nga Rei Bala
Dhe ashtu mund të pyesim:
çfarë na pengon gjuha që të përjetojmë?1
Në ma toleroni një fjalë vetes, atëherë ja ku po ndërhyj marrëzisht. Gjuha është përbashkësi. Është shesh takimesh, rrafsh ulje-ngritjesh, shtrirjesh, ndërlikimesh, kontorsion mendor — s’do mend që buzëlidhuri dot s’përdridhet. Odë, ku haet e pihet. Kur pi një okë, në odë shtihet. Gjuha është shtrat — le të themi martesor, ndonëse në shtrat të gjerë e të gjatë ka vend edhe për dashnorë. Sa? Aq sa as që ka nevojë të diskutohet. Fjala është koordinatë. Σημεῖόν. Pikë. Pa gjatësi,
Vendndodhje. Ku ndodhem. Fjalët janë fjali; koordinatat bashkë janë bashkësi. Një pafundësi koordinatash nuk përbëjnë planin. Bashkësia nuk e përfshin veten. Gjuha është hapësirë stërdimensionale — martesore e/ a brinore, por kjo (tani për tani) s’ka shumë rëndësi. S’mund të jetë euklidiane, përndryshe s’do të ndihesha sikur s’është e tillë. Fjalët nuk janë gjuha. Fjala është e imja dhe e jotja. E kujt është gjuha? “Idealisht, gjuha duhet të jetë e tejdukshme: të mos interferojë në çfarë kërkon të thuash ti, apo Tjetri (bota) që të flet ty”. Por gjuha është intereferencë. Siç tingulli është rezonancë. Gjuha ndërhyn. Madje edhe në bisedë. Ndërhyn pikërisht aty, ku s’duhen fjalët. Sepse gjuha s’është fjalë e vetëm fjalë. Gjendem në fjalë, por vetëm diku në gjuhë. Nëse hapësira është kudo, fjala është thuajse askund. Thuajse ngjall diçka nga hiçi, sepse thuajse refuzon mosgjënë. Thuajse të mos jesh do të thotë, gjithsesi, të jesh. Por, së pari, do të thotë redundancë — tepri fjalësh, kasnecëri ekspeditash, që, megjithatë, dallohen edhe pa tellall me lirinë e syve të bregut. Dhe bregu është vend. Është koordinatë. Pikë. Fjalë. E imja dhe e jotja. Gjuha është më e madhe. Sepse është hapësirë. Dhe — them se — s’është as euklidiane. Tepria e fjalëve thotë. Nuk kërkon; thotë. Siç një bashkësi koordinatash nuk kërkon të ravijëzohet, por vijon. Folësi kërkon, unë. Sepse kërkesa është cilësi e jetës, jo e përtejsisë. Fjala kolonializon gjuhën. Sepse kolonializmi është rezultat teknik. Fashizmi s’është njerëzimi, por armët e tyre. Të presësh goditjen — e një trapi në breg. Fjalët zbulojnë gjuhën, siç zgjatimet planin. Shfrytëzojnë. Lakohen në hapësirë si rruazat e një pitoni të tërbuar pas bishtit të vet. Fjala rrëmben nga gjuha të tjera fjalë tek rrëmbehet nga të tjera të tjera. Sepse fjala është koordinatë, vendndodhje; gjuha është hapësirë thuajse e papërshkuar, det njëkohësisht i qielltë. Bisedat janë ekuacioni vektorësh. Zbërthimi më i thjeshtë kryhet në heshtje. Janë çështje forcash, vlerash, mospërputhjesh, paqësimesh, reduktuar rëndomtë në aritmetikë elementare. E gjuha nuk është aritmetikë. Është hartë e pamaterializuar pafundësisht e zgjerueshme. Fjalët janë pikla spërkatur nga flladi i rrahjeve të krahëve të një kondori në Peru. Një barkë në oqean do të jetë gjithnjë ravéliane. Krahët zhvendosin barkën, shtyjnë dallgët. Poezia kërkon regjistrin e rradhës. Pllakëzat në të djathtë, Ravel; frekuencat në të majtë, Bangalter. Lart. Poshtë. Kudo2. Lëvizje. Prehja nuk i përket jetës. Çfarë na pengon gjuha që të përjetojmë? Të pamenduarën. Çdo tjetër gjë.
(c) 2023 Rei Bala. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
1 Bota në xham, Ardian Vehbiu.
2 Ndonëse duhet thënë se lartë, poshtë, majtas, djathtas janë thjesht konvencione, që kudondodhja i hedh diku — por kurrsesi poshtë.
Drita e mendimit në gjuhë/fjalë