Projekti i Vlorës, ideologjia ‘anëdetëses’, dhe xhentrifikimi i bregdetit
Projekti i parë në urbanistikë dhe arkitekturë në fillim të mandatit të Ramës ishte ‘shëtitorja’ gjatë detit në Vlorë, e cila ishte pjesë e një sezoni konkursesh publike që e vuri realisht territorin Shqiptar në hartën e një fryme të re arkitekturore të studiove të huaja, në një kohë kur vetë profesioni i arkitektëve në Evropë po ristrukturohej pas krizës ekonomike të 2008-ës. Nuk ishte rastësi që shumë prej këtyre zyrave kishin selinë e tyre në Belgjikë, kryeqyteti i institucioneve te BE-së. Xaveer De Geyter Architects (XDGA), fitues i konkursit të Vlorës, 51N4E, Office KGDVS, Dogma, dhe një seri arkitektësh të tjerë si Baukuh apo Piovenefabi, UNLAB, etj., jo detyrimisht nga Belgjika, ishin emrat më të lakuar të konkurseve, që tërhoqën dhe arkitektë të rinj të panjohur të cilët për disa vjet patën një influencë të gjerë mbi gjeneratën e re që studionte arkitekturë ne atë kohë në Evropë. Imazhet e konkurseve të Shqipërisë qarkullonin në internet në faqe si Pinterest, por sidomos në faqen online KoozArch, një platformë rinore mjaft e ndjekur e cila shpërndante një stil të ri imazhesh arkitekture, kryesisht kolazhe digjitale, që përbënin një inovacion të fuqishëm në vitet 2014-2018. Shumica e tyre ishin imazhe të prodhuara nga studiot e reja të cilat, edhe kur nuk ishin fituese të konkurseve, dhanë kontribut në këtë gjuhë dhe teknikë të re, ku gjithsecili mund të imitonte projektet që shihte online. Pjesëmarrësit e konkurseve ofronin shpesh dhe rezultate që u shkisnin nga duart, si për shembull, imazhe kullash apo sheshesh publike të populluara nga valltarë me qeleshe, veshje tradicionale, apo me qilima vendi: sikur në Shqipëri motivi popullor të ishte përditshmëri e të gjithëve.

XDGA, Kolazh digjital nga shëtitorja Vlorës, 2014.
Sidoqoftë, edhe për shkak të kësaj retorike—që tashmë ishte bërë interesante por dhe pa kontroll—arkitektët vendas nuk pranuan asnjëherë përdorimin e këtyre teknikave abstrakte, dhe në universitete studentët shqiptarë edukohen ende me rendera hiper-realistikë, osë fotorealistikë: vlen këtu të përmendet ekspozita Evoked – Architectural Diptychs, mbi banesat ‘informale’ e organizuar në vitin 2016 mbi temën e kolazhit, që vinte përballë një grupim të huajsh që vizatonin me kolazhe digjitale apo me dorë të lirë, dhe një grup arkitektësh shqiptarë. Të parët prodhuan imazhe abstrakte dhe artistike; pala shqiptare ju përgjigj thirrjes në mënyre akademike, me rendera ose me vizatime me përmasa, gati duke reflektuar mentalitetin teknokrat të instituteve të projektimit të dikurshëm. E parë me sytë e sotëm, ajo që në ato vite shihej si qasje boomer, mund të duket si formë rezistencë nga ana e arkitektëve Shqiptarë të cilët refuzonin teknikat ‘perëndimore’ të paraqitjes së projekteve, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të ‘edukuar’ vendasit duke detyruar të huajt të kishin të paktën një partner shqiptar në ekip. Ende sot, kjo dikotomi nuk është zgjidhur, ku vendasit janë bërë edhe më të zotë në prodhimin e imazheve realistike, duke detyruar dhe arkitektët e huaj të kullave tu përshtaten të njëjtës gjuhe e duke prodhuar rendera realistikë. Kjo edhe sepse, në krahasim me vitet e para të konkurseve, sot ka ndryshuar klienti, i cili nuk është më shteti, por investitori privat, i cili ka nevojë të bindet mbi realizueshmërinë dhe realizmin e projektit.
Lançuar nga AKPT dhe Atelier Albania (dy institucione të ngritura posaçërisht për të menaxhuar projektet dhe tenderat e projekteve urbane dhe arkitektonike), që punësonin të rinj të sapo dalë nga bankat e universiteteve, konkurset e para, në vitet 2014-2016, transmetonin një klimë optimizmi, rinore, dhe gati demokratike.
Demokratik ishte dhe koncepti i propozuar në letër nga Xaveer de Geyter në vitin 2014 për projektin e shëtitores së Vlorës: një vijë me pisha e shtrirë në 5 km përgjatë bregdetit e shoqëruar me situata episodike si fusha sportive, parqe të izoluara, pyje pishash tek tuk, dhe plazhe. Për herë të parë, mbase pas projektit të prishjes së kioskave përgjatë Lanës, administrata kërkonte një projekt madhështor, të gjatë 5 kilometra, nga Pylli i Sodës deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë. Propozimi i arkitektit në pamje të parë ishte jo dhe aq invazive, një vijë e thjeshtë e cila do të ‘vinte rregull’ mes ndërtimeve ekzistuese, duke formuar një ballore ndërtimesh të mirëfilltë të vazhduar përpara detit. Dalja në det e shëtitores së vazhduar është e mundur nëpërmjet shkallareve, duke risjellë kështu një traditë të arkitektëve të socializmit në projektimin e shkallëve publike, shesheve dhe podiumeve: Sheshi i Flamurit mbetet një referencë më se e përkryer e kësaj tradite. Në këtë mënyrë i vihej rregull edhe ndërtimeve dhe situatës kaotike të qytetit të zhvilluar pas viteve 1997-2000, pavarësisht se kjo ndërhyrje implikonte prishje në shkallë të gjerë dhe shpronësime të objekteve të cilat i zinin rrugën projektit. Në fjalë të tjera, si koncept, duke vepruar kështu, arkitekti ka shansin të propozojë një projekt gjigand (5 km infrastrukturë në këtë rast) dhe kjo shërben si rregullues urban edhe kur forma urbane e qytetit është prodhuar si pasojë e informalitetit. Shërben gjithashtu dhe si orientues morfologjik i zhvillimeve të së ardhmes. Kjo dëshmon se ka ende hapësirë që arkitektura në vetvete, falë një gjesti të vetëm, mund të ndreq problemet e një qyteti pa formë. Ana tjetër e medaljes është se, si pronë publike (pra, si gati pronë ‘private’ e shtetit, sipas etimologjisë së termit antik res publica), legjitimon shtetin të ndërhyjë si pronar i saj e të vendosë mënyrat dhe rregullat e përdorimit të hapësirës.
Por mos harrojmë që jemi në Shqipëri, dhe shpejt projekti do të komprometohej nga mentaliteti vendas sipërmarrës dhe marketingu i administratës dhe bashkëpunëtorëve të kryeministrit. Termi Waterfront, i kthyer në neologjizmin Lungomare, u përshtat nga ideologët e pushtetit në fjalën Anëdetëse. Një fushatë e fuqishme u ndërmor nga këta ideologë për të promovuar projektin si diçka që ‘i përkonte qytetit’ gati natyrshëm, duke injoruar faktin se asnjë nga qytetet Shqiptare bregdetare, as në kohën e planeve të Italisë, nga Durrësi deri tek Porto Edda (Saranda sotme), nuk e pati asnjëherë traditën e shëtitores gjatë detit. Në një farë mënyre, në kontekstin shqiptar, lungomarja, e shqipëruar si anëdetëse nga intelektualët dhe kritikët-miq të kryeministrisë, është një projekt kolonial i mirëfilltë. Në fjalë të tjera, shpikja e një fjale poetike si termi ‘anëdetëse’, harmonizonte konfliktet dhe përleshjet që qëndronin pas këtyre projekteve. Por në sytë e ideologëve, anëdetësja duhet të shitej si pjesë e trashëgimisë së re, për t’ia përshtatur agjendës së industrisë së turizmit, që në vitet 2014-2019 ishte vetëm në fillimet e veta.
Krijimi i kësaj ideologjie artificiale, të anëdetëses, pati efekt të menjëhershëm, duke i aplikuar shpejt të njëjtin sistem edhe Durrësit, dhe sidomos përtej Vlorës, drejt Jugut, në Himarë, Qeparo, Sarandë, me po të njëjtën logjikë. Himara ishte rasti më emblematik i ripërsëritjes së projektit të XDGA. Nisur si një konkurs për ‘rivitalizimin’—një tjetër neologjizëm i shpikur gjatë kësaj periudhe në linjë me mentalitetin e xhentrifikimit të bregdetit—e shtigjeve natyrore në kodrinat përgjatë plazheve kryesore të jugut, studio belge e arkitekturës së peizazhit Bureau Bas Smets, u detyrua ta kthejë projektin fillestar në një projekt krejt të ri për lungomaren e Himarës. Qeveria kuptoi se ishte më urgjente dhe më fitimprurëse—pasi vëzhgoi efektet e ngritjes së vlerës së truallit me lotin e parë të lungomares së Vlorës—përsëritja e po së njëjtës strategjie në Himarë, qendra më e rëndësishme në territorin e bregdetit mes Vlorës dhe Sarandës.
Në bashkëpunim me palën Shqiptare, studioja e arkitektit belg të peizazhit Bas Smets (ndër të tjera, arkitekti që sapo ka realizuar sheshin përpara katedrales së Notre Dame pas restaurimit pas zjarrit në Paris), propozonte një rrjet koordinativ abstrakt të shtruar kudo në mënyrë uniforme në zonën e plazhit të qytetit. Bëhet fjalë për një shtrim betoni të vizatuar si një mozaik kuadratik me përzierje materialesh, një sipërfaqe gati neutrale betoni, dhe një seri vijash paralele pishash të reja, njësoj si në projektin e XDGA-së në Vlorë. Përdorimi i pishave, frymëzuar nga pyjet mesdhetare me pisha, tipike të Mesdheut verior—në italisht e njohur me termin pineta, ose pyll me pisha—duket se është karakteristika kryesore e këtyre lungomareve, nga Vlora në Sarandë. Një ironi gati perverse, po të kujtojmë faktin së në Durrës dhe Golem, ashtu si dhe në Gjirin e Lalëzit, ku këto pyje pishash natyrore po zhduken nga ndërhyrjet spekulative të industrisë së turizmit dhe të pronësimeve të oligarkisë, arkitektët e huaj duan ti kthejnë artificialisht në formë sporadike dhe si imazh kujtese. Më tepër se sa naivitet, ndërhyrja e tyre projektuese kërkon të komunikojë se: ‘po të pranojmë se urbanizmi është fakt i kryer në bregdet, vetëm duke vënë disa pisha aty këtu, mund ta bëjmë këtë urbanizim harmonik: ideologjia natyrës puqet kështu me ideologjinë e betonit.” Retorika e arkitektëve është në linjë të përsosur me ideologët e administratës lokale dhe qendrore, të cilët në ato vitet përpiqeshin të legjitimonin punët qeverisëse, si pjesë e një ndërhyrjeje që duhej bërë patjetër, me doemos. Nëse historikisht, ashtu si në Lalëz, dhe në Golem, një infrastrukturë kaq e gjatë përgjatë bregut ishte gati natyrale, dhe e përbërë nga pyje pishash dhe pemësh, për burokratët, anëdetësja presupozonte se bregu duhej parë si një vijë e vazhduar betoni, pse jo nga Velipoja, Shëngjini, deri në Sarandë e Ksamil.
Mos harrojmë se këta ideologë janë shpesh me profesion gjuhëtarë, përkthyes, arkitektë, ose ekspertë trashëgimie: të gjithë ranë dakord se projekti Vlorës ishte një sistem që i duhej aplikuar gjithë territorit. Fundja aty ku niset me 5 km, mund të përfshijë fare mirë të gjithë treqind kilometrat e bregut kombëtar.
Një projekt i tillë nuk duhet të habisë, pasi gjithë këto strategji ishin pjesë e manifestit dhe planeve urbanistike të lançuara nga AKPT dhe Atelier Albania, që në vitet e tyre të themelimit, kur parashikonin një urbanizim intensiv të bregut.
3.
Në fakt, po të kishte qenë realisht e realizuar, një lungomare prej 300 km përgjatë gjithë Adriatikut dhe Jonit do kishte qenë një projekt më se demokratik, duke e bërë bregun e aksesueshëm për të gjithë, diçka që as shteti social i Komunizmit nuk arriti të bënte kur urbanizoi bregun me bunkerë mbrojtës. Pas realizimit të këtyre projekteve, strategëve të Ramës u mungonte diçka themelore, që i duhej mekanizmit të industrisë së turizmit që të vihej në punë plotësisht. Siç dhe e ka theksuar së fundmi artikulli “Sold to the Trump family: one of the last undeveloped islands in the Mediterranean” i gazetës The Guardian, sipas Ministres së Turizmit, Shqipëria nuk e përballon dot një turizëm mase, ose çfarë njihet ndryshe si turizëm low cost, prandaj duhet investuar në një strategji më afat-gjatë për të implementuar një turizëm luksi dhe elitar. Dhënia e ishullit të Sazanit, nën një indiferencë kolektive të paparë ndonjëherë, dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, dhe kompanisë së tij Affinity Partners, është sipas Ministres dhe sipas mediave që janë marrë me këtë aferë, nga the Guardian tek Jacobin, etj., pjesë e strategjisë së qeverisë për ta ngritur turizmin e Jugut veçanërisht (aty ku, për momentin, deti është më i pastër dhe i bukur) në një nivel më të lartë, ekskluziv.
Nuk është për tu habitur kur thuhet nga politikanët se kjo politikë, sipas kësaj strategjie zhvillimi, duhet ti sjellë mirëqenie në teori qytetit të Vlorës. Por duket se vizioni që po i jepet Vlorës është i njëjtë me atë të Tiranës, ku prezenca e poleve atraktive (në Tiranë parqet orbitale të së ardhmes, ose Sheshi Skënderbej, ndërsa, në Vlorë, Sazani i Trumpit), sjell ndërtimin e kullave. Do të thotë se, akoma dhe më mirë se anëdetësja, është Sazani i ri ai i cili do ti rrisë vlerën truallit dhe mbase edhe vetë ujit. Nuk është dhe aq rastësi që dolën si kërpudhat online dhe kullat e para ikonike në bregdet, të propozuara nga projekte si ato të studios Oppenheim Architecture, një zyrë arkitekture amerikane e pranishme edhe në festivalin Bukë dhe Zëmër, e cila imagjinon anëdetësen e Vlorës si një infrastrukturë në shërbim të kësaj ideje të re të qytetit. Projekte si Vlore Beach Urban Development, shprehin atë lloj oportunizmi, tipik të zyrave të arkitekturës corporate amerikane, që kombinojnë disa stile e gjuhë për të marrë konsensus qytetar dhe financiar: kullat e amerikanëve përfshijnë si sallatë mikse stilet e Valerio Olgiati-t (beton i kuq dhe dritare me vela betoni), Ricardo Bofill (edhe aty dominon e kuqja), dhe gjuhën post-moderne të 51N4E (xhentrifikuesit e Tiranës), zyra këto që tashmë janë bërë pjesë e ‘trashëgimisë’ së kryeqytetit. Pra ndërsa Tirana këta i ka përtypur, për Vlorën është gjë krejt e re.
Shitja e Sazanit në këto rrethana nuk është një episod i përkohshëm i ndonjë megalomanie të momentit, por është pjesë e një strategjie dhe plani ekonomik neoliberal që Shqipëria po e ndjek në formë servilosjeje ndaj investitorëve potencialë dhe shtetarëve të huaj. Në fjalë të tjera, projekti i Sazanit nis me lungomaren. Kur lungomarja u nis nuk ishte ende mëkat kapital, por u bë e tillë kur pas saj pasuan një seri ndërhyrjesh të tjera territoriale të orientuara nga kapitali i huaj, që përfshinin : a) ndërtimin e aeroportit të Vlorës, i cili do të ofrojë fluturime direkt me SHBA-në, gjë që përbën një shtysë themelore për Affinity Partner për të investuar në Sazan; b) ‘restaurimi’, ose më saktë krijimi ex novo, i një qendre historike në Vlorë për të mos e lënë krejtësisht territorin e qytetit jashtë skemave të xhentrifikimit; c) hapja e tunelit të Llogarasë i cili lidh Gjirin e Vlorës me Jugun, që gradualisht po shndërron Dhërmiun dhe fshatrat e tjerë në komplekse luksi, për pak njerëz; d) ndërtimi i rrugës së re të Vlorës (bypass-i) e cila heq bezdinë e trafikut nga lungomarja, duke e bërë të gjithë Gjirin e Vlorës joshës për investime dhe qira të larta; e) më në jug, restaurimi i fshatrave Vuno e Dhërmi si destinacione turistike, dhe ndërtimi njëkohësisht i lungomareve të tjera të Jugut.
Mes aspiratave të qeverisë në mandatin e parë, dhe konkretizimeve të sotme, duket se gjithë këto projekte nuk paskan qenë kaq të pafajshme, dhe i gjithë sistemi, së bashku me Sazanin, e kthen Vlorën në një portë hyrëse vetëm për një klasë të lartë e të limituar njerëzish, duke përjashtuar klasat e mesme dhe të ulëta nga një zonë e territorit të Republikës që deri para disa vitesh, ishte ende e parë si e mirë e përbashkët. Kurrë më parë ndarjet Veri-Jug nuk kanë qenë kaq klasore sa sot.
Gjithsesi, unë mendoj se fundja mendimi alternativ në këto kushte nuk duhet të hedh poshtë realizimin e projekteve me orientim publik a priori. Madje një numër i madh i projekteve të konkurseve të para ishin me natyrë publike dhe mund të çonin fare mirë në drejtim të diçkaje pozitive (si p.sh. Ishulli Osumit, Qyteti Studenti, Lungomare Vlorës dhe e Himarës, etj.): mbase, Edi Hila dhe Adrian Paci do e quanin sot a story of unrealized futures. Jo vetëm kaq, por ndarja e qyteteve mes arkitektëve të caktuar (vendas apo të huaj), të cilët mbikqyrnin projektet e para nga pranë, krijoj për disa vite diçka jo dhe aq të largët nga koha e shtetit social të Gjermanisë së Republikës së Weimar-it, ku bashkitë kishin arkitektin e qytetit, një figurë profesionale që dedikohej tërësisht, gati si një murg, qytetit ku operonte: në linjë me idenë protestante gjermane të profesionit si vokacion. Pra, deri në vitet 2016-2018, pak a shumë, qeveria shqiptare kishte përpara vetes mundësinë të merrte dy drejtime: nga njëra anë të shkonte drejt një rilindjeje urbane në të mirë të qyteteve dhe banorëve, sidomos në rrethe (turizmi nuk ishte ende obsesion); nga ana tjetër mund t’i mëshonte xhentrifikimit duke futur në lojë më shumë aktorë privat dhe investitorë. Zgjodhi siç e dijmë rrugën e dytë. Në këtë kontekst, nevojitet që forcat në pushtet të kuptojnë se orientimi neoliberal, e idesë se investimi i pasanikëve do të krijojë mirëqenie për të gjithë, nuk funksionoi, madje po falimenton dita ditës. I vetmi rol që mund të ushtrojë ajo pak popullatë e mbetur në vend është rikthimi i disa idealeve të ndërprera të cilat u mohuan nga një tjetër totalitarizëm në vitet 1990: totalitarizmi i pronës private.
© 2025 Marson Korbi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotoja në kopertinë: Edward Lear: View of the Acroceraunian Mountains (Linguetta) and the Bay of Vlora in southern Albania, ca. 21 October 1848.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.