Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

PEIZAZHE BETONI

Shekulli XXI që me vete solli revolucionin teknologjik përbrenda paradigmës digjitale të tekno-shoqërisë, ka krijuar stimujt e një transformimi me trajtat e shpërpjesëtimit social radikal, i quajtur apriori progresiv. Pasazhi i Dževad Karahasan-it për hotelin “Evropa” si qendër e dikurshme semantike e Sarajevës është karakteristik dhe në analogji me shfytyrimin urban që ndodh për ditë në kohën tonë, veçse tani jo nga artileria serbe e cila shkatërronte ç’t’i dilte përpara nëpër qytetet ballkanase, por nga ndërtimet e egra, pa plan, kokë e këmbë konjukturale, në sinkron me përfitimet meskine kapitaliste përbrenda konkurrencës së padrejtë ndaj së cilës sot zhvillohet lufta. Siç tregon Karahasan-i, në hotelin “Evropa” pikëtakoheshin epokat – ajo austro-hungareze perëndimore dhe ajo turke-orientale. Hoteli “Evropa” midis mesdhetares dhe orientales e ravijëzonte identitetin multikulturor sarajevas. Një miksim motivesh e stilesh që gërshetoheshin te kjo godinë në qendër të qytetit si hapësirë pluraliste, me dekoret që donin t’i ngjasojnë artit perëndimor. Karahasan-i tutje thotë se nuk mund të flitej për shpirtin sarajevas pa absorbimin estetik të frekuentimit të këtij hoteli dhe restorantit të tij, pa përvojën e zakonit për të shkuar në ambientet e hotelit “Evropa” për ëmbëlsira dhe akullore si etablim i njohjes së qytetit, integrimit dhe rutinës së frekuentimit; ky hotel u dogj më 1992 nga predhat e artilerisë serbe, u vranë dhe disa sarajevas që po përpiqeshin t’i shuanin flakët për ta shpëtuar hotelin emblematik i cili po linte një boshllëk të madh në qytet, po digjej bashkë me kujtimet e shumta të një epoke tashmë të perënduar.

Hoteli “Adriatik” ndër vite, Mitrovicë

Në Mitrovicë ekzistonte hoteli “Adriatik”, i vendosur në qendër të qytetit, ndërtuar më 1928. Ishte ndër hotelet më të famshme në rajon me stilin secesionist Art Nouveau të ndërtimit, planimetrinë unike në formë të shkronjës L dhe materialet tradicionale të ndërtimit. Sikurse objektet tjera përreth, fjala vjen, shtëpia e famshme e Xhafer Devës, edhe ky hotel i është nënshtruar ndër vite trysnisë moderne duke u shfytyruar pa e ofruar dot shërbimin për çfarë është krijuar dikur. Transformime të tilla trandëse diktohen nga shpejtësia marramendëse e jetës, zhvillimet e hovshme sociokulturore, nga rritja e konsumit dhe anarkizmit urbanistik, koniuktural.

Qyteti sot është peizazh globalist, nuk është më intelekt siç thoshte Oswald Spengler-i; zgjerimi i tij është i përshpejtuar dhe gllabërues me ambiciet e pafre ekonomike, nën thundrën e diktaturës së parasë, të cilat kërcënojnë trashëgiminë kulturore dhe komprometojnë cilësinë e jetesës. Ndërtimet bëhen nisur thelbësisht nga interesa të ngushta grupore që nuk udhëhiqen nga vizioni dhe planifikimi racional konkret por përfitimi material dhe etablimi i status-quo-së për qytetin e ri, modern, ndërtuar mbi rrënojat dhe reliktet e një epoke që apriori duhet zëvendësuar, madje jo pa përbuzjen për arkaizmin e saj. Por çfarë shohim sot nëpër qytetet ballkanase nuk është tjetër veçse një panoramë groteske ndërtesash pa plan, rrugë të ngushta, trotuare të zëna, e mungesë gjelbërimi; kjo strukturë kaotike, me investime spekulative, me rrokaqiejt si kurorëzim të progresit formëson qytetin e shekullit tonë ku, si në tablotë ekspresioniste, shpërfaqet hendeku social, korrupsioni, përfitimet nga mafia e ndërtimeve të egra bri lagjeve të varfra të cilat mbulohen prej hijeve të rrokaqiejve dhe lagjeve luksoze që ndërtohen apostafat për personat e rëndësishëm, VIP-ët, shkurt: pseudo-elitën. Ky transformim soji në qytet kitsch, me boom-in ndërtimor, po e rëndon jetesën e njerëzve veç shkatërrimit të vlerave, trashëgimisë kulturore, ngase siç thotë Louis Wirth qyteti po mëton t’i ngjajë një mozaiku botësh e realitetesh sociale, kalimi nëpër të cilat është i ngutshëm;[1] parashikimet për dekadat e ardhshme janë vërtet të frikshme ngase pasojat ekologjike mund të jenë të mëdha. Forca imponuese e tregut, kapitalizmi i egër, po krijojnë pabarazi mes klasave shoqërore përmes urbanizimit të pa planifikuar objektivisht me komunitetet e të kamurve të privilegjuar dhe njerëzve të varfër, në margjina, që sikur jetojnë ndarazi nga pjesa tjetër e qytetit, jashtë mureve. Jetesa qytetare është e brishtë brenda krizës që mund të intensifikohet nga globalizmi neoliberal zulmëmadh i cili, siç shkruajnë Rivke Jaffe dhe Anouk de Koning, kontribuon në rritjen e pabarazive urbane dhe formave të segregacionit nëpër qytete të ndryshme anembanë botës.[2] Ndërtimet e egra, pa plan, gllabërojnë hapësirat e gjelbra që kudo zëvendësohen nga betoni dhe krijohen kështu degradimi ekologjik e natyra inorganike që mund të sjellin katastrofë nëse kjo prirje vazhdon. Për Henri Lefebvre-n relacionet njerëzore janë kruciale për qytetin, i cili nuk është vetëm gjuhë por edhe praktikë. Tregu, shkruan ai, “bota e mallrave” që diktohet nga kultura dhe ideologjia e konsumit të paraqitura si unitare dhe globale krijojnë shoqërinë e obsesionuar në veten. Anëtarët pasivë të saj nuk e kanë të qartë pjesëmarrjen ndaj i nënshtrohen forcave që kanë tendencë shkatërrimin e qytetit. Në të ashtuquajturat vende në zhvillim, prishja e strukturës agrare i shtyn fshatarët e shpronësuar, të rrënuar dhe të etur për ndryshim, drejt qytetit, i cili si qendër e akumulimit të kapitalit, dominimit dhe shfrytëzimit, gjeneron segregacionin.[3] Problemi kyç i njeriut të sotëm është se nuk orientohet dot në krijim marrëdhëniesh me qëllim ndërtimin si koncept përafrimi e uniteti ndërnjerëzor, por bie viktimë e eksploatimit zgjerues hapësinor e konsumerizmit asfiksues që rrethohet nga aureola autokratike gjoja zhvillimore. Me planifikim nuk duhet kuptuar ndërtimi i një itinerari betonizues monopolizues me të cilin ndërtohet parajsa moderne mbi rrënojat e së kaluarës – planifikimi është angazhim objektiv e serioz politik-kulturor me qëllimin primar ndërtimin e një mjedisi afatgjatë, të koordinuar e sistematik. Ky objektiv do të arrihet kur njeriu si entitet t’i shmanget yshtjeve për pasurim të shpejtë e të përsiatet për zgjidhje adekuate, të planifikuara e altruiste në mënyrë që të dominojë vizioni për të mirën e përbashkët.

Imazh i rëndomtë ndërtimor

Diktatura e parasë dhe komprometimi kolektiv i intelektit po e bën qytetin një mjedis atipik për bashkëjetesë dhe zhvillim identitar; qyteti globalist i betonizuar është entiteti i huaj bri teje, armiqësor e i ftohtë, kaotik e i zymtë, tamam si peizazh i Hieronymus Bosch-it. Spengler-i do ta quante masë e gurtë që e mbërthen vetë njeriun, krijuesin e saj. Profecinë e tij po e jetojmë sot, në botën e kateve të larta. Përtej vitit 2000 parashoh qytete që ndërtohen për dhjetë deri njëzet milionë banorë, shtrirë në hapësira të pamata e me godina impozante që do t’i bëjnë të duken qesharake e xhuxhe më të lartat tona; parashoh qytete me koncepte trafiku e komunikimi që ne sot pa mëdyshje i quajmë iluzione çmendurake,[4] shkruante ai. Po të flasim me termet e Spengler-it, lindja e qytetit modern sikur kumton dhe vdekjen e tij ngase linja ndërtimore nuk bazohet mbi themelet e intelektit të shëndoshë, renditjes, planimetrisë e ndërlidhjes njerëzore por katandiset mes strehëve kontradiktore ku turma njerëzish degdisen papafingove e lagjeve të varfra kurse turma të tjera yshten drejt gllabërimit të sa më shumë hapësirave për t’i betonizuar në emër të modernizimit dhe progresit që de facto është makutëri për zgjerim, pasurim të paligjshëm, limonti kolektive, artificialitet dhe përfitim vetjak; gjithçka në sinkron me shpirtin konsumerist, estetikën banale dhe krizën etiko-morale që e dominon në masë të madhe shoqërinë shqiptare sot.

Gjatë viteve ‘50-’60 në Mitrovicë gëlonin kinematë. Madje dhe më herët, gjatë viteve ‘30, jepeshin filma në sallën e quajtur “Pallas”. Nën menaxhimin e ndërmarrjes Trepça ekzistonin disa kinema në qytet dhe periferi. Kinematë “Tesla” dhe “Zvezda” në qytet, kinematë e tjera në Zubin Potok, Stantërg e Tunel të Parë të cilat ishin aktive dhe shfaqnin rregullisht filmat e kohës, jo vetëm jugosllavë por edhe perëndimorë, duke e bërë filmin urë lidhëse me zhvillimet sociopolitike e kulturore në Evropë dhe më gjerë. Ky konglomerat artistik e bënte Mitrovicën qytet multikulturor dhe tejet të zhvilluar e modern për kohën. Kinematë hijeshoheshin me portretet e yjeve të kohës si Gary Cooper apo Harrison Ford korridoreve, kurse Qendra e Kulturës organizonte mbrëmje vallëzimi me stilet e njohura të kohës, fokstrot, vals, xhaz, breakdance, kurse muret e qytetit mbuloheshin me afishe të shfaqjeve e posterë të yjeve si Charlie Chaplin, Alfred Hitchcock, Sophia Loren, Elizabeth Taylor apo John Wayne. Në atë kohë qyteti frymonte me perëndimin, kinematë vërshoheshin nga njerëz të uritur për art dhe kulturë, dëgjoheshin Frank Sinatra e Dean Martin-i – Mitrovica bëhej djepi i civilizimit ku gjenin rrugën eksperimentimet e para me rokun, xhazin, filmin, kurse ekonomia ishte stabile ngase Mitrovica si qytet industrial me Trepçën kishte fituar njëfarë autonomie dhe përbrenda Jugosllavisë ravijëzohej si qendër urbane me gusto, qytet i kulturës dhe artit.

Hotel dhe kinema “Pallas”, marrë nga vështrimi monografik “Mitrovica në mijëvjeçarë” i Bektesh Vidishiqit

Nga koha kur në Mitrovicë shfaqeshin filmat klasikë si “Ladri di biciclette” i Vittorio De Sica-s, “Gone with the Wind” me të famshmen Vivien Leigh apo, më vonë, kur krijohej rok grupi “Fan” ndër të parët në arealin kulturor-muzikor shqiptar, (emëruar sipas Fan Nolit) Mitrovica u transformua duke ruajtur pak nga trashëgimia e pasur dhe unike për mbarë rajonin. Nga qyteti modern, avangard, që i tërhiqte anglezët të cilët erdhën dhe ndërtuan lagjen e tyre sipas modeleve angleze ku kishte kishë sakse, kinema, hotel e pishinë dhe ku frymohej jetesa perëndimore në Stantërg, afër minierës, (tani lagjja është gërmadhë por ende ruan shenjat e jetesës angleze) Mitrovica në shekullin e ri u shndërrua në qytetin e diktuar nga ndarja me urën kryesore mbi lumin Ibër dhe problemet etniko-politike që e shfytyruan duke ia zbehur ndjeshëm aurën kulturore që dikur e karakterizonte. Sot nuk ekziston asnjë kinema në qytet, asnjë hotel, kurse edhe ato pak godina të vjetra sikur qëndrojnë me frikë nga ndërtimet impozante që mbijnë aty pari, ashtu të ftohta e boshe duken si fantazma që shkelin me këmbë të kaluarën.

Kjo asimetri urbane që e karakterizon qytetin e sotëm është precedent për shëmtinë estetike dhe kaosin eventual jetësor nesër, nga mungesa e hapësirave funksionale që mund të sjellë në të ardhmen pasoja nëse planifikimi urban nuk e balancon imperativin etik me atë ekologjik. Mitrovica, sikurse qytetet tjera shqiptare e ballkanase, vuan nga shpopullimi nga njëra anë dhe ndërtimet e egra nga ana tjetër të cilat e ravijëzojnë një peizazh të rrëmujshëm godinash (shumë prej të cilave boshe) kurse përpjekjet janë minimaliste për planimetri estetike të mirëfilltë, kauzat për strukturë kompakte të qytetit janë të amullta kurse problemet janë si rëndom politike kurse në gjenezë të tyre janë përfitimet monetare, pra, nënshtrimi ndaj diktaturës së parasë. Fjala vjen, Prishtina ende nuk e ka një sallë të mirëfilltë opere pa çka se premtohet me vite të tëra, godina e teatrit, ende në rinovim, ka probleme esenciale kurse galeritë e artit, muzetë, nuk e gëzojnë infrastrukturën adekuate bazike. Krejt ky peizazh sociokulturor duket paradoksal ngase plekset me një spektër të hovshëm zhvillimesh që orientohen kryesisht në godina banimi, pak prej të cilave shfrytëzohen ani pse shiten e blihen, kurse objektet kulturore janë lënë në mëshirë të fatit, për to flitet sall nëpër fushata zgjedhjesh kurse rinovimi i tyre është i përgjysmuar, pa planifikim konkret afatgjatë, ndërtime të reja nuk ka. Për rigjallërimin e qytetit duhen reforma urgjente, planifikim dhe konkretizim, jo qasje cinike. Mark Tirta shkruan se qyteti është gur themeli i forcës së etnisë[5]. Flakja tutje e modelimeve snobiste me të cilat bëhen konstruksionet arkitektonike sot, do t’i kthente qytetit shqiptar gjallërinë multikulturore dhe integrimin social, do t’i trasonte rrugën veprimtarisë që e shpreh etninë shqiptare tok me zhvillimin e qytetit dhe konsolidimin e saj paralelisht me etnitë e tjera si lidhje pluraliste ndërshoqërore.

(c) 2025 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] Urbanism as a Way of Life, The American Journal of Sociology, Vol. 44, No. 1

[2] Introducing Urban Anthropology, Routledge, London and New York

[3] Writings on Cities, Blackwell Publishers, Oxford, UK

[4] The Decline Of The West, London, East Midland Printing Co. LTD

[5] Etnologjia e përgjithshme, Geer, Tiranë


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin