Mbaj mend sa jam habitur kur, vite më parë, një shef imi në New York City, hebre nga origjina, më pat thënë se i kishte pajtuar së bijës një tutor për t’i hequr theksin e rëndë të Brooklyn-it, meqë me atë theks, të trashëguar pafajshëm nga fëminia, ajo nuk do të çante dot përpara, as do të gjente dot punë të mirë atje ku dëshironte.
Në vende relativisht të stabilizuara, si ato në Perëndim, theksi “i keq” mund të jetë fatal për arrivistin, kacavarrësin social, ose ambiciozin. Kjo ngre veçanërisht peshë në politikë, ku aktorët shpesh vlerësohen sipas aftësisë për t’u dukur tërheqës për një masë sa më të madhe njerëzish.
Pse ndodh kështu? Ndodh, sepse theksi – pavarësisht nëse i pashmangshëm apo i studiuar – klasifikon. Një person që i flet publikut me theks të labërishtes, lëshon njëkohësisht të paktën dy mesazhe, me dhe pa vetëdije: (1) unë jam lab; (2) unë po u drejtohem para së gjithash lebërve. Nga këto i pari është identifikues, i dyti përjashtues (selektiv).
Publiku në Shqipëri ende nuk është mësuar me idenë e përdorimit subversiv të theksit; për shumëkënd prej nesh, një person që flet në dialekt në publik, flet ashtu sepse nuk di të flasë ndryshe; nuk arrin, megjithëse përpiqet; ose nuk e çan kryet, sepse nuk e kupton rëndësinë e një ligjërimi që t’i kapërcejë barrierat partikulariste. Ky person është vetvetiu i mbrojtur falë instinktit të masës për të mbrojtur të dobëtin. Sipas një mitologjie dje popullore sot populiste, theksi i fortë, për të mos thënë i rëndë, konoton tabanin, dajë Cenin, urtësinë shekullore, vlagën e dheut.
Efekti i theksit, nga ana tjetër, është gjithnjë subversiv ndaj rendit ekzistues – prandaj edhe vështrohet shtrembër.
Në shoqëritë relativisht të zhvilluara, me denduri të madhe komunikimi publik dhe ku pjesa më e madhe e popullsisë jeton në metropole, theksit gjeografik priret t’ia zërë vendin theksi social; njëlloj si në Tiranën kryeqytet, ku “tironçja” është më tepër zhargon informal, alternativ i rrugës, përballë letrarishtes që flitet në institucionet.
Kur flasim për rolin e theksit në hierarkitë, klasat dhe lëvizshmërinë sociale, nuk mund të mos na shkojë mendja te “Pigmalioni” i Shaw-t dhe personazhi Eliza Doolittle, luleshitëses nga Cockney, së cilës profesori i fonetikës Henry Higgins zotohet t’ia stërvitë e t’ia hollojë të folurit, që kjo të flasë e të duket si dukeshë në një festë diplomatike.
Në parathënien e komedisë, Shaw shkruante se anglezi i asaj kohe e kishte të pamundur të hapte gojën për të thënë diçka, pa irrituar ose neveritur një anglez tjetër. Të thuash se po fliste për shqiptarët sot!
Në fakt, çështja e theksit të ligjëruesve publikë sot mes shqiptarëve lidhet sa me edukimin e keq gjuhësor të elitave, aq edhe me dobësimin alarmant të prestigjit të letrarishtes dhe të lidhjeve mes gjuhës së njësuar dhe atdhetarizmit, ose gatishmërisë për t’i shërbyer publikut.
Një dukuri paradoksale, me elitat e sotme, është se më të rinjtë e tyre janë shkolluar në Perëndim dhe shqipen nuk kanë pasur mundësi ta përsosin e ta rafinojnë, deri në atë shkallë sa të zotërojnë plotësisht theksat dhe të administrojnë kalimet nga njëri te tjetri.
Shto pastaj edhe që, për një pjesë të këtyre, shqipja publike nuk është veçse një mënyrë për të komunikuar me vulgun; publikun televiziv; rrugën; ose pikërisht atë masë konstituentësh që nuk duan t’ia dinë për standardin, nivelin formal të ligjërimit dhe institucionin e gjuhës letrare.
Çuditërisht, disa prej këtyre drumepreve gjuhësorë s’e kanë për gjë ta përligjin inkompetencën e tyre sociolinguistike me kinse “pamjaftueshmërinë” e standardit, ose politikën gjuhësore totalitare që çoi në njësimin e shqipes publike gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
Edhe kjo është një formë e përdorimit subversiv të theksit, ose të shmangies nga norma; por një formë post factum, falsifikim, ose orvatje për t’i paraqitur mangësitë vetjake në edukim dhe kulturë si shenja heroizmi.
Ua kuptoj mirë argumentet të gjithë atyre që e kritikojnë standardin; unë vetë e kam kritikuar, madje edhe kam sugjeruar rrugët si mund të ndreqen disa prej mangësive. Mundohem madje të kuptoj edhe protestat simbolike të të gjithë atyre që e spërkatin ligjërimin e tyre publik, të shkruar dhe të folur, me shenja ornamentale të dialektit: p.sh. tek-tuk me ndonjë paskajore të tipit me punue, me ndonjë n të parotacizuar ose pjesore të gjatë të gegërishtes (i papamë), ose me toskicizma të tipit mësonjës, lexonjës.
Janë pastaj të tjerët – të gjithë ata që nuk dinë tjetër veç dialektit, ose që kanë veç një xhaketë në dollap; e që fanno di necessità virtù, për ta thënë si italianët, pse hiqen si kampionë të së resë, të alternatives, të sfidës ndaj ekzistueses, të nevojës për të rifilluar, për të rishikuar, për të reformuar, për të riformuluar…
Fjalë të mëdha bukurtingëlluese, por thelbi është se të gjithë këta, me siguri jo për faj të tyre, nuk e kanë marrë dot edukatën e nevojshme për t’u vënë në krye të punëve të shqiptarëve si të tillë: në mediat, në politikë, në ekonomi, në kulturë, në art, në shkencë. Janë gjysmakë, por gjymtimin e tyre duan ta imponojnë si standard, sepse vetëm ashtu mund t’ia pranojnë vetes.
Kjo nuk ndodh vetëm me theksin; por trajtimi i theksit dhe dhunimi gratis i normave të komunikimit publik e simbolizojnë mirë imponimin kulturor të kësaj aradhe të padenjësh.
Mirëpo shqiptarët nuk duan të kenë në krye lezhianin, skraparlliun, tropojanin, përmetarin, krutanin; komunikimi publik nuk është festival folklorik, as vendi për të shpalosur krenaritë krahinore. Shqiptarët, besoj unë, duan të kenë në krye shqiptarin – në politikë, në kulturë, në arsim, në mediat.
Kjo bëhet imperative veçanërisht në fushën e përfaqësimit: një politikan, një gjyqtar, një diplomat që flet me theks të rëndë në publik është si ai që të vjen në dasmë ose në varrim i veshur me tuta.
E veçoj fushën e përfaqësimit, sepse aty më duket absurde që theksi, si tipar subversiv i ligjërimit, të përdoret për të kundërshtuar rendin e sendeve; sa kohë që folësit e mishërojnë vetë këtë rend sendesh.
Përkundrazi, një artist, një këngëtar pop-i ose folku, një komunikator alternativ ose edhe një aktor estrade, një figurë e koloritit provincial do ta realizojnë normalisht vetveten në ligjërimin publik jonormativ; meqë subversionin në ligjërim e kërkon vetë roli i tyre, si marrës në pyetje të ekzistueses.
Me fjalë të tjera, theksi jonormativ në ligjërimin publik mund të pranohet vetëm e vetëm kur është rezultat i një zgjedhjeje mes alternativash; ose i një vendimi të vetëdijshëm të folësit, për t’iu shmangur normës.
Kur imponohet, nga ana tjetër, si e vetmja alternativë, për shkak të një handikapi arsimor të folësit, atëherë nuk mund të jetë veçse shenjë e katundarisë në veprim; pikërisht asaj katundarie që po e vë seriozisht në krizë unitetin kombëtar të shqiptarëve.
(fund)
“Kur imponohet, (jonormativa) nga ana tjetër, si e vetmja alternativë, për shkak të një handikapi arsimor të folësit, atëherë nuk mund të jetë veçse shenjë e katundarisë në veprim; pikërisht asaj katundarie që po e vë seriozisht në krizë unitetin kombëtar të shqiptarëve”.
Te falemnderit XhaXha;
kreshendoja e fjalise fundore, besoj, e shkund mire edhe lexuesin qe po e ndiqte esene thjesht me kenaqesine per stilin (chapeau!) apo per dijedashje te paangazhuar.
Punë e paqme Xhaxha!
Lexova me interes gjithçka shkruaje dhe pa hequr asnjë presje atyre, do shtoja edhe diçka tjetër.
Në një kohë, si kjo e tanishmja, kur diferencat klasore (apo ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë) nuk korrespondojnë dhe përfaqësojnë më, domosdoshmërisht, me nivelin e tyre kulturor, është e pamundur që të pretendosh se duhet të jesh i fituar apriori nëse i flet me gjuhë kamerierash apo kamionistësh, kamerierit apo kamionistit dhe me një gjuhë zyrtare prefekte një kryeparlamentareje… sepse, mund te ndodhë që do të të duhet të ndërrosh “regjistër” përballë gjuhës së kamerier/kamionistit…me jopak bezdi për figurën prej katundari të bërë… dhe të të duket vetja akoma më katundar përballë katunarizmit të kryeparlamentares .
Theksja jone. Eshte nje thekse e vertete. Me pelqen shume tema qe ke hapur. Je i pa pame.
Une vete, jam misherim i gjalle i teshes: standard, tironce, vlonjatce. E kthej si ta dush ti.
….dhe ta kthesh si e do situata eshte ceshtje aftesie; ashtu si e thua ti.
Nena tende eshte qenie shume e zgjuar prandaj e kthen si e do biseda; komshies, druvarit, vlonjatit e ku di une……….
Ne raport me standardin mendoj se geget e kane me te thjeshte pershtatjen me tingellimin e neutral te theksit te tij. Kjo mund te vihet re edhe nga nje krahasim mes mjediseve ligjerimore lokale, si televizionet, ku bie ne sy se nese ne Veri gjuha e folur pak ndahet nga theksi korrekt, por edhe artikulimi i fjaleve sipas standardit, ne Jug, te pakten theksi tradheton plotesisht origjinen dhe jep identitetin e folesit. Por kete gje e kam vene re edhe nga pervoja ime; keshtu edhe pse ta zeme vete e kam patur me te lehte imitimin e dialektit geg te miqve te mi, apo edhe kuptimin e shpejte ne komunikim, kjo gje nuk ndodhte me patriotet e mi. Nderkaq e kunderta haset me konformimin e nje veriori me te foluren e Tiranes – zhargonin e rruges dua te them. Keshtu nje dibran, por edhe kuksian e ka me te shkurter rrugen e pershtatjes me gjuhen e kryeqytetit, fshirjen e identitetit te tij gjuhesor ne ombrellen e Standardit, sidomos per sa i perket theksit. Perpjekja e nje jugori ne kete rast ngjan e pamundur dhe nje deshmi per kete eshte veshtiresia e nje folesi nga Tirana apo edhe Veriu per te riprodhuar dialektin jugor. (hiq Ramiz Aline qe ia mori doren per bukuri)
Mangesia kryesore haset ne Theks – toskerishtja eshte korrekte ne raport me standardin per sa i perket artikulimit te fjaleve, por ka nje intonacion ndryshe. Rrjedhimisht, mes Standardit dhe theksit mendoj se ka nje lidhje paradoksale, per shkak se une dallohem mire ne identitetin tim pikerisht nga Theksi dhe jo korrektesa e perdorimit te Standardit, teksa nje geg mund te dallohet per arsye te kunderta. Ne aspektin e ligjerimit publik problemi madhor mendoj se qendron te tosket, pasi rralle haset sot nje artikulim qe e pergenjeshtron Standardin deri ne ate fare feje sa publiku te rrudhe buzet. Ne drejtim te perfaqesimit ka nje rast ku ligjerimi del ne siperfaqe me tipare subversive; Jozefina Topalli. “Diten e hane kena seance”, etj, por ky eshte nje rast qe shpeton per mrekulli fytyren e vet kur te bie rasti te degjosh deputeten tjeter A. Si te thuash ky lloj subversioni argeton publikun, i cili irritimin e mundshem nga ligjerime partikulariste e shfryn te Portokallia qe i denocnon te gjithe ne menyre te barabarte.
Natyrisht ligjerimi ka rendesi shume te madhe, por ai nuk ka pse te gjykohet ne kontesktin e nostalgjikut. E rithem, me irriton shume e folura publike ne Jug, e cila kur masivizohet si norme e pergjithshme ne rrafshin lokal, mesatarizon edhe vete dialektin duke dhene nje ligjerim te gjymtuar edhe brenda perbrenda zones. Si te them, nuk ka me as dialekt te paster si te tille. P.sh ne Sarande pas vitit ’90 ndikimi i aksentit grek te shqipfolesit pasqyron nje efekt gerryes, aq sa edhe brenda llojit krijon probleme. Nuk te ze vendi kur i degjon njerez qe deri dje ndaje shumecka ne zhargonin e perditshem. Kjo e ben edhe me diferencues ligjerimin nder shqiptare, te cilet tani po rijetojne ndasine qe ushqehet te ta edhe nga ndikimet e jashtme, te pezulluara nga izolimi komunist.