Fjala SEKRET ka disa kuptime, por në thelb shënjon informacion që nuk u duhet dhënë të tjerëve dhe, prandaj, është për t’u mbajtur i fshehtë. Këtu e më poshtë do të ndalem vetëm në përdorimin – dhe abuzimin – që i bëhet kësaj fjale nga mass mediat, për të tërhequr lexuesit dhe klikimet.
Një lajm a tekst me titullin “Sekreti për të gjetur dashurinë e vërtetë”[1] priret të veprojë nëpërmjet paradoksit: e lajmëron ekzistencën e sekretit, dhe në të njëjtën kohë e anulon sekretin vetë, duke e bërë të njohur. Këtu mund të pyetet menjëherë nëse ka vërtet një sekret të tillë, sepse sekreti parakupton jo vetëm të panjohurën, por edhe vullnetin që kjo e panjohur të mos njihet prej Tjetrit; duke qenë rezultat i një përpjekjeje aktive, të përkushtuar, për ta mbajtur derën (a dritën) të mbyllur. Në fakt, titulli parakupton që ka një sekret për ta gjetur dashurinë e vërtetë, të cilën deri më sot e kanë njohur vetëm pak të privilegjuar; por tash e tutje e më në fund do të mund ta njohin dhe ta përdorin të gjithë (ata që lexojnë a klikojnë lajmin).
Jo çdo sekret ngjall kuriozitetin dhe tundimin për ta zbuluar – një titull si “sekreti i pigmenteve të gjelbra në kloroplastet” nuk do të tërheqë numër të mjaftueshëm lexuesish. Prandaj sekreti me të cilin merren mass mediat pasqyron rregullisht dëshirat e lexuesve, të cilat në thelb janë dëshira të mbjella, të ujitura e të selitura nga mediat vetë dhe, më gjerë, modeli i qytetarit si konsumator në treg. Mistere të tilla si “sekreti për flokë të gjatë dhe të shëndetshëm”, “sekreti për të humbur peshë pa mbajtur dietë”, “sekreti për lëkurë të re”, “sekreti për këmbë të bukura”, “sekreti për t’u nxirë sa më shpejt këtë verë”, “sekreti për një lëkurë të pastër”, e të tjera të ngjashme evokojnë një stil të jetuari dhe një kompleks dëshirash që kanë të bëjnë me idealet e pamjes së jashtme, të shëndetit, të rinisë së zgjatur dhe mënjanimit të shenjave fizike të plakjes – të cilat i ushqen tregu i kozmetikës, i suplementeve ushqimore dhe i produkteve të “mirëqenies”. Shpesh këto informacione kaq të panjohura kanë të bëjnë, në analizë të fundit, me përbërjen sekrete të këtyre produkteve – suplemente, serume, injeksione, kremra; në kuptimin që sekreti për këmbë të bukura mund të bëhet vërtet publik, por sekreti i kremit që i bën këmbët të duken të bukura mbrohet me ligj (si sekret komercial).
Një titull që fillon me “sekreti për…” presupozon se publikut të interesuar i është mbajtur, deri tani, diçka e fshehtë; gjë që do ta ushqejë kuriozitetin me paranojë. Pse nuk na e kanë thënë “sekretin për një jetë më të mirë seksuale”? Po “sekretin për t’u bërë më i pëlqyeshëm nga të tjerët”? Ideja këtu është gjithnjë e njëjta: ka një elitë, që disponon dije të fshehtë, dhe që mund të rrijë në pushtet vetëm duke e mbajtur këtë dije sekret, ose duke i përjashtuar të tjerët nga informacioni. Kësisoj, sekreti është konfirmim i së vërtetës së hidhur se ty nuk të lënë të marrësh pjesë në privilegjet e kësaj bote; dhe nëse ti je i/e paditur a të duket vetja kështu, kjo nuk është faji yt, por efekt i një komploti (edhe ky sekret), nga një elitë që nuk të lejon të realizosh potencialin tënd – fizik dhe mendor, edhe pse tani së voni gjithnjë e më shumë fizik. Sekreti është, pra, zinxhiri me të cilin të mbajnë të lidhur; dhe mu për këtë arsye zbulimi i sekretit vjen si një formë çlirimi. Me fjalë të tjera, clicking makes you free.
Tituj të tillë si “sekreti për s*ks të shkëlqyer” (asterisku në origjinal), “sekreti për trurin tënd të shëndetshëm dhe parandalimin e plakjes”, “sekreti për një martesë të lumtur”, “sekreti për të bërë për vete çdo femër”, “sekreti për të pasur miq”, “sekreti për fëmijë më të zgjuar dhe të lumtur”, “sekreti për të qenë në formë”, “sekreti për një shtëpi të lumtur”, “sekreti për t’u bërë më i pëlqyeshëm nga të tjerët”, e kështu me radhë, evokojnë një botë ku ti dëshiron të hysh e të bëhesh pjesë, por nuk i ke ende çelësat (fjalëkalimin); ajo çfarë të mungon, është dija e mëtejshme, që me gjasë është pikërisht ajo dije që të mungon; dhe mungesa ta cungon jetën, duke të penguar që ta realizosh potencialin individual. Kësaj teknike gjithnjë i nënvendoset supozimi se, për të arritur atë që dëshiron, nuk mjafton predisponimi, këmbëngulja dhe aftësitë; madje nuk mjafton as fati. Duhet të dish sekretin përkatës.
Mjafton edhe shfletimi më i sipërfaqshëm i mediave, për t’u bindur se, përtej pamjes fizike, jetës seksuale dhe shëndetit, një pasuri e pafund sekretesh ka të bëjnë me recetat e gatimit: “sekreti për byrek që të lëpish gishtat”, “sekreti i petullave vetëm për 10 minuta gati”, “sekreti për pallaqinka të holla dhe të bukura”, “sekreti për të bërë kos të trashë në shtëpi”, “sekreti për kulaç të mirë”; këta lloj titujsh, me gjasë, u drejtohen amvisave, të cilat duan edhe ato të emancipohen – por, kur vjen puna për sekretet e gatimit, mendja të shkon vetvetiu te përbërësit sekretë dhe, në analizë të fundit, tek alkimia; një formë e dijes e cila organizohej e gjitha mbi sekretin (formulat sekrete). Distanca mes poçes së alkimistit dhe tiganit të amvisës nuk është aq e madhe sa ç’mund të na duket – në të dy rastet, suksesi varet nga një copëz informacioni që u mbahet e fshehtë të tjerëve; dhe sekreti i një kuzhinieri të mirë e tejkalon kujdesin, ambicien për përsosmëri dhe shijen e hollë, sa kohë që nuk ndahet dot nga përbërësi a formula e fshehtë, mundësisht e përcjellë brez pas brezi – si në rastin e pijeve alkoolike artizanale; të cilat pëlqehen edhe ngaqë kanë diçka sekrete në përbërjen e tyre, e cila kalon nga pija tek ti dhe të emancipon në mënyrë mistike, ose duke ta anashkaluar vetëdijen. Gjithsesi, historia e artit kulinar nuk ka pse të ndalet te krahasimi me alkimistin; përbërës sekretë kanë përdorur edhe magjistarët e shtrigat nga njëra anë dhe matematikanët nga ana tjetër, madje të tillë që të funksionojnë dot vetëm e vetëm ngaqë mbeten të tillë, të panjohur për të tjerët. Shpesh sekreti – në formën e një formule a të një përbërësi – nuk mjafton vetëm që të ruhet i tillë; sepse edhe përdorimi luan rol në suksesin, dhe mbajtësi i sekretit ka edhe përgjegjësinë që ta administrojë mirë (profesionalisht).
Më i komplikuar është interpretimi i një titulli të tillë si “sekreti për seksin më të nxehtë në makinë”; meqë ky u drejtohet, literalisht, atyre që duan të rritin intensitetin e marrëdhënies seksuale në rrethana shumë specifike. Titulli më kujtoi, intuitivisht, përcëllimin e makinës së parkuar në një ditë vere, i cili ta heq dëshirën për shumë gjëra; siç më kujtoi edhe një batutë të Geoff Dyer-it, i cili, në një shkrim për motelet në SHBA, thotë se “në këto dhoma të shpëlara kam përjetuar eksperienca seksuale të paharrueshme, ndonjëherë edhe vetë i dytë.” Natyrisht, është fjala për “disa gjëra që duhet t’i dini përpara se të hipni në makinë”, për shembull duke i përdorur aksesorët e makinës, p.sh. rripat e sigurimit si vegla seksuale; duke luajtur me temperaturën, meqë “seksi është padyshim më i avulluar me gjithë nxehtësinë dhe djersën e trupit”; duke përfituar “nga çatia e diellit”; duke provuar pozicionin ku “gruaja është sipër dhe e mbështjell burrin e saj”; duke provuar “pasqyrën e pamjes së pasme” sepse ashtu “ju mund t’i shikoni të gjitha veprimet tuaja dhe nuk ka asgjë më të nxehtë se kaq”; duke bërë seks “pas perëndimit të diellit”, meqë “në këtë mënyrë shanset që njerëzit t’ju vënë re janë më të pakta”; dhe duke e parkuar “makinën në një vend të sigurt”, për të shmangur ndonjë ereksion të rrufeshëm të airbag-ëve. Këto sekrete, sa të imta aq edhe pikante, i jepen lexuesit me një gjuhë qëllimisht hermetike, si ajo e teksteve okulte – unë nuk arrita t’i kuptoj “seksin e avulluar me gjithë nxehtësinë dhe djersën e trupit” dhe “çatinë e diellit”, çfarë më bën të mendoj se këto sekrete nuk paska qenë për mua që t’i mësoj.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney.
[1] Të gjithë titujt e cituar këtu i kam marrë nga sajte mediash dhe portale.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.