I. Poezia erotike si provokim, transgresion dhe subversion
Poezia, në rrugëtimin e saj historik, sa herë që ka synuar të ripërcaktojë kufijtë e shprehjes dhe të sfidojë normat estetike apo morale të kohës, ka prodhuar në mënyrë të pashmangshme efektin e provokimit.
Kjo u pa qartë me lindjen e simbolizmit, modernizmit dhe më pas të avangardave, ku inovacioni artistik shpesh u perceptua si skandal nga kritika e kohës.
Ndoshta fuqia e vërtetë e poezisë nuk qëndron vetëm në vlerën estetike dhe emocionale, por edhe në aftësinë për të provokuar dhe turbulluar mendimin, për të futur në krizë përkufizimet tona mbi kufijtë e estetikës, moralit dhe vetë rolit të artit në shoqëri. Në këtë këndvështrim, provokimi, transgresioni dhe subversioni mund të konsiderohen jo thjesht si teknika për të tërhequr vëmendjen, por si strategji poetike për të promovuar qasjet rinovuese në fushën e poezisë.
Referuar qasjes së G.Bataille në studimin e tij novator mbi erotikën[1], transgresioni nënkupton shkeljen e përkohshme të tabuve dhe kufijve që strukturojnë rendin shoqëror. Në këtë mënyrë, transgresioni funksionon në një marrëdhënie dialektike me ndalimin: duke e shkelur kufirin, ai njëkohësisht e tensionon dhe e ripohon atë. Shkelja e kufijve/ndalimeve pohon ekzistencën e tyre dhe krijon një moment ekstaze dhe teprice, si përvojë e të shenjtës, pra njëlloj “mistike pa perëndi”.
Në interpretimin e Michel Foucault[2], koncepti i transgresionit zhvendoset nga dimensioni sakral, në një përvojë filozofike të kufirit. Sipas tij, pas “vdekjes së Zotit” dhe rënies së autoritetit transcedental, transgresioni nuk lidhet më me një rend të shenjtë, por me eksplorimin e kufijve të subjektit, të trupit dhe të gjuhës. Foucault vëren se transgresioni fillimisht lidhej me një kufi të shënuar nga e shenjta, që hapej drejt një hapësire ku vepron hyjnorja, kurse në modernitetin pa Zotin, profanimi transformohet, pak a shumë, në transgresion.
Ndryshe nga transgresioni që shkel kufijtë e ndalimit, subversioni synon transformimin, destabilizimin ose përmbysjen e strukturave diskursive dhe estetike që prodhojnë normat/ tabutë morale dhe kulturore rreth trupit, seksualitetit dhe gjinisë, rishikimin e kodeve estetike dhe të kufijve të shprehjes së lirisë erotike.
***
O botë e deformuar
Që ke lindur
Nga një mitër e përdhunuar
Dhe një penis qorr
Që bie erë
Egoizëm mashkulli
Dhe dobësi femre,
Unë do të sfidoj
Me çvirgjërinë time të shenjtë
Dhe pabesinë e seksit femëror[3].
Këto vargje të autores Rita Petro, me gjuhën e drejtpërdrejtë dhe frymën sfiduese, duken brutale dhe provokuese. Poezia shpaloset si një manifest dhe akt rebelimi kundër një bote me raporte gjinore të deformuara. Zëri i subjektit lirik femëror del nga zona e heshtjes, duke sfiduar një traditë kulturore në të cilën ka qenë i vendosur nën një regjim diskursiv të kontrolluar.
Rita Petro provokon me titujt e pazakontë të librave poetikë, me dykuptimësinë dhe qasjet kontroversale, me lojën mes të thënës dhe domethënies, me gjuhën shpesh eksplicite dhe të zhveshur nga figuracioni artistik, me normalizimin e tematikave të konsideruara si të turpshme dhe tabu (dëshira seksuale e subjektit femër, virgjëria, aborti, menstruacionet, orgazma, mëkati, epshi karnal, inçesti etj.).
Poetika e saj ndërthur provokimin estetik, transgresionin e kodeve morale dhe subversionin, si promovim i një diskursi të ri rreth erosit, lirisë seksuale dhe trupit femëror, duke sfiduar tabutë kulturore dhe konvencionet morale të diskursit patriarkal shqiptar. Pikërisht në këtë qasje qëndron origjinaliteti i poetikës erotike të Rita Petros. Me stilin e saj poetik të sinqertë, të guximshëm dhe novator, ajo ka mundur të dali përtej uniformitetit të peizazhit poetik postkomunist dhe me poezinë e saj “blasfemuese”, ka arritur të turbullojë horizontin e pritjes të lexuesit.
Në këtë perspektivë, poezia e saj erotike nuk synon domosdoshmërisht të skandalizojë; ajo kërkon të rikthejë të drejtën e ligjërimit erotik të subjektit femëror. Provokimi, nëse ndodh, shfaqet më tepër si pasojë e zhvendosjes së kufijve të përfaqësimit dhe thyerjes së kodeve kulturore që kanë rregulluar tradicionalisht artikulimin e subjektivitetit femëror dhe seksualitetin e gruas.
II. Trajektoria poetike e Rita Petros
Në peizazhin poetik të tranzicionit postkomunist, Rita Petro përfaqëson një nga profilet më të spikatura dhe njëkohësisht një nga figurat më të përfolura për qasjet e saj poetike. Ligjirimin e saj poetik, kritika institucionale e ka vlerësuar si “erotizëm libertin”[4], “poezi neomoderne dhe avangardiste”[5],“thyerje,provokim,eksperiment,ekstravagancë e postmodernitetit”[6] në poezinë shqipe postkomuniste.
Rita Petro në vitin 1994 publikoi librin e parë Vargje të përfolura[7], një përmbledhje me rreth pesëdhjetë e gjashtë poezi. Titulli i librit përcjell vetëdijen për ngarkesën provokuese të poezive dhe reflekton një lloj ankthi të brendshëm të autores, lidhur me mënyrën se si poezia e saj, e çliruar nga autocensura dhe pengesat ideologjike, do të perceptohej nga lexuesit.
Tematika dhe motivet e poezive përgjithësisht strukturohen rreth dashurisë dhe spektrit të ndjenjave si pritja, ankthi, dëshira erotike etj. Subjekti lirik femëror reflektues, përpiqet të kuptojë dhe interpretojë dashurinë, sesa ta përjetojë atë si eksperiencë të drejtpërdrejtë trupore. Struktura e poezive, e ndërtuar kryesisht përmes kontrastit dhe antitezës, dëshmon për gjetje inteligjente, me funde paradoksale, ku narrativa e shtjelluar përmbyset ose përmbyllet si epifani ndriçuese.
Në përgjithësi, poezitë qëndrojnë në zonën konceptuale të dikotomisë trup-shpirt. Në këtë libër, subjekti lirik femëror qëndron ende në zonën kufitare mes joshjes seksuale dhe frikës nga mëkati, dëshirës për dorëzim tek mashkulli dhe drojës nga efekti robërues i dashurisë. Zëri lirik flet, dëshiron, pret, zhvishet, futet në krevatin e të dashurit – por gjithmonë nën hijen e një pyetjeje shqetësuese: A është dashuria çlirim apo robëri?(Ndihmomë, o Zot, të kuptoj!/Kjo dashuri pranga thyen apo pranga vë?[8])
Shtysat erotike shpërfaqen të ndërmjetësuar nga kodet morale. Poezinë “Vështrimi yt apo fryma e shenjtë”[9] në këtë libërdo ta quanim si poezi kufitare. Trupi femëror, i pushtuar nga erosi është ende pasiv dhe nën efektin e male gaze: vështrimi mashkullor rrëshqet mbi trupin femëror dhe brendësohet nga subjekti lirik. Në këtë poezi shpërfaqet një element i rëndësishëm-zbritja në trup e frymës së shenjtë- e cila në librat pasues do të artikulohet si transcendencë dhe dimension metafizik i përvojës erotike.
Në vitin 1998, R. Petro publikoi librin e dytë poetik, Shija e instinktit[10], ku vetë titulli sinjalizon një zhvendosje paradigmatike: nga poezia shpirtërore me nota reflektive, drejt eksplorimit të shtysave instinktive të qenies njerëzore dhe kërkimit poetik në sferën e nënvetëdijes. Libri përbëhet nga tre cikle dhe përmban disa vizatime të autores – autoportrete dhe figura femërore nudo.
Nëse në librin e parë, motivet poetike strukturohen rreth erosit si reflektim, ngasje, dëshirë dhe pasion, në librin Shija e instinktit, motivet lëvizin drejt erotizmit, si përjetim aktiv i subjektit lirik femëror. Qasjet poetike në këtë libër rrokin një spektri më të gjerë përjetimesh sensuale dhe erotike, në ballafaqim me strukturat patriarkale, hipokrizinë sociale, kontrollin dhe dhunën në familje.
Subjekti femëror shpërfaqet aktiv, dëshirues, i vetëdijshëm për fuqinë e trupit dhe instinkteve seksuale. Në këtë libër, trupi femëror bëhet toposi përjetimit të ndjesive erotike. Referencat ndaj shpirtit bëhen përherë e më të rralla. Përkundër traditës idealizuese të dashurisë, subjekti lirik femëror erotizmin e përjeton si pjesë e një ekonomie sensoriale të trupit dhe deri në gjendje ekstaze orgazmike.
Në vend të paradigmës karteziane “mendoj, pra jam”, motivet poetike strukturohen rreth qasjes “ndjej, pra dëshiroj ”. Subjekti lirik femëror nuk është vetëm arsye, racionalitet apo ndërgjegje reflektuese, por edhe trup sensorial, si hapësirë e përvojës erotike të përjetuar. Shtysat erotike trupore metaforizohen me nepërkën që “bën shëtitje të përditshme/Në unazën e qafës/Në lugun mes gjinjve/Rrëshqet e futet thellë/Midis kofshëve/Për të ngrënë ndonjë vezë të fundit.[11]
Libri “Shija e instinktit” ndërthur poetikisht teorinë frojdiste të instinkteve dhe afirmimin e trupit femëror si subjekt i Erosit. Kjo qasje e zhvendos fokusin nga subjekti racional, tek trupi si territori biologjik, ku rrënjëzohen instinktet dhe ku rrjeta e ndjeshmërive sensiorale funksionon si “shpirt” i mishëruar. “Çdo dashuri, sado qiellore që të duket-thekson Shopenhauer-në të vërtetë i ka rrënjët në instinktin seksual, madje është përherë e për të gjithë një shtytje vendimtare seksuale..”[12].
Në vitin 2002 Rita Petro publikoi librin “Këtu poshtë këndohet live” (Albas)–botim dy gjuhësh, shqip dhe anglisht. Formati dhe dizajni ndryshojnë nga lidhjet e zakonshme dhe i japin librit një imazh të diferencuar estetik. Poemat e këtij cikli rrokin temat e tensioneve sociale, të shpresave të fikura të tranzicionit, të dhunës, urrejtjes etj. dhe përcjellin mesazhin e mbajtjes gjallë të optimizmit edhe në kohëra të vështira.
Në vitin 2006 Rita Petro publikoi librin “Në intimitet…nga Rita”[13] i cili është strukturuar në tre cikle me poezitë e përzgjedhura nga dy librat e parë (sipas kohës së shkrimit-1984-1998) dhe me tre cikle të reja: Kryqëzimi i frymës ( 2000), Këtu poshtë këndohet live (2002) dhe Në mes të dy botëve (2004).
Në këtë libër konturohet më qartë profili i Rita Petros si autore e eksplorimit të erotizmit dhe përjetimeve intime dashurore të subjektit femëror. Kjo qasje bëhet më e dukshme në ciklet e reja të librit, ku trajtohen temat tabu dhe përcillen përvojat specifike femërore si virgjëria, seksi paramartesor, përvoja orgazmike, menstruacionet etj. Poetizimi i këtyre përvojave trupore të grave, të kujton poetet konfesioniste (Sylvia Plath, Anne Sexton.)[14]. Qasjet e Rita Petro janë më afirmative, kurse autoret konfesioniste këto tema i problematizojnë, duke evidentuar traumat, rreziqet dhe vulnerabilitetin e trupit femëror në kontekstin e kulturës patriarkale.
Në këtë fazë, poetika e erotizmit funksionon si akt themelues dhe transgresiv: një shpërthim i trupit në gjuhë, një çarje e rendit simbolik fallogocentrik. Poetika erotike e trondit këtë rend sepse zhvendos qendrën e ligjërimit tek subjekti femëror, i cili artikulon dëshirat erotike pa kërkuar legjitimim moral. Përjetimi seksualitetit nga subjekti lirik shpërfaqet si energji emancipuese, pikërisht sepse vjen pas një periudhe të gjatë sterilizimi ideologjik. Në vargjet e “përfolura” të Rita Petros seksi do të vezullojë si “yll i zi” i munguar, në kuptimin estetik dhe epistemik: një prani e errët, dikur e ndaluar, por thelbësore, pa të cilin universi poetik mbetet steril dhe i rremë.
III. Ecriture féminine-shkrimi që lind nga trupi
Poetika e Rita Petros, duke i dhënë zë subjektivitetit femëror, pasionit erotik, seksualitetit dhe përvojës së drejtpërdrejtë sensoriale, në disa aspekte mund të lexohet në perspektivën konceptuale të écriture féminine.
Ecriture féminine (shkrimi femëror) është një teori letrare dhe filozofike poststrukturaliste, e zhvilluar nga autoret franceze–veçanërisht Helene Cixous, Luce Irigaray dhe Julia Kristeva. Sipas kësaj teorie, gratë duhet të shkruajnë nga përvoja e trupit të tyre, duke shpalosur ndjesitë, përvojat dhe përjetimet e anashkaluara në traditën e poezisë dhe kulturës fallogocentrike.
Hélène Cixous në esenë e saj The Laugh of the Medusa (1976) argumenton se gratë duhet të shkruajnë me gjuhën sensoriale të trupit përvojat e tyre specifike. Deviza e saj: “Shkruaje trupin tënd- i kundërvihet fallogocentrizmit të bazuar në fallusin simbolik[15], si shënjuesi rreth të cilit strukturohet gjuha dhe dëshira në rendin simbolik. Duke i dhënë pushtet logosit/mendjes mbi trupin, fallogocentrizmi pamundëson ose margjinalizon përvojat femërore të cilat burojnë nga trupi dhe seksualiteti tyre.
Luce Irigaray[16] argumenton se filozofia dhe kultura perëndimore kanë ndërtuar konceptin e gruas si “Tjetri” brenda një sistemi fallogocentrik. Në vend të qasjeve logocentriste, Irigaray propozon metaforën provokuese të “dy buzëve” të seksit femëror, si burim i shkrimit jo-linear që pasqyron rrjedhshmërinë e trupit dhe dëshirës femërore[17]. Sipas saj, seksualiteti mashkullor simbolizohet nga një organ i vetëm (fallusi), ndërsa seksualiteti femëror është i shumëfishtë, i shpërndarë, jo linear, jo hierarkik dhe prodhon jouissance.
Përfaqësueset e ecriture feminine theksojnë se autoret gra duhet të preferojnë poezinë, si zhanri më i përshtatshëm për shprehjen e përvojave trupore. Kurse metonimia konsiderohet mjeti më i mirë për çarjen e rendit simbolik fallogocentrik dhe lejon trupin të flasë përmes vetvetes, ndjesive dhe materialitetit të përvojave.
Në rezonancë me qasjet e ecriture feminine, në poetikën e R. Petro trupi femëror zhvendoset nga pozicioni tradicional si objekti i shikimit mashkullor, drejt statusit të subjektit autonom që ndjen, përjeton dhe artikulon përvojën erotike. Në poezitë e saj, erotizmi, dëshira dhe kënaqësia seksuale nuk janë thjesht tema dekorative, por mënyrë të shkruari për të sfiduar logjikën logocentrike dhe diskursin patriarkal.
Përmes afirmimit të subjektivitetit femëror të trupëzuar-në koherencë me qasjet e écriture féminin-ajo ka sjellë në poezinë lirike shqipe përvoja dhe përjetime të përjashtuara, të margjinalizuara dhe, për më tepër, të konsideruara si të turpshme ose tabu në traditën letrare të dominuar nga objektifikimi trupit femëror. Trupi femëror, me të gjitha këto përvoja dhe përjetime, bëhet gjuha dhe teksti i poetikës erotike.
Fenomenologjia e erosit në poezinë e Rita Petro përfaqëson një tipologji të veçantë të ligjërimit poetik dhe nënkupton përjetimin e erotizmit nga brenda, përmes trupit dhe ndjesive të subjektit femëror. Në universin e saj poetik femra nuk është më objekt i shikimit mashkullor (male gaze), por epiqendër e përvojës ekzistenciale. Sipas Kritikës Letrare Feministe, poezia erotike që artikulon hapur sensualitetin, seksualitetin, trupin dhe dëshirën femërore, interpretohet si një akt i rimarrjes së zërit dhe subjektivitetit femëror.
Erotizmi libertin, si një estetikë transgresive që lëviz në kufijtë e të ndaluarës, ka një traditë të gjerë në letërsinë moderne evropiane. Por për shkaqe të njohura historike, poetika e hedonizmit erotik femëror shfaqet në kontekstin kulturor shqiptar si një artikulim i vonuar i kësaj tradite, ku trajtimi i erosit dhe i seksualitetit pa filtra moralë, shpesh është lexuar si skandal dhe sfidë ndaj rendit simbolik.
IV. Liturgjia erotike e trupëzuar: instinkti dhe e shenjta
Sikurse theksuam më lart, trupi si vatra e ndjesive, dëshirës dhe përjetimit erotik bëhet më i pranishëm në librin Shija e instinktit si dhe ciklet e reja poetike të librit Në Intimitet ( Kryqëzimi i frymës; Në mes të dy botëve; Këtu poshtë këndohet live). Në këto cikle poetike, dy subjektet–femra që flet dhe mashkulli imagjinar– shkrihen në një përvojë totale dhe pasioni erotik metaforizohet si kryqëzim i së shenjtës me truporen.
Në poetikën erotike trupi konkret i subjektit lirik zë vendin e shpirtit abstrakt. Vargjet përcjellin energjinë erotike të trupit dhe gjuha bëhet më trupore. Autorja “blasfemon” kur shkruan se: “Shën Maria bëri seks / me Frymën e Shenjtë”[18]), provokon kur pamjen e të dashurit pas orgazmës e krahason me Krishtin e Kryqëzuar dhe kur shpall fuqinë e seksualitetit femëror mbi partnerin mashkull: “Mos më frikëso me gjarpërinjtë e tu të seksit mashkull / Unë kam fshehur një flaut / Melodia e tij / Do t’i bëjë ata të vallëzojnë rreth meje”[19].
Aktivizimi i referencave biblike (figura e Krishtit të Kryqëzuar, Shën Maria, Fryma e Shenjtë) i shton poetikës së erotizmit një dimension të ri: fryma e shenjtë/ transcendenca zbret në trupin femëror, ndërsa energjia seksuale femërore përjetohet si imanencë trupore e së shenjtës: “E ndjej Frymën e Shenjtë / Që më grryen brenda trupin / dhe më përgatit mitrën / Për riprodhimin e ri.”[20]
Erotizmi shfaqet si energji që derdhet në gjuhë, si impuls sensual që prodhon ekstazë, kënaqësi dhe dhimbje të ëmbël. Në këtë kuptim, trupi poetizohet si epiqendër e përvojës ekzistenciale: vendi ku dhimbja, kënaqësia seksuale dhe ekstaza bashkëjetojnë si forma të një jouissance që tejkalon parimin e kënaqësisë së zakonshme. (Kur dora e burrit / Futet nën fustan… / Fillon kënaqësia e dhunës) [21]. Erotizmi nuk kufizohet më nga tabutë morale, por konceptohet si pjesë e natyrës së trupit femëror: A e keni parë / Apo e keni ndierë / si kryqëzohet mishi me mishin. Një elektrizim natyral / i përshkron trupat e mishtë / kur në brendësi të tyre derdhen trupat e lëngët[22].
Erosi zbret në mish si përjetim dhe ritual trupor. Orgazma përjetohet si “vdekje e vogël”-pra një përvojë kufitare, ku ekstaza erotike i afrohet mistikes: Vdekja kishte shije eksituese/Të athët/ Si fryt ende i papjekur/(apo më mirë t’i lëmë krahasimet romantike)/Si seksi yt[23]
Sintagma “liturgji erotike e mishit” në këtë rast përdoret si metaforë teorike që bashkon dy fusha semantike tradicionalisht të ndara: liturgjia, si ritual i shenjtë, akt solemn, përjetim i së shenjtës dhe mishi (trupi) si rrjeti ku ndërthuren instinkti, sensualiteti, energjia erotike dhe seksualiteti.
Sipas Bataille, erotizmi është përvojë e brendshme ekzistenciale dhe “sakrale” [24]. Nga vendosja në korrelacion e tepricës ekstazike të trupit me përjetimin e frymës së shenjtë, përftohet një figurë subversive: trupi në ekstazën erotike bëhet altar i së shenjtës, si imanencë trupore e përjetuar intensivisht.
Referenca ndaj Zotit dhe Frymës së Shenjtë si burim i energjisë erotike, shpërfaqet si dimension konstant në poetikën e Rita Petros. Kjo qasje receptohet si strategji thelbësisht subversive, pasi përmbys ndarjen tradicionale midis sakrales dhe trupores, duke e shenjtëruar përvojën erotike të subjektit femëror. Njëkohësisht, kjo qasje funksionon edhe si mekanizëm diskursiv ekuilibrues, që e zhvendos erotiken nga niveli biologjik, në një dimension simbolik dhe metafizik, duke i dhënë asaj legjitimitet estetik dhe filozofik.
Trajektoria e rrugëtimit poetik të Rita Petro në eksplorimin e feneomenologjisë së erotizmit të përjetuar nga subjekti lirik femëror, do të arrijë pikën kulmore me librin e shumëpërfolur Vrima (2014). Në këtë libër-manifest i poetikës erotike libertine- magma vullkanike e erotizmit do të derdhet lirshëm dhe pa komplekse, duke çliruar diskursin mbi trupin femëror dhe afirmuar atë si subjekt që ndjen, dëshiron, përjeton dhe kremton seksualitetin e vet.
© 2026 Sadedin Mezuraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Bataille, Georges (1986), Erotism: Death and Sensuality, San Francisco, City Lights Books.
[2]Foucault, Michel:(1998a) A preface to transgression ( R. Hurley, Trans.). In James D. Faubion (Ed.), Essential works of Foucault 1954-1984: Vol. II: Aesthetics (pp. 69–87). Penguin.
[3]Petro, Rita: Shija e instiktit , Botimet Toena, Tiranë, 1998, f.40
[4]Asllani, Persida : Gazeta Panorama, 25 dhjetor 2015
[5]Topçiu, Luan: ObserverKult, 6 prill 2022
[6]Sula, Lili: Gazeta Panorama, 20 maj 2015
[7]Petro, Rita: Vargje të përfolura, SHB Faik Konica, Tiranë, 1994
[8]Po aty, f. 26
[9] Po aty, f. 56
[10]Petro,Rita: Shija e instiktit, Botimet Toena, Tiranë, 1998
[11]Petro, Rita: Shija e instiktit, Botimet Toena, 1998, f. 24
[12]Shopenhauer, Artur: Metafizika e dashurisë, Botimet Plejad, Tiranë 2015, f.15
[13]Petro, Rita: Në intimitet..nga Rita, Botimet Albas, Tiranë, 2006
[14]Theresa Kircher : Sylvia Plath and Anne Sexton’s Embodied Poetry as L’Ecriture Feminine; https://digitalcommons.montclair.edu/cgi/viewcontent.cgi?article=1265&context=etd
[15]Lacan, Jacques: The Signification of the Phallus , (1958)
[16]Irigaray, Luce: Speculum of the Other Woman(1974)
[17]Irigaray, Luce: This Sex Which Is Not One(1977).
[18]Petro, Rita: Vargje të përfolura, SHB Faik Konica, Tiranë, 1994, f. 56
[19]Petro, Rita : Në intimitet, Botimet Albas, Tiranë 2006, f.88
[20]Po aty, f.83
[21]Petro, Rita: Shija e instinktit, Botimet Toena, Tiran,ë 1998, f. 27
[22]Petro,Rita : Këtu poshtë këndohet live, Tiranë, Albas 2002, f.27
[23] Po aty, f.85
[24]Bataille, Georges (1986), Erotism: Death and Sensuality, San Francisco, City Lights Books.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.