Mbi protestat në Shqipëri IV
Sa herë kam dalë në protesta në Tiranë këto ditë, më ka bërë përshtypje mungesa e flamujve të BE-së. E çuditshme, sepse këta flamuj kanë qenë gjerësisht prezentë në tubime të shkuara – si të pozitës, edhe të opozitës. Në fakt, po të shohësh videot e 35 vjetorit të Partisë Socialiste ndërsa protesta vazhdonte e ndezur vetëm pak metra larg, flamujt e BE-së janë të kudondodhur. Duke pasur parasysh se pjesëmarrja totale në tubimin e PS-së ishte e papërfillshme në krahasim me numrin e pjesëmarrësve në protestë, diferenca për frymë bëhet edhe më e thellë.
Klasa politike shqiptare vazhdon t’i përdorë gjerësisht simbolet e BE si vulë legjitimiteti në çdo paraqitje publike. Por turma në protestë, ndonëse përfaqëson një shoqëri që dëshiron të bëhet pjesë e bashkimit europian, nuk po e përdor imazhin e tij në të njëjtën mënyrë. Dua të jem i qartë këtu, duke ritheksuar se shqiptarët në përgjithësi nuk duket të kenë ndryshuar mendje dhe vazhdojnë të jenë pro BE. Çfarë mendoj se ka ndryshuar është perceptimi i tyre mbi BE, nga një përkushtim pothuaj i plotë, në një pritshmëri pak më realiste. Ka një farë ndjenje që, ndonëse hyrja në BE është diçka e dëshirueshme, deklaratat pozitive të zyrtarëve të BE nuk përkojnë me mirëqeverisjen, dhe shumë shpesh nuk përkojnë as me realitetin e përditshëm Shqiptar.
Këtu shoh një krisje të dukshme – me sa duket idealizmi ynë nuk i mbijetoi dot përballjes me diplomacinë europiane. Dua të jem shumë i qartë përsëri këtu: publiku shqiptar nuk e ka braktisur dëshirën për të hyrë në BE-në. Thjesht ka filluar të diferencojë midis BE-së si aspiratë dhe diplomacisë Europiane si pasqyrë e realitetit shqiptar.

Në një anketë të vitit 2025, 91% e të anketuarve u shprehën pro hyrjes së Shqipërisë në BE, por vetëm 46% mendonin se Shqipëria do të pranohej brenda këtij pesëvjeçari. Kjo, pavarësisht fushatës së fuqishme propagandistike të qeverisë për hyrjen në BE, e shoqëruar me një sërë deklaratash nga zyrtarë të BE-së se Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së, se rrugën e ka të hapur, dhe me deklarata të tjera entuziaste, por pa ndonjë afat konkret. Kapitujt e negociatave që u hapën me një ritëm marramendës duke filluar nga tetori i 2024, mbeten ende të hapur. Para një viti, politika shqiptare notonte në deklarata pozitive, vizita të njëpasnjëshme të zyrtarëve europianë dhe një dehje euforike optimizmi.
Sidoqoftë, shumica e popullsisë duket se nuk ka rënë pre e këtij trumbetimi, sepse përballet me dy sinjale që bien ndesh me njëri-tjetrin. Nga njëra anë, e mbysin rastet e pafundme të korrupsionit që kanë kapluar qeverinë. Nga ana tjetër, i vrasin sytë dhe veshët parada e zyrtarëve të BE-së, deklaratat e tyre optimiste për arritjet tona dhe premtimet për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për qytetarin e zakonshëm, këto dy narrativa bien ndesh me njëra-tjetrën. Nuk po them se Shqipëria nuk mund të bëjë përparime teknike drejt anëtarësimit, ndërkohë që vendi vazhdon të përballet me raste korrupsioni, pasi kjo është e mundur. Kontradikta qëndron te fakti se narrativa zyrtare shpesh e paraqet avancimin procedural drejt BE-së si një vulë miratimi për performancën e qeverisë. Numri i shqiptarëve që nuk e blejnë më këtë narrativë po rritet gjithnjë e më shumë.
Mënyra se si publiku shqiptar e sheh Bashkimin Europian po kalon një fazë përditësimi. Gjithnjë e më shumë po kuptohet se interesat e BE-së nuk përkojnë domosdoshmërisht me interesat e qytetarëve shqiptarë. Se, në lojën jo gjithmonë transparente të diplomacisë, pesha që zyrtarët europianë u japin çështjeve si korrupsioni apo tjetërsimi i pronës mund të mos jetë aq e madhe sa presim. Se BE-ja mund të jetë e gatshme të anashkalojë disa nga problemet vendore për hir të interesave më të mëdha, më të gjera dhe më të largëta, të cilat kanë pak ose aspak lidhje me realitetin tonë të përditshëm.
Ky përditësim mund ta ketë çuar një pjesë të opinionit publik në një përfundim të thjeshtë: interesi kombëtar nuk mund të delegohet. Diplomatët e huaj mund të ndihmojnë, të ushtrojnë presion dhe, në raste të caktuara, edhe të disiplinojnë elitat vendase. Por ata nuk i vuajnë pasojat si qytetarët, as nuk ndëshkohen në kutinë e votimit kur ato pasoja rezultojnë të rënda. Përgjegjësia përfundimtare duhet të mbetet gjithmonë kombëtare.
Sigurisht që, për ata që merren me politikë, kjo është krejt e qartë. Por publiku i gjerë mund të ketë pasur një perceptim krejt tjetër në fillim të këtij rrugëtimi dhe, përballë sinjaleve kontradiktore të viteve të fundit, ta ketë rivlerësuar gradualisht këtë qëndrim.
Loja e anëtarësimit në BE e ndikon politikën shqiptare, por jo gjithmonë për mirë
Le t’i bëjmë vetes një pyetje: si shqiptarë, na ka ndihmuar apo na ka dëmtuar në politikën e brendshme fakti që jemi pothuajse njëzëri pro Bashkimit Europian?
Në pamje të parë, pyetja tingëllon e çuditshme. Si mund të ketë pasoja negative mbështetja për diçka që e konsiderojmë pozitive? Edhe unë kam qenë dhe mbetem pro BE-së. Për një kohë të gjatë kam besuar se sa më i madh të ishte ndikimi i Bashkimit Europian në zhvillimet politike në Shqipëri, aq më mirë do të ishte për ne. Sot mendoj se ai besim mund të ketë qenë, të paktën pjesërisht, naiv.
Ashtu si çdo burim tjetër, edhe vëmendja është e kufizuar. Bashkimit Europian i duhet ta përqendrojë pjesën më të madhe të saj te çështje më urgjente, sidomos pas luftës në Ukrainë, gjë që është plotësisht e kuptueshme. Krahasuar me sfida si mbrojtja apo siguria europiane, Shqipëria nuk është prioritet.
Por, edhe brenda asaj vëmendjeje të kufizuar që i kushtohet Shqipërisë, BE-ja mund të mos ketë vetëm një objektiv. Qeverisja e mirë dhe funksionimi i demokracisë kanë rëndësinë e vet, por nuk janë domosdoshmërisht të vetmet prioritete. Pesha që u jepet objektivave të tjerë mund ta shtyjë BE-në drejt kompromiseve që, megjithëse nuk bien drejtpërdrejt në kundërshtim me ato më lart, bien në kurriz të interesave kombëtare.
Në fund të fundit, Bashkimi Europian ka shumë më pak për të humbur nga zhvillimet politike në Shqipëri sesa ne. Nëse sistemi ynë politik gllabërohet plotësisht nga një regjim klientelist dhe i korruptuar, ky është, para së gjithash, problemi ynë. Jo i tyre. Edhe sikur BE të donte të ushtronte presion mbi qeverinë, kjo mund të prishte status quo-në dhe të rrezikonte strategjinë e saj politike në rajon. Burokracitë, si rregull, nuk kanë dëshirë t’i trazojnë ujërat.
Ky kompromis ka një emër: stabilokraci. Termi i atribuohet zakonisht politologut Srđa Pavlović, i cili në vitin 2016 e përdori për të përshkruar tolerancën e vendeve perëndimore ndaj atyre liderëve të Ballkanit që paraqiten si garantë të stabilitetit, ndërkohë që minojnë institucionet demokratike në vendet e tyre. Në fakt, një variant i kësaj ideje është përdorur për Shqipërinë që në vitin 2012 nga Antoinette Primatarova dhe Johanna Deimel. Ato e përshkruajnë Shqipërinë si një vend që politikat e jashtme rrezatojnë nga stabiliteti, ndërsa në planin e brendshëm qeverisja luhatet midis demokracisë dhe prirjeve autokratike.
Ky koncept është i vlefshëm sepse përshkruan pikërisht deformimin e incentivave që rrjedh nga procesi i integrimit. Politikani vendas nuk ka nevojë të qeverisë mirë për sa kohë që arrin të shihet si i dobishëm, i parashikueshëm dhe garant i stabilitetit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Bashkimi Europian kërkon qeverisje të mirë, por kërkon edhe stabilitet. Dhe kur këto dy objektiva bien ndesh me njëri-tjetrin, stabiliteti shpesh merr prioritet.
Në rastin tonë, për shkak se shqiptarët janë kaq pro Bashkimit Europian, miratimi i Brukselit shndërrohet në kapital politik brenda vendit. Një politikan që vlerësohet nga Brukseli fiton edhe besimin e publikut shqiptar. Si rrjedhojë, politikanët mësojnë se si të fitojnë miratimin e Brukselit: marrin pjesë në samite, përsërisin retorikën europiane, shmangin tensionet rajonale dhe kultivojnë imazhin e partnerit të besueshëm.
Kur suksesi politik varet nga aftësia për t’u bërë i pranueshëm nga Brukseli, ndodhin gjëra të çuditshme. Politikanët kalojnë më shumë kohë në kryeqytetet europiane, punësojnë më shumë konsulentë të huaj dhe i kushtojnë gjithnjë e më pak kohë zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.
Ndryshimi në mënyrën se si publiku shqiptar ka filluar të shohë Bashkimin Europian është gradual, dhe i shëndetshëm. Gjithnjë e më shumë po bëhet dallimi mes Evropës si një aspiratë dhe diplomacisë europiane si një aktor politik me interesat dhe të metat e veta. Ky dallim ka rëndësi, sepse miratimi i Brukselit është shndërruar në një formë kapitali politik brenda vendit. Sapo politikanët e kuptojnë se mbështetja e Brukselit u rrit besueshmërinë në sytë e elektoratit shqiptar, ata fillojnë t’i përshtatin sjelljen dhe prioritetet e tyre këtij objektivi. Dhe askund nuk shihet më qartë kostoja e kësaj logjike sesa në politikën e Shqipërisë ndaj Kosovës.
Kosova si testi vendimtar
Stabilokracia duhej të ishte shmangur me çdo kusht në politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës. Kosova duhej të kishte qenë përjashtimi nga ky model. Është çështja për të cilën asnjë qeveri shqiptare nuk mund t’i lejojë vetes paqartësi. Mbështetja për Kosovën është pjesë e identitetit politik të Shqipërisë.
Megjithatë, pikërisht sepse Kosova është një rast kaq delikat, ajo e nxjerr edhe më qartë në pah devijimin nga interesat kombëtare si pasojë e procesit të integrimit. Në rastin e Kosovës, veprimet konkrete të Shqipërisë kanë ndjekur më shpesh logjikën e stabilitetit të diktuar nga Evropa sesa logjikën e interesit kombëtar.
Problemi ishte i dukshëm edhe përpara Banjskës. Në pranverën e vitit 2023, procesi i Brukselit/Ohrit po përballej tashmë me kritika serioze. Marc Weller, i cili ka qenë këshilltar për qeveritë e Kosovës, argumentoi se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian ishte kthyer në një proces thellësisht të njëanshëm.
Sipas tij, Serbia kishte refuzuar të nënshkruante marrëveshjen bazë (Basic Agreement), ndryshe nga Kosova që ishte e gatshme ta bënte një gjë të tillë. Megjithatë, procesi vazhdoi sikur marrëveshja të kishte hyrë në fuqi, ndërsa presioni u zhvendos pothuajse tërësisht mbi Kosovën për të zbatuar pikërisht ato pjesë që i interesonin më shumë Serbisë. Sipas Weller-it, në Ohër, ndërmjetësi i BE-së shkoi aq larg sa t’i vendosë përpara kryeministrit të Kosovës një faqe bosh për ta firmosur – dhe e nxiti ta nënshkruante i vetëm, pasi Vuçiçi kishte refuzuar të nënshkruante çdo lloj marrëveshjeje.
Në qershor të vitit 2023, Edi Rama u dërgoi Emmanuel Macron-it dhe Olaf Scholz-it një projekt-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ajo që e bëri këtë veprim të pazakontë ishte fakti se ai nuk lindi nga ndonjë kërkesë zyrtare nga Kosova, nuk u parapri nga konsultime me Albin Kurtin dhe nuk mbështetej në ndonjë mandat formal nga palët e dialogut. Prishtina e kuptoi këtë lëvizje pikërisht për atë që ishte: jo si një këshillë miqësore, por si një ndërhyrje që dobësonte pozicionin negociues të Kosovës. Zyra e Kryeministrit Kurti u përgjigj se Asociacioni nuk ishte një çështje teknike hartimi, por një çështje që lidhej me funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Rama reagoi duke anuluar mbledhjen e radhës midis dy qeverive, e planifikuar të mbahej në Gjakovë. Shpjegimi i tij ishte se marrëdhëniet e Kosovës me komunitetin euro-atlantik po përkeqësoheshin nga dita në ditë, dhe se mbajtja e mbledhjes do të paraqiste një pasqyrë të rreme të realitetit. Ky episod ka rëndësi, sepse tregon se Shqipëria ishte e aftë të mbante qëndrim. Por ky qëndrim u mbajt ndaj Kosovës, jo ndaj Serbisë.
Pak muaj më vonë ndodhi sulmi në Banjskë. Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Milan Radoiçić, ish-nënkryetar i Listës Serbe (Srpska Lista), më vonë mori përsipër përgjegjësinë për sulmin dhe u akuzua nga Prokuroria e Kosovës si organizatori dhe udhëheqësi i tij. Serbia e ndaloi përkohësisht, por ai u lirua më pas nga një gjykatë në Beograd.
Ky duhej të kishte qenë momenti kur vetë logjika e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës duhej të vihej në pikëpyetje. Faktet ishin rënduese. Personi i akuzuar si organizatori i një sulmi të armatosur me pasoja vdekjeprurëse në Kosovë e kishte pranuar përfshirjen e tij, vazhdonte të qëndronte në Serbi dhe nuk u përball me ndonjë formë domethënëse përgjegjësie. Nëse premisa e procesit të Brukselit ishte se të dyja palët duhej të normalizonin marrëdhëniet përmes vetëpërmbajtjes dhe zbatimit të detyrimeve të marra përsipër, Banjska tregoi se kjo premisë kishte të meta serioze.
Retorika e Shqipërisë pas Banjskës ishte e fortë, por linja politike në praktikë nuk ndryshoi shumë. Në deklaratat e bëra pas Banjskës, Rama tha se qëndrimi i Shqipërisë për sjelljen e Kosovës gjatë negociatave mbetej i njëjtë me atë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Ai përsëriti se Kosova duhej të paraqiste një projekt-statut për Asociacionin dhe të mbetej brenda planit franko-gjerman.
Kjo është asimetria. Para Banjskës, Shqipëria ushtroi presion konkret ndaj Kosovës sa herë që ajo devijonte nga linja e Brukselit. Pas Banjskës, kur aktorë të lidhur me Serbinë shkatërruan vetë premisën mbi të cilën mbështetej procesi i normalizimit, Shqipëria e dënoi sulmin, por nuk kërkoi rishikimin e procesit. Nuk e shndërroi Banjskën në një kusht për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Nuk ushtroi ndaj Beogradit një presion po aq të fortë sa ai që kishte ushtruar ndaj Kosovës.
Pohimi i mëvonshëm i Michael Roth-it tregon pikërisht sa i dëmshëm ishte qëndrimi i Shqipërisë (dhe të tjerëve) ndaj Kosovës. Roth, ish-ministër gjerman i shtetit Për Çështjet Europiane dhe më pas kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestag, pranoi në një intervistë se kishte gabuar që kishte besuar se rruga europiane e Kosovës duhej të varej kaq shumë nga avancimi i dialogut për normalizim. Sipas tij, dialogu nuk kishte qenë kurrë i balancuar. Përparimi kishte shumë më tepër rëndësi për Kosovën sesa për Beogradin, gjë që i kishte dhënë Vuçiçit mundësinë ta përdorte procesin si një instrument bllokues. Ishte një e metë themelore, të cilën një pjesë e politikanëve europianë e kuptuan shumë vonë.
Shqipëria e trajtoi dialogun e menaxhuar nga Bashkimi Europian sikur ai të ishte automatikisht sinonim i përgjegjshmërisë, edhe kur vetë dialogu po prodhonte stimuj të gabuar. Për Shqipërinë, ky është rreziku që procesi i integrimit europian mund të krijojë për politikën e brendshme. Një qeveri që kërkon miratimin e partnerëve ndërkombëtarë mëson të flasë gjuhën që Brukseli vlerëson: stabilitet, koordinim, vetëpërmbajtje, harmonizim. Në rastin e Kosovës, ndërhyrjet më konkrete të Shqipërisë u përqendruan te përpjekja për ta bërë Kosovën më të lehtë për t’u menaxhuar nga Brukseli.
Protestat si testi i radhës
Shembulli më i qartë i mospërputhjes së interesave po shpaloset para syve tanë. Zvërneci, Sazani, Rrjolli dhe zona të tjera të mbrojtura duhej të ishin pikërisht ato raste ku integrimi europian duhet t’i shërbente interesave të brendshme. Këtu preket pothuajse gjithçka që BE-ja supozohet të përfaqësojë në praktikë: shteti i së drejtës, e drejta e pronës dhe mbrojtja e mjedisit.
Faktet janë të qarta. SPAK ka hapur një hetim për ndryshimet e bëra në vitin 2024 në statusin e zonës së mbrojtur dhe në pronësinë e tokës rreth projektit Sazan/Vjosa-Nartë. Më pas, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë ku i kërkonte Shqipërisë të shfuqizonte ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe kërkonte vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi për lejet e reja dhe punimet e ndërtimit, derisa legjislacioni shqiptar të rikthehej në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.
Ky duhej të kishte qenë momenti i qartësisë maksimale. Qytetarët ishin në rrugë. SPAK-u po hetonte. Organizatat mjedisore paralajmëronin për dëme të pakthyeshme. Parlamenti Europian thoshte: ndaloni. Nëse integrimi europian do të funksiononte si arbitri i jashtëm i paanshëm që dikur imagjinonim, ky do të ishte momenti kur qeverisë do t’i zbeheshin kredencialet “europiane”.
Në vend të këtij reagimi, diplomacia europiane iu rikthye shpejt gjuhës që përforconte idenë se gjithçka ishte në vijën e duhur. Komisionerja Marta Kos deklaroi se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhej një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet europiane të mjedisit do të respektoheshin. Ajo shtoi se vetë procesi i anëtarësimit është politikisht dhe ligjërisht detyrues dhe, për këtë arsye, ofron garancinë më të fortë se natyra e Shqipërisë do të mbrohet sipas standardeve europiane.
Por pikërisht këtu qëndron problemi. Qytetarët po protestojnë sepse, në përvojën e tyre të përditshme, kapitujt, kriteret, raportet apo gjuha europiane nuk e kanë ndalur makinerinë e abuzimit. Qeverisë i mjafton që BE-ja të thotë “kemi marrë garanci” dhe “Shqipëria mbetet në rrugën e duhur” për të mos reflektuar.
Me një fjalë, dëshira për t’u futur në Bashkimin Europian mund të dëmtojë interesin kombëtar. Një publik thellësisht pro-BE i jep atij një pushtet të jashtëzakonshëm mbi politikat e brendshme të vendit. Dhe qeveria mëson ta shfrytëzojë këtë pushtet. Një deklaratë me tone mbështetëse ndaj punës së qeverisë nga një komisioner kthehet në provë se protestat janë të ekzagjeruara. Një hap tjetër i miratuar në procesin e anëtarësimit mund të kthehet në një trofe që shteti ua tund para syve qytetarëve të vet si provë që protestuesit e kanë gabim.
Në një sistem politik të kapur, integrimi europian mund të kthehet nga një pengesë ndaj pushtetit në një nga instrumentet e tij të preferuara. Ky është rreziku. Kemi lejuar që t’i besojmë më shumë aprovimit nga Brukseli sesa gjykimit tonë mbi realitetin.
(c) 2026 Elton Dusha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Ky artikull është versioni i përshtatur në shqip i EU PROGRESS, LOCAL DECAY, botuar në Peizazhe të fjalës më 28 qershor 2026.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.