nga Elidor Mëhilli
Gjatë viteve ’80-të mbi fetat e bukës së fëmijëve shtrohej sheqer e vaj. Mbaj mend që rrëkeja e vajit të ullirit herë krijonte ndonjë rreth, herë ndonjë gërmë, sipas humorit apo qejfit, ku individi mungesën e kthente në një farë loje. Mbaj mend ëmbëlsinë. Por shkallën e dëshpërimit që kishte pllakosur vendin asokohe e kam kuptuar vetëm më i rritur. Vitet ’80-të mbeten shtrati i mitologjisë së elitës që drejton vendin si dhe i historisë së letrarizuar që hidhet në tregun shqiptar, ku hulumtimet serioze me zor bëjnë vend.
Libri Sugarland i studiuesit Artan Hoxha hedh një vështrim panoramik mbi fillesat e historisë që kurorëzohet me sheqerin e dëshpërimit shqiptar, duke u ndalur në një stacion relativisht të vogël—në Maliq—atje ku projektet e bonifikimit të tokës gjatë fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të u pasuan, me kalimin e dekadave, nga fushata e furishme e industrializimit të vendit pas ‘45-ës.
Për breza më të rritur shqiptarësh, emri Maliq u kthye në sinonim të sheqerit që dilte nga kompleksi industrial i inauguruar aty në vitet ’50-të, pas fitores mbi kënetën. Lindën me industrializimin edhe figurat e armiqve të shtetit, siç lindën edhe heronjtë e punës. Me “çlirimin” e tokës, e tashmja filloi të merrte karakter me romanin e Fatmir Gjatës, ndërsa shembulli i Makensen Bungos, siç na kujton Visar Zhiti, do të priste 40 vjet të botohej. Letrarizohej edhe në diasporë—pa nam e pa bujë, te një libërth i hollë i Arshi Pipës—dhuna ndaj të dënuarve politikë që luftonin me kënetën dhe njëkohësisht me harresën.
Hulumtimi arkivor kërkon kohë e angazhim. Qasja e Hoxhës është ambicioze: të bëjë bashkë analizën e mjedisit me ndërveprimin e teknologjive, teoritë e shpërbërjes së perandorive dhe të shtetndërtimit. Në punë i hyn fort mirë mikrohistoria si një mjet për të hapur historiografinë.
Përveç se mënyrë për të hedhur dritë mbi strukturat shoqërore, mikrohistoria kohët e fundit përpunohet edhe në rrafsh global. Kështu që libri i shton literaturës anglofone një rast studimor të pasur por të panjohur në Perëndim, që ka ç’t’u thotë edhe studiuesve të raporteve të ekologjisë me pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore.
Kush merret me Ballkanin modern në anglishte nuk e ka të lehtë të anashkalojë fokusin gati mbytës historiografik mbi çështje te identitetit etnik dhe të nacionalizmit. Disa autorë (këtu fus edhe veten) e bëjnë këtë duke iu drejtuar metodave të historisë ndërkombëtare dhe globale (international and global history) apo duke përdorur mjetet e historisë transnacionale (transnational history).
Te Hoxha gjen diçka tjetër. Përqendrohet te lokalja. I reziston tundimit për ta parë Maliqin thjesht si depozitë modelesh planifikimi të konceptuara tjetërkund (edhe pse, sigurisht, një lloj depozitimi modelesh të huaja ishte). Kjo e bën Sugarland-in edhe një prurje me risi në studimet shqiptare, ku qasjet mikrohistorike ndaj provincës, dhe sidomos rurales – si këndvështrime mbi historinë e modernizimit dhe të qeverisjes – janë të pakta.
Sugarland sheh në bonifikimin dhe zhvillimin e Maliqit një mundësi të mirë për të shtrirë prapa në kohë historikun standard të planifikimit. Autori zbulon sistematikisht shtresat e projekteve të mëparshme për të fituar tokë, që me Perandorinë Osmane. Shumica e skemave dështuan; disa u ringjallën më vonë nën regjime të tjera. Hyrja e librit e vendos elementin jo-njerëzor në plan të parë të historisë së shtetndërtimit.
Më shumë se një lloj mode historiografike, kjo është një thirrje urgjente dhe aktuale. Në Shqipërinë postkomuniste vështirë se ka pasur problem më serioz se mosmarrëveshjet për çështje të territorit, privatizimet, shfrytëzimi i burimeve, apo degradimi i mjedisit. Më tej, edhe përqendrimi te ruralja është për t’u përshëndetur pasi pikërisht aty jetonte shumica e shqiptarëve. Parë kështu, libri ngre si problem metodologjik çështjen e studimit të territorit jourban nën qeverisjen e elitave të vetëshpallura modernizuese, por që e kanë parë me përçmim provincën dhe jetën fshatare.
Hoxha punon me një bazë burimore të pasur: dokumente zyrtare nga arkivat shtetërore dhe partiake, ilustrime bashkëkohore, harta, të dhëna gjeologjike, si dhe njohuri të marra nëpërmjet punës në terren gjatë viteve. Kjo shërben edhe si një ftesë për reflektim mbi regjimet kohore që formësojnë historitë që tregojmë e shkruajmë. Për shembull: Hoxha nuk e merr të mirëqenë vitin 1945 si një thyerje e rifillim, siç e paraqisnin autoritetet e pasluftës.
Kapitulli i parë e vendos bonifikimin e kënetës së Maliqit në sfondin e gjerë të administrimit osman, trazirave të Luftës së Parë Botërore dhe lindjes së vështirë të shtetit shqiptar. Autori merr në konsideratë shpirtin modernizues të elitave dhe sidomos interesin ndaj një qasjeje dirigiste ndaj ekonomisë. Për disa prej baballarëve të kombit, bonifikimi i tokës ishte një lloj fytyre e vetë shtetndërtimit. Por edhe pse Italia fashiste propozonte, më vonë, bonifikimin (bonifica integrale) si një formë e kolonizimit të brendshëm pas pushtimit në 1939-ën (që, duhet thënë, ishte vënë në praktikë në Itali), bonifikimi i Maliqit priste të bëhej realitet.
Pas vitit 1945, autoritetet komuniste vendosën ta bënin realitet. Hoxha tregon se pushteti ricikloi planet dhe idetë pararendëse, duke përfshirë edhe ato të kohës fashiste. Kapitulli i dytë jep një përmbledhje të detajuar të ulje-ngritjeve të bonifikimit, që përftohet si një histori optimizmi të madh por edhe pune me detyrim të të dënuarve, akuzash të rrezikshme për sabotim dhe adaptimit të projekteve të inxhinierëve sovjetikë. Kësisoj Hoxha kundërshton qasjen e James Scott-it ndaj shteteve të periudhës së ashtuquajtur “të modernizmit të lartë” dhe marrëdhënies së tyre me dijen lokale. Në fakt, shkruan ai, “nuk ka patur një mënyrë të vetme vështrimi të shtetit modernist” (fq. 103).
I shpallur si mjet për të luftuar pabarazinë, transformimi industrial i Maliqit në fakt theksoi dallimet midis qytetit dhe fshatit. Për ta argumentuar këtë, Hoxha konsideron çështjen e integrimit të grave në fuqinë punëtore, pabarazinë te mundësitë për arsim, si dhe taktikat e përditshme të fshatarëve—duke u përqendruar te zgjedhjet martesore—taktika që njerëzit filluan t’i përdorin për t’u larguar nga fshati. Ky është elementi tjetër inovativ: Tirana modernizuese nuk është e vetmja pikë referimi në studim.
Korça, për shembull, del si një pikë referimi rajonal. Kështu që Maliqi përftohet brenda një marrëdhënieje trekëndore, duke i ofruar lexuesit një gjeografi më interesante të pushtetit. Pastaj vështrimi studimor përhapet edhe më tej. Plani për të ndërtuar një kompleks industrial është edhe mundësi për të cekur hapësirat globale të Luftës së Ftohtë (kapitulli 4) duke hedhur dritë mbi kontradiktat e shkëmbimeve transnacionale dhe një diskutim tejet interesant (fq. 177-179) se si koncepti shqiptar për botën, shpesh i pozicionuar në terma teknikë, në fakt pasqyronte ankthe kombëtare dhe gjeopolitike.
Libri insiston të krijojë ura midis Maliqit të vogël dhe Evropës e botës së madhe. Hoxha punon me një rrjetë historiografike të gjerë, duke u vënë në dialog me historianë të zhvillimit ekonomik dhe të Luftës së Ftohtë si histori globale, me studime e qasje teorike të shumëllojshme për Ballkanin, Evropën, madje edhe Azinë Qendrore. Kjo e fut librin brenda një kornize komplekse akademike, çka stimulon trurin, por ka edhe disavantazhin e ndërprerjes së rrëfimit narrativ, meqë fokusi lëviz vazhdimisht.
Është zgjedhje e kuptueshme. Nga studiuesit e vendeve të largëta e të vogla pritet që ta lidhin punën e tyre vazhdimisht me fusha më të mëdha – pak rëndësi ka nëse këto fusha (dhe studiuesit e tyre) tregohen të hapur dhe të interesuar apo jo. Megjithatë, historia e Maliqit—dhe reduktimi i shkallës studimore gjatë epokës së historisë globale—është lëvizje me interes në vetvete, pavarësisht nëse subjekti konkret mundet, apo jo, të hedhë dritë mbi llojet e “ndërveprimeve trans-evropiane dhe globale” (fq. 193).
Pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik në fillim të viteve 1960, dhe gjatë ulje-ngritjeve të marrëdhënieve me Kinën në vitet ’60-të e ’79-të, pushteti shqiptar kërkonte një rrugë drejt mbijetesës “me forcat tona.” Hoxha rrëfen se si një regjim militant kërkonte gjithsesi mënyra për të ruajtur disa lidhje me botën përtej. Në kapitullin e pestë, vështrimi ecën akoma dhe më përpara në kohë, pas rënies së regjimit komunist, drejt kaosit të privatizimit dhe të luftës së ashpër për tokën dhe burimet natyrore.
Studimi i viteve ’90-të bazuar në kërkim rigoroz arkivor (jo në vetë-letrarizimin aq të dashur nga tregu shqiptar) mbetet sfidë e madhe në Shqipëri, ku materialet e asaj periudhe janë në gjendje alarmante. Kapitulli i fundit i Sugarland-it pasqyron këtë vështirësi. Më herët, libri është shumë i mprehtë kur kritikon idenë e huazimit shabllon të modeleve zhvillimore nga jashtë, por kjo qasje kritike duket sikur zhbëhet kur vjen puna te vitet ’90-të, të cilat u përftokan kryesisht nëpërmjet huazimeve nga Perëndimi.
Hoxha shkruan për “partizanët e terapisë së shokut” (fq. 223) edhe pse i referohet punës së rëndësishme të sociologut dhe politologut Besnik Pula, i cili ka argumentuar, përndryshe, se ristrukturimi i mëvonshëm i ekonomive postkomuniste shpjegohet me lidhje e orientime më të hershme financiare, me procese të viteve ‘70-80-të. Vendet ish-komuniste nuk kishin të njëjtat pikënisje në vitin 1990-1991. Sikur edhe në 45-ën, pra, as viti 1991 nuk ishte vit zero.
A nuk dalin, atëherë, vitet ’90-të, si pasqyrim i vazhdimësisë së elitave komuniste, kufizimeve strukturore por edhe të modeleve mendore që i paraprinë ardhjes së formulave të gatshme perëndimore? Më tej, kur i mëshojmë qasjes “Shqipëria si një mikrokozmos-i” në sferën evropianolindore a nuk ekziston rreziku i keqleximit të historisë së kolapsit komunist shqiptar dhe sidomos “riorganizimit” postkomunist?
Thjesht fakti që kemi mundësinë e një debati të tillë është falë punës së mundimshme dhe përkushtimit studimor që pasqyrohet te Sugarland-i. Aq e pasur është perspektiva e Hoxhës sa arrin të komunikojë me një sërë lexuesish.
Edhe rezonanca aktuale politike është mjaft e qartë. Hoxha shkruan se si “zhvillimi mbetet një objektiv i pakapshëm, që vazhdon të rrëshqasë nga duart, duke lënë pas projekte të cunguara, shpresa të paplotësuara, zhgënjim të vazhdueshëm që shpesh shoqërohet me ëndrra të reja” (fq. 245-246).
Le të kthehemi sërish në Maliq. “Mori për 1 euro ish-Kombinatin në Maliq” deklaronin para dy vitesh gazetat dhe portalet shqiptare për një biznesmen. “Gjergj Luca i ngre bust ish-drejtuesit të Kombinatit të Sheqerit në Maliq,” vinte një tjetër titull po atë vit.
Si dhe në të kaluarën (tashmë të harruar), reagimet ndaj projektit më të ri transformues pasqyruan qëndrimin politik dhe perspektivën personale të kujt shkruajti e foli. Disa media shqiptare ngritën menjëherë dyshime mbi marrëveshjen, e nënshkruar në një vend ku toka dhe burimet kombëtare janë vjedhur e shpërndarë pa turp fare, ditën me diell, dhe ku frytet e rritjes ekonomike nuk shijohen gjerësisht.
Të tjerë komentues online u gëzuan. Pas kaq shumë vitesh neglizhence, më në fund pak shpresë për zhvillim e vende të reja pune. Mbase.
© 2024 Elidor Mëhilli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Recensë e botuar në revistën amerikane Slavic Review (pranverë 2024) të Shoqatës për Studimet Sllave, të Evropës Lindore dhe Euroaziatike. Sjellë në shqip me licensim (tetor 2024) nga Cambridge University Press. Ripërshtatur nga autori. Titulli mbështetet mbi një thënie të Arshi Pipës, Albanian Stalinism: Ideo-political Aspects, East European Monographs, 1990, fq. 20.
Disa refleksione ne autobuzin e Tiranes se Re.
Ishte interesant por jo ground-breaking.
Thote: “Hyrja e librit e vendos elementin jo-njerëzor në plan të parë të historisë së shtetndërtimit.”
Edhe aty e mban. Nuk besoj se kishte qasje mikro-historike. Ka vetem disa momente, perfshire ritualin e kafes me sheqerin te familjes se autorit, dhe ndonje episod me ish-drejtoreshen (kjo me duket se ishte drejtoresh pa ndermarrje). Apo kjo me vajin e bukes qe merr autori.
Sa per Scott, nuk eshte bindes. Si edhe Kotkin qe e konfirmon, planet vinin nga larte. Mund te negocioheshin, ose ndonje i zellshen nga poshte i konfirmonte apo tejkalonte, por vendoseshin nga siper. A mund qe qasja mikrohistorike ta konfirmoje rolin e teknikeve te mesem mbi politikat e nivelit te larte ne kombinat? Rekomandimet hartoheshin ne menyre qe te mos dukeshin konfliktuale, por plotesuese. P.sh. pse nuk pati rrotullime kokash kur nuk arriheshin planet, sikur ne sektorin e naftes? Nuk i pergjigjet dot kesaj pyetje pa ditur efektet e tregut boteror dhe sic e permendi Elidori, pa njohur krizat financiare, Besnik Pulen.