Agjenti sekret i arkitekturës osmane[1]
Metoda e paimitueshme e Kiel-it
Është bërë e zakonshme të dëgjojmë për gazetarë që vënë veten në rrezik për të dëshmuar krime gjithfarësh. Është më pak e zakonshme të dëgjojmë për studiues që rrezikojnë ngjashëm për kërkime në terren. Arratisjet nga dritaret e hoteleve në orë të vona për të hulumtuar monumente larg vëmendjes së shërbëtorëve të regjimit; shfrytëzimi i hireve të bashkudhëtareve joshëse për të hutuar kalecët e Shtëpive të Pritjeve në këmbim të një kohe të vyer për të skicuar vjedhurazi; zbutja me pije ekzotike e « guidave turistike » shtrënguar pas kravatash sintetike – dhe prapë të mos arrish t’i shpëtosh burgut – janë metoda ndoshta të zakonshme për agjentët e inteligjencës perëndimore në Lindje gjatë Luftës së Ftohtë. E jashtëzakonshme është se të tilla akrobaci qenë të nevojshme për studimin e arkitekturës osmane në Ballkan.
Është vërtet e vështirë të mbivlerësohet cilësia e lartë e studimeve me të cilat Machiel Kiel-i e ka pasuruar studimin e Ballkanit osman për më se pesë dekada, veçanërisht sa i përket trashëgimisë arkitekturore dhe artistike osmane. Për më tepër, pjesa më e madhe e hulumtimeve të tij pioniere u zhvillua gjatë Luftës së Ftohtë, në një kohë kur kufizimet politike e ideologjike shpafajësonin sipërmarrjen e studimeve të cilësdo natyre. Vendosmëria e tij për ta studiuar terrenin e monumenteve osmane në Ballkan, midis andrallash të tjera, i kushtoi edhe një « konvaleshencë » në burgjet e Bullgarisë.
Asgjë, sidoqoftë, nuk e paralajmëronte një të tillë fat të trazuar me republikat popullore ballkanike.
I lindur në fshatin e vogël Wormerveer në provincën e Holandës Veriore më 1938, Kiel-i e zhvilloi mjaft herët shijen për monumentet e gurta falë entuziazmit të mësuesit të tij për arkitekturën. Kureshtja për t’i kundruar nga afër monumentet mesjetare të Holandës veriperëndimore i nxiti dëshirën djaloshare t’i vizitojë ato në imtësi, i armatosur më një anë me këmbënguljen e tij legjendare dhe në tjetrën me biçikletën e tij holandeze.
Takimi i tij i parë me arkitekturën osmane ngjau në Greqi më 1959. Pas përfundimit të restaurimit të një ujësjellësi osman në një fshat pranë Janinës, Kiel-i ndërmori udhëtimin e tij të parë nëpër Jugosllavi. Udhëtimet e tij të përvitshme kërkimore nëpër Ballkan do të nisin, sidoqoftë, vetëm një dekadë më pas.
Mesi i viteve 1970 shënoi një kthesë të beftë në jetën e tij: fillimisht, një aksident pune më 1976 i dha fund karrierës së tij si restaurator. I dëmtuar në shpinë dhe në pamundësi të lëvizë për një periudhë mjaft të gjatë, Kiel-i ia kushtoi gjithë kohën e tij studimeve të arkitekturës islame në Universitetin e Amsterdamit; më pas, këmbëngulja për t’iu dedikuar arkitekturës osmane, e nxiti të hynte në kontakt me figurën më të shquar të kohës në këtë fushë, Ekrem Hakki Ayverdi-n, i cili në atë kohë ishte mbi 70 vjeç dhe thuajse në përfundim të inventarit të tij të monumenteve osmane në Ballkan.
Takimi i tyre ngjau në shtëpinë e Ayverdi-t në lagjen Fatih, e cila asokohe e ruante ende hijeshinë e rëndë të urbanistikës dhe arkitekturës kryeqytetare osmane. Interesat e përbashkëta u vunë re shpejt, me kohë afinitetet u shndërruan në miqësi të vyer. Ayverdi arriti t’ia trajnojë Kiel-it entuziazmin për transkriptimet e epigrafisë osmane në dije të shkathët e të thellë, ndërsa Kiel-i i mundësonte mjeshtrit të tij njohuri mbi terrenin dhe gjuhët ballkanike sllave, dije të mprehura përmes vëzhgimesh afatgjata në terren. Ndonëse drejtpërdrejtsinë dhe këmbënguljen e tij çarmatosëse Kiel-i ia atribuon natyrës së vet holandeze, retorika e tij e vendosur, konfirmuar gjatë gjithë karrierës së tij në mbrojtje të arkitekturës osmane, u mpreh pamëdyshje në shtëpinë e Fatih-ut në zemër të kryeqytetit perandorak. Kjo duhet të jetë një prej arsyeve pse Kiel-i nuk harronte kurrë të shprehte mirënjohje të thellë ndaj Altmeister-it për disa prej njohurive të tij më të holla në fushë transmetuar gjatë orësh të panumërta bisedash dhe letërkëmbimesh.
Pasi botoi tezën e doktoraturës mbi « Artin dhe shoqërinë e Bullgarisë në periudhën turke »[2] më 1985, Kiel-i nisi të japë leksione për arkitekturën islame në Universitetin e Utrecht-it, e fill më pas në Paris, Mynih, Durham dhe Harvard. Megjithatë, do të ishte botimi i « Arkitekturës osmane në Ballkan »[3] dhe ai i « Arkitekturës osmane në Shqipëri »[4] më 1990 çfarë e nxorri qartë në pah « metodën e Kiel-it » : një ndërmarrje thuajse e paimitueshme studimore, kombinim i kërkimit material dhe tekstual në arkitekturë e mbishkrime më një anë, ndërsa në tjetrën kërkime demografike dhe arkivore në regjistrat popullsisë dhe tatimeve, të korrespondencave midis Divanit dhe provincave, të tapive dhe pronësisë, të fondacioneve fetare, të censusit dhe detyrimeve, dhe në librat vjetorë zyrtarë për secilën provincë, metodë të cilën ai shpesh nuk hezitonte ta aplikonte për studimin e një ndërtese të vetme.
Një kombinim i tillë kaq i pazakontë aftësish dhe këmbënguljeje vendosi një standard të paqenë në qasjen ndaj arkitekturës osmane në kontekstin e saj historik, gjithë duke e bërë mjaft të vështirë ndjekjen e gjurmëve të tij.
Hulumtime në terrenin e republikës popullore më të vogël në botë
« Arkitekturën osmane në Shqipëri », veprën ndoshta më madhore të tij, e hasa teksa kryeja hulumtime rreth konaqeve (sarajeve) të ajanëve të mëdhenj të provincave shqiptare osmane. Botuar më 1990, monografia e Kiel-it mbetet studimi i vetëm gjithëpërfshirës i arkitekturës osmane në Shqipëri, punim i pashmangshëm për cilindo studiues të rajonit, e botë çudirash edhe për ndonjë amator të vendosur. Përsëri, më 2012 monografia tij « Arkitektura Osmane në Shqipëri 1385-1912 » ishte krejt e panjohur për lexuesin shqiptar. Një heshtje e gjatë prej thuajse një çerek shekulli është e vështirë të imagjinohet tashmë, dhënë shpërthimin e referimeve që i bëhen veprës së tij në gjuhën shqipe.
Vëmendjen ma tërhoqi veçanërisht konstatimi pothuaj i pabesueshëm se hulumtimet e Kiel-it në Shqipëri ishin zhvilluar gjatë kufizimeve famëkeqe të një kohe kur Shqipëria i ngjante si dy pika uji Koresë së Veriut. Nuk ishte kjo arsyeja pse vendosa ta përkthej në gjuhën shqipe monografinë e që Kiel-i i kishte dedikuar historisë arkitekturore osmane të terrenit shqiptar, por ishte arsyeja pse nisa me të një bisedë në lidhje me kushtet historike në të cilat ai i kishte kryer hulumtimet e tij. Qëllimi ishte që dëshmia e tij historike të dilte në shtyp njëkohëshëm me përkthimin e monografisë së tij, botuar në gjuhën shqipe më 2012 nga botuesi fillestar i monografisë në gjuhën angleze[5]. Gatishmëria e Kiel-it për të më folur për përvojën e tij e shndërroi projektin e përkthimit të tij në një kënaqësi të rrallë njerëzore dhe intelektuale[6].
Pa kurrfarë lejeje zyrtare për të ndërmarrë kërkime, baza e punës së tij në terren u krye gjatë tri vizitave të tij në vend si turist. Mungesa e rublave pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, i shtynte autoritetet t’i shihnin me zili dollarët e turistëve që vërshonin në Greqi dhe Jugosllavi. Për këtë arsye dera e vendit u hap, ndonëse fillimisht për fanatikë maoistë e enveristë, për vizita të organizuara kulturore dhe turistike fabrikash e plazhesh. Kiel-i ishte ndër udhëtarët e parë perëndimorë që hynë në vend[7].
Në qytetet e programit të tij turistik, ndonëse i mbikëqyrur nga shërbëtorët e regjimit, fotografitë e disa ndërtesave historike lejoheshin. Kiel-i mësoi t’i skiconte shpejt planet e tyre arkitekturore. Shqipëria, madje, qe vendi ku ai zhvilloi një teknikë të veçantë për matjen e ngrehinave osmane: ndërsa dy apo tri femra me bukuri mahnitëse të grupit turistik mbanin të zënë me muhabet kravatat sintetike të regjimit, së bashku me një koleg të vjetër të Shërbimit Holandez të Monumenteve Historike, Kiel-i kryente me shpejtësi matjet më thelbësore të monumenteve që vizitonin. Sensi i humorit kthehet në domosdoshmëri në rrethana të tilla absurde.
Vizita e parë e Kiel-it në Republikën Popullore ndodhi gjatë vitit famëkeq 1967, gjashtë muaj pasi regjimi nisi Revolucionin Kulturor vetjak dhe shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist. Në botë! Histeria kundër të gjitha shprehjeve të fesë e shndërroi këtë udhëtim në një përvojë përnjëmend surreale: diku, minare të larta shtrirë në rrugë kryesore bllokonin gjithë qarkullimin ; diku tjetër, fletushka të vogla udhëzimesh informonin njerëzit si të shkulnin minaretë: « lidhni një litar të fortë rreth ballkonit, mblidhni 30-40 burra të fuqishëm dhe filloni ta tërhiqni; lëshojeni litarin, pastaj tërhiqeni prapë, derisa të bjerë ». Mjerisht, Kiel-it nuk iu lejua t’i fotografonte këto fletushka udhëzuese.
Megjithatë, asgjë nuk kish të krahasuar me « vizionin e tmerrshëm të ditës së gjykimit » që ai përjetoi gjatë një aventure të rrezikshme që ndërmori i vetëm për të vizituar një teqe në fshatin Turan në afërsi Korçës. Brendia e tyrbeve pranë teqesë, ku qenë varrosur disa shehlerë bektashinj, ishte zbrazur disa ditë para vizitës së tij. Varret e dervishëve të ndjerë qenë hapur, e trupat zhvendosur; këpucët dhe xhaketat e atyre që ishin varrosur rishtas qenë hedhur sheshit, ndërsa vetë ndërtesat e teqesë qenë shndërruar në fermë pulash. Falë guximit të Kiel-it për ta parë këtë ngjarje u mësua se dervishët bektashinj varroseshin edhe me rroba, « gjë e habitshme », sipas Kiel-it.
Gjatë udhëtimit të tij të dytë më 1978, Kiel-i mësoi se Baronesha van Heemstra, trashëgimtare e një familjeje të vjetër fisnike, bënte pjesë në grupin e tij turistik. Baroneshën e argëtonte me të drejtë teknika e Kiel-it për matjen e ndërtesave të vjetra, dhe nuk ngurroi ta njihte me bashkëshortin e saj, Schelto, Baronin van Heemstra, Ambasadorin e Madhërisë së Saj të Holandës në Beograd, akredituar gjithashtu në Shqipëri, vend të cilin ai e vizitonte dy herë në vit. Ambasadori van Heemstra i bëri Kiel-it një vizitë në Wormerveer, gjatë të cilës Kiel-i i tregoi, përveç historive therëse të kërkimeve në terren, skicat dhe vizatimet e tij të ndërtesave historike dhe shqetësimin e tij për saktësinë e tyre.
Van Heemstra mori përsipër të udhëtonte me vizatimet e Kiel-it në një nga vizitat e tij zyrtare në Shqipëri dhe t’i konfirmonte ato pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Natyrisht, sado jostrategjike të kenë qenë, studiuesit shqiptarë u habitën jo pak me planet e monumenteve historike që zotëronte diplomati perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë. Përgjigjja e van Heemstra-s, « Epo, ne diplomatët kemi kanalet tona », mund t’ua ketë shtuar edhe më hutinë, por ambasadori arriti t’i korrigjonte dhe t’ia kthente të gjitha në duar Kiel-it, gjithë duke shmangur ndonjë krizë diplomatike.
Arkitekturë osmane e stilit shqiptar
Kieli nuk e botoi « Arkitekturën Osmane në Shqipëri » përpara se të kthehej sërish në Shqipëri më 1983, vit gjatë të cilit u njoh edhe me kolegët e tij shqiptarë, për të cilët kishte vetëm fjalë të mira. Rezultati i studimit të terrenit shqiptar përmes « metodës së Kiel-it » është një shqyrtim vërtet mbresëlënës i monumenteve fetare dhe ushtarake osmane ndërtuar në shekuj. Shumë syresh i shpëtuan vëmendjes së tij, kryesisht ura, xhami më të vogla dhe teqe monumentale dervishësh nëpër fshatra, qyteza dhe periferi qytetesh, ku udhëtimi për të huajt ishte rreptësisht i ndaluar. Monumente të tjera, disa prej të cilave i përkisnin shembujve më të mirë të arkitekturës klasike osmane për nga përmasat, elementët dekorativë dhe muraturës së shkëlqyer nuk i shpëtuan vëmendjes së tij të mprehtë.
Kiel-i arriti ta shohë të hijshmen Xhami të Mirahorit në Korçë, vepër e Iljaz Beut, Kryembikëqyrësi i Stallave Perandorake i Bejazidit II, i cili duke ndërtuar xhaminë dhe tyrbenë e tij në vendlindje më 1495 shënoi aktin themeltar të qytetit të Korçës. Një tjetër monument i shënuar që nuk i shpëtoi vëmendjes së tij ishte edhe Xhamia e Sulltan Sulejmanit në Vlorë, e ndërtuar gjatë fushatës së Korfuzit më 1537 nga më i madhi i arkitektëve osmanë, Sinani. Vëmendjes së tij nuk i shpëtoi as e bukura Xhami e Plumbit në Berat, ndërtuar nga Ahmet Beu, anëtar i familjes së Isa Bej Uzgurit, Bejlerbej i Anadollit, rënë gjatë fushatës hungareze më 1479.
Të pakta qenë ato monumente osmane që i mbijetuan tronditjeve të modernitetit dhe kapërcimit në shekullin XX, me një shifër shqetësuese prej 97% të trashëgimisë së ndërtuar osmane të fshirë tërësisht. Një pjesë e kësaj trashëgimie u prish nga vetë autoritetet osmane si përgjigje ndaj nevojave të modernizimit : Kalaja e Vlorës vepër e mrekullueshme ndërtimore, ngritur gjatë qëndrimit të Sulltan Suljelmanit në Vlorë më 1537, monumenti ushtarak më mbresëlënës që arkitekt Sinani ndërtoi në brigjet e Adriatikut, u shkatërrua më 1903 për të ndërtuar rrugën nga porti në qendër të qytetit.
Të tjera ngrehina u zhdukën për arsye të ngjashme pak para se Zogu I të shpallej Mbret i Shqiptarëve: Sarajet e hijshme të Vlorajve në qendër të qytetit, vendlindja e Ismail Qemal Beut, Ferid Pashës e Eqrem Beut u sheshuan më 1925 së bashku me parkun e tyre të bukur prej 40 000 metrash katrorë, haremin me afreskët e tij florealë dhe selamllëkun monumental[8].
Masakra e vërtetë u orkestrua gjatë viteve të republikës popullore. Qytete të tëra u shpërfytyruan përgjithmonë pa kthim. I tillë qe fati i Kavajës, qytet i osman ndërtuar i gjithi në gur, themeluar më 1561 në afërsi të Durrësit, por mjaftueshëm larg kënetave të tij të pashëndetshme, bukuria të cilit e la pa frymë Evlija Çelebiun më 1690; e fati i Peqinit që bukurinë e tij ia kish falë birit që e lindi, Abdurrahman Pashës, Agai i Jeniçerëve i Mehmetit IV, guvernatori osman i Egjiptit dhe i Bagdadit dhe guvernatori i fundit i Budës, ku dhe humbi jetën gjatë betejës së vitit 1686.
Më 29 korrik 2025, me humbjen e Machiel Kiel-it bota e osmanistikës dhe albanologjisë humbi një studiues të madh. Rrallë studiues i madh iu përkushtua historisë e trashëgimisë së shqiptarëve si ai. Qysh prej më se një dekade, datë kur vepra e tij mbërriti më në fund në duart e lexuesit shqiptar, Machiel Kiel-i i pëshpërit sekujt diçka për rrugën, lagjen e qytetin e vet, duke ia restauruar gur pas guri dijen për të shkuarën.
Me mirënjohje të thellë.
(c) 2025 Holta Vrioni. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë: Machiel Kiel© Fotografi e vitit 1978 Tiranë, Tyrbja e Kapllan Pashës, Toptanasi i parë që u zhvendos nga Kruja në Tiranë rreth vitit 1800.
[1] Ky artikull është një përkthim me përshtatje i origjinalit botuar me rastin e 400-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Holandës dhe Perandorisë Osmane: Holta Vrioni « The Daredevil Scholar, Machiel Kiel », Cornucopia, Issue 47, 2012.
[2] Machiel Kiel, Art and Society of Bulgaria in the Turkish Period: A Sketch of the Economic, Juridical, and Artistic Preconditions of Bulgarian Post-Byzantine Art and Its Place in the Development of the Art of the Christian Balkans, 1360/70-1700: a New Interpretation, Netherlands, 1985
[3] Machiel Kiel, Studies on the Ottoman architecture of the Balkans, Variorum, 1990.
[4] Machiel Kiel, Ottoman Architecture in Albania, 1385-1912, IRCICA, Istanbul 1990.
[5] Machiel Kiel dhe Holta Vrioni (përk.), Arkitektura Osmane në Shqiperi 1385-1912, Stamboll, IRCICA, 2012.
[6] Biseda është botuar e plotë në gjuhën shqipe: Holta Vrioni, « Arkitektura osmane në Shqipëri: Pasqyrë shkrirjeje qytetërimesh », në Revista Përpjekja N. 34-35, dimër 2015-pranverë 2016, 9-18.
[7] Turizmi i përgjigjej nevojës së dëshpëruar të partisë-shtet për legjitimim dhe valutë në shtete europiane formalisht neutrale, përmes shoqatash miqësore e me programe në dukje kulturore e turistike, hartuar, në fakt, prej fanatikësh maoistë e enveristë. Shih së shpejti në ship: Francesco Zavatti, « Utopia staliniste e Adriatikut: Turistë suedezë në Shqipërinë komuniste” në Revista Përpjekja N. 38-39, Tiranë, dimër-vjeshtë 2025.
[8] Holta Vrioni, « Saraje, dyer e oxhaqe: Gjuha arkitekturore e shprehjes së pushtetit », Revista Përpjekja N. 34-35, dimër 2015-pranverë 2016, 36.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.