Unë i përkas brezit të fëmijëve që u rritën me akses në platformën DigitAlb në Tiranë. Më kujtohet kur isha gjashtë vjeçe dhe im atë më mori për dore e më çoi, në periudhën e Krishtlindjeve, në vendin magjik për të cilin kisha dëgjuar të flitej nga të afërmit.
Si një fëmijë jo shumë i shoqërueshëm me fëmijët e tjerë, por shumë e lidhur me librat, im atë dhe ime më shqetësoheshin shpesh se nuk po argëtohesha aq sa duhet dhe përpiqeshin të më linin të luaja jashtë me fëmijët e lagjes. Aventura ime përfundonte zakonisht shpejt, sepse kisha një zakon të keq. Më mbetej hatri menjëherë dhe më pas nuk doja të flisja më me ata fëmijë. Megjithatë, më pëlqente të shkoja kudo me time më.
Ishte koha kur vizitat te të afërmit ishin shumë të shpeshta. Ime më, si një nënë shtëpiake, bënte shpesh vizita, edhe sepse kishim shumë të afërm pranë shtëpisë. Mbaj mend tetot e mamasë, shoqet e saj dhe gratë e kushërinjve të babait. Pjesa ime e preferuar ishte të merrja një libër dhe të lexoja, ndërsa ime më bisedonte me to.
E mbaj mend si tani aromën e kafesë turke dhe avullin që përhapej në anekse apo dhoma pritjeje. Disa shtëpi kishin soba me dru, ndaj aroma e drurit përzihej me aromën e kafesë turke dhe shpesh edhe me aromën e lëkurave të mandarinave apo gështenjave të lëna mbi sobë. Të tjera përdornin elektricitetin për t’u ngrohur. Ishin ato furnela të vogla të kuqe që, nëse u qëndroje disa centimetra larg, nuk të ngrohnin aspak, por nëse u afroheshe shumë pranë, të jepnin ndjesinë e një sulmi nxehtësie që të përvëlonte dhe njëkohësisht të ndizte faqet flakë.
Kur shkonim për vizitë te ndonjë nga mikeshat e mamasë që ngrohte shtëpinë me furnelë, ime më më vishte me aq shumë shtresa rrobash sa e kisha të vështirë edhe të ktheja faqen e librit. Ulesha pranë saj dhe lexoja. Ajo gjithmonë më pyeste si mundesha të lexoja në atë zhurmë, sepse zakonisht ishin dy ose tre gra duke biseduar dhe televizioni ishte me zë të lartë. Më shumë se programet televizive, mbaj mend reklamat e Coca-Cola-s. Besoj se që aty filloi kënaqësia ime për të lexuar në ambiente të zhurmshme.
Mbaj mend edhe kthimin në shtëpi, që përshkonte rrugët e pashtruara të lagjes sime dhe dyqanet e vogla, në xhamat e të cilëve ngjisnin pambuk si flokë dëbore dhe figura të Babagjyshit të Krishtlindjeve me një shishe Coca-Cola në dorë. Në të vërtetë, Coca-Cola shitej vetëm në shishe të mëdha plastike. Në një xham ishte ngjitur një pankartë ku shkruhej “Gëzuar Vitin e Ri 2003”. Unë ecja me time më, që më mbante për dore si një ari të vogël, sepse nën tutat kisha veshur pizhamet dhe dy ose tre bluza me jakë golf e pulovra. Sipër kisha një xhup të madh bojëqielli, në xhepin e të cilit fusja librin e vogël që merrja gjithmonë me vete. Nuk bënte edhe aq ftohtë, por unë isha fëmijë delikat.
Kur ktheheshim në shtëpi, ndizja televizorin, vija DVD-në dhe zgjidhja një nga videokasetat me filma vizatimorë. Ime më më kishte blerë njëzet e katër videokaseta me filma vizatimorë të Disney-t, por asnjëra prej tyre nuk kishte histori Krishtlindjeje.
Por në prag të Krishtlindjeve të vitit 2004, im atë më mori për dore dhe më çoi në vendin magjik për të cilin kisha dëgjuar se shitej kutia që shfaqte filma vizatimorë pafund, ditë e natë. Kur pashë logot e mëdha të DigitAlb-it, pata ndjesinë se zemra po më rrihte aq fort, si një zog, dhe mendova se do të më fluturonte nga kraharori.
Dita përfundoi me mua të ulur në sallonin e shtëpisë duke parë “Charlie and the Chocolate Factory”, por mbi të gjitha duke zbuluar botën e pasur të animacionit festiv që më kishte munguar. U mrekullova nga aventurat e Mickey Mouse në versionet e tij të Krishtlindjeve dhe nga lojërat gazmore të Chip and Dale mes degëve të bredhit. Një film që më ka mbetur veçanërisht në mendje ishte ai ku një baba zbulon se është Babagjyshi i Krishtlindjeve. Më pëlqente pa fund kur ai shkonte në fshatin e Krishtlindjeve me elfët dhe drerët e slitës, dhe unë shihja gjithë atë botë magjike që e kisha ëndërruar.
Filmat e Krishtlindjeve për fëmijë dhe filmat vizatimorë përfaqësojnë një zhanër unik të tregimtarisë, që ndërthur folklorin, moralin dhe mrekullinë e sezonit. Për dekada me radhë, këta filma kanë shërbyer si një mjet i rëndësishëm për të eksploruar frymën e festave, duke përdorur si aktrimin real ashtu edhe animacionin për t’u dhënë jetë miteve festive. Nga programet e hershme të vizatuara me dorë, si “A Charlie Brown Christmas” dhe “How the Grinch Stole Christmas!”, deri te peizazhet digjitale të kinemasë moderne, thelbi i këtyre historive mbetet i përqendruar te bujaria, ruajtja e mrekullisë fëmijërore dhe rëndësia e komunitetit.
Këto produksione vendosën tonin emocional të këtij zhanri, duke vënë në kontrast presionet tregtare me kuptime më të thella shpirtërore. Shpesh ato paraqesin protagonistë të tjetërsuar, si Grinchi, të cilët gjejnë shpëtim përmes një përvoje të përbashkët. Apo filma si “Home Alone”, “The Polar Express” dhe “Klaus”, të cilët na mësojnë se besimi te gjërat e padukshme dhe aktet e vogla të mirësisë mund të transformojnë një shoqëri.
Filmat dhe filmat vizatimorë të Krishtlindjeve mbijetojnë sepse ofrojnë një ndjenjë vazhdimësie dhe ngrohtësie, edhe pse shpesh historia mund të jetë e ngjashme. Qoftë një njeri dëbore që flet, një djalë që mbron shtëpinë e tij, apo një baba që udhëton drejt fshatit të elfeve, këto histori shërbejnë si një spirancë kulturore. Ato krijojnë një hapësirë ku e pamundura bëhet e mundur dhe ku vlerat e mirësisë festohen si idealet më të larta, duke më lejuar edhe mua që, vit pas viti, të rilidhem me magjinë e përjetshme që nisi dikur në rrugët e pashtruara të Tiranës.
Gëzuar Krishtlindjet!
(c) 2025 Artemisa Kuznetsov. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Shkrimi “Kutia Magjike e Krishtlindjeve” i Artemisa Kuznetsov është një ese e ngrohtë dhe reflektuese që ndërthur kujtimet e fëmijërisë me një vështrim kulturor mbi filmat e Krishtlindjeve. Përmes detajeve sensoriale dhe një zëri narrativ intim, autorja rindërton atmosferën e Tiranës së fillimviteve 2000 dhe portretizon një fëmijëri të ndjeshme, të lidhur ngushtë me librat dhe botët imagjinare. Kjo përvojë fëmijërore shndërrohet gradualisht në një bosht shpirtëror që e shoqëron individin në rritje: magjia e Krishtlindjes, e përjetuar fillimisht si mrekulli vizuale dhe emocionale, kthehet më vonë në një mënyrë për të kuptuar ekzistencën njerëzore, nevojën për besim, për kuptim dhe për lidhje me tjetrin. Në këtë kuptim, nata e Krishtlindjes nuk mbetet vetëm një festë kalendarike, por shfaqet si një moment reflektimi filozofik, ku kujtesa, shpresa dhe ndjenja e komunitetit bashkohen për t’i dhënë kuptim qenies njerëzore.