Me përfundimin e provimeve të Maturës Shtëtërore së fundmi është hapur edhe fushata publicistike e universiteteve private. Nëpër rrugë dhe kanale televizive të zë syri një mori reklamash mbi universitete private që ofrojnë një sërë programesh studimore për ciklet e studimit të parë dhe të dytë. Edhe pse pritet ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë, i cili do të njesoj Masterat e Nivelit të Parë (MNP) dhe Masterat e Nivelit të Dytë (MND) me Master-a profesional apo shkencor, përsëri vazhdojnë reklamat për këto programe studimi.
Gazetat dhe televizionet private përfitojnë sasi të majme parash nga reklamimi i këtyre produkteve. Për këtë arsye produktet që ata reklamojne nuk i nështrohet asnjë verifikimi paraprak mbi vlefshmërinë e diplomave që lëshon njëri apo tjetri institut.
Por për cilindo student të interesuar informacioni mbi vlefshmërinë dhe procedurat e njohjes së diplomave nga instancat shtetërore, ekziston i publikuar ose në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ose në faqen e internetit të Agjencisë Publike për Akreditimin e institucioneve të Arsimit të Lartë (APAAL – www.aaal.edu.al). Transparenca mbi gjendjen e arsimit të lartë në vend nuk mungon.
Psh. universiteti “Vitrinat” ka përmbytur rrugët e Tiranës me lloj-lloj pamfletesh dhe letra informative mbi programet që ky universitet ofron në fushën e arsimit të lartë. Në një prej këtyre fletushkave ajo i uron shqiptarëve “Welcome to Albania!” edhe pse nuk ofron asnjë program në anglisht. Ndër programet studimore të këtij universiteti gjenden degë të tilla si Stomatologji dhe Farmaci, për të cilat, sipas APAAL-it, Vitrinat nuk zotëron asnjë dokument zyrtar që i jep lejen këtij institucioni të hap këtë program. Megjithatë ky Universitet ka filluar regjistrimet për këtë program me 1100 Euro në vit (!). Përvec kësaj Universiteti nuk zotëron asnjë laborator apo klinikë dentare për praktikë, sikurse kërkohet nga Udhëzimi Nr. 30, Dt. 26.09.07.
Kuadri ligjor në të cilin funksionon sot arsimi i lartë privat dhe publik është Ligji i Arsimit të Lartë Nr. 9741, Dt. 21 Maj 2007 dhe udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si ai Nr. 30, Dt. 26.09.2007 apo i datës 04.04.2008 “Për organizimin e studimeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë”. Dispozitat ligjore gjenden në faqen e internetit të MASH-it.
Sipas këtyre dispozitave fazat që një institucion i arsimit të lartë duhet të kalojë për t’u njohur tërësisht nga shteti shqiptar janë: (1) licencimi me Vendim të Këshillit të Ministrave, (2) Leja me Urdhër të MASH dhe së fundmi (3) Akreditimi nga APAAL. Faza e lejes është futur me qëllim të ndihmojë universitetet private të ndërtojnë kapacitetet fizike, të cilat kontrollohen imtësisht nga MASH, ndërkohë që procedura e licencimit është relativisht e shpejtë pasi bazohet vetëm mbi verifikimin e dokumentacionit.
Studentët e ardhshëm duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e universiteteve dhe programeve që ata ndjekin. Së pari Universiteti duhet të jetë i licencuar me VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave) për programet që ofron. Por kjo licencë nuk mjafton, universiteti duhet që përpara se të fillojë programin mësimor të marrë lejen nga MASH. Të marrësh lejen nga MASH për ushtrimin e veprimtarisë do të thotë t’i nënshtrohesh një kontrolli rigoroz për godinën, kapacitetet fizike dhe personelin akademik (titujt dhe kualifikimet). Së treti, përpara se universiteti të lëshojë brezin e parë të studentëve, çdo program duhet t’i nënshtrohet procedurës së akreditimit nga APAAL. Kjo procedure zgjat rreth tre muaj dhe institucionit i duhet të përballet rigorizisht me kërkesat e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë.
Studentët mund të regjistrohen në një institucion të licencuar porse ata duhet të interesohen që përpara nisjes së programit mësimor, institucioni të jetë pajisur me leje. Gjithashtu studentët duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e universiteteve. Ato universitete që sot njihen se i shesin diplomat për pak gje, nesër do të dalin me zhurmë nga tregu i arsimit dhe diplomat e tyre nuk do të kenë asnjë vlerë në tregun e punës.
Informimi i publikut për ofertat e rregullta të institucioneve të arsimit të lartë është një problem. Sot këto institucione përballen më një sërë problematikash edhe për cilësinë që ato ofrojnë në ciklet e parashikuara nga Marrëveshja e Bolonjës.
Diplomat Bachelor (3-vjeçare, DNP – Diploma të Nivelit të Parë) nuk vlejnë shumë në tregun e punës. Programet nuk janë të organizuara aspak në përputhje me kërkesat e tregut. Lektorët nuk janë të qartë mbi aftësitë konkrete dhe dijen që përfton studenti nga një lëndë apo program mësimor i caktuar.
Nëpër Syllabuset (programet mësimore të lëndës/seminarit/leksionit) zakonisht mungon literatura bazë në anglisht apo në shqip. Pedagogët mjaftohen me leksionet e tyre që i kopjojnë nga interneti, leksionet e ish-pedagogëve të tyre apo nga libra të pacituar. Shumë universitete nuk i pajisin studentët me një syllabus e as i publikojnë ato në rrjet, pasi kanë frikë se i kopjojnë të tjerët. Nuk përbën aspak çudi që profesorët që punojnë part-time nëpër shumë universitete, të tërheqin mbas veti të njëjtin syllabus nëpër seminare me emërtime, nivele apo kërkesa të ndryshme.
Punëdhënësit nuk kanë informacionin e duhur për ta vlerësuar një diplomë Bachelor. Me zbatimin e Marrëveshjes së Bolonjës, këto probleme ndeshen edhe në Europë. Sikur se edhe në Shqipëri, grupi më i madh i studentëve vendos të vazhdoj ciklin e dytë të studimeve.
Cikli i dytë i Sistemit të Bolonjës, i cili njeh ciklin e dytë si Master (+ 2 vjetë me 90-120 ETCS) në Shqipëri për momentin është i përçudnuar në DND (Diplom e Nivelit të Parë), MNP dhe MND. Futja e niveleve MNP dhe MND shërbeu se dipozitë kalimtare për ata që kishin diplomat e vjetëra 4-vjeçare dhe dëshironin të kualifikoheshin në një profil si MBA (Master of Business Administration) apo MPA (Master of Public Administration). Por sistemi u keqpërdor nga universitetet private, kur qeveria për të shpërblyer nëpunësit që kualifikoheshin më tej, vendosi paga shtese për të diplomuarit me MND. Kërkesa për të tilla master-a, sidomos në administratën publike, nxiti shumë zhvillimin e arsimit privat. Ligji i ri i arsimit të larët, i cili i sheshon këto kategori vetëm në Master, synon ta ndreqë këtë gabim.
Në organizimin e DNP (Diplomë të Nivelit të Parë) dhe DND fakultetet nuk bëjnë dallime në programet mësimore. Zakonisht ofrohen të njëjtat lëndë dhe të njëjta programe. Kur në fakt sipas ligjit të arsimit të lartë dhe kornizës së kualifikimit bëhet dallimi midis njohurive bazë në DNP dhe punës së pavarur kërkimore në DND. Në modulet përkatëse apo pasqyrat e seminareve (sylabuset) duhet që përveç njohurive të paraqiten edhe aftësitë e zbatimit të këtyre njohurive.
Duke vështruar rrebeshin e reklamave nëpër rrugë dhe problemet me “mullinjtë e diplomave”, nuk është e habitshme të mendohet se dikush kërkon që shteti të kontrollojë situatën e caktuar. Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme kur nismat e shoqërisë civile në këtë fushë janë thuajse ekzistente. Bordet e profesionistëve që kontrollojnë dhe mbikqyrin cilësinë e kualifikimit të profesioneve përkatëse në Shqipëri janë tepër të dobëta. Urdhërat e ndryshme si ajo e infermierit dhe sindikatat kanë në krye njerëz që diplomohen po nga universitetet private.
Por së pari, përpara se të vendoset se ku duhet ndërhyrë, në ofertë (Institucionet e Arsimit të Lartë) apo në kërkesë (politika selektive për studentët) vlen të njihet mirë situata. Sipas literaturës njihen tre tipe të sistemeve arsimore dhe rolit të shtetit në sigurimin e arsimit të lartë privat:
- Sektori privat është i masivizuar dhe sektori publik nuk është i zhvilluar. Në këtë rast cilësia e arsimit në sektorin privat është e dobët. Ndër masat që ndërmerr shteti për të rregulluar situatën janë ndjekja e politikave kufizuese për arsimin privat dhe ngritja e strukturave për kontrollin e cilësisë siç janë agjencitë e akreditimit. Rast i tillë është India.
- Sektori privat dhe publik bashkëveprojnë e bashkëpunojnë në të njëjtin treg. Grupet e interesit mundësojnë bashkëpunimin e sektorit privat me atë publik. Në rrafshin kombëtar ekziston një standard mbarëkombëtar për diplomat universitare. Qeveria subvencionon dhe mbështet institucionet private me qëllim të barazoj kushtet e arsimit privat me atë publik. Hollanda, Kili dhe Begjika renditen në këtë kategori.
- Sektori publik përfshin një pjesë të mirë të tregut dhe sektori privat zhvillohet vetëm në periferi të tij. Sektori privat vetë-financohet dhe është tërësisht i pavarur. Ky sektor nuk mund të konkurroj me atë publik, i cili është tepër cilësor dhe mbulon gjerësisht kërkesën. Ky tip haset në Gjermani, Francë, Suedi apo Angli.
Tipi i parë duket më i afërt me situatën e tanishme në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Qeveria ka ngritur Agjencinë e Akreditimit për të kontrolluar dhe certifikuar cilësinë dhe ka filluar të rregullojë tregun nëpërmjet nismave ligjore si Korniza Kombëtare e Kualifikimit apo ligjet mbi profesionet e rregulluara. Gjithashtu nuk mungojnë edhe nismat e ministrive përkatëse si nismat e Ministrisë së Shëndetësisë për të kontrolluar cilësinë në profesionet e rregulluara të mjekut dhe të infermierisë.
Ndërsa përsa i përket qëndrimit që duhet të mbajë shteti në zhvillimin e arsimit të lartë privat, tre janë skenarët e mundshëm:
- Politika “laissez-faire”. Politikat e shtetit injorojnë tërësisht arsimin privat. Arsimi privat nuk financohet. Nuk ekzistojnë politika fiskale favorizuese për studentët. Shteti nuk ndërhyn në tarifat e universiteteve private. Rregullimet dhe ndërhyrja e shtetit është e kufizuar. Pasojat e këtij qëndrimi janë: arsimi privat thith një përqindje të vogël studentësh, institucionet kanë cilësi të dobët dhe kurrikulat janë të orientuara ndaj profesioneve.
- Politika të planifikimit qëndror. Arsimi privat trajtohet si ai publik. Raporti i regjistrimeve të studentëve është e njëjtë me atë publik. Financimi gjithashtu është i njëjtë. Arsimi privat është i integruar me atë publik (psh. Hollanda). Për pasojë institucionet publike janë më pak autonome, jo fleksible ndaj kërkesave të tregut dhe të afta të konkurrojnë me institucionet publike.
- Politikat e konkurrencës së tregut. Shteti fut elemente të tregut të lirë në tregun e arsimit dhe krijon struktura për zhvillimin e tij. Shteti nxit zgjedhjen individuale nëpërmjet ndihmave financiare që mund të shpenzohen në çdo universitet. Shteti inkurajon konkurrencën ndërmjet sektorëve privat e publikë dhe krijon shanse të barabarta për zhvillimin e tyre.
Skenari i ndjekur deri më sot është ai i “laissez faire”, por me një nxitje të vogël nga ana e qeverisë. Ky qëndrim i ka dhënë mundësi sektorit privat të lulëzojë, pasi i ka shërbyer edhe qeverisë.
Qeveria për t’iu bërë zot rritjes së kërkesës për arsim të lartë ka vendosur të ndjekë disa politika favorizuese ndaj arsimit privat. Ndër këto politika përmendim: taksat tepër të ulëta për shërbimet administrative, heqja e TVSH-ës (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar), ofrimi i asistencës teknike falas për çdo sipërmarrës që kërkon të hap një shkollë private dhe reduktimi i kufizimeve administrative apo ligjore për institucionet e arsimit privat. Ndër efektet positive që synon qeveria është se ky zhvillim mund të sjell konkurrencë edhe për arsimin publik, i cili duke qenë në gjendje të mjerueshme, do të përballet me trysninë e tregut dhe do të ndërmarrë masat e duhura për të rritur cilësinë e mësimdhënies.
Në të ardhmen, bazuar edhe në nismat e fundit të qeverisë, skenari i tretë është më i mundëshmi. Pra një bashkëpunim më i ngushtë i shtetit me sektorin privat si psh. në Kili. Ky skenar do të ishte edhe më i dëshiruari nëse qeveria dëshiron të shtojë numrin e studentëve dhe të sigurojë cilësinë në ofertë.
Shënim: titulli ështi imi (2Xh). Titulli origjinal i artikullit është: “Arsimi i lartë privat në Shqipëri dhe roli i shtetit në zhvillimin e tij”.
Po sikur të vemë edhe një skenar 4 bazuar në Modelin3? Kjo do të përfshinte çlicensim të plotë për disa vjet, p.sh. 10 vjet, të të gjitha institucioneve të arësimit të lartë privat dhe përqëndrim i të tëra burimeve të shoqërisë tek fuqizimi cilësor i arësimit të lartë shtetëror.
Nxitja e arësimit të lartë privat duke i krijuar atij lehtësira të paimagjinueshme është një ide absurde e Dr. Berishës sikurse ishte ajo e masivizimit të arësimit të lartë shtetëror kur doktori ishte President. Kjo duket qartë tek fakti i përfolur shpesh në Tiranë për “mullinjtë e diplomave”, që s’janë veç universitete private që shesin diploma dhe që janë të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me qeverinë.
Politikat arësimore të Berishës, – demek fryma e tregut të lirë gjasme amerikan në arësim – i kanë vënë kazmën zhvillimit të një arësimi të mirëfilltë cilësor dhe konkurrues në Shqipëri dhe përbëjnë një hap të madh prapa në zhvillimin e vendit.