KOHA JONË PËR RACIZËM?

nga Elson Zguri

Vitet e fundit ka shpesh reagime në Greqi për shfaqjet dhe emisionet televizive të komedianit Markos Seferlis. Arsyeja është lloji i satirës dhe grupet shoqërore, që ai zgjedh të përqeshë. Në këto grupe përfshihet, që nga shfaqja e tij e parë e deri më sot, edhe ‘emigranti shqiptar’ në Greqi. Kritika që shumë prej nesh bëjmë ndaj Seferlis është stigmatizimi i këtyre grupeve shoqërore, si dhe fakti që humori i tij dhe skenat që përqesh, kanë mbetur të njëjta për gati 25 vjet.

Kisha nisur të shkruaj këtë artikull para se të shkruaja një artikull në greqisht [1]  për revistën Lifo dhe për Markos Seferlis, për të cilin do të flas hollësisht më poshtë. Para dy muajsh më kishin dërguar të shihja një “reportazh” të gazetës ‘Koha Jonë’ me titullin “A kemi nevojë për afrikanët në Shqipëri? Jepni mendimin tuaj”, postuar në faqen zyrtare të gazetës në Facebook dhe për të cilin më erdhi vërtet turp.

Duke marrë parasysh, që Seferlis ka ende një audiencë të madhe fëmijësh, pyes veten se si ndikon satira e tij te këta fëmijë, kur ai përdor komente dhe përshkrime kaq denigruese për shqiptarët?! A mos ndoshta është kjo arsyeja, që të gjithë fëmijët shqiptarë të rritur në Greqi, kemi dëgjuar të paktën një herë në jetë: “Ah, nuk dukesh si shqiptar!”? Sepse nëse imazhi që ke për një grup njerëzish formohet (edhe) nga “shaka” të tilla, është e pritshme, se kur sheh fëmijë që nuk përputhen me imazhin e uriturit grabitës, “të mos të duken si të tillë”.

Vitet e fundit, Seferlis bashkëpunon me një aktor me origjinë shqiptare, i cili luan rolin – oh, çfarë surprize! – e shqiptarit gjynahqar dhe hajdut, që e flet greqishten me theksin tipik të shqiptarit safi, pa qenë nevoja t’i drejtohet grekut imitues. Duhet talent për të bërë theksin e prindërve të tu. E bëjnë rreth 1.000 veta në TikTok! Mbaj mend, që vite më parë mendova, se nëse personalisht më lëndonte fakti që Seferlis bënte humor me origjinën time, si mund të ndihej dikush tjetër, nga një grup tjetër shoqëror, kur Seferlis bënte – dhe vazhdon të bëjë – humor me karakteristikat e tyre të jashtme, gjatësinë, aftësitë e kufizuara, dhe shumë aspekte të tjera të dukshme?!

Faji kolektiv, që kam bartur në Greqi si fëmijë i emigrantëve shqiptarë, ka ardhur (edhe) nga përhapja e stereotipeve të riprodhuara nga “komikë kombëtarë” si Seferlis. Fëmijë, thjesht mbyllnim sytë dhe veshët, duke menduar se kështu do të lëndoheshim më pak. Derisa një ditë thamë “mjaft” u përballëm me realitetin dhe treguam me gisht përgjegjësit e plagëve tona fëmijërore. Nuk besoj më në të njëjtat gjëra që besoja në fillore, nuk qesh me të njëjtat gjëra, që qeshja në vitin 1998. Shoqëria, marrëdhëniet dhe ekuilibrat shoqërorë, perceptimet, të drejtat e njeriut, shkenca nuk janë në të njëjtin nivel me atë të viteve ’90! Duket se gjërat kanë përparuar! Bota ndryshon dhe gjithmonë shpresojmë, që çdo ndryshim të jetë për mirë, edhe pse ndonjëherë duket se është e kundërta.

Në llogarinë e tij personale në TikTok, Markos Seferlis publikoi një fragment nga një shfaqje e tij, ku luan rolin e një punëdhënësi grek, që refuzon të deklarojë punëtorin e tij shqiptar  zyrtarisht me sigurime shoqërore. Atëherë Seferlis – si punëdhënës – i përgjigjet me batutën “e atëherë jam…” dhe kur pyetet se çfarë, thotë: “i vetmi në botë, që po vjedh nga një shqiptar“, sepse dihet, që shqiptarët vetëm vjedhin (madje edhe receta) dhe nuk kanë asgjë që mund t’ua vjedhë dikush, aq më pak një punëdhënës grek. Dhe më pas, siç e kërkonte roli, Seferlis, si një punëdhënës “trendy”, i shpjegon publikut se sa mosmirënjohës janë shumica e shqiptarëve, që shoqëria greke u dha punë, sepse kur erdhën në Greqi, luteshin t’i punësonin, tani kanë dhe pretendime. Dhe vazhdonte, që ai si punëdhënës, nuk kishte fare nevojë për shqiptarët si krah pune. Dhe që ishte aq i mirë, aq i mirë, ky punëdhënësi, që luante skenaristi, regjisori dhe aktori Seferlis, sa përveç pagës ditore, i jepte në dorë edhe kontributet e sigurimit shoqëror! Këtu më duhet të pranoj, se ishte hera e fundit, që Seferlis më bëri të qesh me zemër! Pas kësaj, duke iu drejtuar një gjermaneje, i kërkon të marrë GJITHË (mosmirënjohësit) shqiptarë në vendin e saj dhe të mos i kthejë më kurrë në Greqi. Mos u shqetëso zoti Seferlis, sepse kjo ndodh në një shkallë të madhe. Dardha e ka bishtin pas, siç thotë një fjalë e urtë greko-shqiptare. Por nëse ikim të gjithë shqiptarët nga Greqia, me kë do bësh numra pastaj? Do të mbetesh i vetmi… hahaha! Në fund të skenës, “punëtori shqiptar” duke u larguar thotë, se do ta çojë në gjyq dhe “punëdhënësi grek” përgjigjet: “Pse, nuk ke kallashnikov?“. Dhe ndërsa, siç kërkohet me sa duket nga roli, Seferlis i thotë të gjitha këto me një ton serioz dhe të vendosur, publiku shpërthen në duartrokitje. Nuk do ta komentoja këtë skenë, pasi ai ka bërë shumë të ngjashme, nëse disa muaj më parë nuk do të kisha parë Markos Seferlis të merrte pjesë në Village Cinemas në Athinë për të mbështetur shfaqjen e filmit “Dy gisht mjaltë” së bashku me bashkëproducentin dhe aktorin kryesor të filmit, këngëtarin dhe aktorin shqiptar Ermal Mamaqi. Nuk munguan as fotot dhe videot me fansa me origjinë shqiptare, as komentet entuziaste nga të dyja palët. Madje edhe me ambasadoren e Shqipërisë në Athinë u fotografua Markos Seferlis, si shpërblim për batutat e tij të suksesshme për emigrantët shqiptarë, supozoj. Tani që Seferlis pa nga afër një pamje tjetër të shqiptarëve, aktorë, gazetarë, ambasadoren, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, shqiptarë që nuk ishin të veshur keq, të uritur dhe të gatshëm për të vjedhur dhe që, madje disa prej tyre flasin greqisht, ndoshta edhe më mirë se ai vetë, a do të ndryshojë mendim? A do të paraqesë edhe këtë pamje të shqiptarit në shfaqjet e tij?

Personalisht nuk kam asnjë dyshim se Seferlis dhe të ngjashmit e tij, së bashku me mediat, luajtën një rol vendimtar në formësimin e imazhit të ‘shqiptarit’ në opinionin grek. Pesha bie qartësisht mbi mediat, të cilat nuk satirizonin, por paraqisnin ‘fakte të kryera’ për ‘shqiptarët e rrezikshëm’. Dhe është pikërisht roli i këtyre mediave, që përpiqem të theksoj prej disa vitesh.

Kur ndoqa videon e editorialit të gazetës shqiptare ‘Koha Jonë’, përpiqesha të kuptoja nëse po e shikoja si ‘shqiptar’, si ‘emigrant’, si ‘emigrant shqiptar’, si ‘emigrant shqiptar në Greqi’ apo si ‘emigrant shqiptar nga Greqia në Gjermani.’ Më erdhi turp, nga mënyra si përmendej fjala ‘racë’. “Europa është kthyer në një mozaik, ku racat dhe ngjyrat janë përzier”. Dhe në fund dëgjohet “Nuk kemi asgjë kundër afrikanëve, por…”. Me këtë ‘por‘ është shënuar e gjithë jeta e qindra mijëra emigrantëve shqiptarë në vende si Greqia dhe Italia, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, vitet e fundit. Retorika e videos në fjalë, duke u përqendruar te shpërfytyrimi i Europës së bardhë nga ngjyrat e zeza dhe të verdha, siç ka ndodhur tashmë në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, të kujtonte delirin nazist të Gjermanisë së viteve ‘30. Videoja ka afërsisht 1 milion shikime, mbi 12.000 reagime dhe mbi 1.300 komente. Megjithatë, kur lexoja ne 2015 artikullin “Imagjino sikur”[2] që na kërkon të imagjinojmë si do ishte sikur të mbushet edhe Shqipëria me emigrantë shqiptarët atje do tregohen racistë, nuk prisja të vërtetohej kjo kaq shpejt dhe në mënyrën më të keqe. Sepse, personalisht imazhet e videos së vitit 1991, që gjenden në fund të artikullit “Clandestino Albanese”[3] më duken akoma shumë të afërta; si të ishte praktikisht dje! Është historikisht e provuar dhe shpjegohet nga shkenca e psikologjisë[4], se kushdo që ka përjetuar racizëm nuk bëhet automatikisht antiracist.

Ky ‘reportazh’ nga ‘Koha Jonë’ përcjell një retorikë të pastër naziste, ku përmendet shumë herë “rreziku” që Shqipëria dhe Europa “të ndryshojnë ngjyrë”.

Gjithashtu, më 13 tetor 2024 emisioni STOP – TV KLAN -i vetëdeklaruar investigator-, poston në faqen zyrtare në Facebook një video me titullin “Dhëndër” lezhian në 2050 duke iu referuar kampeve të Italisë në Shëngjin që do të mbushen me refugjatë nga Afrika. Shohim një normalizim të racizmit ndaj emigrantëve potencialë nga Afrika në Shqipëri. Në të njëjtën mënyrë, shumë komente i referohen racës së mirë të bardhë dhe racës së keqe të zezë!

Për ne që e kemi ndjerë stigmatizimin dhe diskriminimin nën lëkurë, ne që jemi ‘Fëmijët që ikëm’[5], frika më e madhe ka qenë, që të njëjtin racizëm, që ne kemi përjetuar në vendet e huaja, mos ta përjetojnë emigrantët e rinj në Shqipëri. Uroj të mos vijë ajo kohë, që racizmi ndaj emigrantëve jo-europianë të normalizohet aq shumë në vendin tonë, sa që shqiptarët të harrojnë të kaluarën e tyre emigratore. Fatkeqësisht, (edhe) me mënyrën dinake se si parashtrohet pyetja nga ‘Koha Jonë’, shumë komente janë skajshëm raciste; nga njerëz, që mund të kenë qenë vetë emigrantë, ose të afërmit e të njohurit e tyre, duke u konfirmuar frika e përmendur më sipër. Si është e mundur që video të tilla të konsiderohen si normalitet, dhe ‘reportazhe’ të tilla të mos dënohen në një vend që ka vuajtur për 33 vjet nga emigracioni masiv? Një vend që vetëm në 10 vitet e fundit humbi qindra e mijëra të rinj, të cilët bënë gjithçka[6] për të emigruar në një vend të Perëndimit. Një vend që ironikisht, ende dhe sot, njihet për numrin e lartë të azilkërkuesve në vendet perëndimore, ndërkohë që ka pranuar të ndërtojë qendra të mbyllura për mbajtjen e emigrantëve dhe refugjatëve në emër të Italisë; asaj Italisë, që ishte vendi i parë, që mbylli shqiptarët azilkërkues në fillim të viteve ‘90 në stadiume, ku iu hidhnin ‘ushqim’ me helikopter[7]. “Por Italisë ia kemi borxh”, siç përsërit kryeministri Rama[8]. Apo do trajtohen emigrantët e Melonit më mirë në Shëngjin se sa në Itali? Ndoshta do hanë drekëν tek ‘Trattoria Meloni’[9]. Ky normalizim i racizmit dhe kritika që nuk i bëhet këtyre postimeve janë shumë të frikshme por ashtu dhe të rrezikshme.

Afrikanët, racat e zeza ose të verdha që përmenden ne videon e gazetës ‘Koha Jonë’ e që po “prishin” ngjyrën e Europës dhe të Shqipërisë, deri dje ishin shqiptarët dhe ende janë për një pjesë të tyre. Nëse reportazhe të tilla konsiderohen si normalitet, le t’i bashkojmë zërat tanë, të gjithë ne që nuk duam, që ato të ndodhin (edhe) në emrin tonë. Le të ruajmë vlerën më të rëndësishme nga tradita e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, mikpritjen dhe nderimin e të huajit, ta respektosh atë në vendin tënd[10], në shtëpinë tënde. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”[11]! Apo ndoshta vetëm kur miku vjen nga Rinasi me dollarë dhe euro a me porosi[12] nga partnerët ndërkombëtarë?

© 2024 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Ideogram & Fotor.

 

Referencat

[1] https://mikropragmata.lifo.gr/zoi/acha-kako-e-o-ratsismos-tou-seferli

[2] https://peizazhe.com/2015/08/22/imagjino-sikur/

[3] https://peizazhe.com/2016/03/02/clandestino-albanese/

[4] Jones, C. P. (2000). Levels of racism: A theoretical framework and a gardener’s tale. American Journal of Public Health, 90(8), 1212–1215. https://doi.org/10.2105/AJPH.90.8.1212

[5] https://peizazhe.com/2024/09/18/femijet-qe-ikin/

[6]https://www.theguardian.com/uk-news/2024/apr/08/albanians-willing-to-be-repatriated-detained-for-weeks-in-uk-watchdog-finds

[7]https://www.gazetatema.net/dossier/rrefehet-gazetari-italian-qe-fiksoi-zbarkimin-e-anijes-vlora-ne-bari-me–i433427

[8]https://top-channel.tv/2021/03/28/24-vite-nga-tragjedia-e-otrantos-81-shqiptare-humben-jeten-shumica-gra-e-femije6/

[9]https://www.theguardian.com/world/2024/sep/24/giorgia-meloni-themed-restaurant-opens-near-asylum-seeker-camp-in-albania?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTEAAR0SmIcF3u1dlo5ln0C6mkxO5SFq40DHT0S2IMLF1hB8yg0mhm_AzA4uCjU_aem_UxH8b_qxWEa67CaDNqlY3A

[10] https://peizazhe.com/2024/07/10/trashegimia/

[11] http://www.vatrarberesh.it/biblioteca/ebooks/kanuni.pdf

[12]https://top-channel.tv/2021/08/27/shtepia-e-shqiptarit-eshte-e-zotit-dhe-e-mikut-rama-publikon-videon-me-pamjet-nga-pritja-e-afganeve/

Rreth Autorit

Elson Zguri lindi në Belsh të Elbasanit. Bashkë me familjen, emigroi në Greqi në moshë të vogël. Ka shkruajtur librin e tij të parë në greqisht "Të gjitha macet janë të bukura". Ka përkthyer në gjuhën greke librin e Rudi Erebarës "Epika e yjeve të mëngjesit". Është një prej përfaqësuesve të njohur të brezit të dytë të shqiptarëve në Greqi, i cili pavarësisht se prej disa vitesh jeton në Berlin, vazhdon të jetë zë shumë aktiv përsa u përket kërkesave e të drejtave të komunitetit shqiptar. Gjithashtu në Berlin organizon evente të ndryshme për letërsi dhe për eksperiencën e emigracionit.

Author Archive Page

1 Koment

  1. Përse të duket raciste idea e gazetës Koha jonë që Europa po behet me ngjyra, eshte realitet i pamohueshëm. Në se ne shqiperine e vogel do vinin 1 milion afrikan a nuk do bëhej bardhezi? Unë nuk dua të gjykoj e as të sygjeroj zgjidhje pse nuk jam i aftë por nuk mund të fshihet e verteta që sa me shume afrikan të hyjne ne Europe e Shqipëri aq më me ngjyra behet popullsia e tyre. Pastaj po të shohim realitetin pa ideologji a ka nevoje e mundësi Shqiperia e Italia per emigrant kur rinia e këtyre vendeve emigron ne Europen veriore? Që vijnë nga luftrat nuk eshte e verteta, s’ka asnjë palestinez mes tyre. Edhe për foljen “vijnë” ka shumë per te diskutuar, me mirë eshte “i sjellin”

Merrni pjesë në diskutim

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *