Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fotografi / Semiotikë / Teknologji

FOTOJA NË KARIKATURË

Një karikaturë e të mirënjohurit Gary Larson (nga seria Far Side) fton për një përsiatje rreth vjetrimit të teknologjisë mediatike të konsumit.

Shohim atje një ekskursionist me pantallona të shkurtra dhe këmishë fushore, Warren-in, që – duke shëtitur në natyrë – ka ndeshur në një UFO dhe tani po pozon për një foto me pilotin e saj alien. Foton e nxjerr gruaja e tij bionde, që çuditërisht ia ka hapur kapakun e pasmë foto-aparatit analog, teksa thotë: “Po, pra, po, Warren!… Ka film në kamera!” Me gjasë, momenti është aq i rrallë – një takim me vizitorin nga kozmosi – sa Warren kujdeset që ta dokumentojë; prandaj do ta ketë pyetur të shoqen nëse ka film në kamera.

Dhe ajo e hap aparatin për të kontrolluar me sytë e vet, një veprim që e dëmton filmin keq, duke e ekspozuar ndaj dritës. Shprehja teknike është “e dogji filmin”.

Humori i karikaturës është i thjeshtë, madje banal: gruaja bionde, sipas një klisheje tipike amerikane të shekullit XX, nuk e di që aparati fotografik nuk duhet hapur, në mes të ditës; di si ta përdorë, por jo si funksionon. Fotografia e rrallë, e Warren-it me alienin, tani me siguri do të jetë djegur; bashkë me të, edhe lavdia e the first contact.

Nëse e zgjodha këtë imazh për ta komentuar, e bëra ngaqë sot brezat e rinj, të mësuar me fotot digjitale dhe të nxjerra nëpërmjet celularit, mund të mos e kuptojnë çfarë po ndodh. Edhe ata që e njohin filmin në aparat dhe e dinë se për çfarë shërben, ndoshta nuk e kanë mësuar që filmi duhet mbrojtur nga ekspozimi. Bashkë me fotografinë analoge, për ta ka humbur edhe “arti” i përdorimit të një aparati me film; teksa rolin e aparatit fotografik e ka marrë përsipër telefoni celular.

Natyrisht, aparati fotografik si mjet konsumi nuk ka qenë kurrë i lidhur pazgjidhshmërisht me teknologjinë e fotografisë analoge. Duke filluar nga vitet 1990, u duk sikur e ardhmja do t’u përkiste fotove digjitale – dhe aparateve (a kamerave) përkatëse. Nëse telefoni celular lejon që të fotografohet gjithçka dhe pa humbur kohë, një aparat i dedikuar siguron cilësi më të mirë të fotografisë. Mbase të gjithë ne që e përjetuam revolucionin e fotografisë digjitale, do ta kemi ende diku në shtëpi një aparat fotografik digjital të fillimviteve 2000, që tani nuk e përdorim më.

Edhe ndryshimi i emrit të pajisjes në shqipe, nga aparatkamera, dëshmon revolucionin teknologjik që ka ndodhur. Duket sikur aparat pat ardhur në shqipe nëpërmjet teknologjisë gjermane dhe sovjetike, në një kohë që italianët e quanin të njëjtën pajisje macchina fotografica. Por sot ka hyrë kamera e anglishtes.

Për breza të njohur si “Millennials” dhe “Gen Z”, fotografia analoge ishte shndërruar një kuriozitet teknologjik, e ngjashme me kasetat muzikore (edhe ato analoge). Megjithatë, dhe ngjashëm me ringjalljen e pllakave vinil në muzikë, edhe fotografia analoge sot po përjeton një lulëzim aq masiv, sa shumë linja prodhimi të aparateve të dikurshme dhe aksesorëve të tyre (filmit, solucionet e “larjes” së filmit) po kthehen sërish në aktivitet.

Ka arsye për këtë përmbysje – duke filluar nga reaksioni, në thelb i të gjithëve, ndaj zhvlerësimit të imazhit digjital, në epokën e imazheve të gjeneruara me AI; që këtej edhe interesi i rikthyer për negativin, ky artifakt i ndërmjetëm, që krijohet kur drita godet mbi film, duke përftuar një gjurmë materiale (indeksikale) që e mban aktin fotografik të ankoruar në realitet. Po ashtu, dhe ndryshe nga fotografia digjitale që në thelb nuk ka kosto për krijimin pa hesap të fotove, filmi celuloid sjell me vete një kufizim domethënës – që e detyron fotografin të mendohet mirë, para se të shkrepë (rikthimi në slow media). Më në fund, imperfeksioni i fotografisë analoge – kokrrizat, rrjedhja e dritës dhe “gabimet” i bëjnë fotot më njerëzore, duke stabilizuar besimin te një teknikë mediatike e komprometuar rëndë nga shkëputja e imazheve nga referentët. Ashtu teknologjia analoge ia ktheu fotografisë efektin “artizanal”, duke e rithemeluar si praktikë. Që ka pasur një lloj predestinimi këtu, ma tregon edhe fakti që terma si celuloid dhe celular bashkëndajnë të njëjtën temë.

Ka pasur gjithnjë profesionistë të vjetër dhe hobbyistë që nuk e braktisën fotografinë analoge; por tani është brezi i ri, i rritur e i mësuar me iPhone-ët, që u është kthyer aparateve “point-and-shoot” dhe printimit të fotove. Rikthimi nuk prek vetëm mediumin, por edhe teknologjitë që i bashkëlidhen – që nga filmat 35 mm, dhomat e errëta për “zhvillimin” e filmit dhe studiot e printimit të fotove; por edhe kamerat e tipit polaroid, ose kamerat digjitale me printer, që funksionojnë ngjashëm me një polaroid të dikurshëm.

Studiuesit e fushës vërejnë se një numër i madh i këtyre fotografëve që tani përdorin film ishin rritur dhe mësuar me teknologjinë digjitale, dhe tani e zgjedhin filmin me vetëdije, si alternativë; madje, “Gen Z” ka filluar ta shohë fotografinë analoge si praktikë kundër-kulturore, dhe jo detyrimisht si stil “retro”; pra, si një mënyrë për t’iu shmangur “ekonomive të vëmendjes” (mediat sociale), që varen nga shpejtësia e bashkëndarjeve dhe metrika të ngjashme.

Interesi i rikthyer për fotografinë analoge do parë, kështu, si pjesë e një ripozicionimi kulturor, që përfshin edhe vinilin (pllakat e gramafonit) dhe orët e dorës mekanike; që mund të ketë nisur si reagim ndaj rrafshimit digjital, por që tani riprodhon një estetikë të vetën.

Në të njëjtën kohë, shumë kamera digjitale dhe softuerë përkatës ofrojnë filtra të tillë që të simulojnë efektet e fotografisë analoge (të nxjerrë në film). Ajo që sjell filmi dhe fotografia analoge, krahasuar me filtrat digjitalë, është garancia e “vërtetësisë” (material contigency).

Për t’u kthyer tani te karikatura e Gary Larson-it: konteksti me UFO dhe me alien u referohet viteve 1950-1960 dhe, më konkretisht, incidentit të Roswell-it, që ishte shndërruar ndërkohë në një trop të kulturës pop në SHBA dhe gjetiu; siç u referohet atyre viteve edhe klisheja e një çifti burrë e grua, që futen në situata të komplikuara, teksa udhëtojnë larg hapësirës së tyre të komfortit – Warren-i dhe e shoqja janë pa dyshim boomers. Por me pak ironi, mund ta shohim gabimin e gruas, që e hapi aparatin me film brenda, edhe si karakteristik për një brez të rritur me teknologjinë digjitale – që nuk e njeh mirë fotografinë analoge dhe as mënyrën si funksionon kjo, por që ka filluar ta përdorë sërish. Një gabim që mund ta bënte dikush që e di se aparati fotografik (ndryshe nga telefoni celular) mund të hapet, por që është mësuar të fotografojë me telefon. Për këtë personazh imagjinar, aparati me film është ende teknologji ALIENE.

E njëjta karikaturë lejon kështu një interpretim të ri të krizës së besimit ndaj fotografisë shkaktuar nga teknologjia e gjenerimit të imazheve me AI dhe deepfakes. Sot kushdo mund të gjenerojë një “foto” të vetën, duke u përqafuar me një alien bojë vjollcë, me tre sy dhe tre gishta; dhe i kemi lënë pas ato kohë kur publiku ende besonte në fotot bardhezi të UFO-ve në faqen e parë të tabloidëve. Edhe në vitet 1950-1960 fotot mund të falsifikoheshin, por në mënyrë të papërsosur dhe, gjithsesi, tejet të kushtueshme; në një kohë që sot duhet pyetur një specialist, ose edhe më mirë, një agjent AI, për të marrë vesh nëse një foto është apo jo “autentike”. Rezultati i këtyre ndryshimeve paradigmatike në teknologji është se, edhe sikur gruaja të mos e kish “djegur” filmin dhe bashkë me të, provën e takimit epokal me alienin, publiku nuk do ta besonte më, të paktën jo menjëherë; dhe do të duhej ekspertizë laboratorike, për të provuar se imazhi i përgjigjet një realiteti material.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney dhe edituar me Gemini.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin