Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjeografi / Histori

BOSHNJAKT DHE BOSNASIT

nga Florent Rizvanolli

Gjat punës n’profesion n’teknologji t’informatës [TI, ose që p’i thonë shqip «ajti», prej anglishtes, IT ose information technology] m’ka ndodhë shpesh mi gjetë befas veten tuj e përdorë nji teknologji ose gjâ t’re t’cilën dikush vetëm na e ka sjellë, pa përkufizim paraprak ose introduktë zyrtare, për përdorim n’punë. Dhe vetëm mbasi ka kalu nji copë kohe jam kujtu m’u ndalë e me mendu «po unë nuk di gjâ rreth ksajë!», e m’i kërku n’burime t’ndryshëm t’literaturës profesionale, për m’i mësu.

N’hapsinën e gjuhës shqipe ka plot shêmbuj t’kuptimeve të tillë, që merren prej lajmeve, pa ditë kush gjâ rreth tyne, dhe përdoren n’bisedë e n’medje, njejt ashtu, pa ditë kush për ta, ndoshta pos nji numri t’vogël t’njerëzve. Sidomos, p.sh., kur vjen koha e përvjetorit t’masakrit t’Srebrenicës, shum folet dhe shkruhet, n’krejt medjet e gjuhës shqipe, mbi për Bosnen dhe Hercegovinën.

Kur bâhet fjalë për kët shtet dhe popujt e tij, i kemi katër lloje shqiptarshë:

  1. na shqiptartë e ish-Jugosllavisë, pak ma t’vjetrit, që e kemi kalu nji pjesë të madhe t’jetës n’shtet t’njejtë me kët ish-republikë t’Jugosllavisë dhe me popujt e sajë, dhe e njohim, jo vetëm gjeografinë, historinë, dhe përbâmjen etnike t’sajë, por edhe dialektin shum specifik t’gjuhës serbokroate [tash e tutje s/k] i cili folet n’kët shtet, si dhe nënkulturën edhe ma specifike që i ka bâ vendasit e sajë kudo dhe kurdo të dallushëm shum leht—vetëm me nji fjalë goje që e kanë folë,
  2. t’rijt shqiptarë n’ish-Jugosllavi që kanë dije sipërfaqësore mbi te, ndoshta prej bisedave n’familje ose n’shoqni, por s’e kanë idenë as për gjuhë (me përjashtim të atyne që jetojnë n’Mal t’Zi, Maqedoni dhe Sërbi), e as për nënkulturë, as, që ka shum randësi, përbâmje etnike t’ktij shteti. Lufta n’Bosne e ka qitë n’pah që kte t’fundit s’e kishte pasë ditë as nji grup bukur i madh i t’vjetërve (për këte ma tepër pak ma poshtë, n’vazhdim),
  3. vetëm super-intelektualt e rrallë t’Shqipnisë, që kanë vetëm njohuni enciklopedike, ose të kulturës së pëgjithme, n’lidhje me Bosnen, por pakgjâ ma tepër
  4. të gjith të tjertë që ndoshta as që dinë se ekziston Bosnja.

Çka âsht, pra, Bosnja dhe Hercegovina?

Pa hy fort n’histori, mjafton me thânë se mendohet që êmni i sajë rrjedh prej êmnit të lumit Bosna, me domethânje «uji që rrjedhë», prej gjuhës së nji fisi ilir i cili ka jetu n’ata vise (po: në Bosne ka pasë shum fise ilirë që kanë pasë gjuhë jo të njejta n’mes vete dhe s’e kanë pasë asnji lidhje me shqiptartë; n’fakt mendohet se ata që ma së shumti i kanë trashëgu gjenet e ilirëve, prej krejt kombeve të Ballkanit, jân mu banortë e Bosnes). Hercegovina, pjesa perëndimore e shtetit, e merr êmnin prej fjalës gjermane hercog [Herzog] që don me thânë dukë, person me titull feudal të dukës. E këtë fjalë e kanë laku n’gjindore, dhe prej sajë e kanë nxjerrë êmnin, Hercegovina, që i bjen «toka e/vendi i» Dukës. Pra êmni i plotë i shtetit n’gjuhë shqipe duhet me qenë (dhe n’Kosovë gjithmonë ka qenë) Bosne dhe Hercegovinë/Bosnja dhe Hercegovina [në trajtë të shqume/të pashqume], pra—as Bosnjë-Hercegovinë (s’di prej kahit erdh ajo vizë qesharake!), as Bosnje e Hercegovinë, e asnji prej kombinimve të tjerë që p’i përdorin ata t’grupeve 2 deri 4, t’numrumë ma nalt. N’rasat tjera: (i,e,prej) Bosnes dhe Hercegovinës, Bosnen dhe Hercegovinën.

Përbâmja etnike e Bosnes âsht prej tre kombeve madhorë (që merren edhe si shtetformusë): boshnjakve, kroatves, dhe serbve. Ka, natyrisht, edhe shum malazezë, shqiptarë (kryesisht mërgimtarë ekonomikë), çekë, ukrainas (t’partë e t’cilëve jân shpërngulë prej vendeve të tyne n’Bosne, kur kanë qenë në shtetin e përbashkët—perandorinë e Habsburgëve, ose ate të Austro–Hungarisë—por jân asimilu gjuhësisht), etj. Kur bjen fjala te këta t’fundit, Bosnja ka bukur shum persona publikë, mjaft t’njoftun, t’prejardhjes çeke dhe ukrainase, p.sh. baskebollisti me prejardhje çeke, Predrag Benaçek [Benaček], dhe shkrimtari me prejardhje ukrainase, Aleksandar Hemon, për m’i numru vetëm dy.

Të tre kombet e kanë gjuhën e përbashkët: variantën e gjuhës s/k e cila folet prej t’gjith kombeve t’Bosnes. Pra, as serbi e as kroati i Bosnes, nuk tingllojnë, kur folin, si banorë t’Sërbisë ose t’Kroacisë por, n’mënyrë shum t’veçantë dhe t’padallushme në mes veti—si banorë t’Bosnes. Kam pasë shum përvoja me ata që e folin at variantë t’gjuhës por nji prej ma interesanteve ka qenë biseda me nji kroat t’Bosnes këtu në SHBA. Ishte tuj u përgatitë për rrugë për atdhe dhe pi pys, «a ki me udhtu tash, n’maj?» tuj mendu se tash, mbasi po foli me kroat, m’duhet m’i përdorë êmnin kroat t’majit, «sijeçanj» [siječanj, meqë kroatt asnji êmën të mujit s’e kanë me prejardhe latine, po krejt kroatë, që disa prej nesh që jemi rritë n’Kosovë i dimë prej fëminisë]. Ai po ma kthen, pak pa durim, «mos m’fol ti mu me ata «travnja» [prilla: prill në shums] e «sijeçnja» [maja: maj në shums], se nuk i di». Kroati! Gjuhën poashtu e folin njejt edhe n’Sanxhak [Sandžak], për çka do të folet edhe ma poshtë. E, me randësinë ma t’madhe për ne, gjuhën e folin njejt edhe n’Kosovë, dhe ajo âsht gjuha e njenit prej kombeve të Kosovës, boshnjakëve, i cili e ka yllin e vet t’veçantë n’flamur t’Kosovës.

Ajo që âsht shum interesante âsht se para luftës së përgjakt n’Bosne, nuk ka mujtë askush askend m’i dallu se cilit komb të Bosnes i takon, vetëm prej bisedës e pa ia ditë êmnin dhe mbiemnin. Se që ka qenë prej Bosnes ose Sanxhakut, âsht ditë prej fjalës së parë që e ka folë! Por as prej êmnit s’ka mujtë m’u ditë me siguri, se n’Bosne ka qenë numri ma i madh i martesave t’përzime n’krejt Jugosllavinë dhe, rrjedhimisht, numri ma i madh i atyne që n’regjistrim të popullsisë jân përcaktu për kombin jugosllav (kur âsht futë ky komb n’përdorim, për ngritje t’ndjenjës së përkatësisë së shtetit dhe atdhetarisë ndaj tij). Pra fëmiu i serbit dhe kroates, ose boshnjakes, p.sh, nuk âsht ditë, pa kallxu vet, se çka e konsideron veten. Ata të gjith gjithmonë kanë folë njejt, jân sjellë njejt, dhe kanë pasë nënkulturë të veten që i ka bâ të dallushëm gjithkah. N’Jugosllavi i kanë qujtë bosanci [ma sakt: Bosanci, se në gjuhën s/k êmnat e kombeve shkruhen me shkronjë të madhe] kurse na, shqiptartë, ata i kemi qujtë herë «bosanca» (bile disa i qujshin bosanac, me theks në «ac», simbas shqiptimit në gjuhë s/k) e herë boshnjakë (demek, pak ma shqip por që âsht, siç do të shpjegohet ma poshtë, gabim ose, së paku, jo fort sakt).

Këtu vjen n’shprehje keqkuptimi ma i madh që ka ekzistu te shqiptartë. Në kohë të Titos, për me mujtë m’i dallu prej serbëve dhe kroatve, boshnjakt i kanë qujtë thjesht muslimânë. Dhe n’regjistrim t’popullsisë, kombi i tyne ashtu âsht qujtë: muslimân. Kurse n’Kosovë, simbas bindjes tême, kryesisht âsht mendu se krejt «bosancat» jân muslimânë. Pakkush e ka ditë që atje ka edhe serbë dhe kroatë. Prandaj kur ndonji «bosanac» shfaqte urrejtje ndaj shqiptarëve (ose përkrahje ndaj Millosheviqit), gjâ që ma tepër e pritshim prej ndonji serbi, ishte befasi për kosovartë mu për at shkak: se nuk dihej që Bosnja e ka pasë gati nji të tretën serbë, e ndoshta edhe ma tepër me prejardhje serbe (prej çiftit bashkshortor që e ka pasë njenin bashkshort serb). Duhet pashtu me përmendë se muslimânë, e ma vonë n’vend t’atij êmni t’parë dhe jo fort korrekt, boshnjakë, jân qujtë jo vetëm ata banorë të Bosnes që kanë folë s/k dhe kanë pasë prejardhe prej familjeve të fesë islame, por edhe të gjith t’republikave tjera, e sidomos t’krahinës historike të Sanxhakut (e cila e përfshinë nji pjesë t’Sërbisë te Novi Pazari, dhe t’Malit t’Zi), si dhe ata t’Kosovës. Pra boshnjakë jân të gjith.

Kjo neve që folim shqip na ballafaqon me nji dilemë: n’qoftë se ata që jân t’fesë islame, që dikur jân qujtë muslimânë [Muslimani], sod në gjuhë s/k quhen boshnjakë [Bošnjaci], a mundemi na me vazhdu m’i qujtë boshnjakë edhe t’gjithë banortë e Bosnes (pra me gjithë serbë e kroatë e të tjerë, e edhe shqiptarë të Bosnes), që n’gjuhë s/k quhen «bosanci»? Unë mendoj se jo. Kur ka mujtë në gjuhë s/k m’u futë në përdorim ky dallim (bosanac/boshnjak), që ka ndodhë relativisht rishtas, mundet (edhe duhet) edhe në gjuhë shqipe boshnjakë m’u qujtë vetëm muslimânt (si t’Bosnes, ashtu edhe t’Sanxhakut, t’Malit t’Zi, e t’Kosovës) kurse për nënshtetasit (banortë) e Bosnes dhe Hercegovinës duhet me gjetë êmën tjetër. Nuk âsht vështirë! Unë kisha propozu bosnas/bosnasit, që përngjet me malazias/malaziasit, siç përdoret ndonjiherë për malazezt. Se bosnez do t’kishte tingllu fort çuditshëm.

Pra bosnas âsht nënshtetasi i Bosnes, dhe mundet me qenë boshnjak, serb, kroat, ose i ndonji kombi tjetër. Thelbi âsht që «bosnas» âsht nënshtetsi kurse «boshnjak» komb.

Athu do t’kishim mujtë mi bâ kte? Ata, për veti, e kân bâ.

(c) 2026 Florent Rizvanolli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: Me vendimin tonë, nuk e kemi prekur ligjërimin dhe drejtshkrimin e këtij teksti, të cilin e sjellim siç na erdhi në redaksi.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin