Tani nuk do të ketë mbetur njeri pa e marrë vesh, në Shqipëri dhe në Kosovë dhe në diasporë, se Vlora paska universitetin e vet. Arsyeja për këtë sukses të pashembullt marketing-u është propozimi i senatit të atij universiteti për t’ia hequr institucionit të tyre emrin “Ismail Qemali”, i cili propozim, siç mund të merrej me mend, u prit me zemëratë të madhe patriotike anembanë vendit.
Koka të mëdha e të vogla, të majtë e të djathtë, ish komunistë e ish të persekutuar, njerëz që në arenat e luftës politike kaq e kaq herë kanë qenë gati t’i presin gurmazin shoku-shokut për çikërrima nga më të hatashmet, papritur e panë veten grusht bashkuar rreth rrëmbushjes patriotike për “plakun e Vlorës”. Nga të katër anët e vendit, populli kërkoi: Ismail Qemali të mos preket.
Këtij pirgu me pleh nuk di nga ç’anë t’i qasesh, për ta pastruar.
Së pari, motivet që e frymëzuan senatin e atij universiteti për të propozuar ndërrimin e emrit nuk bindin; sepse nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që një universitet i një qyteti të quhet sipas themeluesit të shtetit përkatës, aq më tepër kur ky themelim ka ndodhur po në atë qytet. Së dyti, nuk shoh se si mund të pengojë imazhin komercial të universitetit emri Ismail Qemali. Së treti, senati duhej ta kish marrë me mend se çfarë pune po i hapte vetes, me atë propozim, sepse profesorët e atjeshëm janë gra e burra të mençur, që e njohin mendësinë e shqiptarëve dhe janë në gjendje të parashikojnë pasojat e veprimeve që kryejnë.
Nga ana tjetër, t’ia heqësh emrin Ismail Qemali një universiteti provincial nuk do të thotë aspak të çnderosh ose të përbaltësh figurën përkatëse. Këtë refuzojnë ta kuptojnë patriotët profesionistë, ata që e përfytyrojnë veten si baballarë të kombit e tempullarë të kombëtarizmit shqiptar, përtej dasive fetare, politike dhe gjeografike.
Hidhuni një sy deklaratave të tyre:
Ismail Kadare: Ky veprim i senatit të Universitetit të Vlorës lidhet me një fushatë gjysmë të fshehur dhe gjysmë të hapur kundër Skënderbeut, Ismail Qemalit, madje edhe ndaj Nënë Terezës. Ka qenë një gjë e papritur, por edhe e pritur. Nuk është aq e pafajshme dhe mendjelehtë sa mund të duket në vështrim të parë. Ka vite që në Shqipëri ka një fushatë tinzare kundër Ismail Qemalit. Ashtu sikurse ka një fushatë gjysmë të hapur, gjysmë të fshehtë kundër Skënderbeut. Ashtu sikurse ka një të tillë kundër Nënë Terezës…
Sabri Godo: Më duket një gjë e papranueshme. Në historinë tonë mbahen mend disa figura qendrore, Pirro i Epirit në lashtësi, Skënderbeu në mesjetë, Ali Pashë Tepelena në kohët e reja. Kurse në kohën tonë themi se është Ismail Qemali si themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali qëndron krahas figurave të tjera, krahas frashërllinjve dhe figurave të tjera. Ai është shquar për aktin e madh të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Them që cilido institucion, që do mbante emrin e Ismail Qemalit do quhej i nderuar.
Dritëro Agolli: Në Shqipëri ditë për ditë, ndodhin çudira. Një nga këto është edhe vendimi për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga universiteti. Mbase po përgatiten për t’i vënë ndonjë emër tjetër. Mendoj se pasi ta quajnë në fillim: “Universiteti i Vlorës”, do i gjejnë një emër tjetër të çuditshëm, që t’ia venë. Por them se Vlora vetë, do të reagojë për këtë vendim. Sepse ku ta gjesh një universitet të quhet me emrin e njeriut më të famshëm, i cili ngriti flamurin e pavarësisë dhe u bë simboli i gjithë trevave të Shqipërisë.
Vërejeni rrëshqitjen tinëzare të argumentit – askush prej këtyre të treve nuk diskuton më për emrin e një universiteti, por për figurën që qëndron prapa atij emri, vetë Ismail Qemalin, meritat e të cilit, në të vërtetë, nuk preken fare nëse një universitet province ia mban emrin, nuk ia mban emrin, dëshiron t’ia mbajë emrin ose dëshiron të mos ia mbajë emrin.
Propozimi i senatit të Universitetit të Vlorës mbetet i pamotivuar; ajo çfarë kanë thënë deri tani nuk i qëndron logjikës, është e cekët dhe sipërfaqësore, cenon thelbin e arsimit të lartë, që nuk është të shesë leksione dhe diploma por të kultivojë dijen dhe elitat, prandaj nuk habitem me të gjithë ata që e vënë në dyshim.
Por më e shëmtuar sesa frika e një senati akademik për të bërë të njohura arsyet e ndërrimit të emrit, është reagimi koral, histerik dhe hipokrit i politikanëve, qeveritarëve, mediave, kalemxhinjve dhe patriarkëve kombëtarë, të cilët edhe një herë tjetër iu shfaqën të mbështjellë me flamurin kuqezi.
Ismail Kadareja orvatet ta interpretojë këtë incident brenda një skenari paranoid antishqiptar, për të errësuar ose përdhosur figurat e kombit; duke përmendur me këtë rast Nënë Terezën; edhe pse Nënë Tereza në fakt përbën një tjetër shembull flagrant të abuzimit me emrat, konformizmit dhe hipokrizisë mediatike, sa kohë që emrin e saj shkuan dhe ia vunë një aeroporti, sikurse ia vunë një spitali i cili është bërë sot turpi i Shqipërisë mbarë dhe varri i hapur i mjekësisë shqiptare. Sabri Godoja, pa iu dridhur qerpiku, citon librin e këndimit të klasës së dytë, kur thotë se Ismail Qemali është “themeluesi i shtetit shqiptar”; Dritero Agolli thotë se “ku ta gjesh që një universitet të quhet me emrin e njeriut më të famshëm…”, edhe pse çka po e shkatërron sot arsimin shqiptar nuk janë emrat e institucioneve, që i kemi më të mrekullueshëm s’bëhet, por cilësia e mësimdhënies, fondet që investohen në to dhe profili etik i profesoratit; prandaj unë do t’ia korrigjoja shprehjen, për të thënë se ku ta gjesh që një universitet sot në Shqipëri, në qendër e në provincë të funksionojë vërtet si universitet, me laboratore, revista, biblioteka, konferenca, simpoziume, libra, kërkime shkencore, ekspedita dhe aktivitete kulturore; jo si shkollë e rezervave të punës, ose vatër e vetrinë e mediokritetit intelektual total.
Të vjen keq ta mendosh, por kur lexon deklarata të tilla të duket sikur kjo pari kulturore që na ka mbetur nga vitet e totalitarizmit nuk paska më ç’t’i japë kulturës kombëtare, përveçse të qëllojë me kamzhik majtas e djathtas sa herë që i duket sikur ndokush po ua cenon mitet që i kanë shkruar e lartuar ata vetë. Kjo pari e kapur rrob pas emrash, pllakash përkujtimore, tyrbesh, citimesh, recitimesh, dekoratash, titujsh, tujesh, çmimesh, pagëzimesh dhe ritualesh të kremtimit, po e përjeton veten që tani si pjesë e historisë kombëtare, e mbyllur në vetrinat e muzeumeve, e muruar në gurët e kështjellave, e shkrirë në bronzin e statujave. Edhe Ismail Qemali vetë është sot më i gjallë e më dinamik se këta tempullarë.
Zhurma nacionaliste po mbulon enigmën e vërtetë pas ndërrimit të emrit: kujt i intereson? Cui bono?
Komballarët më lart e kanë gabim, sepse emri universitetit po i hiqet jo për të goditur shqiptarizmën, por për shkak të alergjisë ndaj faktorit islamik në Shqipëri.
Ja një teori e kulluar komploti: një agjenci, ose një shtet, ose një grup interesash kërkon ta përdorë universitetin e Vlorës si kryeurë për qëllimet e veta jo doemos antishqiptare.
Janë këta që i premtojnë rektorit investime, ekspozim ndërkombëtar, promovime, shkëmbime profesorësh, public relations, prurje studentësh. Por me një kusht: universiteti të mos mbajë emër islamik, të mos identifikohet si universitet i një vendi të cilit shtetin ia themeloi një bej: Ismail bej Vlora.
Ndoshta këtë duan të thonë senatorët e universitetit, kur shtërzohen e shpjegohen se po duan t’ia heqin emrin institucionit të tyre për arsye marketing-u. Po ku u gjendka vallë ai treg studentësh që stepen e zbythen para emrit të Ismail Qemalit?
Dakord dhe dakord. Kujt do i beje marketing ‘rektumi’ i universitetit: katundeve te Vlores apo atyre te Varshaves?
Ndjej neveri nganjehere kur pajtohem me te tjeret, sidomos kur kjo mund te kuptohet si servilizem, por perfundimisht Xhaxhai ka te drejte. Nuk dua prerazi te them nese duhej apo nuk duhej nderruar emri i univesritetit, por kjo tashme ka aq pak rendesi, sepse perballe apologjive delirante te disa “figurave” kombetare kjo ceshtje mbetet nen hije.
Une e kuptoj kete gje si nje casus beli per te shprazur rezeravt e kombtarizmit tek disa figura publike. Me kesi perftesash mendjemedha nuk mund te gjykohet nje vendim.
Ismail Bej Vlora paska themeluar shtetin shqiptar? Ndoshta ju keni akoma ne mendje librat e tiranit, apo dhe filmin “Nendori i dyte”.
Shteti shqiptar u bashkua, ndersa themelet qendronin prej shekujsh aty ku sot banojne shqiptaret, te mire apo t ekeqinj, spiune apo egersire, vrases apo dashnore te turpshem, politikane apo hajdute xhepash.
IBQ ishte nje nga figurat qe pati mundesine te fliste per te mbrojtur diçka qe te huajt ia vune perpara syve. Fale gjendjes se tij sociale, i ndihmuar nga turqit, dhe nga veriu katolik, ai arriti te fliste.
Nuk pretendoj te bej histori, por shembujt qe solli xhaxhai nga figurat e “urta” shqiptare, tregojne mire sesa te shtremberuar e kemi (konsiderojme) edhe sot historine.
Persa i perket heqjes apo venies se emrit, sot, ne nje kohe te çuditshme, ky qellim per te levizur, i shtohet reklamave pornografike qe shfaq TV-ja per te joshur me shume bleres dhe pagues. Mbushja e gazetave, dhe sigurisht shitja e tyre, kane nevoje per te tilla veprime skuthe qe bejne disa profesore provinciale qe nuk flasin me tej se dhoma e tyre e keshillit te universitetit.
Te shpresojme qe Universitetin e Shkodres te mos ia luajne emrin. LG mbetet nje figure akoma bashkekohore.
Wow, paska dhe Shkodra universitet ? 🙂
Se fundmi jane hapur universitete edhe ne Sarande dhe Kukes
Tani vetëm universiteti në Martanesh ka mbetur pa u hapur, që t’i plotësohet ëndrra Sami Frashërit.
Duket qe keta te tre kane rrjedhur keqazi: Ismaili i Kadarese pasi ka pershkruar mjeshterisht skenare e komplote ne veprat e tij, duket se e ka bere te veten te menduarit konspirativ. Sabriu i Godos shkrep me batare armen sekrete, Pirron e Epirit, te cilit vetem ai duket se ja ka zbuluar linjen e drejtperdrejte te pasardhesve qe perfundon, sic thone, tek Sali Butka. Driteroi i Agollit lumturohet e ndez qiri cdo mengjes qe institucionet mbajne emra kaq te lavdishem. Ku i shpie mushka keta?
Amani more po si s’u bie ndermend,
te japin pakez mend,
se si te shpetoje nga majmuneria ai vend,
e te behet shtet per te qene me gjithe mend?
Degjo, Neke! Ata po japim mend, por per ato qe duan e jo per ato qe duhen. Shkurt, po dua te them, se po japin mend se si e pse nuk duhet hequr emri i universitetit, por nuk do arrijne me sa duket kurre, qe te japin mend per cilesine e mesimit ne auditore, per frekuentimin fakultativ te tyre (se qe thua ti, nje pjese e studenteve ne “veshtiresi financiare”, nderkohe qe mesojne diten, punojne edhe part-time, diten, kupton ti!), per mungesat e bazes materiale dhe te elementeve bazike neper universitete e shkolla, per provimet e shitura e te blera, per diplomat qe “tregetohen” e “trafikohen”, per pseudo-universitete (private), qe mbijne si kepurdhat pas shiut ne gjithe territorin (do i vije rradha edhe Martaneshit D’Artagnan, sic e kemi nisur..), po ishalla do i “plotesoje kreditet”, per “kuadro intelektuale” cilesisht te pakrahasueshem me te ngjashmit e tyre diku tjeter, qe dalin nga keto universitete, e c’te te rendis tjeter…!??
“Lum kush te rronje, ta shohe zonje…!” Se shpejti, do benemi….SHTET!! Taksirat, me prit, tha!