Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SHTRESËZIME TË THJESHTËSISË

«Ishulli në liqen» (The lake isle), ndër poezitë më të njohura të Pound-it, të jep, pas një leximi të parë, përshtypjen sikur ke të bësh me një lëndë më se të tejpashme, katërçipërisht të rrokshme. Edhe vetë titulli të sjell ndër mend ndonjë tablo prej të ashtuquajturit art naiv. Në shtatëmbëdhjetë vargje kurrfarë metafore. Aq e çiltër duket kjo vjershë, saqë, aty për aty, bëhet e dyshimtë. Nuk lahen duart lehtë nga poezia e dikujt që, si teoricien, tek ABC-ja e leximit, do të dilte në përfundimin se «letërsia e madhe nuk është gjë tjetër veçse gjuhë e ngarkuar gjer në shkallën më të tejme me domethënie» (Ezra Pound, Literary Essays, Faber & Faber, Londër 1954, f. 23).

Një anë e misterit të këtij krijimi do të jetë ndriçuar pa vonesë, me t’u botuar, në shtator 1916, te revista Poetry: a magazine of verse, redaksia dhe shumë pajtimtarë të së cilës nuk mund të mos ishin në dijeni të poezisë së W. B. Yeats-it «Ishulli në liqenin e Inisfrisë» (The lake isle of Innisfree). Kritika, qysh atëherë, ka parë te vjersha e Pound-it një parodi miqësore të vjershës së mësuesit të tij irlandez. Por mos do të ishte më me vend të cilësohej rikrijim, ose motërzim, ose përkthim – po, përkthim brendagjuhësor, nga anglishtja në anglishte, à la manière de Ezra Weston Loomis Pound – i poezisë së Yeats-it?

Pak kohë më parë, në Londër, teksa të dy poetët i qenë futur ethshëm studimit të letërsive lindore, Pound-it i kishin rënë në dorë gjashtëmbëdhjetë blloqe shënimesh të sinologut të shquar amerikan Ernest Fenollosa, ku, mes të tjerash, gjendeshin edhe një sërë përkthimesh në prozë nga poezia klasike kineze. Fryt i kësaj dhurate qiellore është përmbledhja Cathay, e botuar më 1915, poezitë e së cilës, ngaqë nuk i përmbahen edhe aq origjinalit, janë vlerësuar më së shumti si krijime të vetë Pound-it, sesa si përkthime. Duket se të njëjtën metodë ka ndjekur edhe tek «Ishulli në liqen», ku, po ta lëmë mënjanë titullin, e vetmja ngjashmëri me poezinë e Yeats-it qëndron te motivi i lodhjes dhe i dëshirës për t’u arratisur prej një gjëje disi të fisme drejt një gjëje tjetër, më të përunjur. Motiv ky që, gjithsesi, nuk do të ketë qenë i mjaftueshëm për një poet si modernisti amerikan.

Kureshtja e Pound-it ndaj gjuhëve dhe letërsive të vjetra, nëpër humbëtirat e të cilave rrëmonte me shpresën për të gjetur damarë risish e udhëzimesh, është më e hershme dhe mjaft prej arritjeve të krijimtarisë së tij – edhe në fushën e përkthimit, por, së pari, në poezi e në mendimin kritik – u detyrohen pikërisht atyre hulumtimeve të pafundme dhe atij përkushtimi të pakundshoq. Duke e përplasur vazhdimisht kokën nëpër fjalorë e gramatika, do të ketë hequr për vite e vite me radhë mundimet e një përkthyesi fillestar. Çështja e shumëpërfolur e njohurive të tij në këtë apo në atë gjuhë nuk është krejt pa lidhje me temën, por do të hallakateshim. Bëhet fjalë për një njeri që e kaloi pleqërinë në heshtje dhe, mbase, psikologët, kur e shqyrtojnë si rast, nuk kufizohen vetëm te torturat nëpër burgjet e aleancës antifashiste apo te shembja e potershme e idealit të tij politik.

Në kohën e botimit të «Ishullit në liqen», Pound-it i bëheshin diçka më shumë se dhjetë vjet që ushtrohej seriozisht në letra. Në qoftë vërtet e çiltër kjo vjershë, asgjë, përveç asaj përleshjeje mbinjerëzore me gjuhë të panjohura, nuk do t’i jepte dot shpjegim një shkurajimi kaq të shpejtë.

Ndërkaq, nëpër vargjet e poezisë, vërehen edhe disa imtësi të atykëtushme, që, me gjasë, e vlejnë njëfarë përqendrimi. Për shembull, ndokujt mund t’ia tërheqë vëmendjen ajo «in due time» dhe të thellohet në këtë pikë, ndokujt tjetër zëvendësimi i asaj «give me» të strofës së parë me atë «lend me» në strofën e dytë. Por, para së gjithash, bien në sy përsëritjet e dendura: përsëritja e të njëjtit varg në krye të secilës strofë – a thua se, nëpërmjet përmendjes së hynive të lashtësisë greke, diç synon të paralajmërojë – dhe ajo e disa fjalëve tek-tuk përgjatë vjershës së rrasët. Veçanërisht, përsëdytja e fjalës profession për të shenjuar dy veprimtari të ngjashme e, prapëseprapë, të ndryshme; dy veprimtari të mëvetësishme që ndahen prej sinorësh të turbullt: zejen dhe artin.

Këto dy gjëra, që poeti ka parapëlqyer t’i lërë të pashkoqitura nga ana leksikore, janë shkoqitur vetiu në rrjedhën e shekujve, madje gjer në atë masë saqë shumëkush është në gjendje ta bëjë dallimin mes tyre. La zananë për zurnanë, thotë populli ynë. Ligjëruesi i «Ishullit në liqen» kërkon t’i lejohet e kundërta.

Ndarja e poezisë në dy strofa ka për qëllim të vërë në dukje, por tejet përkorazi, pikërisht dallimin midis zejes dhe artit. Poeti, doemos, nuk ëndërron ndonjë punishte argjendarie a poçarie, çka do ta bënte përmbajtjen të cekët, mirëpo përsëritja e ngulmët e fjalës bright, bashkë me atë peshoren sa më pak të lyrshme, me pasqyrimin e lavireve në xhamat e duhantores dhe me renditjen e rregullt të paketave e të harmanit, të sjellin ndër mend takëme rrëzëllitëse prej metali, porcelani, argjile apo meshini. Pse jo edhe vargëzime monotone esnafësh të traditës.

Por duket se thelbi, në mos edhe vjega, në mos edhe motivi i parë fare i këtij krijimi, qëndron te fjala profession.

Midis gjuhëve që e grishnin Pound-in, nuk do të kishte sesi të mungonte greqishtja e vjetër, me studimin e së cilës u mor gjatë. Në botimin e dytë të përmbledhjes Lustra (A. A. Knopf, Nju Jork 1917), ku u përfshi edhe «Liqeni në ishull», hasen plot fjalë të kësaj gjuhe, madje dy përbëjnë tituj poezish («Το καλόν» dhe «Δώρια»), si dhe kalke sipas gjedhes homerike («the trim-coiffed goddess»).

Këtu, te kjo poezi, fjala profession, e përsëritur nergut dhe me kuptim të ndryshëm në secilin prej dy rasteve, nuk mund të jetë tjetër veçse përgjegjësja e fjalës greke τέχνη, e cila, në lashtësi, shenjonte njëherësh edhe zejen, edhe artin. Nëse poeti do të donte t’i shkoqiste gjërat, anglishtes nuk i mungojnë termat e përpiktë, craft dhe art, por, atëherë, do t’i venitej motivi për ta rikrijuar, me mënyrën e vet, poezinë e Yeats-it.

T. S. Eliot-i, duke e quajtur Pound-in il miglior fabbro, shprehte gjykim, jo lëvdatë.

© 2026 Romeo Çollaku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ilustrimi realizuar me AI.

The Lake Isle

O God, O Venus, O Mercury, patron of thieves,
    Give me in due time, I beseech you, a little tobacco-shop,
    With the little bright boxes
                piled up neatly upon the shelves
    And the loose fragment cavendish
                and the shag,
    And the bright Virginia
                loose under the bright glass cases,
    And a pair of scales
             not too greasy,
 And the votailles dropping in for a word or two in passing,
 For a flip word, and to tidy their hair a bit.

     O God, O Venus, O Mercury, patron of thieves,
 Lend me a little tobacco-shop,
             or install me in any profession
 Save this damn’d profession of writing,
             where one needs one’s brains all the time.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin