Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

PARIMET E DREJTSHKRIMIT SHQIP

Korruptimi fonetik dhe “morfologjik” i parimeve të drejtshkrimit shqip

Në këto 34-35 vitet e fundit gjuha letrare kombëtare shqipe, e kodifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) ka pësuar ndryshime të vrullshme. Kuadri demokratik i shprehjes dhe integrimi politik e  kulturor i shqiptarëve në Evropë e në botë, qarkullimi i njerëzve dhe i vlerave, krijimi i Shtetit të Kosovës dhe ngritja e statusit të shqipes në hapësirat dhe shtetet me shqipofoni kanë zbuluar dinamika të reja për shqipen dhe shpeshherë i kanë gjetur të papërgatitur faktorët e politikave gjuhësore (gjuhëtarët, institucionet arsimore dhe shtetërore).  Sikur të mos mjaftonte kjo, gjuha shqipe u vu jo pak herë në shënjestrën e një revanshizmi ideologjik, sipas të cilit kërkohej rishikimi i standardit me pretendimin se ishte krijuar nga udhëheqja komuniste e Shqipërisë. Përpara kësaj verbërie rishikuese gjuhësia shqiptare, edhe pse u gjend në pozicionin e saj më të vështirë, arriti më në fund të mbronte standardin dhe të shmangte një aventurë rishikimi ose mohimi të standardit, që do të ishte me pasoja katastrofale për të ardhmen e gjuhës shqipe.

E gjithë kjo trysni u shfaq në debatin publik për gjuhën si një nevojë për ndryshimin e drejtshkrimit. Kjo kërkesë e drejtë dhe e logjikshme bazohet në argumentin e ndryshimeve që pëson gjuha në rrjedhë të kohës, ndryshime që kërkojnë të gjejnë pasqyrim në normën gjuhësore.

Në këtë debat, që zgjat në më se tre dhjetëvjeçarë, gjen propozime nga më të larmishmet e më të çuditshmet, që nga thirrjet për të ndryshuar standardin, për të futur si në një çorbë gjuhësore ca kripë e piper të ndryshëm dialektor, deri në thirrjet për një pastërti të skajshme të gjuhës, pastërti që çon deri në fëlligështi. Këto, të gërshetuara me sëmundjen kombëtare të etimologjisë vulgare e të sharlatanëve pellazgologë, kanë krijuar një klimë të rëndë sociolinguistike.

Thirrjeve për të rishikuar shqipen standarde bashkësia shkencore, opinioni publik i shëndetshëm dhe sistemi politik duhet t’u përgjigjen prerazi me një JO të vendosur. Për fat të mirë, asnjë nga qeveritë shqiptare të pas nëntëdhjetës nuk i ka hyrë një aventure fatale për rishikimin e standardit.

Problemi tjetër shumë i rëndësishëm është ai i propozimeve që vijnë nga specialistët e gjuhës për të kryer ndryshime në drejtshkrimin e shqipes. Në vend që disa kolegë të nderuar gjuhëtarë të merreshin me çështjet gjuhësore që kanë dalë dhe kërkojnë zgjidhje, i janë nënshtruar një dëshire të pashpjegueshme për të kryer ndryshime në drejtshkrim. Mjaft prej tyre propozojnë paprerë ndryshime në drejtshkrimin e mijëra fjalëve, sikur drejtshkrimi të ishte një artikull i lirë që shitet e blihet në treg. Është mjaft tronditës fakti që janë organizuar disa konferenca “shkencore” për të diskutuar çështje të drejtshkrimit shqip, por në të vërtetë për të krijuar rrethana virtualisht problematike dhe për t’u hapur rrugë ndryshimeve në drejtshkrim. Në to lexon mjaft analiza “shkencore” të mospajtimit të përbërjes morfematike dhe realizimit të saj grafematik, shqetësime që kanë vlerë për diskutimet në auditoret universitare në lëndën e fonetikës, fonologjisë dhe marrëdhënieve të saj me shkrimin, por nuk kanë asnjë vlerë nëse shërbejnë si shkas për të propozuar gjithfarë ndryshimesh në të shkruarët e fjalëve.

Është me të vërtetë zhgënjyese të dëgjosh nga gojë specialistësh të gjuhës propozime për të vënë dorë mbi drejtshkrimin. Propozimet e tyre ata i justifikojnë duke përdorur argumente kryesisht fonetike dhe morfologjike.

Është tronditëse, për shembull, të shohësh një botim dyvëllimësh me titullin “Propozime për drejtshkrimin” (2022) ku përmbahen artikuj dhe studime të vlefshme, por kryesisht përmbahen propozime, të cilat në vend të përmirësimit të drejtshkrimit, sikundër synojnë, kënaqin thjesht talentin analizues dhe pasionin preskriptiv të disa kolegëve për t’i imponuar bashkësisë shqipfolëse një disiplinë të “hekurt” ligjërimore. Duke parë nisma të tilla nuk ka se si të mos vijë në mend aforizmi i njohur se “Gjuha është një çështje shumë e rëndësishme për t’ua lënë gjuhëtarëve”, gjë që për fat të keq në Shqipëri përdoret si justifikim nga lloj-lloj përrallëtarësh fallxhorësh turboalbanologë për të shpalosur çdo formë fantazie të sëmurë.

Për mendimin tim, Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1973) janë në përgjithësi të drejta dhe janë ngulitur në ndërgjegjen e shqipfolësve. Disa grafi devijuese që janë përgjithësuar mund të interpretohen si rregulla drejtshkrimore, përdorimi i të cilave thjesht duhet përfshirë edhe formalisht në një botim të ri të Rregullave të Drejtshkrimit.

Personalisht shoh si shkak të gjithë atyre propozimeve të çuditshme për ndryshime në drejtshkrimin e fjalëve formulimet e pasakta që janë pasqyruar në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, të cilat mund të shfajësohen për kohën kur u shprehën, meqenëse as disiplina e grafematikës por as fonologjia nuk kishin hyrë ende mirë në trojet e gjuhësisë shqiptare dhe një konfuzion teorik mbizotëronte krahasuar me zgjidhjet e drejta praktike që u dhanë. Këto formulime të diskutueshme kanë zënë rrënjë si postulate të padiskutueshme në të gjitha nivelet e arsimit. I tillë është në radhë të parë formulimi që lidhet me parimin themelor të drejtshkrimit të shqipes, përkufizuar si “parimi fonetik”. Në të vërtetë parimi themelor i drejtshkrimit të të gjitha gjuhëve të botës përkufizohet si parimi fonologjik. Ky parim bazohet në përkatësinë midis fonemës dhe grafemës dhe në marrëdhënien dialektike që zhvillohet midis fonemës, realizimit të saj fonetik dhe grafemës. Parimi fonetik nuk mund të jetë parim bazë i drejtshkrimit të shqipes, por një parim dytësor, i cili shfaqet si version i parimit fonologjik. Parimi fonologjik qëndron në themel të drejtshkrimit shqip, edhe pse nuk formulohet shprehimisht në Rregullat e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Nëse shkruaj fjalën ÇDO atëherë kam ndjekur parimin fonologjik, i cili urdhëron që, pavarësisht se Ç-ja këtu mund të shqiptohet si [ʤ] pra, [ʤdo], ne si përdorues kemi parasysh se në përbërjen e asaj fjale bashkëtingëllorja nistore është /ʧ/ dhe jo /ʤ/.

Një tjetër përcaktim krejt i pasaktë i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit është se në drejshkrimin shqip zbatohet parimi morfologjik. Sistemi i sotëm shkrimor i shqipes është i ri,  njëqind e ca vjeçar, ndërsa drejtshkrimi dhe standardi janë edhe më të rinj, gjysmëshekullorë, kështu që nuk ka asnjë gjasë që drejtshkrimi shqip të jetë morfologjik. Sofizmi që thuhet se “Parimi morfologjik do të zbatohet në ato raste kur parimi fonetik do të çonte në errësimin e në prishjen e strukturës së sotme morfologjike e fjalëformuese” është një shtrembërim i raporteve të vërteta në drejtshkrimin e shqipes.  Raporti që përshkon çdo drejtshkrim është ai fonemë : grafemë dhe jo fonemë : morfemë. Fakti që ndonjë morfemë në shqipe, si për shembull mbaresa e vetës së tretë të së tashmes lidhore njëjës apo mbaresa e shumësit të një kategorie emrash shprehen me një fonemë /ë/ nuk e anullon këtë rregull dhe këtë raport. E kam shpjeguar më se një herë me argumente të mjaftueshme se asnjë parim morfologjik nuk ekziston në drejtshkrimin e shqipes, për arsye se këtu nuk përdoren shkronjat për të dalluar numrin, rasën apo vetën. Folja “ha” mund të jetë në vetën e parë, të dytë ose të tretë të së tashmes dëftore. Mund të jetë, mandej, edhe në vetën e dytë të urdhërores. Drejtshkrimi nuk ndihmon këtu për të dalluar se cila është veta e parë dhe cila e dyta apo e treta dhe cila është urdhërorja. Na ndihmon vetëm konteksti. Emri “mësues” mund të jetë në emëroren ose kallëzoren e pashquar njëjës ose shumës. Asnjë shenjë grafike nuk na ndihmon që të dallojmë secilën rasë apo numër. Nëse parimi morfologjik i drejtshkrimit nuk zbatohet këtu, atëherë ku zbatohet? Ndonjë autor përmend shkrimin e ë-së fundore në shumësin e emrave ose vetën e tretë të foljeve të së tashmes lidhore (nj. shqiptar, sh. shqiptarë, nj. veteran, sh. veteranë, v. I të ha, v. III të hajë). Por ky është një argument pa vlerë, sepse gramatika e shqipes shpjegon qaertë se shumësi i një kategorie emrash përdor prapashtesën <ë> dhe veta e tretë e së tashmes lidhore merr mbaresën <ë>. Flasim për një ndërgjegje gjuhësore të folësit normal të shqipes; përndryshe si do t’i themi nxënësit dhe studentit, se shumësi i emrit <veteran> nuk ndryshon nga njëjësi (është po *<veteran>) dhe e përdorim shkronjën <ë> për të bërë dallimin e numrit shumës nga numri njëjës (?!). Një situatë e tillë nuk ekziston në shqipe.

Nëse praktikisht Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) e zgjidhi saktë problemin e drejtshkrimit dhe të normës gjuhësore, formulimi i parimit themelor të drejtshkrimit shqip si parimi fonetik dhe njohja e një parimi dytësor si parimi morfologjik (i cili në shqip as që ekziston fare), dhanë shkas për krijimin e problemeve të panevojshme, që e dëmtojnë çdo diskutim për drejtshkrimin e shqipes dhe nxisin propozime arbitrare.

Nuk dëshiroj aspak që kjo kritikë të interpretohet si një pakënaqësi apo rezervë ndaj Kongresit të Drejtshkrimit. Dua ta nënvizoj se e konsideroj si ngjarjen më të rëndësishme pas Kongresit të Manastirit. Ato formulime të pasakta i mirëkuptoj për kohën që u bënë. Në ato faza më të hershme të ngjizjes së mendimit gjuhësor shqiptar drejtshkrimi u qas si një çështje praktike. Problematika e tij iu nënshtrua procesit të njësimit të gjuhës kombëtare. Kjo është edhe arsyeja që u përdor një terminologji e çlirët, për të qenë më e kuptueshme nga masa e gjerë e përdoruesve, të cilët e kanë të vështirë të bëjnë dallimin midis anës fonetike dhe asaj fonologjike. Ky dallim ka qenë madje i vështirë edhe për vetë gjuhëtarët në atë kohë. Është për këtë arsye që në Kongresin e Drejtshkrimit parimi themelor i drejtshkrimit shqip u formulua si “parimi fonetik”, në vend të formulimit të saktë si “parim fonologjik”. Pasojë e drejtpërdrejtë e këtij formulimi ishte edhe njohja e një të ashtuquajturi “parim morfologjik”, i cili nuk ekziston në drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Për shkak të një ndikimi metalinguistik nga gjuhët e tjera, iu njohën gjuhës shqipe edhe parimi tradicional-historik dhe ai etimologjik, veprimi i të cilëve ose është i dobët ose nuk ekziston aspak.

Në gjuhën shqipe veprojnë edhe parime të tjera të përgjithshme të drejtshkrimit, si parimi linear, ose parimi simbolik.

Megjithëse nuk është formuluar shprehimisht, drejtshkrimi i mjaft fjalëve të shqipes përshkohet edhe nga parimi ndërsemiotik. Ky parim zbatohet në ato raste kur fjala e “huazuar” në shqip ndjek grafinë e origjinalit të gjuhëve që përdorin alfabetin latin ose grafinë e transkriptimit anglisht të fjalës së huazuar nga një gjuhë që përdor shkrim të ndryshëm nga ai latin. Parimi ndërsemiotik vjen në kundërshtim me atë “fonologjik”, sipas të cilit ndiqet shqiptimi i fjalës në gjuhën shqipe. Këtu hyjnë fjalë me prejardhje ntë huaj (ose thjesht fjalë të huaja kryesisht nga anglishtja që përdoren në kontekstin e ligjërimit shqip) si: Coca Cola, week-end, live, scan, box, news, real story, task force, now, bussiness, flash, city, Premier League etj. që hasen kryesisht nëpër kanalet televizive. Këtu bëjnë përjashtim fjalë me prejardhje të huaj që fonetikisht nuk ndryshojnë shumë nga shqipja, për shembull: fokus, ekspres, Bundesliga, La Liga, top, best etj. Rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zbatimit ndërsemiotik është edhe zhvillimi i leximit “morfematik”, domethënë fjala lexohet sikur të ishte një morfemë e vetme, pa u analizuar më tej në përbërjen grafematike. Grafia e origjinalit diktohet nga nevoja e ruajtjes së integritetit shenjor të fjalës, e cila bëhet e njohur ndërkombëtarisht në një paraqitje të caktuar grafematike. Fjala perceptohet si një e tërë në mënyrë fotografike. Është në të njëjtën kohë vijimësi grafemash dhe një figurë simbolike.

Që të funksionojë parimi ndërsemiotik nevojitet një nivel i përparuar kulturor, i cili përfshin njohjen e gjuhëve të huaja. Përndryshe, do të krijohet mospërputhje midis shkrimit dhe shqiptimit origjinal të përshtatur në shqip. Mund të përmenden si raste të njohura e domethënëse emri i studiueses britanike Edith Durham, i cili shqiptohet [e`dit dur`ham], kur në të vërtetë duhet [`edit `dɛrhæm] ose më shqip Edit Dërhemi. Një emision në një kanal televiziv titullohet “Piranja” dhe lexohet [pi`raɲa], kur në shqiptimin origjinal është [pi`ranxa] që në shqip mund të ishte [pi`ranha].

Ndokush mund të thoshte se parim fonetik ose morfonologjik (!) dhe parim fonologjik janë e njëjta gjë. Por ky është një gabim i madh. Përdorimi sinekdokik i termave mund të jetë fatal për debatin shkencor mbi drejtshkrimin, sepse, pa sqaruar me saktësi kuptimin e termave, pa ditur më parë përmbajtjen e fjalëve që përdorim në argumentet tona çdo përfundim është i dyshimtë.

Pranimi i një parimi apo i një tjetri nuk është thjesht çështje teorike, por edhe praktike. Nuk është as çështje marrëveshjeje, por një realitet që ekziston tek gjuha dhe vepron si marrëdhënie e simbolit të shkruar me simbolin zanor (fonemën). Ai lejon ose nxit një sjellje të caktuar sociolinguistike. Kështu, pranimi i parimit fonologjik të drejtshkrimit siguron njësinë e shprehjes gjuhësore, siguron qëndrueshmërinë dhe lejon larminë e shprehjes gjuhësore me emërues të përbashkët një formë referimi mbarëkombëtare. Nëse fjalën “përshëndetje” do ta shkruajmë <përshëndetje> kemi bërë zgjedhjen e duhur, pasi kjo formë e shkruar bashkon gjithë shqipfolësit, pavarësisht realizimit fonetik që i bëjnë fjalës. Por nëse dikush përdor argumentin e zbatimit të parimit fonetik, mund të legjitimohej çdo formë e shkruar e mundshme (<përshëndetje>, *<përshndetje>, *<përshnetje>; <bashkëkohor>, *<bashkkohor>, *<bashkohor>; <gishtërinj>, *<gishtrinj>, *<gishtrij>; <bojëra>, *<bojra> etj.). Siç shihet, parimi fonetik lejon fragmentarizimin, faktorizimin e çdo shprehjeje të formës gjuhësore si të ligjshme për t’u përdorur në rolin e kryeformës, duke përdorur argumentin e ndryshimit dhe evolucionit gjuhësor. Por kjo është një gjë shumë e rrezikshme në planin sociolinguistik.

Nëse parimi fonologjik siguron qëndrueshmërinë dhe shprehjen e larmishme brenda rregullsisë, parimi fonetik përkundrazi, nxit anarkinë, partikularizmin dhe arrogancën e individëve të caktuar ose grupeve të caktuara sociolinguistike për të ndërhyrë në standard duke përdorur pozitën e tyre shoqërore ose fuqinë e tyre ekonomike apo politike.

Në një kohë që shumë çështje të morfologjisë së shqipes nuk janë sqaruar mjaftueshëm në gjuhën shqipe, përdoren argumente për interpretime gjuhësore që bien ndesh me normën gjuhësore por edhe me realitetin e gjuhës, ndërsa në plan politik e kombëtar çojnë në fragmentarizim dhe divergim. I tillë është, fjala vjen, shqetësimi i disave për të futur paskajoren gege në gjuhën standarde,  problem i shtruar gjuhësisht gabim, prandaj edhe përfundimet e këtij debati janë gjithmonë jobindëse. Një analizë e sistemit morfologjik të shqipes sugjeron se një prej shfaqjeve të paskajores shqipe është gege në radhë të parë jo prej pranisë së parafjalës “me” por prej pjesës foljore, e cila ka mbaresën -ue/-u/-m/ -mun/-Ø (punue / punu / bâm / bâmun / bâ); pra karakteri i saj “gegë” qëndron tek forma gege e foljes (e papajtueshme me formën e përdorur në standard) dhe jo në sintaksën e përdorimit të “me”-së. Nëse shihet ashtu problemi, do të konstatohet një pajtueshmëri më e madhe midis gegërishtes dhe standardit dhe integrimi i shprehjes gjuhësore gege në shqipen standarde mund të shihet me optimizëm si një përdorim plotësues me efekt pasurues sesa si një arnim i paarsyeshëm.

Nga sa thamë del se parimi “morfologjik”, ashtu siç përdoret nëpër tekstet dhe artikujt gjuhësorë, është në të vërtetë parimi fonologjik. Kjo në vija të përgjithshme, se nuk bëhet fjalë për një zëvendësim të thjeshtë termash, por për një konceptim të ri të drejtshkrimit, i cili bazohet në raportin fonemë : grafemë. Ky raport mbizotëron ndaj çdo raporti tjetër (për shembull morfemë : grafemë). Po ashtu, parimi fonetik, veprues në drejtshkrimin shqip, është një version i veçantë i parimit fonologjik dhe nuk mund të identifikohet ose të ndërkëmbehet me të.

Ndërgjegjësimi se parimi fonologjik është parimi themelor i drejtshkrimit shqip dhe njëkohësisht ndërgjegjësimi se nuk vepron asnjë parim morfologjik në drejtshkrimin shqip do ta shpëtojë gjuhën shqipe nga kërcënimet e “dashamirësve” të saj që nuk i zë gjumi pa i shëruar “sëmundje” drejtshkrimore që nuk i ka dhe do ta vendosë diskutimin për drejtshkrimin në baza të shëndetshme teorike me përfitime praktike.

© 2024 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar në bashkëpunim me Midjourney.

Shkruani një Koment

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin