Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Udhëtime

ARBËRISHTJA, TURISTËT E SHQIPES DHE UJI ME MIZA

Te Nicola

Nicola, i zoti i kafenesë arbëreshe, flet me një klient shqiptar.

-Çë do?

-Due caffè

-Di kafe do?

-Sì, e anche due acque!

-Midhema di ujë do? E si i do? Me miza apo naturali?

-Me miza, – përgjigjet shqiptari duke qeshur. Qesh edhe Nicola.

Nicola ka edhe një sasi lekësh që i mban thjesht për volinë e blerësve nga Shqipëria. Pa dyshim, i mban për peshën simbolike të aktit se këtu Leku është në shtëpinë e vet. Më thotë se shqiptarët janë të vetmit që paguajnë si duan ata në barin e tij.

***

28 nëntor në Piana degli Albanesi apo në Horën e shqiptarëvet. Jam në sheshin e vogël në majë të Horës ku kryhen festat kryesore, mu para barit të Vëllezërve Petta; 70 vjet bar, ku ka kaluar një familje e madhe në tre nga brezat e vet. Rastësisht, edhe kryetari aktual i bashkisë së Pianës, ka po mbiemrin Petta. Por, Nicola (Nikolla), i zoti i barit, ankohet që il sindaco nuk organizoi ndonjë festë për këtë 28 nëntor. ‘Bar’, për italianët, është kafeneja e lagjes, tepër e rëndësishme kudo në Itali. Brenda ditës takoj të paktën 10 turistë shqiptarë nëpër katund: dy gjatë drekës në restorant (nga Tirana), dy në autobus (nga Korça, tashmë, me banim në Tiranë), dhe pesë, më vonë, në barin e Nicolës. Këta vinin në Piana direkt nga Franca dhe Belgjika ku kishin emigruar. Me origjinë ishin nga zona të fshatrave jugorë të Shqipërisë. Nicola më tha se kësaj radhe kishte pak shqiptarë në Horë, nga që nuk po festohej, por prapë duhet të ishin më shumë se ata që kisha hasur unë. “Tri çifte erdhën so-me-natë!”, më sqaron.

Baret e Horës kanë qenë gjithnjë pulsi publik jokishtar në Piana degli Albanesi. Nicola Petta është një nga pronarët historikë të barit në kryet e sipërm të rrugës themelore të Pianës ose Horës arbëreshe, rrugë që mban emrin Giorgio Castriota Skanderbeg. E thërrasin thjesht “extra-bar”. Nuk ka një emër që të tërheqë dallueshëm arbëreshët apo shqiptarët, si disa bare të tjerë të Horës, por është tepër qendror, si për pozicionin fizik, si sepse mbi vete ka Bibliotekën Giuseppe Schirò të Horës, themeluar herët e përkujdesur prej një arbëreshi të mençur e të kulturuar si Pietro Manali, si edhe një zyrë kryesore komunale. Ballkonet e këtyre dy kateve kanë në çdo stinë flamuj italianë e shqiptarë, si edhe slogane të kohës. Edhe kur s’ka asnjë lloj feste! Në këtë moment ishte varur një parullë që dënonte keqtrajtimin e palestinezëve. Kafeneja nën dy kate të tillë institucionalizohet edhe sikur të mos dojë. Hmmm: pse e paskan hequr statujën trupvogël të Padre Giorgio Guzzettës nga qendra e sheshit?! Thua t’u zinte tepër vend?! Shoh që tani qenkan parkuar ca makina mu aty ku qe ai. Kush tha që Piana s’po imiton Amerikën?!

Gjithsesi flamujt e kuq me shqiponjën dy-krenare, edhe pse jo flamuri historik i Pianës, nderen dukshëm sot në plot ballkone pianiote që bien mbi rrugën kryesore, sigurisht më shumë këta, se flamujt italianë. S’ka as dy vjet që Mattarella dhe Begaj vizituan krah për krahu Pianën mes shndritjeve dy-flamurëshe. Një institucion që italianët s’para e kanë bërë pis, ai i presidentit! I kam admiruar thuajse gjithnjë presidentët italianë… ndryshe nga kryeministrat. Kam pasur një farë respekti për ata amerikanë. Rrallë s’më kanë ndenjur jangllësh ata shqiptarë. Më kujtohet mirë kur arbëreshët u gëzoheshin me hare vizitave të Ilir Metës nëpër Katunde. Edhe pse e dija që ish një gëzim simbolik patriotik, s’e kuptoja dot?! Në biseda e ndonjë sit të mediave sociale janë shtuar shqetësimet arbëreshe që ky përdorim i tepruar i flamurit kombëtar shqiptar është një majmunëri banale, dhe mohim i autenticitetit arbëresh. Ashtu si ka arbëreshë që kanë nisur të zëshmojnë ide për një apropriim të paarsyeshëm nga ana e shtetit shqiptar ndaj tyre në vitet e fundit, të tipit kulturor postkolonial. Kjo e gjitha ka edhe një aspekt gjuhësor, e ia vlen të diskutohet më gjatë tjetërkund, por doja ta zija ngoje sepse është një risi që po shfaqet gjithnjë e më shpesh; është edhe një zhvillim që unë nuk e prisja. Pavarësisht këtij aspekti, qëndrimi sociogjuhësor i arbëreshëve ndaj atij që tashmë njihet pa mëdyshje si ‘dheu i të parëvet’, kësaj dhe asaj ane të kanalit të Mesinës, ngelet tejet miratues.

Nicola, më i madhi i tre vëllezërve Petta, tashmë ka kafenenë. Dy të tjerët kanë dy stabilimente të tjera me natyrë të ngjashme, po në Piana. Është një institucion i arbërishtes Nicola! Nga ata që përdor ekskluzivisht arbërisht me pianiotët dhe shqiptarët. Ti mund të vazhdosh t’i mbash ison vetes në italisht, por Nicola i bie pa dert fyellit të vet lokal, dhe madje, si të ish metodist modern i mësimdhënies, u sugjeron si natyrshëm bashkëfolësve variantin arbëresh të asaj që ata thonë. Me ata që vijnë nga Shqipëria pastaj, ka zhvilluar një fjalor edhe më të veçantë e që epet sipas situatës.

Ja edhe një filmim i Nicolës teksa flet me një klient, turist nga Tirana, që e gjeta rastësisht të publikuar në Instagram. https://www.instagram.com/reel/DNrQQeTWGrH/?igsh=Z3B5anEyc3k4amY2

Nicola Petta, në pauzat kur barin e ka bosh, i përgjigjet muhabetit tim. Më thotë se 70% e qindra personave që i shtohen Pianës në festat e mëdha, sidomos ajo e themelimit të Horës , më 28 gusht, dhe ajo e Pashkëve në pranverë, janë turistë shqiptarë e kosovarë. Më shumë kosovarë vijnë nga Zvicra sesa direkt nga Kosova. Shumë vijën edhe ka l’America. Ma, u, shqiptarët që vijën ka Shqipria i njoh te mpinja! Vje mu rar, ka la fisionomia e la faccia. Dimdhet muaj vijën gli albanesi në Horë! E kshu, da me, paguajën anche me Lek në duan! E u jap edhe raki edhe ujë Tepelena, në duajën. Për miqtë e mi në Palermo, porosis një pako me cannoli të freskët që në Piana t’i mbushin aty për aty me gjizë të po asaj dite, një pako me bignet me krem kafeje (mbrujtur si pâte à choux, që ne dikur në Tiranë u thoshim pastashuta), dhe një pako me biskota me miell bajamesh. Nicola më tërheq vëmendjen: Në do marrsh, janë burë edhe të plotët!” Marr një për qejfin tim. Kjo është një ëmbëlsirë si gurabie e mbushur me fiq,  variante të së cilës gjenden në gjithë jugun italian, por në Piana sigurisht që ka emrin e vet shqip “të plotët”, si gurabie e ngjeshur që është. Kështu ndërtohet tradita, veçantia, përmirësohet e rafinohet vlera. Baret e Pianës janë të specializuar për ëmbëlsira të ndryshme. Me rritjen e turizmit dhe njohjes së gjerë të kulinarisë, ikonave, arurinave unike të Pianës, ka tani edhe një kooperativë artizanale që paketon e dërgon ushqime nga ato që përbëjnë kurorën e krenarive specifike pianiote, nëpër Itali, madje edhe botë. Buka me semola e Pianës është një tjetër krenari e katundit. Ashtu si edhe të famshmet arurina të punishtes aq speciale “Ori di Piana”, punë tradicionale e disa brezave të familjes Lucito, nga prodhimet argjendare më elegante, komplekse e me plot histori që njoh.

Ka që mendojnë ose bindin veten se të tilla tradita erdhën në Piana nga dheu i vjetër (kudo qoftë ai) dhe janë ruajtur ashtu që në 1400-ën. Besojnë se gjaku ynë i shprishur ruajti vlerat e traditat e mira që ne i humbëm, ose që na i shkatërroi turku (?!) Karduntë, të plotët, veshjet fenomenale, buka e kanojtë, vëthët me xhingla zmalti, unazat princërore, gjoksoret e brezat e artë, këngët e vallet e egra, janë të gjitha pjella të bukura lokale të traditës, që janë ushqyer nga veçantia dhe i kanë dhënë asaj fletë e rrënjë duke marrë aq shumë nga rrethinat. Kështu krijohet vlera autoktone e zonave “ndryshe”, në lidhjen mes izolimit dhe komunikimit përtej kufijve lokalë të kulturës, si frymëmarrje ku e shkuara dhe e ardhmja, kujtimi dhe krijimi, e brendshmja dhe e jashtmja luajnë lojëra komplekse sipas ideologjive të modës, nga një ngjarje historike në tjetrën. Pastaj, vlerat komodifikohen, revizionohen, e në fund shihen shtrembët e me dyshim nga të vjetrit dhe më konservatorët. E komodifikuara e djeshme bëhet autokton(j)a e nesërme. Dhe kështu bota rrotullohet, duke ruajtur të paprekur zhguallin e paluajtshëm të “unikes” së veneruar, mutacionin e së cilës refuzojmë ta shohim veçse nga larg, sepse, si qenie, kemi aq nevojë vanitoze të ushqehemi me autenticitet dhe veçanti që rron përjetë.

Reflektim teorik gjuhësor

Nga fillimet e mijëvjeçarit, mes 2002 e 2006, kam shkruar disa artikuj shkencorë lidhur me mënyrat se si mund t’i rritet jetëgjatësia dhe të dinamizohet arbërishtja, me bazë situatën socio-gjuhësore të Pianës. Kam argumentuar atëherë për nevojën e shkrimit (dhe si rrjedhojë, edhe të standardizimit) të arbërishtes, domosdoshmërinë e hyrjes së gjuhës së paku si kurs i detyruar nëpër shkolla (sepse si gjuhë e mësimdhënies paralele, nuk kish dhe as ka shpresa) ndër shtresat moshore me tkurrjen më të lartë gjuhësore, dhe ndjekjen praktike të një modeli ndërveprimi me shqipen, siçilishten dhe italishten për pasurimin e fjalorit apo hallkave të tjera të sistemit, më të rënduara nga rrëgjimi. Kjo hallkë e leksikut në veçanti, dobësonte përdorimin e arbërishtes në të gjitha domenet gjuhësore, brenda dhe sidomos jashtë shtëpisë. Efektin e këtij faktori të fundit e shihja të dëshmuar praktikisht ndër sa e sa arbëreshë të Sicilisë dhe Kalabrisë që kishin punuar disi me gjuhën shqipe ose arbërishten e vjetër a kishtare, dhe ishin në gjendje të mbanin gjatë e në domene të ndryshme çfarëdolloj diskursi në arbërisht, pa e këmbyer gjuhën me italishten në të folur e sipër. Përmend këtu, që nga profesorë universitarë si M. Mandalà, deri tek drejtues gazetash, poetë, dhe mësues të thjeshtë nëpër katunde, që kishin punuar me shqipen në mënyrë informale dhe josistematike, por që ia dilnin të shpreheshin me një farë vitaliteti të shtuar në arbërisht. Këta të fundit, natyrshëm futnin brenda gjuhës së vet elemente të huazuara, sidomos leksikore, por edhe gramatikore, pa kapërcyer nga varianti i vet në atë të shqipes standarde, pra ndodhte natyrshëm një lloj pasurimi i shprehjes që e bënte gjuhën funksionale. Ata që shqipen e njohin mirë, mund edhe të kapërcejnë drejt saj (M. Mandalà e bën me dashje sa herë flet për televizionet shqiptare, ku i ngelet në arbërisht vetëm akcenti dhe intonacioni), por, përgjithësisht, kufijtë i ruajnë dhe kanë kontroll të admirueshëm ndaj futjes brenda matricës arbëreshe të elementëve të shqipes, pa ia cenuar qëndrueshmërinë gjuhës së vet të parë.

Ishte i vetmi model ekzistues atëherë, ndaj ia kisha vënë syrin vetëm asaj si rrugëdaljeje. Vetëm sa e pata zënë n’goje ekzistencën e një grupi emigrantësh shqiptarë që zunë vend në Piana pas 90-s, si një potencial i mundshëm por i vakët për hyrje leksiku të munguar në arbërisht, edhe sepse shqipja e shumë folësve të këtij kontingjenti fillestar lëvizi më shpejt se e prisja në diçka amorfe mes shqipes, arbërishtes dhe italishtes. Kësisoj dëshmohej ekzistenca e disa faktorëve që sot nuk është rasti t’i diskutoj, që sinjalizojnë ndikimin e paeksploruar sa duhet të thellësisë së shkrim-këndimit (literacy) mbi qëndrueshmërinë e gjuhës së parë të folur. Kam vetëm të dhëna me bazë vëzhgimin për atë dukuri të përshpejtuar masive të pamundësisë për t’i mbajtur gjuhët (shqipen e të tjerat) veç e veç, por më ka ngelur në mendje e shenjuar idenë për qëndrueshmërinë e gjuhës së mëmës. Pos vëzhgimit të afërsisë dinamike me shkrim-këndimin të kampionit, duhen parë mirë edhe ndikimet e faktorëve psikologjikë që mund të kenë ndikuar… por kjo do vëmendje më vete tjetërkund.

E kisha menduar shpesh që, pas rënies së komunizmit, arbëreshët me pasionin e tyre të thellë për Shqipërinë, do donin të gjithë ta vizitonin së paku një herë në jetën e vet; dhe, më në fund, pa lista e pa kufizime! Por kush e priste në atë dekadë të parë të tranzicionit apo të “demokracisë” së hershme shqiptare, që në vitin 2025-26 do flitej për turizëm masiv kulturor të shqiptarëve nëpër fshatrat arbëreshe?! Shqiptarë, nga dheu i vet apo bota, kanë sot mjetet financiare dhe kuriozitetin të marrin rrugën për Horë, dhe në itineraret e veta mesdhetare apo italiane, të shtojnë një ndalesë në fshatrat arbëreshe. Ka nivele e nuanca shumë të ndryshme të patriotizmit që shërben si shtysë primare për individët dhe grupet vizituese. Ka një mall paksa të pakuptueshëm nga ana jonë. Ideja që njerëzia shpesh ka përqafuar ka qenë ideologjia simpliciste dhe e ëmbël kombëtariste që arbëreshët e sotëm janë reflektimi direkt i shqiptarëve të para 600 vjetëve – zemërbardhë, kristianë, dhe patriotë; pa dyshim, kjo është intriguese. Lidhja e tyre e paepur pozitive, e mirënjohur tashmë, me dheun e vjetër, na ngazëllen. Por ka edhe një kuriozitet gjuhësor, sipas meje, aq të kuptueshëm (më i natyrshmi!), që ua respektoj seriozisht gjithë turistëve ndër ne në këto zona! Nuk besoj të ketë gjë më të bukur se të dëgjosh për herë të parë një dialekt tjetër të gjuhës sate! Sidomos, me rrënjë të vjetra! Dhe, duke qenë se dialektet e tjera të shqipes përgjithësisht i dëgjojmë kur jemi të vegjël ose të rinj (pra kur nuk kemi ende aftësinë t’i analizojmë a t’u mrekullohemi), arbërishtja, për shumë shqipfolës, paraqet një mundësi ideale për këtë mahnitje në moshën e duhur.

Por, pavarësisht shkaqeve pse ndodh, ardhja e shqipfolësve në zonat arbëreshe sot është fakt; ashtu si edhe tjetri, që presidentët e Shqipërisë i kanë bërë zonat arbëreshe si oborr i pasmë shtëpie. Kjo trajektore e re ndërveprimi nuk mund të injorohet. Lidhja e re që është në rritje, është pa dyshim edhe gjuhësore, thellësisht gjuhësore. Ndaj pesha e ndikimit të saj në gjallimin e arbërishtes është e përfillshme tashmë, dhe duhet konsideruar në analizat sociolinguistike. Vizitat e arbëreshëve në Shqipëri (dhe jo vetëm në këtë zonë shqipfolëse), gjithashtu janë shpeshtuar. Kam folur me plot arbëreshë që kanë sot një fjalor më të zgjeruar shqip, edhe pse, shpesh, thjesht si listë fjalësh, dhe që kanë provuar ta lexojnë e shkruajnë gjuhën e vet apo shqipen letrare. Ende jodominuese, shtresa e atyre që ia dalin te flasin më gjatë për shkak të kësaj përzierje me shqipen, duhet të jetë në rritje. Kjo, kuptohet, do numërim (aq i vështirë të kryhet si duhet!) e hulumtim shkencor. Ata që lexojnë në shqip, edhe pse jorregullisht, janë edhe më të shumtë se ata që përdorin natyrshëm leksema të shqipes. Shqipja vazhdon të shihet si një gjuhë ‘cool’ në zonat arbëreshe, dhe standardi shqip si çatia e tyre gjuhësore. E shkruajnë dhe e lexojnë më shumë se më parë; jo vetëm studiues e poetë, por edhe njerëz të zakonshëm të komunitetit kanë tashmë prirjen t’i afrohen realisht shqipes. Kjo s’do të thotë që duan të zëvendësojnë variantin e tyre gjuhësor me të. E kanë mirë, dhe, në kushtet që jemi, edhe sikur të donin, nuk do mundnin. Arbërishtja nuk duhet apo mundet kurrsesi të bëhet shqip, por shqipja mund të kontribuojë në mirëmbajtjen sa më gjatë dhe përdorimin më të rrjedhshëm të arbërishtes.

Bradley dhe Bradley (2019: 109) flasin për rolin e gjuhëve me lidhje historike të së njëjtës linjë gjuhësore (si latinishtja për italishten ose sanskritishtja për hinduishten) në rileksifikimin e gjuhëve nevojtare për njësi leksikore (ose prurje fjalësh që mungojnë), shpesh tipar ky i gjuhëve të rrezikuara. Ata i referohen më shumë kalimit nga më e vjetra tek më e reja, por logjika bazë e lëvizjes është identike, edhe në rastin e anasjelltë siç do ishte prurja nga shqipja te arbërishtja. Ky lloj “të mësuari” ose “të plotësuari” është më efektiv se mes gjuhësh gjenealogjikisht të palidhura, sido që ndodh në të gjitha rastet. Mendoj se një problem që vjen nga furnizimi me njësi prej italishtes apo siqilishtes, sido që më komod sepse ndërkaq i zotëruar prej folësve dhe me paralele të pranishme në gjuhë, është tendenca e njohur sociolinguistike që një fjalë “e shenjuar” (marked choice of a word) e thënë në një gjuhë tjetër rrethuese që, prej kohe, ushtron presion dominues, bëhet shkas për kërcimin e plotë në përdorim, prej gjuhës më pak dominante tek ajo më dominantja (language switch). Dhe, në fakt, kjo dukuri është normale mes arbëreshësh që i nisin fjalitë apo komunikimet në arbërisht e më tej i vazhdojnë në italisht. Por është e ditur që, prej shekujsh, italishtja dhe siqilishtja kanë qenë rileksifikuesit themelorë të arbërishtes. Arbërishtja e shkruar kishtare është një kandidate po ashtu që do ngjiste fare mirë. Por, kjo zgjidhje, nuk është aq larg sa imagjinohet nga shqipja.

A e mendoj unë komunikimin më ndërveprues arbërisht-shqip si zgjidhjen perfekte për arbërishten në rrezik? Jo. Edhe pse jap më lart shembuj personash ku kjo funksionon si sahat. Kam kryer disa eksperimente me folësit e rinj të arbërishtes në 2001, dhe e kam parë që është rrugë me plot pengesa. Por kushtet e reja shoqërore e komunikative në ndërlidhjet fizike të arbëreshëve dhe shqiptarëve, e bëjnë të domosdoshëm konsiderimin e ridimensionuar të këtij faktori, edhe pse, ende, jo masiv. Ekspozimi ndaj një gjuhe (language exposure) ka qenë gjithnjë kusht themelor lëvizjesh gjuhësore dhe nuk mund të injorohet. Për mua shkolla vazhdon të mbetet faktori bazë që mund të rrisë numrin e përdoruesve të arbërishtes ndër të rinj, sidomos nëse e kombinuar mençur me komunikim të intensifikuar gojor me folës arbëreshë të moshave më të avancuara (që, për fat, në plot katunde ende është gjallë), në shoqërime në regjistra e stile edhe përtej vatrës, gjitonisë, dhe intimitetit.

Dikur, jo fort larg në kohë, një i ardhur me punë apo martesë në Piana, mësonte, donte-s’donte, arbërishten. Presioni i gjuhës, edhe pse në rënie, ishte ende i fortë. Ka sot një djalosh afrikan që shkon në barin e Nicolës diskutuar më sipër, që ka mësuar një copë të mirë arbërishteje për komunikim bazë. Por kjo nuk është më normë. Është normë e kundërta: ka plot që nuk flasin fare arbërisht; gjuha flitet gjithnjë e më pak mes atyre që ende e flasin, në më pak forma, stile e situata; ka një rënie të dukshme në gjendjen strukturore, pasuri dhe përdorim, prej moshës më të avancuar – që ende mbahet – drejt asaj më të resë. Por gjuha ende është gjallë, po komodifikohet[i] me sukses (bashkë me elemente të tjera kulturore), duke krijuar turizëm dhe ca para për komunitetin, edhe pse kjo shpesh bie ndesh me autenticitetin dhe gjallërinë e natyrshme. Dhe, për aq sa komuniteti e sheh si pjesë të dashur të vetën dhe do që ta mbajë, unë do isha në favor të çfarëdo mjeti, përfshirë edhe vizitat banale të presidentëve të Shqipërisë, kanojtë e gjatë disa metra, gënjeshtrat me mbret se në Europë dhe botë vetëm arbëreshët e kanë mbajtur gjuhën kështu, kundër të gjitha gjasave për kaq kohë.

Arbëreshët kanë katunde të ngjeshur për nga lidhjet mes pjesëtarëve (edhe pse, dje, më fort se sot). Coha kulturore e tyre ende mban. Rreth viteve 70-80 të shekullit të kaluar kur lidhjet gjuhë-etnicitet ishin shumë të diskutuara në akademi, thuhej se gjuha nuk është domosdoshmërisht një vlerë qendrore kulturore (Shih Smolicz. 1981). Mendohej se komunitete si Irlanda e kishin humbur gjuhën e vet pikërisht sepse kishin kultura aq të thukëta e dinamike, sa e bënin redondante nevojën e fortë për të pasur edhe një gjuhë dalluese. Kjo vazhdoi derisa gati e humbën, dhe tani duan ta rifitojnë. Në rastin e arbërishtes, gjuha vazhdon të jetë tipar i domosdoshëm i njësisë kulturore, edhe pse riti kishtar dhe tiparet kulturore që përmenda më lart, janë, po ashtu, shumë të rëndësishme. Por ama ka edhe arbëreshë që janë krenarë për identitetin e vet, edhe pa e folur gjuhën, pa ua kaluar atë fëmijëve; ashtu si ka fshatra arbëreshe që kanë humbur ritin por vazhdojnë të mbajnë gjuhën, apo kanë humbur gjuhën por vazhdojnë të mbajnë ritin. Në kushtet kur rrëgjimi gjuhësor vazhdon herë të çapitet e herë të galopojë, një ndërgjegjësim gjuhësor dhe diskurs metalinguistik si ai i Nicolës që përdor kafenenë e tij edhe si shkollë, edhe si teatër, edhe si institut kërkimesh, është rruga më e besueshme për sukses sot. Dhe ndër arbëreshë ka edhe të tjerë si Nicola. Fluksi i shqiptarëve dhe shqipes i japin vetëm shtytje pozitive kësaj dukurie. Dhe kësaj unë i ngre dolli me një ujë me miza!

(c) 2026 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.


Bradley D. and M. Bradley. 2019. Language Endangerment: Key Topics in Linguistic Anthropology. Cambridge University Press.

Smolicz, Jerzy J. 1981. “Core values and cultural identity”. In Ethnic and Racial Studies. 4: 75-90.


[i] Komodifikim është përdorimi i gjuhës apo një tjetër produkti kulturor për t’u shitur, për përfitim apo arsye të pastra tregtare a turistike.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin