Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

HISTORIA ALTERNATIVE E SOCIALIZMIT NË SHQIPËRI

Pjesa e gjashtë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Meqë prishja e madhe me sovjetikët kish filluar me rezistencën e Enverit ndaj presionit sovjetik për de-stalinizim, atëherë moment kyç i këtij divorci do të ketë qenë Fjalimi i Enver Hoxhës në Kongresin III të PPSh-së, në maj të vitit 1956, ose vetëm dy muaj pas Kongresit XX dhe Fjalimit sekret të Stalinit. Enveri kish qenë i ftuar në Moskë dhe e kish dëgjuar këtë fjalim drejtpërdrejt nga goja e Hrushovit – ishte hera e parë që Stalini goditej haptazi dhe rëndë nga pasardhësi i tij, në zemër të Perandorisë Komuniste. Me atë rast, u vu për herë të parë në dispozicion të publikut i ashtuquajturi “Testament i Leninit”, një dokument që deri atëherë kish mbetur për përdorim të brendshëm dhe ku, me gjasë, Lenini kish porositur Partinë, pak para se të vdiste, që të mos lejohej Stalini që të dilte i vetëm në krye të Partisë, për një varg arsyesh të shtjelluara.

Ky fjalim i Hoxhës ka qenë në dispozicion të lexuesit të paktën në botimin tek Enver Hoxha, Vepra 13 (Tiranë 1973); por me siguri ka pasur edhe botime më të hershme. Teksti i Historisë së PPSH-së e dënon haptazi kthesën e ndërmarrë nga “grupi i Hrushovit” dhe “sulmin kundër vijës së përgjithshme marksiste-leniniste që kishte ndjekur PKBS nën udhëheqjen e J. Stalinit”; kthesë e cila njëherazi implikonte edhe zbutjen e qëndrimeve ndaj imperializmit amerikan dhe rehabilitimin e Jugosllavisë së Titos. Gjithnjë sipas këtij teksti kanonik, elementët antiparti në Tiranë, të frymëzuar nga kongresi në Moskë, shfrytëzuan Konferencën e Partisë të Qytetit të Tiranës, që u mbajt në prill të vitit 1956, për të filluar sulmin kundër vijës dhe udhëheqjes së Partisë, sulm që nuk pati sukses, falë vigjilencës së Enverit. Një muaj më pas, Kongresi III i PPSH-së nuk u pajtua as me frymën, as me orientimet politike të Kongresit XX të PKBS, por “megjithatë… nuk i dënoi hapur tezat antimarksiste [të atij kongresi]”… sepse PPSH “nuk mund të shprehtë botërisht në Kongresin e saj kundërshtimet dhe rezervat që kishte… për arsye se një veprim i tillë do të ishte në atë kohë vetëm në dobi të armiqve të komunizmit, të cilët kishin shpërthyer një sulm të tërbuar kundër Bashkimit Sovjetik dhe unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare…”

Kjo ishte historia që unë dija. Pastaj ndodhi që, për rrethana krejt pa lidhje, të më binte në dorë – dikur në vitin 1975 – një artifakt që njëfarësoj më bëri të dyshoj në gjithçka që thuhej e shkruhej në dokumentet historike të PPSH-së: origjinali i Fjalimit të Enverit në Kongresin III të PPSH-së, botuar në vitin 1956, që kish mbijetuar në një cep të bibliotekës së Tetës, me siguri i palexuar kurrë. Një kuriozitet djallëzor më bëri që ta hapja e ta shfletoja; derisa mbërrita në faqet ku Enveri thoshte gjëra të tjera, nga ato që ia kisha lexuar gjetiu; dhe në thelb pajtohej me vijën e re politike dhe ideologjike, të shpallur nga Hrushovi dy muaj më parë, përfshi këtu dënimin e Stalinit, nevojën për bashkekzistencë paqësore me Perëndimin dhe gatishmërinë për rehabilitimin e Titos. Për mua, në atë kohë, ai tekst pati efektin e një zbulese. Edhe pse nuk kisha ndonjë besim të madh te kauza e Enverit dhe e PPSH-së, nuk kisha dyshuar kurrë, megjithatë, nëse historia që kish sjellë në të sotmen ish rrëfyer apo jo saktë. Por tani ndodhesha përballë dy rrëfimeve të ndryshme, ndonjëherë të kundërta, të cilat njëherazi më lejonin të mendoj se edhe shumë ngjarje të tjera kyçe, produkt i të cilave ishte realiteti aktual, mund të ekzistonin në rrëfime paralele, të prodhuara ad hoc. Nëse nuk më tradhton kujtesa, në atë fjalim Enveri jo vetëm denonconte gabimet e Stalinit, por edhe pranonte gabime të rënda në vijën e PPSH-së dhe në trajtimin e kundërshtarëve ideologjikë, të jashtëm si Titoja dhe të brendshëm, si Koçi Xoxe. Nëse ky Enver i mundshëm më konfirmohej tani nga vetë ekzistenca e librit, si artifakt i një universi paralel, atëherë edhe Enveri i tanishëm, që sapo kish nisur spastrime të mëdha në kuadrot drejtuese dhe në popull, mund të ishte njëlloj aq i mundshëm. Kontakti im me librin shënoi edhe momentin kur monoliti i historisë u shkërmoq para meje, si të ishte prej rëre.

Rrëfeva se, në shtëpinë time, jetoja i rrethuar nga cirilica; por pamundësia ime për të komunikuar me to, ose për t’i kthyer gurët e mureve në fjalë, ishte efekt i ca gjërave të mëdha, që kishin ndodhur në Shqipëri pas vitit 1945 – më parë afrimi i Enverit me Titon dhe Jugosllavinë, pastaj prishja e Titos me Stalinin dhe rreshtimi befasues i Enverit me këtë të fundit. Pasoi më shumë se një dekadë mjalti mes Moskës dhe Tiranës, e cila rezultoi, mes të tjerash, në ngritjen e statujës së Stalinit në qendër të Tiranës dhe në dërgimin e mijëra të rinjve nga Shqipëria, mes të cilëve edhe im atë nga Gjirokastra, për të studiuar në universitetet sovjetike dhe në vendet e tjera të Lindjes. Moska kish një projekt afatgjatë miqësie, bashkëpunimi dhe mbase edhe “kolonizimi” me Shqipërinë, të cilit filluan t’i merren këmbët pas vdekjes së Stalinit dhe denoncimit të kultit të Stalinit nga Hrushovi [1], në Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në 14-25 shkurt të vitit 1956; çfarë shënoi edhe fillimin e procesit të de-stalinizimit në Bashkimin Sovjetik dhe, dora-dorës, edhe në vendet e tjera të ombrellës sovjetike, përfshi edhe Shqipërinë. Sipas versionit zyrtar të historisë, të konsakruar në Historinë e PPSH, në veprat e plota të Enverit dhe në tekstet tona shkollore, Enveri nuk kish pranuar që ta denonconte Stalinin dhe stalinizmin dhe as këshillën “atërore” të Hrushovit për t’u pajtuar me Titon; dhe kjo ishte bërë shkas për ftohjen e marrëdhënieve mes dy partive dhe pastaj mes dy vendeve, për t’u kurorëzuar me Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, ku Enveri e sulmoi haptazi Hrushovin; dhe për t’u ndjekur pastaj me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, ndërprerjen e ndihmës ekonomike nga vendet e lindjes dhe, dulcis in fundo, daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, pas ndërhyrjes sovjetike në Çekosllovaki, në gusht të vitit 1968.

Kjo ishte historia që kish sjellë në të sotmen, timen dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë; edhe pse sot mund të them se kjo ish historia që përligjte, post factum, realitetin shqiptar të atyre kohëve. Në vitet 1960 unë isha vërtet i mitur, por tregoja ndjeshmëri të madhe ndaj kritikave të gjithanshme, në shtyp, kundër Hrushovit, klikës së tij, revizionizmit sovjetik, lakejve të Hrushovit në vende të tjera të Europës lindore, Titos e kështu me radhë. Për shkak të karakteristikave fizike – i shkurtër, i shëndoshë dhe krejt tullac – Hrushovi ishte modeli i preferuar i karikaturistëve të Tiranës. Edhe pse e humbi pushtetin në vjeshtë të vitit 1964, në mendjen time prej fëmije ai mbetej demoni në krye të së keqes që i kërcënohej Shqipërisë.

Në atë kohë ende nuk ish futur në jetën tonë televizioni, me të mirat dhe të këqijat e veta; Hrushovi ishte para së gjithash një emër i pazakonshëm (të cilin gjithnjë e shqiptonim Krushovi), tamam emër demoni, që u bashkëlidhej si etiketë gjithë të këqijave të botës përtej; dhe veçanërisht revizionizmit, i cili duhej përfytyruar si një lloj katastrofe që, në përfytyrimin tim prej fëmije, i zëvendësonte të mirët me të pamirët dhe vlerat me antivlerat. Nuk e kuptoja mirë se ç’ishte pikërisht revizionizmi, por dija që duhej mbajtur larg, sepse askush nuk ishte imun ndaj tij. Në fakt, faqja e 4-t e gazetës “Zëri i Popullit” kish diçka të përbashkët me përrallat dhe legjendat që kalamajve si unë u pëlqenin aq shumë: në të dyja herët, flitej për një botë tërheqëse por të paarritshme, madje të pavizitueshme; një botë ku ti nuk mund të shkoje dot, por që – mjafton të ulje për një çast vigjilencën revolucionare – mund të vinte ajo tek ti dhe të të shkelte me çizmen shollë-rëndë. Teksa ne në Tiranë bëheshim gati për t’u mbrojtur ndaj një sulmi prej forcave të Traktatit të Varshavës dhe testonim gatishmërinë për të mbyllur dritaret me perde që të mos dukeshin dritat natën dhe për të shkuar në strehimet kundërajrore, gjenim kohë edhe për të zbrazur indinjatën tonë revolucionare ndaj liderëve minorë, si çekosllovaku Dubçek, me një emër që tingëllonte si predestinim për tradhti.

Pak a shumë në po atë periudhë, kur po zbraznim shtëpinë e gjyshes në mes të viteve 1970, më ra në dorë një artifakt tjetër paralel – edhe më tronditës se Raporti në Kongresin III: një album fotografik luksoz, edhe ky i strukur në nuk di ç’skutë të bibliotekës së vjetër të Tetës, që ilustronte vizitën madhështore të Hrushovit në Shqipëri… në vitin 1959, në shoqërinë gazmore dhe dhëmbëjashtë të Enverit, Mehmetit dhe dinjitarëve të tjerë të lartë të Partisë dhe të shtetit. Ky ishte i njëjti Hrushov i qesëndive dhe i karikaturave të panumërta te revistat “Ylli” e “Hosteni” dhe në organe të tjera të propagandës, armiku i madh i shqiptarëve, i nëmur çdo dy-tre ditë në editorialët kumbues të “Zërit të Popullit”, njeriu që e kish për profession de foi t’u binte në gjunjë edhe imperialistëve amerikanë edhe Titos, sikundër edhe njeriu që kish dashur t’i vdiste shqiptarët për bukë, siç e dëshmonte Fjalimi i madh i Enverit në mbledhjen e 81 partive në Moskë në vitin 1960, i botuar pastaj në Veprën 19 të cilën gati sa nuk e mësuam përmendësh gjatë leximeve të shumta në kolektiv; por siç e dëshmonte edhe Ismail Kadareja, në romanin Dimri i vetmisë së madhe, të cilin e kishim përpirë të gjithë me një frymë, në vitet 1972-1973. I njëjti Hrushov, por këtë herë rrumbullak dhe plastik, si top gome, duke u hedhur nga një gur në tjetrin e nga një shkallë e teatrit të Butrintit në tjetrën, veshur me kostum të bardhë pothuajse kolonial, duke qëmtuar me kuriozitet të shtirë, prej llogaritari kolkozi, rrënojat arkeologjike të Apollonisë dhe të Butrintit.

Enveri ynë aq i dëlirë i fjalimeve të “Zërit të Popullit”, krah më krah dhe përqafuar me krye-armikun, bajlozin e bardhë, Hrushovin vetë: të dy të lumtur dhe të nginjur, me sytë që u shndrisnin si gastare. Deri atëherë unë nuk e kisha ditur fare që Hrushovi e paskësh vizituar Shqipërinë – edhe pse diçka duhej të kisha kuptuar nga epiteti “tradhtar” që kundër tij përdorej pa kursim: tek e fundit, ai që ka tradhtuar, nuk ka qenë tradhtar para se të tradhtonte, por është bërë më pas, njëlloj si Hamzai i Skënderbeut. Mirëpo nuk isha në gjendje të arsyetoja hollë, dhe aq më pak në rrethanat kur sapo më ish shembur bota përreth, ose bindja se kjo botë mbështetej mbi kolona betonarmeje, të palëvizshme, të patundura: vizioni im i deri-atëhershëm bardhezi dha shpirt dhe u përtha para fotove bardhezi të këtij albumi të rikuperuar nga “e përtejmja”. Vite më vonë, shumë më vonë, kur të lexoja Time Out of Joint të Philip K. Dick, do të kujtoja se, njëlloj si personazhi i atij romani, edhe unë kisha kaluar një krizë derealizimi, duke përjetuar këtë relativizim menjëhershëm të botës rreth meje dhe të heronjve të saj, të argalisur mu si aktorët në skenën e teatrit, pasi mbaron shfaqja, dhe zënë të përqafohen me afsh: Othelloja me Jagon, Makbethi me Makdafin! Prindërit dhe të tjerët që m’u ndodhën pranë në ato momente të rënda, gjithë duke kafshuar buzën, dhanë e morën të më shpjegojnë se Hrushovi dikur – shumë kohë më parë, madje para edhe se të lindja unë (ja një rrethanë tejet lehtësuese) – hiqej si miku i madh i Shqipërisë dhe ne i kishim besuar, sepse ashtu i besonim Bashkimit Sovjetik, të Leninit dhe të Stalinit; dhe ashtu edhe e kishim pritur mysafir në Shqipëri, me mikpritjen tonë tradicionale, pa e ditur se ai nuk na e kish me të drejtë, por kërkonte të na mashtronte dhe të na ngulte pastaj thikën pas shpine. Ai album, që unë tani kisha zbuluar aksidentalisht dhe nuk mund ta ç-zbuloja më, ishte provë se jo gjithnjë mundemi ta dallojmë të keqen, dhe se shpesh e keqja maskohet si e mirë për të na joshur në çark dhe në kurth, njëlloj si ai ujku i përrallës që vishet me lëkurë qingji; çfarë edhe i shkonte Hrushovit të albumit në fakt, sepse ai në ngjyrë qingji kish jo vetëm kostumin prej liri të zhubrosur shkujdesshëm nga vapa e Butrintit, por edhe këpucët verore me vrima.

Mirëpo ky shpjegim nuk mjaftoi, që të ma largonte zhgënjimin: së bashku dhe në solidaritet të plotë me Enverin e albumit, që vazhdonte të qeshte në fotografitë megjithë ç’kish ndodhur ndërkohë, edhe unë u ndjeva i tradhtuar, i tërhequr për hunde, i trajtuar si kalama – veçse jo nga Hrushovi, por nga bota mbarë. Dora-dorës, do të më lindte dyshimi i ankthshëm se mos prapa çdo armiku të sotëm, të cilit ia lëshonte rrufetë “Zëri i Popullit”, mund të fshihej ndonjë album si ky i tanishmi, ku Enver Hoxha të dilte fotografikisht i përqafuar, bie fjala, me një “renegat” si Josip Broz Titoja (edhe ai i veshur me lëkura qengji), ose me sekretarin amerikan të mbrojtjes, kriminelin e luftës Robert McNamara, të cilit i lakohej shumë emri aso kohe në lajmet për bombardimet në Vietnam; fundja edhe me vetë presidentin amerikan Lyndon Johnson, xhelatin e popujve të Azisë dhe jo vetëm, të cilin nuk mund ta përfytyroja dot veçse duke vringëllirë ndonjë raketë balistike ose duke ia dorëzuar Hrushovit tonë ose Titos qesenë me florinj, aspra a dollarë (të stolisur me shenjën misterioze $); sa kohë që “Zëri i Popullit” këtyre nuk ua nxirrte kurrë fotografitë, kushedi për të mos na lënë të shohim se bëhej fjalë për njerëz me pamje të rëndomtë.

Dyshime të tilla kanë shembur përdhe edhe mendje shumë më të kalitura se ajo e një fëmije si unë, që deri dje ish gati të armatosej me patickë dhe të nisej në luftë kundër Hrushovit, për ta mbrojtur atdheun e vet nga “revizionizmi”; dhe që kish marrë pjesë tashmë, me entuziazëm të sinqertë, në pritjen madhështore që iu bë mikut të madh të Shqipërisë, kryeministrit kinez Çu En-Lai, i paharrueshëm në pamjen e tij prej geishe të dyllosur, i drejtë si purtekë në veturën e hapur te rruga e Durrësit, duke ua bërë turmave ngazëllimtare me dorë. Por që nga ajo kohë, albumi që aq fatalisht ma çorri koherencën e realitetit, njëfarësoj më ndërvendosej midis vetes dhe botës, si për të më kujtuar që ta mbaja gjithnjë distancën e sigurisë nga e vërteta që shitej në pazar. Dhe jo për hir të ndonjë qasjeje gnoseologjike më të studiuar, por për të ruajtur mendtë e kresë; ose për të mbajtur larg, mundësisht të mbyllur në ndonjë bodrum, frikën se edhe kjo e tashme mund të përfundonte një ditë e hequr mënjanë, e groposur në ndonjë arkë a sënduk gjithë lagështirë, e zëvendësuar nga një e tashme tjetër, ku miqtë dhe armiqtë t’i kish ngatërruar sërish një dorë e pamëshirshme; i merakosur edhe për fatin e atij unit tim tjetër, në versionin “alternativ” të historisë.

Me logjikë, ky album nuk duhej të ekzistonte, madje edhe sikur Hrushovi ta kish vizituar vërtet Shqipërinë dhe të kish shkelur vërtet në qytetet antike të Jugut. Mendja ime e pamësuar me hipokrizinë e politikës së madhe, nuk mund ta pranonte që Enveri dhe Hrushovi, dy subjekte aq antagoniste të diskursit historiko-politik që më rrethonte, të kishin qenë dikur aq afër shoku-shokut, në intimitet praktikisht të ndyrë. Faqe pas faqeje më hapej para syve një Shqipëri që edhe kisha filluar ta njihja – por me demonin tashmë të materializuar in medias res. Gati më dukej sikur Enveri kish bërë atje një pakt të pahijshëm me të keqen, duke na shitur të gjithëve. Dhe jo sepse e kisha Enverin në ndonjë konsideratë të madhe, por vetëm e vetëm ngaqë mendoja se sakrificat tona të jetës së përditshme, mbyllja e Shqipërisë ndaj botës, të paktën justifikoheshin me një të keqe të kalibrit si Hrushovi, që kish qenë alternativa. Nuk m’u duk më pak i mirë, kur e pashë në fotot e albumit; ishte Enveri që befas m’u duk i vogël, i squllët, veshtullor si ata kaçaminjtë e mëdhenj që dalin ndonjëherë nga poshtë lavamanit.

Gjyshja më sugjeroi që albumin t’ia shtoja pirgut me libra, revista, broshura e shkresa gjithfarësh, që me ndërrimin e shtëpisë do t’i çonim për riciklim. Në atë kohë kish një pikë shpërndarjeje në lagje, që i pranonte materiale të tilla, bashkë me shishet dhe qelqet e tjera – dhe ashtu bëmë. Qëlloi që gruaja që punonte atje e kish hapur pakon, kish gjetur albumin kundërfaktual dhe kish bërë denoncimin përkatës – me ç’rast tim atë e thirrën në Komitetin e Partisë, por me sa di, çështja u mbyll me aq, sepse gjithsesi bëhej fjalë për një artifakt që nuk duhej të kish ekzistuar, prandaj që nuk ekzistonte. Një nga ato raste të rralla, kur logjika e realitetit kish dremitur.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

[1] Nikita Sergejeviç Hrushovi ishte Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS) midis viteve 1953 dhe 1964, kryeministër midis viteve 1958 dhe 1964; dhe nismëtar, mes të tjerash, i një procesi masiv të de-stalinizimit të shoqërisë dhe të shtetit sovjetik (pas vdekjes së Stalinit në 1953). Autor i të ashtuquajturit “raport sekret” në Kongresin XX të PKBS, ai u shqua edhe më pas për politikat liberalizuese në ekonomi dhe në kulturë dhe hapjen e vendit ndaj Perëndimit. Vija e re e Hrushovit edhe në marrëdhëniet sovjetike-jugosllave nuk u prit mirë nga Enver Hoxha dhe u shoqërua me gjithfarë konfliktesh të fshehta mes dy partive, derisa këto shpërthyen hapur, me fjalimin e mbajtur nga lideri shqiptar në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në vitin 1960; pa çka se Hrushovi pat ardhur ndërkohë për vizitë zyrtare në Shqipëri, në vitin 1959, ku u prit me nderime të mëdha si askush tjetër më parë. Përplasja në mbledhje u pasua nga konflikti shqiptaro-sovjetik për bazën ushtarako-detare të Vlorës dhe nga prishja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pak vjet më vonë, Shqipëria do të dilte edhe nga Traktati i Varshavës dhe, në përpjekje për rrugëdalje nga bllokada e vendeve aso kohe socialiste të Europës Lindore, do të afrohej me Kinën e Maos. Derisa ra nga fuqia, pas një grushti shteti të pagjak në Kremlin, Hrushovi ishte objekt i kritikave të ashpra dhe të përsëritura të Enver Hoxhës, veçanërisht në kryeartikujt e “Zërit të Popullit”, ku denoncohej rregullisht si revizionist, tradhtar i lëvizjes revolucionare botërore, lake i imperializmit dhe varrëmihës i socializmit në Bashkimin Sovjetik.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading