Të dhëna të reja për Fjalorin [italisht-]greqisht-shqip të Marko Boçarit (Korfuz, 1809): pse, si dhe nga kush/cilët u hartua.
Dy fjalë hyrëse dhe një dëshirë
Ngasën për ta botuar edhe në PTF këtë shkrim ma dha një njoftim i shtypit shqiptar i këtyre ditëve[1] se në Shqipëri e gjetiu po bëhet “nami” me komente rreth një interviste që pati dhënë kohë më parë e ndjera dhe e mirënjohura Eleni Glikaxi Arveler[2]. Mes të tjerash, ajo shpjegon si u ngjiz kombi i sotëm grek dhe si u bënë pjesë e indit të tij shqiptarët/arvanitët. Merr si shembull trimat suliotë e sidomos Marko Boçarin, i cili, thotë, shkroi edhe një Fjalor/radhua greqisht-shqip. Por, si qëndron e vërteta rreth këtij fjalori dhe çfarë ka dalë në dritë vitet e fundit?
Ndërkaq, më ngacmon gjithnjë e më shumë ideja se kjo histori suliotësh të pashkollë që ulen të hartojnë një fjalor greqisht-shqip me nxitjen e konsullit francez në Janinë, Pukëvilit, ia vlen të bëhet pjesë teatrale e të ngjitet, mbase, në skenë në takimin (a – të keqen e shqipes!- Samitin) e ardhshëm të diasporës shqiptare. Uroj të gjendet regjisori dhe unë mund të ndihmoj me skenarin!
-I-

Faqja e parë e dorëshkrimit të Fjalorit të Marko Boçarit.
Në tetor 1809, iluministi grek Αdhamándios Koraís i shkruan një letër mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, tregtarit dhe savantit me rrënjë gjirokastrite Aléksandros Vasilíu, ku, me shkas përgatitjen për botim të veprës «Γεωγραφικά» të Strabonit, e pyeste për gjendjen e atëhershme të gjuhëve në Epir. Dëshironte të dinte nëse peizazhi gjuhësor i Epirit të viteve 1800 ngjante ndopak me bilinguizmin e lashtë maqedonoepirot (“Ένιοι δε και δίγλωττοι είσι / disa prej tyre flasin dy gjuhë”), ku maqedonishtja, siç shkruante, pat qenë gjuha e të mirëve dhe të fismëve, ndërsa epirotishtja gjuhë e vulgut. Për këtë të fundit shtonte madje se “ka gjasa të jetë ama e shqipes së sotme.”[3]. Koraís-i nuk e dinte sigurisht dhe as e mësoi ndonjëherë se po atë vit ngjizej në Korfuz një fjalorth [italisht-]greqisht-shqip. Do të kalonin shumë vite derisa të bëhej e njohur ekzistenca e tij.
Nga sa mund të dimë, i pari njoftim për dorëshkrimin e atij Fjalori i përket filologut dhe savantit grek Nikólaos Dhósios (1856 -1938;), i cili me një shkrim në Επιθεώρησις Πολιτική και Φιλολογική / RevistëPolitike dhe Filologjike (25.04.1881, f. 256)[4] bënte të njohur se pat gjetur në Bibliotekën Kombëtare të Francës një vepër me titull Λεξικόν δίγλωσσον της Ρωμαίϊκης και Αρβανίτηκης απλής, hartuar me dorën e vetë Marko Boçarit.
Ky njoftim kaloi pa u vënë re, dhe vetëm pas 14 vjetësh, kur historiani grek Spirídhon Lámbros (Σπυρίδων Λάμπρος) do të botonte një shkrim të posaçëm në gazetën “Εστία” të Athinës, do të ngjallej kureshtja e lexuesit. Tek lexojmë sot shkrimin e Lambros-it, me titull Ο Μάρκος Μπότσαρης Λεξικογράφος / Marko Boçari leksikograf, që u ribotua më 1902[5], jemi në gjendje të kuptojmë më mirë përse qysh ahere heroi legjendar i Sulit mban edhe emrin e famën e leksikografit:
“Kush do të mund ta merrte me mend ndonjëherë, se Sulioti i dashuruar pas armëve, i cili, sikundër më të shumtët e heronjve të betejës së madhe, mjaftohej zakonisht në nënshkrimin e letrave të hartuara nga gramatikói [, ai që e përdorte penën mezi e më të rrallë, ka të ngjarë të zërë një vend, veç historisë së kombit, edhe në gramatologjinë tonë të re?”[6]

Artikulli i historianit S. Lambros në «Εστία».
Pasi merret me historikun e hartimit dhe të gjetjes së dorëshkrimit si dhe me vlerën filologjike të Fjalorit, për të cilin vëren se “…nuk ka asnjë lloj sistemi në regjistrimin e fjalëve. Renditja nuk është as alfabetike dhe as e ndonjë lloji tjetër.”, duke e cilësuar “kontribut … naiv dhe njëherazi shumë te çmuar të Suliotit të madh”[7], historiani (dhe politikani) Lambros thekson se
“Shumë e madhe është rëndësia, që ka ai fjalor i thjeshtë në pikëpamje etnike.Sulioti e ndiente që, nëse kish brenda vetes diçka të selitur, ajo qe helene. Gjuha e atij kombi, me të cilin qe bashkë-ngjizur në rrjedhë të shumë shekujve shqiptarizma, u pat bërë gjuha mbizotëruese e Suliotëve. Pra, Boçari nuk e shkruante fjalorin e tij përndryshe të paplotë … që t’u mësonte bashkëvendasve greqishten. …” [….]
“…tjetër pati qenë qëllimi dhe kuptimi i radhoit leksikografiktë luftëtarit të ardhshëm të pavarësisë greke. Do të ishte mjaft prozaike të supozojmë se regjistronte fjalë vetiu dhe rastësisht, i shtyrë nga dëshira për të shkuar kohën duke u marrë me filologji apo sepse dëshironte të kënaqte kureshtjen vanitoze studimore të Pouqueville-it. Dhe as që kishte sigurisht ambicie prej shkrimtari njeriu që mezi e rrëshqiste penën mbi letër dhe që po bëhej gati të mprehte shpatën për atdhe. Këtij atdheu, për të cilin do të flijohej më pas, dëshironte t’i ofronte jo vetëm shërbimet e tij si ushtar, por edhe penën imcake, duke hedhur hapat e parë të mirëkuptimit dhe të bashkëveprimit të Grekëve dhe të Shqiptarëve në betejën kombëtare, me anë të përhapjes, pas gjasash, të disa njohurive elementare dhe të nevojshme të shqipes ndër Grekë dhe jo aq të greqishtes ndër Shqiptarë.”[8]
Pas këtyre citimeve, që do të mund të përbënin tharmin e asaj që besohet deri më sot për “penën imcake” të M. Boçarit, ia vlen të kthehemi në krye të shkrimit të historianit grek, për të kuptuar rrethanat dhe synimet e artikullit të autorit Lambros, por edhe mënyrën se si u ngjiz legjenda rreth Marko Boçarit leksikograf:
“Në ditët kur vëmendja e mbarë Greqisë është kthyer ndaj ngjarjeve në Anadoll dhe ndër të tjera diskutohen dhe komentohen gjithfarësosh marrëdhëniet etnike të Grekëve dhe Shqiptarëve, konsideroj se ka interes aktual t’u paraqes lexuesve një burrë, leksikograf, kujtimi i të cilit si luftëtar mbetet i pavdirë në historinë e betejave kombëtare. Është fjala për Marko Boçarin.” [9]
Le të shënojmë tash për tash se ky mit nuk lindi vetiu[10] dhe le të ndjekim udhën e mëtejme të dorëshkrimit të M. Boçarit. Lambros-i e mbyll shkrimin me këto fjalë:
“Duke e nxjerrë [Fjalorin] nga savani i harresës, uroj botimin e shpejtë të tij nga ndonjë njohës i shqipes dhe shpresoj se publikimi i veprës do të kontribuojë medoemos në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të ngushta, të cilat prej shekujsh kanë sjellë bashkëveprimin dhe zulmën e përbashkët të Grekëve dhe të Shqiptarëve.” [11]
Ndërkohë, siç vëren i pari albanologu Titos Jochalas[12], savanti shqiptar Faik Konica, drejtor i revistës Albania, që qarkullonte prej v. 1897 në Bruksel në gjuhët shqip dhe frëngjisht, në fashikullin e katërt të saj (15-31 korrik 1898), botonte shkrimin me titull Marko Boçari auktor, që (ndoshta) merrte shkas nga artikulli i S. Lambros-it në gazetën «Εστία». Κonica shënon se, lidhur me Fjalorin, kërkoi mendimin e helenistit të njohur Émile Legrand, i cili i shkroi sa më poshtë:
“Fjalëtoria gërqisht-shqip për të cilën ju bëra fjalë është punë e trimit Marko Boçarit. Esht e shkruar me dorën e tij në Korfus, më 1809, përpara syve të Pukvilit, siç e dëshmon nota që ky ka shtuar në krye të faqes parë. Kjo fjalëtore ka afro 100 faqe me dy shtylla. Kurrë nukë kam hapur fletët e saja pa ndyer një mallënjim. Besonj se e vetëma vlerë e saj është të jetë një dorëshkronjë e Boçarit; po, për këtë shkak vetëm qoftë, do të vlente të çpallej, e, mbas mëndies s’ ime, të çpallej në fac-simile.”[13]
Në vazhdim Konica propozon të organizohet një nënëshkrim kombiar për botimin e Fjalëtores, e cila do të kishte rreth 150 faqe: 100 fjalori, 30 jeta e Markos në shqip, dhe 20 të tjera me vjersha kushtuar Markos dhe një fotografi e tij. Më pas, në Shtojcën e ALBANIA-s, 15-30 prill 1889, do të botohet një listë emrash – abonentësh, që tregon se thirrja dhe përpjekjet e Konicës gjetën jehonë dhe përkrahje në mbarë Europën. Të vihen re emrat dhe adresat e abonentëve, ku përveç institucionesh të dëgjuara europiane dhe albanologësh të shquar, përfshihen edhe Shoqata Historike dhe Etnologjike e Greqisë, me presidentin dhe sekretarin e saj. Nga pala shqiptare dallon emri (inicialet) i poetit kombëtar N.H.F., shkolluar në të famshmen “Zosimea” të Janinës.

Përfundimisht, përpjekja e Albania-s nuk dha rezultat dhe u desh të kalonin tre dhjetëvjeçarë që të realizohej botimi i Fjalorit në v. 1926, në rev. Kalendar Kombiar, por edhe më vete me titullin Fjalori i Marko Boçarit (Le Lexique de Marc Botzari), me përkujdesjen e Lumo Skëndos. Sipas T. Jochalas-it,
“Ky botim është, për fat të keq, shumë i pafanë, jo vetëm për shkak të leximeve të gabuara […], por sepse shpesh nuk përfshihen zëra të Fjalorit të Boçarit, apo shënohen fjalë, të cilat Markoja nuk i shkroi, dhe që sigurisht nuk ekzistojnë në dorëshkrimin e tij.”[14]

Shënim hyrës i Fjalorit në botimin e Kalendarit Kombiar, Τiranë 1926.

Dy faqe të Fjalorit sipas botimit të Kalendarit Kombiar, Τiranë 1926.
Është për t’u shënuar ndërkaq se as Konica as Skëndoja nuk ndalen gjatë në arsyet pse u hartua Fjalori, duke anashkaluar sa shkroi Lambros-i në v. 1895. Madje Skëndoja, në një shkrim të v. 1927 do të tentojë të bëjë disa Vërejtje psikologjike mbi Fjalorin e Marko Boçarit, pra të depërtojë në psikologjinë e Boçarit dhe të suliotëve duke marrë shkas nga zërat e Fjalorit.[15] Shkruan, p.sh., se fjala φιλαργυρία ‘argjend-dashje’ përkthehet si grususllëk, që të vihet në dukje se ky ves është burim i çdo të keqeje apo prapësie që mund t’i ndodhë njeriut.[16] [Shih edhe turq. uğursuzluk ‘ill omen, a being unlucky’, Redhouse Turkish-English Dictionary]. Le të shënojmë se të dy qenë diplomatë dhe e njihnin mirë historinë e Greqisë si dhe marrëdhëniet mes dy kombeve. Lumo Skëndoja pat shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Athinë në vitet 1923-26. Por bota vërtitet dhe nuk i thonë kot dynja me rrota. Në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, ai, aspak rastësisht, boton te Hylli i Dritës (fash. 8-10, 379-89) shkrimin Mark Mboçari, ku përmend Sulin heroik dhe suliotët, duke e lidhur farën e Boçarëve me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, dhe bën fjalë për kontributin, siç thotë, të shqiptarëve në Kryengritjen Greke, por edhe për radhitjen e një pjese të tyre në trupat otomane.
Botimi përfundimtar, i plotë, dhe me kritere të rrepta filologjike i Fjalorit u krye në v. 1980 nga T. Jochalas-i, asokohe bashkëpunëtor i Akademisë së Athinës. Në kreun me titull Χρόνος, τόπος, συντάκται και λόγοι δι’ ους εξεπονήθη το Λεξικόν / Koha, vendi, hartuesit dhe arsyet pse u shkrua Fjalori,që shtrihet në f.39-42 të Hyrjes, Jochalas-i vëren se
“Ata që janë marrë deri më sot me këtë Fjalor greqisht-shqip kanë konsideruar si shkrues ekskluziv të tij Marko Boçarin. Për fat të keq vëmendjes së studiuesve tanë dhe të huaj i shpëtoi një shënim i Pukëvilit, i cili sqaronte sa më poshtë:
‘J’ai déposé, il y a quelques années, au cabinet de MS. de la bibliothèque du roi, un vocabulaire schype et grec vulgaire qui est écrit en entier de la main du jeune Marc Botzaris, sous la dictée de son père, de son oncle, et de son beau-père Christakis.’[17]”
“Për rrjedhojë, konkludon Jochalas-i, kemi të bëjmë me një vepër kolektive, në të cilën Markoja … nuk u kufizua të regjistronte në mënyrë pasive ato që i diktonin tre informatorët e tjerë. Mendojmë se ky shkruante me nismën e vet zërat e greqishtes, kurse përkthimin e tyre në shqip e bënin herë njëri herë tjetri nga katër bashkëpunëtorët, duke plotësuar apo duke ndrequr njëri-tjetrin”[18]dhe shton se “Fjalori Greqisht-Shqip i Boçarit u shkrua me nismën e Pukëvilit, i cili, duke pasur ndërmend të hartonte një fjalor apo një glosar të gjatë frëngjisht-shqip, konsideroi se do të ishte ideale të shfrytëzonte praninë në Korfuz të suliotëve dygjuhësh, e sidomos zellin dhe durimin e Markos, atëherë djalosh.”[19]

Botimi i dytë i Fjalorit, Athinë 1993.
-II-
Duke u nisur nga konstatimi i Jochalas-it se “το Λεξικόν ουδεμίαν αλφαβητικήν τάξιν έχει / Fjalori nuk ka asnjë rend alfabetik”[20], gjë që bëhet e dukshme në çdo shfletim të tij, le t’i kthehemi sërish shkrimit të S. Lambros-it, i cili vërente me mprehtësi se
“Hartuesi i fjalorit i shkroi fjalët siç i vinin në mend, përveç që mund të supozojmë, se, duke pasur përpara edhe një tekst greqisht, merrte që aty fjalë që i zgjidhte, kundrejt të cilave shënonte përkthimin shqip.”[21]
Te një supozim i tillë u mbështet studiuesi grek Dínos Georgúdis (Ντίνος Γεωργούδης, 1934 – 2017), profesor në Universitetin e Sorbonës, i cili në v. 1992 kishte mbrojtur disertacionin me temë “La lexicographie du neo-grec, de Sabio (1527) a Coray (ci. 1800)”, ku ndërmerr një “Etude lexicologique (macrostructure, microstructure) des principaux dictionnaires, parus pendant la periode postbyzantine (1500-1800): Sabio (1527), Germano (1622), Portius (1635), Vlachos (1659), Somavera (1709), Vendotis (1790).”[22] Njohës nga më të mirët i prodhimit leksikografik të asaj periudhe, një vit më pas, në tetor 1993, mban në Athinë kumtesën me titull “Περί το ελληνοαλβανικό λεξικό του Μάρκου Μπότσαρη / Rreth Fjalorit greqisht-shqip të Marko Boçarit”, e cila u botua në vitin 1995[23], dhe arrin në përfundimin bindës se
“Vepra leksikografike që shërbeu si burim dhe si bazë për pjesën greqisht të Fjalorit të Marko Boçaritështë Λεξικόν ιταλικόν και ρωμαϊκόν απλούνi botuesit të librave A. Bortoli dhe madje, pas shumë gjasash, botimi i vitit 1775 i Venecies.” [24]
duke shtuar që
“E gjithë pjesa greqisht e fjalorit të Boçarit është riprodhim mekanik, i diktuar, i barasvlerësve greqisht të zërave italisht të vendosur sipas rendit alfabetik. Ky fakt shpjegon çrregullsinë e plotë (në një qasje të parë) të pjesës greqisht të Boçarit, e cila përshfaq karakter sistematik, kur shihet në lidhje me pjesën italisht.”[25]

Për të larguar çdo lloj dyshimi rreth këtij pohimi, po radhisim më poshtë një tabelë krahasuese indikative, marrë nga artikulli i studiuesit Dinos Georgudis, sikurse dhe kolonat përkatëse të Fjalorit italisht-greqisht të vitit 1775 dhe të Fjalorit dorëshkrim të M. Boçarit.


Nisur nga konstatimet e mësipërme bindëse dhe novatore të studiuesit Georgudis, pas krahasimit të shtyllave greqisht të Fjalorit italisht-greqisht të Venecies me dorëshkrimin e M. Boçarit, dalim në përfundimin se ribotimet e atij fjalori, të viteve 1776 dhe 1783, kanë ndryshime në raport me botimin e vitit 1775[26]. Rrjedhimisht, konfirmojmë sërish se, pas përqasjes fletë pas flete, biem dakord me përfundimin e Georgudis-it në pikat e mëposhtme, duke ruajtur tek tuk edhe ndonjë rezervë.
Sipas autorit Georgudis:
Konsulli francez në Janinë, F. Pouqueville, mbante në duar një fjalor italisht-greqisht (Venecie 1775, botimet A. Bortoli) dhe prej aty merrte fjalët, të cilat në vazhdim përktheheshin nga greqishtja në shqip prej grupit të suliotëve, që i bënin shoqni diplomatit frëng (Μ. Boçari me të atin, të ungjin dhe vjehrrin e vet te ardhshëm) dhe të cilëve ky i fundit u kërkoi ta ndihmonin për hartimin e një glosari greqisht-shqip. Vetë Pukëvili na njofton se Markoja i shënonte fjalët me dorën e tij dhe kjo është arsyeja pse edhe sot e kësaj dite Fjalori njihet si vepër e Boçarit atëherë 19-vjeçar.
Koha e hartimit të Fjalorit: moti 1809;
Vendi i hartimit: Korfuz;
Hartuesi(t): kjo çështje mbetet e hapur. Mund te themi se nga krahasimi i kolonës greqisht të Fjalorit të Boçarit me kolonën përkatëse të Fjalorit italisht-greqisht të vitit 1775, krahasim i cili shtrihet edhe në kolonat italisht dhe shqip, pikënisje dhe pikëmbërritje, gjegjësisht, të rrugëtimit “leksikografik”, në hartimin e Fjalorit marrin pjesë së paku pesë “lojtarë”, shtuar atyre –virtualisht- edhe autori i fjalorit venecian. Shkalla e përfshirjes së çdonjërit në hartimin e Fjalorit, si dhe mangësitë në njohjen e lëndës janë të ndryshme.
Sa i përket rolit dhe vendit të Marko Boçarit në këtë histori, si dhe për vlerën e përdorimit të Fjalorit, Georgudis-i shënon:
“Pasi ftilluam logjikën e hartimit të kësaj vepre, bie detyrimisht edhe miti që e paraqet Marko Boçarin si leksikograf. Duke u shprehur me terma më rigorozë e më teknikë mund ta karakterizojmë a) si shkrues me diktim të veprës dhe b) si njërin prej informuesve për pjesën shqip të veprës. Në këtë mënyrë ndriçohet roli i vërtetë i tij brenda caqeve objektive dhe kuadrit real. Në mbyllje do të desha të shtoj se gjetja e burimit të Fjalorit nuk ka vlerë vetëm si ndihmesë në njohjen më të mirë të burimeve të leksikografisë greke. Duke zënë fill prej Fjalorit të Bortolit mund të bëhen dhjetëra, në mos qindra, korrigjime jo vetëm në pjesën greqisht, por edhe në pjesën shqip, sidomos në rastet kur informuesit nuk kuptonin apo e merrnin tjetër për tjetër lemën për të cilën pyeteshin. Botimi i Akademisë duhet, në mos të ribëhet, të shoqërohet të paktën prej një publikimi që merr parasysh edhe të dhënat e reja. Për momentin, përdoruesi eventual duhet ta shfletojë botimin e Akademisë duke iu referuar gjithherë e paralelisht edhe Fjalorit të Bortolit.”[27]
Pa dyshim, ndonëse nuk qe leksikograf i mirëfilltë e i ndërgjegjshëm, në kuptimin që nuk e ndërmori ai vetë nismën e hartimit të Fjalorit/glosarit greqisht-shqip, i cili sot është lidhur me emrin e tij, një koincidencë a rastësi fatlume i dha shtysë lindjes së mitit për Marko Boçarin leksikograf, që haset shpesh edhe sot e kësaj dite. Ndërkaq, e vërteta objektive nuk mund t’i bishtnojë faktit se ai dhe suliotët e tjerë hartuan së bashku dhe ekskluzivisht kolonën shqip të Fjalorit, ndërsa vetë Markoja na la një dëshmi të pavdirë të shkruar me vetë dorën e tij.
Lidhur me vërejtjet për kolonën shqip të Fjalorit, me të cilën është marrë kryesisht studiuesi Jochalas, mund të thuhet se çdo plotësim a korrigjim i bazuar në Fjalorin e v. 1775 nuk e përmbys pamjen e përgjithshme dhe as i rrëzon përfundimet bazë në të cilat pati arritur kolegu i nderuar në botimin e vitit 1980. Në analizë të fundit, akoma edhe në rastet e përkthimeve jo të sakta nga greqishtja apo të marrjes/dëgjimit tjetër për tjetër të fjalëve të greqishtes (shih më poshtë), lënda e shqipes, e marrë në tërësi, ka një vlerë relativisht të pavarur brenda Fjalorit. Thënë ndryshe, edhe pse fjala greqisht ύμνος ‘himn’ është interpretuar një herë si ύπνος [ipnos] dhe herën tjetër si οίνος [inos], e madje është përkthyer gjegjësisht si gjumë dhe verë, për studiuesin nuk ka edhe aq rëndësi dëgjimi/përkthimi i saktë i fjalëve greqisht sesa dëshmimi i lëndës leksikore të shqipes. (Shih më poshtë edhe rastin e fjalës kresëlë). Madje, siç do të shtjellohet në vijim, gabimet e suliotëve të pashkollë në dëgjimin a përkthimin e fjalëve greqisht janë tregues i shkallës relative të zotërimit prej tyre të greqishtes, e sidomos të greqishtes letrare.
Duke u nisur nga ideja e autorit Georgudis (1995: 226) për “një botim më utilitar në bazë të Fjalorit të Bortolit (1775)”, ku “të merret prej aty pjesa italisht-greqisht që korrespondon me pjesën përkatëse të Fjalorit të Boçarit dhe paskëtaj të shtohen fjalët barasvlerëse të shqipes”[28],
kemi kënaqësinë të njoftojmë se po ia dalim mbanë kësaj pune, e cila nuk e lë aspak në hije, por, përkundrazi, e ndriçon edhe më shumë veprën e çmuar filologjike dhe gjuhësore të autorit Titos Jochalas, botues me kritere shkencore i Fjalorit të M. Boçarit (1980) dhe studiues skrupuloz sidomos i kolonës shqip të tij. Në vazhdim japim një ide të botimit që po përgatisim.

Para se të kalojmë në pjesën e fundit të këtij shkrimi, nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se, të njëjtin vit që botohej kumtesa e studiuesit grek Georgudis, një tjetër studiues, shqiptari Xh. Lloshi, publikonte një shkrim me të cilin tentonte të bënte “A New Interpretation of Marko Botzari’s Dictionary”[29]. Nisur nga fakti i parregullsisë së kolonës greqisht të Fjalorit, Lloshi konsideron se pjesa greqisht është fryt i disa takimeve të F. Pukëvilit me Markon e suliotët e tjerë, gjatë të cilave ata kanë ngrënë e kanë pirë dhe në muhabet e sipër kanë regjistruar fjalë të greqishtes, që dëgjoheshin rastësisht, në kuadër të një kuvendimi të lirshëm e nganjëherë gojëlëshuar. Në vazhdim Pukëvili u drejtonte atyre pyetjen klasike
“si i thonë x fjale në shqip”. Sipas logjikës së Lloshit, ishte e pritshme që në një tryezë burrash të tregoheshin histori të “kripura” me murgesha, virgjëresha e të tjera kësi fjalësh, që, vërtet, i gjejmë në pjesën greqisht të Fjalorit, i cili, siç dihet, e hap siparin me fjalën ηγουμένη, përkthyer si e para [e] kallogrevet (për t’u shënuar se edhe në Fjalorin trigjuhësh greqisht-vllahisht-shqip të T. Kavaliotit (Venecie, 1770), vendin e parë në kolonën shqip e mban fjala igumen, ngaqë kolona greqisht çelet me fjalën αββάς).
Vetëm se në italisht kryemurgesha quhet abbadessa dhe kjo fjalë, detyrimisht, shfaqet qysh në krye të çdo fjalori të asaj gjuhe. Arsyetimi i Lloshit mbështetet edhe në faktin se një sërë fjalësh përsëriten disa herë, çka tregon se biseda vërtitej rreth temash të caktuara e të preferuara. Ai ka të drejtë kur thotë se Pukëvili dhe miqtë e tij suliotë janë takuar disa herë, sepse kjo duket edhe nga shenjat që ka lënë Markoja në dorëshkrim. Në fakt, po të mos kish qenë Georgudis-i, ka gjasa të besonim edhe sot se gjërat kanë ndodhur ashtu siç i përshkruan Lloshi. E përsëris se përqasja fjalë pas fjale dhe faqe pas faqeje e të dy fjalorëve (1775 dhe 1809) na bind plotësisht që Pukëvili kolonën greqisht e ka marrë nga botimi venecian i v. 1775. Nuk po zgjatem me prova të tjera, të cilat rezervohem t’i shtjelloj në botimin e afërm të Fjalorit [italisht-]greqisht-shqip të burrave suliotë e të Pukëvilit.
-III-
Interes të veçantë paraqet, siç u tha edhe më sipër, kolona greqisht e Fjalorit, ngaqë prej saj mund të marrim informacion për nivelin e zotërimit të greqishtes nga suliotët, të cilët i flasin, pas gjasash, të dyja gjuhët, pra janë bilingë. Ndër ta, vetëm Markoja ka mësuar pakëz gramë, pra mund të themi se, në rastin tonë, katër njerëzve thuajse të pashkollë u kërkohet të hartojnë një Fjalor! Mospërputhjet e shpeshta mes dy kolonave greqisht (1775 dhe 1809), si dhe shqyrtimi i kujdesshëm i lëndës së regjistruar në Fjalorin e Boçarit, na çojnë kah përfundimi se greqishtja e suliotëve kufizohet në një spektër të caktuar leksikor, që nuk përfshin shumë terma abstraktë dhe vërtitet rreth leksikut bazë e të përditshëm të jetës rurale.
Për të sjellë një shembull, fjala italisht ferocità, emër abstrakt, ‘egërsi’, të cilën Fjalori i 1775-s e përkthen si αγριάδα, sillet në shqip si kresëlë, pra me emrin e një lloji bari të egër, gramit, që në greqishten e Epirit haset edhe në shprehjen Αγριάδα να γίνεις! / [U bëfsh si kresla! = Paç jetë të gjatë!][30]. Në rastin konkret, nga dy fjalë homonime të greqishtes, njëra me përmbajtje abstrakte, tjetra me përmbajtje konkrete, suliotët zgjodhën të dytën, sepse pas gjasash vetëm atë njihnin, ose me të qenë më të familjarizuar.
Gjithashtu, është e dukshme se Markoja dhe suliotët e tjerë i dëgjojnë fjalët të diktuara, por nuk i shohin të shkruara diku. Kështu mund të shpjegohen gabimet e shumta drejtshkrimore të Markos, të pasqyruara në Fjalor, si dhe rastet e dëgjimit tjetër për tjetër, që çojnë në lajthitje përkthimore: siç u tha tashmë, fjala ύμνος ‘himn, lavd’, merret një herë si ύπνος ‘gjumë’dhe herën tjetër si οίνος ‘verë’, dhe sigurisht përkthehet shqip në kuptimet përkatëse. Në këto mospërputhje a lajthitje duket se ka ndikuar edhe mënyra si i shqiptonte Pukëvili fjalët e greqishtes. Për shembull, mbiemri βασταγερός (ital. durevole) i shtyllës greqisht të Fjalorit 1775, në Fjalorin e Boçarit është segmentuar në dy fjalë: βάστα dhe γερός, që jepen shqip si hilk dhe shëndoshë. E njëjta gjë ndodh edhe me mbiemrin καλόσκοπος, që segmentohet në dy fjalë, καλός, σκοπός dhe përkthehet si i mirë, skopó ‘qëllim’. Me lajthitje në të dëgjuar duket se lidhen edhe fjalët ενθημούμε në vend të μιμούμαι, κέρδος në vend të κέδρος, καϋμάκοι në vend të καμάκι, φίλλος τον βηβλήον në vend të φύλλον των βιβλίων etj.
Duke u përpjekur të kuptojmë si “operon” grupi i “leksikografëve” suliotë pasi dëgjon fjalët e diktuara nga Pukëvili, shohim se, në raste të caktuara, ndërmerret korrigjimi i lajthitjes së fillimit, si ta kenë shoshitur fjalën mes tyre. Për shembull, Fjalori i 1775 për fabbro di ferro jep shpjegimin χαλκέας σίδερο, ndërsa Fjalori i Boçarit shënon në kolonën greqisht të tij fillimisht χάλκομα dhe pastaj χαλκοιάς ‘hekurpunues’.
Një tjetër veçanti e kolonës greqisht të Fjalorit të Boçarit është edhe fakti se korrigjon raportet morfosintaksore në brendësi të togfjalëshave, të cilat herë herë nuk respektohen nga Fjalori i v. 1775. Kështu, shprehjen adorare Dio – προσκυνώ Θεός, FBoç. e ndreq në προσκοινώ θεόν, alto monte – υψηλός βουνό, bëhet ϋψηλό βουνώ, catena di ferro – άλυσος σίδερο, bëhet άλησος, σίδερένηος, etj. Kjo gjë mendojmë se duhet marrë mirë parasysh kur llogarisim nivelin e zotërimit të greqishtes prej suliotëve me të cilët u këshillua konsulli Pouqueville.
E kemi vënë në dukje edhe gjetiu se, kur është fjala për koncepte abstrakte apo fjalë/emërtime që lidhen me jetën qytetare, shpjegimet e FBoç. janë nganjëherë problematike. Domethënës është rasti i fjalës desputo – διαλέγομαι, ku zëri greqisht del si διαλέγομεν, domethënë interpretohet si trajtë shumësi e foljes διαλέγω, dhe përkthehet shqip skledhmë. Ose edhe fjala indulgenza – συγκατάβασις, e cila kopjohet saktë, përkthehet shqip e xirkurë ‘κατάβασις’, etj.
Dhe, e fundit, në greqishten e suliotëve, sikurse duket në FBoç., hasim një numër të madh fjalësh dialektore, që lidhen kryesisht me të folmet e Epirit. Fjala vjen, gjejmë μελό për νους ‘tru’, βεδρά për μηρί ‘shalë’, ήγγερνον për νωπόν ‘tazé’, αγνήστρα për γωνία ‘vatrë’, etj.
Do të mund të thuheshin shumë gjëra të tjera për FBoç., por këtu, përmbylltazi, le të theksojmë se ajo vepër mund të shërbejë si mjet vetënjohjeje dhe komb-njohjeje, për të rrokur më mirë si u formua kombi i sotëm grek dhe si u integruan në indin e tij popullatat tjetërgjuhëshe (aloglote) apo dygjuhëshe (bilinge), sikurse suliotët. Për të kuptuar, gjithashtu, si u konfigurua Ballkani modern në përgjithësi. Ndoshta nuk është rastësi që, në Fjalorin e Markos, të motit 1809, fjala ρωμιός shpjegohet si kaur, pra jomysliman, i krishterë, fjala έθνος shpjegohet me bota, ndërsa fjala εντόπιος‘vendas’përkthehet si vilaetli, d.m.th. banor i vilaetit, etj.
Përftimi i ndërgjegjes kombëtare në anë të ndryshme të Ballkanit ka qenë proces i gjatë dhe i pleksur paq me fije të dukshme e të padukshme të historisë dhe të politikës. Në mbështetje të këtij pohimi ia vlen të mbahen parasysh dhe të na shtien në mendime dy citimet e mëposhtme, marrë nga vepra e italianit P. Gamba, bashkëpunëtorit të ngushtë dhe biografit të Lordit Bajron.[31]
Në fragmentin e parë, M. Boçari i shkruan një letër Bajronit vetëm pak ditë para se të flijohej në Karpenisi:
“The enemy threatens us in great number; but, by the help of God and your Excellency, they shall meet a suitable resistance. I shall have something to do tonight against a corps of six or seven thousand Albanians, encamped close to this place. The day after tomorrow I will set out, with a few chosen companions, to meet your Excellency. Do not delay. I thank you for the good opinion you have of my fellow-citizens, which God grant you will not find illfounded; and I thank you still more for the care you have so kindly taken of them.” [32]
Në fragmentin e dytë, janë domethënëse ato që shënon Gamba për suliotët:
“When Lord Byron had made up his mind to dismiss the 40 Suliotes whom he had taken into his pay, I collected them in the house of Signor Corgialegno, and took that opportunity of reading to them the account of the victory and death of their countryman Bozzari; and never shall I forget the lively colours with which the alternate passions of grief and pride were painted on their rude and weather-worn countenances. They shed a torrent of tears; but immediately recovered themselves, and expressed an anxious desire to join the surviving companions of their deceased chieftain. The Suliotes have learnt by rote a few words, allusive to the present chance of national independence, and to the ancient glories of Greece; but their real feelings prompt them to reject the name of Greeks as synonymous with slaves, and to keep to that of their own tribe: never do they turn to the quarter where their own rocks are seen to rise into the clouds, never do they mention the name of Suli, without a tear or a sigh.”[33]
SHTOJCË
-I-
MARKO BOÇARI LEKSIKOGRAF
Spiros P. Lambros
Në ditët kur vëmendja e mbarë Greqisë është kthyer ndaj ngjarjeve në Anadoll dhe ndër të tjera diskutohen dhe komentohen gjithfarësosh marrëdhëniet etnike të Grekëve dhe Shqiptarëve, konsideroj se ka interes aktual t’u paraqes lexuesve një burrë, leksikograf, kujtimi i të cilit si luftëtar mbetet i pavdirë në historinë e betejave kombëtare. Është fjala për Marko Boçarin.
Kush do të mund ta merrte me mend ndonjëherë, se Sulioti i dashuruar pas armëve, i cili, sikundër më të shumtët e heronjve të betejës së madhe, mjaftohej zakonisht në nënshkrimin e letrave të hartuara nga gramatikói (qatipi), ai që e përdorte penën mezi e më të rrallë, ka të ngjarë të zërë një vend, veç historisë së kombit, edhe në gramatologjinë tonë të re? E megjithatë Boçari është shkrimtar, e madje leksikograf.
Që Marko Boçari pat qenë i pashkollë, është e njohur. E dëfton firma e tij, që sillet këtu mu siç ka qenë. Nuk mund të ishte më e mirë, derisa heroi vetëm pak këndim e shkrim kish mësuar në moshë fëmijërie prej të madhit murgut Samuil, heroit të Kungjit, për të cilin nuk njohim dinte a s’dinte më shumë nga sa u mësoi nxënësve të vet.
Lindur aty nga viti 1788, Markoja u gjend i detyruar të braktisë vendlindjen së bashku me të vetët dhe me mjaft bashkëfshatarë, pas mundjes së Suliotëve prej Ali Pashës në vitin 1803, kur disa syresh gjetën strehë në Pargë, dhe të tjerë përfunduan në ishujt e Jonit.
Boçari ndodhej mes këtyre në Korfuz, kur kaloi në ishull më 1809 konsulli i përgjithshëm i qeverisë franceze në Janinë, François Pouqueville, i emëruar aty në vitin 1805. Është e njohur veprimtaria në Epir e këtij Galati filohelen, i cili bën pjesë ndër të parët mes atyre që kontribuuan për t’u bërë e njohur Greqia në Perëndim dhe që ngjallën dashurinë ndaj saj. Pouqueville-i qe në gjendje të njihte Suliotët dhe veprën e tyre burrërore, por gjatë vizitës në ishull nuk u tregua mospërfillës për të takuar nga afër burrat më të shquar të ikanakëve. Sigurisht, nuk e kishin arritur ende kulmin pabesia dhe brutaliteti i Aliut ndaj Suliotëve. Ai burrë, për të cilin në mënyrë profetike shkruante Pouqueville-i më 1820, se pati mbjellë erë e do të korrte furtunë, nuk e kishte shfaqur akoma gjithë shtazërinë e vet ndaj popullit trim suliot. Por marrëdhëniet e Aliut me Suliotët qenë shenjuar me vurrata gjaku qysh më 1809. Pouqueville-i që i njihte gjërat nga afër edhe parandiente edhe shihte cili do të ishte fati i mëtejshëm i Suliotëve përballë Aliut, cila e ardhmja e tyre në luftën e madhe kombëtare të Grekëve, ku Suli, në ditë fatkeqësie dhe dhembjeje, me anë të heronjve të tij, do të shpëlante në mënyrë panegjirike gjakrat me të cilat Tepelenliu kishte ngjyer shkëmbinjtë e thepisur të atij vendi. Kësi mendimesh të sjell në mendje fashikulli dorëshkrim i ndodhur në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, në të cilin përfshihet edhe fjalori greqisht-shqip i Boçarit, shkruar prej tij me dorën e vet para syve të Pouqueville-it.
Në dimrin e vitit 1876, teksa studioja në Bibliotekën Kombëtare të Parisit dorëshkrimet që lidheshin me historinë e shekujve mesjetarë të Helenizmit, në katalogun e suplementit të dorëshkrimeve greqisht (Supplement Grec 251) gjeta të regjistruar edhe kodikun që përmban fjalorin për të cilin bëjmë fjalë. Atëherë, për shkak të punëve të tjera të shumta, vetëm një sy munda t’i hedh dorëshkrimit; kurse sot ndodhem në një pozicion të kënaqshëm, ngaqë jam në gjendje të kumtoj mjaft gjëra rreth tij falë të dhënave plotësuese, të cilat m’i dërgoi me gjithë zemër dhe me kërkesë timen, më 1892, z. J. Kostomíris, filolog dhe mjek i vendosur asokohe në Paris, dhe në saje të gatishmërisë fisnike të drejtorit të seksionit të dorëshkrimeve greqisht të Bibliotekës Kombëtare të Parisit, z. Errique Omont, që u kujdes për fotografimin e faqes së parë të fjalorit, kopjen besnike të së cilës po e paraqes ketu.
Dorëshkrimi në fjalë, i renditur sot me numër 1 në dorëshkrimet shqip të Bibliotekës Kombëtare të Parisit, është prej letre, përbëhet prej 244 faqesh, me format të vogël tetësh prej f. 25 deri 136, dhe të madh tetësh prej f. 137 deri në fund. Duhet shënuar se dorëshkrimi zë fill prej faqes 25, ndërsa 24 të parat mungojnë. Nga ky dorëshkrim, pjesa e dytë, prej f. 136 e në vazhdim, përmban një koleksion me shkrime grekoshqiptare dhe një fjalor të shkurtër frëngjisht-shqip, dhe është i shkruar prej një savanti dhe njohësi të ortografisë. Por këtu nuk do të merremi me këtë pjesë. Ajo që na intereson ne është pjesa e parë, që përmban fjalorin e Boçarit. Ce lexique est écrit de la main de Marc Botzari à Corfou 1809 devant moi. Pouqueville, pra Ky fjalor u shkrua me dorën e Marko Boçarit në Korfuz më 1809 në praninë time, konfirmon duke nënshkruar Pouqueville-i, i cili edhe e dhuroi dorëshkrimin pas dhjetë vjetësh më 1819 në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, me deklaratë të shkruar prej vetë atij.
Λεξικόν της Ρωμαϊκοίς, και Αρβανητηκοίς Απλής e titullon Boçari veprën e vet. Ajo është dykolonëshe për çdo faqe, ndarë me vijë vertikale. Në kolonën e parë jepen fjalët e thjeshta greqisht, kurse në të dytën fjalët shqip, të shkruara me gërma greke. Në krye të çdo faqeje shkruhet titulli ΛΕΞΙΚΟΝ ose ΛΕΞΙΚΟΝ ΔΙΓΛΟΣΣΟΝ ose ΔΙΓΛΩΣΣΩΝ.
Ja edhe faqja e parë me transkriptimin besnik të fotografisë që disponojmë.

Ja edhe një faqe tjetër e fjalorit, ajo me nr. 69.

Fjalori mbaron në f. 136 si më poshtë:

Sikurse e sheh lexuesi nga sa treguam më lart, nuk ka asnjë lloj sistemi në regjistrimin e fjalëve. Renditja nuk është as alfabetike dhe as e ndonjë lloji tjetër. Hartuesi i fjalorit i shkroi fjalët siç i vinin në mend, përveç që mund të supozojmë, se, duke pasur përpara edhe një tekst greqisht, merrte që aty fjalë që i zgjidhte, kundrejt të cilave shënonte përkthimin shqip.
U takon Albanologëve të studiojnë lidhur me çështjen cilit dialekt të shqipes i përket shqipja e Boçarit, gjë e cila mbetet krejt e huaj për shkrimin tim. Besoj se nuk po flas para kohe duke shprehur mundësinë se ajo është toskërishtja e formësuar më tej në trojet e greqishtes. Kur sjellim ndër mend sa me vonesë zuri fill, vetëm gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, studimi i atij dialekti dhe përpjekja për formimin e një gjuhe të shkruar të Shqiptarëve nëpërmjet punimeve të Reinhold-it, Hahn-it, Kristoforidhit, Kupitorit, vëllezërve Naim e Sami Bej dhe të Gustav Meyer-it, gëzohemi sigurisht që po mundemi t’u shtojmë atyre studimeve gjuhësore këtë kontribut naiv, por të çmuar, e madje shumë më të hershëm të Suliotit të madh.
Por vlera e fjalorit të Boçarit nuk është vetëm filologjike. Shumë e madhe është rëndësia, që ka ai fjalor i thjeshtë në pikëpamje etnike. Sulioti e ndiente që, nëse kish brenda vetes diçka të selitur, ajo qe helene. Gjuha e atij kombi, me të cilin qe bashkë-ngjizur në rrjedhë të shumë shekujve shqiptarizma, u pat bërë gjuha mbizotëruese e Suliotëve. Pra, Boçari nuk e shkruante fjalorin e tij përndryshe të paplotë, që po të shtypet nuk ka për të qenë më shumë se dyzet faqe në format tetësh, që t’u mësonte bashkëvendasve greqishten. Kjo do të ish krejt e tepërt për Grekoshqiptarët dygjuhësh të maleve suliote, të cilët, sikundër shumica e Shqiptarëve të helenizuar dhe bashkëluftëtarë të kombit grek në luftën e përbashkët, kishin një të vetme ide kombëtare, por dy gjuhë, njësoj si shqiponja dykrenore e Bizantit që ka dy kokë, por një trup.
Pra tjetër pati qenë qëllimi dhe kuptimi i radhoit leksikografik të luftëtarit të ardhshëm të pavarësisë greke. Do të ishte mjaft prozaike të supozojmë se regjistronte fjalë vetiu dhe rastësisht, i shtyrë nga dëshira për të shkuar kohën duke u marrë me filologji apo sepse dëshironte të kënaqte kureshtjen vanitoze studimore të Pouqueville-it. Dhe as që kishte sigurisht ambicie prej shkrimtari njeriu që mezi e rrëshqiste penën mbi letër dhe që po bëhej gati të mprehte shpatën për atdhe. Këtij atdheu, për të cilin do të flijohej më pas, dëshironte t’i ofronte jo vetëm shërbimet e tij si ushtar, por edhe penën imcake, duke hedhur hapat e parë të mirëkuptimit dhe të bashkëveprimit të Grekëve dhe të Shqiptarëve në betejën kombëtare, me anë të përhapjes, pas gjasash, të disa njohurive elementare dhe të nevojshme të shqipes ndër Grekë dhe jo aq të greqishtes ndër Shqiptarë. Kush mund ta dijë nëse Pouqueville-i, i cili pat qenë dëshmitar okular i hartimit të fjalorit, nuk kish për të qenë edhe ndërmjetësi i një përdorimi të tillë të veprës me anë të botimit të përshtatshëm të saj. Cilat qenë arsyet pse dorëshkrimi i dhënë në duart e Galatit filohelen mbeti i pabotuar, me kushtin se e kam interpretuar drejt hartimin e tij si një akt të qëllimshëm me synime politike dhe kombëtare, këtë nuk mund ta di. Duke e nxjerrë nga savani i harresës, uroj botimin e shpejtë të tij nga ndonjë njohës i shqipes dhe shpresoj se publikimi i veprës do të kontribuojë medoemos në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të ngushta, të cilat prej shekujsh kanë sjellë bashkëveprimin dhe zulmën e përbashkët të Grekëve dhe të Shqiptarëve.
-II-
Për Fjalorin Greqisht-shqip të Marko Boçarit
Dinos Georgudis
Thuajse njëqind vjet pas studimit të Spiridhon Lambros në Estia të datës 25.12.1895 për Marko Boçarin si leksikograf dhe pas dhjetë e ca vjetësh nga botimi filologjik i dorëshkrimit në serinë e posaçme të Akademisë së Athinës prej Titos Jochalas-it, sivjet, me shkas botimin e dytë, ose më saktë ribotimin, e të njëjtit libër,[34] dhe sot në kuadër të një konference kushtuar kujtimit të një gramatologu me sensibilitet të veçantë në çështje të leksikut,[35] po kumtoj një qasje të re shpjeguese sa i përket hartimit të pjesës greqisht të Fjalorit. Kjo qasje e re, edhe pse e privon heroin suliot nga titulli i leksikografit, shpjegon një sërë çështjesh, të cilat nuk mundi t’i lërë në hije entuziazmi i natyrshëm i filologëve dhe i lexuesve.
I ashtuquajturi Fjalor i Marko Boçarit, si dorëshkrim, ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, së cilës iu dhurua më 1819 nga Pukëvili, me shënimin e qartë se u shkrua në Korfuz më 1809, në prani të tij dhe me dorën e Marko Boçarit, në bashkëpunim me dhe diktuar nga i ati, xhaxhai dhe vjehrri i tij.
Nga ana tipologjike vepra mund të konsiderohet se përmban lëndë leksikore të greqishtes dhe të shqipes, renditur në mënyrë të çrregullt, me pikënisje greqishten e thjeshtë (popullore) dhe pikëmbërritje gjuhën shqipe. Dorëshkrimi është plot gabime drejtshkrimore dhe nuk i ofron përdoruesit mundësi për të rrokur si fjalëformimin ashtu edhe kuptimet e fjalëve të të dy gjuhëve që pasqyron.
Kemi të bëjmë thjesht, në rastin më të mirë, me një fjalorth elementar, të tipit fillestar, pa kurrfarë synimi serioz leksikografik nga ana e hartuesit.
Përfundimet e studiuesve të veprës, sa i përket pjesës greqisht, e cila përbën edhe objektin e mirëfilltë të këtij shkrimi, mund të përmblidhen si më poshtë:
- pjesa greqisht u hartua vetëm nga Marko Boçari;
- Boçari nuk ndoqi asnjë rregull në radhitjen e zërave greqisht, por i shkroi fjalët siç i vinin ndërmend atë çast;
- kjo është edhe arsyeja pse në korpusin e veprës hasen shumë fjalë të përsëritura;
- vepra u hartua pa marrë parasysh asnjë fjalor apo tekst greqisht a në gjuhë tjetër;
- shkollimi i djaloshit suliot duket si nga fjalët librore ashtu edhe nga fjalët me prejardhje italiane, të koinesë a të dialekteve të italishtes, që ndeshen gjithandej në vepër;
- shkollimi i Boçarit duket gjithashtu edhe nga numri i madh i zërave që i referohen jetës fetare;
- zërat greqisht pasqyrojnë greqishten që flitej asokohe në Sul;
- gabimet drejtshkrimore përbëjnë rregullin dhe jo përjashtimin e pjesës greqisht të fjalorit;
- shumë zëra përbëhen prej grupesh fjalësh apo prej shprehjesh, jo aq të qarta në pamje të parë; dhe, e fundit, sa i përket gjuhës së pikëmbërritjes, vërejmë ndërkaq se
- pjesa shqip e veprës është produkt i bashkëpunimit të Boçarëve dhe të Kristaqit.
Në këtë pikë më duhet të theksoj se të gjitha përfundimet e mësipërme, përveç atij të fundit, mund të konsiderohen të vlefshme vetëm me kushtin që pjesa greqisht është hartuar dhe zgjedhur prej M. Boçarit vetë-m. Përndryshe vihet në dyshim validiteti i tyre. Është i njohur parimi metodologjik dhe epistemologjik sipas të cilit një hipotezë apo një teori mbeten në fuqi dhe janë të mundura, në shkallën që i rezistojnë çdo qasjeje dyshuese, e cila ka për qëllim të verifikojë nëse janë të vërteta.
Kaloj tani në pjesën tjetër të kumtesës, ku shtjelloj, sa më shkurt, vërejtjet dhe përfundimet e mia sa i përket burimit të pjesës greqisht të fjalorit.
Qysh me analizën e parë të kujdesshme të veprës mbi bazën e kritereve leksikologjike,[36] formulova hipotezën se pas pjesës të çrregullt dhe kaotike greqisht përvijohet, që të flasim me terma teknikë, rendi i një makrostrukture, e cila ka përcaktuar edhe kompozimin e gjithë veprës. Dhe këtë bindje të parë e krijova nga edhe vetëm tre zërat e parë të fjalorit. Duke rikonstruktuar, do të thoja, skenën fillestare të hartimit të veprës, m’u duk kryekrejet e pamundur që Pukëvili, në prani të të cilit shkruhet fjalori, të jetë ulur së bashku me Boçarët dhe me Kristaqin e të presin Boçarin riosh të marrë pendë e kartë, për të nisur hartimin e fjalorit, dhe ky, si të parët zëra greqisht që duan kthyer në shqip, të zgjedhë me ndriçim hyjnor fjalët ηγουμένη [e para kallogrevet], μοναστήριον [manastir], αγκαλιάζω ολίγον [përqafoj pak]… Më duhet të them se asosacionet e këtyre fjalëve na kujtojnë më tepër një seancë psikanalitike dhe jo zanafillën e një vepre leksikografike.
Një konstatim tjetër çonte në të njëjtën hipotezë. Fjalët e përsëritura si zëra të veçantë qenë të pakta në një vepër që do të lejonte, pikërisht për shkak të radhitjes josistematike të zërave, shfaqjen e shumëfishtë të së njëjtës fjalë.
E fundit, shumë zëra duket se shoqërohen prej glosemash, dhe kjo është një hollësi që haset zakonisht në përkufizimet leksikografike.
Këto tre elemente më orientuan kah gjurmimi i një vepre leksikografike me gjuhë pikënisjeje gjithsesi jo greqishten, por diçka tjetër e mbase mbase frëngjishten a italishten, dhe me gjuhë pikëmbërritjeje ndoshta greqishten.
Nuk do t’ju lodh me radhitjen e përçapjeve dhe të shfletimeve për gjetjen e veprës që do të mund të përbënte pikën e nisjes. E gjej më të udhës t’ju bëj të ditur thjesht rezultatin e mbarë dhe jo historikun e kërkimeve dhe të dështimeve. Diçka e tillë do të kish kuptim mbase në kuadër të një paraqitjeje analitike dhe jo në një kumtim raportues si ky këtu.
Po kaloj tani te përfundimi: Vepra leksikografike që shërbeu si burim dhe si bazë për pjesën greqisht të Fjalorit të Marko Boçarit është Λεξικόν ιταλικόν και ρωμαϊκόν απλούν i botuesit të librave A. Bortoli dhe madje, pas shumë gjasash, botimi i vitit 1775 i Venecies.[37]
E gjithë pjesa greqisht e Fjalorit të Boçarit është riprodhim mekanik, i diktuar, i barazvlerësve greqisht të zërave italisht të vendosur sipas rendit alfabetik. Ky fakt shpjegon çrregullsinë e plotë (në një qasje të parë) të pjesës greqisht të Boçarit, e cila përshfaq karakter sistematik, kur shihet në lidhje me pjesën italisht.
Gjithashtu gabimet e shumta drejtshkrimore të tekstit të Boçarit, krahasuar me pjesën e shkruar thuajse pa gabime të tekstit të Bortolit, konfirmon të dhënën e Pukëvilit se Markoja e shkroi (dhe nuk e hartoi) Fjalorin në prani të tij [të P.] dhe nën diktimin e bashkëpunëtorëve të vet.
Krahasimi i të dy veprave nxjerr në pah po ashtu edhe një element që vetëm gjetja e veprës së Bortolit si burim do të mundësonte evidentimin e tij: Fjalori i Boçarit është i papërfunduar a i paplotë në raport me Fjalorin e Bortolit. Boçari ka kopjuar zëra që korrespondojnë në rreth 4/5 e Fjalorit të Bortolit. Zëri i fundit i Boçarit është fjala ρεύγομαι [gromësit] që përbën barasvlerësin greqisht të italishtes ruttare. Zërat e fjalorit italisht nga shkronja S e në vazhdim nuk i janë nënshtruar përpunimit leksikografik. Nga ana sasiore, së paku 500 fjalë-zëra do të duhej të shtoheshin që të arrinte vepra e Boçarit plotërinë e Fjalorit të Bortolit.
Pas gjetjes së veprës-burim çvlerësohen përfundimisht dy përfundime të studiuesve, të cilat i vishnin veprës cilësinë e një dëshmie filologjike:
- sa i takon gjuhës që flitej në fillimet e shek. XIX në Sul,
- sa i takon shkollimit greqisht të Marko Boçarit.
Cilado qoftë ajo gjuhë dhe cilido qoftë ai shkollim, vështirë se mund të barazohen me lëndën gjuhësore të një fjalori që u ngjiz brenda një mjedisi gjuhësor italishtfolës dhe që rrok një gjuhë dhe koncepte që mezi mund të datohen në mesin e shek. XVIII. Duhet thënë që, nëse kjo vepër ka vlerë të padiskutueshme për studimin e shqipes, ajo, për sa u përket çështjeve të greqishtes, nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë ose, thënë ndryshe, është po aq e rëndësishme sa edhe burimi i saj, d.m.th. Bortoli.
Pasqyrë krahasuese

Shënim: Kemi ruajtur gabimet drejtshkrimore të teksteve.
Pasi ftilluam logjikën e hartimit të kësaj vepre, bie detyrimisht edhe miti që e paraqet Marko Boçarin si leksikograf. Duke u shprehur me terma më rigorozë e më teknikë mund ta karakterizojmë
- si shkrues me diktim të veprës dhe
- si njërin prej informuesve për pjesën shqip të veprës.
Në këtë mënyrë ndriçohet roli i vërtetë i tij brenda caqeve objektive dhe kuadrit real.
Në mbyllje do të desha të shtoj se gjetja e burimit të Fjalorit nuk ka vlerë vetëm si ndihmesë në njohjen më të mirë të burimeve të leksikografisë greke. Duke zënë fill prej Fjalorit të Bortolit mund të bëhen dhjetëra, në mos qindra, korrigjime jo vetëm në pjesën greqisht, por edhe në pjesën shqip, sidomos në rastet kur informuesit nuk kuptonin apo e merrnin tjetër për tjetër lemën për të cilën pyeteshin. Botimi i Akademisë duhet, në mos të ribëhet, të shoqërohet të paktën prej një publikimi që merr parasysh edhe të dhënat e reja. Për momentin, përdoruesi eventual duhet ta shfletojë botimin e Akademisë duke iu referuar gjithherë e paralelisht edhe Fjalorit të Bortolit.
Është e mundur po ashtu që mbi bazën e Fjalorit të Bortolit të ndërmerret një botim më praktik: kjo do të thotë se mund të shtypet pjesa italisht-greqisht që i korrespondon Fjalorit të Boçarit dhe thjesht të shtohen si gjuhë e dytë pikëmbërritjeje barasvlerësit e shqipes. Kësisoj Fjalori do të marrë një trajtë, e cila do të gjendet më afër mekanizmit të hartimit të tij.[38]
(c) 2026 Dhori Q. Qirjazi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet rreptë ribotimi pa lejen eksplicite të autorit.
[1] https://gazetadita.al/deklarata-e-akademikes-greke-trazon-rrjetin-athina-kur-ishte-me-shumice-shqiptare/
[2] https://usalbanianmediagroup.com/eleni-glykatzi-ahrweiler-dekonstruktimi-i-miteve-kombetare-greke-dhe-realiteti-historik-i-arvanitasve/
[3] Κοραής, Α. 1966. Αλληλογραφία, τόμος Β΄, 1799-1809, Αθήνα: Βιβλιοπωλείον της «Εστίας», 546.
[4] Γιοχάλας, T. 1980. Το Ελληνοαλβανικόν Λεξικόν του Μάρκου Μπότσαρη (φιλολογική έκδοσις εκ του αυτογράφου). Αθήνα: Γραφείο Δημοσιευμάτων Ακαδημίας Αθηνών, 43-44.
[5] Σ. Λάμπρος, Λόγοι και άρθρα / Fjalime dhe shkrime. Athinë 1902, 533-538. Shih përkthimin e plotë të shkrimit në Shtojcë I.
[6] Σ. Λάμπρος, po aty 533.
[7] Të dhëna relevante do të jepen sipas rastit në vazhdim të shkrimit tonë. Për hollësi të mëtejme lexuesi duhet të konsultojë shkrimin e Lambros-it dhe studimin hyrës të botimit të Fjalorit prej kolegut Titos Jochalas, Athinë 1980, 1993.
[8] Σ. Λάμπρος, po aty 537-38.
[9] Σ. Λάμπρος, po aty 533.
[10] “[A myth] is a true story in so far as it recalls events which have in one way or another shaped the community and its social order through the emergence and consolidation of beliefs and norms. At the same time, a myth transcends the truth of the events: a myth is not historiography.” (S. P. Rickmann, «The myth of Europian Unity», në: G. Hosking and G. Schöpflin (eds), Myths and Nationhood, London: Hurst, 1997, 61-62)· “Members of a community may be ware that the myth they accept is not strictly accurate, but, because myth is not history, this does not matter. It is the content of the myth that is important, not its accuracy as a historical account.” (G. Schöpflin, “The function of myths and a taxonomy of myths”, po aty 19).
[11] Σ. Λάμπρος, po aty 538.
[12] Γιοχάλας, po aty 44.
[13] Sipas përkthimit të vetë F. Konicës në Albania.
[14] «Η έκδοσις αυτή είναι, δυστυχώς, πολύ ατυχής, όχι μόνον λόγω του πλήθους των παραναγνώσεων […], αλλά διότι πολλάκις παραλείπονται λήμματα του Μπότσαρη, είτε αναγράφονται λέξεις, τας οποίας ο Μπότσαρης δεν έγραψεν, ούτε βεβαίως δεν υπάρχουν στο χειρόγραφόν του.» Γιοχάλας, po aty 45
[15] Diturija, fash. 12, 387-393.
[16] “Vetë këto fraza, thotë njeriu se kanë dalë prej një farë dhe metodë ndjenje, një mendimi të pshehtë, që manifestohetë befas, i lindurë prej individualitetit të luftarit, ose, më mir’ akoma, prej shpirti së një race.” Po aty 387. Kjo qasje e Skëndos është për mendimin tonë mjaft interesante dhe novatore.
[17] F. Pouqueville, Voyage de la Grèce, Paris ²1826, vëll. 1, f. ΧΧΧVII, shën. 1.
[18]Γιοχάλας, po aty 40.
[19] Γιοχάλας, po aty 41-2.
[20] Γιοχάλας, po aty 41.
[21] Gaz. “Εστία”, Krishtlindje 1895.
[22] http://www.theses.fr/1992STR20039
[23]Αποστολόπουλος, Δ. (ed.) 1995. Νεοελληνική παιδεία και κοινωνία / Arsimi dhe kultura neohelene (Vëllim me kumtesat e Konferencës Ndërkombëtare në kujtim të K. Th. Dhimarás-it). Athinë: Όμιλος Μελέτης Ελληνικού Διαφωτισμού, 221-226. Shih përkthimin e plotë të shkrimit në Shtojcë II.
[24] Γεωργούδης, po aty 222-23.
[25] Γεωργούδης, po aty 223.
[26] U shpreh falënderimet e mia Ermoláut, Anastasísë dhe Ermiónit, shërbyes të zellshëm të Hermesit të letrave, të cilët më ndihmuan të kem në duar fotot e Fjalorit venecian të vitit 1775, një kopje mjaft e rrallë e të cilit ruhet në Manastirin Limónos të ishullit Lezbos. Kolegët dhe miqtë e nderuar Matthias Kappler dhe Ardian Ndreca morën përsipër fotografimin e pjesshëm/plotë të botimeve të viteve 1776 dhe 1783, që gjenden përkatësisht në Bibliotekën Laurentiana të Venecies dhe në Bibliotekën e Vatikanit. U detyrohem mirënjohje.
[27] Γεωργούδης, po aty 225-26.
[28] Γεωργούδης, po aty 226.
[29] Ky është titulli i artikullit të botuar nga Lloshi në revistën prestigjioze Zeitschrift für Balkanologie 31.2, 1995, 152–155.
[30] Në Gjirokastër thonë U bënë si krisëla ‘u shtuan shumë’. Shih Çabej, E. 2014. Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes V. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 144, fj. krisje.
[31] Gamba, P. 1830. A Narrative of Lord Byron’s Last Journey to Greece. London: John Murray.
[32] Gamba, po aty 32.
[33] Gamba, po aty 292.
[34] Πραγματείαι της Ακαδημίας Αθηνών, vëll. 46, Athinë 1980. Ribotimi i vitit 1993 është riprodhim i botimit në fjalë. Shkrimet dhe vlerësimet rreth kësaj vepre lexuesi mund t’i gjejë në faqet e para të ribotimit.
[35] Shih kryesisht shënimin hyrës të K. Th. Dhimaras-it (“Leksikografí dhe Ideologjí”) në ribotimin e veprës Συναγωγή Νέων Λέξεων [Përmbledhje Fjalësh të Reja] të St. Kumanudhis-it, Athinë 1980.
[36] Shih veprën klasike të L. Zgusta-s, Manual of Lexicography, Hagë-Paris 1971.
[37] Sipas zakonit po e emërtoj fjalorin e përmendur me emrin e botuesit Ant. Bortoli. Përshkrimin dhe historikun e këtij botimi mund t’i gjejë dikush në shënimin hyrës (f. 14-15) të [francezit] Hubert Pernot, që i paraprin botimit të fjalorit të Gir. Germano-së, Paris 1907. Shih gjithashtu të dhëna bibliografike në Ελληνική βιβλιογραφία të Th. I. Papadhopulos, vëll. 1, Athinë 1984, nr. 3597, 3598, 3599 dhe vëll. 2, Athinë 1986, nr. 738.
[38] Shih në faqen paraprijëse pasqyrën me zërat e parë dhe të fundit të Fjalorit të Boçarit dhe korresponduesit e veprës së Bortolit (1775).
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.