Filozofia e dy miteve iliro-shqiptare
Në përpjekjen e gjatë për të njohur, shfrytëzuar dhe shndërruar natyrën në të mirë të tij, njeriu krijoi format e para të filozofisë si konceptim përgjithësues i natyrës dhe shoqërisë, lindën arti dhe letërsia gojore si forma imagjinative-estetike të pasqyrimit të botës dhe, më vonë, shkenca si shpjegim racional i sendeve dhe dukurive natyrore.
Mitet mund të jenë forma e parë e filozofisë popullore. Me ato njeriu synonte të shpjegonte në mënyrë spekulative sende dhe dukuri natyrore dhe shoqërore që nuk mund t’i shpjegonte në mënyrë të arsyeshme. Me mitet lindën edhe format e para të besimit njerëzor. Por ato nuk janë thjesht rrëfenja zbavitëse të ngjizura me pak ose aspak material faktik nga jeta e popullit dhe të përpunuara nga fantazia popullore për nevojat e të treguarit artistik. Ato shumë herë mund të pasqyrojnë aspekte të përvojës jetësore dhe mençurisë popullore të grumbulluar dhe transmetuar ndër breza. Të shumtën e herëve ato kanë një funksion shoqëror moralizues, shpjegues ose njohës. Mitet i shërbejnë vendosjes dhe përforcimit të normave morale të shoqërisë dhe si të tilla janë pjesë qendrore e kulturës së një populli. Mitet nuk janë histori, por mund të përmbajnë të vërteta dhe simbole historike.
Mitologjia e shoqërive politeiste të Evropës së lashtë ishte produkt i asaj shoqërie dhe, vetëkuptohet se mbështeste normat morale të demokracive ushtarake, që ishin forma mbizotëruese e rendit shoqëror të popujve të Evropës në Lashtësi. Vetë politeizmi evropian i lashtësisë ishte produkt i asaj shoqërie të demokracisë ushtarake e, siç është thënë, edhe panteoni i këtyre popujve ishte pasqyrim në qiell i rendit shoqëror të demokracive ushtarake në të cilat edhe mbreti, në dallim nga sunduesit absolutë të mbretërive të lindjes së afërme e të mesme, ishte vetëm një primum inter pares (një i parë midis të barabartëve).
Mitologjitë e lashta të popujve indoevropianë që ende nuk kishin shkruar gjuhët e tyre, gradualisht humbën në pjesën më të madhe. Këtë fat pati jo vetëm mitologjia ilire por, në shkallë të ndryshme, dhe ato të keltëve e të sllavëve. Shpëtuan vetëm mitologjitë e grekëve të lashtë, romakëve, indianëve, shumerëve, iranianëve e, në një shkallë të konsiderueshme, edhe ajo e armenëve, të cilët i kishin shkruar gjuhët e tyre, para se të pushtoheshin nga fuqi të huaja dhe para se të kalonin në besimin monoteist. Kështu, p.sh., është ruajtur shumë mirë mitologjia nordike sepse skandinavët përqafuan monoteizmin vonë, pasi i kishin shkruar gjuhët e tyre, midis shekujve IX-XII.
Duke shfrytëzuar të dhënat mbishkrimore nga rajone të ndryshme të Ilirisë, burimet historike të lashtësisë dhe ato mesjetare, si dhe mitologjinë e folklorin shqiptar, 11 vjet më parë botova librin Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire, në të cilin bëra një përpjekje modeste për të rikonstruktuar panteonin ilir, tërësinë e perëndive dhe mitologjemave kryesore ilire1. Aty përmendja edhe dy mite shqiptare, Krijimi i ujkut (Erschaffung des Wolfes) dhe Djalli i lidhur (Der gefesselte Teufel), që albanologu i mirënjohur gjerman Johann Georg von Hahn (1811-1869), konsulli i Austro-Hungarisë te Ali Pashë Tepelena, i mblodhi nga mesi i shekullit XIX në fshatrat e Elbasanit dhe i botoi përkatësisht në kryeveprën e tij Studime Shqiptare2 në 1854 dhe 10 vjet më vonë në përmbledhjen Përralla Greke dhe Shqiptare II3.
Miti i parë, Krijimi i Ujkut, në thelb, tregon se kur Zoti krijoi çiftin e parë të njerëzve, kishte pranë edhe Djallin, që pretendonte se ishte krijues. Zoti i kërkoi Djallit të provonte se ç’dinte të krijonte. Djalli mori miell dhe bëri brumë me të cilin stisi modelin e një ujku dhe e poqi për të qëndruar më këmbë.
– Kjo që stise ti, nuk është krijim – i tha Zoti dhe shtoi:
– Po të jesh vërtet krijues, duhet të dish edhe t’i japësh jetë.
Kur Djalli iu përgjigj se këtë nuk mund ta bënte, Zoti mori një shkop, goditi me të ujkun prej brumi, e ktheu në ujk të gjallë dhe e urdhëroi:
– Tani, o ujk, haje atë që nuk mundi të të jepte jetë!
Dhe kështu, ujku e hëngri Djallin dhe shpëtoi botën prej tij.
Prania e Djallit në procesin e krijimit të botës, dëshmon qartë prejardhjen politeiste të këtij miti që po e quajmë iliro-shqiptar. Këtë mit von Hahn-i e gjente të ngjashëm me një përrallë gjermane të vëllezërve Grimm në të cilën po kështu, Zoti grindej me djallin për punë të krijimit, me ndryshimin se në përrallën gjermane ujku nuk ha djallin por vetëm krijesat e tij, dhitë.
Miti i dytë iliro-shqiptar është një mit hibrid politeisto-monoteist që tregon se djallin e kishin lidhur perënditë (të vihet re shumësi perënditë) me një zinxhir të stërmadh, të cilin ai e bren gjatë gjithë kohës duke e holluar sa dukej se do të këputej, por në mëngjesin e së dielës së Pashkës, vinte shpëtimtari (të vihet re shpëtimtari!), që e lidhte me një zinxhir të ri. Edhe në këtë mit von Hahn-i gjeti ngjashmëri me mitin nordik të lidhjes me zinxhirë në një shkëmb nga perënditë të ujkut gjigand Fenrir, të birin e perëndisë Loki dhe gjigandes Angrboða, duke i mbushur mendjen se ai ishte aq i fortë sa ta këpuste atë zinxhir.
Prejardhja e stërlashtë indoevropiane e këtij miti hibrid poli-monoteist, iliro-shqiptar provohet, ndër të tjera edhe nga fakti se mitologjema e lidhjes së Ujkut mbinatyror me zinxhirë nga perënditë ka qenë mjaft e përhapur jo vetëm në mitologjinë ilire dhe atë nordike por edhe në panteone të tjera indoevropiane. Nderimi i ujkut ndër popujt indoevropianë është pasqyruar edhe në përdorimin deri në kohën tonë të emrit të tij si emër njeriu, si p.sh., Uk/ujk ndër shqiptarët, Wolf – ndër popujt gjermanikë, Vuk – ndër sllavët e jugut etj., të gjitha dalë nga rrënja e rindërtuar protoindoeuropiane *wlkwo- ujk. Ndër ilirët ujku ka qënë kafsha totem e fisit të ulkiniatëve (olciniates) dhe emri që i vunë kryeqendrës së fisit, Ulkin (Ulcin), lidhet po ashtu, nga emri ujk (dhe formën ulk që ruhet ende sot në skajin jugor të Shqipërisë, Gjirokastër, Çamëri, arvanitët e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë).
Këto dy mite shqiptare e kanë burimin në mitologjinë ilire, siç duket nga pjesëmarrja e djallit në krijimin e botës dhe e disa perëndive në lidhjen e Ujkut mbinatyror, por fakti që në mit bëhet fjalë për një Zot të vetëm që në fund eliminon se mban të lidhur djallin, tregon se miti është modifikuar me përhapjen e monoteizmit ndër arbrit. Logjika na thotë se ky mit, në formën hibride politeisto-monoteiste që e ka gjetur von Hahn-i thuajse dy shekuj më parë është një modifikim i mitit burimor ilir për të shmangur fajin e Zotit monoteist ose për të mos e nxjerrë atë si shkaktar të së keqes që ekziston në botë.
Duke jetuar në një botë të madhe e të ndërlikuar, ku shfaqet jo vetëm e mira por edhe e keqja në formën e krimit, luftërave, vdekjes së foshnjave të pafajshme, të ligës në përgjithësi, njeriu në të gjitha epokat ka vrarë mendjen të gjejë përse ndodhë kështu në botën tonë. Dhe shpjegimet mitologjike, fetare dhe racionale filozofike nuk kanë munguar. Kështu, në mitologjinë e lashtë indiane, perëndia krijuese, Brahma, është njëkohësisht burimi i së mirës dhe i së keqes; për filozofinë dualiste zoroastriane të iranianëve e mira e kësaj bote vjen nga perëndia Ahura Mazda kurse e keqja – nga Angra Mainyu. Në mitologjinë greke e liga buron nga hakmarrja e Zeusit ndaj Prometeut, i cili u dha njerëzve zjarrin që mori nga perënditë e Olimpit.
Për monoteizmin e krishterë, të këqijat e botës sonë burojnë nga fakti që njeriu është i pajisur me vullnet të lirë (Freie Wille, free will) dhe nga degjenerimi i njerëzimit. Islami gjithashtu e gjen burimin te vullneti i lirë njerëzor, duke e kapërcyer vështirësinë e shpjegimit logjik me besimin se, në fund të fundit, e mira do të ngadhënjejë mbi të keqen, kurse Judaizmi e shpjegon me kufizimet e brendshme të botës materiale në të cilën bën pjesë edhe njeriu.
Miti ynë iliro-shqiptar mundohet ta ‘shmangë’ këtë kontradiktë të pandreqshme logjike të pranisë të së keqes në një botë të krijuar dhe drejtuar nga një Zot i mirë, i gjithëfuqishëm e i kudondodhur, duke parashtruar këtë shpjegim ‘racional’ të shkakut të krimit dhe padrejtësisë në shoqërinë njerëzore: Djalli u zhduk por krijesa e tij, Ujku mbinatyror, si burim i së ligës në përgjithësi, mbijetoi.
(c) 2025 Nelson Çabej. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Referimet
Çabej, N.R. 2014. Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire. Fan Noli, Tiranë.
von Hahn, J.G. 1854. Albanesische Studien. F. Mauko, Jena, f. 165.
von Hahn, J.G. 1864. Griechische und Albanesische Märchen II. W. Engelman, Leipzig, f. 144-146.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Shprehja” Mitologjitë e lashta të popujve indoevropianë që ende nuk kishin shkruar gjuhët e tyre, gradualisht humbën në pjesën më të madhe. Këtë fat pati jo vetëm mitologjia ilire por, në shkallë të ndryshme, dhe ato të keltëve e të sllavëve. Shpëtuan vetëm mitologjitë e grekëve të lashtë, romakëve, indianëve, shumerëve, iranianëve e, në një shkallë të konsiderueshme, edhe ajo e armenëve, ….” është tezë e vjetër jashtë arritjeve bashkohore, botuar edhe te Science! Arritjet më të fundit thonë se shqipja është gati 2000 vjet më e vjetër se armenishtja, prej së cilës 5 shekuj më pas lindi greqishtja. Këto arritje nënkuptojnë se nuk ka pasur ilirishte, dore, trakishte, fenikase, etruskishte, vetëm shqipe. Duke konsideruar përkufizimin e Diodorit të Sicilisë se pellazgët e krijuan shkrimin duhet të pranojmë se lidhja pellazgo-shqipe është mjaftë e qëndrueshme. Termi pellazge mund të përdoret vetëm për të personifikuar lashtësinë e gjuhës shqipe. Bie në këtë perceptim teza se shqipja vjen nga ilirishtja apo trakishtja. Lexoni në librin tim “Shkronjat, shëmbëllime të figurinave pellazge” disa transkriptime në shqipen e sotme të shkrimeve të vjetra etrusk, trakas (shek. 7p.e.r.), nga Azia e vogël edhe Mesdheu. Lexoni në faqen time në FB se në shek. e 6 p.e.r. në një qendër pranë Korithit mësohej kushtorja e foles shqipe “Po të ksedhanë” (gjirokastriçe).
Nelson R. Cabej
I falemnderit pleasantf19064e1e2 per komentin kritik te shkrimit tim. Une mund ta besoj se mund te kem mbetur “jashte arritjeve bashkekohore” ne kete kohe te botimit cdo vit te miliona artikujve shkencore.
Do t’i isha shume mirenjohes komentuesit ne qofte se do te me ndihmonte te perditesohesha me “arritjet bashkekohore” duke me treguar se:
Ku mund ta gjej ne Science zbulimin e madh “se shqipja është gati 2000 vjet më e vjetër se armenishtja, prej së cilës 5 shekuj më pas lindi greqishtja”.
Ne qofte se eshte fjala per dy studime gjenetike per prejardhen e popujve te Evropes, qe jane botuar ne Science ne vitet 2014 dhe 2017, ato nuk kane te bejne me gjuhen shqipe dhe as me gjuhesine ne pergjithesi.
Pa dyshuar ne seriozitetin e komentuesit pres te shoh kete informacion prej tij.
Une kerkova ne Google dhe nuk gjeta asnje liber me titullin “Shkronjat, shëmbëllime të figurinave pellazge”.
Ne qofte se ky liber gjendet vetem ne FB, dihet se FB eshte forum per komente te lira e te paverifikuara, por jo per te botuar ndonje zbulim personal si ai qe thote komentuesi “se në shek. e 6 p.e.r. në një qendër pranë Korithit mësohej kushtorja e foles shqipe “Po të ksedhanë” (gjirokastriçe)”. Per kete qellim jane te rekomandueshme VETEM revistat shkencore ku zbulimet i nenshtrohen recensioneve dhe vleresimeve nga specialistet e fushave perkatese.
Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages
Paul Heggarty et al.
Për shpërndarjen e librit keni të drejtë. Librin e kam shpërndarë me kërkesë, e kanë edhe disa nga kolegët e mi të fizika 65. Libri gjendet në bibliotekë. Gjithësesi nëse më dërgoni një adresë e-mail me kënaqësi po e përcjell! Edhe vrejtjet tuaja janë të drejta që përfundimet e mia duhet të miratohen. Akademia e Shqipërisë nuk dëshiron të hap dyert për të rejat, siç nuk do të njohë kontributin e studiuesve të naftës shkencën shqiptare.
Komentuesi me pseudon e kendshme nuk e ka zakon te sjelle argumenta, mjaftohet me deklarata. Po te shkoni tek Fb e tij keni per te mesuar fort gjera te “kendshme”…
Faleminderit që më lexoni!
Ju lutem. Po ta dije cfare sakrifice eshte….