Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

MYSAFIRËT SHTETËRORË NË VITIN 1937 (II)

nga Jonida Xhyra-Entorf 

Përpara se të shprehim disa mendime lidhur me fjalimin e Godinit, të mbajtur ndoshta në një nga pritjet zyrtare gjatë kremtimeve me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, dëshirojmë të bëjmë disa sqarime për sa i përket strukturës retorike të fjalimit si të tillë. Në qershor të vitit 1963, gjatë vizitës në Gjermaninë Perëndimore, presidenti i atëhershëm amerikan Kenedi (John F. Kennedy: 1917-1963) mban fjalimin e tij të famshëm përpara bashkisë Shëneberg (Schöneberg) në Berlin dhe e mbyll atë me fjalinë historike në gjermanisht “Unë jam një berlinas!” (Ich bin ein Berliner). Dy kampet politike asokohe ishin të pozicionuar rreptësisht dhe solidariteti i presidentit amerikan, i pashëm dhe energjik para mikrofonit, me theksin e patjetërsueshëm amerikan përmes fjalisë së mësipërme në gjermanisht, nuk e kanë humbur ndikimin e tyre komunikues edhe sot e kësaj dite në Gjermani. Ky është një shembull par excellence se si fjalimi, përmes gërshetimit të elementeve bisedore, gjuhësore, strukturore-konceptuale dhe tematike, arrin të përmbushë “ndikimin e tij komunikativ” [1] tek dëgjuesit.

Ky gërshetim na lejon që tek fjalimi (për qëllime didaktike), të diferencojmë rrafshin mikrostrukturor të tij si “shenjë të komunikuar” apo strukturën retorike të sipërfaqshme dhe rrafshin makrostrukturor të tij si “tekst të komunikuar” apo strukturën retorike të thellë.[2] Rrafshi mikrostrukturor lidhet me elemente të tilla si optika (mimika, gjestet, pozicioni i mbajtjes së trupit, lëvizjet), akustika (artikulacioni, theksi, ngritja dhe ulja e zërit) dhe gjuha (niveli gjuhësor, sintaksa, zgjedhja e fjalëve, vizualizimi përmes gjuhës). Lidhur me optikën dhe akustikën nuk mund të gjykojmë më, por elementet ortografike të përdorur nga dikush që nuk është native speaker, përbëjnë dukurinë më interesante në fjalimin e baroneshës. Jemi gati në dhjetëvjeçarin e fundit të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Në vitin 1923 shteti shqiptar ka vendosur me dekret kryeministror[3] variantin e shkruar të elbasanishtes si gjuhë të administratës së tij, bazuar në rregullat drejtshkrimore të vendosura nga Komisija Letrare, e cila sipas statutit kishte pasur “për qëllim e detyrë, të bajë nji gjuhë administrate.”[4] Dy hapa të tjerë të rëndësishëm të ndërmarrë nga ana e shtetit shqiptar në këtë drejtim janë në vitin 1928 formimi i Akademisë Letrare për “unifikimin e gjuhës zyrtare”, puna e së cilës për arsye financiare po atë vit u shty për më vonë, dhe në vitin 1935 formimi i Komisionit të Posaçëm për Çështje të Ortografisë dhe Gjuhës së Shkruar, i cili kishte si detyrë vendosjen e një ortografie të unifikuar.[5] Nga ana tjetër diskutimet për probleme të ndryshme teorike-gjuhësore, për kulturën e gjuhës dhe për një gjuhë të përbashkët letrare, gjejnë shprehje të gjerë në shtypin e kohës, p.sh. në revista si Hylli i dritës, Përpjekja shqiptare, Tomori, Minerva, Albania etj.

Rrafshi makrostrukturor si “tekst i komunikuar” ngërthen në vetvete logosin (përmbajtjen e kumtuar dhe dimensionimin e saj), patosin (orientimin e dëgjuesve përmes parashtrimit, nisur nga perspektiva e tyre) dhe etosin (besueshmërinë dhe autenticitetin, si elemente që i hapin rrugë ndikimit tek dëgjuesit). Në rastin e fjalimit të baroneshës kemi të bëjmë me një fjalim, i cili mbahet në përkujtim të një ngjarjeje me rëndësi të madhe kombëtare, siç është shpallja e pavarësisë. Godini e sheh veten si pjesë të të gjithë popullit shqiptar, për të cilin, siç thotë ajo “ka punuar me mish e me shpirt”, dhe këtë ndjesi të bashkësisë dhe të përkatësisë e evokon në retrospektivë, duke qëmtuar kujtimet e përbashkëta lidhur me ngjarjen e rëndësishme të shpalljes së pavarësisë. Pikërisht këto kujtime dalin në plan të parë në këtë fjalim, jo pesha informative e tyre. Në retrospektivën e shpalljes së pavarësisë Godini shpërfaq rrugën e gjatë dhe përpjekjet e shqiptarëve për të arritur në këtë përvjetor. Ajo skajon mbarimin e kohës shekullore të sundimit turk dhe si nyje lidhëse historike merr revolucionin e xhonturqve.

Në fjalim rroket një orientim gjeografik, i cili ravijëzohet përmes subjektivitetit dhe përjetimit konkret në dy drejtime: së pari duke ndërmendur historinë dhe së dyti duke vënë në pah ndryshimet për mirë, zhvillimin dhe përparimin e vendit. Momentet historike përkujtohen përmes pasojave të Luftërave Ballkanike, duke radhitur toponime si Kurveleshi, Kolonja, Gjirokastra, Dibra, Malësia e Madhe, vende në të cilat Godini ka udhëtuar me ndihma humanitare të sjella nga Gjermania, dhe madje edhe duke shërbyer si infermiere në shërbim të Kryqit të Kuq, për të fashitur sado pak vuajtjet e tmerrshme të shkaktuara nga këtë luftëra.

Për të konkretizuar zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë, Godini orientohet përsëri gjeografikisht përmes përjetimeve të saj, duke përballëvënë konkretisht Sarandën, Delvinën apo Myzeqenë e vitit 1905, kohë kur ajo bëri udhëtimin e saj të parë në këto vende, me ato të kohës aktuale, kur mban fjalimin. Edhe këto përjetime janë gjithmonë të gërshetuara me evokimin e historisë dhe të përpjekjeve e luftërave të shqiptarëve për të arritur deri tek shpallja e pavarësisë, pra deri tek përkujtimi festiv i saj.

Një element tepër i rëndësishëm në luftën e shqiptarëve për pavarësi për baroneshën është natyrisht edhe lufta për gjuhën, si një element i patjetërsueshëm i identitetit të një kombi. Interesant është fakti që, pasi flet për ndikimin e kishës greke, për t’u mësuar fëmijëve shqiptarë greqisht, të hoxhallarëve, për t’u mësuar atyre turqisht, në rastin e ndikimit të kulturës italiane, ajo përmend me ironi ndihmën vetëmohuese që treguan italianët karshi shqiptarëve në vitin 1905. Por pikërisht ky pasazh i fundit është prishur prej saj për të mos qenë pjesë e fjalimit. Të mos harrojmë se jemi në fund të vitit 1937. Jo më shumë se pas një viti e gjysmë Italia e pushton Shqipërinë. Përveç vitit 1912, retrospektiva e Godinit ka si pikë orientimi në kohë dhe vitin 1924. Periudhën para vitit 1924 ajo përpiqet ta parashtrojë shkurt, veçanërisht në aspektin e përçarjeve, të cilat nuk lejonin të ngjizej atë që ajo e quan uní vetiake të popullit shqiptar. Konkretizimi i përçarjeve në aspektin e përkatësisë fetare të kujton Pashko Vasën.

Për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë pas vitit 1924 meritën kryesore Godini ia atribuon mbretit Zog, të cilin e quan shpëtimtar, nji dorë e fortë, nji mendje e holle, nji zêmër e nxehtë djali i këtij popullit, me gjith çilsit e çkëlqyëme të fisit tija, që është i palodhur e punon dit e nat. Duke qenë me bindje të thella ruajaliste, baronesha e ka të lehtë, që kompetencën retorike ta parashtrojë publikisht në mënyrë të besueshme dhe në përputhje me kontekstin situativ. Ndër arritjet e mbretit Zog ajo përmend konsolidimin e shtetit shqiptar në lidhje me administratën, arsimin, ushtrinë dhe xhandarmërinë. Në kuadër të këtyre arritjeve ajo e krahason Shqipërinë me vendet e tjera të Ballkanit, Greqinë dhe Jugosllavinë, dhe thekson se Shqipëria brenda 15 viteve ka përparuar jashtëzakonisht.

Si një formë komunikimi fjalimi shpalos një karakter dialogues, i cili bëhet i rrokshëm pikërisht në momentin kur mbajtësi i fjalimit e përfshin dëgjuesin në perspektivën e tij duke iu drejtuar atij konkretisht. Pra përmbajtja e fjalimit komunikohet e tillë që dëgjuesi të identifikohet me të, ta pranojë, dhe në rastin më të mirë, duke u emocionuar, të mund të zgjerojë njohuritë e tij, të ndryshojë këndvështrimin e tij dhe për pasojë edhe të veprojë konkretisht. Le të kujtojmë shkurt fjalimin e Mark Antonit në tragjedinë Jul Çezari, i cili në përkthimin e Nolit u drejtohet romakëve me fjalët: “Vinj ta varros, jo ta lëvdonj Qesarin” dhe arrin t’i ndërsejë kundër përbetuesve të këtij të fundit, sa t’i detyrojë përbetuesit të largohen nga Roma.

Mbajtësi i fjalimit duhet të jetë në marrëdhënie të vazhdueshme me dëgjuesin në hapësirën ndërmjet “arsyes” dhe “emocionit”[6]. Veçanërisht “emocionin” Godini e selit ndër të tjera përmes shënjimit të bashkësisë: shqiptarët, gjak shqiptari, Shqipëria, populli shqiptar me veçuninat eroike, liridashse, zêmërnalta, me qytetarinë dhe shpirtmadhësinë e tij. Në një moment, kur përshkruan kohën gjatë së cilës ka shpërndarë ndihma humanitare, Godini thotë shprehimisht: “Kam vajtun zjarr me zjarr për të ndihmúe ata njerëzit, qi na egërsíja armíkut tyne kishin humbun çdo gjâ në botë – ëdhë s’kam takue kurr nonji, qe të kërkoi të lypi ose të marri mâ tepër, se ç’i kishja caktue vetë.” Është interesant ky këndvështrim, të cilin e gjejmë në të njëjtën formë dhe tek Durhami[7], gjatë kohës që edhe ajo shpërndante ndihma humanitare për viktimat e Luftërave Ballkanike. Fjalimi i Godinit mbyllet me dëshirën e zemrës, që populli shqiptar të vazhdojë të përparojë kështu edhe në të ardhmen: “Kështu m’a do zëmra që të shof gjith Shqiptarët të punojnë me nji besim të plottë në të ardhmën e vendit!”

Përpara se të vijojmë me analizën e rrafshit mikrostrukturor, konkretisht me elementet drejtshkrimore të gjuhës së Godinit, po paraqesim të plotë fjalimin.

Fjalimi i Godinit

Faqja e parë e fjalimit të Godinit

Kursé, me 1905, pata fatin e lumnushëm, të shkelë në token shqiptare për herën e parë, e re na mosha, e zjarrtë na ndjënja shpirtnore, mbeta nën përshtypjen e çilsivet të shqume ëdhë të thjeshta të popullit shqiptar, qe me njiherë fitoi dashunijen time për veçuninat e tija eroike, liridashse ëdhë zêmërnaltë qi m’u çfaqen.

Ky popull ishte në mbarimin e nji kohës shekullore, të nji shgatrrimit politik ëdhë mëndór, mundohej të dilte në nji shesh puními qi u dha pas pak kohe me shpalljen e nji regjimit konstitucional në Turkí.

Tuj përjashtue nji pjesë farë të vogël, qi kishte punue si shoq të Turkut, shqiptarët kishin rruejtun nji shpirt thjesht shqiptar, ëdhë kishin ato çilsinat vetiake, qi kan qenë ëdhë janë[8] nga kryesore fuqisë gjallnore të këtij popullit.

Me këtë rast e ndjej si nji dëtyrë shpirtnore, të çfakë ëdhë nji hêrë gojarisht, sikunder se e kam thânë ëdhë qindëra mijera herë në shkrimet e mija, se çilsitë, qi më kanë tërhequn e më kanë afrue mâ tepër popullit shqiptar, kanë qenë po ato çilsitë, qi kam admirue në popullin tim gjerman.

Te ky populli shqiptar, qi më atë kohë ishte çilsue na armiqt e tij si i egër ëdhë shpirtkek, nuk kam pá me asnjë rast nonjë keqesí të rallë, nonjë shpirtligësí.

Kam gjetun mikpritjen mâ të gjânë në botë, çdo derë ëdhë çdo zëmër ka qenë e hapun për mû. Kam shetitun nepër Shqipní në kohna shum të turbullta – me flori në brez – sidomos kur pata mbledhun ndihma në vendin tim, për t’i përndâ të mjerúmve të Dibrës 1913 ëdhë të mjerúmve të Kurveleshit ëdhë të Kolonjës me 1914. Kam vajtun zjarr me zjarr për të ndihmúe ata njerëzit, qi na egërsíja armíkut tyne kishin humbun çdo gjâ në botë – ëdhë s’kam takue kurr nonji, qe të kërkoi të lypi ose të mari mâ tepër, se ç’i kishja caktue vetë.

Kam shikue të smúmet, të plagosunit me qindera me 1912, 1914 – unë, qi kam pá në viset të Gjinokastrës 1914, të Malsis’ Madhe 1911, të Dibrës 1913, gra ëdhë fëmij të mundûme, të gjymtûme ëdhë të turpërûme na armiqt të Shqiptarve, qi quheshin të qytetnuem – nuk kam pá kurr poshtërsina të tilla, bâmë na dorë shqiptare.

Kto kan qenë shkaket qi më lidhin për jetë me popullin shqiptar, për të cilin kam punue me mish e me shpirt. Guximi qi marë sot të flas këtu, rrjedh na kjo dashuní e pamasët.

Kam vezhgue herë mbas here qi kam ardhun në Shqipní, ndryshimin, zhvillimin ëdhë përparimin e popullit shqiptar, me nji verejtje të veçantë, ëdhë kam ardhun në përfundim, qi ky popull shqiptar, në të cilin kam patun për herë besim, nuk ka mungue as me nji pikë, të plotësoi shpresat, qi kam patun në tê.

Kur kujtoj kohënat të kaluëme, më vjen para syysh Saranda e vjetër, qi pash për herën e parë, e shgatërruëme, e vorfën – nji mjerim! – nërmiet të nji natyrës hynore.

Më kujtohet Delvina me 1905, e qetë në pamjen e saja, po e turbulltë ëdhë e shqetsue në mendimet ëdhë në deshirat atdhetare.

Më kujtohen fjalimet e zjarrta të pjesës atdhédashse të popullsís shqiptare, përpjekjet eroike të Tschertschiez Topullit për t’i dhânë Shqipnisë atë lirín ândërë t’asaj kohe, qi âsht sot e gëzuëme prej juve.

Më kujtohet sot, që për katër orë vimë na Delvina në Vlorë, udhëtimi im i parë, qi nevojiti katër ditë, për të kalue nepër bregdetin e bukur – sot kopsht i lulezuëm, kurse atherë ishte nji çerdhe trimash të armatosun, qi banonin nëpër kula, përfaqesues të nji vullnetit liridashës shqiptar, të rrethuem ëdhë të mprojtun na malet të bukura, na rrëpina të tmershme ëdhë na dëborat përhershme.

Shoh para syyvet’ mí, Myzeqenë e gjânë, qi kalohet sot “me nji vrap pele”, mbytun në ujna, or pas ore e pambaruëme, ëdhë në të cilën karvani jon i vogël, i rrethuem prej dhjet a pesëmbëdhjet të armatosun, humbiste si një cipál në mes të détit. Atëhere kemi qëndrue dy ditë ëdhë dy netë përpara Vjoses e gufuëme ëdhë e terbuëme, se gemia e shkatrruëme nuk guxonte të kalonte mbi ato valet e tmershme, qi sot janë mundun nga nji urë treqindmetrosh, ngrefun si pas nëvojavet të kohës përparimit.

Por – harmimi mâ i madh më ka kapun kursé kam qenë herën e parë ne Dukagjinin, ëdhë kam ndië se krisi pushka ndërmiet Shalës ëdhë Shoshit, tuj derdh gjak Shqiptari, për grindje të kotta!

Kudó kish me at kohë të tille gjakderdhje ëdhë përçarje; se ay popullë shqiptar, qi sot lumtërisht i ka gjet ndjenjat e bashkëta vllaznore, ka quajtun athere, se çdo fis, çdo krahinë, çdo fshat ishte tokë e huaj ëdhë tokë anmiku!

Në Vlorë kam vajtun në atë kohë në shkollat e vendit. Ndërmiet të nji fushës madhe përanë kishës orthodoxe, kam pá shkollën greke, qi mundohesh t’i mësonte fëmijs shqiptare gjuhen greke – tuj i bindun se vetëm kjo ishte mjeta e shpëtimit shpirtnor ëdhë lëndor!![9]

Edhë jam habitun përpara vulnetit të disa hodzhalarve, qi mundóheshin t’i mbesónin dy-treqint femíve shqiptar gërmat ëdhë fjalt të turkíshtës ëdhë të arabishtës – qi ëdhë ata vetë nuk i zotónin aspak!

Por në Kanínë kam ngrënë e kam pî, ëdhë kam vajëtue me gra bashk, burrat të cilavet po me at kohë lëngónin në burgjet’ e Janinës e të Beratit, sepse qeverija turke ju kishte gjetun ketyre burravet atdhedashës, libra e abetare shqiptare, qi ishin krejt të ndaluëme.

Edhë në Delvinë pashë me syyt e mija nji burr me gjith vaizën e vet, qi kishin qenë rrafun botënisht në mes të sheshit qytetit, sepse kish patun guxímin të mblidhte e të shkruante nji fjalor shqiptar.

Por, nji ditë erdhi lirími i Shqipnísë, u bâ e vërtetë ândera e gjith atdhétarve shqiptar – ëdhë lindi Shqipnija me 1912 – nji Shqipní e coptue, e gjymtue, qi kish humbun gjysmën e djemve t’saja, të mbetun nënë zgjedhin e huaj. Po ish prap nji folé, sado e vogël, me të cilën do ngjallesh populli shqiptar.

Kaluan kohat e luftës së Përgjithëshme, kaluan koha e trubullimve të brëndshme pas luftës – ëdhë me 1924 Shqipnija hyni me të vërtet në atë jetën politike qi nëvojítesh shpëtimin e saj pas nji kohës, me të cilën kurkush nuk kish ditun të caktoi drejtimin e vërtet!

Se, sado qi kishte Shqipní politíke, populli Shqiptar nuk ishte ende i krijuem. I mungonte këtij popullit – jo ndjenja – po kuptimi i bashkgjendjes, asaj bashkgjendjes, qi ka për nye kryesore mohimin e unísë vetiake, kursé nëvojitet për të mirën e gjithësís!

Se me atë kohë njërzija ishte ende e përçamë në Shqipní. Nji mysliman shqiptar s’e kish ende harrue qi, pak kohë mâ parë i përgjigjesh pyetjes se “çar je?” me fjalën “jam turk”; qi nji orthodoxit i thoshin “kaur”, ëdhë qi vetë i jipte kuptimin “grek” kësaj fjalës; qi nji Shaljan ish vetëm Shaljan, qi Dibrani kujtonte se Shqipnija ishte krejt nji shtet i huaj.

Kjo ishte gjendja shoknore ëdhë politike në Shqipní në 1924.

Nuk mundet të harrojmë, qi kësaj gjendjes së kokllavitun ju shtuan ëdhë përçarjet të prûmë na jasht, qi e habíten ëdhë mâ tepër popullin shqiptar: partí popullore, partí aristokratike, ishin mendíme krejt të pakuptimshëm.

Populli shqiptar ka rrojtun përherë me nji vllaznim patriarkal me parínë e tija, se kjo parija nuk ishte përveç se nji parí ndërmiet shoqve.

Ndërmiet këtij shkatërrimit mendor ëdhë shpirtnor duhesh pa fjalë nji dorë e fortë, nji mendje e hollë, nji zêmër e nxehtë, qi kishte fuqinë, vullnetin ëdhë dashunijen e popullit shqiptar, për t’a drejtúe e për t’a shpurë në rrugën e mbarë.

Të lumtun janë ata popujt, ëdhë fatbardhë – qi gjejnë në këto rrastet prîisin e duhun, qi ka guximin të mári mbi vete mundímin e shpëtímit e nji popullit, ëdhë përgjegjsinë e veprës tija.

Na gjaku shqiptar, na toka shqiptare, me gjith çilsit e çkëlqyëme të fisit tija, djali i këtij popullit – lindi, për shpëtimin e tij – Zogu i Parë!

Vepera e këtij trimit nuk ka nëvoje as për mburrje, as për lartësím, por njëkohësisht nuk ka nëvojë ëdhë të druaj na kritikat e kundërshtarvet nakar-mbëdhenjt! Në qoftë se sot përpara pasqyrës të ndritshëm qi na paraqítet, me barasímin e gjendjes Shqipnis, si ka qenë ëdhë si asht, mundet të ket njerës mjaft të verbúem për mos të pranue naltësínë të veprës të këtíj shpëtimtarit Shqipnís – këta lë zinte e të mbetën në mohimin e tyre të shterpët, istoríja përpara faktave të ksaj veprës do t’a pranoi, se askush nuk zinte e nuk do të zaj kurr kâmbën e tij!

Në se përpjekjet e patriotve shqiptar, ngjallën ndjenjat atdhedashse në Shqipní, në se gjaku i Shqiptarvet ndihmoi ngrehjen ëdhë njohjen e Shqipnís politike me 1912 deri 1924, ksaj Shqipnís i dha jetë, kuptim ëdhë gjallni, mbreti i Shqiptarve Zogu i Parë.

Ky krijoi shtetin, i dha nji administratë, i dha fuqinë e kuptimit ëdhë të veprimit, ky ngjalli në popull ndjejën e bashkimit, e bindjes, e disciplinës, ky, me vullnetin e tij të hekurt, me besimin qi kishte ne vehtën e tij ëdhë në popullin Shqiptar, báni na qeverija Shqiptare, qi ka qenë nji lodrë në dorë të njerësve pa asnji rândësí, pa asnji përgjegjësí – nji veglë shtetnore, qi imponohet respektit njerëzis të mbrëndshme ëdhë të jashtme.

Mbreti – ëdhë vetëm mbreti – ka qenë ay, qi ka patun guxímin, t’i heqi armet dâmprûse popullit Shqiptar, gjâ, qi askurr, asnji qeveri nukë e patë bâ dot, ëdhë të japi të varfënit ëdhë të pasunit, të dobëtit ëdhë të fuqishmit nji sigurim ëdhë nji qetësí shëmbellore an’e mbanë Shqipnisë, si s’e ka kurrkush në botë.

Ushtrija, xhandarmërija, sado të vogëla, janë në organizatën ëdhë në disciplinën e tyne vertét shembëllore. Në çdo degë të administratës: financ, drejtësi, punat botore, ekonomija kombëtare, ministrí e brëndshme, organizimi i prefekturave, të komunave, janë vepëra përparimi kaq të mëdhaja, sa qi kurr nonji Shqiptar nuk munt t’i shpresonte.

Unë, qi kam bashkjetue në fillimin e jetës lirë shqiptare, e di, që as mâ të nxehtit patriotet shqiptar nukë guxonin të shpresonin këtë përparim, qi sot asht bâ nji e vërtetë!

Kudo në Shqipní shofim mijëra nxënes, kudó shofim mendesínë e ksaj rinîsë, të vendosun, të zgjuët – kjo asht vepëra të shtatqind shkollavet, qi janë vepëra e këtij mbretit shpirtnalt.

Rrugat, urat, ëdhë të tjera vepëra madhështore, qi me të tjera vende, me të tilla mjete si i ka Shqipnija do nëvojitnin nji qind vjet punim – u ngrefen në Shqipní në pesëmbëdhjet vjet.

Por, në ka jashta ose mbrënda nji njëri, qi me nji vetëquajtun mendjehollësi kërkon për kritika të kotta, barasoi gjendjen e sotme të Shqipnisë me atë qi shef sot në Greqí, në Jugoslaví osé me të tjera vende të botës – unë atij do t’i përgjigjem, se barasimin ndërmiet të Shqipnís’ sotme duhet bâ me gjendjen e këtyne vendeve, njizet vjet pas lirimit tyne.

Kur marrim para syysh si ka qenë Greqíja me 1845, si ka qenë Serbía me 1830 – e ç’pregatime e ndihma kan patun këto shtete, e ç’ndalime e ç’mundime ka hequn Shqipnija – atherë vetëm kuptohet e del qartazi në shesh, vepëra vigane e Mbretit.

Qé nji fat i lumnueshëm, qi i ka falë Shqipnis.

Për të mbyllun këtë fjalimin tim, marë lejën na dëgjuësit e mi tuj u mpshtetun në dashuni qi i kam Shqiptarvet ëdhë Shqipnísë, t’ju them, qe duhet të gjith të marin shembëll na mbretit tyne, ëdhë të punojnë, kushdo në degën e vet, po me atë vullnet, po me atë besím, qi punon mbreti i tyne.

Kam patun për disa kohë banesën time kundrejt dritorëvet të Pallatit, ditë e natë, kurdoherë qi më ka vojtun syni na ato dritoret qi janë të odës punimit mbretit, kam kuptue ëdhë kam pá, se në atë odë mbreti i palodhun, mbreti juaj, qi asht i mâ pari ëdhë mâ i madhi punëtor i kombit Shqiptar, punonte parreshtun për të mirën e atdheut tuaj.

Kështu ma do zemra qi të shof gjith Shqiptarët ëdhë të punojnë, kushdo në degën e vet, po me at vullnet, po me at besim, qi punon mbreti i tyne!

Kështu m’a do zëmra qi të shof gjith Shqiptarët ëdhë të punojnë me nji besim të plottë për të ardhmën e vendit![10]

Ftesa konkrete për të marrë pjesë në kremtimet e 25-vjetorit të pavarësisë dhe dy ftesat për ballo, megjithëse të shkruara në frëngjisht, shpërfaqin fare qartë formalitetin ceremonial të ngjarjes në fjalë, organizuar nga shteti monarkik i asaj kohe. Dy ftesat për ballo bëhen nën emrin e mbretit nga marshalli i oborrit mbretëror, gjeneral Zef Serreqit, kurse ftesa zyrtare për të marrë pjesë në kremtimet e ngjarjes së shënuar bëhet nën emrin e komisionit special të krijuar enkas, nënshkruar nga presidenti i këtij komisionit Dhimitër Berati, i cili e cilëson Godinin si të ftuar të qeverisë mbretërore. Kjo etiketë formale, që të bie menjëherë në sy tek të tri ftesat, ravijëzohet edhe në kujtimet e Godinit. Përveç kurorave që e zbukurojnë, Tirana është e mbushur anë e kënd me flamurë, të cilët janë shprehje e qartë e simboleve të shtetit. Protokolli zyrtar i ceremonialit përfshin një sërë elementesh, duke nisur me pritjen zyrtare që i bëhet baroneshës me muzikë ushtarake dhe me himnin gjerman, për të vijuar me rezervimet për të ftuarit në restorantin e Hotelit Internacional, programin zyrtar treditor, dy ballot tek mbreti, ballon në bashki, delegacionet, veshjet përkatëse për ceremoni të caktuara, ekspozitën dhe deri me emisionin e pullave enkas për ngjarjen e shënuar etj. Pjesë e këtij protokolli ceremonial shtetëror janë edhe fjalimet, konkretisht fjalimi i baroneshës në shqip, në të cilin ajo përshkruan shkurt dhe strukturat e shtetit shqiptar: ushtrinë, xhandarmërinë, ekonominë, administratën me degët e saj të financës, drejtësisë dhe punërave botore, dhe organizimin e pushtetit qendror dhe lokal në qeveri, ministri, prefektura dhe komuna.[11]

“Shteti është shkresë” vëren studiuesi Xhevat Lloshi në një punim për Komisinë Letrare, duke e parë këtë ngjarje në vazhdimësi të Kongresit të Manastirit, vazhdimësi e cila kishte të bënte “me faktorin qenësor të jetës së një kombi: me ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.”[12] Pas aprovimit të rregullave drejtshkrimore për variantin e shkruar të elbasanishtes nga ana e Komisisë në janar të vitit 1917 (Parimet për rregullim t’orthografisë të gjuhës shkrimi shqipe)[13], një muaj më pas pushteti vendor i asaj kohe urdhëron përmes një vendimi[14], që ky variant i shkruar të përdoret në shkrimet zyrtare. Kongresi i Lushnjes në vitin 1920 e pranon variantin e shkruar të elbasanishtes për tekstet shkollore, ndërsa dekreti kryeministror i vitit 1923 si gjuhë zyrtare për administratën.

Natyrisht Godini nuk është një native speaker, por duke pasur parasysh kuadrin e përgjithshëm të variantit të shkruar të elbasanishtes, pra të gjuhës administrative të shtetit shqiptar, që e kishte ftuar zyrtarisht dhe për nder të të cilit ajo e mban fjalimin e saj, do të përpiqemi të vëmë në dukje tendencat kryesore të ortografisë së saj, duke pasur si orientim rregullat e vendosura nga Komisia, të cilat ishin “të thjeshta dhe gjithëpërfshirëse.”[15] Baronesha e njihte mirë punën e Komisisë, madje në vitin 1918, përmes një letre drejtuar Kralit, ajo kishte bërë kërkesën jo vetëm për një grant nga ana e Komisisë lidhur me botimin e fjalorit të saj, por edhe për të “vepruar në Komisí Letrare”[16], pra për të punuar për Komisinë kundrejt pagesës.

Mendojmë se shënjimi i theksit, edhe pse jo në mënyrë konsekuente, dhe jo vetëm për ato fjalë që mund të sjellin ndërlikim në kuptim (sipas rregullës së vendosur nga Komisija)[17] është mbase rutinë e punës së hartueses së fjalorit, e cila në këtë të fundit për fjalët shqip ka markuar dhe zanoren ku bie theksi. Në fjalim vendoset theksi kryesisht në emrat femërorë që mbarojnë me një i të theksuar, p.sh. Turkí, Greqí, Serbí, qetësí, Jugoslaví, mendësí, randësí, istorí, popullsí, ministrí. Por dashuni përdoret katër herë dhe vetëm një herë me shënjuesin e theksit dashuní, Shqipni përdoret 27 herë, 17 herë duke e vendosur theksin dhe 10 herë pa vendosjen e theksit, përgjegjësi një herë me theks, një herë pa theks. Mbi bazën e rregullave të Komisisë theksi duhej të ishte vendosur në rast homofonie vetëm për fjalët përgjegjësi dhe ministri. Lidhur me gjatësinë e zanoreve, Komisia vendosi, që ato të shënjohen si të tilla vetëm në librat e gjuhësisë. Ruajtjen e gjatësisë së zanoreve duke i shkruar ato të dyfishta (p.sh. si tek Fishta deri në shkrimet para vitit 1918), e gjejmë në mënyrë sporadike vetëm në dy shembuj: syyt (katër herë me zanore të dyfishuar dhe dy herë vetëm me një zanore) dhe prîisi. Shenja e hundorësisë përdoret sipas rregullave të Komisisë kryesisht në ato raste të cilave në toskërishte u përgjigjet një ë, por gjithashtu në mënyrë jo konsekuente, p.sh: kam thânë, gjâ, bâmë, bâ, për t’i dhânë (një herë me shënjuesin e hundorësisë, katër herë pa të), âsht (një herë me shënjuesin e hundorësisë, pesë herë pa të), ândër, kâmbën, rândësí, dâmprûse, mâ, por edhe nxënës. Shënjuesi i hundorësisë për fjalët e mësipërme është dhënë si i tillë edhe në fjalorin e Godin-it, madje edhe për grupin tjetër të fjalëve si pê frê, mulli, në trajtën e shquar të të cilave shfaqet bashkëtingëllorja n, sipas rregullës së Komisisë.

Në fjalim shkruhet i plotë togu ye sipas rregullës së vendosur nga Komisia, p.sh.: pyetje, kryesore. Togun ue Godini e përdor në mënyrë mbizotëruese në krahasim me atë ua: sigurue, vajëtue, coptue, gjymtue, harrue, bashkjetue, kuptue, përjashtue, afrue, admirue, vëzhgue, çilsue, caktue, shkue, kalue, por edhe quajtun, i huaj, treguan, kaluan, juaj, druaj, shtuan.

Lidhur me zanoren ë, sipas rregullave të Komisisë, ruhet në më të shumtën e rasteve ë-ja fundore (jo vetëm për emrat femërorë), p.sh.: dorë, degë, kohë, ditë, natë, krahinë, botë, rrugë, gjysmë, banesë, fushë, kâmbë, administratë, pasqyrë, nevojë, atherë, kanë qenë, janë, i parë, përanë, vetë, kam thânë, kam ngrënë, punojnë, harrojnë por edhe jasht, kurr, pesëmbëdhjet etj; ruhet në më të shumtën e herëve ë-ja e patheksuar në trup të fjalës në pozicion paratheksor p.sh.: rrëpina, mëson, punëtor, kombëtare, dëborat, i gëzuëm, këtyne, kësaj (dy herë), por edhe ksaj (tri herë) etj; nuk ruhet në më të shumtën e herëve ë-ja e patheksuar fundore në funksionin gramatikor të  formimit të shumësit të disa emrave mashkullorë, p.sh.: armiqt, hodzhalarve, kundërshtarvet, atdhétarve, por shqiptarët/shqiptarvet etj. Lidhur me ë-në pastheksore për dysorët e pranuar fillimisht nga Komisia në rastin e emrave femërorë, të cilët mbarojnë me bashkëtingëlloret l, n, r, p, sh (p.sh.: Shkodër-Shkodrë) si dhe për mbaresat rasore të emrave femërorë që mbarojnë me zanore të theksuar (p.sh.: Shqipnis-Shqipnisë), në fjalimin e baroneshës kemi vetëm tri përdorime për dysorët e llojit të parë, një herë për formën gege vepër, e cila përdoret 8 herë, dhe dy herë për format toske veglë dhe lodrë. Për dysorët e llojit të dytë mbizotëron forma gege pa ë-në e mbaresës rasore: Malsis, njerëzis, Shqipnis (tri herë) karshi Shqipnisë (dy herë).

Ruhen në më të shumtën e herëve grupet mb, nd, ngj sipas rregullës së vendosur nga Komisia, p.sh.: mbret, pesëmbëdhjet, kombëtar, mbetun, mundohem, ndihmë, vend, përfundim, ndërmiet, ndryshim, ngjall etj. Përjashtim bën përdorimi i parafjalës nga, e cila përdoret vetëm dy herë si e tillë dhe 20 herë në formë të asimiluar na. Rasti i fundit ndoshta është një kolorit personal, po të marrim parasysh, që kontaktet më të shumta baronesha i kishte me familjen Vlora dhe ky asimilim i ng-së në n ndodh në labërishte.

Apostrofi vendoset kryesisht për rastet e përcaktuara në rregullat e Komisisë, kur nyjet, parafjalët apo lidhëzat kanë ë në fund dhe fjala që vijon fillon me zanore, p.sh.: t’asaj kohe, t’saja, por nga ana tjetër të Malsis’ Madhe, të Shqipnís’ sotme; për të shënuar rënien e ë-së fundore tek trajtat e shkurtra të përemrave vetorë më, të: m’a do zëmra, apo tek pjesëza e mënyrës lidhore dhe e kohës së ardhme: nuk munt t’i shpresonte, t’i heqi, do t’i përgjigjem, do t’a pranoi etj.

Vihet re përdorimi masiv i j-së antihiatizuese sipas rregullës së vendosur nga Komisia për emrat femërorë që dalin me i të theksuar në emëroren e shquar: Shqipnija, egërsija, qeverija, xhandarmërija, ushtrija, parija dhe vetëm një herë gemia (gjemia).

Shkruhen në më të shumtën e herëve me bashkëtingëllore të zëshme, si në trajtën e shquar, ashtu edhe në të pashquarën emrat që dalin me temë në bashkëtingëllore (sipas rregullës së vendosur nga Komisia), p.sh.: Zogu i Parë, bregdet, njerëzit, brez, vendi etj, por edhe barasim, njerësve. Bien në sy mbizotërimi i formave gege nji (48 herë), njizet, nonji, asnji (tri herë) në krahasim me asnjë (dy herë), nonjë (dy herë), një, njëkohësisht, njëri, dhe mbizotërimi i formës gege të lidhëzës qi (69 herë) në krahasim me (tri herë).

Përveç tendencave të mësipërme në kuadrin e rregullave të Komisisë, si elemente të tjerë të gegërishtes në përgjithësi vlejnë të përmenden ruajtja e trajtës gege të paprekur nga rotacizmi, p.sh.: dashuni, shpirtnor, Shqipni, botënisht apo përdorimi i përemrit pronor vetvetor i vet. Interesant është përdorimi i dy paskajoreve të kontaminuara në një copëz teksti të fjalimit, e cila është prishur për të mos u lexuar: për me përgatitun, për me sigurue, ndërkohë që në më të shumtën e herëve ndeshim paskajoren me funksione të reduktuara të kryesuar nga pjesëza parafjalore për: për të ndihmúe, për t’i përnda, për t’i dhanë, për të kalue, për t’a drejtúe, për t’a shpurë, për të mbyllun. Përndryshe përcjellorja përdoret në mënyrë konsekuente me pjesëzën tuj: tuj përjashtue, tuj derdh, tuj u mpshtetun.

Ndër luhatjet e tjera që vërehen mund të përmenden kundërvënia vo>va, p.sh.: kam vojtun përdoret dy herë, kam vajtun po ashtu, e vorfën dhe të varfërit përdoren nga një herë; rënia e h-së në pozicion fundor apo mesor dhe zëvendësimi i saj me f-në, p.sh.: shoh (një herë me h dhe gjashtë herë me f), ngrefun, por njohja; përdorimi i sh-së nistore para bashkëtingëlloreve të pazëshme, p.sh.: shqetsue, i shkatërruëm (me luhatjet: shgatërruëme, shgatrrimit), por edhe çfakë, i çkëlqyëm; errësimi i e-së së theksuar në ë përpara bashkëtingëlloreve hundore, p.sh.: zëmra/zemra, mëndor/mendor, mbërnda, por vend; kundërvënia r>rr, p.sh. marr/mar (një herë me rr dhe katër herë me r), rast/rrast (tri herë me r, një herë me rr), ruejtun/rruejtun; përdorimi i femërores në vend të mashkullores, p.sh.: mjeta; përdorimi jo konsekuent i treguesit të shquarsisë (-t) pas v-së epentetike për shumësin e rasave gjinore-dhanore, p.sh.: faktave, hodzhalarve, atdhetarve, turbullimve, shoqve, njerësve, shqiptarve (tri herë), prefekturave, komunave, por edhe: çilsivet, nëvojavet, shqiptarvet (dy herë), burravet, kundërshtarvet, shkollavet, dritorëvet; përdorimi jo konsekuent i trajtave të shumësit për emrat femërorë, p.sh.: çilsinat/çilsit, kohat/kohënat etj.

Së fund dy leksema interesante, të cilat, ndonëse të përfshira në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe,[18] nuk ndeshen aq shpesh në përdorim. Së pari cipal, me kuptimin ashkël, cifël, për të cilën Çabej vëren se mungon tek Majeri (Meyer) dhe gjendet në fjalorin e Godinit[19] dhe së dyti harmim, me kuptimin e figurshëm frikë e madhe, lemeri, përdorur fillimisht në fjalorin e Bashkimit[20] me shpjegimin si një sëmundje që shkakton brerjen e mushkërive të kuajve (turbekuloz).

Si përfundim mund të themi, se pavarësisht nga luhatjet e karakterit drejtshkrimor, një pjesë e të cilave janë më se të zakonshme për shqipen e shkruar të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, në të gjithë fjalimin e Godinit përftohet qartazi tendenca për t’i qëndruar sa më besnike variantit të shkruar të elbasanishtes, gjuhës zyrtare të shtetit që e kishte ftuar.

“Sekuenca filmike” mbaron këtu. Si mund të ketë qenë vallë fjalimi i Kralit, i cili në vitin e mbrapshtë 1914 kishte pasur burrërinë të mbante shqip një të tillë në Shijak përpara kryengritësve të armatosur dhe kishte arritur të qetësonte gjakrat? Ky lajm dokumentohet në Albanische Korrespondenz pikërisht nga i ftuari tjetër i nderit, Frojndlihu si më poshtë: “Konsulli i Përgjithshëm Kral, i cili shkoi menjëherë për të takuar kryengritësit në Shijak, arriti të vihet në kontakt dhe të merret vesh me ta, falë njohjes praktike të marrëdhënieve shqiptare, të psikikës së popullsisë dhe zotërimit të përkryer të gjuhës shqipe. Paraqitja e tij e qetë, e sigurt dhe e menduar mirë ka bërë përshtypje shumë të thellë. Konsulli i Përgjithshëm Kral mbajti në Shijak një fjalim, në të cilin ai bëri thirrje për paqe dhe bashkim kombëtar.”[21] Si mund të ketë përshëndetur vetë Frojndlihu, i cili kishte përkthyer pafundësisht aq shumë lajme lidhur me shqiptarët? Si mund të ketë qenë përshëndetja e Joklit? Me gjuhën e Çabejt, ndoshta jokliane, sepse çdo fjalë tjetër është e tepërt.

Por tek e fundit kemi në dorë vetëm fjalimin e Godinit dhe shpresën, se në të ardhmen ndoshta mund të gjendet diçka tjetër dhe të vazhdojë të plotësohet një boshllëk sado i vockël edhe për aspekte të tilla siç janë formalitetet, protokolli, gjuha e fjalimeve të mbajtura në ngjarje përkujtimore dhe ceremoniali festiv i shtetit shqiptar në një periudhë të caktuar të tij, aspekte ndoshta anësore, por të rëndësishme për të plotësuar kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit.

(c) 2024 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Grießbach, Thomas; Lepschy, Annette (2023) Rhetorik der Rede: Ein Lehr- und Arbeitsbuch. Stuttgart, f. 25.

[2] Po aty, f. 33 (shih më gjerë tabelën përmbledhëse të dy rrafsheve dhe elementeve të tyre).

[3] Cituar sipas Beci, Bahri (2000) Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri. Pejë, f. 74 (Fletore zyrtare, 1923/21, 3, vendimi 148).

[4] Osmani, Tomorr (2009) Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Shkodër, f. 173.

[5] Cituar sipas Ismajli, Rexhep (1998) “Në gjuhë” dhe “Për gjuhë” (Rrjedhat e planifikimit të shqipes në Kosovë 1945-1968). Pejë, f. 38v.

[6] Grießbach, Thomas; Lepschy, Annette (2023), f. 21.

[7] Durham, Edith (1990) Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Tiranë, f. 303: “Në kohën që vizitoja krahinat e djegura, gjithnjë udhëtoja e paarmatosur dhe shpesh e shoqëruar nga njerëz që s’i kisha parë kurrë. Të gjithë e dinin se në çantën që mbaja në brez kisha të paktë 200 lira turke në ar. Njerëz që kalonin anës rrugës më thërrisnin: ‘Ku do t’i çoni paratë sot? Na dilni pastaj nga katundi ynë.’ Asnjë orvatje nuk bëri kush ndonjëherë për të m’i marrë ose për të më detyruar të ndërroja rrugë. Shpeshherë çoja nëpër mend, se a do të ishte e mundur, që shuma të ngjashme si kjo të transportoheshin të sigurta nëpër Angli, duke përfytyruar për një çast, sikur të mos kishte as polici dhe as qeveri.”

[8] Nënvizimet janë ruajtur si në origjinal, J. Xhyra-Entorf.

[9] Kjo fjali është prishur: „Kam pá me nji godinë madhështore mbas asaj kohës, nji shkollë italjane, qi përhapte ndërmiet shqiptarvet kulturën italjane për me përgatitun ëdhë për me sigurue atë ‘ndihmën vetëmohuse’ qi treguan Italjant në 1915 popullit shqiptar.“

[10] Me disa ndryshime minimale, tre paragrafët e fundit përsëriten dy herë.

[11] Gjatë legjislaturës 1928-1932 shteti shqiptar miratoi me ligj organizmin e komunave  (Ligja e katundarive), kurse gjatë legjislaturës 1932-1936 organizimin e bashkive (Ligja e Bashkive), duke bërë kësisoj hapa të rëndësishëm në organizimin e qeverisjes vendore. Shih më gjerë për këtë: Kurti, Teki (2011) Aspekte të organizimit dhe të veprimtarisë së qeverisjes vendore 1928-1939. Në: Monarkia shqiptare 1928-1939. Tiranë, f. 283-302.

[12] Lloshi, Xhevat (2022) Komisia Letrare e Shkodrës dhe shqipja standarde. Në: Gjurmime albanologjike 2022/52, Prishtinë f. 17.

[13] Osmani, Tomorr (2009), f. 180.

[14] Po aty, f. 253.

[15] Mansaku, Seit (1996) Rreth parimeve të drejtshkrimit të Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër. Në Komisia Letrare Shqipe në Shkodër. Me rastin e 80-vjetorit, 1916-1996. Shkodër, f. 57.

[16] Osmani, Tomorr (2009), f. 220v. Protokolli i mbledhjes së Komisisë në datën 13.02.1918: “Z. Gurakuqi difton në Komisí se mbas nji letre të veçantë qi zoj. Godin prej Alemanje, i ka dërguem Z. së Tij Komisarit të Shqip. Z. Kral, shifet se këjó zojë paska pregatuen nji fjaluer shqip-tedeshk e se lypka ndihma për t’a shtypun e kërkonka të veprojë në Komisí Letrare me nji rrogë 300-400 markash në muej. Z. Komisari-Civil i ka kërkuem z. Kryetarit mendimin i Komisís mbi këtë punë. Misët e Komisís janë të gjith nji mendimi e vendojnë që t’i përgjigjet z. Godin se Komisija Letrare nuk ka misë të paguem e se meritimin e shpërblimet e veprës qi ka gatuem mund t’i diftojë mbasi të jetë paraqitun vepra e tanë për gjykim.”

[17] Po aty, f. 247-249 (Parime e rregulla mbi orthografin e gjuhës shqipe të shkrueme).

[18] Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë (1980) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (me rreth 41.000 fjalë). Tiranë f. 227 dhe f. 654.

[19] Çabej, Eqrem (1987) Studime etimologjike në fushë të shqipes. Bleu III, C-D. Tiranë, f. 44.

[20] Fjalori i “Bashkimit” (1978, botimi i parë 1908), Pejë, f. 155.

[21] Freundlich, Leo (2012) Die Albanische Korrespondenz: Agenturmeldungen aus Krisenzeiten (Juni 1913 bis August 1914). Südosteuropäische Arbeiten, 144. Herausgegeben von Robert Elsie, München. Nahricht  vom 14. Mai 1914, f. 450v:  “Generalkonsul Kral, der sich sofort nach einem Eintreffen zu den Aufständischen nach Shijak begeben hat, war in Folge seiner praktischen Kenntnis der albanischen Verhältnisse und der Psyche der Bevölkerung sowie der vollkommenen Beherrschung der albanischen Sprache imstande sich mir den Aufständischen in Kontakt zu bringen und sich mit ihnen zu verständigen. Sein ruhigsicheres und zielbewusstes Auftreten hat den allerbesten Eindruck hervorgerufen. Generalkonsul Kral hielt in Shijak eine Ansprache, in der er sie zum Frieden und zur nationalen Einigkeit aufforderte.“

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin