nga A.K.
Ka analogji që nuk i kërkon. Ato të gjejnë vetë.
Njëra prej tyre më gjeti teksa lexoja për përdorimin e fondit rezervë të shtetit për financimin e një koncerti privat. Veçanërisht kur, për ta përligjur këtë vendim, u përdor fjala ‘turp’.
Shameless (Të pacipë / Të paturp) është një serial televiziv amerikan mbi jetën e një familjeje të bardhë, të varfër dhe të paarsimuar (në zhargonin amerikan quhet white trash). Personazhet kryesorë janë anëtarët e familjes Gallagher, gjashtë fëmijë dhe dy prindër, të cilët janë të alkoolizuar, të varur nga substancat narkotike dhe tejet të paaftë për të prindëruar.
Fëmijët janë të neglizhuar, të shfrytëzuar dhe të lënë në mëshirë të fatit e të forcës së tyre. Mamaja, maniako-depresive dhe në luftë të vazhdueshme me varësinë ndaj drogave, ka braktisur bashkëshortin dhe fëmijët prej disa vitesh tashmë.
Babai, Frank Gallagher, është një personazh veçanërisht karismatik, inteligjent, manipulues dhe tejet krijues në argumente sa herë lind nevoja për të shmangur përgjegjësitë e tij. Edhe pse fëmijët nuk i ka braktisur ligjërisht (jo nga dashuria apo morali, por sepse përndryshe do të humbiste disa përfitime sociale nga shteti amerikan), i ka braktisur ata plotësisht në jetën e përditshme, megjithëse jetojnë në të njëjtën shtëpi. Madje, gjen herë pas here mënyra për të përfituar edhe prej fëmijëve të vet.
Shtëpinë dhe pesë fëmijët më të vegjël i mban vajza më e madhe, Fiona. E braktisur nga prindërit dhe e detyruar që të kujdeset për motrat dhe vëllezërit e saj, ajo vetë braktis shkollën dhe nis punën që në adoleshencë të hershme.
Të gjashtë fëmijët kanë krijuar mes tyre një sistem mbështetjeje për njëri-tjetrin që i përngjan një familjeje normale. Ata përpiqen, pra, të kenë një jetë ‘normale’, në mes të varfërisë, rrëmujës dhe sfidave të përditshme. Shpesh, secili prej tyre gjendet në situata të tilla mbijetese sa duhet të jetë ‘i pacipë’ apo ‘i paturp’ për t’ia dalë.
Kështu, për të siguruar mbijetesën e përbashkët, fëmijët çdo vit krijojnë një fond rezervë për të kaluar dimrin. Secili prej tyre, përveç fëmijës dyvjeçar, kontribuon me sa dhe si të mundet. Disa punojnë, disa gjejnë punë të dyta apo të treta, disa shpikin mënyra të tjera për të shtuar fondin rezervë.
Gjatë kësaj kohe, fëmijët përballen herë pas here edhe me babain e alkoolizuar, i cili shpesh bëhet pengesë në mes të sfilitjes për të kaluar orën, ditën, javën apo muajin. Disa prej tyre e tolerojnë. Disa e duan dhe përkujdesen për të kur është nën efektet e substancave e të alkoolit. Disa e shpërfillin. Disa e urrejnë. Zakonisht, të gjitha këto ndjesi ndërthuren te secili.
Një ditë, mamaja dhe babai rigjejnë njëri-tjetrin dhe futen në iluzionin se mund të rikthehen në një familje normale. Shkojnë së bashku në shtëpinë e fëmijëve me këtë ëndërr dhe kërkojnë prej tyre t’i falin e t’i pranojnë. Fëmijët nuk u besojnë fillimisht. Të paktën më të mëdhenjtë e shohin qartë, që nga larg, se ky është mashtrimi i radhës. Të tjerët, nga trishtimi i gjithë viteve me prindër të munguar, nisin t’i besojnë ëndrrës së familjes normale dhe i pranojnë në shtëpi.
Pastaj ndodh ajo që ndodh shpesh me njerëzit që vuajnë nga varësitë. E kështu, një ditë, kur asnjë nga fëmijët nuk është në shtëpi, ata gjejnë fondin rezervë të fëmijëve për dimrin që po afrohej. Sytë u erren, mendja u dehet dhe i marrin të gjitha paratë e fondit. Në adrenalinë e sipër, shpenzojnë çdo qindarkë për alkool dhe substanca, brenda një ditë-nate.
Befas, fëmijët mbeten të zbuluar dhe të papërgatitur për dimrin e gjatë që i pret. Të tradhtuar. Të zhveshur tashmë nga çdo iluzion se, ndoshta, ndoshta, meritonin dashuri, dinjitet dhe respekt, edhe në varfërinë e tyre… nga sikurprindërit.
E ëma, e zhytur në turp pas kthjellimit, i braktis përsëri.
Babai nuk merr asnjë faj mbi vete. Përkundrazi, justifikohet deri në arrogancë. Ajo arrogancë që nuk mbron asgjë, por thjesht zhvlerëson plotësisht ndjesitë e tjetrit, si mekanizëm mbrojtjeje, shpeshherë për të mbuluar turpin deri në mohim.
Fëmijët, tashmë në zhgjëndërr, të gjithë së bashku, thellësisht të zemëruar, e dëbojnë babain nga shtëpia dhe nisin nga e para të ngrenë fondin rezervë e të vijojnë me jetën e tyre normale-anormale, duke sakrifikuar secili diçka nga vetja. Dikush marrëdhëniet, dikush shkollën, dikush dinjitetin, dikush ëndrrat e dikush fëmijërinë.
***
Në varfëri nuk ka turp. Turp është kur vjedh të varfrin. Kur i merr atij që supozohet se duhet ta mbrosh.
Ajo që dhemb nuk është vetëm marrja e fondit. Është fakti që dikush merr atë që nuk i takon, e shpenzon për nevojën e vet të çastit, për një iluzion apo imazh, e pastaj të kërkon ta pranosh si emergjencë të përbashkët.
Disa do të shkojnë deri aty sa të thonë se fondi u përdor për të shmangur… turpin. Një fjalë që përdoret rëndom për të të mbajtur larg kërkimit të llogarisë, për të të penguar të mëtosh atë që të takon apo qoftë edhe të shprehësh emocionet e tua legjitime.
Në Shameless, ishte fondi rezervë i dimrit për fëmijët.
Në Shqipëri, qëllon të jetë fondi rezervë i shtetit.
(c) 2026 autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Përdorimi i pseudonimit është miratuar nga redaksia. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.