Ndodh me ata që sapo kanë filluar të luajnë shah, që t’u vijnë gjithfarë idesh për lëvizje të reja, modifikime të rregullave, në thelb jetërsime të lojës, për ta bërë këtë më të shijshme për qiellzat e tyre të pamësuara.
Përkundrazi, një lojtari me eksperiencë, nuk i shkon zakonisht në mendje që të mendojë një lloj lëvizjeje të re për kalin ose filin – ose për një mundësi që loja të vazhdojë edhe pasi njëri prej mbretërve të jetë kapur mat.
Lojtari me eksperiencë e pikas pasurinë e lojës pikërisht te pamundësia për t’ia ndryshuar rregullat – sepse një sistem rregullash arbitrare dhe të paprekshme garantojnë barazinë e lojtarëve, jo vetëm fillestare, por edhe për çdo lëvizje.
Krejt sistemi i shahut – si bashkësi rregullash dhe teorish për hapjen, meslojën dhe finalen; por edhe si arkiv lojërash të shkëlqyera dhe problemesh shahu, ngrihet mbi parimin e pandryshueshmërisë së rregullave.
Vetëm kjo mundëson që shahu të shndërrohet në një festë të inteligjencës dhe të arsyes; dhe pikërisht pranimi i heshtur (tacit) nga lojtarët jo vetëm i një sistemi fiks rregullash, por edhe i vetë nevojës që ky sistem duhet të mbetet fiks, që loja të ketë kuptim.
Çfarë fillestarit i duket si pengesë a kufizim i përpjekjeve të tij për fitore, për lojtarin me eksperiencë shndërrohet në një kusht themelor që loja t’i përshtatet intelektit të tij; po aq sa edhe marrëveshja, mes lojtarëve, për të luajtur të dy sipas të njëjtave rregulla.
Shahu këtu vlen si metaforë edhe për aktivitete të tjera ndërpersonale – rregullat nuk janë për të penguar lirinë, por për të mundësuar një artikulim më të plotë dhe më të pasur të lirisë; me kusht që të jenë konvencionale, ose që palët të jenë marrë vesh për to.
Në qoftë se një lojtar shahu do të thoshte se rregullat e lojës ia kufizojnë lirinë, kolegët do ta këqyrnin si të marrë ose të metë: sepse kur vjen puna për lojërat, rregullat JANË loja. Të luash, do të thotë që t’i përvetësosh ato rregulla aq mirë, sa të jenë bërë për ty të tejdukshme.
Shahu luhet prej kaq kohësh, sa nuk dihet se kush e ka shpikur dhe kush i ka formuluar i pari rregullat. Disa prej këtyre rregullave janë relativisht të reja – por nuk e tregojnë moshën: nuk ka asgjë në lëvizjen diagonale të filit, që të lërë të kuptohet se para 400 vjetësh kjo figurë lëvizte ndryshe.
Në rastin e lojërave më të reja, ose më pak të përhapura, ose më pak të kodifikuara, rregullat duhen negociuar mes lojtarëve – p.sh., kur një shqiptar dhe një amerikan ulen të luajnë tavëll, duhet të bien dakord nëse do ta përdorin zarin.
Por nëse një lojtar kërkon të ushtrojë “lirinë” e vet dhe, për shembull, ta lëvizë një gur në kundërshtim me rregullat, kjo zakonisht e prish menjëherë lojën (marrëveshjen e lojës); çfarë do të thotë se lojërat janë zakonisht modele të kufizimit të lirisë të lojtarëve.
Edhe në aktivitete të tilla jo-kompetitive si arti, p.sh. piktura, që vështirë t’i konsiderosh si lojëra, i përmbahen këtij kushti – sepse aktorët e kufizojnë lirinë e rolit brenda caqeve të skenës; ndërsa piktori zakonisht vepron në pëlhurën brenda kornizës.
Nga pikëpamja sociologjike, këtë kushtëzim të lojës prej rregullave mund ta shohësh edhe si efekt të asaj çfarë është loja vërtet: një përpjekje për të sublimuar dhunën. Në kuptimin që maksimumi i lirisë, për një lojtar lojërash (kompetitive), do të ishte që ta vrasë menjëherë kundërshtarin, me çdo mënyrë dhe mjet.
Synimi i rregullave është që ta zhvendosë këtë objektiv drejt arsyes – duke e zëvendësuar vrasjen me fitoren; dhe duke e konvencionalizuar dhunën. Megjithatë, shenja të dhunës i gjen gjithnjë në ligjërimin që shoqëron lojën – në shqip themi “ha”, kur një gur yni e largon nga fusha një gur të kundërshtarit, siç themi “e munda” kundërshtarin, “e vura poshtë”, “e mbyta”. Në italishte, incontro dhe scontro kanë etimologji të ngjashme – të dyja të mbështetura në kuptimin elementar të përballjes; ndërsa gara, që e kemi edhe në shqip, mbase vjen nga arabishtja klasike غارة = al- ġārâ, me kuptimin “sulm”; në qoftë se nuk lidhet etimologjikisht me guerra, një huazim nga gjuhët gjermanike (cf. angl. war).
Vetë fjala “ndeshje” i referohet, në thelb, një ndërveprimi (konvencionalisht) të dhunshëm. Me gjasë, rregullat për sublimimin e dhunës janë edhe më themelore se ato që lejojnë ndërlikimin e lojës deri në efekte estetike ose mirëfilli intelektuale. Çdo takim është edhe përplasje: loja është një nga strategjitë për mënjanimin e dhunës së drejtpërdrejtë, por e vetmja; ngjashëm shërben edhe rituali i marrëdhënies ndërpersonale (që gjithashtu mund të konsiderohet një lloj loje, me rregullat e veta).
Filozofi dhe teoricieni i lojërave Bernard Suits[1], e ka përkufizuar lojën kështu: “përpjekja e vullnetshme për të kapërcyer pengesa të panevojshme” ( “the voluntary attempt to overcome unnecessary obstacles”). Kur flet për rregullat e lojës, ai vë në dukje që funksioni i këtyre është të mos lejojnë mënyrën më eficiente për të arritur synimin e paravendosur – për shembull, në futboll, lojtarët do ta kishin më të lehtë që të shënonin me dorë, po të mos ishte për rregullën që e ndalon prekjen e topit me dorë.
Për ta ilustruar përkufizimin e tij, Suits rrëfen parabolën e Ivanit dhe Abdulit, dy ish-ushtarakë të vjetër, dikur kundërshtarë të njëri-tjetrit në fushëbetejë, që tani e gjejnë veten të emëruar ambasadorë në të njëjtin kryeqytet të humbur. Natyrshëm filluan ta kalojnë kohën duke luajtur lojëra të ndryshme, por me kusht që disa rregulla të mund t’i thyenin, nëse mund ta bënin këtë fshehurazi ose pa ndëshkim. Dikur i provuan forcat në shah, dhe aty Ivani bëri një lëvizje të parregullt me damë, së cilës Abduli iu përgjigj duke e hequr damën nga fusha. Pastaj Ivani i vendosi gurët në mënyrë të tillë që mbreti i Abdulit të ish kapur mat, ndërsa Abduli, me një lëvizje të krahut, i rrëzoi të gjithë gurët në tokë. Në këtë moment, ishin gati që t’i hidheshin njëri-tjetrit në fyt.
Të nesërmen, kur u takuan sërish, e zunë në gojë përfundimin e lojës një ditë më parë, dhe të dy zbuluan se kishin arritur në të njëjtin përfundim: nuk do të mundeshin më të luanin shah. Dhe ja pse: momenti kur do të rreshtonin gurët në fushë, do të ishte për ta sinjali për të filluar një përleshje pa lidhje me shahun. Për të njëjtën arsye, dy miqtë nuk do të luanin dot më asnjë lloj loje, sepse “lojërat kërkojnë që ne t’i imponojmë kufizime artificiale vetes, teksa kërkojmë fitoren; por ne e refuzojmë këtë.” Dhe, në muhabet e sipër, arrijnë në përfundimin se e vetmja lojë që u mbetet, është dyluftimi deri në vdekje të njërit prej lojtarëve.
Tani le t’i kthehem arsyetimit tim më lart, që lojërat (kompetitive) janë mënyra për të sublimuar dhunën; dhe pikërisht për të vënë në dukje se e vetmja mënyrë për ta realizuar këtë synim është që kufizohet liria e lojtarëve, nëpërmjet rregullave. Përndryshe, sa kohë që synimi i lojës është fitorja, atëherë strategjia më e sigurt për ta arritur synimin është eliminimi sa më i menjëhershëm i tjetrit.
Këtë skenar ekstrem e përjashton, megjithatë, fakti që lojtari është qenie sociale dhe etike, që luan me qindra “lojëra” njëherazi, dhe jo doemos të gjitha për të fituar – një pjesë e mirë e këtyre “lojërave” janë me shumë pozitive, “positive sum games” – të tilla janë edhe ato lojëra kompetitive, p.sh. ndeshjet e futbollit, që përfundojnë me fitoren e njërës palë dhe humbjen e tjetrës, por që shijohen nga miliona shikues anembanë botës.
Pretekst për këto shënime u bë një debat që kthehet përjetshëm: ai i rregullave gjatë një diskutimi online. Edhe pse disa pjesëmarrës duan të lihen të lirë të thonë çfarë të duan (disa, me arsyetimin se “jemi në demokraci”), mungesa e rregullave e degradon çdo debat në shkëmbim sharjesh të pakuptimta, siç mund ta shohë kushdo që shfleton komentet e lexuesve te “Dita” ose te “TemA”; çfarë është, në thelb, një lojë me shumë negative që përfundon me vdekjen e debatit vetë.
Në thelb, heqja e disa lirive, ose imponimi i kufizimeve, bën të mundur që të ushtrohet, nga pjesëmarrësit, liria e debatit, një formë lirie veçanërisht e dëshiruar për një hapësirë që i kushtohet, pikërisht debatit. Madje, janë pikërisht rregullat, qoftë edhe ato që mund të duken arbitrare, që mundësojnë artikulimin e mendimit dhe të një kulture pluraliste në debatet; sikurse mundësojnë rregullat fikse të shahut krijimin dhe pasurimin e kulturës dhe të estetikës së lojës.
Te parabola e Suits-it, një natë përpara match-it, Ivani dhe Abduli u vizituan nga “zëri i logjikës”, që i bindi se, pa humbur kohë, duhej të dilnin nga shtëpia dhe të shkonin te tjetri për ta vrarë, në gjumë, pa paralajmërim, befasisht. U takuan të dy në gjysmë të rrugës, dhe ashtu kanë mbetur, thotë Suits, deri ditët e sotme, dy statuja mermeri përballë njëra-tjetrës, në bulevardin që lidh mes tyre dy ambasadat.[2]
Edhe pse po bëhen tridhjetë e kusur vjet, qëkur e kemi hequr fanelën totalitare të mendimit kolektiv, ne të Shqipërisë ende nuk e kuptojmë se rregulla kryesore, për të luajtur lojën e pluralizmit, është që të mos shkatërrojmë mjediset ku luhet loja. Kjo rregull vlen për çdo forum ku kultivohet liria e fjalës, por në radhë të parë për agoratë kryesore – ku do të futja edhe rrjetet sociale; por, duke filluar megjithatë nga Kuvendi, sot për sot njollë turpi në biografinë e gjithë atij brezi politikanësh që kemi mundur të nxjerrim.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet, përfshi edhe kopertinën, janë krijuar me AI.
[1] Në veprën The Grasshopper: Games, Life and Utopia, botuar për herë të parë në 1978.
[2] Tema e ambasadave dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare të çon detyrimisht te teoria e Luftës së Ftohtë dhe politika e MAD-it (“Mutually Assured Destruction”). Mua më kujton edhe një roman fantashkencor, Flying to Valhalla, nga Charles Pellegrino; ku argumentohet se nëse njeriu do të gjejë ndonjëherë ndonjë qytetërim tjetër në galaktikë, do të duhet ta shkatërrojë menjëherë, në mënyrë që të parandalojë shkatërrimin e vet.