Ky shkrim e merr shtysën nga një postim i Artan Fugës në Facebook, që fillonte me frazën “Vetëm në Shqipëri kujtojnë akoma se Perëndimi është ende në kapitalizëm!!!” për të vazhduar me “Kapitalizmi ka cof!”
Edhe pse ka shumë të vërtetë në pohimet dhe postimin e mësipërm, dhe gjuha i përshtatet rrethinës së medias shoqërore, kjo punë e kapitalizmit është shumë serioze, pasi është sistemi që duam të themelojmë dhe më pas ndërtojmë, çka na sjell te pyetja kryesore: çfarë kapitalizmi duam? Marrjen e kapitalizmit si një koncept të ngrirë, e kemi trashëgim nga një e kaluar që kulturalisht nuk ka vdekur dhe që e merrte imperializmin (formën bashkëkohore të kapitalizmit, të indoktrinuar nga veprat përkatëse të Leninit dhe tekstet e Enver Hoxhës) në një bllok të vetëm, një farë bajlozi apo gogoli të errët një copet. Por kapitalizmi ka evoluar dhe vazhdon të evoluojë në thelb dhe në koncept, duke kaluar në faza të dallueshme, secila me logjikë të ndryshme funksionimi: Kapitalizmi tregtar (shek. XV–XVIII): dominim i tregtisë ndërkombëtare, rrugëve detare, akumulimit fillestar të kapitalit; Kapitalizmi industrial (shek. XVIII–XX): fabrikat, mekanizimi, prodhimi masiv, klasa punëtore e urbanizuar; Kapitalizmi financiar / global (shek. XX–XXI): dominim i tregjeve financiare, spekulimit, bankave dhe globalizimit. Këto faza përfaqësojnë ndryshim të thelbit të sistemit lidhur me burimin e fitimit, mënyrën e akumulimit, rolin e shtetit, strukturën e klasave dhe teknologjinë. Edhe teorikisht, vetë koncepti i kapitalizmit ka ndryshuar: Adam Smithi e shihte atë si sistem të vetërregulluar të interesit personal, Marksi si sistem të bazuar në tregun e punës dhe shfrytëzimin, Wallerstein-i si sistem botëror global, Friedman-i si sistem i tregjeve të lira[1]. Ndryshimi themelor përfshin kalimet nga prodhimi te financa: kapitali sot qarkullon më shumë në tregjet financiare sesa në prodhim, nga sipërmarrësi te menaxheri (e parashikuar nga Schumpeter-i[2]: kapitalizmi i suksesshëm krijon burokraci korporative që zëvendëson sipërmarrësin novator); nga tregjet kombëtare te globalizimi: kapitalizmi modern është global, i ndërlidhur dhe i varur nga rrjetet financiare ndërkombëtare; dhe nga konkurrenca te përqendrimi i kapitalit: korporatat gjigande, oligopolet dhe platformat digjitale kanë ndryshuar strukturën e tregut. Nga pikëpamja e energjisë shoqërore,Kapitalizmi tregtar ishte fazë e ulët energjie, me qarkullim të kufizuar, Kapitalizmi industrial një injeksion masiv energjie (teknologji, fabrika, urbanizim), ndërsa Kapitalizmi financiar është fazë e entropisë së lartë, ku kapitali shkëputet nga prodhimi dhe qarkullon si informacion.
Megjithatë, jemi dhe mbetemi ende në kapitalizëm, sepse logjika bazë e sistemit nuk ka ndryshuar, ngase edhe sot sistemi funksionon mbi disa parime thelbësore për kapitalizmin, si prona private mbi mjetet e prodhimit, tregjet e mallrave, punës dhe kapitalit, akumulimi i kapitalit, fitimi si qëllim dhe moto, dhe konkurrenca (edhe pse e deformuar). Ajo që ka ndryshuar është struktura e kapitalizmit. Kapitalizmi i sotëm nuk bazohet më te prodhimi, por te informacioni dhe financa. Fitimi nuk vjen më nga fabrika, por nga algoritmet, platformat, të dhënat, derivativët financiarë[3], spekulimi. Sipërmarrësi është zëvendësuar nga menaxheri dhe burokracia korporative. Kapitali është shkëputur nga territori, ai është global, i çmaterializuar, i tëhuajzuar. Tregjet nuk janë më të lira por të kontrolluara nga oligopolet, si Amazon, Google, Meta, Apple, Tencent, Alibaba, etj., të cilat nuk janë “firma kapitaliste” në kuptimin klasik por infrastruktura sistemike. Ka tre linja kryesore interpretimi të ndryshimeve të kapitalizmit, si: 1) Kapitalizëm i ri (neo-kapitalizëm) – Sistemi ka ndryshuar, por mbetet kapitalizëm; 2) Kapitalizëm mutacional, ndryshuar së brendshmi, si kapitalizëm platformash, financiar, digjital, një fazë e re, e paparë më pare; dhe 3) Post-kapitalizëm / shoqëri menaxheriale: jemi në një rend të ri, ku kapitali nuk është më forca kryesore, por të tilla janë menaxhimi, informacioni dhe teknologjia (sipas pesëshes Burnham, Galbraith, Drucker, Bell, Castells[4]).
Nga Burnham-i te Castells-i, teoritë e kapitalizmit përshkruajnë një zhvendosje të vazhdueshme të pushtetit ekonomik nga pronarët tek administratorët, nga kapitali industrial tek ai teknokratik, dhe nga struktura materiale te rrjetet e informacionit. Sipas Burnham-it, kapitalizmi klasik po zëvendësohej nga një shoqëri menaxheriale, ku kontrolli real i prodhimit kalon te burokratët teknikë. Galbraith-i e thelloi këtë ide me konceptin e teknostrukturës, një elitë korporative që planifikon ekonominë dhe zëvendëson mekanizmat e tregut. Drucker-i e pa këtë transformim si lindjen e shoqërisë së dijes, ku kapitali kryesor nuk është më fabrika, por ekspertiza profesionale dhe menaxheriale. Bell-i e quajti këtë fazë shoqëri post‑industriale, ku prodhimi material zëvendësohet nga prodhimi i informacionit dhe shërbimeve të avancuara. Castells-i e çoi më tej idenë duke e përshkruar kapitalizmin e sotëm si kapitalizëm rrjetor, ku ka më rëndësi aftësia për t’u ndërlidhur dhe përpunuar e qarkulluar informacion në shkallë globale se pronësia apo hierarkia. Në tërësi, këta autorë shpallin se kapitalizmi ka kaluar nga një regjim energjie materiale në një regjim informacioni, ku pushteti është gjithnjë e më shumë funksion i njohurisë, teknologjisë dhe rrjeteve. Në dekadat e fundit, kapitalizmi global dukej se kishte hyrë në një fazë të pakthyeshme (si një paralele konceptuale me “fundin e historisë” të Fukuyama-s): prodhimi zhvendosej drejt vendeve me kosto të ulët pune, ndërsa ekonomitë e zhvilluara transformoheshin në ekonomi të dijes, financave dhe teknologjisë. SHBA ishte shembulli më i pastër i këtij modeli: një ekonomi e çmaterializuar, e mbështetur te platformat, te financat dhe te inovacioni[5] digjital. Prodhimi industrial dukej si një kapitull i mbyllur.
Mirëpo sot, SHBA po përjeton një kthesë të madhe historike, një përpjekje të vetëdijshme për të rikthyer prodhimin brenda territorit të saj, çka përbën një rishikim të vetë logjikës së kapitalizmit amerikan, që merr shtysë nga tre faktorë: 1) Siguria gjeopolitike – varësia nga Kina shihet si rrezik strategjik; 2) Teknologjitë e reja – automatizimi e ul peshën e kostos së punës, duke e bërë prodhimin e brendshëm më të leverdishëm; dhe 3) Politikat industriale – subvencionet masive për çipet, bateritë, energjinë e pastër, automjetet elektrike. Këto forca po e shtyjnë SHBA-në drejt një modeli të ri ekonomik, ku prodhimi nuk është më i padobishëm por strategjik, dhe Kapitalizmi nuk është më vetëm financiar dhe digjital. Ri-industrializimi tregon se kapitalizmi po kërkon një bazë materiale për të ruajtur qëndrueshmërinë e tij. Kapitali po kupton se nuk mund të mbështetet vetëm te algoritmet dhe derivativët e kapitalit[6]. “Shkatërrimi krijues” i Schumpeter-it po merr një formë të re: në vend që të shkatërrojë industrinë e vjetër për t’i hapur rrugë sektorëve të rinj, kapitalizmi po rikthen industrinë e vjetër, por të transformuar: fabrika të automatizuara, robotikë, prodhim i avancuar, zinxhirë furnizimi[7] të shkurtër.
Kapitalizmi po kërkon të ulë entropinë e vet sepse sot ai është sistem me entropi të lartë: i shpërndarë, i çmaterializuar, i varur nga rrjetet globale. Ri-industrializimi është përpjekje për të rikthyer qendrat e energjisë ekonomike dhe krijuar stabilitet të brendshëm, për të ulur varësinë nga jashtë dhe rritur kapacitetin kolektiv kombëtar. Ri-industrializimi amerikan tregon se Kapitalizmi nuk është sistem dhe proces drejtvizor. Ai mund të kthehet prapa për të ecur përpara. Dhe nuk është vetëm logjikë tregu por edhe logjikë shteti. Globalizimi nuk është i pakthyeshëm dhe mund të riformësohet. Prodhimi mbetet themelor për fuqinë ekonomike dhe politike.
Nëse kjo prirje vazhdon, SHBA mund të krijojë një model të ri kapitalizmi me industri të avancuara, teknologji të integruara në prodhim, zinxhirë furnizimi të shkurtër, punë të kualifikuar dhe me më pak varësi nga tregjet globale. Ky model nuk është rikthim te kapitalizmi industrial i shekullit XX, por një kapitalizëm i ri industrial-teknologjik, ku fabrika dhe algoritmi bashkëjetojnë. Sinjali vjen i qartë: Kapitalizmi po kërkon sërish bazën e tij materiale.
Ulja e entropisë brenda SHBA-së rrit entropinë globale dhe krijon tensione të reja në sistemin global. Çdo zhvendosje e prodhimit nga Kina drejt SHBA-së është një zhvendosje e energjisë ekonomike, politike dhe teknologjike çka krijon rivalitet më të madh gjeopolitik, copëzim të tregtisë globale, rritje të proteksionizmit, garë për teknologjitë strategjike dhe riformësim të aleancave ekonomike. Kapitalizmi i ri industrial-teknologjik është njëkohësisht edhe stabilitet i brendshëm, edhe tension i jashtëm. SHBA po e ul entropinë e vet të brendshme duke rritur entropinë e sistemit global. Ky është një proces i njohur në teorinë e sistemeve: çdo sistem që kërkon stabilitet të brendshëm e zhvendos kaosin jashtë kufijve të tij. Ndërsa Kapitalizmi i shekullit XX ishte universalist dhe si i tillë kërkonte të përhapej, të globalizohej, të integronte botën në një treg të vetëm, Kapitalizmi i ri bashkëkohor është i kundërt, përzgjedhës, i copëzuar, i orientuar nga siguria, i mbështetur te teknologjitë strategjike dhe i lidhur me shtetin si aktor qendror. Pra, ky nuk është më kapitalizëm i tregut të lirë, por kapitalizëm i sovranitetit ekonomik, një Janus me njërën fytyrë stabilitetin e brendshëm, ku kërkon të rikthejë kontrollin mbi prodhimin, të krijojë punë të kualifikuar, të ulë varësinë nga zinxhirët globalë, të rrisë kapacitetin kolektiv, dhe me tjetrën tensionin global ku kërkon rishpërndarje të fuqisë, rivalitet teknologjik, garë për burime materiale, fragmentim (copëzim) të tregtisë dhe rritje të proteksionizmit. Kapitalizmi i ri është një kapitalizëm i tensionit të kontrolluar, strukturës së rikthyer dhe tensionit të rritur, një fazë e dyfishtë e energjisë ku entropia e brendshme ulet dhe entropia globale rritet.
Për vende si Shqipëria, kjo ka pasoja të rëndësishme: modeli i “ekonomisë së shërbimeve pa industri” nuk rezulton i qëndrueshëm, prodhimi po bëhet sërish qendror në zhvillimin ekonomik, zinxhirët globalë të furnizimit po riformësohen dhe vendet që nuk kanë industri dhe prodhim rrezikojnë të mbeten periferike dhe të pavlera. Por para se të vazhdojmë me shtjellimin e formës së duhur të kapitalizmit për ne, duhet të ndalemi te një mega-faktor, baza e çdo përshtatjeje me matricën e kapitalizmit bashkëkohor për vende si i yni: te Kultura e punës.
Në Shqipërinë e sotme, ideja e një tregu modern pune shfaqet si një aspiratë që duket si e afërt dhe e kapshme në retorikë, në dokumentet strategjike, apo në premtimet politike, por që në realitet mbetet e mjegullt, sepse nuk janë hedhur as themelet mbi të cilat ndërtohet një treg i tillë. Shqipëria përpiqet të ndërtojë një strukturë të re pune pa kaluar nëpër proceset historike që zakonisht e formësojnë atë. Kjo e bën punën një pikë të dobët, të paqëndrueshme, të varur nga rrethana të jashtme dhe nga improvizime të përditshme. Puna dhe tregu i punës në Shqipëri karakterizohen nga një strukturë e dobët dhe e copëzuar, ku dominimi i ndërmarrjeve të vogla me 1 deri 4 të punësuar dhe niveli i lartë i informalitetit (vlerësuar shpesh mbi 30%), krijojnë një mjedis të paqëndrueshëm për punëmarrësit dhe punëdhënësit. Tregu shqiptar i punës vuan nga mospërputhja midis ofertës dhe kërkesës për aftësi, një dukuri kjo e thelluar nga emigracioni i vazhdueshëm i fuqisë punëtore të kualifikuar dhe nga mungesa e hallkave funksionale të formimit profesional. Kjo situatë përfton një treg pune me prodhimtari të ulët, paga të vogla dhe lëvizshmëri (mobilitet) të kufizuar vertikal, duke e bërë punën shpesh të pasigurt dhe të paformalizuar. Në këtë kontekst, bizneset e vogla përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar (e famshmja “punë ka, por s’ka profesionistë”), ndërsa punëkërkuesit përballen me mungesë mundësish reale për karrierë dhe zhvillim profesional, pra një pamundësi e dyanshme, çka përbën një krizë me përkufizim.
Në shoqëritë ku kapitalizmi u zhvillua natyrshëm, industrializimi ishte edhe një laborator i madh shoqëror. Aty u krijuan orari, kontrata, sindikata, sigurimet, profesionet, kultura e meritokracisë, mekanizmat e negocimit: një kulturë e tërë pune. Aty u formua klasa e mesme, u standardizuan marrëdhëniet e punës dhe u krijua një disiplinë e re e kohës. Industrializimi ishte procesi që uli entropinë shoqërore, duke e kthyer punën nga një aktivitet i shpërndarë dhe jokoherent, në një forcë të organizuar, të qëndrueshme dhe transformuese. Shqipëria nuk e përjetoi këtë proces. Industrializimi socialist ishte një ndërhyrje e dhunshme, e shkëputur nga logjika e tregut dhe nga dinamika e kapitalit. Ai u shemb brenda natës, pa lënë pas një kulturë pune të qëndrueshme dhe institucione që mund të përthithnin tranzicionin. Pas viteve ’90, vendi nuk ndërtoi industri të reja, nuk krijoi borgjezi prodhuese, dhe as nuk zhvilloi treg të vërtetë të punës. Puna u zhvendos drejt sektorëve të ulët të vlerës së shtuar (ato pjesë të ekonomisë që prodhojnë mallra ose shërbime me pak transformim, teknologji dhe dije, dhe rrjedhimisht krijojnë fitim minimal për njësi produkti, si për shembull bujqësia tradicionale (pa përpunim, pa zinxhirë të ftohtë[8], pa certifikim), fasoneria (qepje, montim, punë manuale për tregje të huaja), ndërtimi i thjeshtë (pa arkitekturë, pa dizajn, pa teknologji), tregtia e vogël (shitje produktesh të importuara me marzh të ulët), apo shërbime bazike (transport i thjeshtë, punë fizike, punë sezonale), duke mbetur e pambështetur nga një ekonomi reale prodhuese. Në këtë boshllëk, tregu i punës nuk u formua si rezultat i një evolucioni të brendshëm, por si një import i papërfunduar i formave të jashtme të kapitalizmit.
Tregu modern i punës është gjithmonë pasojë e kapacitetit kolektiv të shoqërisë[9]. Ai nuk lind nga ligjet, as nga investimet e huaja, apo teknologjia e importuar, por nga një proces i gjatë uljeje të entropisë, nga krijimi i qendrave të qëndrueshme të energjisë shoqërore dhe nga formimi i institucioneve që e mbajnë punën të organizuar dhe të vlerë. Industrializimi në kuptimin e tij të gjerë, jo vetëm si fabrika, por si proces i organizimit të punës, është mekanizmi që krijon këtë kapacitet. Shqipëria përpiqet ta ndërtojë këtë kapacitet nga lart-poshtë: me politika punësimi, me programe formimi, me reforma administrative. Por këto masa funksionojnë vetëm kur shoqëria ka një bazë energjetike të mjaftueshme për t’i përthithur. Në mungesë të një historie të punës së organizuar, këto ndërhyrje mbeten të pjesshme, të përkohshme, të paqëndrueshme. Ato krijojnë iluzionin e një tregu modern pune, por jo substancën e tij. Shqipëria përpiqet të ndërtojë një sistem të uljes së entropisë pa pasur burimin energjetik që e prodhon atë. Puna mbetet një veprimtari e shpërndarë, e paqendërzuar dhe e pambështetur nga struktura të qëndrueshme. Ajo është simptomë e një sistemi ekonomik të papërfunduar, një shenjë e një kapitalizmi që mban emrin, por jo mekanizmat e tij transformues. Ideja se Shqipëria mund të hyjë drejtpërdrejt në ekonominë digjitale, duke kapërcyer industrializimin, është një iluzion i bukur, por i rrezikshëm. Ekonomia digjitale nuk funksionon në zbrazëti. Ajo kërkon kapital njerëzor të formuar, institucione të besueshme, kulturë pune të qëndrueshme, rregulla të qarta të tregut, stabilitet ekonomik. Pa këto, digjitalizimi nuk krijon zhvillim, por punë të paqëndrueshme, call centers, shërbime të thjeshta, punë që nuk ndërtojnë kapacitete afatgjata.
Në teoritë bashkëkohore të kapitalizmit, korporatat e mëdha shpesh paraqiten si aktorët dominues të ekonomisë globale, pasi ato kontrollojnë zinxhirët e furnizimit, teknologjinë, tregjet financiare dhe lëvizjen e kapitalit. Megjithatë, kur shohim strukturën e brendshme të ekonomive më të fuqishme të botës, si të Shteteve të Bashkuara apo Gjermanisë, tabloja është më komplekse. Korporatat e mëdha janë vetëm një shtresë e sistemit; poshtë tyre qëndron një bazë e gjerë biznesesh të vogla dhe të mesme që mbajnë peshën e punësimit, inovacionit lokal dhe stabilitetit ekonomik.
SHBA është modeli klasik i një ekonomie tregu liberale (Liberal Market Economy), ku fleksibiliteti, inovacioni dhe konsumerizmi janë motorët kryesorë të rritjes. Korporatat e mëdha teknologjike dhe financiare janë padyshim aktorë globalë, por struktura e brendshme e ekonomisë amerikane është shumë më e shpërndarë. SHBA janë një ekonomi e dyfishtë me gjigandët globalë dhe rrjetin e gjerë të bizneseve të vogla, të cilat luajnë role dhe funksione të ndryshme. Korporatat amerikane dominojnë tregjet globale të teknologjisë, financave dhe prodhimit të avancuar. Ato janë të lidhura ngushtë me ekonomitë e tjera të mëdha, përfshirë Gjermaninë, përmes investimeve dhe zinxhirëve të furnizimit. Bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 99% të të gjitha bizneseve dhe punësojnë rreth gjysmën e fuqisë punëtore private. Kjo tregon se struktura reale e ekonomisë amerikane është shumë më e decentralizuar sesa mund të perceptohet nga dominimi i korporatave. SHBA ka përjetuar një bjerrje (“hollowing out”) të prodhimit që nga vitet 1980, shoqëruar me humbje të mëdha të vendeve të punës në industri (rreth 5.8 milionë vende pune vetëm midis 2000 dhe 2010, një rënie kjo prej 34%). Kjo e zhvendosi ekonominë drejt teknologjisë, financave dhe shërbimeve, duke e bërë rolin e bizneseve të vogla edhe më të rëndësishëm sa i përket punësimit.
Ndërkaq, Gjermania përfaqëson modelin e ekonomisë së koordinuar të tregut (Coordinated Market Economy), ku shtyllat kryesore janë stabiliteti, konsensusi dhe prodhimi industrial. Edhe pse korporatat gjermane janë të fuqishme globalisht, sidomos në automobilë, makineri dhe farmaceutikë, bizneset e vogla dhe të mesme, shpesh familjare, Mittelstand-i, përbën si në SHBA, rreth 99% të bizneseve gjermane dhe është përgjegjës për një pjesë të madhe të punësimit dhe inovacionit industrial. Këto biznese janë shpesh udhëheqëse botërore në segmente shumë të specializuara të prodhimit[10]. Për më tepër, Gjermania po përjeton një periudhë deindustrializimi, me humbje të vendeve të punës në industri dhe rritje të kostove të energjisë.
Pra, (s)a dhe si dominojnë vërtet korporatat e mëdha? Korporatat e mëdha janë qendra të globalizimit, teknologjisë dhe kapitalit, por ato nuk janë struktura mbajtëse të punësimit si në SHBA, dhe Gjermani. Ekonomitë e këtyre vendeve mbështeten në një bazë të gjerë biznesesh të vogla dhe të mesme që krijojnë stabilitet, punësim dhe inovacion lokal. Në SHBA, bizneset e vogla janë motori i punësimit, ndërsa në Gjermani, Mittelstand-i është shtylla e prodhimit dhe eksportit. Korporatat e mëdha formësojnë tregjet globale, teknologjinë dhe politikat industriale, teksa bizneset e vogla dhe të mesme mbajnë peshën e punësimit, stabilitetit dhe inovacionit të shpërndarë. Kjo do të thotë se kapitalizmi i sotëm nuk është thjesht kapitalizëm korporatash, por një ekosistem i ndërlidhur, ku fuqia globale e korporatave bashkëjeton me rëndësinë strukturore të bizneseve të vogla.
Teoritë e zhvillimit të kapitalizmit vlejnë edhe për bizneset e vogla, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë; ato veprojnë si vektorë strukturorë që formësojnë mjedisin ku bizneset e vogla jetojnë, rriten ose dështojnë. Bizneset e vogla nuk janë krijuesit transformimeve sistemike por përthithësit e tyre. Teoritë përshkruajnë transformimin e kapitalizmit nga pronësia te menaxhimi, nga industria te dija, nga materiali te informacioni, nga hierarkia te rrjeti, dhe këto transformime nuk krijohen nga bizneset e vogla. Ato i rrethojnë dhe i kushtëzojnë këto të fundit. Në një ekonomi menaxheriale sipas Burnham-it, bizneset e vogla përballen me korporata të drejtuara nga teknokratë, jo nga pronarë, çka i shtyn ato drejt specializimit. Në teknostrukturën e Galbraith-it, korporatat planifikojnë tregun, duke e detyruar biznesin e vogël të gjejë niche (domene të veçanta lokale) që gjigandët nuk i prekin. Në shoqërinë e dijes së Drucker-it, biznesi i vogël mbijeton vetëm nëse zotëron aftësi profesionale dhe fleksibilitet. Në shoqërinë post‑industriale të Bell-it, bizneset e vogla zhvendosen drejt shërbimeve të avancuara, kreativitetit dhe teknologjisë. Në kapitalizmin rrjetor të Castells-it, ato mbijetojnë vetëm nëse lidhen me rrjete informacioni, platforma dhe ekosisteme digjitale. Pra, teoritë e zhvillimit të kapitalizmit vlejnë për bizneset e vogla jo sepse këto të fundit formësojnë epokat e tij, por sepse ato duhet të përshtaten me to për të mos u zhdukur. Edhe pse Burnham, Galbraith, Drucker, Bell dhe Castells flasin për transformime makro, për korporata, teknostruktura, shoqëri të dijes, post‑industrializëm, rrjete globale, këto transformime janë si fusha gravitacionale për bizneset e vogla që duhet të përshtaten për të mbijetuar. Më hollësisht: Sipas Burnham-it, kapitalizmi po zhvendoset nga pronarët te menaxherët profesionalë, që do të thotë se bizneset e vogla në veprimtaritë përkatëse përballen me korporata të drejtuara nga teknokratë, jo nga pronarë familjarë dhe kjo i detyron të specializohen në niche ku korporatat nuk ndërhyjnë për çfarëdo arsyeje, pasi biznesi i vogël nuk mund të konkurrojë me menaxhimin profesional të korporatave, e ndaj i duhet të konkurrojë me fleksibilitet, personalizim dhe shërbim. Pra, teoria e Burnham-it i shtyn bizneset e vogla drejt specializimit dhe diferencimit. Sipas Galbraith-it, korporatat e mëdha nuk ndjekin më tregun; ato e planifikojnë atë. Tregu nuk është më neutral por i dizajnuar nga të mëdhenjtë. Bizneset e vogla nuk mund të konkurrojnë në çmim, logjistikë, apo marketing masiv, ato mbijetojnë vetëm duke krijuar produkte unike, lokale, artizanale, të personalizuara, ose duke u bërë pjesë e zinxhirit të vlerës së korporatave (furnizues, apo nënkontraktorë). Pra, teknostruktura i detyron bizneset e vogla të gjejnë hapësira të vogla brenda një tregu të planifikuar nga të mëdhenjtë. Sipas Drucker-it, kapitali kryesor i epokës moderne është dija, jo toka apo makineritë. Bizneset e vogla nuk konkurrojnë më me kapital fizik, por me aftësi profesionale. Një biznes i vogël me ekspertizë të lartë mund të konkurrojë me një korporatë të madhe; konsulenca, IT, dizajni, shërbimet profesionale, të gjitha këto lulëzojnë në shoqërinë e dijes. Biznesi i vogël bëhet njësi e specializuar në tregun e dijes, jo thjesht një shitës produktesh. Sipas Bell-it, ekonomia zhvendoset nga prodhimi material te shërbimet e avancuara. Bizneset e vogla në këtë rast mund t’i ofrojnë ato shërbime. Ekonomia e shërbimeve është terren natyral për bizneset e vogla si restorante, klinika, dizajni, IT, analitikë, qendra arsimimi, turizëm. Përsëri, ato mund të lulëzojnë në sektorë ku korporatat nuk kanë interes të hyjnë. Kjo i jep biznesit të vogël një fushë të tërë ekonomike ku mund të jetë dominues. Sipas Castells-it, kapitalizmi modern është kapitalizëm i rrjeteve, jo i hierarkive. Nëse nuk janë të lidhura me rrjete (platforma, media sociale, marketplace, ekosisteme), bizneset e vogla të fushave përkatëse me treg jo lokal, zhduken. Ato nuk kanë më kufij gjeografikë dhe mund të shesin globalisht, por nëse nuk janë të digjitalizuara, nuk mund të mbijetojë. Rrjetet krijojnë mundësi të reja, por edhe konkurrencë globale. Kjo i detyron bizneset e vogla përkatëse të bëhen aktore të rrjeteve dhe jo të lagjes.
Në Shqipëri, bizneset e vogla përbëjnë me gjasë mbi 95% të ndërmarrjeve. Korporatat ndërkombëtare operojnë me menaxhim profesional, kompanitë e mëdha vendase shpesh kanë avantazhe (shpesh të pandershme) strukturore (tendera, monopole, lidhje politike) dhe konkurrenca në çmim është e pamundur. Kjo i detyron bizneset e vogla shqiptare të mbijetojnë përmes specializimit, personalizimit të shërbimit, fleksibilitetit (sipas qasjes Burnham). Tregjet kryesore (importi, ndërtimi, energjia, telekomi) janë të dominuara nga aktorë të mëdhenj që kontrollojnë çmimet, diktojnë standardet, përthithin subvencionet dhe ndikojnë politikat publike. Biznesi i vogël nuk mund të konkurrojë në këtë terren. Ai mbijeton vetëm duke gjetur fole që teknostruktura nuk i “gërget”: produkte artizanale, shërbime lokale, industri kreative, agro‑përpunim i vogël (sipas qasjes Galbraith). Në një vend ku kapitali financiar është i kufizuar dhe ku oligarkia kontrollon sektorët materialë, bizneset e vogla mund të fuqizohen vetëm përmes aftësive profesionale, teknologjisë, inovacionit, shërbimeve të specializuara. Kjo është arsyeja pse sektorë si IT, dizajni, marketingu, konsulenca, edukimi privat dhe shërbimet profesionale po rriten në Shqipëri (sipas qasjes Drucker). Shqipëria është një vend pa industri të madhe, por me potencial të madh në turizëm, gastronomi, shërbime me krijimtari, arsimim, kujdes shëndetësor, logjistikë të vogël, industri kulturore. Këto janë sektorë ku bizneset e vogla mund të dominojnë. Shoqëria post‑industriale është terren natyral për bizneset e vogla, sidomos në vende të vogla si Shqipëria (sipas qasjes Bell). Bizneset e vogla me klientelë potenciale globale sot mbijetojnë dhe/ose mbrothësojnë vetëm nëse janë të digjitalizuara, përdorin rrjete sociale, shesin online, lidhen me platforma ndërkombëtare, apo krijojnë komunitete klientësh. Nëse nuk janë pjesë e rrjetit, ato zhduken. Në epokën rrjetore, ato biznese të vogla nuk janë më lokale, ato ose janë globale, ose nuk janë më (sipas qasjes Castells).
Në përgjithësi, në Shqipëri bizneset e vogla përballen me tre sfida strukturore:
1. Kapitalizmi ekstraktiv – Tregjet janë të kapura, konkurrenca është e rreme, e pavërtetë, ndërsa shteti shpërndan favore. Kjo e bën të vështirë rritjen organike të biznesit të vogël.
2. Emigracioni masiv – Humbja e kapitalit njerëzor e dobëson aftësinë e biznesit të vogël për inovacion.
3. Fragmentimi (copëzimi) ekonomik – Mungesa e zinxhirëve të vlerës[11] e bën biznesin e vogël të izoluar.
Por teoritë e kapitalizmit tregojnë edhe rrugën e daljes: specializim (Burnham), niche (Galbraith), dije (Drucker), shërbime (Bell), rrjete (Castells). Këto janë pesë shtylla të mundshme të zhvillimit të biznesit të vogël shqiptar. Në Shqipëri, ku dominon kapitalizmi ekstraktiv, këto teori janë veçanërisht të vlefshme sepse tregojnë pse bizneset e vogla janë të dobëta dhe të thyeshme, pse ato nuk mund të konkurrojnë me të mëdhenjtë drejtpërdrejt, pse duhet të specializohen, digjitalizohen dhe të mbështeten te dija, e jo ekskluzivisht te kapitali fizik.
Kapitalizmi ynë është kapitalizëm ekstraktiv – Shqipëria është një nga shembujt më të qartë në Europë të kësaj forme të deformuar të kapitalizmit ku vlera nuk krijohet, por nxirret (ekstraktohet, “shtrydhet”), ku tregu nuk zhvillohet, por kapet, ku konkurrenca nuk nxit novacionin, por mbytet, ku shteti nuk është arbitër, por lojtar. Ky sistem nuk është thjesht një problem ekonomik. Ai është në të vërtetë një regjim energjie që formëson mënyrën si funksionon shoqëria, si mendojnë individët, si organizohen bizneset dhe si ndërtohet e ardhmja.
Kapitalizmi ekstraktiv si strukturë shpërfaq një ekonomi që nuk prodhon por përvetëson. Në Shqipëri, kapitalizmi nuk është i bazuar te prodhimi, novacioni, teknologjia, zinxhirët e vlerës, kapitali njerëzor, por tek importet, ndërtimi, tenderat, monopoli, oligarkia, klientelizmi. Kjo strukturë e bën ekonominë shqiptare jo krijuese, por përthithëse. Ajo nuk rrit kapacitetin kolektiv por e konsumon atë.
Kapitalizmi ekstraktiv funksionon përmes katër mekanizmave kryesorë:
a) Kapja e tregut – Sektorë të tërë kontrollohen nga pak kompani të lidhura me politikën.
b) Kapja e shtetit – Ligjet, tenderat, licencat dhe rregulloret shpesh krijohen për të favorizuar aktorë të caktuar.
c) Nxjerrja e vlerës – Fitimi vjen nga rritja artificiale e çmimeve, importet me marzhe të larta, ndërtimi i pakontrolluar, përdorimi i fondeve publike, shfrytëzimi i punës së paguar pak.
d) Shkatërrimi dhe zhbërja e konkurrencës – Biznesi i vogël nuk ka shans të rritet në një treg të kapur.
Shembuj të kapitalizmit ekstraktiv në sektorë të ndryshëm:
Ndërtimi, industria që gëlltit qytetin, është sektori më i dukshëm i kapitalizmit ekstraktiv shqiptar. Ai nuk është i lidhur me nevojat reale të tregut, por me pastrimin e parave, investimet spekulative, marrëdhëniet politike, fitimet e shpejta. Ai ndikon te bizneset e vogla përmes qirave që rriten (bizneset e vogla zhduken nga qendrat urbane), hapësirave komerciale që bëhen të pakapshme, shkatërrimit të tregut të shërbimeve lokale dhe humbjes së ekosistemit ekonomik të qytetit. Në Tiranë, qindra dyqane të vogla janë mbyllur për shkak të rritjes së qirave të shkaktuara nga ndërtimet e reja. Ndërtimi nuk krijon ekonomi reale, ai e zhvendos atë, sepse ndërtimi nuk prodhon kapacitete të reja ekonomike, por thith kapital, tokë, punë dhe vëmendje nga sektorët që do të mund të krijonin vlerë të qëndrueshme. Ndërtimi është aktivitet ekonomik, por jo ekonomi reale prodhuese. Nëse 100 milionë euro shkojnë në ndërtim, rriten çmimet e apartamenteve, fitojnë pronarët e tokës, punëtorët marrin paga të ulëta dhe pas përfundimit të godinës, vlera ekonomike ndalet. Ndërsa nëse 100 milionë euro shkojnë në industri, krijohen vende pune të qëndrueshme, rritet eksporti dhe prodhimtaria, krijohen zinxhirë furnizimi (supply chains) dhe rritet kapaciteti teknologjik i vendit. Shkurt: Ndërtimi është shpenzim ndërsa industria është investim.
Importet, tregu i kapur që mbyt prodhimin vendas: Shqipëria importon pothuajse gjithçka, ushqime, veshje, pajisje, materiale ndërtimi dhe importet kontrollohen nga pak kompani të mëdha. Ndikimi te bizneset e vogla: prodhuesit e vegjël nuk konkurrojnë dot në çmim, cilësia vendase nuk vlerësohet, zinxhirët e vlerës nuk zhvillohen, tregu lokal bëhet i varur nga jashtë. Për shembull, prodhuesit e vegjël të vajit të ullirit në Berat dhe Vlorë nuk konkurrojnë dot me importet e lira nga Greqia dhe Turqia. Ata mund të mbijetojnë vetëm duke krijuar produkte premium, të cilat kërkojnë treg të specializuar.
Tenderat, shteti si burim fitimi, jo si rregullator: Tenderat publikë janë një nga mekanizmat kryesorë të kapitalizmit ekstraktiv shqiptar. Ndikimi te bizneset e vogla: tenderat shkojnë te të njëjtët aktorë, bizneset e vogla nuk kanë akses, inovacioni nuk shpërblehet, konkurrenca është e shtirur. Për shembull, në sektorin e IT-së, tenderat për sisteme digjitale shpesh i marrin kompani të mëdha të lidhura me politikën, ndërsa startup‑et e vogla shqiptare, të cilat kanë aftësi reale, mbeten “prapa liste”.
Bujqësia: fermeri i vogël në një treg të padrejtë përballet me çmime të ulëta të blerjes, mungesa magazinimi, zinxhirësh të ftohtë, konkurrenca e padrejtë nga importet, mungesa subvencionesh reale. Pasoja te bizneset e vogla: fermerët nuk investojnë, prodhimi mbetet i copëzuar, nuk krijohen marka dhe as produkte me vlerë të shtuar. Për shembull, fermerët e Lushnjes apo të Korçës shpesh hedhin prodhimet sepse çmimet e importit janë më të ulëta se kostoja e prodhimit vendas. Ky është kapitalizëm ekstraktiv në formën e tij më brutale.
Turizmi, ku(r) oligarkia ndërton resorte dhe biznesi i vogël ofron eksperiencë: Në bregdet, resortet e mëdha shpesh marrin tokë publike, leje të veçanta, akses në infrastrukturë, mbështetje politike, ndërsa bizneset e vogla familjare luftojnë me mungesë infrastrukture, konkurrencë të padrejtë, sezon të shkurtër. Për shembull, në Dhërmi dhe Ksamil, resortet e mëdha kanë zhvendosur dhjetëra bujtina familjare. Megjithatë, turistët e huaj shpesh preferojnë pikërisht bujtinat, sepse ato ofrojnë autenticitet, jo luks artificial.
Kapitalizmi ekstraktiv është pengesa kryesore për bizneset e vogla shqiptare sepse ul vlerën e punës, shkatërron konkurrencën, rrit entropinë shoqërore, nxit emigracionin, mbyt inovacionin, favorizon oligarkinë, dobëson shtetin, copëzon tregun, teksa zhduk ndërkaq e gjithmonë klasën e mesme. Biznesi i vogël nuk mund të rritet në një sistem që favorizon të mëdhenjtë, penalizon të ndershmit, shpërblen lidhjet (connections, këtë vazhdimësi të kulturës dhe praktikës së “mikut” të monizmit) dhe ndëshkon meritën. Kapitalizmi ekstraktiv shqiptar është një regjim energjie që formëson mënyrën si funksionon vendi. Ai është pengesa kryesore për zhvillimin e biznesit të vogël, për krijimin e klasës së mesme dhe për ndërtimin e një ekonomie prodhuese.
Si mund të dalë Shqipëria nga kapitalizmi ekstraktiv? Ndërsa Shqipëria nuk mund të ndërtojë kapitalizëm të madh në shkallë (përmasë), ajo mund të ndërtojë kapitalizëm të zgjuar, të bazuar te biznesi i vogël deri mesatar (modeli Mittelstand), shteti strategjik (jo klientelist), industri të vogla të specializuara, teknologji dhe dije, rrjete digjitale, zinxhirë të shkurtër furnizimi, produkte me vlerë të shtuar, turizëm të qëndrueshëm, agro‑përpunim modern. Kjo është rruga e vetme që mund të thyejë logjikën dhe praktikën ekstraktive.
Shqipëria nuk ka luksin abstrakt të zgjedhë “kapitalizmin ideal”; ajo mund të zgjedhë vetëm atë formë kapitalizmi që është në gjendje të rrisë kapacitetin e saj kolektiv, të ulë entropinë shoqërore dhe të krijojë një bazë reale prodhuese, pa u kthyer në një kopje të dështuar të modeleve të mëdha (SHBA, Gjermani).
Ne nuk mund të kemi as kapitalizëm financiar (sepse nuk ka kapital të mjaftueshëm, as tregje të thella financiare), as kapitalizëm i pastër shërbimesh (sepse kjo e mban vendin në periferi, me punë të niveleve të ulëta dhe të paqëndrueshme), as kapitalizëm të “tregut të lirë” në kuptimin amerikan (sepse institucionet janë të dobëta dhe tregu kapet lehtësisht nga oligarkët), dhe as model të centralizuar shtetëror (sepse e kemi provuar dhe e dimë ku çon). Forma më e arsyeshme është një kapitalizëm i vogël deri i mesëm, i koordinuar, industrial‑teknologjik, i mbështetur te shteti si arkitekt, jo si pronar. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë “kapital të madh klientelist” por për një shtresë të gjerë biznesesh të vogla dhe të mesme që prodhojnë (e jo vetëm tregtojnë), eksportojnë (e jo vetëm importojnë), krijojnë vende pune të qëndrueshme dhe lidhen me njëri-tjetrin në zinxhirë vlerash. Pra, një lloj Mittelstand-i shqiptar, jo kopje e Gjermanisë, por një rrjet të gjerë firmash të vogla e të mesme, shpesh familjare, që specializohen në fusha të caktuara (agro‑përpunim, produkte niche, industri kreative, shërbime të specializuara, teknologji të vogla, turizëm cilësor, etj.). Kjo formë kapitalizmi e zvogëlon varësinë nga 10 apo 15 oligarkë, e shpërndan energjinë ekonomike në shumë qendra, rrit kapacitetin kolektiv dhe krijon një bazë reale për klasë të mesme.
Shqipëria nuk ka institucione aq të forta sa të mbështesë një model “tregu të lirë” në stilin amerikan. Në praktikë, “tregu i lirë” në një vend me institucione të dobëta do të thotë treg i kapur, konkurrencë të paqenë dhe të shtirur, oligopol dhe klientelizëm. Prandaj, forma më e shëndetshme është një kapitalizëm i koordinuar, ku shteti nuk është pronar, por rregullues dhe orientues, politikat industriale janë të qarta (p.sh. mbështetje për sektorë të caktuar), ka marrëveshje të qëndrueshme mes shtetit, biznesit dhe punës (sindikata, dhoma biznesi, etj.) dhe ligji zbatohet në mënyrë të parashikueshme dhe transparente. Ky model nuk është as neoliberal dhe as socialist por një kapitalizëm i ndërmjetësuar, ku tregu nuk lihet në mëshirë të fatit (vetes), por dhe as nuk mbytet nga shteti.
Po ashtu, Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë as Gjermani, por mund të ketë ishuj industrialë‑teknologjikë, njësi të vogla prodhimi të automatizuara, laboratorë softuerësh dhe shërbimesh dixhitale, qendra përpunimi agro‑ushqimor me teknologji moderne, industri të vogla të komponentëve, apo punishte të specializuara me eksport. Pra, jo “industrializim masiv”, por industrializim i zgjuar, i fokusuar, i lidhur me teknologjinë dhe me tregjet e jashtme.
Forma e duhur e kapitalizmit në Shqipëri kërkon një shtet që di çfarë do, jo një shtet që thjesht shpërndan tendera, një arkitekt të tregut e jo pronar të tij, një garant të rregullave e jo lojtar i fshehtë, një investitor në infrastrukturë, arsim, teknologji e jo konkurrent i biznesit, një mbrojtës të punës e jo të interesave të ngushta. Pa këtë lloj shteti, çdo formë kapitalizmi do të deformohet në kapitalizëm ekstraktiv. Forma e duhur e kapitalizmit për Shqipërinë nuk matet vetëm me rritjen ekonomike, por edhe me rritjen e kapacitetit kolektiv (sa gjëra mund të bëjë shoqëria vetë), uljen e entropisë shoqërore (më pak kaos, më shumë strukturë), rritjen e vlerës së punës (jo vetëm numrin e vendeve të punës) dhe krijimin e klasës së mesme reale, jo thjesht të konsumatorëve me kredi. Kapitalizmi i duhur nuk është ai që sjell vetëm para, por ai që rrit aftësinë e shoqërisë për të vepruar.
Për ta mbyllur, po bëj një pranëvënie të bujqësisë e blegtorisë kodrinore-malore të Shqipërisë dhe Austrisë, sepse të dyja i kam jetuar dhe parë në person. Në zonat kodrinore‑malore të Austrisë, bujqësia dhe blegtoria nuk janë vetëm aktivitete ekonomike, por pjesë e një ekosistemi shoqëror,kulturor dhe institucional që ka ruajtur vitalitetin e tij për shekuj. Fermeri malor austriak rrallë largohet nga toka e tij, jo sepse nuk ka alternativa, por sepse toka, ferma dhe peizazhi formojnë një njësi të pandashme të identitetit dhe të ekonomisë lokale. Ky është një model ku tradita, shteti dhe tregu bashkëveprojnë në mënyrë të qëndrueshme. Në Alpet austriake, shumica e fermave janë të vogla ose të mesme (zakonisht deri në 20 ha), të menaxhuara nga familje që jetojnë në të njëjtin vend prej brezash. Para se të jenë të mbrothët dhe të këndojnë jodëll, ata janë krenarë. Një ndër mburrjet më të zakonshme ishte “jemi bujq biologjikë”, një koncept ky jo aq i përhapur sa sot për kohën (vitet ’90-ë). Terreni i pjerrët nuk lejon bujqësi intensive; për këtë arsye, blegtoria e qumështit, kullotja alpine dhe prodhimet artizanale janë shtylla kryesore. Ferma nuk është vetëm vend prodhimi, por një njësi multifunksionale: prodhon ushqim, menaxhon pyje (zakonisht ferma ka 1/3 e tokës pyll, i cili konsiderohet si një ‘librezë kursimi’ për një ‘ditë të keqe’), ruan peizazhin, ofron turizëm rural dhe shërbime ekologjike. Ky shumëfunksionalitet e bën fermën malore austriake ekonomikisht elastike. Një familje mund të ketë të ardhura nga qumështi, djathi, pylltaria, një apartament turistik, shitja direkte e produkteve dhe ndonjë punë me kohë të pjesshme jashtë fermës. Ky diversifikim i të ardhurave është një arsye kryesore pse fermerët nuk braktisin tokën.
Shteti austriak e trajton zonën alpine si aset kombëtar. Mbi gjysma e fermave ndodhen në zona të pafavorshme malore, dhe këto marrin mbështetje të drejtpërdrejtë për të ruajtur peizazhin kulturor, biodiversitetin dhe traditat e kullotjes. Subvencionet nuk janë thjesht ndihmë ekonomike; ato janë pagesë për shërbime publike që fermeri i ofron shoqërisë: peizazh i hapur, pyje të menaxhuara, kullota të pastra, turizëm i qëndrueshëm. Në këtë mënyrë, shteti e mban gjallë një ekonomi të vogël rurale që, pa ndërhyrje, do të ishte zhdukur nën presionin e tregut global. Modeli rural austriak është në thelb një variant agrar i kapitalizmit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Ashtu si firmat gjermane të specializuara që dominojnë niche globale, fermat alpine prodhojnë produkte premium, të certifikuara, me cilësi të lartë dhe me histori të fortë vendore e territoriale (të zonës). Ato janë biznese familjare me horizont afatgjatë, të integruara në komunitet, me vendimmarrje të shpejtë dhe me inovacion të heshtur: teknologji të vogla, përpunim lokal, energji të rinovueshme, marketing territorial. Ky model krijon vlerë të shtuar të qëndrueshme, edhe në kushte topografike të vështira.
Në Shqipëri, zonat kodrinore‑malore kanë potencial të madh, por funksionojnë sipas një logjike krejt tjetër. Ndryshe nga Austria, fermeri shqiptar shpesh është i detyruar të largohet nga toka sepse të ardhurat janë të ulëta dhe të paqëndrueshme, mungon përpunimi lokal, turizmi rural i strukturuar, infrastruktura dhe mbështetja institucionale e qëndrueshme. Ferma shqiptare është shpesh njësi e izoluar dhe jo pjesë e një ekosistemi ekonomik. Ndërsa ferma alpine austriake është një qendër e shumë funksioneve (ushqim, pylltari, turizëm, shërbime ekologjike), ferma shqiptare mbetet e kufizuar në prodhim bazik: pak blegtori, pak bujqësi, shpesh pa zinxhirë të përpunimit. Kjo e bën të ardhurën të varur nga çmimet e tregut dhe nga ndërmjetësit. Për prodhimin e qumështit alpin, të pakën në kohën që jetoja atje (vitet ’90-ë), shteti garantonte blerjen e qumështit përmes automjeteve që e merrnin produktin (bidonët) në pika fare afër fermës – fermeri nuk kishte kokëçarjen e shitjes së produktit. Në zonën ku banoja, përpunimi i qumështit bëhej nga një fabrikë lokale, Ennstal Milch KG – pra edhe zinxhiri i përpunimit dhe i prodhimeve me vlerë të shtuar ishte shumë i shkurtër. Cilësia e lëndës së parë sigurohej shumë thjesht: një fermer paguhej me çmim normal deri në 3000 litra qumësht për lopë në vit. Çdo litër mbi këtë prag shitej me çmim shumë të ulët, e ndaj prodhuesit prodhonin deri në atë sasi që garanton cilësinë e lartë. Pra një sistem optimizues ku të gjitha palët ishin të favorizuara.
Shqipëria nuk ka ende një Mittelstand rural. Bizneset e vogla ekzistojnë, por nuk janë të integruara në zinxhirë të qëndrueshëm, nuk kanë certifikime, as tregje të sigurta dhe as mbështetje për inovacion. Në vend të produkteve premium, prodhimi shpesh është i papërpunuar dhe me vlerë të ulët. Ndryshe nga Austria, ku shteti e sheh fermën malore si aset kombëtar, në Shqipëri politikat rurale janë të palidhura në një sistem përbashkues, janë të paqëndrueshme dhe shpesh të orientuara drejt projekteve afatshkurtra. Nuk ka një strategji të qartë për ruajtjen e peizazhit, zhvillimin e turizmit rural, certifikimin e produkteve, krijimin e zinxhirëve të përpunimit dhe mbështetjen e fermave familjare. Austria na tregon se edhe zonat më të vështira mund të bëhen qendra të kapitalizmit të vogël, të qëndrueshëm dhe me vlerë të lartë, nëse ekziston një strukturë institucionale dhe ekonomike që e mban fermerin e vogël dhe të mesëm në qendër të sistemit.
(c) 2026 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
[1] Immanuel Wallerstein (1974) zhvilloi teorinë e “sistemit global botëror”, sipas të cilit kapitalizmi funksionon si një rend global i ndarë në qendër, periferi dhe gjysmë‑periferi, ku vendet periferike mbeten të varura përmes marrëdhënieve strukturore të pabarabarta. Thomas L. Friedman (2005), në të kundërt, e përshkroi globalizimin si një proces “rrafshimi” të botës, ku teknologjia, rrjetet dhe tregjet krijojnë mundësi të reja për konkurrencë dhe integrim ekonomik. Së bashku, këto dy perspektiva përftojnë një përplasje teorike midis globalizimit si strukturë pabarazie dhe si hapësirë mundësish.
[2] Joseph A. Schumpeter (1942) e konceptoi kapitalizmin si një proces dinamik “shkatërrimi krijues”, ku inovacioni i sipërmarrësit përmbys vazhdimisht strukturat ekzistuese ekonomike. Në analizën e tij të mëvonshme, Schumpeter-i mbronte idenë se vetë suksesi i kapitalizmit prodhon burokraci korporative dhe teknokratike që zëvendëson sipërmarrësin inovator, duke e bërë sistemin të priret drejt amullisë dhe transformimit në një rend të menaxhuar. Paradoksalisht kapitalizmin shkon drejt “vdekjes nga suksesi i vet”, jo nga dështimi i tij.
[3] Derivativët financiarë janë kontrata të ndërtuara mbi vlerën e një aktivi bazë (instrumenti financiar, malli, valuta, indeksi ose norma e interesit, lëvizja e të cilit përcakton vlerën e derivativit,), si aksione, obligacione, indekse, valuta apo mallra, dhe përdoren për mbrojtje nga rreziku, spekulim ose arbitrazh. Vlera e tyre rrjedh nga lëvizjet e çmimit të aktivëve bazë, ndërsa format më të zakonshme përfshijnë futures, opsionet, swaps dhe kontratat e strukturuara. Në tregjet moderne, derivativët luajnë rol qendror në menaxhimin e rrezikut financiar, por njëkohësisht mund të rrisin paqëndrueshmërinë kur përdoren në mënyrë spekulative ose me levë të lartë (kur një investitor, bankë apo institucion financiar përdor shumë pak kapital të vetin dhe shumë kapital të huazuar për të bërë një transaksion, që mundëson fitim por edhe rrezik të lartë). Në tregun shqiptar, derivativët nuk tregtohen në bursë, por përdoren në mënyrë të kufizuar përmes marrëveshjeve bilaterale me bankat, kryesisht për menaxhimin e rrezikut valutor. Një kompani eksportuese shqiptare që merr të ardhura në euro, por paguan furnitorët në lekë, mund të përdorë një kontratë forward EUR/ALL me bankën për të fiksuar kursin e këmbimit për 3 deri 6 muajt e ardhshëm. Ky forward është derivativ, sepse vlera e tij varet nga kursi i ardhshëm i euros, dhe i mundëson kompanisë të shmangë humbjet nga luhatjet e kursit valutor.
[4] Burnham, Galbraith, Drucker, Bell dhe Castells përfaqësojnë pesë linja të ndryshme të teorisë së kapitalizmit në shekullin XX-XXI. Burnham (1941) argumentoi kalimin nga kapitalizmi pronësor te “shoqëria menaxheriale”, ku pushteti ekonomik zhvendoset te teknokratët. Galbraith (1967) zhvilloi idenë e “teknostrukturës”, një elitë korporative që planifikon tregun dhe zëvendëson mekanizmat klasikë të konkurrencës. Drucker (1969) e pa transformimin ekonomik si lindjen e “shoqërisë së dijes”, ku ekspertiza profesionale bëhet burimi kryesor i vlerës. Bell (1973) e konceptoi këtë fazë si “shoqëri post‑industriale”, të bazuar te shërbimet, informacioni dhe teknologjitë e avancuara. Castells (1996) e çoi më tej analizën duke përshkruar “kapitalizmin rrjetor”, ku fuqia ekonomike buron nga aftësia për të prodhuar, qarkulluar dhe kontrolluar informacion në rrjete globale. Së bashku, këta autorë ofrojnë një kornizë të gjerë për të kuptuar evolucionin e kapitalizmit nga industria te informacioni dhe nga hierarkia te rrjeti.
[5] Inovacioni si term përshkruan krijimin ose zbatimin e zgjidhjeve të reja teknologjike, organizative apo sociale, që rrisin prodhimtarinë, efikasitetin ose vlerën ekonomike. Në teorinë ekonomike, inovacioni shihet si motor i rritjes afatgjatë (Schumpeter), ndërsa në politikat bashkëkohore të zhvillimit ai lidhet me kapacitetin e një ekonomie për të gjeneruar dije, përthithur teknologji dhe transformuar strukturat e prodhimit. Në këtë tekst nuk do përdorim fjalën “risi”, por “inovacion” si formë që e jep më qartë konceptin.
[6] Instrumente financiare që lejojnë investitorët të spekulojnë, të mbrohen ose të transferojnë rrezikun mbi vlerën e ardhshme të kapitalit pa e zotëruar vetë kapitalin bazë, për shembull opsionet mbi S&P500, vlera e të cilave varet nga lëvizja e ardhshme e tregut të aksioneve përkatëse, pa qenë nevoja të zotërosh vetë aksionet.
[7] “Zinxhirët e furnizimit” (supply chains) i referohen sistemit të integruar të proceseve përmes të cilave një produkt ose shërbim kalon nga burimi i tij fillestar – furnizuesit e lëndëve të para – deri te konsumatori final. Koncepti përfshin koordinimin e aktiviteteve si prokurimi, prodhimi, magazinimi, transporti, shpërndarja dhe menaxhimi i informacionit ndërmjet aktorëve të ndryshëm ekonomikë. Në literaturën bashkëkohore, zinxhirët e furnizimit shihen si rrjete komplekse, të ndërlidhura dhe të varura nga efikasiteti logjistik, transparenca dhe teknologjitë digjitale. Në kontekstin shqiptar, zinxhirët e furnizimit janë shpesh të fragmentuar (copëzuar), të paformalizuar dhe të pambështetur nga infrastruktura, gjë që krijon kosto të larta, humbje produktiviteti dhe vështirësi për bizneset e vogla që kërkojnë të integrohen në tregjet rajonale ose globale.
[8] Zinxhirët e ftohtë” (cold chains) i referohen infrastrukturës së specializuar logjistike që siguron ruajtjen, transportin dhe shpërndarjen e produkteve të ndjeshme ndaj temperaturës, si ushqimet e freskëta, produktet bujqësore, qumështi, mishi, peshku dhe vaksinat, në kushte të kontrolluara termike nga pika e origjinës deri te konsumatori final. Një zinxhir i ftohtë përfshin depo frigoriferike, automjete të ftohta, pajisje monitorimi dhe standarde të rrepta higjieno‑sanitare. Në ekonomitë e zhvilluara, zinxhirët e ftohtë janë thelbësorë për uljen e humbjeve, rritjen e cilësisë dhe integrimin e prodhuesve të vegjël në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Shqipëri, mungesa e zinxhirëve të ftohtë është një nga pengesat kryesore për zhvillimin e bujqësisë dhe agro‑përpunimit, duke shkaktuar humbje të mëdha pas‑korrjes, ulje të konkurrueshmërisë dhe varësi të lartë nga importet.
[9] Kapaciteti kolektiv i shoqërisë i referohet aftësisë së një komuniteti për të koordinuar veprimet, për të mobilizuar burimet dhe për të prodhuar rezultate që tejkalojnë kontributet individuale. Ai varet nga kohezioni (përbashkimi) shoqëror, besimi, normat e bashkëpunimit dhe infrastruktura institucionale që reduktojnë entropinë shoqërore dhe rrisin “energjinë e lirë” të disponueshme për veprim të përbashkët. Kapaciteti kolektiv është një veti emergjente e sistemeve shoqërore, që shfaqet vetëm kur organizimi, kultura dhe burimet materiale ndërveprojnë në mënyrë të qëndrueshme.
[10] Disa shembuj: HARTING (Espelkamp, Gjermani) është një kompani familjare me rreth 6000 punonjës, e specializuar në konektorë industrialë (industrial connectors). Produkti i tyre kryesor, Han® connector, është standard global në makineri industriale, robotikë dhe hekurudha. Edhe gjigantët si Siemens, ABB dhe Boeing përdorin komponentët e tyre. Ky është një segment i ngushtë, por me kërkesa jashtëzakonisht të larta për cilësi dhe besueshmëri, dhe HARTING është lider botëror. ( https://www.harting.com/en-US/c/Industrial-connectors-Han-57904 )
WITTENSTEIN (Igersheim), një tjetër kompani e vogël‑mesatare që prodhon reduktorë me precizion të lartë për robotikë dhe automatikë. Reduktorët e tyre përdoren në robotët industrialë të KUKA, FANUC dhe Yaskawa. Në këtë segment shumë të specializuar, Wittenstein kontrollon një pjesë të madhe të tregut global. (https://www.wittenstein-group.com/int-en )
VEGA Grieshaber (Schiltach), lider botëror në sensorë të matjes së nivelit dhe presionit për industrinë kimike, ushqimore dhe energjetike. Është kompani familjare, jo korporatë. Produktet e tyre përdoren në rafineri, hidrocentrale, impiante të ujit dhe fabrika ushqimore në mbi 80 vende. ( https://www.vega.com/en-us/company/about-vega )
Këto biznese të vogla janë lidere botërore sepse kanë një përqendrim skajor në një produkt të vetëm ose një segment shumë të ngushtë, investime të mëdha në inovacion teknik dhe inxhinieri precise, cilësi e garantuar për dekada dhe reputacion të pakonkurrueshëm, marrëdhënie afatgjata me klientë industrialë globalë dhe strukturë familjare që lejon vendimmarrje të shpejtë dhe strategji afatgjata.
[11] “Zinxhirët e vlerës” i referohen modelit analitik të propozuar fillimisht nga Michael Porter (1985), sipas të cilit vlera ekonomike nuk krijohet nga një akt i vetëm prodhimi, por nga një sekuencë aktivitetesh të ndërlidhura, nga furnizimi me lëndë të para, te prodhimi, përpunimi, logjistika, marketingu, shpërndarja dhe shërbimet pas shitjes. Çdo hallkë e këtij zinxhiri kontribuon në rritjen ose uljen e vlerës së produktit final. Në ekonomitë e zhvilluara, zinxhirët e vlerës janë të integruar horizontalisht dhe vertikalisht, duke krijuar efikasitet, specializim dhe shkallëzim. Në vende si Shqipëria, ku tregjet janë të fragmentuara dhe kapitalizmi është kryesisht ekstraktiv, zinxhirët e vlerës janë të shkurtër, të ndërprerë ose të kapur nga aktorë të mëdhenj, gjë që e pengon biznesin e vogël të rritet dhe të krijojë produkte me vlerë të shtuar.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.