I cingërisur nga vlerësime të llojit “poet kollos” për një autor më shumë tekstesh këngësh pop, Balil Gjini hapi para pak ditësh një diskutim për dallimin mes poetëve dhe rapsodëve a vargëzuesve, duke i quajtur këta të fundit “ca lloj luharesh prej druri që përzienin çorbën në kazanin e dashur popullor.”
Unë jam mësuar, mbase që nga koha kur ndiqja muzikë të huaj pa ia marrë vesh fjalët, që të mos e vlerësoj fare këngën nga teksti; tekstin shpesh e dëgjoj si diçka që duhet të jetë aty, që këngëtari të mos thotë thjesht la-la-la apo ob-la-di ob-la-da; dhe shumë tekste në fakt ashtu janë, vargëzime.
Por unë njëlloj jam mësuar edhe me tekstet e këngëve të masave, të tipit “në ara fabrika kantiere”, të cilat do t’i krahasoja me ndjesinë që të jep trapanoja e dentistit në nofull; në kuptimin që tekste të atilla janë toksike dhe duken filtruar, përndryshe dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme.
Jam rritur në një kohë kur poetët e “tabanit” i dërgonte Lidhja e Shkrimtarëve në Gjirokastër, dy-tre muaj para se të fillonte Festivali, që të shkruanin tekstet e këngëve që do të këndonte atje “populli”; kemi pasur vjershëtarë që popullit ia kalonin, dhe mbase kemi akoma.
Në ato vite qëllonte edhe që kujtohej ndonjëri për një këngë popullore tradicionale, kushtuar ndonjë pashe a ndonjë vashe, dhe ia ndërronte tekstin krejt; duke e riderdhur me frymë revolucionare, të denjë për brigadiere me shall pionieri, mbase edhe pioniere me shall brigadieri.
E megjithatë…
Në shkollë na kanë mësuar edhe se poezia ka qenë kënduar deri vonë; grekët e vjetër e shoqëronin me lirë, njëlloj siç shoqërojnë me kitarë këngët e tyre kantautorët folk sot. Madje atë që edhe sot e mbajmë si karakteristikë formale kyçe të poezisë, dhe që është ritmi, melodia, frymëmarrja e fjalëve, loja e theksave ia detyrojmë në masë të madhe kombinimit me muzikën.
Poezia “e mirë” ka gjithnjë muzikë, por muzika e poezisë sot është ndarë nga të kënduarit dhe bën jetën e vet.
Por dëgjoni një kantautor të mirë – të them Francesco De Gregori-n ose Franco Battiato-n; ose Bob Dylan-in, Leonard Cohen-in, Paul Simon-in dhe Joni Mitchell-in në anglisht, dhe vërini veshin tekstit: për mua del dhe mjafton si poezi.
Leonard Cohen, Suzanne:
Suzanne takes you down
To her place near the river
You can hear the boats go by
You can spend the night beside her
And you know that she’s half-crazy
But that’s why you want to be there
And she feeds you tea and oranges
That come all the way from China
And just when you mean to tell her
That you have no love to give her
Then she gets you on her wavelength
And she lets the river answer
That you’ve always been her lover
Francesco De Gregori:
Sarà che tutta la vita è una strada con molti tornanti,
e che i cani ci girano intorno con le bocche fumanti,
che se provano noia o tristezza o dolore o amore non so.
Sarà che un giorno si presenta l’inverno e ti piega i ginocchi,
e tu ti affacci da dietro quei vetri che sono i tuoi occhi,
e non vedi più niente, e più niente ti vede e più niente ti tocca.
Sarà che io col mio ago ci attacco la sera alla notte,
e nella vita ne ho viste e ne ho prese e ne ho date di botte,
che nemmeno mi fanno più male e nemmeno mi bruciano più.
Dentro al mio cuore di muro e metallo dentro la mia cassaforte,
dentro la mia collezione di amori con le gambe corte,
ed ognuno c’ha un numero e sopra ognuno una croce,
ma va bene lo stesso, va bene così.Chiamatemi Mimì,
Per i miei occhi neri e i capelli e i miei neri pensieri,
c’è Mimì che cammina sul ponte per mano alla figlia e che guardano giù.
Per la vita che ho avuto e la vita che ho dato, per i miei occhiali neri,
per spiegare alla figlia che domani va meglio, che vedrai, cambierà.
Do të jetë thjesht kufizimi im, por do ta pohoj se kurrë nuk e kam ndier e shijuar aq fort fjalën poetike, sa në ato herë kur më ka ardhur e muzikuar; me kusht që të arrij ta dëgjoj dhe ta kuptoj si duhet. E them këtë, me sqarimin se eksperienca e një poezie nuk mjaftohet vetëm me ndjenjën dhe shijen; dhe se melodia e ritmi, brenda një teksti të shkruar, shpesh ecin dorë për dore me figuracionin (metaforën, etj.) dhe lojën gjuhësore (enumeracionin, etj.). Me fjalë të tjera, një metaforë befasuese mund të më lërë gojëhapur, por jo të më mbushë sytë me lot; më jep kënaqësi intelektuale, të ngjashme me atë që provoj kur shoh dritën e përthyer nga një kristal.
Roger Waters (Pink Floyd) në “Grantchester Meadows”:
In the lazy water meadow I lay me down
All around me golden sun flakes settle on the ground
Basking in the sunshine of a bygone afternoon
Bringing sounds of yesterday into this city roomHear the lark and harken to the barking of the dog fox
Gone to ground
See the splashing of the kingfisher flashing to the water
And a river of green is sliding unseen beneath the trees
Laughing as it passes through the endless summer, making for the sea
And yet… Nga sa kam përjetuar vetë, por edhe kam dëgjuar e lexuar për këngë nga më të suksesshmet, këtyre teksti u është “ngjitur” më pas; ose kur melodia ishte tashmë gati. Këtu më kujtohet Paul McCartney, i cili ka treguar se, për një farë kohe, kënga “Yesterday” vërtitej në kokën dhe në kitarën dhe në gojën e tij me titullin provizor “Scrambled Eggs” – derisa të gjente një tekst. Kam parë si kompozitorët u shkojnë poetëve me këngën të gatshme, dhe u kërkojnë këtyre “një tekst” – siç kam parë edhe të kundërtën; një mik i familjes sonë mbante një dosje të tërë me tekste, që ia kishin sugjeruar kolegët poetë me shpresë që ky të frymëzohej prej tyre dhe t’u jepte një melodi.
Përshtatja mes tekstit dhe melodisë, pavarësisht nga kahu, është më shumë teknikë se art; disa zanore janë më të lehta për t’u interpretuar si nota të larta se disa të tjera; disa rrokjezime, si daktili, anapesti dhe amfibrahu, kërkojnë vetvetiu një ritëm valsi (3/4) e kështu me radhë. Shpesh është autori i tekstit, ai që e ndryshon vargun, me kërkesë të kompozitorit; diku shton një fjalë, diku heq një tjetër. Edhe kur një kompozitor vihet të muzikojë një tekst të gatshëm, njëlloj detyrohet të ndjekë disa kufizime muzikalisht arbitrare, që ia imponon gjuha. Në të dy rastet, shpresa është se rezultati përfundimtar – kënga – do t’i shtojë diçka unike edhe vargut, edhe tingullit.
Poezia vazhdon të deklamohet, me një lloj performance që nuk është shumë larg këngës; tek e fundit, ka deklamues që e shoqërojnë fjalën e tyre me përplasje të këmbës ose me ndonjë lloj perkusioni tjetër. Majakovski dhe pastaj Jevtushenkoja mbushnin teatrot, në Rusi dhe gjetiu, me performimet e tyre; të bazuara sa te fjala, aq edhe te ritmi dhe interpretimi skenik (teatri). Kur më ka qëlluar të dëgjoj slam poetry, e kam përjetuar po aq estetikisht fizikalitetin e poetit; dhe këtu më duhet të veçoj atë komponent primordial të poezisë së deklamuar, që kjo e bashkëndan me këngën, dhe që nuk është veçse zëri, si diçka e ndryshme edhe nga fjala edhe nga melodia (madje edhe nga teknika e të kënduarit).
Kujtoj këtu zërin e Vaçes, në muzikën e lehtë shqiptare; siç kujtoj edhe zërin e Leonard Cohen-it (që Elvis nuk ishte). Di që kompozitorët më të mirë, në Shqipëri, shkruanin për zërin e Vaçes, që u kumbonte në imagjinatë që pa u shkruar kënga endé; timbri dhe modulimi i zërit, frymëmarrja, energjia e asaj këngëtareje u bënë pjesë e estetikës së këngës së atyre viteve, e kanonit muzikor. Zëri vërtet mund t’i mungojë poezisë së shkruar, që e lexojmë në heshtje; por ky divorc pak kohë ka që ka ndodhur, aq sa mua më duket ndonjëherë se të lexosh poezi është si të lexosh një dramë ose një skenar filmi – tekste që njëherazi janë produkte të pambyllura.
Psikanaliza e Lacan-it e këqyr zërin si mbiprerje e gjuhës (langage) dhe trupit, tezë që është rimarrë më pas nga një numër autoresh feministe dhe jo vetëm, çfarë shkon në mbështetje të idesë se ka diçka te kënga që e tejkalon tekstin dhe funksionin (ose funksionimin) social të gjuhës.
Idenë e ilustron më së miri kontrasti, mitologjik, mes muzave dhe sirenave – meqë kënga e të parave është e artikuluar, në poezi; ndërsa e të dytave hipnotizon dhe magjeps, por pa qenë doemos e artikuluar. Më saktë: muza magjeps me çfarë thotë, ndërsa sirena me si e thotë.
Sërish, është fjala për diçka të përcjellë përmes gjuhës, por që e tejkalon gjuhën madje i nënvendoset; ose duke vendosur me logos-in një raport të tillë që, për disa, themelohet mbi kundërvënien e femërores me mashkulloren. Kjo edhe do të shpjegonte, mes të tjerash, pse zëri këngëtar që na magjeps është zakonisht femëror.
Sikurse do të shpjegonte, nga ana tjetër, edhe pse shumë këngë na pëlqejnë, madje na prekin në shpirt e na sjellin lotët në sy, pa çka se nuk kuptojmë asgjë nga teksti – p.sh. një arie (kryeshembull këtu do të ishte “Erbarme dich”, nga Pasioni i Shën Mateut, i Bach-ut).
E megjithatë, konsumi i një kënge së cilës nuk ia kuptojmë tekstin nuk është i njëjtë me konsumin e një pjese thjesht orkestrale; pa çka se zëri mund të përdoret thjesht si instrument mes të tjerësh, ose i pangarkuar me përgjegjësinë e logos-it.
Muzika pop e ka bërë të vetën këtë përftesë; dhe nuk po flas vetëm me disa kolona zanore të mirënjohura të Morricone-s, por edhe – për shembull – për një këngë si “The Great Gig in the Sky,” nga albumi The Dark Side of the Moon, i Pink Floyd. Për mua, impakti emocional i kësaj kënge pa tekst e tejkalon në masë eksponenciale impaktin e të gjitha këngëve të tjera, plot tekst, të albumit; dhe nuk po flas fare për eksperiencën live.
Publiku njëfarësoj e ka ndier këtë, edhe kur nuk e ka kuptuar; sepse nuk ka nevojë të kesh lexuar teoritë feministe të zërit, për t’u mahnitur me zërin e bukur të një gruaje, aq më tepër të moduluar muzikalisht; dhe ngaqë e ka ndier, e ka të vështirë ta kuptojë tani argumentin për tekstet e angazhuara të këngëve, ose për përdorimin ideologjik që i është bërë zërit.
Dhe kur flasim për zërin e bukur, të shkëputur nga logos-i, nuk lëmë dot pa përmendur një këngëtare si Lisa Gerrard, më parë e famshme si gjysma femërore e grupit Dead Can Dance, por që më pas ka regjistruar një numër të madh albumesh më vete, përveç punës që ka bërë si kompozitore për muzikë filmash.
E ndikuar nga këngët tradicionale të Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, përfshi këtu edhe muzikën greke, sllave-ballkanike, arabe dhe persiane; por edhe muzikën “mesjetare” (e cila jo rrallë i vjen e filtruar sipas estetikës goth, ose përfytyrimit tonë të sotëm për Mesjetën europiane), Lisa Gerrard përdor në këngët e veta një gjuhë të sajuar, ose idioglossia.
Ndryshe nga vokalizimet e tipit scat ose lalala ose oh-oh, idioglosia ka mveshjen zanore të një gjuhe, pa qenë e tillë; tingëllon si gjuhë, ose më mirë si një gjuhë që ia kanë hequr logosin; është trupi i këngëtares, i formësuar në tingull, të cilin ti e përfytyron si të mbarsur me kuptim, pa çka se ti vetë atë kuptim nuk e rrok dot; është kuptimi i mishëruar si ngashënjim. Në fakt, për skajin marrës të këngës, ose dëgjuesin ta zëmë shqiptar ose amerikan ose italian, praktikisht njëlloj do të kish qenë edhe sikur Lisa të kish kënduar, bie fjala, në baskishte ose në quechua.
Natyrisht, ky nuk është truk skenik, ose marifet kabareje; meqë idioglosia lidhet me disa praktika dhe procedura rituale, të shoqëruara me atë çfarë disa sekte fetare e quajnë speaking in tongues (ose glossolalia), dhe që ndonjëherë i ndihmon folësit të kalojnë në trance ose ekstazë dhe që konsiderohet si një formë sakrale e gjuhës.
Ideja këtu është që të çlirohet phoné-ja nga racionaliteti i logos-it, për t’u afruar me sublimen; ide që nuk mund ta diskutojmë këtu, por që kushedi mund të na ndihmojë të kuptojmë pse na hipnotizon Lisa Gerrard me gjuhën e saj sekrete dhe, në analizë të fundit, siç na ka hipnotizuar edhe Vaçe Zela; pra jo me çfarë thonë këto zëra të kulluar, por me si e thonë.
Pa përmendur pastaj që, historikisht, edhe vetë muzika mund të përfytyrohet si e dalë nga ky ligjërim i çliruar nga logos-i, ose si ekspresivitet pa komunikativitet.
Që poezinë po e përfytyrojmë tani si esencë lirike dhe estetike të botës, të kaluar në prizmin e gjuhës, kjo është më shumë artifakt kulturor i momentit; por i tillë që t’ia kundërvërë këngës, si produkt kompleks, sinkretik, ku marrin pjesë kompozitori, orkestruesi, hartuesi i tekstit, këngëtari me zërin dhe veshjen dhe pamjen dhe shprehjen e fytyrës dhe lëvizjet sipas ritmit, orkestra ose të paktën orkestrimi, skena, videografia/skenografia dhe të tjerë përbërës. Nëse i radhit këtu, e bëj për të treguar se tekstit jo vetëm i duhet të konkurrojë me përbërësit e tjerë, por edhe se ky, teksti, del i ripërmasuar, për shkak të intensitetit të atyre përbërësve – një tekst i shkruar mirë nuk ka shans të tërheqë vëmendjen e publikut, përballë agresionit vizual të pamjes dhe të veshjes së këngëtarit; dhe të parët që e dinë këtë janë ata që e paketojnë këngën si produkt (për një video) dhe që, në thelb, e duan tekstin jo vetëm në shërbim të muzikës, por edhe të thjesht pamjes që ka dhe performon artisti në skenë.
Në këtë kontekst, është folur edhe për një stilizim të trajtave dialektore të shqipes verilindore (Kosovës) në muzikën pop, të shoqëruar edhe nga një thjeshtim ekstrem i teksteve; por kjo marrëdhënie e trajtave dialektore dhe varianteve letrare me muzikën i ka rrënjët të thella në traditën e këngës shqipe – mjaft të kujtoj persistencën e formave të shkodranishtes dialektore por edhe më shumë letrare, në tekstet e muzikës së lehtë pas vitit 1945; ku këngëtarët në skenë e kishin gjithnjë më të lehtë të thoshin kangë e nanë, sesa këngë e nënë, dhe kjo jo vetëm për hir të traditës lirike, por edhe ngaqë a-ja e gegnishtes i përshtatej më mirë zërit të këngëtarit a të këngëtares, se ë-ja e theksuar e standardit; edhe tani, Vaçen e përfytyroj më mirë të këndojë kangën ma të bukur, se këngën më të bukur – paçka se shkodranishtja, ose edhe thjesht gegnishtja letrare, i vinte asaj këngëtareje si një lloj ngjyrimi stilistik, deri edhe manierist, por gjithsesi në shërbim të melodisë dhe të zërit.
Këtë disocim të poezisë nga nevojat e këngës për tekst, që do ta quaja të pashmangshëm në rrethanat ku konsumohet sot muzika pop dhe lloje të tjera këngësh si rap-i, e kompensojnë disi përpjekjet dhe shpresat e të gjithë atyre që ende duan ta ndërtojnë këngën rreth tekstit – si Eda Zari dhe Elina Duni, në jazz, me arritje të spikatura por gjithsesi të kufizuara brenda një publiku elitë; kantautorët do të ishin gjithashtu një alternativë, por që nuk më duket se ka zënë rrënjë te ne. Paradigma kulturore është e tillë që gjuha, teksti dhe arti i fjalës po humbin terren çdo ditë, përballë imazhit, vizualitetit dhe performativit; dhe kjo nuk premton mirë për cilësinë estetike të teksteve të këngëve. Përkundrazi, këtyre teksteve po u kërkohet, gati me parazgjedhje, që të shërbejnë thjesht si suport gjuhësor për mesazhe dhe semiotika të tjera; dhe ndoshta do t’ia arrijmë ditës kur këngë të tilla si eksperimentalja dhe ekolalikja Prisincolinensinainciusol e Adriano Celentanos (1972) të normalizohen; disa këngë të sotme, me tekste të një-rrokjezuara, dëshmojnë se fjala me kuptim nuk ka dhe aq arsye që të mbijetojë, në muzikë, përtej inercisë.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Shkrim me shumë vlerë. Kam pasur një rast kur me një ekspeditë folklorike në kuadër të përgatitjeve të grupit të Përmetit për FFK të Gjirokastrës 1988, gjatë regjistrimeve me bartës, regjistruam edhe një këngë kushtuar një udhëheqësi të kohës, jo më të madhit. Kolegu im i letërsisë që e kisha në krah më thotë që teksti ishte shkruar prej tij para disa vitesh dhe për të ishte surprizë që e dëgjonte të kënduar në një fshat të thellë të Përmetit, në kufi me Skraparin që na u deshën 6-7 orë për të shkuar më këmbë. Sa i përket pohimit “muza magjeps me çfarë thotë, ndërsa sirena me si e thotë” , do të guxoja të thoja, që muza magjeps me këndimin solo me lirë, kurse sirena me vajin e kënduar “a capella”!