Nga shkolla – fillore, tetëvjeçare dhe e mesme – presim të na mësojë jo vetëm gjuhën, por edhe teknikat e përdorimit të saj me sukses; çka nuk arrihet dot nëpërmjet studimit të Naim Frashërit ose Gjergj Fishtës. Edhe më tepër se xhaketa, kravata, mënyra e krehjes së flokëve, tatuazhet, thonjtë dhe higjiena dentare, ligjërimi na prezanton me të tjerët duke na shpalosur.
Sabriu drumepré, që zbriste çdo dimër në fushë, e kishte identitetin të kthjellët dhe dypërmasor, së paku nga pikëpamja e neve të ndërlikuarve, të kryeqytetit. Unë edhe brenda familjes së afërt kisha shembuj flagrantë të përzierjes dialektore: tezja ime, e martuar në Shkodër, jo vetëm kishte sjellë në fis një tabor bartësish të shkodranishtes, por edhe ajo vetë e kishte shndërruar në art ndërrimin e regjistrit, sipas kuvendit…
Meqë përmenda Shkodrën, mbaj mend që dikur, në mëhallë, erdhi kushëriri i njërit, katolik nga ai qytet, që fliste në dialekt të kulluar; aq u mahnitëm me të, sa ia harruam sakaq emrin dhe filluam ta thërresim “Shkodre”. Një shok tjetër imi prindët i kishte matjanë, por fliste me infleksione të buta të Myzeqesë, sepse kishte kaluar fëmininë në Kuçovë (asokohe Qyteti Stalin).
Pas 1990-ës, përzierjet dhe shtegtimet pushtuan hapësira të reja, deri atëherë të panjohura. Ime bijë, e lindur në Shqipëri në mjedis pak a shumë të sunduar prej letrarishtes, e mësoi shqipen e folur prej nesh të familjes në Itali (Napoli) dhe tani e flet me një theks që përndryshe ua kam dëgjuar banorëve të Himarës ose ndonjëherë edhe arbëreshëve, për shkak të kantilenës mesdhetare.
Nga kjo pikëpamje, theksi është pa dyshim shpirti i idiolektit (ligjërimit individual), njëlloj si aroma për lulen; fare pa theks mund të flasë ndoshta vetëm një zë i sintetizuar nga kompjuteri, fundja edhe një i huaj.
I përcjellë nga infleksionet delikate të shqiptimit, zanoret dhe bashkëtingëlloret e nyjëtuara në hapësirën biologjike të gojës, ligjërimi ynë është po aq i papërsëritshëm sa edhe kodi ynë gjenetik. Krahasimi me gjenetikën mund të shtyhet edhe më: në theks studiuesi mund të gjejë gjurmë të krejt historisë së individit, familjes ku është rritur, vendit ku ka bërë shkollën, e kështu me radhë.
Megjithatë, një nga tiparet e emancipimit të një shoqërie është shtegtimi i theksit nga gjeografia në kulturë.
Shumë prej nesh ende mendojnë, gabimisht, se niveli i ligjërimit të folur nuk mund veçse të jetë dialektor. Në të vërtetë jo; brenda letrarishtes, por në atmosfera të relaksuara, nis të përvijohet një nivel i shqipes së folur që nuk i referohet doemos dialektit. Forma të tilla si ça bën (për çfarë bën), ose do vish për do të vish, ose dobësimi deri në zhdukje i ë-së fundore të fjalëve nuk i përkasin doemos këtij apo atij dialekti. Mund të sillja me dhjetëra shembuj dukurish të tilla, që nuk kanë natyrë gjeografike ose hapësinore.
Një nga efektet anësore të bashkëjetesës në qytete si Tirana i detyrohet nevojës së njerëzve për të kaluar nga një ligjërim në tjetrin, sipas kontekstit. Ime më, bartëse pothuajse muzeale e dialektit qytetar të Gjirokastrës, ka treguar gjithnjë aftësi virtuoze për të ndërruar regjistër, në marrëdhëniet me komshinjtë në mëhallë bartës të gegërishtes lokale, por jo me komshinj të tjerë, të ardhur nga Jugu.
Gjithnjë më ka bërë përshtypje kur, sa hap e mbyll sytë, ishte në gjendje të kalonte nga një formë e shkodranishtes në tryezë të bukës me kunatin e vet nga Tophana, në letrarishten që përdorte me mua, të folmen e Dunavatit me t’ëmën dhe gjyshen e vet, të folmen e Tiranës me komshijen që kishte ardhur të kërkonte pak oriz dhe përsëri sakaq letrarishten krejt bisedore dhe të shpenguar, me një tjetër komshije, këtë herë myzeqare.
Më dukej ndonjëherë sikur ajo kishte arritur të përpunonte nga një theks ad hoc për çdo personazh të jetës së vet. Një ndërrim i tillë marshesh (regjistrash), sa frenetik aq edhe spektakolar, nuk mund të mos shoqërohej me shtegtim theksi dhe shprehish gjuhësore, tinguj dhe manierizma që i mbijetonin disiplinimit nga lart dhe fshiheshin në organizma të tjerë ligjërimorë.
Natyrisht, i gjithë ky festival theksash, të folmesh dhe intonacionesh shtjellohej në nivelin ngushtësisht bisedor; brenda kufijve informalë të mëhallës, familjes dhe miqve. Përndryshe, si mësuese letërsie që ka qenë, ime më kujdesej të ruante një theks të palëkundshëm të letrarishtes, ku vetëm ndonjë foneticien do të dallonte gjurmët e dialekteve të Gjirokastrës, si qytet i saj i lindjes, dhe të Tiranës, si qytet që e kishte adoptuar kur ende fëmijë.
Ka pasur dhe ka me dhjetëra mijëra virtuozë të tillë të ligjërimit bisedor; njerëz me talent të veçantë për të ndërruar regjistrin sipas personit që kanë përballë, të gatshëm për t’u përshtatur, komunikatorë të lindur; njerëz që theksi i tjetrit u ngjitet si të jetë sëmundje, ose manierizëm mendor. Këta janë edhe të parët që shqetësohen, kur theksi dialektor i shpëton kontekstit bisedor, për t’u shfaqur në tribunat e mitingjeve dhe skenat televizive të debateve; dhe shqetësohen, sepse kjo thyerje rregullash bie ndesh me vetë frymën ligjërimore të qytetarisë, të cilën mund ta formuloja kështu: vlerësim i diferencave në rrafshin privat, por i së përbashkëtës në rrafshin publik.
(vijon)