Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

ALKIMIA E REFUZIMIT

Shkruesi Bartleby, tregim nga mё tё çuditshmit e botës letrare, vijon ende tё pёrthithё teza interpretuese dhe tё shtojё volumin e bibliografisё rreth tij, më e bollshmja shkruar ndonjëherë për këtё gjini. Shkruesi i Herman Melvilit, ёshtё një kopjues kopist. I pajtuar te punёdhёnёsi dhe fati për të qenë sa mekanikisht i bindur aq edhe bindёsisht automatik; pёrherё mbi tё njёjtёn makinё shkrimi nё tryezёn e tё njёjtit vend pune si njё paradhomё-varrezё. Fillimisht, të seleksiononte letrat e pambёrritura në destinacion, kthyer mbrapsht tek mbushen dengje pas çaktivimit nga kuptimet dhe ekstrapolimit të materialeve me ndonjë soj vlere, e pastaj për t’u shpёnё nё turrёn e zjarrit asgjësim. Mandej, kopjonte aktet e zyrës avokatore. Njё njeri, e sakaq edhe mall i preferuar prej zotёruesit padron, i cili, fill pas kundërshtimit të beftë të një urdhri prej mvartёsit, na shfaqet edhe si pajtori protektor pas gjendjes anormale që kaploi të preferuarin e tij. Kur në një çast përgjatë rrjedhës normale të marrëdhënies, Bartleby shkruesi, krejt papandehur, refuzon tё kryejё punё dhe veprim. Dhe preferon të vetёngujohet nё hapёsirёn para zyrёs sё padronit. Duke refuzuar kategorikisht tё lёvizte prej andej e madje as të jepte shpjegim a tё pranonte dialog.

E për ta transferuar në temёn mbi refuzimin e asgjёsimit tё armёve kimike nё realitetin tonё sot, ditё feste filozofie e njёherit ditё proteste, si do tё kishit preferuar?

Ta nisnim me një Bartleby i cili të na shërbente si detonator për argumente mbi raportin e helmeve me hapësirën publike përmes analogjisë së kёtij rrëfimi – konsideruar si një ‘bombë toksike’ në terrenin e mbarë letërsisë, si korpus viral anti-letrar, helmues e ndërprerës radikal i narracionit normal tё saj –, e mandej të pёrvijonim njё paralele me ngjarjen e kёsaj proteste dhe ngujimin e të rinjve para kryeministrisë. Pajisur me njё “bombё” tё re nё arsenalin e “armёve”, gati pёr njё betejё asimetrike tё narrativёs mes palёve. Nga pikёvёshtrimet e shkruesve shqyrtues tё tregimit, çka shihet mё dallueshёm nё profilin e Bartlebisё rezulton njё simbol à la Thoreau tё rebelimit dhe Mosbindjes Civile. E kёtu do tё na interesonte si apel qё nё fakt shpall ndёrprerjen e komunikimit normal dhe nxitjen e aktit tё veprimit, formave tё bojkotimit e me radhё.

Apo do parapёlqenit një variant mё tё azhornuar “leximi” tё tregimit dhe tё ҫёshtjes, drejt një piste interpretimi të dyanshёm pasqyruar nё njёra-tjetrёn: pra, shkruesi Bartlebi të përfaqësonte një vend të vogël partner/vasal që nuk e pranon më as detyrёn, interesin, premtimet kontratuale; as pёrkujdesjen paternale, duke i shpërfillur gjer në rrezik mosmirënjohjeje edhe detyrimet materiale a borxhe morale, mbartur prej të shkuarës. E kësisoj, Melvili të na ketë parashikuar edhe rolin lidership amerikan nё misionin e avokatit mbrojtës dhe kujdestarit.

Le ta shtyjmё kёtё qasje arbitrare interpretimi të ballafaqohet me origjinalin. Pra, nëse dëshmohet ose jo edhe prej vetё “arbitraritetit” të tekstit.

Po paraqesim kёtu një copë, kafshatë e pakapëdishme, nga vetë tregimi, personazhi i tё cilit nuk do refuzonte ta zёvendёsonit me njё tё rebeluar protestues dhe masёn kolektive. Pra ta lexonim Bartlebinë si të donte të mishëronte rastin tonё, gjer dhe mbarё shoqёrinё dhe vendin. Kuptohet, nё bazё tё rolit qё do t’i kёrkonit tё pёrfaqёsojё ai dhe narratori pёrballё e njёherit mbi tё, pra avokati, i cili rrёfen nё vetёn e parё habinё e thyerjes sё urdhrit të tij dhe rendit tё gjёrave, qoftë si padron apo Vёlla i Madh, e gjer në një sovran i rendit metafizik, si prej Zoti, nëse do shihnim te personazhet edhe simbolin e transkiptuesit adamik, nën kurthin e pikëpyetjes së përhershme, por sot me mё shumё ngarkesё konspirative, se kush na drejton në të vërtetë, si dhe sa ndikon në vendimet mbi fatet tona!

Shkruesi Bartleby [fragment]

(Një ndodhi në Wall-Street)

Pak kohë përpara se të niste kjo histori, rrezja e veprimtarisë sime u zgjerua mjaft. Unë isha emëruar në një post të vjetër dhe fisnik, sot të suprimuar, në shtetin e Nju-Jorkut, në postin e gjyqtarit të paqes, që nuk të ngarkonte shumë, por që të sillte, ama, të ardhura të kënaqshme.

Dhe ja, në përgjigje të lajmërimit të shpallur, në dyert e zyrës sime të hapura kanatë – qe behar i bekuar – u fanit një djalosh i drojtur. Si tani më qëndron para syve i veshur me kujdes dhe i zbehtë, i stepur sa të dhimbsej, shumë fatkeq. Ky ishte Bartlebia. Në fillim Bartlebia shkruante çuditërisht shpejt. Dukej sikur ishte i uritur për kopjim dhe i kapërdinte letrat e mia pa i përtypur fare, punonte pa frymë, në dritën e ditës apo me qirinj. Do të më kishte gëzuar edhe më tepër zelli i tij, po të kishte qenë më gazmor. Por ai shkruante në heshtje, pa fjalë, si makinë. …E thirra dhe i shpjegova shpejt e shpejt atë që doja prej tij. Sa e madhe qe habia, më mirë të them, tmerri im, kur Bartlebia, pa u tundur vendit, u gjegj me një zë jashtëzakonisht të qartë e të qetë:

– preferoj të refuzoj.

– Çfarë bluani? Jeni në vete? Unë dua që ju të verifikoni bashkë me mua këtë dokument; na, mbajeni, – dhe ia rrasa letrën.

– preferoj të refuzoj, – përsëriti ai.

Nuk i lëvizte asnjë damar. Të kish në qëndrimin e tij qoftë edhe një grimcë emocioni, inati, zemërimi apo paturpësie, me një fjalë, të kishte në të diçka njerëzore, të kuptueshme, sigurisht do më kishte kërcyer delli e do ta kisha shporrur. Po as që më shkoi nëpër mend, sepse do ishte njëlloj sikur të nxirrja përjashta bustin në allçi të Ciceronit.

– Po përse tregoheni kaq kokëfortë?

– preferoj të refuzoj.

Të ishte dikush tjetër përballë, do tërbohesha nga inati dhe do ta kisha nxjerrë jashtë me ceremoni. Por te Bartlebia kishte diçka që, për çudi, më çarmatoste, më turbullonte dhe më prekte. Fillova ta këshilloj…

A nuk është kështu? Përse heshtni? Përgjigjuni!

– Preferoj të refuzoj, – u gjegj ai me zërin e tij të butë.

– Kështu, pra, ju keni vendosur një herë e mirë të mos më dëgjoni mua, sado që kërkesa ime nuk bie në kundërshtim as me rregullat e këtushme, as me arsyen e shëndoshë.

Ai, shkurt, më dha të kuptoj se unë nuk po gaboja. Po vendimi i tij qe i palëkundur.

… “I gjori! – mendoja unë. – Ai nuk ka hile. Është e qartë si drita se vrazhdësia e tij nuk është me paramendim, se sjellja e tij e çuditshme nuk ka ndonjë shtytje të brendshme. Kjo duket qartazi. Ai ma bën punën. Unë u mësova me të. Po ta pushoj, ai në rastin më të mirë do të bjerë tek ndonjë zotëri më pak i mëshirshëm, që do t’i sillej vrazhdë, do ta dëbonte e mbase do ta detyronte të vdiste urie…”

– Bartlebi, – thashë unë, – kur të mbaroni së shkruari këtë dokument, do ta kontrollojmë së bashku.

– preferoj të refuzoj.

– Si? Ende s’je shëruar nga ky gomarllëk?

Përgjigje nuk pati…

Mirёpo, ja që, tani dhe kёtu, ne na lypet një përgjigje, si çdo shkruesi qё hyn nё rebusin e shkruesit tё Melvilit. Nё kёtё trill letrar, vendosur mes mureve të utilitarizmit në gatishmëri për të shpëtuar botën – i gatshëm ky utilitarizëm të kuptojë, si e thotë kritika e gatshme, çdo konfesion të subjektit, të kapitalizojë cilindo sekret, – buhit ky njeri fjalëpak që nuk duket të ketë asnjë sekret tё vetin. Teksti vjen si subjekt i rrëfyer prej vetë padronit avokat qё e ka Bartlebinë nën hyqmin e vet dhe qysh në fillim vendoset prej shkrimtarit në pozicionin e atij që ka detyrën e pamundshme të dëftojë e dëshmojë singularitetin dhe subjektivitetin e Shkruesit. Ose më mirë, për në rastin tonë, kopistit, kopjacit. Që do të na e theksonte më në fokus paradoksin që rri te të qenit edhe origjinal edhe kopjues, i cili pikërisht për hir të kësaj përfaqëson një personazh konceptual, duke na nxitur qasjen kritike kah e veçanta e ngjarjes këtu.

Vjen kështu edhe pyetja jonё paralele: vallë, duam të ritakojmë e njohim vetveten e lënë pas dore, duke e shpёnë gjer në tendosjen e tanishme këtë shfaqje proteste, e me këtë rast tё njihnim edhe mikun ose vëllanë e madh, si pёr ta vënë në provën e determinimit të një raporti marёdhёniesh prindёrore a vëllazërie?

Mekanizmi narrativ i Melvilleit-Bartleby mbetet gjer në fund i panjohshëm. Pritet një lajm – do të gjendet një zgjidhje. Lypset lexuar, pra, të rezistosh nёpёr rrëfimin; të përballesh e t’i rezistosh tregimit: të pësosh autenticitetin Bartleby. Zëfilli, duhet kuptuar personazhi.

Mirёpo, rrëfimtari na e ka thënë vetë që personazhi është inkomprensibël. Dhe është tërë një aparat kritik, ndaj të cilit ky vetëdeklarim është ngrehur si kurth, e që na e bën pothuaj të kuptueshëm se si personazhi nuk është i kuptueshëm. Porse, pikёrisht pёr kёtё, sfida për të sajuar transferime kuptimesh mbetet e hapur. Ndërkaq, na bëhet e ditur se kuvlia që avokati ka ndërtuar për vete, është krejt imune nga çdosoj turbulence e jashtme. Por, ky “ambient” bëhet gjithaq edhe një “dispositiv inkluziv i një kuptimi”. Nga ky këndvështrim kritik, po synojmë gjetjen e një pike nga ku ndoshta vështrohet ca më mirë bëma e rastit tonë. Përndryshe do të rrezikonim të bërit kopistin, ose të shtonim mbetjet hedhurina, kur na mjaftonte kopjuesi origjinal. Përpara Bartlebisë avokati ka dhe të tjerë nё dispozicion, të cilët ia mbërrin t’i dominojë me strategji intimiteti dhe intimidimi.

I would prefer not to. Kjo shprehje – që siç shihet, te përkthimi tashmë i vjetruar: preferoj të refuzoj, nuk është më e përshtatshmja dhe rrezikon gjer dhe helmatisjen e gjithë rrëfimit dhe hedhjen në erë të trajtesës mbi temën – është formula nga ku joshet kritika e interpretimeve ontologjike, ndër më kryesorët Agamben e Deleuze. Për të parin, shkruesi përfaqëson figurën supreme të hiçit (që paraprin kreacionin e qashtër), dhe njëherit rivendikimi i këtij hiçi si fuqi absolute: tradita etike shpesh e ka kthyer dhe katandisur fuqinë në terma të vullnetit dhe nevojës: Jo ajo që mundesh, por ajo që do doje dhe do të duhej. Pra, një përçapje në ontologji politike dhe si teori e potencës absolute: fuqia e të qenit dhe njëkohësisht të mosqenit!

E teksa kjo mё kujtoi tërthorazi Sartrin e marazit: “Na bëni të bëjmë atë që nuk do donim, e pastaj na lypni të mbajmë përgjegjësi për atë çka bëjmë!”, nuk po e refuzoj ta citoj edhe për rastin tonë, për vetë mundësinë e përdorimit të tij nga të dy anët, palët nё lojё. Protestuesit, për përligjjen e refuzimit nën argumentin mbi pasojat e padëshriuara e të pakontrollueshme nga rrjedhjet e helmeve; pushteti përkundër kësaj e me po atë argument: pasojat e padëshiruara e të pakontrollueshme prej cenimit të marrëdhënieve me fuqinë më të madhe ndër fuqitë e mëdha, si rrjedhojë e thyerjes së urdhrit të tënëzot eprorit ndërkombëtar, konsideruar dhe avokati mbrojtës i çështjes sonë mbarëkombëtare.

Edhe avokati i rrëfimit, në fakt, tenton jo ta ndëshkojë kopistin e tij, por ta mbështesë, kuptojë; për ta qasur dhe unjur më mirë nën urdhra duke dashur të dijë për jetën personale, me qёllim që ta shpëtojë edhe nga mekanizmat eventual juridik-institucional.

E për rastin krahasues nё lidhje me protestën dhe refuzimin, më shumë se te shenjuesi apo i shenjuari mbase do qe mё e vlerë të kërkonim tek shenjueshmëria e aktit; te raporti: me mund dhe me kry, e pikërisht ngase mundemi ta bëjmë, nuk e bëjmë! Prej faktit qё akti Bartlebi paraqet “një barrierë dhe rezistencë ndaj narracionit” del, gjithashtu, dhe nevoja ndaj të pashpjegueshmes; për të pa diturën, më shumë se ndaj vullnetit. Ajo çka dihet për Bartlebinë është se: ai nuk është ai që besohet se dihet.

Dhe ja, nё befasi, një kundrapozicion paralel i protestuesve kёtu edhe ndaj imazhit tё keq pёrhapur jashtё vendit për bashkatdhetarёt, si njё pёrgjithёsim bazuar veҫ prej rasteve singulare. Përpos kësaj, ndofta kemi tё bёjmё jo vetëm me rezerva dhe mosbesim ndaj rolit të përfaqësuesve dhe institucionit të përfaqësimit, por dhe me refuzimin pёr të përfaqësuar një rol, rol figuranti: pra, nevoja e afirmimit të një mënyre të qeni tё veçantë, gjer si i mëvetësishëm dhe i paepur. Si njё riafirmim i karakterit dhe krenarisë së të qenit historikisht e tradicionalisht tё tillë. Me një fjalë, shkëputja dhe ndërprerja e një “tradite” të afërt, duke gjetur strehë dhe mirëkuptim te historikja, si tradicionale e hershme dhe e fisme.

Dëshmia qё Melvili ka sjellё në letërsi një figurë të së pakapërdishmes, të së patretshmes, një figurë kundër-letrare, meqenëse procesi i të lexuarit lyp një lloj asimilimi, le t’i shërbejë këtu analogjisё sonë të asimilimit të mbetjeve, helmeve. Fakti që Bartlebi refuzon jo duke u ndeshur e kundërshtuar ashpër, por si në rastin e atij që shpërfill ashtu shpengueshëm e pashpjegueshёm një ftesë, a s’i ngjan kësisoj edhe formës e frymёs së protestës sonë?!

Mekanika narrative e Melvilit vetëflijohet për të shenjuar karakterin ontologjik te formula Bartleby – këtë paraqet interpretimi nga Deleuze, ndaj të cilit njё version i interpretimit tё interpretimit (e po e interpretoj kёtu qёllimisht me lojё fjalёsh), vëren se qysh në nisje ai ka një synim preciz: ta shpërngulë figurën e Bartlebisë prej çdo simbolizmi, duke u përqendruar te manierizmi i batutës, pra te loja e fjalёs. Mirëpo, ajo çka na intereson këtu, duke e vulgarizuar ca për rastin në fjalë, është: nëse dallimi mes Agambenit dhe Deleuzit na paraqitet edhe si te raporti mes JO-së së protestёs dhe JO-së me pahir të tërheqjes mbrapsht të qeverisë: i pari, një refuzim kategorik gati absolut, i dyti një hiper-refuzim me emër pamundësie për ta kryer detyrën dhe përmbushur detyrimin. Pra, një parabolë nga biopolitika e njërit, te trajtimi linguistik-pragmatist i tjetrit. Si dhe parullat e tё rinjve dhe tekstet risi tё pahasura mё parё.

Duke shpërthyer një dëshirë sa evazive edhe kategorike, edhe “oponenca e kulluar” e protestës nuk se refuzon të flitet për gjënë, por refuzon të flitet ashtu siç flitet e ligjërohet derimëtash. As të bëjë apo të mos e bëjë aksh gjë, por të mos bëjë gjithë çka mund tё bëhet siç bëhet gjermëtani. E mund të thuhet se refuzon edhe mbështetjen, si dhe ofrimin eventual tё mbështetjes nga cilado palë politike. Kështuqë, më mirë të mos e njohë fare paktin me kushtet e tij, të mos e dijë, të mos dijë. Dituria, këtu si dijeni, nuk se do shpëtonte, ajo veçse rrezikon të topitё një ekzigjencë dëshirimi më brendësore, e paskëtaj, të miklojë dhe më në fund të detyrojë. Ndaj Shkruesi Bartlebi hidhet edhe si grepi për një destinacion e të ardhme të re të ligjërimit e narracionit.

Sërish e thënë, këtu do na interesonte ambienti teoretik që mund të iniciojë vendosja e një potenciali shpërthyes kimik përbrenda një mjedisi real, për të “shpërthyer” një deduksion në lidhje me këtё realitet tё ri dhe temёn e ngjarjes nё shqyrtim. Po mbase dhe si njё propozim rileximi disi më të angazhuar të Shkruesit Bartleby pra, pёrtej ngjarjes sё tij, edhe nёpёrmjet pasqyrimit si nё rastin e ndodhisё tonё. E dyta mbetet njё sprovё tё cilёn nё domenin kёtu s’e pёrmbushim dot pёrveҫse si premisё: Kёshtu – a thua se shkruesit i ka hipur tё kopjojё strategjinё e mallit drejt vlerёs si transformim i objektit nё hiç (si në përfaqësimin e mallit nëpërmjet reklamimit të vet) – ai preferon të kthehet në mall absolut: të vetё-objektivizohet absolutisht. Duke u zhbërë në hiç si mall real pёrdorimi, posa nё një çast do të ketë pikasur e ndjerë vetё hiçin e tij. Prej rrethanave, trajtimit apo vetёdijёsimit mbi të qenit derimëtani gati një hiçsubjekt.

Filozofia na konfirmon se kur vlera mbërrin hiçin, mbërrin absoluten objektiviteti. Porse, me t’u bërё koshient për gjendjen dhe statusin si mall, çelet në pah subjekti. Dhe po aty, atypёraty, Bartleby preferon të vendosë (ose vendos të preferojë) që të shndёrrohet në fantazmën e absolutes së vetes objektive, mallit që qe gjermëtash! Njё stok, mbetje… qё si e tillё, mbetje a hedhurinё, nuk preferon të vijojё realitetin, as si reale e dobishme e ripёrdorshme, teksa preferon sakaq të mos tundet vendit e shpёrngulet prej andej.

Por, ndërkaq, duke çliruar objektiven nga prangosja, çliron absoluten e vetes. Subjektiven. Duke mbetur kështu: një ambig mes objektit dhe subjektit. Jo më objekt, po ende jo subjekt! Paradoks edhe Absurd. Njё pezullti…

Fantazma e absolutes objektive dhe subjekti sublim që e sheh atë, prehet mu aty, por nuk e shpreh që nuk e shpreh. Mbetur njё ngёrç dhe pauzё e paparё nё letёrsi (pёr vite tёra, e papranueshme pёr vetё letёrsinё, e cila me Xhojsin e Kafkёn do t’ia njihte borxhin goxha më vonë).

E për ta lënë Bartlebynë në singularitetin e subjektit të vet, tani le ta ngasim ngjarjen e armëve toksike, me efektin mbi hapësirën publike, në një binar antropologjie kulturore dhe filozofie, harku i së cilës, dihet, bёn lakore nga Aristoteli te Heideggeri: si kapaciteti dhe tendenca për të formatuar një “botë” në kuptimin e termit që i kundërvihet atij “ambient”. Qoftё nёpёrmjet refuzimit. Ndaj po shtyhem deri te tendenca e sotme lidhur me kapacitetet modeste, shpesh naive ama të çiltra si iniciativё, për të formuar të ashtuquajtuarat nikie-topos, pra: botë brenda bote. Domethënë, për të fabrikuar e çelur realitete subjektore, copa realiteti ad hoc dhe autoreferenciale. Pakashumë si në botën e artit dhe të lojës. Sidomos, tek ndihesh i përjashtuar apo i shpërfillur nga realiteti i caktuar si referim, dhe kur leksiku politik, që këtu te ne ende ka ndikim shumё të fortë, gjer të thotë se pa rekomandimin e të fortit bota nuk do na kishte fare në refene.

Nuk ёshtё vendi tё ndalem te ligjërimi skizoid dhe topitës i arenёs sonё politike, si dhe zaptimi i territoreve tё ligjёrimit nga media qё ushqehen me tё -, por do veҫoja artikulimin “Rilindja” si instrumenti dhe lajtmotivi prej së cilës fillimisht u përfitua politikisht, ndjekur fill mëpastaj nga e kundërta e simbolikёs sё saj: veprimi politik që në fakt e shpërfill thelbin e mbartur në psiken kombëtare qysh prej Rilindjes. E cila, mban si tharm një produkt aliazh që ështё rezultat i një alkimie prej bukurisë shpirtërore dhe asaj natyrore, siç ёshtё kënduar me pathos nga rilindësit dhe mbetet e ngjizur në vetëdijen kombëtare. Nё bёrthamёn e saj ruhet njё memorie e hershme mbi kombin e rrezikuar, kërcënuar e sulmuar historikisht, gjё qё e bёn banorin tё mbetet i lidhur në njё ndjeshmёri tё thellё e simbolike me territorin. Edhe mëkati i viteve tё fundit i cenimit të natyrës dhe simbolit që përfaqëson, kërkon shpagim nё njё pendesё dhe sensibilitet kolektiv, manifestimi i të cilave gjen rastin tё vijojё përmes kёsaj proteste. Le të kujtohemi se pёrpara një shekulli ne depozituam në kancelaritë e vendimmarrjes për kombin dhe mёvetёsinё jo thjesht një dosje politike, por dosjen, po themi, poetike. Të mendimtarëve, punëtorëve të gjuhës e poetëve. Kësisoj, qoftë edhe irracionalisht, korpusi i shqiptarisë nuk do preferonte ta pranonte lehtësisht rolin kavje me trupa të huaj përbrenda trupit të gjymtuar. Përpos dhe nevojës aktuale e spontane për një sprovë të kolektivitetit drejt konsolidimit tё shoqërisё dhe qytetarisë, duke përkuar e mbështetur në këtë rast edhe një traditë e ideal.

Nuk është thjesht ndjeshmëria tek e ardhmja si ekologji ajo çka u vu në mbrojtje, por nevoja pёr ekuilibrimin e një ekologjie gjendjeje shpirtërore, të tashme e me rrënjë të së shkuarës: si besnikëria te kulti i bukurisë së natyrës. Pra, integriteti fizik dhe shpirtëror, në një vend ku këto paraqiten tradicionalisht si të tretura në njëra-tjetrën, qysh kur ‘pagëzimi’ E bukura e Dheut ka shenjuar perceptimin mbi pamjen e idealizuar tё mёmёdheut, njësh me dhimbjen e të qenit gjymtuar, duke zënë rrënjë dhe ekzistencë në etnopsikologjinë popullore. Njё aspiratё ende e papёrmbushur, e cila, si e tillё, mbart njё maraz mbarёpopullor tё vijueshёm dhe apelon nё kthesa e lakore tё historisё nevojёn pёr njё ri-rilindje, e shpesh nga pala pushtet miklimin prej premtimit tё saj.

Më shumë se frika nga reaksioni dhe rrjedhjet kimike, është këtu ndoshta edhe urgjenca ndaj reagimit të dobët qytetar të deritanishëm; më tepër se mbrojtja e mjedisit, është nevoja e një ambienti teoretik me hapësira për një proces të menduari dhe analiza vetenjohjeje. Sidomos mbi pyetjet e hershme teorike, rikthyer emergjente, që na mundojnë edhe ne: çfarë kemi të shenjuar nga kohërat e të trashëguar në “natyrën humane” si bashkëkombës? Dhe çfarë nga historia dhe regjimet me fuqi për të ngjizur sistem? Sigurisht, kjo nuk është pyetje që na mundon vetëm ne, teksa shpërfaqet kudo nëpër udhëkryqe që e rikthejnë njeriun a komunitetin të shohë brenda vetes.

Çifti Foucault–Chomsky dominoi dikur një dekadë kah përgjigjja: në jemi të kundërshenjuar ontologjikisht apo të zhytur në aktualitet? Por, a mundet një ontologji e të tashmes? Shprehja është e Michel Foucault, dhe ka një karakter paradoksal: tregon një objekt studimi – forma të jetës së bashkëkohësisë, që po ngjet bash tani-tani – historike sa më s’ka; pikërisht, ngase ka ravijëzimin e të shkuarës si të sotme dhe të sotmes si të ardhme.

Kjo dhe më shkrepi idenë për paralelizmën letrare të Bartlebisë. Dhe vendimin pёr t’ju pёrgjigjur edhe ftesёs suaj pёrmes saj, duke e depozituar disi arbitrarisht si njё lёndё mbetje, nё terrenin e diskurit filozofik, parashtrimin e kёtij referati nё trajtёn e njё kronike tё ditёs. Ditё e veçantё filozofimi, por njëherit ditё proteste, veprimi. Pse, edhe në sajë të teprisë e të veçantës së rastit është bërë e mundur një histori, pa të cilën nuk do mund të flitej as për ontologji. Dhe letërsisë, dihet, i vjen n’doresh ta furnizojë botën e tezave me historitë e veta dhe mënyrën si i rrëfen ato.

Do doja ta përfundoj me një shkrimtar artist të angazhuar që në të tilla udhëkryqe nuk ia dalim dot ta refuzojmë, një mjeshtër të imazhit mes rrënojave të publikes dhe qytetarisë. Atij që e fokusoi syrin e kamerës dhe vargun mbi mëkatet e brezit të tij – thuajse të pafajshëm pёrsa zaptuar nga irracionalja mani e dukjes dhe konsumit, që ai e titullon religjioni i kohës sonë -, por për t’ia drejtuar thirrjen brezit më pas: Si metafora reale e një sadizmi të papërballueshëm dhe cinizmi politik retorik prej lakmisë edhe orgjisë pa fre të fuqisë pushtet; fashistizimit të territoreve të ligjërimit, shkretimit të peizazheve, fashitjes sё traditave, shpirtrave, memories; dhunimit të shenjtërisë për paroksizmin e përdorimit dhe shpërdorimit. Së cilës, ai, i kundërvë, ekzaltimin e ngashëryer të një dëshirimi dashurie: sekreti i vetëm dhe shpresa e dëshpëruar e poetit për një realitet të ndryshëm. Poetik.

E përmbyll pra këtë shkrim me një varg në origjinalin ku fjala e fundit bart dy kuptime në një: domethënien edhe si mbetje plehrë, edhe si refuzim.

Pasolini – “Fiori: ecco che cosa il cuore vorrebbe offrirvi in cambio dei rifiuti”.

(c) 2026 Krenar Zejno. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Kumtesë e mbajtur në konferencën ndërkombëtare “Hapësirat Publike të Qytetarisë”, UT, Dita Botërore e Filozofisë, Nëntor 2013, (kur ndërkohë zhvillohej protesta kundër asgjësimit të helmeve dhe armëve kimike në territorin e vendit).

[ribotuar në përmbledhjen “Përmendje mbi universitetin” (Zenit, 2022) për një paralele mes protestave nga të rinjtë, refuzimin e armëve kimike edhe bojkotin aktiv mësimor dhe protestën për universitetin].

Propozuar këtu për një tjetër paralelizëm me ngjarjen e tanishme.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading