Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KUSH NUMËRON

nga Klest Dubali

Si çdo verë, edhe këtë vit, siç e do zakoni (tashmë), ka nisur një betejë për të gjurmuar turistët anembanë brigjeve, gërxheve, shkrepave, majave, deri në gurët kilometrikë te kufijve të republikës, madje edhe në kufijtë e gjelbër, për t’u siguruar që nuk po numërohen si turistë edhe ata të pafat që kanë të tjera halle në jetë. Kampet janë ndarë qartë, ku beteja zhvillohet kryesisht në rrjete sociale, me fokus fiksimin në video apo foto të plazheve bosh ose plot, të lumenjve të populluar ose jo, apo restoranteve në pritje të turistëve apo atyre që janë shërbyer ethshëm, me kamerierë që vrapojnë kokulur.

Një grup nxiton të kapë plazhet herët në mëngjes, apo në mesjavë, plazhet bosh. Kundërpërgjigjja vjen nga përqendrimi të shtunën paradite, në kulm të popullimit, deti plot, çadrat plot, beach bar-et edhe më shumë.

Aq i fortë është bërë debati publik, sa çështjet e turizmit dhe diskutimit publik rreth tij janë fokusuar vetëm tek ky i uruar numër (jo pa rëndësi), por duke lënë mënjanë probleme të pazgjidhura si ndotja mjedisore, niveli i shërbimit, kapacitetet turistike, përballimi i fluksit dhe stafi i punësuar, çmimet etj. Automatikisht nga ky diskutim, krijohen mite, njerëzit nëpër shtëpi e punë, imagjinojnë çfarë mund të jetë duke ndodhur aty në jug, pyesin ata që kanë qenë: Ore, kishte njerëz andej? Si ishin plazhet? Vërtet aq bosh/plot ishte?!

Ky diskurs, e ka burimin në disa arsye, që lidhen me aspekte të brendshme të shoqërisë tonë, por edhe me ato të zhvillimeve të sotme dhe kryesisht të komunikimin përmes mediave sociale.

Së pari, kanaleve jotradicionale të komunikimit po u besohet më shumë se shifrave zyrtare të publikuara apo mediave tradicionale. Kjo vjen si rezultat, kryesisht, i politizimit të të dhënave statistikore ndër vite, me qëllim përdorimin e tyre, në varësi të kontekstit, p.sh. një lajm nga një portal apo faqe e njohur në rrjete sociale ndikon më fort, sesa ta zëmë, një shifër e publikuar nga Instituti i Statistikave.

E dyta lidhet më prirjen e hershme të debateve publike në hapësirën shqiptare, drejt dikotomisë: po ose jo, e zezë ose e bardhë, me mua ose kundër meje, e që këtej, plot ose bosh. Edhe kjo qasje vjen e lidhur ngushtë me nevojën për ngritjen e debatit publik pikërisht në këtë formë, si një mënyrë e volitshme për të angazhuar sa më shumë mbështetës rreth vetes, si formë rreshtimi më efektive, se ato që lenë hapësira më të larmishme mendimi.

Përsa i përket prirjes për rritje të gravitetit të mediave sociale, në fakt sot kjo nuk është më prirje por fakt. Tashmë edhe burimi i lajmit është alternativ, i shpejtë, i lehtë për t’u shfrytëzuar. E megjithatë, as këtu, sado që fillimisht mediat sociale morën mbështetje pikërisht se sfiduan kanalet e kontrolluara të komunikimit publik, tashmë nuk ka garanci në besueshmërinë e lajmit, thjesht për faktin se kontrolli është shtrirë edhe në informacionin e përcjellë nga to (kuptohet jo në të gjitha, dhe jo në të njëjtën shkallë).

Ç’të bëjmë? – do pyeste dikush që nuk po dua t’ia përmend emrin, pse dua të shmang etiketën e nostalgjikut.

Natyrisht që ajo që mund të thuhet në këtë rast është se debati rreth numrit të turistëve nuk çon gjëkundi. Ja ta zëmë ka më shumë turistë se vjet, por jo në jug, por kudo tjetër; a e bën kjo më pak të suksesshëm turizmin për vendin tonë? Apo, ka më pak turistë se vjet, por që kanë gjeneruar më shumë të ardhura: a është ky një dështim? Të tilla qëndrime vetëm sa e heqin vëmendjen nga çështje më thelbësore, dhe kuptohet që do të fashiten me gushtin. Ja më shumë, ja më pak, do mbetet ashtu, pa thelb, pa shkuar më tej se forma, se përmbajtja është shumë e mërzitshme.

© 2024 Klest Dubali. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin