nga Vasil S. Tole
Himni[1] u krijua në Shkodër nga bashkëpunimi mes kompozitorit të ri Tish Daija[2] (1926-2003), në atë kohë një djalosh 17-vjeçar dhe autorit të tekstit, ushtarakut italian Mario Dacci, pjesëtar i batalionit “Antonio Gramshi”.
Tish Daija i përket brezit të krijuesve të bazave të muzikës shqiptare. Atij i njihet merita historike si krijues i baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajria”, 1963, krahas shumë veprave të tjera të gjinive vokale, instrumentale e simfonike. Fillimisht edukimin muzikor e mori pranë shkollës françeskane në Shkodër, gjimnazit “Illiricum”, aty ku jepte mësim Àt Martin Gjoka, Àt Filip Mazreku, dom Mikel Koliqi etj., së bashku me shokët e tij Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Simon Gjoni, Lukë Kaçaj, Tonin Harapi etj. Ishte periudha kur Daija me shokët ishin pjesë e bandave muzikore dhe e koreve të ndryshme si “Scuola Cantorum”, që funksiononte në Shkodër, apo edhe në të tjera syresh, qofshin fetare apo laike.
Daija filloi të krijonte në moshën 14-vjeçare dhe menjëherë u bë i njohur me këngët “Çikë, o mori çikë”, “Kënga e krushqve” dhe “Me lule t’bukura”, këngë të cilat bëjnë pjesë në atë që konsiderohet muzika qytetare shkodrane. Pra, në momentin kur rrethanat e sollën që Daija të binte në kontakt me Mario Daccin, ai e kishte formësuar bindjen se, si një kompozitor i ri dhe shumë premtues, mund të krijonte këngë që konsiderohet si gjinia më demokratike e muzikës.
Por si u bënë bashkë Tish Daija dhe Mario Dacci?
Gjithçka ndodhi pas krijimit të batalionit antifashist “Antonio Gramshi”. Sipas studiuesit Edon Qesari: …batalioni u krijua më 9 tetor 1943, në zonën e lumit të Tiranës. Pagëzohet me emrin e Antonio Gramsci-t nga vetë Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës I Sulmuese, në gjirin e së cilës bashkëngjitet batalioni – për nder të prejardhjes arbëreshe që besohej se kishte (siç dhe vetë pati shënuar) themeluesi i Partisë Komuniste të Italisë)[3].
Pa u zgjatur në historinë e krijimit dhe aktivitetit të këtij formacioni luftarak antifashist, të përbërë nga ish-ushtarakë italianë që gjendeshin në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fashiste më 8 shtator 1943, do të theksoja faktin e rëndësishëm se, ky himn në formën e strofës dhe refrenit, në tonalitetin La +, konsiderohet pjesë e trashëgimisë shpirtërore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e njëherazi edhe pjesë e këngëve të rezistencës antifashiste italiane, çka na detyron të sqarojmë kontekstin e krijimit të tij.
Mund të mendohet, se krijimi i një himni për batalionin e ri antifashist në përbërje të Brigadës së I-rë, ka lidhje me një traditë tashmë të konsoliduar të këngëve dhe marsheve që kishin formacionet luftarake partizane. Sipas Dhora Lekës, kompozitores së njohur të këngëve partizane, Brigada e I-rë, kishte dy këngë me vargje të shkruara nga Mehmet Shehu, ndërsa meloditë të huazuara nga këngë revolucionare gjermane[4]. Ndërkohë kishte shumë krijime të tjera si p.sh.. “Himni i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare”, “Himni i Këshillit Nacionalçlirimtar” , “Marsh i Korparmatës së I-rë Sulmuese”, “Marsh i Divizionit të I-rë Sulmues”, “Marsh i Brigadës së III-të Sulmuese”, “Marsh i Brigadës së IV-tërt Sulmuese” , “Marsh i Brigadës së VI-të Sulmuese” , “Brigada e VII-të Sulmuese”, “Marshi i Brigadës së VIII-të Sulmuese”, “Marshi i Brigadës së XX-të Sulmuese”, “Marshi i Brigadës së XXVII-të Sulmuese” të cilat ishin krijuar nga poetë dhe muziktarë nga radhët e partizanëve.
Aty nga fundi i vitit 1943, Mario Dacci udhëtoi drejt Shkodrës me tekstin e himnit me vete. Ai u dërgua aty me porosi të Bruno Brunetit, komisar i batalionit “Antonio Gramshi”, për të takuar kolegun e tyre, italianin Antonio Meuçi, i cili kishte aftësi muzikore dhe mund ta kompozonte muzikën e këtij himni. Duket se Meuçi refuzoi të bashkëpunonte për shkak të tensioneve të kohës. Mario Dacci u strehua fillimisht te familja e Ndoc Mazit, një antifashist i njohur shkodran, rënë më pas dëshmor. Mario nuk mundi të qëndronte gjatë aty, pasi shtëpia e familjes Mazi ishte nën vëzhgim për lidhjet e saj me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Strukturat vendore të Lëvizjes Nacionalçlirimtare vendosën ta strehonin Mario Daccin te shtëpia e familjes Daija, e cila nuk ishte e përfshirë në veprimtari politike.
Në përmbushje të qëllimit të shkuarjes në Shkodër, gjatë qëndrimit atje, Mario kërkonte të njihte muzikantë që jetonin në Shkodër. Një mbrëmje, ndërsa dëgjonte vajzat e shtëpisë që luanin piano, ai e pyeti Tish Dainë nëse mund ta ndihmonte të kontaktonte ndonjë muzikant për të kompozuar një këngë për të cilën ai kishte shkruar tekstin[5]. Tishi, me gjysmë zëri, i tregoi se edhe ai vetë merrej me kompozim dhe, duke u ulur në piano, i interpretoi disa nga kompozimet e tij. I impresionuar, Mario i tregoi tekstin e himnit dhe e pyeti nëse mund ta ndihmonte me kompozimin. Brenda dy-tri ditësh, himni u përfundua. Mario, i entuziazmuar, mori partiturën dhe u largua[6].
Kur Daija krijoi melodinë e këtij himni, po nga Shkodra kishin marrë udhë dy krijime shumë të njohura të këngëve partizane. Në qershor të vitit 1942, shkrimtari Kolë Jakova[7], shkruante vargjet dhe muzikën e këngës së “Tre heronjve të Shkodrës” (kushtuar heroizmit të dëshmorëve Jordan Misja, Branko Kadia dhe Perlat Rexhepi), si dhe këngën-himn “Bashkoju shok me ne në çetë”, me kërkesë të Mustafa Matohitit –“Hero i Popullit”, për çetën e Kurveleshit etj.
E vërteta është që deri më tani, ekzistenca e këtij krijimi muzikor të Daisë dhe Daccit nuk ka qenë përmendur aq sa duhet, e për pasojë edhe të zërë vendin e duhur në studimet tona historike dhe në ato muzikore, ndërkohë që p.sh., për flamurin e batalionit “Antonio Gramshi” ka të dhëna, edhe pse të pjesshme, prej atyre fotografike e deri tek ato shkrimore. Dihet që, si flamur i këtij formacioni luftarak u përshtat flamuri trengjyrësh italian i pajisur me emërtesën “A. Gramsci” në vend të emblemës mbretërore italiane, e pohuar kjo në studime të mëparshme shqiptare dhe italiane[8], ndërkohë himni nuk ka zënë vendin e merituar në dokumentet e kohës.
Krahas flamurit të këtij formacioni luftarak, himni ishte një tjetër element identifikues i tij. Duket se italianët e batalionit “Antonio Gramshi” nuk mund ta ndanin dot muzikën nga vetja e tyre edhe në këtë rast, e ajo duhej përdorur si element simbol i këtij formacioni të ri luftarak.
Historiani Stefano Pivato nё studimin “Bella ciao: Canto e politica nella storia d’Italia” përshkruan rёndёsinё e kёngёs partizane nё kontekstin e rezistencës dhe qёndresёs antinaziste italiane nё vitet 1943-1945, nisur nga analizimi i kёngёs “Bella ciao”, një kёngё italiane e njohur ndёrkombёtarisht. Ndёr tё tjera, ai pohon se: … kёnga ёshtё dёshmia e njё ideali, ёshtё shprehje e njё besimi politik, njё mёnyrë pёr tё konfirmuar dhe ekzaltuar ndjenjën e pёrkatёsisё mё sinjifikative, tё njё ndarjeje besimi apo frymёzimi social. Ajo zbulon dhe prezanton politikёn duke nёnvizuar ngjarjet, eventet mё kryesore, duke ndjekur evolucionin historik tё tyre. Ajo, kёnga, ёshtё njё prej sinjaleve mё sinjifikative tё pjesëmarrjes sё njerëzve tё zakonshëm nё kёtë evolucion kohor. Nё kёtё kёndvёshtrim kёnga ёshtë një dokument me vlera qё mund tё përdoret pёr tё kuptuar historinё[9].
Pikërisht ashtu: kёnga ёshtë njё dokument me vlera qё mund tё përdoret pёr tё kuptuar historinё dhe historiku i krijimit të kësaj kënge është i rëndësishëm për të kuptuar veprimtarinë e batalionit “Antonio Gramshi” në Shqipëri.
Nga një vëzhgim i thjeshtë i partiturës së himnit të batalionit “Antonio Gramshi”, konstatojmë se muzika ka natyrë marciale, gjë që duket qartë, pasi ajo ruan mënyrën e strukturimit të saj në funksion të këndimit gjatë marshimit. Ky tipar është një veçori e përgjithshme që shoqëron himnodinë muzikore të lidhur kryesisht me marshet, prandaj edhe në këtë krijim të Daisë e kemi melodinë të vendosur në metër dy pjesëtues 2|4, i njëjtë me numërimin 1-2, 1-2 të hapave gjatë ecjes. Nga ana tjetër, teksti i saj është një mesazh i qartë i mohimit të ideologjisë fashiste dhe i “shndërrimit” të ushtarit italian, nga pushtues në luftëtar partizan antifashist, kjo pasi, ata duhej të linin pas gjithçka prej identitetit të tyre, duke u kthyer kësisoj në partizanë të një kauze krejt të re[10].
Kjo ide kulmon në vargjet:
Jemi trima partizanë.
Do të luftojmë deri në fitore,
Toka jonë e lirë do të jetë,
Ne Italisë do t’i shkruajmë historinë,
Për gjakun e heronjve do të marrim hak.
Pas çlirimit të vendit, disa partizanë të batalionit “Antonio Gramshi” udhëtuan në Shkodër për të falënderuar autorin për suksesin e këngës, e cila kishte fituar popullaritet jo vetëm mes ushtarëve italianë, por edhe shqiptarëve. Nga fundi i viteve ’70 të shek. XX, gjatë një turneu të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në disa qytete të Italisë, shumë nga ish-partizanët e batalionit ndoqën koncertet. Pas një koncerti në Firence, ku u shtrua një banket në nder të Ansamblit nga anëtarët e batalionit, Bruno Bruneti, Mario Daci dhe Tish Daija patën rastin të ritakoheshin dhe të ndanin kujtimet e tyre të përbashkëta për këtë krijim artistik që përjetëson në muzikë bashkëpunimin italo-shqiptar. Ishte viti 1978. Takimi i tyre u fiksua në dokumentarin që RTSH përgatiti për koncertet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve në Itali.
Së fundi, ky krijim historik e muziko-letrar i Daisë dhe Daccit është një dëshmi më shumë e krijimeve artistike që lindën gjatë viteve të rezistencës antifashiste shqiptare e si të tilla kanë zënë vendin e merituar në historinë tonë bashkëkohore.
Himni i divizionit garibaldin A. Gramshi në Shqipëri[11]
(Teksti nga Mario Dacci – Muzika nga Tish Daija)
Ne plagët fashizmit ia dimë mirë,
poshtërimet ndaj punëtorëve po ashtu.
I këputëm më në fund ato zinxhirë
Që punën tonë shfrytëzonin përditë.
Kundër armikut barbar e mizor
E gjithë Italia u rebelua një ditë
Dhe partizanët në radhë të forta shtrënguar
Gjithë botës ia treguan trimëritë.
Ref.
O Partizan,
Shko drejt fatit tënd!
Rruga e Atdheut do të lartohet.
Fatin e Italisë e kemi në duar,
Jemi trima partizanë.
Do të luftojmë deri në fitore,
Toka jonë e lirë do të jetë,
Ne Italisë do t’i shkruajmë historinë,
Për gjakun e heronjve do të marrim hak.
Jemi Partizanë të Italisë së re
Që një ditë mbi kodrina do të ngrihet sërish,
E bukura Itali, do të jetë e lirë,
Me paqen do të kthehet dhe puna.
Inno della divisione garibaldina A. Gramsci in Albania
[Testo di Mario Dacci-Musica di Tish Daija]
Noi del fascismo conosciam le pene,
L’onte subite da noi lavorator.
Alfin spezzate le catene abbiam
Che sfruttavano ogni dì il nostro lavor.
Contro il nemico barbaro e crudele
Tutta l’Italia un dì si ribellò
E i partigiani stretti in forti schiere
Han mostrato a tutto il mondo il loro valor.
Ref.
Partigiano va
Verso il tuo destin,
Il cammin della Patria sorgerà.
Dell’Italia la sorte abbiamo nelle man,
Siamo arditi partigiani.
Combatteremo fino alla vittoria,
La nostra terra libera sarà,
Noi dell’Italia storia si farà,
Degli eroi il sangue vendichiamo.
Siam Partigiani della nuova Italia
Che un dì qui sui colli ancora ritornerà,
L’Italia bella libera sarà,
Con la pace il lavor ritornerà.
© 2024 Vasil S. Tole. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Himni i divizionit Garibaldin “Antonio Gramshi”, 1943. Muzika Tish Daija, teksti Mario Dacci.
[2] Among the most popular and important Albanian composer, Tish Daija (1926-2003) was composer of prominent lyricism with light colors, based on fragile rhythmic skeletons. His early musical encounters were with Shkodran folk and urban song, and with the region’s organized musical activities. He taught music in Vlora (1946-50) before becoming one of the first Albanians to study at the Moscow Conservatory (1950-56), where his teachers included Bogatïrov, Regal-Levitzky, Vladimir Fere and N. I. Pejko. On his return to Tirana he worked as inspector of music at the Ministry of Education and Culture (1956-62) before being appointed artistic director of the State Ensemble of Folksongs and Dances (1962-80), with which he toured Europe, Asia, and Africa. He became a state-salaried ‘free professional composer’ in (1980), but continued to teach composition at the Tirana Conservatory. He was elected member of the Albanian Academy of Sciences in 1999, and Kosova Academy of Sciences and Arts in 2000. For his contribution, he has received some of the highest recognition medals from the Albanian government, the People’s Artist of Albania decoration and the Honor of the Nation (Nderi i Kombit) decoration. See Grove Dictionary of Music.
[3] Shih Qesari Edon, NJË LÉGION ÉTRANGÈRE MES SHQIPTARËSH: HISTORIA E BATALIONIT “ANTONIO GRAMSCI” (1943-1944), tek Studime Historike, nr 3-4, 2021, f. 1530154. Studim i cituar.
[4] Shih Leka Dhora, “Këngët partizane”, Tiranë, 2003, fq. 29.
[5] Shih Mario Dacci – Inno della Divisione garibaldina A. Gramsci | Resistenza
[6] Referuar të dhënave të Gust Daisë, djalit të kompozitorit Tish Daija, tetor 2024.
[7]JAKOVA Kolë (1917–2002). Dramaturg, poet dhe romancier. Lindi në Shkodër, ku kreu shkollimin e mesëm. Një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve -1945, drejtor i parë i Teatrit Popullor dhe i Filarmonisë së Shtetit (1945–1946), kryeredaktor i revistës “Letrari i ri” (1948–1953), shkrimtar në krijimtari të lirë prej fillimit të v. ’60. K.J. mori pjesë aktive në Lëvizjen ANÇ dhe shkroi tekste e kompozoi këngë partizane. Ndihmesën kryesore letrare K.J. e dha në fushën e dramaturgjisë me dramat “Halili dhe Hajria”-1949 dhe “Toka jonë” -1954, “Përkolgjinajt”- 1965, “Lulet e shegës”- 1976, “Lugajanët” – 1977. K. J lëvroi edhe prozën e gjatë. Për më shumë shih zërin Jakova Kolë te “FESH”, Tiranë, 2010, hartuar nga Koço Bihiku.
[8] Shih Plasari Ndreçi, Shpresë për popullin, tmerr për armikun: mbi jetën dhe luftën e Brigadës I Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Tiranë: 8 Nëntori, 1977, f. 75-76; shih gjithashtu edhe Gian Battista Cavallotto, “Così divenni partigiano”, në Patria indipendente, (XXVII), Roma: 7 ottobre 1979, nr. 16.
[9] Pivato Stefano, “Bela Ciao-Kёnga dhe politika nё historinё e Italisё”, Editori Laterza, Italia 2015. Pёr tё dёgjuar kёngёn shih https://www.youtube.com/watch?v=4CI3lhyNKfo
[10] Shih Qesari Edon, NJË LÉGION ÉTRANGÈRE MES SHQIPTARËSH: HISTORIA E BATALIONIT “ANTONIO GRAMSCI” (1943-1944), tek Studime Historike, nr 3-4, 2021, f. 152. Studim i cituar.
[11] Përktheu nga italishtja Mimoza Hysa.
Ato shkurtimet e mbaresave a kane dicka dialektore? Sa ndryshon teksti nga ato kenget partizanet ne Itali? Ne krahasim me ate bella ciao sikur eshte me e dobet stilistikisht.