“The Gambler”, në shqip “Kumarxhiu”, është titulli i një kënge me tekst të Don Schlitz, versioni më i njohur i së cilës është i këngëtarit western Kenny Rogers.
Kjo këngë përshkruan takimin e tregimtarit me një kumarxhi, gjatë një udhëtimi me tren në një natë vere.
Kumarxhiut i mjafton një vështrim për të kuptuar që jeta nuk ka qenë bujare me bashkudhëtarin e tij dhe, në këmbim të një doze whisky, ofrohet t’i japë disa këshilla mbi jetën.
Pasi tregimtari e qeras me pije dhe duhan, kumarxhiu fillon të shpjegojë qasjen e tij për jetën, dhe pashmangshëm, këtë shpjegim e bën duke përdorur si metaforë lojën e pokerit.
| You’ve got to know when to hold ‘em, know when to fold ‘em, Know when to walk away, know when to run. You never count your money when you’re sittin’ at the table. There’ll be time enough for countin’ when the dealin’s done. | Duhet të kuptosh kur t’i mbash (letrat e bizhozit), të kuptosh kur të thuash “pas”, të kuptosh kur të ikësh, të kuptosh kur të rendësh me vrap. Nuk duhet që asnjëherë të numërosh paratë që ke kur je i ulur në tryezë. Do kesh mjaftueshëm kohë për të numëruar kur të përfundojë loja. |
Në këto vargje përmblidhet filozofia e jetës së lojtarit të pokerit, sipas së cilës, çfarëdo situate mund të luhet mirë ose keq: mjafton që të kuptosh dhe të vlerësosh drejt rrethanat, mbi të gjitha të mos shpërqendrohesh nga fitoret ose humbjet e vogla, pasi ka shumë kohë për të vlerësuar rezultatet e tua të plota kur gjithçka të ketë mbaruar.
Pasi mbaron së foluri, kumarxhiu bie në gjumë për të mos u zgjuar më, duke e lënë tregimtarin të meditojë në vetmi mbi dobishmërinë e këshillave të kumarxhiut të ndjerë.
Teksti është i bukur, po ashtu është edhe interpretimi i Kenny Rogers, por qëllimi i këtyre rreshtave nuk është recensimi i një kënge western të publikuar në 1978.
Pavarësisht poetikës së vargjeve, këshillat e dhëna nga kumarxhiu janë rregulla sjelljeje, pra për një jurist ato janë procedurë.
Dhe si të gjithë juristët, duke rrezikuar edhe të bëhemi qesharakë, nuk mund të flasim për procedurë dhe rregulla procedurale pa cituar pashmangshmërisht ndonjë thënie dhe formulë në latinishten e ngurtë të mësuar në tekstet e lëndëve të fakultetit juridik.
Të parat që më vijnë ndërmend janë thëniet “Ubi societas ibi ius”, “ku ka shoqëri, ka ligje” dhe “Ubi ius ibi societas”, “ku ka ligje, ka një shoqëri”.
Janë dy nga parimet themelore të së drejtës dhe shprehin ndërthurjen dhe ndërvarësinë mes një bashkësie shoqërore dhe pranisë së një rendi juridik, i nënkuptuar si një tërësi rregullash dhe normash juridike, pra një “corpus iuris”, që garanton bashkëjetesën paqësore të anëtarëve të saj, të cilët ndihen të detyruar të zbatojnë rregullat e bashkësisë.
Një parim tjetër që rregullon jetesën e përbashkët të anëtarëve të një bashkësie shoqërore, dhe që nuk bie ndesh me ligjin e shkruar është parimi “Neminem laedere”, “mos ceno askënd”. Kjo thënie përmbledh parimin juridik sipas të cilit të gjithë anëtarët e një bashkësie janë të detyruar të mos cenojnë të drejtat ligjore të të tjerëve.
Ky parim juridik është themeli mbi të cilin mbështetet institucioni juridik i përgjegjësisë për shkaktimin e dëmit: personi që dëmton dikë tjetër është i detyruar të marrë përsipër barrën e dëmshpërblimit për pasojat e veprimeve të tij në kundërshtim me rregullat e bashkësisë.
E drejta zakonore, si një burim i së drejtës, përcaktohet nga përsëritja e vazhdueshme (diuturnitas) e një sjelljeje të caktuar nga shumica e anëtarëve të një bashkësie, të cilët janë të bindur se kjo sjellje është juridikisht e detyrueshme (opinio iuris sive necessitatis).
Ky qëndrim përmblidhet në thënien “Merito et ea, quae sine ulto scripto populus probavit, tenebunt omnes”, që përkthehet “ligjërisht të gjithë do të kryejnë ato veprime që populli ka miratuar si të detyrueshme, pavarësisht se nuk janë përcaktuar si të tilla nga ligji i shkruar”.
Por në çdo bashkësi shoqërore, në një moment të caktuar të jetës së saj, fillon ai proces ndërgjegjësimi i shumicës së anëtarëve në lidhje me pamundësinë e garantimit të jetës dhe pasurive të tyre mbështetur vetëm në të ashtuquajturat zakone morale të sendërtuara në të drejtën zakonore.
Respektimi i këtij konstrukti shoqëror mbështetet në bindjen se rënia dakord për respektimin e traditave zakonore duhet të zbatohet nga shumica e shoqërisë, ose sikurse thuhet në latinisht “Pacta sunt servanda”, “paktet duhet të respektohen”.
Herët a vonë, të gjitha bashkësitë shoqërore, transformohen në bashkësi politike dhe qeverisen nga ligje të shkruara, shprehje të vullnetit shtetëror, çka sjell përplasjen midis të drejtës së shkruar dhe normave të së drejtës zakonore të cilat mund të jenë (praeter legem – përtej ligjit) në rastet kur mbulojnë ato veprimtari shoqërore që nuk janë të rregulluara me ligj ose (secundum legem – në përputhje me ligjin) në rastet kur normat zakonore zbatohen në përputhje me përcaktimet e ligjit dhe plotësojnë normën ligjore, sikurse kemi edhe norma të së drejtës zakonore (contra legem – në kundërshtim me ligjin), sepse parashikojnë veprime dhe rregulla sjelljeje që janë të ndaluara nga ligji i shkruar shtetëror.
Shprehja latine “Sub lege libertas”, “liri nën kontrollin e ligjit”, përshkruan pikërisht forcën e organizimit shtetëror i cili garanton si lirinë e individëve, ashtu edhe rendin publik.
Shteti është e vetmja hapësirë, ku individi, të cilin Aristoteli e konsideronte si një “kafshë politike”, mund të tregojë epërsinë e tij krahasuar me botën shtazore, duke ndrydhur dhe mposhtur “shtazërinë” e tij dhe duke arritur shkallën sipërore të natyrës njerëzore.
Sidoqoftë ideja se liria ekziston vetëm nën kontrollin e ligjit, në kuptimin e një norme detyruese të miratuar nga përfaqësuesit politikë të bashkësisë shoqërore dhe e zbatueshme nga organet shtetërore, mund të përdoret nga pushteti politik për të siguruar një mbulesë ideologjike për kufizimin e lirive të shtetasve, dhe pikërisht për të kontrolluar këto prirje “diktatoriale” të organeve shtetërore, në aktet themelore të shtetit parashikohen disa të drejta themelore të patjetërsueshme dhe të garantuara nga shteti për gjithsecilin nga individët.
Këto të drejta kufizojnë pushtetin shtetëror, janë drejtpërdrejt të zbatueshme, dhe kanë si qëllim të mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe të garantojnë lirinë për t’u shprehur, barazinë para ligjit, të drejtën e jetës, të drejtat fetare, etj.
Në legjislacionin shqiptar, garantimi i të drejtave themelore parashikohet në nenin 17 të Kushtetutës, ku thuhet se kufizimet e të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë akt themeltar, mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe se kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar.
Po aty saktësohet se këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por pavarësisht garancive kushtetuese, pushteti mund të godasë në shumë mënyra, pikërisht sepse është “i pushtetshëm”.
Më 23 qershor 1959, në teatrin “Alla Scala” në Milano u mbajt një mbrëmje “gala” për nder të Presidentit të Republikës franceze, De Gaulle me praninë e Presidentit të Republikës italiane Giovanni Gronchi dhe autoriteteve të tjera shtetërore italiane dhe franceze.
Dy presidentët kishin zënë vend në lozhën e nderit dhe pasi dëgjuan himnet përkatëse, bënë të uleshin, por presidenti italian Gronchi u rrëzua sepse dikush kishte lëvizur poltronën e tij.
Ngjarja ndodhi gjatë transmetimit televiziv dhe u pa nga publiku, por lajmi nuk u pasqyrua në revistën televizive të RAI-t dhe në gazetat kryesore të vendit.
Disa ditë më vonë gjatë transmetimit drejtpërdrejt në RAI të emisionit humoristik “Një, dy, tre” me protagonistë kryesorë aktorët Ugo Tognazzi e Raimondo Vianello, u zhvillua kjo skenë: Tognazzi bëri të ulej dhe ra përtokë. Vianello e pa ngultasi dhe e pyeti “Kush të duket vetja se je?!”, ndërsa Tognazzi u përgjigj “Të gjithë mund të rrëzohemi!”.
Ky skeç mjaftoi që presidenti Gronchi të kërkonte shpagim, çka solli mbylljen e emisionit “Një, dy, tre” dhe largimin e aktorëve, të cilët për shumë kohë nuk vunë këmbë në RAI.
“Pushteti të konsumon”, thotë Platoni, i cili mendonte se pushteti absolut është i rrezikshëm sepse priret të korruptojë dhe zvetënojë sistemin e qeverisjes dhe pikërisht për këtë arsye Platoni predikonte domosdoshmërinë e qeveritarëve me virtyte dhe racional, nevojën e qeverisjes prej filozofëve për të shmangur degradimin politik dhe moral.
Kur një kundërshtar politik e përdori këtë thënie të Platonit në parlamentin italian, Giulio Andreotti, u kundërpërgjigj duke cituar një thënie të politikanit dhe diplomatit francez Charles Maurice de Tayllerand “Pushteti konsumon ata që nuk e kanë”.
Ligjet, rregullat dhe procedurat, pavarësisht gjuhës së përdorur, garantojnë ekuilibrin midis këtyre dy ekstremeve dhe krijojnë kushtet për të ruajtur dinjitetin dhe lirinë e individit, sepse “të gjithë mund të rrëzohemi”, për të cituar aktorët Vianello e Tognazzi dhe pikërisht kur rrëzohemi kemi nevojë për mbrojtjen që garantojnë procedurat, pra “Lavdi Procedurës!”.
Post Scriptum
“Garryowen” është një këngë irlandeze ushtarësh që u bë e famshme gjatë shekullit të 18 në qytetin Limerick dhe përdoret ende sot si muzikë marshi në ushtritë e Commonwealth-it britanik dhe të Shteteve të Bashkuara.
Këto janë disa nga vargjet e këngës:
| Let Bacchus’s sons be not dismayed, But join with me, each jovial blade; Come booze and sing and lend your aid To help me with the chorus: Chorus: We’ll beat the bailiffs out of fun, We’ll make the mayor and sheriffs run; We are the boys no man dares dun If he regards a whole skin. | Mos e vrisni mendjen o bijtë e Bakut, por bashkohuni rreth meje, ju trima levendë; Ejani të pimë dhe më jepni një dorë, të këndojmë të gjithë në kor: Kori: Tagrambledhësit për qejf i zëmë me dajak, dhe bëjmë t’ia mbathë çdo bekçi e kryeplak; Nëse dikujt lëkura i dhimbset, me ne të mos guxojë, se bie në gjak. |
Në Itali këndohet një këngë ushtarësh me muzikën e “Garryowen”, por versioni në italisht titullohet “Era meglio morire da piccoli” dhe katër vargjet përcjellin një mesazh shumë ndryshe nga origjinali irlandez:
| Era meglio morire da piccoli con i peli del culo a batuffolo, che morire da grandi soldati con i peli del culo bruciati. | Do kishte qenë më mirë të vdisnim të vegjël, me qimet e b*thës si bohçe pambuku, sesa të vdesim të rritur, ushtarë, me qimet e b*thës të djegur me zjarr. |
Është e njëjta kategori shoqërore, individë të thirrur nën armë, por shërbejnë për dy shtete të ndryshme, çka kushtëzon perceptimin rrënjësisht të kundërt që këta njerëz kanë për vetveten.
Çdo ngjarje që ndodh në një shtet ose vend të caktuar, trajtohet në bazë të ligjeve, rregullave dhe traditave të atij vendi duke zbatuar parimin latin “Lex loci” ose të “ligjit të vendit”.
“Sipas vendit dhe kuvendi” thoshin të parët…
(c) 2026 Admir Zanaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me Leonardo.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.