishim dëgjuar. Edhe pse Enveri vetë do ta përmendte herë pas here Trockin, në fjalimet e veta, si mishërimin e së keqes të pathënshme a kundërfigurën e djallit brenda lëvizjes komuniste botërore, asgjë nuk na shpjegohej për qëndrimet e tij dhe, eventualisht, për tradhtitë e tij; praktikisht, “trockiste” ishte gjithçka që PPSH-ja dhe Enveri vetë e vinin në shënjestër të luftës së tyre ideologjike, dhe jo vetëm – termi i përshtatej këtij përdorimi, sepse ishte i zbrazur nga kuptimi. Edhe paraqitja tingullore ndihmonte, me bashkëtingëlloret t-r-c-k që përcillnin efektin e një gërvishtjeje në ferrë. Duke iu kundërvënë “trockizmit” të vet kaq fluid, Enveri njëherazi përfitonte duke ia faturuar këtij deviacioni demoniak të gjitha të këqijat, të cilat ia atribuonin ideologjisë komuniste publicistët dhe politikanët e kohës, nga metodat sektare dhe përqafimi i metodave të dhunshme, tek amoraliteti dhe djallëzia e zyrtarizuar në marrëdhënie me të tretët.

Në vitet 1960 edhe intermexon de-stalinizuese në Shqipërinë e viteve 1950 filloi ta mbulojë heshtja, teksa regjimi po kultivonte një idil me Partinë Komuniste Kineze dhe i kish hyrë një fushate të shumanshme për “revolucionarizimin e jetës së vendit”, nën ndikimin edhe të revolucionit kulturor të Maos. Edhe pse në janar të vitit 1968 u hoq statuja e Stalinit, në sheshin Skënderbej, për t’u çuar në bulevardin e madh përballë statujës së Leninit, teksa ia lëshoi vendin Skënderbeut ekuestër, kulti i Stalinit do të mbeste i paprekur edhe për më shumë se 20 vjet të tjerë, duke i mbijetuar edhe Enverit vetë.

Me ndonjë përjashtim të padukshëm. Dikur në fund të viteve 1950, regjimi kish porositur dhe prodhuar – në mos gaboj në Gjermaninë Lindore – një botim luksoz të veprave të zgjedhura të Leninit në dy vëllime, të cilin nuk mbeti funksionar, intelektual dhe aparatçik në Tiranë pa e blerë, për ta ekspozuar në bibliotekë. Në krahasim me këto dy vëllime, veprat e Leninit dhe të Stalinit të shtypura në Shqipëri në shtypshkronja sovjetike, dukeshin si plaçkë lufte; edhe era që vinin ishte e përbuzshme.

Tani, Leninin vërtet e kishim të gjithë në biblioteka, por nuk e lexonte kush. Prandaj vetëm fare rastësisht do të zbuloja, duke shfletuar vëllimin e dytë, versionin shqip të “testamentit”, ku njëri nga katër klasikët, nga piedestali në bulevard, i vërsulej tjetrit me kritikë shfarosëse. Dokumenti më goditi si purtekë hekuri. Në atë kohë nuk e kisha ditur që Lenini, gjatë vitit të fundit të jetës, kish zënë shtratin dhe e kish udhëhequr shtetin e vet me fermane të diktuara (një formë gjenuine e “diktatit”); siç nuk e kisha ditur që Trocki kish qenë aq i afërt me të dhe që Stalini mund të kritikohej aq haptazi dhe vrazhdë. Siç nuk e kisha pritur që këtë informacion e kisha pasur gjithë kohën në shtëpi, te një libër i adhuruar i një lideri të adhuruar – shkruar të zezë mbi të bardhë. Renda që t’ia tregoj tim eti, sepse ishte i vetmi njeri që mund t’ia besoja zbulimin; mbaj mend që im atë nuk reagoi sa duhet, por vetëm tundi kokën, si për të dhënë “pa shiko, pa shiko!”; me siguri kish dëgjuar për testamentin e Leninit edhe më parë, por e kish urdhëruar veten që të harronte, dhe tani nuk ishte gati për t’ia rihapur dyert këtij informacioni. Nga ana tjetër, nuk është se po i tregoja ndonjë faqe gazete të ardhur nga Europa a të një libri të ndaluar; veprat e Leninit ishin libra në themel të ideologjisë sunduese në Shqipëri. Prandaj sikur preferoi që ta merrte atë informacion prej meje, ta linte në një raft të përkohshëm me premtimin për t’iu kthyer më pas, dhe përndryshe për të mos i dhënë rëndësi. Pa shiko, pa shiko! Nuk di sa e kishte të mundur që të pranonte në mendjen e vet si të vërteta, njëherazi, ikonografinë e “vëllezërve” Lenin-Stalin dhe konfliktin që rridhte nga “testamenti”.

Edhe ky dokument ishte një artifakt kundërfaktual, i katapultuar nga një univers paralel, ku Trocki ishte lider i revolucionit rus, Lenini aleat dhe ndoshta miku i tij, dhe Stalini në konflikt me të dy, duke pritur vdekjen e njërit, që ta groposte edhe tjetrin në të njëjtin varr. Artifakte të tilla kishin aftësinë të përftonin tek unë një ndjenjë derealizimi, duke më bërë të dyshoja për realitetin. Natyrisht, nuk më shkonte mendja – në atë periudhë – që vetë funksioni i supozuar i këtij “testamenti”, ose ftesa për ta larguar Stalinin nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Partisë, dëshmonte për klimën konspirative në gjirin e PKBS-së dhe, me gjasë, edhe asaj “tonës”. Atë klimë ku fjala e një lideri historik, por gjysmë të dambllosur, kish fuqi të tillë, sa të anulonte ambiciet e një njeriu aq të fuqishëm, sa Stalini, për të promovuar ambiciet e rivalit të këtij të fundit, Trockit. Vetë emri informal i dokumentit, “testamenti”, të ftonte ta përfytyroje partinë bolshevike, por edhe krejt shtetin e parë socialist të botës, si pronë të liderit të saj. Nëse është kështu, qëndrimi relativisht mospërfillës i Stalinit, ndaj kësaj intrige korridoresh, mund të konsiderohet gati i arsyeshëm dhe modern.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Të dhënat për testamentin e Leninit janë të mirënjohura dhe gjenden në një numër të madh historish të Bashkimit Sovjetik dhe biografish të Stalinit. Këtu po i përmbahem artikullit Lenin’s Testament, në Wikipedia.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading