Ca miq të mitë në FB i shoh që postojnë vetëm për politikë. Më duket çudi që politika zë në jetën e tyre kaq shumë vend, sa të mos i lërë të duan të bisedojnë për gjë tjetër. Rama kështu, Sala ashtu, SPAK-u kështu…Dhe më keq akoma, kur diskutojnë për çfarë kanë thënë një natë më parë “ekspertët” televizivë, sërish për politikë.
Kjo mbase është normale për politikanët, të cilët ia kanë kushtuar jetën këtij misioni, fundja edhe për gazetarët që merren me politikë. Ajo që më tremb, është mos këta miq të mitë kanë filluar të besojnë që politika është e vetmja temë, për të cilën ia vlen të dilet e të flitet në publik.
Një mundësi tjetër, është ajo që e quajnë “selection bias” – këtë preokupim obsesiv me politikën e kanë jo të gjithë, por MIQTË E MI në FB; në kuptimin që ka diçka, te këta miq të mitë, që i bën të interesohen shpesh për gjëra politike, edhe pse unë vetë me politikë nuk merrem shumë. Jo sepse jam apolitik, dhe as sepse nuk më intereson, përkundrazi; por vetëm ngaqë gjykoj se nuk kam ndonjë gjë të madhe për të thënë në publik; ose, edhe më mirë, ngaqë besoj se gjërat jo-politike me të cilat merrem dhe për të cilat flas kanë më shumë vlerë, edhe për mua edhe për lexuesit.
Gjithsesi, jeta ime – e përditshmja – nuk rrotullohet rreth politikës. Merrem me punët e mia, përpiqem të shpenzoj energji mendore atje ku e kam pasionin dhe ekspertizën, përndryshe e kaloj kohën me hobby-t e mia dhe me njerëzit e afërt. Besoj se me shkrimet që botoj, librat e mi dhe revistën “Peizazhe të fjalës” që drejtoj, jap aq sa mundem, për interesin publik. Dua të them – nuk jam njeri indiferent. Thjesht ngaqë jam mësuar të komunikoj rregullisht me publikun, më duket pak e çuditshme mania – e miqve të mi por jo vetëm – për t’iu përmbajtur rigorozisht politikës.
Edhe në ca grupe chat-i ku më kanë futur, shoh që miqtë e mi i fillojnë dhe i mbarojnë muhabetet me politikë – ç’thotë Sala, ç’thotë Trump-i, ç’thotë Edi, e kështu me radhë. Përshtypja që kam është se për të gjithë këta, njerëz që janë profesionistë të mirë në fushat e tyre dhe që i kanë mundësitë të çojnë një jetë të pasur me aktivitete dhe hobby, politika është shndërruar në një imponim – si të ishte një emërues i përbashkët, për interesin jo vetëm publik, por edhe të një grupi social çfarëdo; shpesh duke ia kaluar edhe preokupimit numër një të shqiptarëve, me tapitë, legalizimet dhe kontratat.
Dyshoj se, përtej muhabeteve online dhe në mediat sociale, të gjithë këta miq të mi mbeten kaq të përpirë nga çështjet politike. Do të ishte tmerrësisht e mërzitshme, sikur të ulesha diku për një kafe me një mik të tillë, dhe ky të fillonte të më rokaniste për Edin, për Salën a për Trump-in a për Netanyahun dhe Zhelenskin. Madje edhe sikur miku im të ishte vërtet ekspert në çështje të politikës. Ka një vend për çdo muhabet – dhe miqësia nuk është trualli më i përshtatshëm për të bërë llogje politike dhe as për të replikuar mërzinë e një kanali televiziv “lajmesh”.
Ka nga këta miq të mi që angazhohen në politikë sepse ua kërkon puna dhe interesi; mbase ndonjëri është edhe aktivist partiak, ose vullnetar i llojit patronazhist; ndonjë tjetër mendon se, duke folur pa pushim për çështje të politikës, mund të pëlqehet nga dikush a t’i shërbejë karrierës së vet.
Ka pastaj të tjerë që e kalojnë vërtet kohën duke ndjekur – pa nevojë – debatet politike në televizion e në portalet; dhe ashtu nuk u mbetet më vend në intelekt për tema të tjera. Këta do t’i quaja viktima të interesave politike të pushtetit; jo sepse e vrasin mendjen për konfliktet e ditës, por sepse e bëjnë këtë ashtu siç ua diktojnë mediat.
Një gjë që ndodh rregullisht në Facebook-un tim është kjo: ndodh diçka, një ngjarje, një aksident, një arrestim, një vrasje a një vetëvrasje, gabimi fatal i një mjeku, një ndërhyrje e politikës në jetën publike – dhe befas ndizet në statuset një zjarr i pakontrollueshëm, ku të gjithë denoncojnë, demaskojnë kërkojnë drejtësi. Italianët kanë një shprehje për këtë lloj patologjie të komunikimit: piove, governo ladro!
Ngaqë shumë nga këta që flasin unë i njoh, pak a shumë e di edhe se çfarë do të duan të thonë. Qëndrimet e tyre publike jo vetëm i kanë të parashikueshme, por edhe të tilla që t’i shërbejnë riprodhimit të statusit të tyre përballë të tjerëve, jo diskutimit dhe zgjidhjes së ndonjë çështjeje. Energjia që i mban ndezur këto zjarre kashte është zemërata – ajo që në anglishte e quajnë OUTRAGE; po të vësh re, zakonisht është pikërisht ZEMËRATA që i nxit njerëzit të flasin në publik. Është më e pranueshme – për opinionin anonim – që dikush të protestojë i zemëruar për një çështje çfarëdo, për shembull për plehrat në plazh ose trafikun; se të hapë një muhabet për diçka intelektualisht të këndshme, që ushqen kuriozitetin dhe ngacmon imagjinatën.
E kotë të them se kjo që ndodh dëshmon një varfërim të frikshëm të jetës publike; dhe jo vetëm – varfërim edhe të mënyrës si po e konceptojmë jetën publike. Përndryshe si ta shpjegoj pse dikush e ka më kollaj të ngrihet dhe të flasë për Trump-in dhe Putinin, se për një film që ka parë, një libër që i ka pëlqyer, një koncert që ka ndjekur. Këtë e nxitin edhe portalet, të cilat botojnë rregullisht gjepura që i gjejnë në plehrat e tabloidëve amerikanë, duke informuar lexuesin shqiptar për Prince Harry-n dhe Megan Markle dhe një çift që e kapën në flagrancë gjatë një koncerti të Coldplay. Njëlloj siç thuhet për celebritetet, që janë të tilla sepse janë të mirënjohur, edhe për këto tema do të thuhet se kapin kryetitujt sepse i kanë kapur kryetitujt tashmë.
Edhe ai që seriozisht kërkon të angazhohet në muhabete politike në publik nuk e ka të lehtë; i duhet informacion, dhe këtë informacion nuk ka nga ta marrë tjetër, përveçse nga mediat. Por mediat nuk e japin informacionin në vijueshmëri – duke i ndjekur ngjarjet dita-ditës, në pasojat e tyre; sepse mediave u intereson vetëm reaksioni i çastit, ndaj një skandali ose ngjarjeje tronditëse; dhe zemërata pasuese; mediat USHQEHEN me humorin e keq të konsumatorëve të tyre. Madje, me pretekstin se po informojnë, mediat japin opinion; aq sa mund të dëgjosh një orë lajme në TV, dhe të marrësh vesh se të gjithë janë indinjuar keq, por pa e marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe për çfarë po reagojnë. Lajmi përpiqet të ta tërheqë vëmendjen nga sfondi, por komenti nuk e lëshon mikrofonin. Prandaj edhe, sikur të mos mjaftonte monotonia dhe mërzia e muhabeteve politike, kemi edhe disforinë, ose humorin e zi që i shoqëron këto muhabete. Po t’i lexosh ca statuse, të dhimbsen keq autorët e tyre – të duket sikur po bëjnë një jetë qeni, teksa nuk po gjejnë derman nga shqetësimet e njëpasnjëshme e mbase as gjumi nuk i zë kurrë.
Natyrisht nuk është kështu. Nuk më duket se ka ndonjë lidhje mes humorit të keq, negativitetit dhe zymtësisë që përcjellin statuset dhe jetës reale që bëjnë autorët e tyre; njerëz normalë, me halle dhe gëzime normale, që përpiqen të ndërtojnë një jetë sa më të mirë për veten dhe familjarët e tyre, teksa angazhohen – kur munden – edhe për të mirën e përbashkët. Këta autorë statusesh me siguri shohin filma dhe lexojnë libra dhe dëgjojnë muzikë dhe shëtitin në pyll a në mal dhe venë në kishë, në xhami ose në kazino – por nuk e shohin të udhës të flasin për këto gjëra: mbase janë të bindur se vetëm duke përcjellë zymtësi do të lënë mbresë si qytetarë të mirë. Më qesharakët, në këto muhabete, janë bashkatdhetarët që nuk jetojnë fare në Shqipëri – vëllezërit e ngeshëm nga diaspora, ata që i kanë përgjigjet edhe për pyetje që ende nuk janë bërë…
Prandaj kam përshtypjen se këtë mërzi, këtë shkreti, këtë zbehje kaq ekstreme të interesit publik në njerëz që unë i njoh dhe i vlerësoj, po e shkakton një përçudnim madhor në mënyrën si po e përfytyrojmë angazhimin qytetar – dhe pikërisht, si interesim për gjepurat politike që na shërbejnë mediat; dhe që nuk kanë të bëjnë, në përgjithësi, as me politikën e mirëfilltë, as me problemet politike me të cilat përballet klasa politike – edhe në pushtet edhe në opozitë; por e shumta me politikën e kuadrit… Mediat i kanë madje sendërtuar politikanët në diçka mes kreshnikëve të Eposit dhe figurave komike, prej teatri kukullash; në mënyrë të tillë që çdo muhabet politik, edhe në mediat edhe në rrjetet edhe mes miqve, të degradojë sakaq në folklor. Ky folklor i ka edhe rapsodët e vet, tek “të rregulltit” e emisioneve të mbrëmjes, të cilët tani ndërrojnë vetëm xhaketat, por jo muhabetet që bëjnë.
Nuk do të kishte asgjë të keqe, sikur interesi publik për politikën t’i mbyste interesat e tjera; por shoh shumëçka për t’u shqetësuar, kur njerëzit po besojnë – sinqerisht – se vetëm kështu mund të bëhen relevantë për jetën publike. Për mua, përkundrazi, ky lloj angazhimi, nga një zemëratë në tjetrën, nga një indinjatë në tjetrën, është mënyra më e mirë sot për sot për të luajtur lojën e atyre që kanë në dorë edhe gurin edhe arrën; dhe për të mbetur irrelevantë ndaj çështjes publike.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Shumë dakort me këndvështrimin!
Mendoj se nga ana tjetër bota dhe e ardhmja kurrë nuk kanë qenë më të paqartë se sot. Marrdhëniet shoqërore dhe politika nuk kanë formula të gjithëpranuara zgjidhjeje dhe nuk janë shkenca ekzakte, por kanë forcën deri të shkatërrojnë edhe evidencën e dijeve shkencore dhe të kthejnë njerëzimin dhe mirëqenien mbrapa, pse jo.
Mjetet mediatike në përdorim të çdo sharlatani dhe mediokri në ditët e sotme kanë mundësuar më tej një sistem të zhvlerësimit apo të zhdukjes së vlerave, e cila rrit pasigurinë dhe përafron skenarë të zymtë të të ardhmes.
Politika është dritarja që njohim me të cilën vizatojmë të ardhmen dhe çdo kontribut është i vlefshëm, nëse mediokriteti bëhet dominant kjo është e pamundur të ndalet. Të mbeturit irrelevant e intelektualëve të vërtetë mendoj se ndihmon rritjen e dominancës mediokre dhe përshpejton skenarët më negativë. Gjetja e zgjidhjeve është detyrë parësore e intelektualëve.
Mendoj se bota është në kërkim të një sistemi dhe zgjidhje të modelit të pushtetit dhe kjo është një nevojë që kërkon zgjidhje të menjëhershme, sa nuk është tepër vonë! (Në Shqipëri ndofta është vonë tashmë!?)
Rritja e dijeve shkencore, kulturës dhe profesionalizmit është e admirueshme, por jo një nevojë immediate se sa ndryshimet politike!
Te merresh me politike do te thote te merresh me problemet qe prekin te gjithe qytetaret. Jo te komentosh cfare thone te tjeret. Kjo eshte militantizem. Nese dikush ngre apo jep mendimin e tij per nje ceshtje qe prek nje komunitet te caktuar apo te gjithe shoqerine, kjo eshte per tu lavderuar. Qytetaret duhet te jene te angazhuar dhe te analizojne, kuptojne jeten dhe problemet. Detyre e politikanave eshte qe te merren ne menyre me ‘profesionale’ me keto probleme etj, etj. Njerzit duhet ta shohin boten me syte e tyre dhe jo nga llogoret e partive.