nga Agron Alibali
Hyrje
Studimi bashkëngjitur zbulon një aspekt të ri, pak ose aspak të njohur, të jetës dhe veprës së Fan Stilian Nolit. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur ethet e Luftës së Ftohtë e kishin ndarë botën në dy kampe të kundërta, dhe kur Amerika po përballej me periudhën e palavdishme të Makartizmit, dokumentet e zbuluara tash vonë nga arkivat amerikane tregojnë se as udhëheqësi i shquar fetar dhe politik i një komuniteti të vogël nuk i shpëtoi valës së denoncimeve, vëzhgimit apo edhe hetimit të rreptë.
Autori i denoncimi të parë kundër Fan S. Nolit, i kryer me 16 tetor 1947, ishte Alfred Human, kryeredaktori i revistës Musical Digest, përmes një letre drejtuar vetë shefit të FBI-së, Edgar Hoover-it. Letra shënon fillimin e një veprimtarie të ethshme hetimore, që mori në shqyrtim jo vetëm Kryepeshkopin e nderuar, por mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe organizatat kryesore të tij, përfshirë VATRË-n.
Dosja sekrete hetimore kundër Fan S. Nolit përmban dhjetra dokumente të deklasifikuara plotësisht ose pjesërisht. Në shumë prej tyre ende ruhen të fshira emra njerëzish dhe ngjarje, fshehtësia e të cilëve për arësye të ndryshme mbrohet nga ligjet amerikane.
Hetimi ndaj Nolit u mbyll zyrtarisht më 1 korrik 1952, kur Agjenti i Posaçëm i FBI-së Christopher H. Kokolakis konkludoi se “hetimet e kryera në Boston nuk kanë sjellë ndonjë provë se Peshkop Noli ka qenë ose pro-komunist, ose agjent i një qeverie të huaj”[1]. Megjithatë, dosja përmban dokumente deri më date 29 mars 1965, të cilat lidhen me momentin e vdekjen e Nolit.
Projekt studimi analizon dosjen hetimore të Fan S. Nolit sipas viteve përkatëse, duke u përqendruar në aspektet juridike të akuzave kundrejt tij si dhe në faktet, provat dhe rrethanat e reja ose të njohura që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e Nolit.
Edhe pse përfundimet e plota do të paraqiten në fund të studimit, theksojmë paraprakisht se analiza dhe shqyrtimi i dosjes hetimore kundër Fan Stilian Nolit vërteton se ai u trajtua me respektin dhe konsideratën më të lartë nga organet hetimore amerikane edhe pse ndodhej nën vëzhgim, dhe se në fund të hetimit figura e tij del edhe më e pastër dhe e lartësuar. Dokumentet e këtij hetimi të gjatë dhe të fshehtë ndaj tij provojnë edhe njëherë se Noli ishte udhëheqësi i padiskutueshëm i komunitetit dhe i Kishës Ortodokse Shqiptare, patriot i shquar i kombit amerikan, mbrojtës i paepur i lirisë dhe pavarësisë së Shqipërise, shkurt një gjigand i vërtetë.
VITI 1947 – DENONCIMI
Dosja hetimore e Nolit përmban tre dokumente për vitin 1947.
Dokumenti i parë i 16 tetorit 1947, i riprodhuar i plotë, është letra e denoncimit, që në fakt është strumbullari i gjithë veprimtarisë së ethshme hetimore të mëvonshme. [1/1947][2].
Dokumenti i dytë, i datës 25 tetor 1947, është përgjigja e Hoover-it drejtuar denoncuesit. [2/1947].
Dokumenti i tretë, i dates 24 nëntor 1947, përmban urdhërin e qendrës për fillimin e hetimeve ndaj Nolit si dhe informacione shtesë, të mbështetura ose jo, lidhur me të. [3/1947].
Për vetë rëndësinë që ka, po përcjellim të plotë dokumentin e parë, atë të denoncimit:
===
Dokumenti [1/1947]
Musical Digest[3]
119 West 57th Street, New York 19, N. Y.
Circle 5-4582
October 16, 1947
J. Edgar Hoover
Drejtor, Byroja Federale e Hetimeve
Departamenti i Drejtësisë
Washington, D.C.
“I nderuar z. Hoover,
Pasi lexova librin e ri “Beethoveni dhe Revolucioni Francez” më shkoi nëpër mend se ndofta departamenti tuaj mund të ishte i interesuar të kqyrte në biografinë e autorit, i cili përshkruhet si “kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës”.
Ky libër duket si diçka më shumë se sa thjesht sulmi tipik i një radikali të kohëve tona. Duke paraqitur me mprehtësi [adroitly] “provat e veta dokumentare” autori i librit përmend se “Beethoveni tallej me fenë dhe ndërroi jetë duke nënçmuar ceremonitë e komunionit të shenjtë” (f. 111), se “ai ishte pijanec” (faqe 37), se “ishte ‘horr’” (faqe 48), se “ai ishte kryengritës revolucionar’” (faqe 81), etj.
Mendimet e paraqitura në këtë libër janë një përzierje aq e çuditshme gjysëm të vërtetash dhe faktesh të pambështetura saqë detyrohemi të pyesim se me ç’qëllim autori ka vendosur të shtrembërojë historinë e muzikës. Mos vallë për shkaqe të pastërta subversive politike? Botuesi është International Universities Press, 227 West 13th Street, New York 11, New York.
Juaji Sinqerisht,
Alfred Human
Kryeredaktor.
===
Kjo, pra, ishte letra denoncuese kundrejt Fan Nolit. Pak dihet për autorin e saj. Një Alfred Human përmendet në vitin 1933 si i biri i violinistit të famshëm nga Bostoni, Theodor Human[4]. Ka të ngjarë që të ketë qenë pikërisht ai kryeredaktori i mëvonshëm i së përjavshmes Musical Digest. Sipas një shënimi në fund të kopjes së arkivit të FBI-së të letrës përgjigje të Huver-it, ai thekson se Human kishte “kryer studime lidhur me ndikimin që kishte muzika tek trajtimi i kriminalitetit të të miturve.”[5] Me të dhënat që kemi në dorë nuk mund të përcaktojmë dot nëse Noli dhe Human njiheshin, edhe pse të dy kishin lidhje me Bostonin. Ajo çka duhet theksuar, gjithsesi, është përkitja apo afëria midis datës së letrës së denoncimit, 16 tetor 1947, me mbylljen e revistës në dhjetor 1947.
Pavarësisht nga sa më sipër, është për të ardhur keq që autori i denoncimit, njeri i letrave dhe i muzikës, nuk e gjente të udhës t’ia shpaloste mendimet apo kundërshtimet e veta ndaj përmbajtjes së veprës drejtpërdrejt autorit, ose t’i botonte në çfarëdo organ të shtypit të gjerë apo të specializuar. Përkundrazi, ai i drejtohej vetë shefit të FBI-së, duke ditur mjaft mirë se në atmosferën e ngarkuar të atyre viteve insinuatat e tij do të zinin vend.
Duke patur parasysh edhe ritmin e shërbimit postar në atë kohë, përgjigja e Huverit nuk vonoi aspak, çka dëshmon për vëmendjen personale dhe seriozitetin e veçantë që i kushtoi problemit vetë ai. “Letra tuaj e 16 tetorit 1947”, do të shkruante Huveri më 25 tetor 1947, “është marrë prej nesh dhe unë do të doja t’ju falenderoja që më vutë në dijeni për vëzhgimet tuaja lidhur me atë çka keni shkruar. E vlerësoj shumë interesimin që nxiti komunikimin tuaj.[6]” Z. Huver mandej i dërgon bashkëngjitur denoncuesit disa materiale informuese lidhur me kërcënimin dhe luftën ndaj komunizmit.
Denoncimi i Human-it e vuri menjëherë në lëvizje mekanizmin hetimor të Byrosë Federale të Hetimeve. Dosje të mbyllura, të mbuluara nga pluhuri dhe të arkivuara prej vitesh, u zbritën nga raftet, u vunë mbi tryeza dhe pretendimet dikur të rrëzuara të përmbajtura në to u hodhën sërish në qarkullim. Për shembull, doli sërish në dritë se Noli “kishte qenë nën shqyrtimin e Departamentit (të Drejtësisë) në vitin 1943 në lidhje me një llogari të regjistrimit të agjentëve të huaj të vitit 1938”, dhe se ai ishte tejet i lidhur me Ministrin Shqiptar në SH.B.A., i cili vdiq në 15 dhjetor 1942”[7]. Fjala sigurisht ishte për Faik Konicën.
Dokumenti i tretë në dosje për vitin 1947 është i datës 24 nëntor 1947 i drejtorit të FBI-së adresuar Agjentit të Posaçëm të Ngarkuar për Hetimin[8] [tashembrapa APNH] në Boston. I klasifikuar si “SEKRET”, Dokumenti [3/1947] përmban në krye të lëndës titullin “FAN NOLI, SPIUNAZH – R”. Ende sot dokumenti mbetet pjesërisht i klasifikuar. Përmbajtja e dyshimeve apo akuzave ndaj Nolit në krye dhe në fund të tij – dy paragrafe secili – mbeten të fshira sot e gjithë ditën.
Në këtë dokument qendra i kërkon degës së Bostonit “të hetojë për të përcaktuar vërtetësinë apo falsitetin e pretendimeve të mësipërme” që, sikurse thamë, janë të fshira. Dokumenti mandej i përcjell degës së Bostonit disa informacione të tjera, që mendohej se kjo e fundit nuk i kishte.
Aty përmenden disa momente nga jeta e Nolit që lidhen me qëndrimin dhe kontaktet e tij në Vjenë në vitin 1925, dhe me ardhjen e mëvonshme të tij në Amerikë në vitin 1931. Përgjithësisht ato kishin qenë të njohura më përpara, dhe do të shtoja, të injoruara nga autoritete amerikane në kohën e vết, mirëpo të bën përshtypje ri-qarkullimi i tyre në kuadrin e rrethanave të reja të periudhës së Makartizmit.
Aty përmendet se më 25 qershor 1925 Departamenti i Shtetit kishte marrë një telefonatë nga një individ, emri i të cilit është i fshirë, që “deklaronte se kishte marrë informacion për një lëvizje të organizuar prej pasuesve të subjektit [d.m.th. Fan S. Nolit, Shënimi im, A.A.], që synonte të përmbyste qeverinë e Ahmet Zogut në Shqipëri.[9]”
Gjykuar në lidhje me rrethanat e reja historike të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të Luftës së Ftohtë, rëndësi paraqet pretendimi tjetër i denoncuesit të panjohur të vitit 1925 sipas të cilit “subjekti ndodhej në Vjenë, ku mbante lidhje të ngushta me agjentët bolshevikë në atë qytet”, mirëpo, “sipas Departamentit të Shtetit, subjekti nuk arriti të sigurojë mbështetjen e përfaqësuesit sovjetik [10]” atje.
Më tej Dokumenti [3/1947] përmend se më 1 qershor 1926 Departamenti i Shtetit njoftonte se kishte marrë një raport ku thuhej se qeveria shqiptare ishte e shqetësuar se “Fan Noli përgatitej të shkonte në Shtetet e Bashkuara si agjent sovjetik për të ndërmarrë propagandë bolshevike midis shqiptarëve të Amerikës në lidhje me një lëvizje për të përmbysur qeverinë shqiptare të kohës”.
Dokumenti përmend më tej një njoftim të Konsullatës shqiptare të Boston-it të 24 qershorit 1926 drejtuar Departamentit të Shtetit se “pasaporta e lëshuar për Fan Nolin më 28 shkurt 1926 ishte anulluar” sepse, disa fakte të mbërritura në vëmendjen e Konsullit shqiptar e kishin shtyrë atë të besonte se “pasaporta ishte përftuar mbi bazën e deklarimeve të rrejshme[11]”. Sagën e pasaportës së Nolit, të lëshuar nga Koço Tashko dhe Kristo Kirka në Konsullatën shqitpare të Nju Jorkut e kemi përshkruar në librin “Faik Konica” – Dritëhijet e një diplomati”.
Vargu i informacioneve dëmtuese ndaj Nolit vazhdon më tej me referencën tek “një artikull botuar në një gazetë të panjohur të Washington-it më 14 qershor 1930[12]” ku deklarohej se “njëri prej komunistëve më aktive evropianë kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në rrugë klandestine”. Kjo shpifje e pastër vazhdonte si më poshtë: “Ai u identifikua si Fan Noli, organizator i kuq dhe aktivist (insider) i njohur i revoltës së Vjenës të vitit 1928, që e mbajti qytetin për një javë në gjendje rrethimi dhe që shkaktoi më shumë se 100 persona të vrarë e të plagosur”. Duke iu referuar sërish artikullit, dokumenti përmendte se “Noli besohej se fshihej në Boston”. Si burim i “fakteve” të mësipërme dokumenti përmend “Universal Services”[13]…?
Nuk mund të mos shprehim habinë për mungesën e rëndësishme të titullit të organit. Nuk është e mundur që shefi i FBI-së të kishte përmbajtjen, vendin dhe datën e botimit, por jo emrin e gazetës. A kemi të bëjmë me ndonjë organ të shtypit etnik amerikan, që mund të kishte hesape për të qëruar me Nolin për shkak të veprimtarisë së tij të shquar fetare në lidhje edhe me hapin historik të themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare fillimisht në Amerikë dhe mandej në Shqipëri?
Më tej dokumenti përmend se Noli kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet portit të Nju Jorkut me 10 korrik 1931 “si vizitor i përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh sipas Nenit 32 të Ligjit të Emigracionit të vitit 1924[14]”.
Dokumenti [3/1947] përfundon me referencën e një raporti të datës 10 qershor 1942 të zyrës së FBI-së të Cleveland, Ohio-s lidhur me Faik Konicën dhe Vatrën, “me të cilët subjekti ka qenë i lidhur” si dhe me një biografi të shkurtër të Nolit të hartuar nga Prof. Japson, Shërbimi Kërkimor dhe i Shtypit të Huaj, Balliol College, Oxford, i lidhur me një interceptim të datës 22 nëntor 1942 të shërbimit britanik të censurës së postës të një letërkëmbimi midis Fan Nolit dhe Tajar Zavalanit.
Sikurse thamë, informacioni që Huver-i i dërgonte Bostonit përmban disa fakte të njohura, por edhe të dhëna të rrejshme, mjaft prej të cilave ishin skartuar me kohë nga zyrtarë amerikanë që merreshin me Shqipërinë. Duke perifrazuar një thënie të Nolit në mbramje të jetës së tij, e cila lidhej me afrimin e gjakut të ri tek Federata VATRA, mund të themi se rihedhja në qarkullim e akuzave kundër Nolit ishte njëlloj sikur “të shtije verë të vjetër në një shishe të re”. Veçse, sikurse do të paraqitet më tej në këtë studim, kjo verë nuk qëlloi ndryshe përveç se uthull e thartë…
© 2024 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
[1] Office Memorandum prej APNH, Boston, për Drejtorin e FBI-së, date 20 gusht 1952.
[2] Dokumentet e dosjes do të indeksohen me numër rendor sipas dates dhe vitit. Për shembull, dokumenti më i hershëm i vitit 1947 do të indeksohet si [1/1947] dhe me rradhë, kurse më i hershmi i vitit 1948 do të indeksohet si [1/1948], etj.
[3] Revistë e përjavshme për muzikën. Filloi të botohej në Nju Jork më 1919 . Julliard, A History, University of Illionis Press, 2002. f. 87. U mbyll me numrin V. 29 në dhjetor 1947. Biblioteka Publike e Nju Jorkut.
[4] Theodore Human, Musician, 82, Dies; Member and Organizer of Original Boston Symphony Orchestra Was Violinist. New York Times, Obituaries, 19 shtator 1933.
[5] [3/1947]
[6] [2/1947].
[7] Bëhet fjalë për Faik Konicën. [2/1947].
[8] Në anglisht Special Agent in Charge, ose shkurtimisht SAC.
[9] [3/1947].
[10] Po aty.
[11] Po aty.
[12] Nënvizimi i imi, A.A.
[13] [3/1947].
[14] Sipas një korrespondence midis Departamentit të Shtetit dhe FBI-së të 21 tetorit 1931, [3/1947].