Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

TRE RISITË E NJË HISTORISHKRIMI

nga Edon Qesari

Shënime mbi monografinë “Nga Stalini te Mao. Shqipëria dhe bota socialiste” të Elidor Mëhillit

(përkthyer nga Arian Starova dhe Ledion Krisafi, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, 2023)

Prurja në shqip e monografisë me titull “Nga Stalini te Mao. Shqipëria dhe bota socialiste[1], me autor Elidor Mëhillin, përbën një lajm të mirëpritur në shumë këndvështrime. Për profanët e ndërmarrjeve studimore që kanë në qendër shtjellimet historike bashkëkohore, mjafton të thuhet se ky vëllim është i firmosur nga një prej ushtruesëve më seriozë të këtij zanati në katedrat e sotme amerikane. Origjina shqiptare e Prof. Mëhillit është mbase përbërësi më i parëndësishëm në formimin e tij profesional, duke pasur ai në arsenalin e vet përgatitor jo vetëm një përvojë të vyer akademike (nga Princeton-i e deri në Columbia University, mes të tjerësh), por veçanërisht falë të qenit një pasues i drejtpërdrejtë i punës kërkimore të Stephen Kotkin-it, një prej zërave më të spikatur, në kapërcyell mes dy shekujve, të studimeve mbi historinë e komunizmit global dhe të atij sovjetik posaçërisht.

Për t’u theksuar ky aspekt i fundit, jo për të ndjekur ndonjë zakon të huazuar nga substratum-i kulturor mesdhetar, i cili mbivlerëson besnikërinë ndaj origjinës në dëm të tejkalimit cilësor të saj, por më së shumti për t’i dhënë vendin që i përket veprës së Mëhillit, pranë zhvillimit të një shkolle mendimi dhe hulumtimi që i ka fillesat qysh në vitet 1960. Që nga ajo kohë, kur studimet mbi komunizmin kishin arritur njëfarë qëndrueshmërie, të diktuara nga ato që në zhargon përkufizohen sot si “teori të totalitarizmit” (theories of totalitarianism), prirje të reja këqyrëse të historisë komuniste botërore dhe veçanërisht këndvështrime të reja shtjelluese të realitetit sovjetik u përpoqën të shkonin përtej.

Vepra e Mëhillit është pjesë përbërëse e kësaj rrjedhe. Ajo renditet në po të njëjtën vazhdë, e cila prej gati gjysmë shekulli tashmë nuk ka reshtur së prodhuari paradigma kërkimore dhe së mishëruari këndvështrime të reja mbi dukuritë social-politike, ekonomike dhe kulturore të komunizmit. Të cilat, vlen veçanërisht për t’u shtuar me rastin e botimit në shqip të veprës së Mëhillit, nuk kanë qenë të pranishme në historiografinë shqiptare mbi komunizmin, përveç se rishtas dhe në mënyrë shumë fragmentare.

Që nga botimi i vet i parë, në anglisht, “Nga Stalini te Mao. Shqipëria dhe bota socialiste”, përveç se ka nxitur marrjen përsipër të disa udhëpërshkrimeve të reja kërkimore, ka përfaqësuar edhe shembullin e parë, organik, të një mënyre të re të shkrimit të historisë bashkëkohore, e ndihur kjo nga një përpilim dokumentar i cili ndjek një taksinomi burimore të gjithanshme.

E them këtë duke u përqendruar në një sërë risish që kjo monografi përcjell. Risi të cilat, në shumë drejtime, kanë ndikuar jo pak në punën e një fryme të re, ditëve të sotme, në historishkrimin shqip.

Për nga rëndësia, do të thosha se risia e parë e monografisë ka të bëjë me qasjen e vet tematike. Mëhilli nuk e anashkalon rëndësinë e trajtesës politike të së shkuarës, por shkon bindshëm përtej saj. Nuk e lë në hije historinë posaçërisht politike të komunizmit shqiptar – e aq më pak emrat e mëdhenj, për nga rëndësia shkakësore, të komunizmit global (siç shfaqet edhe në titull, fundja) por e ndriçon atë edhe më tej.

Që do të thotë se përpos historishkimit tradicional, të përqendruar mbi zhvillimet e rendit politik dhe mbi emra të përveçëm “pashallarësh të kuq”, libri shpalos një hulumtim të gjerë, gati mbisundues, që lidhet me aspekte të ndryshme sociale dhe strukturore, ekonomike dhe kulturore, të cilat vështirë se mund të hasen – lere pastaj që të kuptohen – nëse kalemi i historianit nënvizon vetëm ngjarjet që kanë të bëjnë me subjekte si pushteti apo nëse shoshit vetëm historinë institucionale. Çka e trazon intelektualisht Mëhillin, në këtë kuptim, ka të bëjë jo vetëm me inputin që një klasë e caktuar politike “injekton” në shoqëri, duke u përpjekur ta vizatojë këtë të fundit sipas shëmbëlltyrës së vet – po edhe se cili është rezultati i këtij ushtrimi; cili është, e ç’trajta ka në krahasim me të shkuarën e vet, ky “njeri i ri” që moderniteti i lëvruar nga komunistët shqiptarë hyn në skenën e historisë së shekullit XX.

Kushdo që, nga jashtë zanatit, mendon për një libër historie, zakonisht thërret në vëmendje stereotipin e një vëllimi në të cilin dalin në pah emra të përveçëm apo ngjarje të shënuara që vërtiten përreth një klase pushtetarësh: librat tradicionalë të historisë – të cilët shpesh s’i kanë shpëtuar ngasjes për t’u duartrokitur si sensacionalë – veçanërisht në rastin e historiografisë shqip, janë të tejmbushur me renditje të dhënash që kanë të bëjnë me ndodhi politikanësh, sunduesish, prerjet shndërruese që këta i japin kuadrit institucional të një vendi, dinamikat e marrëdhënieve midis tyre, si dhe jetët private përkatëse – kur historiani është në kërkim të një biografizmi që pikanten e sheh si mundësi e njëfarëlloj voyeurism-i të lypur nga lexuesi i paduruar i tabloideve. (Shembulli i një historie zëdhënëse të shitjeve – apo më saktë, të gazetashitjeve – është përçuar në formë anekdotike 30-vjeçarin e sapolënë pas nga ana e shtypit të përditshëm shqiptar.)

Psikologjisë së një mendjeje diktatoriale, individuale apo grupore qoftë kjo, e cila gjithsesi nuk niset nga një tabula rasa, Mëhilli i bashkështon sociologjinë e një marrëdhënieje të ndërlikuar mes pushtetit dhe shoqërisë.

Natyrisht që Mëhilli e përfill, madje e ndjek me vëmendje të shtuar historinë politike të Shqipërisë komuniste, dhomat e pushtetit dhe mënyrën sesi në to gatuheshin qëllimet dhe ligjërimi përligjës i një trajte apo një tjetre të drejtimit të shtetit shqiptar; por është interesante sesi vështrimi i tij hulumtues – prej historiani, por ç’është edhe më e rëndësishme për t’u dalluar, prej shkruesi të historisë – zbret në rrafshin e praktikës qeverisëse, atje ku një mori anonimësh, e që janë përfaqësuesit e vërtetë të një shoqërie e cila ndryshon, në simbiozë me dhomat e pushtetit, marrin e japin me të.

Në këtë drejtim, “Nga Stalini te Mao” gëzon virtytin e të qenit një orvatje për të kuptuar modernizmin, e që shkon kundër një skematizmi historik i cili e paraqet të shkuarën, qoftë kjo edhe totalitare, në trajtën e një asimetrie të ngurtë, ku një grupi udhëheqësish që shkaktojnë u kundërvihet një grup masiv të udhëhequrish që pësojnë.

Në të vërtetë, gjërat janë paksa më të koklavitura se një kundërvënie e prerë mes “xhelatësh” dhe “viktimash”, “pakice” dhe “shumice”, “sundimtarësh” dhe “të sunduarish”.

“Nga Stalini te Mao” është shembulli më i ndriçuar i një hulumtimi që zbret në histori sociale. Nga ky shtrat monografia mëton të nxjerrë disa përgjigje mbi një variabël të ngurtë siç është rrafshi i mendësive, nëse e krahasojmë me planin dinamik të zhvillimeve politike. Një histoire de mentalités pra që zbërthen në mënyrë interesante impaktin që ka – mbi zakonet, mendjen dhe deri trupat e njerëzve – vendimmarrja e një rrethi të caktuar sundimtarësh që pikërisht tek këta njerëz kërkojnë legjitimimin e veprimtarisë së tyre udhëheqëse; kërkojnë konsensusin dhe e marrin – çka e ilustron më gjerë dhe më thellë jetëzgjatjen e një totalitarizmi, përtej thjeshtësisë së një skematizmi që sheh veç dhunë dhe viktima, e anashkalon shumicën e heshtur (mes ushtruesëve të dhunës dhe përftuesëve të saj).

Së dyti, e në vazhdim të përsosur me të parën, monografia e Mëhillit paraqet risi përsa i përket teknikës hulumtuese. Si çdo historian i virtytshëm – ose më saktë: siç duhet të jetë, bash i virtytshëm, çdo historian – autori e di fare mirë se përtej vendndodhjes burimore të zakonshme, e cila ka të bëjë me trashëgiminë e shkruar dhe të konservuar në arkiva (zakonisht të karakterit publik) – pra përtej lëndës që ushqen historishkrimin tradicional të shekujve të fundit, jashtë mureve qëndron një laborator arkivor i hapur ndaj vëzhgimit por edhe ndërhyrjeve. Ky ka të bëjë me një larushi të pafund dëshmish të kulturës materiale (një vazhdë e antropologjisë historike), të përcjelljes zanore (ajo që përndryshe quhet histori orale), të trashëgimisë audio-vizuale, asaj monumentale dhe ndërtimore, si dhe ajo e arkivave privatë (letërkëmbime, memuaristikë, shënime personale etj.)

“Nga Stalini te Mao” është, veç të tjerash, edhe një udhëtim – siç një libër i shkruar mirë di të jetë – pas autorit që rend nga një burim tek tjetri. Të paktën mua, më ka lënë ëndjen e të lexuarit të një ditari kërkimor, ku pohimeve hijerënda të historianit që këmbëngul se po paraqet të vërtetën dhe vetëm të vërtetën (a mund ta përkufizojmë pak të vërtetën? atë hapësirë të ngushtë, por dhe të turbullt, midis të vërtetash subjektive, të nuk bien kurrë dakord për të vërtetat e njëra-tjetrës) i bëhet vend dyshimeve dhe nervit të një studiuesi i cili e jeton kërkimin e vet, shqetësohet pas tij, më shumë pas pyetjeve që ngre se përgjigjeve fundore të cilat pretendojnë se janë objektive. Çka është dhe shija që të lë pasuria dokumentare e librit, përtej renditjes shifrore (të admirueshme gjithashtu) në bibliografinë e vet përmbyllëse.

Njëkohësisht, në të autori ia ka dalë mbanë më së miri që të përcjellë hulumtimin dhe rezultatet e tij kërkimore përmes spirales së një pasioni dhe të një përkushtimi të hershëm – le të më lejojë ai, meqë e kam mik të çmuar, që t’ia nxjerr në pah këtë detaj – i cili ka të bëjë me objektet arkitektonike bashkëkohore. Studimi i Mëhillin është i veçantë, përveç se i arrirë, në llojin e vet edhe sepse ajo teknikë hulumtuese që përmenda më sipër shtjellohet në objektet arkitektonike që diktatura la si trashëgimi mbi peizazhin urbanistik të Shqipërisë.

Duke marrë në shqyrtim veprimtarinë ndërtimore të regjimit – në Tiranë apo në provincat e thella – Mëhilli vëzhgon përditshmërinë e të qenit subjekt i diktaturës; jo thjesht ndërtues i saj përmes objektifikimit simbolik të pushtetit, në një bulevard apo në një sipërmarrje piramidore, por bashkëjetues i përditshëm me mënyrën sesi ky regjim, përtej pedagogjizmit klasor të shprehur në ligjërimin e lidershipit të vet, përtej masave shtypëse të nënshkruara në trajtën e vet kushtetuese-institucionale, është dhe një projektim material që gjithmonë e më shumë zë vend, fiton praninë e vet, në ecejaket e qytetarit nga një hapësirë publike në atë private dhe anasjelltas.

Të shpjegosh diktaturën përmes vizionit të saj urbanistik, si dhe të shohësh sesi realizimi i këtij vizioni kthehet, mutatis mutandis, në një urë komunikimi dhe dialektike të vazhdueshme mes të sunduarve dhe sunduesve, është gjithashtu një mënyrë për ta parë diktaturën si zëvendësuese (a së paku, që mëtonte të ishte e tillë) e të zakonshmes; sesi një gjendje e jashtëzakonshme – një diktaturë është, në etimologjinë e vet konceptuale, gjithmonë shprehi e një gjendjeje të jashtëzakonshme – shndërrohet në arkitekturë: pjesë, shpeshherë e të përditshmes, atë që madje mund të mos e vëmë re më fare, aq të mësuar jemi me praninë e saj.

Për të mbërritur në fund tek risia e tretë, mbase më tërheqësja për nga ngarkesa që bart, e që ka të bëjë me stilin e rrëfimit. Përtej rreshtimit kronologjik të ngjarjeve, rendit të të cilave Mëhilli i mëshon pa e kthyer rrëfimin e tij historik në një kronikë të zbehtë ndodhish, datash dhe personazhesh – “Nga Stalini te Mao” shkërben trajtat e një rrëfimi mikrohistorik.

Në dukje paradoksale, duke qenë se libri mëton në nxjerrë në pah praninë fizike dhe psikologjike të shek. XX në Shqipëri (e jo të anasjelltën, siç mund të mendohet rëndom), duke e vendosur komunizmin shqiptar në një kontekst global zhvillimesh – pra, përtej kësaj paraqitjeje makro (kohore dhe hapësinore) – monografia e Mëhillit në të vërtetë është një historishkrim i udhëhequr nga thjerrëza mikroskopike. Përmes kapitujve të vet, “Nga Stalini te Mao” i ndërkall zhvillimeve të mirënjohura globale të Luftës së Ftohtë optikën mbi disa veprimtari shumë të vogla, tejet shpërfillëse, në dukje: siç është vetë ndërtimi i industrializimit socialist në një vend të prapambetur agrar e që për nga rëndësia e vet, pos përmasave modeste gjeografike, vështirë se arrin të duket në hartën botërore pa një sforcim të ndjeshëm.

Vetë Shqipëria socialiste, e gjitha, në veçantinë dhe meskinitetin e saj, është një mikrohistori e shkëlqyer globale.

E megjithatë, pikërisht në këtë konstrukt të vet dialektikor, në këtë rrëfim i cili vazhdimisht rreket të mbajë një sy, si dhe të heqë vija ndikuese, mes një realiteti global dhe përherë të vështirë për t’u ndaluar në fuqinë që ka për të prodhuar ngjarje, si dhe një realiteti lokal, tepër lokal krahasimisht me botën, realitet tepër i vështirë për t’u deshifruar, “Nga Stalini te Mao” ia ka dalë në qëllimin e vështirë për të treguar sesi historia e një mikroshteti, historia e një mikropopulli dhe ajo e një mikroshoqërie që synon drejt fundit të historisë (në terma të përmbysur fukujamianë) – gjithë kjo mikrohistori pra nuk është aspak e vogël, nuk është aspak mikro.

Se përveç vlerës së të qenit një miniaturë e një bote të madhe dhe të pandalshme – shpeshherë e parë edhe në terma ekzotikë nga një sy i lektisur perëndimor – Shqipëria socialiste është dhe një case study i mirëfilltë, metodë e çmuar për të modeluar gjithë ato aspekte dinamike të Luftës së Ftohtë, të përplasjes Lindje-Perëndim, të kompeticionit socializëm-kapitalizëm, të cilat nëse do të mbaheshin brenda teknikave studimore makro, pra të historisë globale pa zhytje vertikale në morinë e realiteteve dhe riprodhimeve lokale, do të rezultonte një histori sipërfaqësore. E një e tillë afërmendsh do të ishte vetëm një kronikë e thatë datash, ngjarjesh dhe personazhesh.

Libri i Mëhillit, përmes kësaj stilistike dramatike që ngjitet dhe zbret midis niveleve të ndryshme globale dhe lokale – duke gërmuar veçanërisht në të ndërmjetmen (siç e ndërmjetme është, exempli gratia, historia e një arkitekti shqiptar që nga provinca shqiptare përfundon në Moskë, duke pretenduar mandej që të lërë gjurmë në urbanistikën e Tiranës dhe të ravijëzojë në të simbolikën e thyerjes historike që synon socializmi) – “Nga Stalini te Mao” pra është gjithashtu, si pasojë e këtyre realiteteve të ngjeshura dhe që vështirë se mund të shpleksen, rezultati i një aftësie kritike për të rrëfyer.

Një rrëfim që nuk e mohon dëshirën e vet për të qenë jo vetëm i kujdesshëm, jo vetëm rigoroz për sa i përket ndjekshmërisë shkencore, por edhe i lexueshëm. Çka në dukje shfaqet si diçka krejt normale, për cilindo libër. Por jo për cilindo subjekt libri. Mëhilli ia ka dalë që nga një kënd akademik në Shtetet e Bashkuara ta kthejë rastin shqiptar – subjektin “Shqipëri socialiste” – jo vetëm në një lëndë të kapërdishme për atë kastë të mërzitshme “ekspertësh të fushës”, por edhe përtej. Nuk do të ishte aspak e tepërt nëse këtë arritje e shënojmë në rezultatet që jep patjetër profesionalizmi i autorit të kësaj monografie, por edhe aftësia e vet për ta bërë subjektin në fjalë, siç po thosha, të lexueshëm. Në fund të fundit, do të ishte vërtet marrëzi nëse do të mohohej se edhe një historian, njësoj si një lëvrues i penës artistike, aspiron për veprën e vet që kjo të mund të marrë po të njëjtin bekim muzash. Bekim që Mëhilli, e shfaq në rrjedhshmërinë e çdo faqeje të monografisë së vet, pa qenë asesi cingun edhe me lexuesin profan. Qoftë në Amerikë, qoftë në Shqipëri përmes përkthimit të “Nga Stalini te Mao” në gjuhën shqipe.

 

[1] Botimi origjinal: Elidor Mëhilli, From Stalin to Mao. Albania and the Socialist World, Cornell University Press, 2017.

© 2024 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin