Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

CJAPODRERI

Ma bëni kabull fjalën e titullit: është një neologjizëm i imi. Tani, ne të gjithë e dimë që neologjizmat, në 99% përqind të rasteve, janë ditëshkurtra. Mirëpo unë e krijova se m’u desh në një përkthim. Trimërisht, FGJSSH jep dy neologjizma të këtilla, të fushës baritore flas, nga të paktat fusha jetese ku ne shqiptarët mund të fusim gishtat e të nxjerrim, si ai prestidigjitatori nga bombeja, një fjalë, një shprehje, t’i japim pastaj kuptim universal, metaforik, abstrakt e ta përdorim në përditësi, me shpresën që ky përdorim të mund të bëhet i përhershëm. Kështu që, se nga ta merrja frymëzimin unë kisha. Fjalët e FGJSSH janë: “deledash” dhe “cjapodhi”. “Deledash” jepet si sinonim i “hermafrodit”, kurse për fjalën “cjapodhi”, ndoshta për ta diferencuar pak nga “deledash”, fjalori thjesht reciton: “kafshë që ka tiparet gjinore të cjapit e të dhisë”. Nuk e di a kanë gjetur përdorim fjalët e sipërcituara në projektligjin “Për barazinë gjinore”: ndoshta do të ishte me vend, por druaj se atëbotë, aq më me tërsëllëm protestat do ta vinin në zjarr e hekur Shqipërinë.

Në rastin tim modest, “cjapodreri” është një kalk gjuhësor i italishtes “ircocervo”, kjo e lentuar as më pak po nga Umberto Eco, diku nga vitet tetëdhjetë-nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Eco bën edhe ai një kalk gjuhësor, fare të thjeshtë, nga latinishtja e vonë “hircocervus”, kombinim i “hircus” (“cjap”) dhe “cervus” (“dre”). Edhe fjala, latine, ama, nga ana e vet, kalk është edhe ajo, prej greqishtes së vjetër: tragelafos (τραγέλᾰφος), e përbërë nga tragos (“cjap”) dhe élaphos (“dre”). Mal comune, mezzo gaudio, me një fjalë; gjysma e të keqes, themi ne (veçanërisht ata që janë dhënë keq pas purizmit)! Kështu, kemi të bëjmë me një kafshë përrallore, hibride, gjysmë cjap e gjysmë dre, kafshë e shpikur nga mendja njerëzore qysh në lashtësi; kemi të bëjmë me një procedim mendor të rëndomtë që e ka zanafillën në thellësi të kohërave. Kujtoni pak Sfinksin, për të vazhduar me pikturat e Hieronymus Bosch e deri te surrealistët. Por edhe në mitologjinë shqiptare ka shumë kafshë të këtilla: mua më vjen ndër mend “suta”, një kafshë e heshtur, gjysmë drenushë e gjysmë lopë, mbi të cilën, në mos gaboj, udhëton dhevështruesi – që, në fakt, nuk e vështron dheun, por e dëgjon. Ndoshta libri modern më i famshëm që merret me taksonominë e këtyre lloj kafshësh (i shoqëruar me një analizë herë ironike, herë serioze, nganjëherë, në dukje, naive)  është “Libri i qenieve imagjinare” i Borges-it (i shkruar në bashkëpunim me Margarita Guerrero-n), përpunim i një eseje të mëparshme: “Manual de zoología fantástica”.

Tani, Eco ishte i pari që fjalën “ircocervo” e dha në italisht dhe e përdori jo vetëm me një kuptim të ri metaforik: për të treguar diçka absurde, të pamundur, që nuk ekziston (një kimerë, pra, ku edhe vetë fjala kimerë rrëfen një kafshë përrallore, imagjinare), por edhe për të konfiguruar një lojë, të shpikur nga ai vetë. Loja konsiston në shkrirjen së bashku, në një të vetëm, të emrave të dy personazheve dhe përcaktimit menjëherë të një vepre me karakteristikat e diçkaje që na i kujton të dy. Një operacion aspak origjinal, e shpjegon edhe këtë Eco: teknikën e gjejmë, të stërholluar në shekuj, te pun-i anglez, calembour-i francez, apo te mot-valise, kjo e fundit e përdorur gjerësisht nga Joyce-i, sidomos te “Finnegans Wake” (që unë nuk e kam lexuar, por i besoj Eco-s). Nejse, mënyra më e thjeshtë për ta kuptuar siç duhet marifetin është të sjellim ndonjë shembull. Shpesh janë lojëra gjuhësore që kanë kuptim brenda një gjuhe e kulture. Për shembull, Eco:

Ilona Stalin – Il culo della personalità

[Do ta marrim siç është e s’kemi pse ta shpjegojmë; përkthimi vetëm sa ia humb vlerën]. Por nganjëherë loja e kalon barrierën gjuhësore (dhe kulturore). Ja, prapë Eco (i përkthyer):

Marcel Prost – Në kërkim të kohës më të mirë

Danton Alighieri – Guelfë dhe Jakobinë

Kështu iu futa edhe unë punës për krijimin e do cjapodrerëve verbalë në shqip. M’u desh të loz pak me imagjinatë nja gjysmë ore – një orë. Rezultati:

Agustini i “Tironës” – Shënimet
Andon Zyko Kamberi – Fshati im
Bardhyl Kondo – Kur zbardhi një ditë njerëzore
Diderot Agolli – Kalorësi fatalist
Gabriel García Marko – En Agosto hasta la vista
Isaac Hasimja – E shkuar e pakryer dhe nëntë të nesërme
Jaroslav Ashiku – Ushtari i mirë Lekë
Minush Kuteli – E murrme është gjëma e mëkatit
Pearl Arbnori – Flota e mbetur përgjysmë
Stereo Spasse – BSE?
Walter Zhiti – Rrugët e ferrit: shumë parajsa
Zubin Meta – dirigjon “La gazza ladra” nga Gioachino Rossini.

Gjithkush mund ta bëjë. Pa u sforcuar shumë, për të mos rënë në manierizëm. Në fund të fundit jemi të gjithë nga pak cjapodhi (më falni, cjapodrerë).

 

(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin