Kërcimi konceptual nga elementi te bashkësia
Shqiptari e merr marrëdhënien element-bashkësi qysh me mitin prekës të porosisë së fundit të Gjergj Kastriotit me thuprat. Aq shtangës është përkimi, sa të duket se paaftësia jonë për të krijuar bashkësi, kolektiv funksionues është si një shpagë favori, të jap më jep-et (trade-offs) që historisë i vijnë aq për hosh dhe që i japin asaj karakterin plot kundërshti.
Një element i vetëm është një gjë e vetmuar, një pikë koacervate e të qenit[1], puls identiteti, yll i vetëm në një qiell të painteresuar. Por në çastin kur i mbledhim elementet së bashku, kur shënjojmë një kufi të butë rreth tyre dhe e quajmë këtë bashkësi, zgjohet diçka misterioze (emergence). Bashkësia nuk është thjesht një mbledhje e koleksion; ajo është një formë e re ekzistence, që merr frymë ndryshe dhe iu bindet ligjeve që asnjë element veçmas nuk i njeh. Bëhet një lloj organizmi, i lindur nga marrëdhënia dhe jo nga thelbi.
Në matematikë, një bashkësi mund të të mashtrojë në thjeshtësinë e saj të përkufizimit: një koleksion elementesh të dallueshme, të mbledhura nën një ombrellë të vetme konceptuale. Por sapo largohemi nga përkufizimi klasifikues, ideja e bashkësisë bëhet shumë më intriguese. Një bashkësi nuk është thjesht shuma e elementeve të saj; ajo është një konstrukt konceptual me identitetin e vet, me rregullat e veta dhe, kur shihet përmes lenteve të statistikës, sociologjisë apo filozofisë, me një lloj jete të vetën. Dallimi midis një elementi dhe bashkësisë që e përmban hap një rrugë drejt kuptimit të mënyrës si individët lidhen me grupet, si grupet sillen në mënyra të ndryshme nga individët përkatës, si shoqëritë formojnë modele apo prirje që askush veçmas nuk i synon.
Një element është i vetëm, konkret dhe i vetëmjaftueshëm, mban peshën e vet, emrin e vet, rëndesën e vet të heshtur dhe ka veti që i përkasin vetëm atij. Ndërsa një bashkësi është si një “pëshpërimë së bashku”, në daçi një murmurimë mes të heshturve, që ndërsa nuk flasin dot me vete, nuk mund të rrinë pa folur me shoshoqin, nuk i shpëtojnë dot diktatit të rëndë të korrelacionit, një zbulesë se gjërat, kur vendosen pranë njëra-tjetrës, fillojnë të komunikojnë në një gjuhë që asnjëra prej tyre nuk mund ta shqiptojë e vetme. Vetmia duket si moment didaktik i Njohjes, një përjashtim apo hyrje në diçka të madhe. Sepse një notë e vetme nuk është melodi. Sikurse një njeri i vetëm nuk është popull. Apo një çast i vetëm nuk është histori. Ato lipsen për ta zbatuar në njohje parimin “përça e sundo” në kah të kundërt. Nota, njeriu i vetëm, çasti janë perceptime të vetishme, të dhëna të para. Një bashkësi, përkundrazi, vjen si një abstragim i domosdoshëm, pasi abstragimi është edhe më real se perceptimi parak. Një molekulë e vetme uji nuk është një re, por një bashkësi e tyre është, dhe na duhet për parashikimin e shiut apo të rrufeve; njëjtë, një pikë e vetme uji nuk bën shi, ky i fundit është një organizim pothuaj ushtarak, gjithëpërfshirës, një invadim prej Xhenghis Khani me kuaj fluidë mbi visore. Pikat vetmore janë të organizuara në mënyrë të pagabueshme nën urdhrin sovran të Rëndesës tokësore. Një lule apo dallëndyshe fillikate bën një vjershë Naim Frashëri, por jo pranverë. Një person i vetëm, sado që shërben për citate Stalini apo librash fetarë, nuk është ende një “popullatë”. Bashkësia bëhet një organizëm konceptual, i përcaktuar jo nga thelbi i anëtarëve të saj, por nga marrëdhëniet ndërmjet tyre. Bashkësia është vendi ku një kuptim i ri fillon të ndërtohet mbi themele qeniesh paraprake, ku vetmitë bëhen shumësi vetmore dhe bota nis të formojë modele dhe prirje nga pika të shpërndara si në punë të tyre. Ky dallim është thelbësor.
Kur matematika pushon së qeni një disiplinë numrash dhe shndërrohet në një meditim mbi ekzistencën, lind statistika, një kushërirë e dashur e logjikës matematike. Statistika u jep bashkësive një jetë të dytë. Sapo elementet grupohen, ne mund ta përshkruajmë bashkësinë me masa (matje) që nuk mund të zbatohen për asnjë anëtar të vetëm, matje si Mesatarja, Varianca, Shpërndarja, Korrelacioni, Entropia. Vini re: sado kundër-intuitive, statistika përshkruan, nuk shpjegon, u përgjigjet pyetjeve “si?” dhe “sa?”, jo “pse?” Asnjë element i vetëm nuk “ka” mesatare apo variancë. Asnjë grua nuk ka lindur 1.34 fëmijë, sikundër asnjë familje nuk ka patur 3.78 anëtarë. Këto veti shfaqen vetëm kur elementet merren së bashku. Në këtë kuptim, bashkësia nuk është një shumatore apo koleksion gjësendesh, por sak një lindje (emergence) e së resë, e cila është po aq, në mos më shumë e vërtetë se “e vjetra”, dhe me siguri më e dobishme se ajo. Bashkësia bëhet një gjallesë statistikore, e aftë të përmblidhet, krahasohet dhe analizohet në mënyra që tejkalojnë individualitetin e anëtarëve të saj. Zhbirimi më i hollësishëm për këto koncepte do të kërkojë një trajtesë përkatëse.
Sapo formohet një bashkësi, ajo fillon të ndjekë rregulla që ndryshojnë nga ato që qeverisin elementet e saj. Në matematikë, kjo është formale: bashkësitë u binden aksiomave, operatorëve matematikë dhe transformimeve që nuk zbatohen për elementet individuale. Por ideja shtrihet shumë përtej matematikës. Në teorinë e sistemeve komplekse (system science), një grup njësish që ndërveprojnë, qofshin milingona, neurone apo njerëz, prodhon sjellje emergjente. Bashkësia kësisoj bëhet e parashikueshme aty ku individët janë të paparashikueshëm, e qëndrueshme aty ku individët janë të paqëndrueshëm, e strukturuar aty ku individët janë kaotikë. Tufa e zogjve lëviz si një trup i vetëm, edhe pse çdo zog ndjek vetëm rregulla të thjeshta lokale. Anglishtja një tufë të tillë e quan me emrin sa poetik, aq edhe të saktë, murmurimë (murmuration) – gramatika dhe sintaksa e hollë e pluralitetit – ndoshta prej flatrimit fëshfëshs të krahëve që rrahin ajrin si të komanduara nga një shkop dirigjenti, që në fund të fundit është një strategji emergjente mbijetese. Natyra nuk e njeh estetiken. Kjo e fundit futet në grupin (bashkësinë?) e madhe të gjendjeve të perceptuara që e kërkojnë medoemos individin perceptues dhe që lindin e vdesin bashkë me të. Tregu ngrihet ose bie, edhe pse asnjë tregtar i vetëm nuk e kontrollon lëvizjen e tij. Bashkësia fiton një lloj qëllimi, jo të vetëdijshëm, por të modeluar. Diku midis elementit dhe tërësisë, kapërcehet një prag. Bashkësia fillon të sillet (të ketë një sjellje të spikatur,) të shfaqë modele që asnjë nga anëtarët e saj nuk i synon. Kjo është emergjenca, mrekullia e qetë e kompleksitetit. Murmurima e zogjve shtillet në qiell sikur udhëhiqet nga një mendje e vetme, edhe pse çdo zog njeh vetëm hapësirën rreth krahëve të tij, asgjë më shumë. Koncepti “Supermind” që qëndron në bazën gnoseologjike të komunitetit online të sotëm: me miliona autorë të vegjël me privilegjin dhe aftësinë e komentuesit shpesh anonim, koncepti ngrihet pikërisht mbi fenomenin vetorganizues në fjalë; asnjë komentues nuk di më shumë se rrrethina e vet e ngushtë, përvoja ngushtësisht vetjake tek kontribuon me komentin e vet. Ai/ajo është i/e pandërgjegjshëm/me për krijesën ose stihinë e përbindshme të informacionit të cilit në mënyrë krejt të pavetëdijshme po i jep një dorë ndërsa shtyp butonin “enter” ose “return.” Edhe nuk ka një autor, Homer a Shekspir qoftë, që të mund ta konkurrojë me këtë përbindësh krijues. A nuk qëndron kjo edhe në bazën e fuqisë së folklorit me krijues anonimë, të cilët krijojnë në segmente të gjata kohore, por që kujtesa kolektive apo e bardëve i ngrin në dyllin e perceptuar të bashkëkohësisë? Po njësoj, tregu ngrihet e bie si një baticë, edhe pse çdo tregtar di vetëm ç’ndodh rreth shitores së vet. Një kulturë rritet, ndryshon, kujton, harron, edhe pse asnjë individ nuk mban të gjithë kujtesën e saj. Cilësia e harresës kolektive është po aq e rëndësishme sa kujtesa kolektive, sikundër heqja e ballastit (“pasurimi’) është po aq e rëndësishme sa përmbajtja e mineralit në një xeheror. Në teoritë e katastrofave, pamundësia e individëve për të ditur, domethënë kujtuar gjithë sa prodhoi qytetërimi i zhbërë, është në bazën e ciklit të përsëritur të historisë njerëzore që rifillon me paraken shpellore: kjo tezë e ka një bazë logjike dhe një gjasë vërtetësie. Bashkësia bëhet një krijesë me arsyen e vet, me vrullin e vet, me vullnetin e vet të çuditshëm.
Shoqëritë njerëzore ndërtohen mbi bashkësi. Fiset, komunitetet, kombet, klasat dhe kulturat janë të gjitha grupe konceptuale që sillen ndryshe nga individët që i përbëjnë. Një fis ka tradita; një popullatë ka trende demografike; një komb ka interesa. Asnjë prej këtyre vetive nuk i përket një personi të vetëm. Ashtu si në matematikë, individi është elementi, grupi është bashkësia, Kultura (K-ja nuk është gabim shtypi) veti emergjente, normat janë rregullat e bashkësisë dhe sjellja kolektive është modeli statistikor.
Një person mund të jetë i qetë, por turma përkatëse mund të bëhet e dhunshme. Një person mund të jetë tolerant, por grupi përkatës mund të imponojë kufij të ngurtë. Një person mund të jetë i paparashikueshëm, por kurba e popullatës është e rregullt dhe e parashikueshme. Bashkësia ka logjikën e saj, të cilën e ruan me një xhelozi, inerci dhe kokëfortësi ku e ku më të madhe se individi të tijën. Jo prej karakterit, por prej ligjit të numrave të mëdhenj. Bashkësitë tona: fiset, tributë, kombet, komunitetet, brezat, janë enët konceptuale që na mbajnë. Ato na formësojnë, edhe kur ne (kujtojmë se) i formësojmë ato. Na japin gjuhë, zakone, frikë, shpresa. Na japin një vend në botë, dhe nganjëherë na e marrin! Një person nuk është kulturë, as kurbë demografike. Një bashkësi i zotëron këto, dhe lëviz me një forcë që asnjë individ nuk mund ta përballojë i vetëm. Ajo ka humor, ritme, rituale, verbëri. Ka një kujtesë që i mbijeton dhe sipëron anëtarët e saj. Ka një harresë me veti profilaktike. Ka dëshira që askush nuk i ndien veçmas, por të gjithë kontribuojnë në to.
Ky dallim krijon një tension themelor në jetën njerëzore. Individët shpesh ndihen të kufizuar nga bashkësitë ku bëjnë pjesë. Grupet, ndërkohë, mbështeten te individët për të ruajtur koherencën. Bashkësia ka nevojë për elementin, ndërsa elementi jo gjithmonë ka nevojë me se s’bën për bashkësinë e vet; ai kërkon bashkësi tjetër – pyet një shqiptar të arratisur në rast se ka dyshim për këtë. Njerëzit rrallë (do të thosha “kurrë nuk”, pa zmadhuar gjëkafshë) ekzistojnë jashtë bashkësive. Identiteti vetë është një anëtarësi: gjuhësore, kulturore, familjare, ideologjike. Të jesh njeri do të thotë të jesh element i ngulitur në bashkësi të shumta që mbivendosen, secila me tërheqjen e vet gravitacionale, në një sistem po aq të ndërlikuar sa sistemet kozmike. Të mendosh për shoqërinë përmes lenteve të teorisë së bashkësive qartëson disa të vërteta: grupet nuk reduktohen te individët, individët nuk përfaqësojnë grupet, përshkrimet statistikore të grupeve nuk janë gjykime morale për anëtarët e tyre, sjellja emergjente është reale, edhe kur askush nuk e synon: Kultura është veti e bashkësisë, jo e elementit. Kjo perspektivë ndihmon shpjegimin se pse shoqëritë sillen në mënyra të modeluara, pse grupet zhvillojnë identitete dhe pse individët shpesh ndihen si të fuqizuar, ashtu edhe të kufizuar nga kolektivat ku bëjnë pjesë.
Një bashkësi është një metaforë e qenies. Ajo ka veti, prirje dhe rregulla që lindin vetëm kur elementet bashkohen. Në këtë kuptim, matematika ofron një metaforë për shoqërinë: individët formojnë grupe, dhe grupet formojnë kultura, secili nivel duke gjeneruar realitete të reja që nuk mund të parashikohen nga niveli më poshtë i vetorganizimit dhe përmbajtësisë konceptuale. Të jesh njeri do të thotë të jetosh në tensionin midis elementit dhe bashkësisë. Ne dëshirojmë të jemi të veçantë, por nuk mund t’i shpëtojmë të shumëfishtëve. Duam të jemi vetvetja, por formohemi nga grupet që na përkufizojnë. Duam të qëndrojmë veç, por kemi frikë nga mërgimi i qenies metafizike. (Në mërgimin e fizikes jemi ku e ku më të guximshëm, në të vërtetë heronj.) Bashkësia na jep identitet, një komoditet ky monedha e të cilit gjendet më me vështirësi se ari, por bashkësia po ashtu na e merr individualitetin, e ka atë aftësi deri në tragjizëm, bashkësia na mbron, por edhe kërkon prej nesh. Nuk jemi kurrë plotësisht brenda saj, siç as plotësisht jashtë saj. Ne qëndrojmë në kufi, në atë vijën e butë që e (për)kufizon përkatësinë. Ne duam të jemi vetvetja, por formohemi nga grupet që na përkufizojnë. Përkatësia na është njëkohësisht strehë dhe kufizim.
Ndoshta ideja e bashkësisë nuk është thjesht matematikore. Ndoshta është metafizike, një mënyrë për të kuptuar se si bota e mbledh veten në kuptim, si me një kafe sade pas një dite të gjatë e të lodhshme. Bashkësia të mbledh në të gjitha kuptimet e mundshme. Një pyll është një bashkësi pemësh, por edhe një prani që merr frymë. Një qytet është një bashkësi të panjohurish, por edhe një mendje e vetme e shqetësuar. Një familje është një bashkësi jetësh, por edhe një histori e vetme, një sagë që shpaloset në kohë. Bashkësia është mënyra e botës për të thënë se asgjë nuk ekziston vetëm, se identiteti është gjithmonë marrëdhënie, se kuptimi si i tillë është thelbësisht kolektiv.
Në fund, bashkësia na mëson një të vërtetë të thjeshtë, një urtësi të heshtur aristoteliane, të njohurën më të panjohur: tërësia nuk është shuma e pjesëve, por diçka më delikate, më misterioze, diçka veç pjesëve, është modeli që shfaqet kur individët mblidhen (të përbashkuar si në një himn dëshiror), ritmi që formohet kur zërat mbivendosen, jeta që nis kur vetmia më luksoze tretet në komunitet. Në vallëzimin midis së vetmes dhe së shumtës, zbulohet logjika e çuditshme dhe e bukur e të qenit njeri. Të kuptosh bashkësitë do të thotë të kuptosh (edhe) arkitekturën e jetës njerëzore.
(vijon)
(c) 2026 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney.
[1] Shih teorinë Oparin-Haldane
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.