Një parathënie për “Ninullat e Natyrës”
Natyra ka frymëzuar artet, kulturat dhe qytetërimet tona gjatë gjithë historisë së njohur të njerëzimit. Që në rastet më të hershme të artit të dokumentuar mund të vërejmë himnizimin e saj në një nivel ekstatik.
Nga afresket e Altamirës, me bizonët e kuq që kullosin qiellin e artistëve parahistorikë (rreth 30 mijë vjet më parë), te skenat blegtorale të artit shkëmbor të Tassili n’Ajjer (afro 10 mijë vjet të shkuara), dhe shumë paraqitje të tjera, natyra ka qenë gjithmonë lënda e ëndrrave dhe krijimtarisë së popujve ndër shekuj.
Çfarë tjetër mund të bënin? Duke endur mbi këtë trup qiellor që e quajmë Tokë, vërtitur në hapësirën e pamat të Universit, ata veç mund të tregonin historinë e tyre përmes përvojave të rrënjosura në vetë palcën e rendit kozmik.
Është në të njëjtën frymë që sot ftohet vëmendja e publikut rreth respektimit të mjedisit dhe admirimit të së bukurës nëpërmjet një gërshetimi organik të thirrjes së natyrës me artet tona, ashtu siç paraardhësit tanë kanë bërë gjithmonë, prej kur s’mbahet mend.
Kjo pakohësi bëhet e prekshme përmes traditave lokale brenda temperamentit të së sotmes. Duke e parë historinë me lente bashkëkohore, i japim kuptim ekzistencës sonë të vetëdijshme. Në thelb, është po ajo baladë e vjetër që përcillet kurdoherë e re në sakrificën e pandalshme të çastit që zgjon sensin tonë harmonik të botës.
Ndër këngët e spikatura të traditës muzikore shqiptare, natyra është kaq e pranishme sa nuk mund të mos admirosh çastin kur kuptimi takon të bukurën. Në njërën prej tyre (Qan Lulja për Lulen) portretizohet literalisht një lule që vajton humbjen e shoqes së vet të sakrifikuar për dashurinë e njerëzve.
Kundërintuitivisht, nuk përbën çudi sesi një krijesë njëherazi kaq rrezatuese dhe e brishtë, të jetë bërë emblema e së bukurës ideale si dhe më të lartave virtyteve tonat, teksa vallëzon gjendjen e një stine kalimtare.
Mes subjekteve dhe simbolikave që kanë frymëzuar dhjetë këngët e albumit “Ninullat e Natyrës”, duhet përmendur se kjo nismë ka lindur më së pari nga dashuria dhe magjepsja pas luleve. Harlisur në eposin romantik të Shqipërisë së Mesme, lulja ka qenë gjithmonë në zemër të këtij procesi, sikurse në strofën e parë të këngës:
“Kur pata nji lule t’bukur
Thashë se do ta kem përherë.
Iku fluturoi si flutur
Edhe s’mujta me i marr erë.”
“Kur pata nji lule t’bukur” me autor Isuf Myzyrin (1881-1956) nga Elbasani, ndër këngët përfaqësuese të këtij albumi, është, po ashtu, prej krijimeve ikonike të muzikës tradicionale shqiptare. Isufi ishte poet, mistik, kompozitor dhe violinist. Në këtë vepër, ai ka ditur të zgjojë më delikatin e tingujve.
Në përsosmërinë e saj, lulja është efemere; dhe pikërisht edhe prej kësaj merr vlerë. Ajo na fton të soditim të përkohshmen e idealizuar në këtë botë kalimtare. Koha e shkuar e foljes në vargun e parë të këngës, përcakton që në krye të herës kuptimin dhe tonin e dramës që do të shpaloset.
Isufi evokon paplotësinë e gjendjes njerëzore kur këndon: “Thashë se do ta kem përherë”, duke paralajmëruar elegjinë e së pamundurës.
“Iku fluturoi si flutur” shënon zhvillimin elokuent të kësaj drame. Një metamorfozë e së pakapshmes, e subjektit që nuk mbaron, figura sugjeron për nga transformimi elegant dhe i mistershëm.
Lulja nuk vyshket dhe as vdes. E shndërruar në flutur, ajo merr drejt horizonteve të pakapshme. Ende objekt i së njëjtës dëshirë, por tashmë me atribute edhe më eterale, lulja-flutur flet për ngashënjimin e zemrave tona për idealin e parrokshëm.
Isufi bëhet edhe më delikat. Ai thotë: “Edhe s’mujta me i marr erë”: Prekja mund të jetë e vrazhdë dhe vulgare. Aroma nuk është e tillë; por është më shumë se kaq. Është intime. Ky intimitet bëhet prekshmërisht i pamundur, pikërisht prej përkohshmërisë së gjërave që duam.
Por shih! Mes lules së përkohshme dhe dëshirave tona përjetësisht të ethshme, kuptimi i gjërave përmbyset. Lulja fluturon si flutur, në përjetësi. Ndërsa zjarrmi ynë shuhet me ne.
Ashtu si japonezi Kiko shkroi dy shekuj më parë në haikun e tij të vdekjes:
“Çka çel
vyshket – fati i mishit
në këtë botë lulesh”
Ka diçka objektivisht magjike këtu. Në Japoninë e vjetër, një hapësirë gjeografike, kulturore dhe shpirtërore kaq gjatë e izoluar nga pjesa tjetër e njerëzimit, mund të gjejmë, megjithatë, të njëjtat simbolika dhe interpretime rreth artit të luleve. Isufi i Elbasanit këndon të njëjtin psalm floral në muzgun e Perandorisë Osmane në Ballkan, ashtu si Kiko e përjetësoi në testamentin e tij në Japoninë e Periudhës Edo.
Ky nuk është një motiv i izoluar në një territor apo kohë specifike, duke u kredhur edhe më tej në filozofinë e Niponit të mëvonë.
“Në grinë drithëruese të një agimi pranvere, kur zogjtë po pëshpëritnin në kadencë misterioze ndër pemë, a nuk ke ndier që në çifte ata po flisnin për lulet? Sigurisht që për njerëzimin, vlerësimi i luleve duhet të ketë qenë bashkërendës me poezinë e dashurisë. Në ofrimin e kurorës së parë ndaj vashës së tij, njeriu parahistorik transcendentoi shtazën. Ai u bë njerëzor duke u ngritur kështu mbi nevojat e vrazhda të natyrës. Ai hyri në sferën e artit kur perceptoi dobinë e hollë të së padobishmes.”
(Libri i Çajit – Okakura Kakuzō, 1906, SHBA; në shqip nga Pika Pa Sipërfaqe, 2021)
Këtu, përtej prezantimit idilik, Kakuzō paraqet një hipotezë empirike të së Bukurës, ku në vend të përgjigjeve, shfaqen pyetje. Përse njeriut i vlejnë lulet? Përse sakrifikojmë për të bukurën? A mos përmes saj gjejmë një rrugë për tek e vërteta? Nënteksti i këtij esteti mund të përmbajë një buzëqeshje më të thellë metafizike. A mos po thotë se e bukura eterale qëndron në themel të çdo qytetërimi material?
Paraqitja e luleve në art dhe bibliografi është e pallogaritshme. Nga artet pamore te letërsia, drama, kinematografia, arkitektura, filozofia dhe religjioni, lulet janë njëherësh frymëzuese dhe bashkudhëtare të eksplorimeve tona, nga lashtësia në modernitet. Në veprën “Dyert e Perceptimit” (1954), e cila shërbeu si eponim për grupin bluz-rok “The Doors”, Aldous Huxley e nis rrugëtimin e tij psikedelik duke soditur një buqetë.
Lulet posaçërisht, dhe më tej, natyra në kuptimin e saj më përqafues, janë bërë jo vetëm epitoma e së bukurës, por edhe një shteg drejt njohjes. Ky është një perceptim që tejkalon materialen dhe estetikën, duke krijuar një hapësirë që e mbush dimensioni i shpirtërimit, i cili edhe në art njihet si “Sacred Space”.
Ky vëzhgim i së bukurës e zhvendos natyrën nga jashtë nesh, drejt qemerit të qenies.
“Në pyll, ne kthehemi tek arsyeja dhe besimi. Duke qëndruar mbi tokën e zhveshur… çdo egoizëm i ulët shpërbëhet. Unë bëhem një sy i tejdukshëm; jam asgjë; shoh gjithçka; rrymat e Qenies Universale rrjedhin nëpër mua; jam pjesë ose thërrmijë e Zotit. Jam dashnori i së bukurës së pafre dhe të pavdekshme. Në peizazhin e qetë, dhe sidomos në vijën e largët të horizontit, njeriu kundron diçka po aq të bukur sa vetë natyra e tij.”
(Natyra – Ralph Waldo Emerson, 1902)
Nga trasncendetalizmi i Emersonit, dhe gjysmë shekulli më vonë – vetëm pak dekada para shpërthimit të Epokës “Flower Power” – mund të vëzhgojmë të njëjtin motiv sakral të përtërirë në semantikën e kohës së vet. Në fusnotën e poemës legjendare “Howl” (1956), Allen Ginsberg, një tjetër amerikan, shpall se “Bota është e shenjtë!”.
Kjo përndjesi e së shenjtës paraqitet sa hermetike dhe relative në intepretim, po aq reale në shijim. E tillë është vetë lulja: E vërejtshme por e parrokshme. E përjetueshme por e paklasifikueshme. Dhe thelbësisht, arbitrarisht, e bukur.
Lulja bëhet flutur. Dhe ne mbetemi mes gacave të fundme të dëshirës sonë për petalet e saj gjithmonë të freskëta, gjithherë kundërmonjëse. Nuk është çudi që në religjion Parajsa është Kopshti i Premtuar. Dhe vetëm ai Zot e di sesa lule mban një kopsht! Po sikur? Po sikur, e gjitha të jetë, po ashtu… Një Lule, në ëndrrën e së cilës ne ëndërrojmë kaq shumë lule?
“Nji lulishte me trandafila
asht parajsa e vërtetë,
ky asht vend qi knojn bilbilat
Ah, u dogj ashiku i shkretë!”
Udha e së Bukurës paraqitet e pandashme nga soditja e Natyrës. Më shumë se thjesht nevojë e mbijetesës materiale në këtë planet specifik, ky preokupim shfaqet edhe në disa doktrina filozofike si realitet që i brendashkruhet një vetëdijeje të bashkërenduar universale. Mendimtarët e Shkollës Tradicionaliste thonë se natyra njerëzore është kaq e ndërlidhur dhe e pandashme nga vetëdija e natyrës rreth saj, sa mohimi i kësaj të fundit, sikurse i “Vetëdijes së të gjitha vetëdijeve”, pamundëson bashkëndjesinë, bashkëjetesën dhe, për pasojë, i shtron rrugën asfaltit të degradimit vetëshkatërrues.
“Mohimi i parësisë së vetëdijes, njëherazi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ka rezultuar në desakralizimin e natyrës dhe në zhgradimin e saj në diçka që thelbësisht është thjesht një “gjë”, një mall që qeniet njerëzore e përdorin sipas nevojës. Përkujdesja për natyrën u shndërrua në përdhunimin e saj, ndërsa këndvështrimi mbizotërues mbi të u bë përherë e më shumë shpërfillës ndaj cilësive të saj shpirtërore, ndaj misterit, harmonisë dhe bukurisë së saj të parëlindur. Gjithë ato aspekte të natyrës, të kremtuara përgjatë shekujve nga të urtët, shenjtorët, poetët dhe artistët, u subjektivizuan dhe u paraqitën sikur të ishin objektivisht joreale. I shndërruar në mall për t’u përdorur nga grykësia përherë e më lakmitare e njerëzimit modern si konsumator, ekosistemi natyror shpejt filloi të vuajë, duke çuar te kriza mjedisore që tani kërcënon rrjetin e jetës në tokë.”
(Në Fillim ishte Vetëdija – Seyyed Hossein Nasr, 2003; publikuar në shqip online, në 2023, nga erasmusi.org)
Në këtë shprishje të rendit harmonik, ku njeriu tëhuajzohet nga bota deri në rrënim ekzistencial, natyra bëhet pasqyra e vetmisë së tij më të thellë përballë plaçkitjes së shfrenuar të vetvetes.
Këtu, ne ekzistojmë brenda një dualiteti të bukur dhe të tmerrshëm të gjërave. Ndoshta na duhet njëra për të kuptuar përmbysjen që sjell tjetra. Dhe ndoshta, vetëm kështu, mund të bashkëshkruajmë fatin tonë brenda ngarkesës dhe përgjegjësisë së epokave ku përkasim.
E tillë është edhe nisma rreth këtij albumi: një eksplorim i natyrës brenda Natyrës, i përditësimit të traditave brenda Traditës, i përsiatjes së bukurive në përjetësinë e së Bukurës, ku çdo sezon i zemrës evokon stinët e Tokës – mëmës sonë të përbashkët.
“Everything is everything
what is meant to be, will be
After winter, must come spring
Change, it comes eventually.”
(Everything Is Everything – Lauryn Hill, albumi The Miseducation of Lauryn Hill, 1998)
Sikurse ripërtëritja në Tokë, albumi “Ninullat e Natyrës” kërkon ta brendësojë e më pas ta përcjellë këtë cikël. Ai e gërsheton arkeologjinë tingullore me estetikën e sotme. Gjithçka ndodh tani. Sepse e tashmja është çasti ku takohen të gjitha botët dhe shfaqen të gjitha mundësitë në Univers.
Në veprën e lartpërmendur, Kakuzō përcjell edhe një legjendë të moçme, titulluar “Zbutja e Harpës”. Sipas kësaj rrëfenje, nga një pemë e lashtë, mitike u gdhend një harpë magjike, fort e çmuar nga Perandori i Kinës. Por asnjë prej harpistëve të oborrit nuk mundej ta zbuste, ashtu që me të të arrinte të luante. Deri kur mbërriti një muzikant, prej dorës së të cilit harpa u shkreh në këngë të ylberta. Kur sundimtari e pyeti se ç’marifet përdori, ky u përgjigj: “Madhëri, unë lashë harpën ta zgjidhte temën, dhe vërtet nuk e dita nëse harpa kishte qenë unë apo unë isha harpa”.
Ngjashmërisht, në këtë nismë nuk u tentua të ushtrohej vullneti ynë mbi zbutjen e traditës – duke qenë se këta harpistët e tjerë të pamundur mund të kishim qenë fare mirë ne, në një kohë tjetër. Por u ftua tradita që të këndojë përmes nesh, sot. Më shumë sesa teknikat, ishin konceptet që morën kohë. U lexua më shumë sesa u shkrua dhe u dëgjua shumë më shumë nga sa u këndua. Kjo për të kuptuar, në fund, se krijimtaria është një akt i njohjes. Dhe përmes njohjes zgjohet përcjellja e përjetimeve dhe frymëzimet e ndërsjella.
Por mosbesimi i kësaj epoke na pëshpërit me ngulm se kohët lëvizin dhe shijet ndryshojnë. Në ditët tona shumëkush flet për gjithëfuqinë e “konstruktit social”. Mendimet janë kurdoherë të formësuara dhe shijet veçse të kultivuara. Nuk ka asgjë universalisht rrënjësore sepse gjithçka është relative, – kumtojnë ata.
Por ja ku ndodhemi sërish, nën të njëjtën kapelë shpellore duke admiruar të njëjtët bizonë të kuq që paraardhësit anonimë i skalitën në qiell. Ata nuk janë më të huaj. Ata u bënë të pranishëm kur shpallën bukurinë e vet. Ata u bënë ne, sikurse ne tani, jemi ata. Në këtë akt admirimi të përbashkët, ne dëshmojmë jo vetëm afërsinë me të parët tanë, por farefisninë tonë me gjithë krijimin.
Dhe kënga e vjetër jehon nën një hënë të re:
“Kur pata nji lule t’bukur
thashë se do ta kem përherë…”
(c) 2026 Ervin Qafmolla. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë nga Trivet.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.