nga Aristotel Spiro
Pas bisedës në studion e emisionit ADN 69 të RTSH me drejtues Prof. Dr. Ilir Yzeirin kam marrë mjaft mesazhe inkurajuese. Është me të vërtetë mbresëlënëse përkrahja dhe miradija e pjesës së shëndetshme intelektuale të Shqipërisë dhe Kosovës dhe viseve të tjera ku jetojnë shqiptarë.
Mbarë opinioni publik e ka kuptuar tashmë se qëllimi i vërtetë i etimologëve vulgarë nuk është të merren me studimin e gjuhës, meqenëse ata nuk e kanë idenë se si funksionon gjuha.
Etimologët vulgarë nuk janë studiues, sepse nuk i njohin parimet e studimit, të cilat i zëvendësojnë me fantazinë e shfrenuar dhe interpretimet arbitrare pa asnjë bazë teorike shkencore. Ata nuk kanë asnjë ndërkumtues në botën akademike as brenda as jashtë vendit. Një studiues e zhvillon veprimtarinë e tij kërkimore në kuadrin e një ndërkumtimi akademik, ku bëjnë pjesë studiues të së njëjtës fushë. Këta studiues mund të jenë pjesë e stafit akademik të universiteteve dhe institucioneve kërkimore-shkencore të vendit apo të universiteteve të huaja. Përkundrazi, auditoret ku pseudostudiuesit shpallin padijen e tyre janë studiot televizive, ndërsa ndërkumtuesit e tyre janë masa e gjerë e teleshikuesve. Ndonjëri prej tyre mburret duke thënë se realizon shumë shitje librash dhe këtë e quan provë të vlefshmërisë së të thënave të tij. Mirëpo, kriteri i numrit të shitjeve nuk është aspak argument për drejtësinë e të thënave, sikundër një libër me përmbajtje pornografike mund të ketë shumë shitje, por kjo nuk përbën shkas që të pretendojë ndonjë vlerë estetiko-letrare. Po ashtu, një disk me muzikë tallava mund të ketë më shumë shitje sesa një disk me muzikë të Mozartit, por kjo nuk e bën muzikën tallava më të mirë se muzikën e Mozartit. Qëllimi i pseudostudiuesve nuk është e vërteta shkencore, por manipulimi i dhunshëm i shkencës dhe i të dhënave studimore. Fakti që njerëzit me pamjaftueshmëri kulturore miratojnë të thënat e tyre ndërsa gjuhëtarët jo është një tjetër tregues që etimologjitë e tyre vulgare nuk përbëjnë shkencë. Njerëzit e thjeshtë, që nuk janë specialistë të gjuhës, miratojnë në fakt parrullat politike banale të etimologëve vulgarë dhe jo ndonjë shkencë. Pjesa dërrmuese e këtyre fansave të etimologjisë vulgare as që kanë lexuar ndonjë rresht nga produktet e etimologjisë vulgare.
Është konsideratë të thuash që perceptimet dhe mendimet për gjuhën të etimologëve vulgarë ose “turboalbanologëve” janë antishkencore. Jo. Ato nuk kanë asnjë lidhje me shkencën. Nyjëtuesit e tyre as duan as kanë ndonjë aftësi të bëjnë shkencë. Qëllimet e tyre janë politike. Por edhe politikisht sjellja e tyre është e shëmtuar. Mospajtimin me studiuesit e shquar të gjuhës shqipe, si Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Kolec Topalli etj. ata e trumbetojnë si zbulimin e një tradhtie ndaj atdheut dhe marrin përsipër rolin e shpëtimtarit duke i akuzuar si “tradhtarë” (!) figurat e padiskutueshme të shkencës.
Ky është një argument më tepër për të kuptuar që sjellja e tyre nuk ka asnjë lidhje me sjelljen e një studiuesi. Në gjuhësi, si në çdo fushë tjetër të shkencës, nëse nuk je dakord me tezat apo teorinë e një gjuhëtari, e ruan etikën dhe shprehesh me edukatë dhe nuk fillon ta shash atë gjuhëtar me fjalë denigruese. Aq më tepër ta etiketosh “tradhtar”. Po ashtu, nuk mund të fillosh të shash për të njëjtat arsye institucionet shkencore, siç është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, dhe të bësh thirrje për protestë para këtij institucioni. Këto janë iniciativa obskurantiste dhe haxhiqamiliste.
Duke nxitur urrejtjen ndaj figurave të ndritura të shkencës si dhe duke protestuar para institucioneve akademike me thirrje për të ndryshuar rezultatet e etimologjisë që kanë arritur Eqrem Çabej, Kolec Topalli etj. ata ndërmarrin një aksion qartësisht politik dhe konfirmojnë pozicionimin e tyre në ekstremin e djathtë. Kjo nxitje urrejtjeje sjell në mënyrë të pashmangshme dhunën. Me terma më të qartë ky quhet fashizëm, ndërsa veprimi i tyre është përpjekje për të ringjallur fashizmin.
Konteksti shoqëror ku kultivohet e gjithë kjo çmenduri përcaktohet nga përpjekjet për rivlerësimin e figurave të kolaboracionistëve të fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore me pretekstin se janë përpjekur për interesat e një Shqipërie etnike, apo se janë pinjollë familjesh me “tradita patriotike”, nga përpjekjet për të denigruar kontributin e Shqipërisë në luftën kundër fashizmit gjatë Luftës II Botërore, për të përdhosur kujtimin e dëshmorëve të luftës etj.
Në dijen albanologjike kërkimi shkencor është keqkuptuar jo pak herë si një përpjekje për të vërtetuar a priori origjinën ilire të shqipes apo vijimësinë arbërore, kërkesa këto të tejkaluara nga koha dhe të panevojshme. Asnjë studiues serioz nuk mund të vërë sot në dyshim as të parën as të dytën.
Esktremistët e djathtë, duke e perceptuar së jashtmi studimin shkencor si një përpjekje për të vërtetuar origjinën e lashtë të popullit shqiptar, nuk janë të kënaqur nga zgjidhjet jopolitike që ofron shkenca. Dija e vërtetë shkencore nuk jep asnjëherë nuk jep zgjidhje ultimative. Çdo studim serioz lejon gjithmonë një dyshim nxitës për kërkim të mëtejshëm shkencor, lejon një ose disa pikëpyetje që e çojnë përpara dijen. Sharlatanët e shkencës duan gjëra të qarta. Prandaj kërkojnë të marrin situatën në dorë, dhe, si talebanë të frikshëm, kërkojnë të pushtojnë hapësirën e kërkimit shkencor. Në garë me institucionet kompetente, ata shpallin një origjinë më të lashtë, e cila shkon deri tek mjegullnaja gnoseologjike e pellazgëve, një term që përmbledh një popullsi të papërcaktuar paraindoevropiane identiteti etnik dhe gjuhësor i së cilës / të cilave nuk mund të hetohet. E këtu futet në punë fantazia e shfrenuar. Nuk ka nevojë të kesh ndonjë lidhje me shkencën. Mjafton të thuash ç’të vjen e ç’të dëshiron zemra. Kështu të beson më lehtë vulgu i paragjykuar. Kështu automotivohet armata injorante e gjithë atyre që kanë kaluar shkollën me paterica e tani jeta i ka mësuar se gjërat janë më të thjeshta se ç’i shpjegojnë shkencëtarët “tradhtarë”; ata shkencëtarë të “shitur” që nuk janë në gjendje të vërtetojnë se gjithë gjuhët e botës e kanë origjinën tek shqipja dhe fjalët e gjithë gjuhëve shpjegohen nëpërmjet shqipes (!).
Të gjitha këto nuk do të kishin asnjë efekt nëse këta tipa nuk do të gjenin një tribunë për të shpalosur marrëzitë e tyre.
Tribuna të tilla janë televizionet private, por edhe televizioni shtetëror, që janë bërë streha e injorantëve maniakalë të albanologjisë. Këta tipa, që studiuesi Ardian Vehbiu i ka emërtuar “turboalbanologë” ose më thjesht “turbologë”, sipas një lloji të muzikës banale që quajtur “turbofolk”, janë shprehje elokuente e degradimit të vlerave intelektuale të shoqërisë së sotme shqiptare. Njihen gjithashtu dhe si “pellazgologë”. Studiot televizive ku ata bujten kthehen në këtë mënyrë në shprehëse të ekstremizimit të djathtë, të nxitjes së urrejtjes shoqërore dhe dhunës ndaj studiuesve të shquar apo institucioneve akademike. Goditet në këtë mënyrë ndërgjegjja shoqërore, ndërsa identifikimi i vlerave kryhet jo në bazë të meritokracisë, por në bazë negociimesh të dyshimta me ndërgjegjegjen intelektuale.
Për historinë e gjuhësinë nuk flet më historiani dhe gjuhëtari, por flasin përrallëtarët që imponojnë një logjikë të deformuar dhe argumente të sajuara. Specialistët e historisë dhe gjuhës thirren në studio për t’u përdhosur nga harbutëria e injorantëve pellazgologë.
Në emër të demokracisë dhe lirisë së shprehjes ndërmerret një sulm në shkallë të gjerë kundër vlerave. Injoranca i skërmit dhëmbët dijes. Obskurantizmi kërkon t’i imponohet shkencës.
Këtu përgjegjësia e medias dhe veçanërisht e moderatorëve të emisioneve është e madhe. Ata bëhen përgjegjës për përhapjen e informacionit antishkencor, të banalizimit të shkencës, por sidomos për nxitjen e urrejtjes shoqërore si dhe të dhunës kundër institucioneve shkencore të vendit.
Nëse shohim përmasat e jashtëzakonshme që kanë marrë kjo dukuri, emisionet e shumta ku shfaqen sharlatanët e etimologjisë vulgare, atëherë del qartë se këtu nuk bëhet fjalë për çështje gjuhësore apo etimologjike. Nuk mund të bindet njeri se etimologjia gjuhësore qenka kthyer në një çështje të dashur për masën e gjerë të shqiptarëve. Nuk mund ta besojë njeri se papritur një shumicë e shoqërisë po shfaq interes të jashtëzakonshëm për gjuhësinë. Ligjërata për etimologjinë nuk ka asnjë lidhje me gjuhën, sikundër nuk kanë asnjë lidhje me gjuhësinë “astrologët” e etimologjisë popullore që shqiptojnë absurditete banale dhe naive nëpër studiot televizive ku i ftojnë.
Ligjërata e tyre, sikundër etimologjia që “lëvrojnë”, është politike vulgare. Kjo lloj ligjërate, e cila vendos gjuhën shqipe në origjinë të të gjitha gjuhëve të tjera, nuk ka as bazë shkencore as bazë logjike. Nuk është shkencore, për shkakun e thjeshtë, se asnjë prej gjuhëve që fliten sot nuk mund të pretendojë se ka qenë gjuha e parë në botë. Asnjë! As shqipja. Ndryshimet gjuhësore ndodhin në një mënyrë të tillë diverguese që i shpjegon gjuhët e sotme të Evropës dhe të Azisë me të cilat krahasohet shqipja si të prejardhura prej dialekteve të një gjuhe të përbashkët, të quajtur konvencionalisht “indoevropianishte”. Asnjëra prej gjuhëve të sotme të familjes indoevropiane nuk mund të identifikohet si e prejardhur drejtpërdrejt prej asaj forme gjuhësore të emërtuar “indoevropianishte”.
Mund të hamendësohet se etimologët vulgarë vuajnë nga efekti Dunning-Kruger, meqenëse janë të paditur dhe nuk janë në gjendje të kuptojnë që janë të paditur. Por unë besoj se është diçka më shumë. Ata e dinë që janë të paditur, por nuk u intereson kjo dhe as i shqetëson padituria. U intereson shpallja e një kredoje politike, që do të çojë më vonë në hartimin e një programi politik partiak. Çfarë partie do të jetë ajo që mund të formohej prej këtyre njerëzve merret lehtë me mend. Nuk mund të jetë gjë tjetër përveçse një parti neofashiste. Qëllimi i tyre do të ishte të ringjallin fashizmin dhe të kërkojnë me këtë mënyrë pushtet, të kërkojnë një vend në Kuvendin e Shqipërisë.
Nuk mund të thuhet ende me siguri se kjo parti do të krijohet. Në kohën e sotme kjo masë amorfe paraqitet më shumë si një lëvizje e turbullt politike, e cila nuk ka një krye frymëzues. Udhëheqësit e kësaj lëvizjeje po përvijohen përmes të ashtuquajturave “akademi”, të cilat lindin si kundërvënie ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përmes grupeve virtuale nëpër rrjetet sociale, si dhe përmes promovimit të tyre nëpër kanalet televizive shqipfolëse.
Kjo mënyra e fundit është jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak të ndikimit të fortë të medias mbi publikun.
Moderatorët e emisioneve argëtuese ose informative televizive, për arsye të ndryshme (nevoja e klikimeve, përgatitja e ulët profesionale, niveli i ulët kulturor apo edhe thjesht dëshira mendjelehtë për provokim) i kthejnë emisionet e tyre në tribunë të shprehjes së banaliteteve mendore që i evaluojnë si mendime apo teori shkencore. Ata shndërrohen në sytë e publikut si certifikues të “autoritetit” të atyre pseudostudiuesve si dhe miratues e certifikues të vulgaritetit mendor të shoqërisë.
Dëmi që i bëjnë shoqërisë është kolosal. Krijohet përshtypja sikur shkenca e gjuhës qenka një veprimtari fare e thjeshtë, sikur fjalët e zbulojnë kuptimin e tyre fillestar përmes një loje zbavitëse të interpretimit të rrokjeve përbërëse apo të lëvizjes arbitrare të “shkronjave” të tyre. Krijohet mandej pikëpyetja e madhe pse akademikët, kur punët janë kaq të thjeshta, nuk prononcohen për shqipen si gjuha e parë e gjithë njerëzimit dhe si gjuha që i shpjegon gjithë gjuhët e tjera të botës. Përderisa nuk bëjnë një gjë të tillë që u duk(ër)ka qartë dhe që e kupton gjithë armata e vulgut, atëherë diçka duhet të ketë këtu: akademikët duhet të jenë pjesë e një komploti antikombëtar dhe paguhen nga akademitë dhe shërbimet e huaja sekrete, pra, janë “tradhtarë” (!!!).
Arrogantë në injorancën e tyre, cilësojnë “tradhtarë” figura të ndritura të shkencës gjuhësore shqiptare, cilësojnë tradhtare Akademinë e Shkencave dhe, njësoj si talebanët, që janë kundër çdo emancipimi shoqëror, kërkojnë të veprohet me dhunë kundër këtyre figurave dhe institucioneve.
Në këto rrethana duket qartë përgjegjësia e madhe e drejtuesve të mediave audiovizive, përgjegjësia e drejtuesve të emisioneve.
Mbi të gjitha, duket qartë përgjegjësia e Autoritetit të Mediave Audiovizive që, megjithëse e ka për detyrë të monitorojë zbatimin e kodit etik të mediave, rri e vështron se si nyjëtohen sulmet e vulgut kundër figurave fisnike të shkencës, rri e dëgjon thirrjet publike për linçimin intelektual të institucioneve, me një fjalë toleron nxitjen e urrejtjes shoqërore dhe lejon të vihet në krye të vendit padija dhe injoranca.
Këto janë shenja që një përbindësh i quajtur neofashizëm po rritet në ndërgjegjen e përgjumur të shoqërisë. Nëse nuk e ndalim sot, nesër do të jetë vonë.
Zonja dhe zotërinj drejtues të mediave audiovizive! Zonja dhe zotërinj moderatorë! Këta njerëz që ftoni nëpër studio dhe ju flasin për gjoja origjinën pellazge të shqipes, se gjoja shqipja shpjegon gjithë gjuhët e botës, këta njerëz që shajnë gjuhëtarët shqiptarë si “tradhtarë” e “injorantë” apo “analfabetë”, këta njerëz që shajnë institucionet shkencore të vendit dhe bëjnë thirrje për protesta me dhunë para tyre, nuk janë gjuhëtarë dhe nuk dinë ç’është gjuha dhe si funksionon ajo. Këta njerëz me gjasë janë ekstremistë të djathtë, predikuesit e fshehtë të një fashizmi të ri. Nëse ju vazhdoni t’i ftoni nëpër studiot tuaja që të bëjnë propagandë fashiste, rrezikoni që një ditë të jeni përgjegjës për ringjalljen e fashizmit në Shqipëri. Nuk është bisedë për gjuhësi ajo që bëhet nëpër studiot tuaja. Është propagandë fashiste. Tani këtë e kuptojmë të gjithë dhe nuk ka më alibi për qëllimet tuaja. Le t’i themi “Ndal!” sa më parë këtij fashizmi të kamufluar.
Le ta dëgjojë këtë thirrje edhe AMA, e cila bën gjumin e thellë para kësaj gjendjeje tejet problematike. Kjo heshtje e thellë ngre shumë pikëpyetje nëse AMA është e aftë të kryejë detyrën e vet. Një peticion i hapur i nënshkruar nga njerëz të kulturës e të shkencës është publikuar dhe po flet gjithë bota. A ka dëgjuar gjë AMA për këtë? Çfarë pret? Që të vijë dikush e t’i ankohet me një copë letër për të njëjtën gjë? Çfarë emër mund t’i jepet këtij qëndrimi? Naivitet, papjekuri, indiferencë apo papërgjegjësi? Të mbyllësh sytë para gjarpërit të neofashizmit që rritet tek shtëpia mediatike nuk është thjesht papërgjegjësi, por është një faj i rëndë që shpejt a vonë do të shndërrohet në krim.
Kryejeni detyrën tuaj. Mos u jepni tribunë mashtruesve. Mos u jepni tribunë pellazgologëve, turboalbanologëve dhe etimologëve vulgarë. Kontribuoni për një shoqëri të shëndetshme. Ndaloni neofashizmin e kamufluar.
(c) 2024 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.